Studimi personal që na pajis si mësues
«Përsiatu në këto gjëra, zhytu në to, që përparimi yt të duket qartë për të gjithë. Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate.»—1 Timoteut 4:15, 16.
1. Çfarë është e vërtetë për sa i përket kohës dhe studimit personal?
«PËR çdo gjë ka një kohë të caktuar»,—thuhet në Bibël te Predikuesi [Eklisiastiu] 3:1 (BR). Patjetër që kjo është e vërtetë edhe për studimin personal. Shumë veta e kanë të vështirë të përsiaten në gjërat frymore nëse këtë gjë e bëjnë në kohën dhe në vendin e papërshtatshëm. Për shembull, pas një ditë të lodhshme pune dhe pas një darke të rëndë, a do të ishit të prirur të studionit, sidomos në qoftë se do të shtriheshit në kolltukun tuaj të preferuar përballë televizorit? S’ka mundësi. Atëherë, cila është zgjidhja? Qartë, duhet të zgjedhim se kur dhe ku të studiojmë, duke pasur si synim që të nxjerrim sa më shumë dobi nga përpjekjet tona.
2. Cila është shpesh koha më e mirë për studimin personal?
2 Shumë veta mendojnë se për ta koha më e mirë për të studiuar është herët në mëngjes kur zakonisht janë më të përqendruar. Të tjerë shfrytëzojnë pushimin e drekës për të studiuar ndopak. Vini re se si në shembujt vijues përmendet koha për veprimtaritë e rëndësishme frymore. Davidi, mbret në Izraelin e lashtë, shkroi: «Më bëj të ndjej mirësinë tënde në mëngjes, sepse unë kam besim te ti; më trego rrugën nëpër të cilën duhet të eci, sepse unë e lartoj shpirtin tim drejt teje.» (Psalmi 143:8) Profeti Isaia shfaqi çmueshmëri të njëjtë kur tha: «Zoti, Zoti, më ka dhënë gjuhën e dishepujve që të mund ta mbaj me fjalë të lodhurin; ai më zgjon çdo mëngjes; zgjon veshin tim, që unë të dëgjoj si veprojnë dishepujt.» Pika është se duhet të studiojmë e t’i hapim zemrën Jehovait, atëherë kur jemi syçelë mendërisht, cilado qoftë periudha e ditës.—Isaia 50:4, 5; Psalmi 5:3; 88:13.
3. Çfarë kushtesh duhen për të bërë një studim të efektshëm?
3 Një faktor tjetër për të bërë një studim të efektshëm është se nuk duhet të ulemi në karrigen ose në kolltukun më të rehatshëm. Kjo nuk është mënyra për të ndenjur syçelë. Kur studiojmë, mendja duhet të jetë aktive, por kushtet tepër të rehatshme duket se bëjnë të kundërtën. Gjithashtu, për të studiuar e medituar duhet njëfarë qetësie dhe të mos ketë shpërqendrime. Nuk do të arrijmë rezultate të mira nëse përpiqemi të studiojmë kur vëmendja jona tërhiqet njëkohësisht nga radioja, televizori ose fëmijët. Kur donte të meditonte, Jezui ikte në një vend të qetë. Po ashtu, ai tha se sa e vlefshme është të gjejmë një vend të veçuar për t’u lutur.—Mateu 6:6; 14:13; Marku 6:30-32.
Studimi personal që na përgatit për t’iu përgjigjur të tjerëve
4, 5. Në cilat mënyra është një ndihmë praktike broshura Çfarë kërkon?
4 Studimi personal është i këndshëm kur përdorim mjete të ndryshme ndihmëse për të kuptuar Biblën, me qëllim që të gërmojmë më thellë për një temë të caktuar. Sidomos është i këndshëm kur këtë gjë e bëjmë për t’i dhënë përgjigje pyetjeve të sinqerta të dikujt. (1 Timoteut 1:4; 2 Timoteut 2:23) Shumë persona që sapo e kanë njohur të vërtetën si fillim studiojnë broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh?,a e cila tani është në dispozicion në 261 gjuhë. Ky është një botim shumë i thjeshtë, por i saktë, i bazuar tërësisht në Bibël. Ai i ndihmon lexuesit të kuptojnë shpejt se cilat janë kërkesat e Perëndisë për adhurimin e vërtetë. Gjithsesi, duke qenë një broshurë, nuk të lë hapësirë për një studim të hollësishëm të çdo teme. Në rast se studenti bën pyetje serioze për disa tema biblike që po diskutohen, si ia bëni për të gjetur më shumë informacione biblike që do ta ndihmonin atë të merrte përgjigjen e këtyre pyetjeve?
