Organizimi i dashur familjar i Jehovait
«Për shkak të kësaj i përkul gjunjët para Atit, të cilit çdo familje në qiell e mbi tokë i detyron emrin e vet.»—EFESIANËVE 3:14, 15, NW.
1, 2. (a) Për çfarë qëllimi e krijoi Jehovai bërthamën familjare? (b) Çfarë roli duhet të ketë sot familja në rregullimin e Jehovait?
JEHOVAI krijoi bërthamën familjare. Nëpërmjet saj, ai bëri diçka më shumë sesa kënaqja e nevojës njerëzore për shoqëri, mbështetje apo intimitet. (Zanafilla 2:18) Familja ishte mjeti me anë të cilit duhej të realizohej qëllimi i Tij i lavdishëm për të mbushur tokën. Ai i tha çiftit të parë martesor: «Jini të frytshëm dhe shumohuni dhe mbusheni tokën e nënshtrojeni atë.» (Zanafilla 1:28) Ambienti i ngrohtë dhe mbrojtës familjar, do të ishte fitimprurës për fëmijët e shumtë që do lindnin prej Adamit dhe Evës dhe pasardhësve të tyre.
2 Megjithatë, çifti i parë ndoqi kursin e mosbindjes, me rezultate shkatërrimtare për vete dhe pasardhësit e tij. (Romakëve 5:12) Prandaj, jeta e sotme familjare është një kopje e shëmtuar e asaj që Perëndia deshi të bënte. Sidoqoftë, familja vazhdon të ketë një rol të rëndësishëm në rregullin e Jehovait, duke qenë bërthama themelore e shoqërisë së krishterë. Nuk e themi këtë sepse nuk e çmojmë punën e shkëlqyeshme të kryer nga të krishterë të panumërt të pamartuar që gjenden mes nesh. Por njohim kontributin e dukshëm që japin edhe familjet në organizatën e krishterë në përgjithësi. Familje të forta formojnë kongregacione të forta. Por, si mund të përparojë familja jote, pavarësisht nga presionet e sotme? Për t’u përgjigjur, le të shqyrtojmë se çfarë thotë Bibla mbi institucionin familjar.
Familja në kohët biblike
3. Çfarë roli kishin burri dhe gruaja në familjen patriarkale?
3 Adami dhe Eva nuk e respektuan parimin hyjnor të autoritetit. Por burra me besë si Noeja, Abrahami, Isaku, Jakobi dhe Jobi e ushtruan siç duhej rolin e kryefamiljarit. (Hebrenjve 7:4) Familja patriarkale ishte si një shtet i vogël, ku babai kryente rolin e përfaqësuesit fetar, mësuesit dhe gjykatësit. (Zanafilla 8:20; 18:19) Edhe gratë kishin një rol të rëndësishëm, duke shërbyer jo si skllave, por si ndihmëse në administrimin shtëpiak.
4. Si ndryshoi jeta familjare nën Ligjin e Moisiut, por çfarë roli vazhduan të kishin prindërit?
4 Kur në 1513 p.e.s. Izraeli u bë një komb, ligji familjar iu nënrendit Ligjit kombëtar të dhënë përmes Moisiut. (Të Dalët 24:3-8) Autoriteti për të vendosur, duke përfshirë edhe çështjet për jetë apo vdekje, iu besua gjyqtarëve të emëruar. (Të Dalët 18:13-26) Priftëria e levitëve mori detyrën për t’u përkujdesur mbi aspektet e flijimeve të adhurimit. (Levitiku 1:2-5) Megjithatë, babai vazhdoi të luante një rol të rëndësishëm. Moisiu i nxiti baballarët: «Edhe këto fjalë, që po t’urdhëronj unë sot, dotë jenë ndë zëmërët t’ënde; Edhe dot’ u’a mësonjç me kujdes djemvet të tu, edhe dotë flasç për ato, kur të rrish ndë shtëpit t’ënde, e kur të ecënjç udhësë, e kur të bjesh të flesh, e kur të ngrihesh.» (Ligji i përtërirë 6:6, 7, BK) Ndikimi i nënave ishte i konsiderueshëm. Proverbat 1:8 i urdhëronte të rinjtë: «Dëgjoje, biri im, disiplinën e tët eti dhe mos e braktis ligjin e sat ëme.» Po, pa kapërcyer autoritetin e të shoqit, gruaja hebreje mund të vendoste dhe të mbështeste disa ligje familjare. Ajo duhej respektuar nga fëmijët madje edhe kur plakej.—Proverbat 23:22.
