KAPITULLI 5
Si të qëndrosh i ndarë nga bota
«Nuk jeni pjesë e botës.»—GJONI 15:19.
1. Çfarë theksoi Jezui natën e fundit që ishte në tokë si njeri?
NATËN e fundit që ishte në tokë si njeri, Jezui shprehu shqetësim të thellë për mirëqenien e dishepujve pas vdekjes së tij. Madje iu lut Atit të tij për këtë: «Nuk po të lutem që t’i heqësh nga bota, por që t’i ruash nga i ligu. Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» (Gjoni 17:15, 16) Me këtë kërkesë të ndier, Jezui shprehu dashurinë e thellë që kishte për dishepujt dhe theksoi rëndësinë e fjalëve që u kishte thënë po atë natë disave prej tyre: «Nuk jeni pjesë e botës.» (Gjoni 15:19) Duket qartë se për Jezuin kishte shumë rëndësi që dishepujt e tij të qëndronin të ndarë nga bota.
2. Çfarë është «bota» që përmendi Jezui?
2 «Bota» që përmendi Jezui, i referohet gjithë njerëzimit të larguar nga Perëndia, nën sundimin e Satanait dhe skllav të frymës egoiste e krenare që vjen prej tij. (Gjoni 14:30; Efesianëve 2:2; 1 Gjonit 5:19) Prandaj, «miqësia me botën [e tillë] është armiqësi me Perëndinë». (Jakovi 4:4) Po si mund të jetojnë në botë, e megjithatë të jenë të ndarë prej saj, të gjithë ata që duan të mbeten në dashurinë e Perëndisë? Do të analizojmë pesë mënyra: t’i qëndrojmë besnikë Mbretërisë së Perëndisë me Mbret Krishtin dhe të jemi asnjanës në politikë; t’i kundërvihemi frymës së botës; të kemi veshje dhe paraqitje modeste; të mbajmë një jetë të thjeshtë e të veshim armaturën frymore.
TË QËNDROJMË BESNIKË DHE ASNJANËS
3. (a) Ç’qëndrim kishte Jezui ndaj politikës së kohës së tij? (b) Pse themi se dishepujt e mirosur të Jezuit shërbejnë si ambasadorë? (Shih edhe shënimin.)
3 Jezui nuk u përfshi fare në politikën e kohës së tij, por u përqendrua në predikimin e Mbretërisë së Perëndisë, qeverisë së ardhshme qiellore, Mbret i së cilës do të ishte vetë. (Danieli 7:13, 14; Luka 4:43; 17:20, 21) Kështu, kur ishte para guvernatorit romak Ponc Pilatit, Jezui mund të thoshte me plot gojën: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote.» (Gjoni 18:36) Dishepujt e tij të besueshëm imitojnë shembullin e Krishtit, duke i qëndruar besnikë atij dhe Mbretërisë së tij e duke ia shpallur botës këtë Mbretëri. (Mateu 24:14) Apostulli Pavël shkroi: «Prandaj, ne jemi ambasadorë në vend të Krishtit.... Si zëvendësues të Krishtit, ne lutemi: ‘Pajtohuni me Perëndinë’.»a—2 Korintasve 5:20.
4. Si e kanë treguar të gjithë të krishterët e vërtetë besnikërinë ndaj Mbretërisë së Perëndisë? (Shih kutinë «Të krishterët e hershëm ishin asnjanës».)
4 Meqë përfaqësojnë një sovran ose një shtet të huaj, ambasadorët nuk ndërhyjnë në çështjet e brendshme të vendeve ku shërbejnë. Ata qëndrojnë asnjanës. Gjithsesi, ambasadorët mbrojnë interesat e qeverisë së vendit që përfaqësojnë. E njëjta gjë thuhet për dishepujt e mirosur të Krishtit, «qytetaria [e të cilëve] gjendet në qiej». (Filipianëve 3:20) Falë predikimit të tyre të zellshëm për Mbretërinë, kanë ndihmuar miliona «dele të tjera» të Krishtit që ‘të pajtohen me Perëndinë’. (Gjoni 10:16; Mateu 25:31-40) Këta të fundit shërbejnë si të dërguar të Krishtit, duke mbështetur vëllezërit e tij të mirosur. Si një kope e vetme e bashkuar që përkrah Mbretërinë mesianike, të dyja grupet qëndrojnë krejt asnjanëse në çështjet politike të botës.—Lexo Isainë 2:2-4.
