ARTIKULLI I STUDIMIT 46
A po e mirëmban «mburojën e madhe të besimit»?
«Merrni mburojën e madhe të besimit.»—EFES. 6:16.
KËNGA 119 Duhet të kemi besim
PËRMBLEDHJEa
1-2. (a) Sipas Efesianëve 6:16, pse na nevojitet një ‘mburojë e madhe besimi’? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
A KE një ‘mburojë të madhe besimi’? (Lexo Efesianëve 6:16.) Pa dyshim që po. Ashtu si një mburojë e madhe mbron pjesën më të madhe të trupit, besimi yt të mbron nga imoraliteti, dhuna dhe çdo gjë tjetër që shpërfill normat e Perëndisë në këtë sistem të korruptuar.
2 Gjithsesi po jetojmë në «ditët e fundit», ndaj besimi ynë do të vazhdojë të sprovohet. (2 Tim. 3:1) Si mund ta kontrollosh mburojën e besimit, që të sigurohesh se është e fortë? Dhe si mund ta mbash të fortë mburojën tënde? Le të shqyrtojmë përgjigjet e këtyre pyetjeve.
KONTROLLOJE ME KUJDES MBUROJËN TËNDE
3. Si kujdeseshin ushtarët për mburojat e tyre, dhe pse?
3 Në kohët kur u shkrua Bibla, zakonisht ushtarët mbanin mburoja të veshura me lëkurë. Ata i vajosnin mburojat që ta mbanin lëkurën në gjendje të mirë e t’i mbronin nga ndryshku pjesët metalike. Nëse vërente se mburoja ishte dëmtuar, ushtari bënte çmos ta riparonte, që të ishte gjithnjë gati për betejë. Si lidhet ky shembull me besimin tënd?
4. Pse duhet ta kontrollosh mburojën tënde të besimit, dhe si duhet ta bësh këtë?
4 Ashtu si ushtarët e lashtësisë, ti duhet ta kontrollosh dhe ta mirëmbash rregullisht mburojën e besimit, që të jesh gjithnjë gati për betejë. Si shërbëtorë të Perëndisë, kemi një betejë me forcat e liga qiellore. (Efes. 6:10-12) Askush përveç teje nuk mund ta mirëmbajë mburojën tënde të besimit. Si të sigurohesh se je i përgatitur të përballosh sprovat? Së pari, lutju Perëndisë për ndihmë. Veç kësaj, përdor Fjalën e Perëndisë për ta parë veten siç të sheh Perëndia. (Hebr. 4:12) Bibla thotë: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në aftësinë tënde për të kuptuar.» (Prov. 3:5, 6, nwt) Duke mbajtur në mendje këtë, pse të mos rishqyrtosh disa vendime që ke marrë kohët e fundit? Për shembull, a ke përballuar një problem të rëndë ekonomik? A të erdhi në mendje premtimi i Jehovait «kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis» që gjendet te Hebrenjve 13:5? A të dha siguri ky premtim se Jehovai do të të ndihmonte? Nëse po, kjo tregon se po e mban në gjendje të mirë mburojën e besimit.
5. Çfarë mund të zbulosh kur shqyrton besimin tënd?
5 Mund të befasohesh nga ajo që zbulon kur shqyrton me kujdes besimin tënd. Ka të ngjarë të vësh re dobësi që s’të kanë rënë në sy. Për shembull, mund të kuptosh se ankthi i tepërt, gënjeshtrat dhe shkurajimi ta kanë dëmtuar besimin. Nëse ka ndodhur kështu, si mund ta mbrosh besimin që të mos dëmtohet akoma më keq?