5. Në ç’mënyrë e përcaktonte Ligji i Moisiut vendin e fëmijëve në rregullimin familjar?
5 Ligji i Perëndisë përcaktonte qartë edhe vendin e fëmijëve. Në Ligjin e përtërirë 5:16 thuhet: «Nderoje tët atë dhe tët ëmë, sikurse të ka urdhëruar Jehovai, Perëndia yt; që ditët e tua të zgjaten dhe të të shkojë mbarë mbi dhé që Jehovai, Perëndia yt të jep.» Nën ligjin e Moisiut, mungesa e respektit ndaj çdonjërit prej prindërve ishte një shkelje serioze. (Të Dalët 21:15, 17) «Në rast se një njeri ndjell të keqen mbi atin ose nënën e tij,—thoshte Ligji,—ai pa diskutim duhet të vdesë.» (Levitiku 20:9) Rebelimi ndaj prindërve ishte njësoj si të rebeloheshe ndaj vetë Perëndisë.
Roli i bashkëshortëve të krishterë
6, 7. Përse fjalët e Pavlit në Efesianëve 5:23-29 u janë dukur revolucionare dëgjuesve të tij nga shekulli i parë?
6 Krishterimi hodhi dritë të mëtejshme mbi rregullimin familjar, veçanërisht mbi rolin e bashkëshortëve. Jashtë kongregacionit të krishterë, trajtimi i grave në mënyrë të ashpër dhe shtypëse ishte një gjë e zakonshme për bashkëshortët e shekullit të parë. Grave u ishte mohuar dinjiteti dhe të drejtat themelore. The Expositor’s Bible thotë: «Greku i kulturuar merrte grua për të lindur fëmijë. Oreksi i tij kishte përparësi mbi të drejtat e saja. Dashuria nuk bënte pjesë në kontratën martesore. . . . Gruaja-skllave nuk kishte të drejta. Trupi i saj ishte në dispozicion të pronarit të vet.»
7 Në një klimë të tillë, Pavli shkroi këto fjalë që i gjejmë në Efesianët 5:23-29: «Burri është kreu i gruas, sikurse Krishti është kreu i kongregacionit, pasi ai është shpëtimtari i këtij trupi. . . . Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, sikurse Krishti e deshi kongregacionin dhe u dorëzua për të . . . Burrat duhet t’i duan gratë e tyre si trupat e tyre. Ai që do gruan e vet, do vetveten, sepse asnjë njeri, kurrë nuk e urreu trupin e tij, por e ushqen dhe kujdeset për të me butësi.» (NW) Është pak të themi se këto fjalë, për lexuesit e shekullit të parë ishin revolucionare. The Expositor’s Bible thotë: «Asgjë nuk shfaqej më përtëritëse dhe rrënjësore në krishterim, në krahasim me moralin e shthurur të kohës, sesa koncepti i krishterë mbi martesën. . . . [Ai] hapi një epokë të re për njerëzimin.»
8, 9. Cilat shprehi të gabuara ndaj grave janë të zakonshme mes burrave dhe përse është e rëndësishme që të krishterët t’i hedhin tej këto pikëpamje?
8 Sot, këshillat biblike për burrat nuk janë më pak revolucionare. Me gjithë fjalimet mbi lirinë e gruas, sot burrat akoma i konsiderojnë gratë vetëm si objekte të thjeshta për kënaqësi seksuale. Duke i besuar mitit se tanimë gruas i pëlqen të jetë e sunduar, e kontrolluar apo tiranizuar, shumë burra i keqtrajtojnë gratë si fizikisht edhe emocionalisht. Sa turp do të ishte që një i krishterë të udhëhiqej nga mënyra botërore e të menduarit dhe ta keqtrajtonte të shoqen! «Im shoq ishte një shërbëtor ndihmës dhe mbante ligjërata publike», thotë një grua e krishterë. E megjithatë ajo pohon: «Unë isha një viktimë e rrahjeve të tij.» Është e qartë se ai veprim ishte në kundërshtim me rregullin e Perëndisë. Ai njeri qe një përjashtim i rrallë; kishte nevojë për ndihmë që ta kontrollonte zemërimin e vet, nëse donte të shpresonte në favorin e Perëndisë.—Galatasve 5:19-21.
