Punoni me forcë për shpëtimin e shtëpisë suaj
«Vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait.»—EFESIANËVE 6:4, BR.
1, 2. Me çfarë sfidash ballafaqohen prindërit sot?
NJË revistë e njohur e quajti një revolucion. Këtë e bëri në një artikull që përshkruante ndryshimet e frikshme që kanë ndodhur në familje në vitet e fundit. U tha se ky ishte «rezultati i një epidemie divorcesh, rimartesash, divorcesh të përsëritura, paligjshmërish dhe tensionesh të reja brenda familjeve të paprekura». Strese dhe tensione të tilla nuk të habitin, pasi Bibla paratha se njerëzit do të përballonin «kohë të vështira» në këto «ditët e fundit».—2. Timoteut 3:1-5.
2 Sot, pra, prindërit ballafaqohen me sfida të panjohura për brezat e kaluar. Edhe pse midis nesh, disa prindër i kanë rritur fëmijët e tyre në rrugë të perëndishme «që nga fëmijëria», shumë familje sapo kanë filluar të «ecin në të vërtetën». (2. Timoteut 3:15; 3. Gjonit 4) Fëmijët e tyre mund të kenë qenë të rritur kur prindërit filluan t’u mësonin rrugët e Perëndisë. Për më tepër, midis nesh po rritet numri i familjeve me një prind apo i atyre ku një prind është martuar përsëri. Sido që të jenë rrethanat e tua, zbatohet nxitja e apostullit Pavël: «Vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait.»—Efesianëve 6:4, BR.
Prindërit e krishterë dhe roli i tyre
3, 4. (a) Cilët faktorë kanë shkaktuar zvogëlimin e rolit të baballarëve? (b) Përse baballarët e krishterë nuk duhet të jenë vetëm sigurues të bukës?
3 Vërej se Pavli ua drejton fjalët e tij në Efesianëve 6:4, në radhë të parë «etërve». Një shkrimtar shpjegoi se në brezat e mëparshëm, «baballarët kishin përgjegjësi për rritjen morale dhe frymore të fëmijëve të tyre; baballarët kishin përgjegjësi për edukimin e fëmijëve të tyre. . . . Por revolucioni industrial e fshiu tej këtë intimitet; baballarët i lanë fermat dhe dyqanet e tyre, i lanë shtëpitë e tyre për të punuar nëpër fabrika dhe më vonë nëpër zyra. Nënat morën mbi vete shumë nga detyrat për të cilat njëherë e një kohë kishin përgjegjësi baballarët. Të qenët baba u bë gjithnjë e më shumë një koncept abstrakt».
4 Burra të krishterë: Mos u kënaqni me mendimin se mjafton të sigurosh bukën, duke ua lënë plotësisht grave detyrën e edukimit dhe rritjes së fëmijëve. Proverbat 24:27 i nxiste baballarët në kohët e vjetra: «Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë tënde.» Po kështu edhe sot, si kryefamiljarë, ju duhet të punoni shumë dhe me forcë që të siguroni jetesën. (1. Timoteut 5:8) Por, pas kësaj, merrni kohë për të ‘ndërtuar shtëpinë tuaj’, emocionalisht dhe frymësisht.
5. Si mund të punojnë gratë e krishtere për shpëtimin e shtëpisë së tyre?
5 Gra të krishtere: Edhe ju duhet të bëni shumë për shpëtimin e shtëpisë suaj. Proverbat 14:1 thotë: «Gruaja e urtë ndërton shtëpinë e saj.» Si bashkëshortë, ju dhe burrat tuaj keni së bashku përgjegjësinë për të edukuar pasardhësit tuaj. (Proverbat 22:6; Malakia 2:14) Kjo mund të përfshijë disiplinimin e fëmijëve tuaj, përgatitjen e tyre për në mbledhjet e krishtere dhe për shërbimin në fushë ose edhe drejtimin e studimit familjar kur burrat nuk janë në gjendje për ta bërë këtë. Ju mund të bëni shumë edhe për t’u mësuar fëmijëve tuaj punët e shtëpisë, sjelljen e mirë, higjienën fizike dhe shumë gjëra të tjera të dobishme. (Titit 2:5) Kur burrat dhe gratë punojnë së bashku në këtë mënyrë, mund t’i përmbushin më mirë nevojat e fëmijëve të tyre. Cilat janë disa nga këto nevoja?
Nevoja emocionale
6. Çfarë roli luajnë nënat dhe baballarët në zhvillimin emocional të fëmijëve të tyre?