MBROHU NGA ANKTHI I TEPËRT, GËNJESHTRAT DHE SHKURAJIMI
6. Cilat janë disa raste kur ankthi është i dobishëm?
6 Ka raste kur ankthi a meraku është i dobishëm. Për shembull, me të drejtë kemi merak të kënaqim Jehovain dhe Jezuin. (1 Kor. 7:32) Nëse bëjmë një mëkat serioz, kemi shumë merak të ndreqim marrëdhënien me Perëndinë. (Psal. 38:18) Gjithashtu, kemi merak të kënaqim bashkëshortin dhe të kujdesemi për pjesëtarët e familjes e për bashkëbesimtarët.—1 Kor. 7:33; 2 Kor. 11:28.
7. Sipas Proverbave 29:25, pse nuk duhet të kemi frikë nga njerëzit?
7 Mirëpo, ankthi i tepërt mund të na e dëmtojë besimin. Për shembull, ndoshta na bren pareshtur meraku në do të kemi mjaft ushqim dhe veshje. (Mat. 6:31, 32) Si pasojë, mund të përqendrohemi te fitimi i të mirave materiale, e madje mund të zhvillojmë dashuri për pará. Nëse lejojmë të ndodhë kjo, do të na dobësohet besimi te Jehovai dhe do ta dëmtojmë rëndë miqësinë me të. (Mar. 4:19; 1 Tim. 6:10) Ose mund të bëhemi pre e një lloji tjetër ankthi të tepruar, që është meraku i ekzagjeruar për të fituar miratimin e të tjerëve. Kështu, frika se mos na tallin a na përndjekin njerëzit, mund të bëhet më e fortë nga frika se mos mërzitim Jehovain. Për t’u mbrojtur nga ky rrezik, duhet t’i përgjërohemi Jehovait të na japë besimin dhe guximin e nevojshëm që ta përballojmë këtë vështirësi.—Lexo Proverbat 29:25; Luka 17:5.
8. Si duhet të reagojmë ndaj gënjeshtrave?
8 Satanai, «ati i gënjeshtrës», i përdor ata që ka nën kontroll, që të përhapë gënjeshtra për Jehovain dhe për vëllezërit e motrat. (Gjoni 8:44) Për shembull, apostatët botojnë gënjeshtra dhe shtrembërojnë faktet për organizatën e Jehovait në Internet, në televizion e në mjete të tjera të medias. Këto gënjeshtra janë ndër «shigjetat e zjarrta» të Satanait. (Efes. 6:16) Si reagojmë përballë gënjeshtrave të tilla? U kthejmë shpinën! Pse? Sepse kemi besim te Jehovai dhe te vëllezërit tanë. Në fakt, ne shmangim çdo kontakt me apostatët. Nuk lejojmë askënd e asgjë, madje as kuriozitetin, të na shtyjë të debatojmë me ta.
9. Si mund të ndikojë te ne shkurajimi?
9 Shkurajimi mund të na e dobësojë besimin. S’ka sesi t’i mbyllim sytë para problemeve tona. Në fakt, do të ishim të papërgjegjshëm po ta bënim këtë. E mund të ndodhë që hera-herës të shkurajohemi. Ama nuk duhet të lejojmë që mendja të na fiksohet te problemet. Nëse e lejojmë këtë, mund ta humbim nga sytë shpresën e mrekullueshme që na ka dhënë Jehovai. (Zbul. 21:3, 4) Si pasojë, shkurajimi mund të na i shterojë forcat dhe të na shtyjë të dorëzohemi. (Prov. 24:10) Por nuk ka pse të na ndodhë kjo.
10. Çfarë mëson nga letra që shkroi një motër?
10 Të shohim si po e mban të fortë besimin një motër në Shtetet e Bashkuara ndërkohë që kujdeset për burrin e sëmurë rëndë. Në një letër që i shkroi selisë botërore, ajo thoshte: «Situata jonë hera-herës ka qenë stresuese dhe shkurajuese, por shpresa jonë është e patundur. Jam prekur thellë nga materialet që sigurohen për të na forcuar besimin e për të na ngrohur zemrën. Kemi nevojë sa s’thuhet për këto këshilla dhe inkurajime. Ato na ndihmojnë të mos dorëzohemi dhe të përballojmë sprovat që përdor Satanai për të na dobësuar besimin.» Komentet e kësaj motre tregojnë se mund ta mposhtim shkurajimin. Si? Shikoji sprovat e tua si një mundësi për t’iu kundërvënë Satanait. Ki besim se Jehovai është Burim ngushëllimi për ty. Gjithashtu çmoje ushqimin besimforcues që siguron ai.
11. Cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes për të provuar sa i fortë është besimi ynë?
11 A dallon aspekte ku mburoja jote e besimit ka nevojë për mirëmbajtje? A ia ke dalë të mos të të vërë poshtë ankthi i tepërt gjatë muajve të fundit? A ke refuzuar t’i dëgjosh apostatët dhe të debatosh me ta për gënjeshtrat që përhapin? A ke arritur të mposhtësh shkurajimin? Nëse po, besimi yt është në gjendje të mirë. Prapëseprapë duhet të rrimë syçelë, sepse Satanai ka edhe armë të tjera që i përdor kundër nesh. Le të shohim tani një prej tyre.
MBROHU NGA MATERIALIZMI
12. Si mund të ndikojë materializmi te ne?
12 Materializmi mund të na shpërqendrojë, e kështu mund ta lëmë pas dore mburojën e besimit. Apostulli Pavël tha: «Kush është ushtar, nuk përfshihet në çështjet tregtare të jetës, sepse do që të fitojë miratimin e atij që e ka rekrutuar si ushtar.» (2 Tim. 2:4, nwt) Në fakt, ushtarëve romakë nuk u lejohej të merreshin me asnjë lloj tregtie. Çfarë mund të ndodhte nëse një ushtar e shpërfillte këtë kërkesë?
13. Pse nuk duhej të përfshihej në çështje tregtare një ushtar?
13 Imagjino këtë situatë: një grup ushtarësh stërviten me shpata gjithë mëngjesin, por një ushtar nga kompania e tyre mungon. Ai është në qytet ngaqë ka hapur një dyqan ushqimesh. Në mbrëmje, ushtarët e kalojnë kohën duke kontrolluar armaturën e duke mprehur shpatat. Kurse ushtari që ka dyqanin, e kalon atë kohë duke përgatitur ushqimet që do të shesë të nesërmen. Mirëpo të nesërmen një armik sulmon befas. Cili ushtar ka më shumë gjasa të jetë gati për betejë dhe të fitojë miratimin e komandantit të tij? Kë do të doje të kishe në krah—një nga ushtarët që u përqendrua te përgatitja apo ushtarin që ishte i shpërqendruar?
14. Çfarë çmojmë ne si ushtarë të Krishtit?
14 Si ushtarë të mirë, ne nuk shpërqendrohemi nga synimi kryesor—të fitojmë miratimin e Komandantëve tanë, Jehovait dhe Krishtit. Për ne kjo është më e çmuar se të fitojmë çfarëdo gjëje që na ofron bota e Satanait. Ne sigurohemi të kemi kohën dhe energjinë e nevojshme për t’i shërbyer Jehovait e për të mbajtur në gjendje të mirë mburojën e besimit dhe pjesën tjetër të armaturës që na ka dhënë Perëndia.
15. Cilin paralajmërim na dha Pavli, dhe pse?
15 Nuk duhet ta ulim kurrë vigjilencën! Pse? Apostulli Pavël paralajmëroi se ‘ata që janë të vendosur të pasurohen, . . . do të dalin nga rruga e besimit’. (1 Tim. 6:9, 10) Shprehja «dal nga rruga» tregon se ka rrezik të shpërqendrohemi nëse përpiqemi të grumbullojmë gjëra materiale të panevojshme. Kështu mund ta lëmë zemrën të pambrojtur para shumë dëshirave të marra e të dëmshme. Në vend që t’i lejojmë këto dëshira të hedhin rrënjë në zemër, duhet t’i shohim ashtu siç janë realisht—armë që mund të na dëmtojnë.