5. Si ndryshon kongregacioni i krishterë nga populli i lashtë i Izraelit dhe si del në pah ky ndryshim?
5 Por besnikëria ndaj Krishtit nuk është e vetmja arsye pse të krishterët e vërtetë janë asnjanës. Ndryshe nga populli i lashtë i Izraelit, të cilit Perëndia i kishte dhënë një vend gjeografik, ne jemi pjesë e një vëllazërie ndërkombëtare. (Mateu 28:19; 1 Pjetrit 2:9) Kështu, nëse do të mbështetnim ndonjë parti politike të vendit tonë, nuk do të kishim shumë liri fjale për të dhënë mesazhin e Mbretërisë dhe do të rrezikonim seriozisht unitetin tonë të krishterë. (1 Korintasve 1:10) Veç kësaj, në kohë lufte, do të na binte të luftonim kundër bashkëbesimtarëve, të cilët jemi urdhëruar t’i duam. (Gjoni 13:34, 35; 1 Gjonit 3:10-12) Pra, me arsye të vlefshme, Jezui u tha dishepujve të tij që të mos merrnin shpatën. Madje u tha të donin edhe armiqtë.—Mateu 5:44; 26:52; shih kutinë «A po qëndroj asnjanës?».
6. Si ndikon kushtimi që i ke bërë Perëndisë në marrëdhëniet me ‘Cezarin’?
6 Ne si të krishterë të vërtetë ia kemi kushtuar jetën Perëndisë, jo ndonjë njeriu, institucioni njerëzor ose kombi. Te 1 Korintasve 6:19, 20 thuhet: «Ju nuk i përkitni vetes, sepse u bletë me një çmim.» Prandaj, dishepujt e Jezuit i japin «Cezarit» ç’i takon për sa i përket nderimit, taksave dhe nënshtrimit aq sa e lejon Perëndia, por i japin edhe «Perëndisë gjërat e Perëndisë». (Marku 12:17; Romakëve 13:1-7) Në to përfshihet adhurimi i tyre, dashuria me gjithë shpirt dhe bindja besnike. Ata janë gati të japin edhe jetën për Perëndinë, po të jetë nevoja.—Luka 4:8; 10:27; lexo Veprat 5:29; Romakëve 14:8.
T’I KUNDËRVIHEMI ‘FRYMËS SË BOTËS’
7, 8. Ç’është ‘fryma e botës’ dhe si «vepron» ajo te njerëzit e pabindur?
7 Një mënyrë tjetër se si të krishterët qëndrojnë të ndarë nga bota, është duke iu kundërvënë frymës së saj të ligë. «Ne nuk morëm frymën e botës, por frymën që është nga Perëndia»,—shkroi Pavli. (1 Korintasve 2:12) Ai u tha efesianëve: «[Ju] ecnit dikur në të njëjtën udhë që ecën edhe sistemi i kësaj bote, duke vepruar në përputhje me sundimtarin e autoritetit të ajrit, frymës që tani vepron në bijtë e mosbindjes.»—Efesianëve 2:2, 3.
8 ‘Ajri’ ose fryma e botës është një forcë shtytëse e padukshme, që nxit mosbindjen ndaj Perëndisë dhe ‘dëshirat e mishit e dëshirat e syve’. (1 Gjonit 2:16; 1 Timoteut 6:9, 10) Kjo frymë ka ‘autoritet’ në kuptimin që josh mishin mëkatar, është tinëzare, nuk lëshon pe në përpjekjet e saj dhe depërton ngado, ashtu si ajri. Për më tepër, ajo «vepron» te njerëzit e pabindur duke u ushqyer pak nga pak karakteristika që Perëndia s’i pëlqen, si egoizmi, fodullëku, ambicia lakmitare dhe prirja për të vendosur normat e veta morale e për t’u rebeluar ndaj autoritetit.b Me dy fjalë, dalëngadalë fryma e botës bën që në zemrat e njerëzve të rrënjosen karakteristikat e Djallit.—Gjoni 8:44; Veprat 13:10; 1 Gjonit 3:8, 10.
9. Si mund të hyjë në mendjen e në zemrën tonë fryma e botës?
9 A mund të zërë rrënjë në mendjen dhe në zemrën tënde fryma e botës? Po, por vetëm nëse e lejon ti, duke ulur vigjilencën. (Lexo Proverbat 4:23.) Shpesh ndikimi i saj nis në mënyrë tinëzare, ndoshta me shokët që mund të duken njerëz të mirë, por që s’e duan Jehovain. (Proverbat 13:20; 1 Korintasve 15:33) Mund ta thithësh këtë frymë të ligë edhe nëpërmjet literaturës së diskutueshme, siteve pornografike ose apostate në Internet, zbavitjes së dëmshme dhe sporteve tepër konkurruese. Faktikisht, mund të jetë çdo njeri ose çdo gjë që pasqyron mënyrën e të menduarit të Satanait ose të botës së tij.