6 Kur «nëna . . . ushqen e kujdeset për fëmijët e vet», ata ndihen të mbrojtur, të sigurt dhe se i duan. (1. Selanikasve 2:7, DSF; Psalmi 22:9) Pak nëna mund t’i rezistojnë nxitjes për ta tepruar në kujdesin ndaj të vegjëlve të tyre. Profeti Isaia pyeti: «A mundet një grua të harrojë foshnjen e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut të saj?» (Isaia 49:15) Nënat, pra, luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin emocional të fëmijëve. Megjithatë, edhe baballarët luajnë rolin e tyre të rëndësishëm në këtë aspekt. Edukatori në fushën familjare, Pol Levis, tha: «Unë nuk kujtoj kurrë që ndonjë asistent social të ketë dëgjuar që një fëmijë [rrugaç] të thotë se ka marrëdhënie të mira me të atin. Asnjë fëmijë në qindra raste.»
7, 8. (a) Çfarë dëshmie kemi për lidhjen e fortë midis Perëndisë Jehova dhe Birit të tij? (b) Si mund të farkëtojnë baballarët një lidhje të dashur me fëmijët e tyre?
7 Është thelbësore, pra, që baballarët e krishterë të kultivojnë me kujdes një lidhje të dashur me fëmijët e tyre. Për shembull, shqyrto Perëndinë Jehova dhe Jezu Krishtin. Në pagëzimin e Jezuit, Jehovai deklaroi: «Ti je Biri im, i dashuri; ty të kam miratuar.» (Luka 3:22, BR) Sa shumë gjëra janë shprehur në këto pak fjalë! Jehovai (1) e njohu Birin e tij, (2) e shprehu hapur dashurinë e tij për Jezuin dhe (3) bëri të njohur miratimin e tij për të. Por, kjo nuk ishte e vetmja herë që Jehovai shprehu dashurinë e tij për të Birin. Më vonë, Jezui i tha të Atit: «Ti më ke dashur para themelimit të botës.» (Gjoni 17:24) Vërtet, pra, a nuk kanë nevojë të gjithë bijtë dhe bijat e bindura për njohuri, dashuri dhe miratim nga baballarët e tyre?
8 Nëse je një baba, në mënyrë të ngjashme edhe ti mund të bësh shumë për të farkëtuar një lidhje të dashur me fëmijët e tu, duke shprehur dashuri si me fjalë edhe me vepra. Është e vërtetë se disa burra e kanë të vështirë të shfaqin dashurinë e tyre të përzemërt, sidomos nëse ata vetë nuk e kanë ndier kurrë këtë dashuri të hapur e të përzemërt prej baballarëve të tyre. Por edhe një përpjekje e vakët për t’u shfaqur dashuri fëmijëve të tu, mund të ketë një ndikim të fuqishëm. Mbi të gjitha, «dashuria ndërton». (1. Korintasve 8:1) Nëse fëmijët e tu ndihen të sigurt prej dashurisë tënde atërore, ata do të jenë edhe më shumë të prirë për të qenë ‘bij dhe bija të vërteta’ dhe do të ndihen më të lirë që të kenë besim tek ti.—Proverbat 4:3, BR.
Nevoja frymore
9. (a) Si kujdeseshin prindërit izraelitë me frikë Perëndie për nevojat frymore të familjeve të tyre? (b) Çfarë mundësish kanë prindërit e krishterë për t’i mësuar fëmijët në mënyrë joformale?
9 Fëmijët kanë, gjithashtu, edhe nevoja frymore. (Mateu 5:3) Moisiu i nxiti prindërit izraelitë: «Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.» (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Nëse je një prind i krishterë, një pjesë të madhe të mësimit mund ta japësh në mënyrë joformale, p.sh. «kur ecën rrugës». Koha që kaloni në shëtitje, nëpër dyqane apo duke ecur së bashku me fëmijët tuaj në shërbimin e krishterë nga dera në derë, ofron raste të mira për t’i mësuar në një ambient të qetë. Koha e ngrënies është veçanërisht një kohë e mirë për familjet që të bisedojnë. «Ne e shfrytëzojmë kohën e ngrënies për të folur mbi gjërat që kanë ndodhur gjatë ditës»,—shpjegon një nënë.