16. Për cilat pyetje duhet të na nxitë të meditojmë ngjarja e dokumentuar te Marku 10:17-22?
16 Ta zëmë se i kemi të ardhurat për të blerë shumë gjëra materiale. A bëjmë gabim nëse blejmë gjëra që i duam por që nuk na nevojiten vërtet? Jo medoemos. Megjithatë, medito për këto pyetje: edhe nëse na e mban xhepi të blejmë diçka, a i kemi vërtet kohën dhe energjitë që ta përdorim e ta mirëmbajmë? Veç kësaj, a mund të ndodhë të lidhemi tepër me gjërat që zotërojmë? A mund të na shtyjë kjo dashuri për gjërat materiale të veprojmë si i riu që refuzoi ftesën e Jezuit për ta zgjeruar shërbimin? (Lexo Markun 10:17-22.) Është shumë më mirë të bëjmë një jetë të thjeshtë e t’i shpenzojmë energjitë dhe kohën tonë të çmuar për të bërë vullnetin e Perëndisë!
MBAJE FORT MBUROJËN TËNDE TË BESIMIT
17. Çfarë nuk duhet të harrojmë kurrë?
17 Të mos harrojmë kurrë se jemi në luftë dhe duhet të jemi gati çdo ditë për betejë. (Zbul. 12:17) Vëllezërit dhe motrat nuk mund ta mbajnë mburojën e besimit në vendin tonë. Na takon neve ta mbajmë fort mburojën tonë të besimit.
18. Pse i mbanin fort mburojat e tyre ushtarët në kohët e lashta?
18 Në lashtësi, një ushtar nderohej kur ishte trim në luftë. Por, nëse kthehej në shtëpi pa mburojën, mbulohej me turp. Historiani romak, Taciti, shkroi: «Të braktisësh mburojën, është poshtërimi më i madh në botë.» Kjo është një arsye pse ushtarët siguroheshin ta mbanin fort mburojën e tyre.
19. Si mund ta mbajmë fort mburojën e besimit?
19 Ne e mbajmë fort mburojën e besimit duke ndjekur rregullisht mbledhjet dhe duke u folur të tjerëve për emrin e Jehovait e për Mbretërinë e tij. (Hebr. 10:23-25) Gjithashtu, lexojmë çdo ditë Fjalën e Perëndisë duke u lutur dhe zbatojmë këshillat e drejtimin e saj në gjithçka që bëjmë. (2 Tim. 3:16, 17) Kur veprojmë kështu, asnjë armë që përdor Satanai kundër nesh, nuk do të na shkaktojë ndonjë dëm të përhershëm. (Isa. 54:17) ‘Mburoja jonë e madhe e besimit’ do të na mbrojë. Ne do të qëndrojmë të patundur, sup më sup me vëllezërit e motrat. E jo vetëm do t’i fitojmë betejat që kemi çdo ditë, por do të kemi nderin të jemi në anën e Jezuit kur të fitojë luftën kundër Satanait dhe pasuesve të tij.—Zbul. 17:14; 20:10.
KËNGA 118 «Na jep më shumë besim»
a Ushtarët kishin nevojë për mburojën që të ishin të mbrojtur. Besimi ynë është si një mburojë. Prandaj, ashtu si mburoja e mirëfilltë, besimi duhet mirëmbajtur. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si mund të sigurohemi se ‘mburoja jonë e madhe e besimit’ është në gjendje të mirë.
b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Kur në televizor jepet një lajm për apostatët që përhapin gënjeshtra rreth Dëshmitarëve të Jehovait, një familje Dëshmitarësh e fik menjëherë televizorin.
c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Më vonë, gjatë adhurimit familjar, babai përdor një fragment nga Bibla për t’ia forcuar besimin familjes.