10. Si t’i kundërvihemi frymës së botës?
10 Si t’i kundërvihemi frymës tinëzare të botës e të ruajmë veten në dashurinë e Perëndisë? Vetëm duke përfituar plotësisht nga masat që ka marrë Jehovai për mirëqenien tonë frymore e duke u lutur vazhdimisht për frymën e shenjtë. Jehovai është shumë më i madh se Djalli dhe se bota që ky ka nën kontroll. (1 Gjonit 4:4) Pra, është thelbësore të qëndrojmë pranë Jehovait, duke iu lutur atij.
TË JEMI MODESTË NË VESHJE E RREGULLIM
11. Si ka ndikuar fryma e botës te normat për veshjen?
11 Tregues të jashtëm të frymës që ndikon te një njeri, janë veshja, rregullimi dhe higjiena vetjake. Në shumë vende, normat për veshjen kanë rënë kaq poshtë, saqë një prezantues televiziv tha se shpejt prostitutat s’do të kenë më ç’të veshin për t’u dalluar. Edhe vajzat që ende s’kanë hyrë në adoleshencë, janë ndikuar nga kjo modë, pra «shumë lakuriqësi, pak modesti», siç thuhej në një gazetë. Një modë tjetër është veshja e çrregullt, që pasqyron frymën e rebelimit dhe mungesën e dinjitetit e të respektit për veten.
12, 13. Cilat parime duhet të na udhëheqin për veshjen dhe rregullimin?
12 Si shërbëtorë të Jehovait, duam të dukemi sa më mirë, domethënë të vishemi pastër, me rregullsi, me shije dhe në përshtatje me rastin. Në çdo kohë, paraqitja jonë e jashtme duhet të pasqyrojë «modesti dhe mendje të shëndoshë». Kjo, së bashku me ‘veprat e mira’, u ka hije të gjithë atyre që «pohojnë se nderojnë thellë Perëndinë», meshkuj a femra qofshin. Natyrisht, meraku ynë kryesor nuk është të dukemi para të tjerëve, por ‘të ruajmë veten në dashurinë e Perëndisë’. (1 Timoteut 2:9, 10; Juda 21) Po, duam që stolisja jonë më e bukur të jetë «njeriu i fshehtë i zemrës..., [që] ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë».—1 Pjetrit 3:3, 4.
13 S’duhet të harrojmë edhe se stili ynë i veshjes dhe i rregullimit mund të ndikojë në pikëpamjen që kanë të tjerët për adhurimin e vërtetë. Kur përdoret për moralin, fjala greke e përkthyer «modesti» përcjell idenë e nderimit të thellë dhe të respektit për ndjenjat e për mendimin e të tjerëve. Pra, duhet të bëjmë çmos t’i japim më tepër rëndësi ndërgjegjes së të tjerëve, sesa të drejtave që mendojmë se kemi për veshjen. Mbi të gjitha, duam të nderojmë Jehovain e popullin e tij dhe ta rekomandojmë veten si shërbëtorë të Perëndisë duke bërë ‘gjithçka për lavdi të tij’.—1 Korintasve 4:9; 10:31; 2 Korintasve 6:3, 4; 7:1.
14. Ç’pyetje duhet t’i bëjmë vetes për paraqitjen tonë dhe për higjienën?
14 Veshja, rregullimi dhe pastërtia janë të rëndësishme sidomos kur jemi në shërbim ose kur ndjekim mbledhjet e krishtere. Pyet veten: ‘A tërheq vëmendje të papërshtatshme paraqitja ime e jashtme dhe higjiena? A i vënë në siklet të tjerët? A mendoj se të drejtat e mia në këto aspekte kanë më shumë rëndësi sesa kualifikimi për të marrë privilegje shërbimi në kongregacion?’—Psalmi 68:6; Filipianëve 4:5; 1 Pjetrit 5:6.