10. Përse disa herë studimi familjar përbën një sfidë dhe çfarë vendosmërie duhet të kenë prindërit?
10 Megjithatë, mësimi formal me anë të një studimi të rregullt biblik me fëmijët e tu, gjithashtu, mund të jetë i rëndësishëm. Gjithsesi, «marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës». (Proverbat 22:15) Disa prindër thonë se fëmijët e tyre me lehtësi mund ta sabotojnë studimin familjar. Si? Duke u treguar të shqetësuar dhe të mërzitur, duke krijuar tërheqje të mërzitshme (si p.sh., duke u grindur me njëri-tjetrin), apo duke u hequr sikur nuk i kuptojnë të vërtetat themelore të Biblës. Nëse kjo shkon deri në atë pikë sa të kthehet në një garë vullnetesh, vullneti i prindit duhet të jetë më i forti. Prindërit e krishterë nuk duhet të dorëzohen dhe të lejojnë që shtëpinë ta sundojnë fëmijët.—Krahaso Galatasve 6:9.
11. Si mund të bëhet i pëlqyeshëm studimi familjar?
11 Nëse fëmijës nuk i pëlqen studimi familjar, ndoshta duhen bërë disa ndryshime. Për shembull, a e përdor studimin si një shkak për të qortuar mangësitë e fundit të fëmijëve të tu? Ndoshta do të ishte më mirë që të flitnit privatisht për këto probleme. A e mbani rregullisht studimin tuaj? Nëse ti e anulon atë për të parë në televizor ndonjë program që të pëlqen, ka mundësi që fëmijët të mos e marrin shumë seriozisht studimin. A je i kujdesshëm dhe entuziast në mënyrën se si e drejton studimin? (Romakëve 12:8) Po, studimi duhet të jetë një kënaqësi. Mundohu që të përfshish të gjithë fëmijët. Ji pozitiv dhe ndërtues, duke i lavdëruar me ngrohtësi fëmijët për pjesëmarrjen e tyre. Mos u mjafto vetëm me trajtimin e materialit, por mundohu t’u prekësh zemrat.—Proverbat 23:15.
Disiplinoni në drejtësi
12. Përse disiplina nuk përfshin gjithmonë ndëshkimin fizik?
12 Fëmijët kanë, gjithashtu, një nevojë të madhe për disiplinë. Si prind, ti duhet të caktosh kufij për ta. Proverbat 13:24 thotë: «Kush e kursen shufrën urren birin e vet, por ai që e do e korrigjon me kohë.» Megjithatë, Bibla nuk nënkupton se disiplina duhet dhënë gjithnjë me anë të thuprës. Proverbat 8:33 pohon: «Dëgjojeni disiplinën». (BR) Gjithashtu, na thuhet: «Një qortim depërton më thellë te njeriu me mend se sa njëqind goditje te budallai.»—Proverbat 17:10.
13. Si duhet t’i jepet disiplina fëmijës?
13 Në disa raste, mund të jetë e përshtatshme disiplina fizike. Por, nëse jepet me zemërim, ka të ngjarë që të jetë e tepruar dhe pa dobi. Bibla paralajmëron: «Ju etër, mos provokoni për zemërim bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra.» (Kolosianëve 3:21) Në fakt, «shtypja e bën të pamend njeriun e urtë». (Eklisiastiu [Predikuesi] 7:7) Një i ri i zemëruar, mund të rebelohet madje edhe kundër normave të drejta. Prindërit, pra, duhet të përdorin Shkrimet për të disiplinuar fëmijët e tyre në drejtësi, në mënyrë të vendosur, por të ekuilibruar. (2. Timoteut 3:16) Disiplina e shenjtë jepet me dashuri dhe butësi.—Krahaso 2. Timoteut 2:24, 25.a
14. Çfarë duhet të bëjnë prindërit, nëse ndihen të prirë ndaj zemërimit?
14 Natyrisht, «të gjithë gabojmë në shumë gjëra». (Jakovit 3:2) Edhe një prind normalisht i dashur mund të bjerë në presionin e çastit dhe të thotë diçka të pahijshme apo të shprehë inatin. (Kolosianëve 3:8) Nëse kjo ndodh, mos lejo që dielli të perëndojë ndërsa fëmija yt është mjaft i tronditur dhe ti në një gjendje mërzie. (Efesianëve 4:26, 27) Zgjidhi problemet me fëmijën, duke kërkuar edhe falje, nëse të duket e përshtatshme. (Krahaso Mateun 5:23, 24.) Duke shfaqur një përulësi të tillë, mund të afrohesh më afër me fëmijën tënd. Nëse e kupton se nuk mund ta kontrollosh veten, kërko ndihmë nga pleqtë e emëruar të kongregacionit.