9 Perëndia i urdhëron burrat që t’i duan gratë si trupin e tyre. Moszbatimi është rebelim ndaj rregullit të Perëndisë dhe mund të minojë marrëdhëniet personale me Perëndinë. Fjalët e apostullit Pjetër janë të qarta: «Ju burratë, gjithashtu, rrini bashkë me [gratë t’uaj] me urtësi, dyke dhënë nder kombit të gruasë si ene më së-dobëtë, . . . që të mos pengonenë të-faluratë t’uaj.» (1. Pjetrit 3:7, BK) Trajtimi i gruas me ashpërsi mund të ketë efekte shkatërrimtare edhe mbi karakterin frymor të saj dhe të pasardhësve të saj.
10. Në cilat mënyra bashkëshortët e krishterë mund ta ushtrojnë autoritetin duke ndjekur shembullin e Jezu Krishtit?
10 Bashkëshortë, familja juaj do të lulëzojë nën autoritetin tuaj nëse e përdorni atë ngjashëm shembullit të Krishtit. Ai nuk qe kurrë i ashpër dhe i dhunshëm. Përkundrazi, ai mundi të thoshte: «Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj.» (Mateu 11:29) A mund ta thotë këtë për ty familja jote? Krishti i trajtoi dishepujt e tij si miq dhe tregoi se u besonte atyre. (Gjoni 15:15) A i jep gruas tënde po këtë dinjitet? Në lidhje me «gruan e mirë» Bibla thotë: «Zëmëra e burrit t’ asaj besonetë mb’ atë.» (Proverbat 31:10, 11, BK) Kjo do të thotë t’i jepet asaj një farë lirie veprimi dhe pushteti vetëgjykimor, duke mos i imponuar kufizime të paarsyeshme. Veç kësaj, Jezui i inkurajoi dishepujt e tij për të shprehur ndjenjat dhe opinionet e tyre. (Mateu 9:28; 16:13-15) A vepron po kështu me gruan tënde? Apo një mendim të kundërt të sinqertë e quan si sfidë ndaj autoritetit tënd? Nëse i mban parasysh ndjenjat e gruas tënde dhe nuk i injoron ato, do të kontribuosh në fakt në rritjen e respektit të saj ndaj autoritetit tënd.
11. (a) Si mund të kujdesen baballarët për nevojat frymore të fëmijëve? (b) Përse pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës duhet të japin shembull të mirë në kujdesjen e familjes?
11 Nëse je baba, prej teje pritet që të marrësh direktivën edhe në përkujdesjen e nevojave frymore, emocionale dhe fizike të fëmijëve të tu. Kjo kërkon një program të mirë frymor për familjen tënde: të marrësh pjesë me ta në shërbimin në fushë, mbajtjen e një studimi biblik familjar, shqyrtim të shkrimit të ditës. Dhe interesant, Bibla tregon, se një plak apo shërbëtor ndihmës duhet të jetë një «njeri që e udhëheq mirë shtëpinë e vet». Pra, burrat që shërbejnë në këto detyra duhet të jenë kryefamiljarë shembullorë. Edhe pse u duhet të mbajnë një peshë të rëndë përgjegjësie në kongregacion, duhet t’i japin përparësi familjes së tyre. Dhe Pavli shpjegoi përse: «Në të vërtetë, nëse një burrë nuk di të drejtojë shtëpinë e vet, si do të kujdeset ai për kongregacionin e Perëndisë?»—1. Timoteut 3:4, 5, 12, NW.
Mbështetja e grave të krishtere
12. Çfarë roli luan gruaja në rregullimin e krishterë?
12 A je një grua e krishterë? Atëherë edhe ti duhet të luash një pjesë të rëndësishme në rregullimin familjar. Gratë e krishtere janë nxitur «t’i duan burrat e vet dhe fëmijët e vet: të jenë të urta, të pastra, shtëpiake me mend, të mira, t’ u binden burrave të vet.» (Titi 2:4, 5) Duhet, pra, të përpiqesh që të jesh një nikoqire shembullore, duke mbajtur një shtëpi të pastër dhe të këndshme për familjen tënde. Disa herë punët shtëpiake mund të jenë të mërzitshme, por nuk janë as poshtëruese, as banale. Si grua, ti je «zonjë shtëpie» dhe mund të kesh në këtë drejtim një pushtet të gjerë vetëgjykimor. (1. Timoteut 5:14, BK) «Gruaja e mirë», për shembull, përkujdesej për zahiretë e shtëpisë, merrej me pronën e patundshme dhe madje nxirrte edhe të ardhura duke kryer ndonjë aktivitet të vogël tregtar. (Proverbat, kapitulli 31) Natyrisht, këto nisma ndërmerreshin në kuadrin e direktivave të caktuara nga i shoqi, si krye i saj.