15. Pse në Fjalën e Perëndisë nuk ka ndonjë listë me rregulla për veshjen, rregullimin dhe higjienën vetjake?
15 Bibla nuk ka një listë me rregulla për të krishterët për sa i përket veshjes, rregullimit dhe higjienës vetjake. Jehovai nuk dëshiron të na mohojë lirinë për të zgjedhur ose të na pengojë që të përdorim aftësinë për të menduar. Përkundrazi, do që të bëhemi njerëz të pjekur që arsyetojnë në bazë të parimeve biblike dhe që «nëpërmjet përdorimit i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën». (Hebrenjve 5:14) Mbi të gjitha, do që ne të udhëhiqemi nga dashuria për Të dhe për të afërmin. (Lexo Markun 12:30, 31.) Brenda këtyre kufijve, ka plot mundësi për një shumëllojshmëri veshjesh e rregullimesh. Kjo del në pah kur sheh turma të gëzuara e me veshje shumëngjyrëshe të shërbëtorëve të Jehovait, kudo që janë mbledhur.
TA MBAJMË JETËN TË THJESHTË
16. Si u kundërvihet fryma e botës mësimeve të Jezuit dhe ç’pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
16 Fryma e botës është mashtruese dhe nxit miliona njerëz të mendojnë se do të jenë të lumtur vetëm po të kenë para dhe gjëra materiale. Mirëpo Jezui tha: «Edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.» (Luka 12:15) Jo se ai e miratonte asketizmin ose heqjen dorë nga çdo gëzim i jetës. Por tha se jetë e lumturi të vërtetë do të kenë vetëm ata që «janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë» e që mbajnë një jetë të thjeshtë, pra të përqendruar vetëm te marrëdhënia me Të. (Mateu 5:3; 6:22, 23) Pyet veten: ‘A e besoj vërtet atë që mësoi Jezui, apo po ndikohem nga «ati i gënjeshtrës»? (Gjoni 8:44) Çfarë zbulojnë fjalët, synimet, përparësitë e mia dhe mënyra si jetoj?’—Luka 6:45; 21:34-36; 2 Gjonit 6.
17. Përmend disa dobi që kanë ata që mbajnë një jetë të thjeshtë.
17 «Mençuria del e drejtë me anë të veprave të veta»,—tha Jezui. (Mateu 11:19) Të shohim vetëm disa nga dobitë që kanë ata që mbajnë një jetë të thjeshtë. Gjejnë freskim të vërtetë në shërbim të Mbretërisë. (Mateu 11:29, 30) Shmangin ankthet e kota e kështu i kursejnë vetes shumë vuajtje mendore dhe emocionale. (Lexo 1 Timoteut 6:9, 10.) Kënaqen me gjërat e domosdoshme të jetës, kështu që kanë më tepër kohë për t’ia kushtuar familjes dhe shokëve të krishterë. Ngaqë kanë një jetë të thjeshtë, mund të flenë më rehat. (Eklisiastiu 5:12) Provojnë gëzimin më të madh që vjen kur japin në çfarëdo mënyre që munden. (Veprat 20:35) Gjithashtu, kanë «bollëk në shpresë» dhe paqe të brendshme e kënaqësi. (Romakëve 15:13; Mateu 6:31, 32) Këto bekime s’kanë të çmuar!
TË VESHIM «ARMATURËN E PLOTË»
18. Si e përshkruan Bibla armikun tonë, metodat e tij dhe llojin e ‘përleshjes’ që kemi?
18 Ata që ruajnë veten në dashurinë e Perëndisë, janë të mbrojtur edhe nga orvatjet e Satanait që t’i pengojë t’i shërbejnë Atij. Djalli synon t’u heqë të krishterëve jo vetëm lumturinë, por edhe jetën e përhershme. (1 Pjetrit 5:8) Pavli tha: «Ne nuk kemi një përleshje me gjakun e mishin, por me qeveritë, me autoritetet, me sundimtarët botërorë të kësaj errësire, me forcat e liga frymore në vendet qiellore.» (Efesianëve 6:12) Fjala «përleshje» tregon se luftimet nuk bëhen në distancë, si për shembull nga një bunker i futur diku, por trup më trup. Për më tepër, termat «qeveritë», «autoritetet» dhe «sundimtarët botërorë» tregojnë se sulmet që vijnë nga Satanai e nga demonët, janë tejet të organizuara e të planifikuara.
19. Përshkruaj armaturën frymore të të krishterëve.
19 Por, pavarësisht nga dobësitë dhe kufizimet njerëzore, ne mund ta fitojmë këtë luftë. Si? Duke veshur «armaturën e plotë të Perëndisë». (Efesianëve 6:13) Kjo armaturë përshkruhet tek Efesianëve 6:14-18: «Qëndroni të patundur, me ijët të ngjeshura me të vërtetën, të veshur me parzmoren e drejtësisë, me këmbët të mbathura me pajimet e lajmit të mirë të paqes. Mbi të gjitha, merrni mburojën e madhe të besimit, me të cilën do të jeni në gjendje të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut. Merrni edhe përkrenaren [ose shpresën] e shpëtimit dhe shpatën e frymës, që është fjala e Perëndisë. Ndërkaq, vazhdoni të luteni në çdo rast në frymë, dhe bëni çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi.»