Familje me një prind apo ku një prind është martuar përsëri
15. Si mund të ndihmohen fëmijët në familjet me një prind?
15 Megjithatë, jo të gjithë fëmijët kanë mbështetjen e të dy prindërve. Në Shtetet e Bashkuara, 1 ndër 4 fëmijë është rritur vetëm nga një prind. «Jetimët» ishin të zakonshëm në kohët biblike dhe kujdesi për ta është përmendur vazhdimisht në Shkrimet. (Të Dalët 22:22) Ngjashëm edhe sot, familjet e krishtere me një prind përballojnë presione dhe vështirësi, por ata gjejnë ngushëllim duke ditur se Jehovai është «babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave». (Psalmi 68:5) Të krishterët janë të nxitur ‘të vizitojnë jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre’. (Jakovit 1:27) Bashkëbesimtarët mund të bëjnë shumë për të ndihmuar familjet me një prind.b
16. (a) Çfarë duhet të bëjnë prindërit e vetëm në mbështetje të shtëpisë së tyre? (b) Përse disiplinimi mund të jetë i vështirë dhe si duhet të jepet ai?
16 Nëse je një prind i vetëm, çfarë mund të bësh ti vetë për dobi të familjes tënde? Duhet të jesh i zellshëm në studimin biblik familjar, në pjesëmarrjen në mbledhje dhe në shërbimin në fushë. Disiplina, pra, mund të jetë një sfidë veçanërisht e vështirë. Ndoshta je ende i hidhëruar prej vdekjes së bashkëshortit të dashur. Ose ndoshta mund të luftosh me ndjenjat e fajit apo të zemërimit nga prishja e një martese. Nëse ti dhe bashkëshorti yt i keni fëmijët nën kujdes ligjor të përbashkët, mund të trembesh se fëmija do të preferojë të qëndrojë me partnerin tjetër. Situata të tilla mund ta vështirësojnë nga ana emocionale mbajtjen e një disipline të ekuilibruar. Megjithatë, Bibla na thotë se «fëmija për të cilën nuk kujdeset kurrkush e turpëron nënen e vet». (Proverbat 29:15) Mos u dorëzo para ndjenjave të fajit, ndërgjegjes apo presionit emocional që mund të ushtrojë ish-bashkëshorti. Vendos norma të arsyeshme dhe koherente. Mos bëj kompromis me parimet biblike.—Proverbat 13:24.
17. Si mund të errësohen rolet e anëtarëve të familjes në shtëpitë me një prind dhe çfarë duhet bërë për ta parandaluar këtë?
17 Por vështirësitë mund të lindin edhe nëse një nënë e trajton djalin si zëvendës të të shoqit, si burrin e shtëpisë ose vajzën si një njeri të besuar, duke e rënduar me problemet e saj intime. Kjo nuk është e përshtatshme dhe e huton një fëmijë. Kur rolet e prindërve dhe të fëmijëve errësohen, disiplina mund të thyhet. Bëj të ditur se prindi je ti. Nëse je një nënë që ke nevojë për këshilla të bazuara në Bibël, kërkoji ato prej pleqve apo ndoshta edhe nga një motër e pjekur më e moshuar.—Krahaso Titit 2:3-5.
18, 19. (a) Cilat janë disa nga sfidat që përballojnë familjet ku një prind është martuar përsëri? (b) Në ç’mënyrë prindër dhe fëmijë mund të tregojnë dituri dhe maturi në familje të tilla?
18 Edhe familjet ku një prind është martuar përsëri ballafaqojnë sfida. Shpesh, njerka apo njerku e ndiejnë se «dashuria e menjëhershme» është e rrallë. Për shembull, fëmijët e bashkëshortit tjetër mund të jenë mjaft të ndjeshëm ndaj çdo gjëje që mund të lërë përshtypjen se prindi i ri i mban me hatër fëmijët e vet. (Krahaso Zanafilla 37:3, 4.) Në fakt, fëmijët e bashkëshortit të vdekur mund të jenë të hidhëruar për të ndjerin dhe mund të kenë frikë se duke dashur njerkun apo njerkën, në ndonjë mënyrë mund të tregohen jobesnikë ndaj babait apo nënës së tyre të vërtetë. Përpjekjet për të dhënë disiplinën e nevojshme, mund të hasin në këto fjalë të ashpra: «Ti nuk je prindi im i vërtetë!»