13. (a) Përse nënshtrimi mund të jetë i vështirë për disa gra? (b) Përse është fitimprurëse për gratë e krishtere t’u jenë të nënshtruara burrave?
13 Por, nënshtrimi ndaj burrave nuk është gjithmonë i lehtë. Jo të gjithë burrat imponojnë respekt. Dhe ti mund të jesh e pajisur me aftësi të dukshme në fushën financiare apo në programimin dhe organizimin e gjërave. Ndoshta ke edhe një vend pune dhe kontribuon në mënyrë thelbësore në të ardhurat e familjes. Apo ndoshta në të kaluarën ke vuajtur në një farë mënyre prej prepotencës së meshkujve dhe tani të është e vështirë t’i nënshtrohesh një burri. Megjithatë, duke ushqyer «respekt të thellë», ose «frikë» ndaj burrit tënd, provon se e respekton autoritetin e Perëndisë. (Efesianëve 5:33, Kingdom Interlinear; 1. Korintasve 11:3) Nënshtrimi është i rëndësishëm edhe për atë që familja jote të ketë sukses; të ndihmon që të mos ia nënshtrosh martesën tënde tensioneve dhe vështirësive të panevojshme.
14. Çfarë mund të bëjë një grua kur nuk është dakort me një vendim të të shoqit?
14 Por, a do të thotë kjo se duhet të heshtësh kur e ndjen se yt shoq po merr një vendim që s’është ndër më të mirët për familjen tuaj? Jo gjithmonë. Gruaja e Abrahamit, Sara, nuk heshti kur e kuptoi se mirëqenia e djalit të saj, Isakut, ishte në rrezik. (Zanafilla 21:8-10) Ngjashëm kësaj, disa herë ti mund të ndjesh detyrën për të thënë se çfarë mendon. Nëse kjo bëhet me respekt dhe në «kohën e duhur», burri i devotshëm i krishterë do të dëgjojë. (Proverbat 25:11) Por nëse sugjerimi yt nuk ndiqet dhe në këtë mes nuk dhunohet asnjë prej parimeve biblike, a do të ishte frytdhënëse kundërvënia ndaj dëshirave të burrit tënd? Kujtohu: «Çdo grua e-urtë ndërton sh[t]ëpin’e saj; po e-marra e rënon me duart’e saja.» (Proverbat 14:1, BK) Një mënyrë me të cilën mund të ndërtosh shtëpinë tënde është duke mbështetur autoritetin e burrit tënd, duke e lavdëruar për aftësitë e tija dhe duke ia pranuar gabimet pa i bërë një çështje.
15. Në cilat mënyra një grua mund të luajë rolin e vet në disiplinimin dhe aftësimin e fëmijëve?
15 Një tjetër mënyrë për të ndërtuar shtëpinë tënde është pjesëmarrja në disiplinimin dhe aftësimin e fëmijëve. Për shembull, mund të japësh ndihmën tënde, me qëllim që studimi familjar të mbahet në rregull e në mënyrë ndërtuese. «Le të mos pushojnë duart e tua», kur është puna për të ndarë me fëmijët të vërtetat e Perëndisë në çdo rast, kur udhëtoni apo thjesht edhe kur shkoni për të psonisur me ta. (Eklisiastiu 11:6) Ndihmoji në përgatitjen e komenteve për mbledhjet si dhe në pjesët që duhet të zhvillojnë në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Vigjilo mbi shoqërinë që frekuentojnë. (1. Korintasve 15:33) Kur bëhet fjalë për norma hyjnore dhe disiplinë, bëjini të kuptojnë se ti dhe yt shoq jeni të një mendjeje. Mos u lejo të të shtyjnë kundër tët shoqi.
16. (a) Cili shembull biblik është inkurajues për nënat pa bashkëshortë apo me bashkëshort jobesimtar? (b) Çfarë mund të bëjnë pjesëtarë të tjerë të kongregacionit për të ndihmuar atë që ndodhet në një situatë të tillë?