20. Si ndryshon situata jonë nga ajo e një ushtari të mirëfilltë?
20 Kjo armaturë frymore vjen nga Perëndia, prandaj nuk do të na lërë në baltë, me kusht që ta mbajmë veshur gjithmonë. Ndryshe nga ushtarët e mirëfilltë që mund të kenë periudha pushimi të gjata midis luftimeve, të krishterët janë në një betejë të pareshtur për jetë a vdekje, e cila do të pushojë vetëm pasi Perëndia të shkatërrojë botën e Satanait dhe të hedhë në humnerë të gjitha krijesat e liga frymore. (Zbulesa 12:17; 20:1-3) Prandaj, në qoftë se po lufton me dobësi ose me dëshira të gabuara, mos u dorëzo! Të gjithëve na duhet të ‘rrahim me grushte’ veten për t’i qëndruar besnikë Jehovait. (1 Korintasve 9:27) Duhet të fillojmë të merakosemi vetëm nëse nuk po përleshemi më.
21. Cila është e vetmja mënyrë për të fituar luftën tonë frymore?
21 Për më tepër, nuk e fitojmë dot këtë luftë me forcat tona. Prandaj, Pavli na kujton se duhet t’i lutemi Jehovait «në çdo rast në frymë». Njëkohësisht, duhet ta dëgjojmë Jehovain duke studiuar Fjalën e tij e duke u shoqëruar në çdo rast me ‘bashkëluftëtarët’ tanë, pasi nuk jemi vetëm në këtë luftë. (Filemonit 2; Hebrenjve 10:24, 25) Kush është besnik në këto aspekte, jo vetëm që do të dalë fitimtar, por do të ketë mundësi ta mbrojë pa u lëkundur besimin kur të vihet në diskutim.
TË JEMI GATI TË MBROJMË BESIMIN TONË
22, 23. (a) Pse duhet të jemi përherë gati që të mbrojmë besimin, e cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes? (b) Cili argument do të shqyrtohet në kapitullin vijues?
22 Jezui tha: «Ngaqë nuk jeni pjesë e botës,... bota ju urren.» (Gjoni 15:19) Prandaj, të krishterët duhet të jenë përherë gati të mbrojnë besimin e tyre, duke e bërë këtë me butësi e respekt. (Lexo 1 Pjetrit 3:15.) Pyet veten: ‘A e kuptoj pse disa herë Dëshmitarët e Jehovait mbajnë një qëndrim që nuk përputhet me opinionin e shumicës? Kur duhet të marr edhe unë një qëndrim të tillë të vështirë, a jam plotësisht i bindur se ajo që thotë Bibla dhe skllavi i besueshëm, është e drejtë? (Mateu 24:45; Gjoni 17:17) Dhe, kur është fjala për të bërë ç’është e drejtë në sytë e Jehovait, a jam jo vetëm i gatshëm për të vepruar ndryshe nga të tjerët, por edhe krenar që po veproj kështu?’—Psalmi 34:2; Mateu 10:32, 33.
23 Mirëpo, shpesh dëshira jonë për të qenë të ndarë nga bota, sprovohet në mënyra më tinëzare. Për shembull, siç e përmendëm më lart, Djalli përpiqet t’i tërheqë në botën e tij shërbëtorët e Jehovait, me anë të zbavitjes që ofron ajo. Si të zgjedhim zbavitje të dobishme, që do të na ripërtërijë e do të na lërë me ndërgjegje të pastër? Ky argument do të shqyrtohet në kapitullin vijues.
a Që nga festa e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., Krishti ka qenë Mbret mbi kongregacionin e dishepujve të mirosur në tokë. (Kolosianëve 1:13) Në vitin 1914, Krishti mori pushtetin si Mbret mbi ‘mbretërinë e botës’. Prandaj, tani të krishterët e mirosur shërbejnë edhe si ambasadorë të Mbretërisë mesianike.—Zbulesa 11:15.
b Shih librin Të arsyetojmë nga Shkrimet, faqet 148-151, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
c Shih Shtojcën «Nderimi i flamurit, votimi dhe shërbimi civil».