19 Proverbat 24:3 thotë: «Shtëpia ndërtohet me dituri dhe bëhet e qëndrueshme me maturi.» Po, duhet dituri dhe maturi nga ana e të gjithëve, për të pasur sukses në familjet ku një prind është martuar përsëri. Me kohë, fëmijët mund ta pranojnë faktin shpeshherë të dhimbshëm se gjërat kanë ndryshuar. Njerku apo njerka duhet, gjithashtu, të mësojnë të kenë durim dhe dhembshuri, e jo të fyhen me të shpejtë kur ballafaqojnë reagime të tilla. (Proverbat 19:11; Eklisiastiu 7:9) Përpara se të vihesh në rolin e disiplinuesit, përpiqu të lidhësh miqësi me fëmijët e bashkëshortit tjetër. Derisa të vendoset një lidhje e tillë, disa mund ta shohin si më të udhës që për disiplinimin e fëmijëve të kujdeset prindi i vërtetë. Kur lindin tensione, duhen bërë përpjekje për të komunikuar. «Dituria është me ata që u kushtojnë kujdes këshillave»,—thotë Proverbat 13:10.c
Vazhdoni të punoni për shpëtimin e shtëpisë suaj
20. Çfarë duhet të vazhdojnë të bëjnë kryefamiljarët e krishterë?
20 Familjet e forta të krishtere nuk janë diçka e rastit. Ju, kryefamiljarë, duhet të vazhdoni të punoni me forcë për shpëtimin e shtëpisë suaj. Jini vigjilentë, duke vërejtur aspekte jo të mira apo prirje nga bota. Lini një shembull të mirë në të folur, në sjellje, në dashuri, në besim dhe në çiltërsi. (1. Timoteut 4:12) Shfaqni frytet e frymës së Perëndisë. (Galatasve 5:22, 23) Durimi, konsiderata, gatishmëria për të falur dhe butësia do t’i forcojnë përpjekjet tuaja për t’u mësuar fëmijëve rrugët e Perëndisë.—Kolosianëve 3:12-14.
21. Si mund të mbahet një atmosferë e ngrohtë dhe e lumtur në një familje?
21 Me ndihmën e Perëndisë, përpiquni të mbani një frymë të lumtur dhe të ngrohtë brenda shtëpisë suaj. Kaloni kohë së bashku si familje, duke bërë përpjekje që të paktën një vakt çdo ditë ta hani së bashku. Mbledhjet e krishtere, shërbimi në fushë dhe studimi familjar janë thelbësore. Por, ka edhe «një kohë për të qeshur . . . dhe një kohë për të hedhur valle». (Eklisiastiu 3:1, 4) Po, programoni kohë edhe për një pushim ndërtues. Vizitat nëpër muze, kopshte zoologjike dhe vende të ngjashme, janë të pëlqyeshme për të gjithë familjen. Ose mund ta fikni televizorin dhe ta kaloni kohën duke kënduar, duke dëgjuar muzikë, duke luajtur dhe duke folur. Kjo mund ta ndihmojë familjen për t’u lidhur edhe më shumë.
22. Përse duhet të punoni me forcë për shpëtimin e shtëpisë suaj?
22 Qoftë e mundur për të gjithë ju, prindër të krishterë, që të vazhdoni të punoni për t’i pëlqyer tërësisht Jehovait, «duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë»! (Kolosianëve 1:10) Ndërtojeni shtëpinë tuaj mbi themelin e fortë të bindjes ndaj Fjalës së Perëndisë. (Mateu 7:24-27) Dhe jini të sigurt se përpjekjet tuaja për t’i rritur fëmijët «në disiplinën dhe rregullin mendor të Jehovait» do të kenë miratimin e tij.—Efesianëve 6:4, BR.
[Shënimet]
a Shiko artikullin «Pikëpamja e Biblës: ‘Thupra e disiplinës’—Ka dalë nga moda?», në Awake!, 8 shtator 1992.
b Shiko Kullën e Rojës, 15 shtator 1980, faqet 15-26 (angl.).
c Shiko Kullën e Rojës së 15 tetorit 1984, faqet 21-25 (angl.).
Si do të përgjigjeshe?
◻ Si mund të bashkëpunojnë burrat dhe gratë në ndërtimin e shtëpisë së tyre?
◻ Cilat janë disa nga nevojat emocionale të fëmijëve dhe si mund të plotësohen ato?
◻ Si mund t’i mësojnë kryefamiljarët fëmijët e tyre si në rrugë formale ashtu edhe joformale?
◻ Si mund të disiplinojnë prindërit në drejtësi?
◻ Çfarë mund të bëhet për dobinë e familjeve me një prind dhe të atyre ku një prind është martuar përsëri?
[Figura në faqen 16]
Dashuria dhe miratimi i babait janë të rëndësishme për zhvillimin emocional të një fëmije