I jepet dëshmi Gardës Pretoriane
Është viti 59 i e.s. Nën ruajtjen e ushtarëve të rraskapitur nga udhëtimi, një grup të burgosurish hyjnë në Romë nga Porta Kapena. Mbi kodrën e Palatinit ndodhet pallati i perandorit Neron që ruhet nga ushtarët pretorianë me shpatat e fshehura nën togat zyrtare.a Centurioni Jul i detyron të burgosurit të ecin pranë Forumit Romak dhe sipër në kodrën e Viminalit. Ata kalojnë anash një kopshti me shumë altarë kushtuar perëndive romake, si edhe pranë sheshit të paradave ku bëhen manovra ushtarake.
Mes të burgosurve është edhe apostulli Pavël. Muaj më parë, kur ishte në një anije në kulmin e stuhisë, një engjëll i Perëndisë i tha Pavlit: «Ti duhet të dalësh para Cezarit.» (Vep. 27:24) A është pranë këtij takimi Pavli? Teksa kthen sytë drejt kryeqytetit të Perandorisë Romake, pa dyshim i vijnë ndër mend fjalët që Zotëria Jezu i tha në Kullën e Antonias në Jerusalem: «Merr zemër, sepse siç dhe dëshmi të plotë për mua në Jerusalem, po ashtu do të japësh edhe në Romë.»—Vep. 23:10, 11.
Mbase Pavli ndalet pak të shohë Kastra Pretorian, një fortesë e madhe me mure të larta prej tullash të kuqe, në majë të të cilave ka bedena dhe kulla. Fortesa strehon Gardën Pretoriane që shërben si truprojë e perandorit dhe forcë policore e qytetit. Meqë në të kishte 12 kohortab pretoriane dhe disa kohorta urbane, fortesa mund të strehonte disa mijëra ushtarë, përfshirë kalorësinë. Kastra Pretoria është një përkujtues i burimit të pushtetit perandorak. Meqë Garda Pretoriane ka përgjegjësi për të burgosurit e provincave, Juli i prin grupit të tij në një nga katër portat kryesore. Pas një udhëtimi plot rreziqe prej disa muajsh, më në fund i sjell të burgosurit në destinacionin e duhur.—Vep. 27:1-3, 43, 44.
APOSTULLI PREDIKON «PA ASNJË PENGESË»
Gjatë udhëtimit, Pavli mori vegime hyjnore që njoftonin se i tërë ekuipazhi do të mbijetonte nga fundosja e anijes. Kafshimi i një gjarpri helmues nuk i bëri asgjë atij. Ai shëroi të sëmurë në ishullin e Maltës dhe vendësit nisën t’i thoshin se ishte perëndi. Lajmet për këto ngjarje mund të kenë qarkulluar mes Gardës Pretoriane bestyte.
Pavli është përshëndetur tashmë me vëllezërit nga Roma që ‘erdhën te Pazari Apia dhe Tri Tavernat për ta takuar’. (Vep. 28:15) Por, si i burgosur, si mund të plotësonte dëshirën për të shpallur lajmin e mirë në Romë? (Rom. 1:14, 15) Disa mendojnë se të burgosurit i dorëzoheshin kapitenit të gardës. Po të kishte qenë kështu, ka të ngjarë që Pavlin ta kenë çuar te prefekti pretorian Afranius Burrus, ndoshta i dyti më me pushtet pas perandorit.c Sidoqoftë, në vend që ta ruajnë centurionët, tani roja i Pavlit është vetëm një ushtar pretorian i rangut të ulët. Pavlin e lejojnë të gjejë strehim dhe të presë vizitorë e t’u predikojë «pa asnjë pengesë».—Vep. 28:16, 30, 31.
PAVLI U JEP DËSHMI SI NJERËZVE TË THJESHTË, EDHE TË MËDHENJVE
Ndërsa kryen funksionet e tij gjyqësore, Burrusi mbase merr në pyetje apostullin Pavël në pallat ose në kampin pretorian, para se t’ia parashtrojë çështjen Neronit. Pavli nuk e humb këtë mundësi unike që ‘t’u japë dëshmi si njerëzve të thjeshtë, edhe të mëdhenjve’. (Vep. 26:19-23) Sido që ta ketë vlerësuar Burrusi, Pavli shpëton nga burgimi në kampin pretorian.d
Shtëpia që ka marrë Pavli me qira është mjaft e madhe sa të presë «të parët e judenjve» dhe t’u dëshmojë atyre, si edhe ‘shumë njerëzve që shkonin atje ku rrinte’. Gjithashtu, ai ka një auditor që do s’do është aty, ushtarët pretorianë që e dëgjojnë «duke u dhënë dëshmi të plotë» judenjve për Mbretërinë dhe për Jezuin, «nga mëngjesi deri në mbrëmje».—Vep. 28:17, 23.
Kohorta pretoriane në detyrë te pallati ndërrohet përditë në orën e tetë. Edhe roja e Pavlit ndryshohet rregullisht. Gjatë dy viteve që apostulli mbahet i burgosur, ushtarët e dëgjojnë teksa dikton letra për efesianët, filipianët, kolosianët dhe të krishterët hebrenj, si edhe e shohin kur i shkruan vetë një letër një të krishteri me emrin Filemon. Gjatë burgimit, Pavli i kushton vëmendje personalisht një skllavi të arratisur, Onesimit, ‘të cilit iu bë atë ndërsa ishte në vargonj’, dhe e kthen tek i zoti. (Fil. 10) Pa dyshim, Pavli interesohet edhe për rojat e tij. (1 Kor. 9:22) Mund ta imagjinojmë teksa pyet një ushtar për ç’qëllim shërben çdo pjesë e armaturës dhe pastaj e përdor këtë informacion në një ilustrim të shkëlqyer.—Efes. 6:13-17.
‘THOTË FJALËN E PERËNDISË PA FRIKË’
Burgimi i Pavlit kontribuon për «përparimin e lajmit të mirë» te tërë Garda Pretoriane dhe te të tjerët. (Filip. 1:12, 13) Ata që banojnë në Kastra Pretoria kanë lidhje anembanë Perandorisë Romake, si edhe me perandorin e me shtëpinë e tij të stërmadhe. Kjo shtëpi përbëhet nga familjarët, shërbëtorët dhe skllevërit, disa prej të cilëve bëhen të krishterë. (Filip. 4:22) Falë dëshmisë së guximshme të Pavlit, vëllezërit në Romë marrin zemër «për ta thënë fjalën e Perëndisë pa frikë».—Filip. 1:14.
Dëshmia e Pavlit në Romë është burim inkurajimi për ne ndërsa ‘predikojmë fjalën në kohë të favorshme dhe në kohë të vështirë’. (2 Tim. 4:2) Disa prej nesh janë të mbyllur në shtëpi, në azile ose në spitale dhe të tjerë madje janë të burgosur për besimin. Cilatdo qofshin rrethanat tona, ndoshta mund t’u flasim për lajmin e mirë atyre që vijnë te ne për të kryer shërbime të ndryshme. Kur dëshmojmë me guxim në çdo rast, shohim me sytë tanë se ‘fjala e Perëndisë nuk mund të lidhet me vargonj’.—2 Tim. 2:8, 9.
a Shih kutinë «Garda Pretoriane në ditët e Neronit».
b Një kohortë romake kishte deri në 1.000 ushtarë.
c Shih kutinë me titull «Sesti Afranius Burrus».