16 Nëse je prind i vetëm apo me burrë pabesimtar, fare mirë ti mund të marrësh udhëheqjen në kuptimin frymor. Kjo mund të jetë e vështirë dhe ndonjëherë shkurajuese. Por mos e jep veten! Nëna e Timoteut, Eunika, edhe pse qe e martuar me një pabesimtar, pati rezultate të shkëlqyeshme duke i mësuar Shkrimet e shenjta «qysh prej fëmijërisë». (2. Timoteut 1:5; 3:15) Dhe shumë motra mes nesh po arrijnë rezultate të ngjashme pozitive. Nëse ke nevojë për ndihmë në këtë drejtim, mund t’u drejtohesh pleqve. Ndoshta mund të rregullojnë që dikush të të ndihmojë për të shkuar në mbledhje dhe në shërbim. Mund të inkurajojnë edhe të tjerë që ta përfshijnë familjen tënde në veprimtari shplodhëse si shëtitje apo zbavitje shoqërore. Apo mund të vendosin që një lajmëtar me përvojë të të ndihmojë në nisjen e një studimi familjar.
Fëmijë mirënjohës
17. (a) Në ç’mënyrë të rinjtë mund t’i kontribuojnë mirëqenies familjare? (b) Çfarë shembulli dha Jezui në këtë drejtim?
17 Të rinjtë e krishterë mund t’i kontribuojnë mirëqenies familjare, duke ndjekur këshillën e Efesianëve 6:1-3: «Fëmijë, dëgjoni prindërit tuaj në Zotin, sepse është e drejtë. ‘Ndero babanë tënd dhe nënen tënde’—është urdhëri i parë me premtim: ‘që të jesh mirë e të jetosh gjatë mbi dhe!’» Duke bashkëpunuar me prindërit e tu, tregon se ke respekt për Jehovain. Jezu Krishti ishte i përsosur dhe me lehtësi mund të kish menduar, se nënshtrimi ndaj prindërve të papërsosur do t’ia ulte dinjitetin. Megjithatë «ishte dyke ubindurë nd’ ata dhe vinte mbarë nd’ urtësi e ndë moshë e ndë hir përpara Perëndisë e njerëzet.»—Luka 2:51, 51, BK.
18, 19. (a) Ç’do të thotë të nderohen prindërit? (b) Si mund të bëhet shtëpia një vend shplodhjeje?
18 A nuk duhet t’i nderosh prindërit e tu në po këtë mënyrë? Këtu «t’i nderosh» do të thotë të njohësh autoritetin e caktuar ashtu siç e meritojnë. (Krahaso 1. Pjetrit 2:17.) Në të shumtën e rasteve një nder i tillë është i nevojshëm edhe kur prindërit nuk janë besimtarë dhe nuk japin shembull të mirë. Akoma më shumë duhet t’i nderosh prindërit e tu, nëse janë të krishterë shembullorë. Veç kësaj, mos harro se disiplina dhe udhëzimet e prindërve të tu nuk kanë për qëllim të të kufizojnë në mënyrë të kotë. Përkundrazi, kanë për qëllim të të mbrojnë, që të «vazhdosh së jetuari».—Proverbat 7:1, 2.
19 Sa organizim i dashur, pra, është familja! Kur burra, gra dhe fëmijë ndjekin të gjithë norma hyjnore mbi jetën familjare, shtëpia bëhet një vend strehimi dhe shplodhjeje. Megjithatë mund të lindin probleme komunikimi apo mbi edukimin e fëmijëve. Në artikullin vijues do të shohim se si mund të zgjidhen disa nga këto probleme.
Pyetjet për përsëritje
◻ Çfarë shembulli dhanë burra, gra dhe fëmijë që i trembeshin Perëndisë në kohërat biblike?
◻ Çfarë drite bëri krishterimi mbi rolin e bashkëshortit?
◻ Çfarë roli duhet të luajë gruaja në familjen e krishterë?
◻ Në ç’mënyrë mund t’i kontribuojnë mirëqenies familjare të rinjtë e krishterë?
[Figura në faqe 9]
«Asgjë nuk shfaqej më përtëritëse dhe rrënjësore në krishterim, në krahasim me moralin e shthurur të kohës, sesa koncepti i krishterë mbi martesën. . . . [Ai] hapi një epokë të re për njerëzimin»
[Figura në faqe 10]
Bashkëshortët e krishterë i inkurajojnë gratë që të shprehin çka mendojnë, duke i mbajtur parasysh ndjenjat e tyre