5 Ata që kanë Bibliotekën Watchtower në CD-ROM në gjuhën e tyre kanë mundësi me anë të kompjuterit të marrin informacion nga burime të ndryshme. Por, ç’të themi për ata që nuk e kanë këtë mjet? Le të shqyrtojmë dy argumente që trajtohen në broshurën Çfarë kërkon, për të parë se si mund ta rritim kuptueshmërinë dhe si të jemi në gjendje për të dhënë përgjigje më të hollësishme, sidomos kur dikush ngre pyetje të tilla, si: ‘Kush është Perëndia? Si ishte në të vërtetë Jezui?’—Eksodi [Dalja] 5:2; Luka 9:18-20; 1 Pjetrit 3:15.
Kush është Perëndia?
6, 7. (a) Cila pyetje bëhet në lidhje me Perëndinë? (b) Cilin gabim të rëndë bëri një klerik gjatë një leksioni?
6 Mësimi 2 në broshurën Çfarë kërkon i përgjigjet pyetjes jetësore: «Kush është Perëndia?» Kjo është një pikë themelore, sepse një person nuk mund ta adhurojë Perëndinë e vërtetë nëse nuk e njeh ose nëse ndoshta dyshon në ekzistencën e Tij. (Romakëve 1:19, 20; Hebrenjve 11:6) Po ashtu, njerëzit në mbarë botën kanë qindra koncepte se kush është Perëndia. (1 Korintasve 8:4-6) Çdo filozofi fetare ka një përgjigje të ndryshme për pyetjen lidhur me identitetin e Perëndisë. Në të ashtuquajturin krishterim shumë fe e shohin Perëndinë si një Trinitet. Një klerik i shquar në SHBA, mbajti një leksion me titull «A e njihni Perëndinë?», por gjatë fjalimit nuk e përmendi as edhe një herë emrin e Perëndisë, ndonëse citoi disa herë Shkrimet Hebraike. Sigurisht që ai lexoi nga një përkthim i Biblës ku përdoret titulli i paqartë dhe anonim «Zot» në vend të Jehova ose Jahve.
7 Çfarë pike jetësore që nuk përmendi kleriku kur citoi Jereminë 31:33, 34! Në të thuhet: « ‘Ata nuk do të mësojnë secili të afërmin e tij dhe secili vëllanë e tij, duke thënë: “Njihni Zotin!” [në hebraisht «Njihni Jehovain»], sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri te më i madhi’, thotë Zoti [në hebraisht «Jehovai»].» Në përkthimin që përdori ai ishte hequr emri i shquar i Perëndisë, Jehova.—Psalmi 83:18, Shoqëria biblike për n’Ingli dhe jashtë.
8. Cili shembull e ilustron rëndësinë e përdorimit të emrit të Perëndisë?
8 Psalmi 8:9, në Përkthimin Bota e Re, ilustron përse përdorimi i emrit të Jehovait është kaq domethënës: «O Jehova, Zotëria ynë, sa i madhërishëm është emri yt në tërë tokën!» Krahasojeni me: «O ZOT, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!» (Diodati; shihni gjithashtu Don Simon Filipaj) Mirëpo, siç u përmend në artikullin e mëparshëm, mund të marrim «njohurinë e Perëndisë», vetëm nëse lejojmë të na ndriçojë Fjala e tij. Por, cili mjet ndihmës për studimin e Biblës do t’u jepte me lehtësi përgjigje pyetjeve rreth rëndësisë së emrit të Perëndisë?—Fjalët e urta (Proverbat) 2:1-6, BR.
9. (a) Cili botim mund të na ndihmojë të shpjegojmë rëndësinë e përdorimit të emrit të Perëndisë? (b) Në ç’mënyrë shumë përkthyes nuk kanë treguar respekt për emrin e Perëndisë?
9 Mund t’i drejtohemi broshurës Emri hyjnor që do të qëndrojë përgjithmonë, e cila është përkthyer në 69 gjuhë.b Pjesa me titull «Emri i Perëndisë: Domethënia dhe shqiptimi i tij» (faqet 6-11) tregon qartë se tetragrami hebraik (në greqisht tetragram do të thotë «katër shkronja») shfaqet pothuajse 7.000 herë në tekstet e lashta hebraike. Mirëpo kleri dhe përkthyesit e judaizmit e të të ashtuquajturit krishterim e kanë hequr qëllimisht nga shumica e përkthimeve të tyre të Biblës.c Si mund të pohojnë ata se e njohin Perëndinë dhe se kanë një marrëdhënie të pranueshme me të nëse refuzojnë ta thërrasin me emrin e tij? Emri i tij i vërtetë hap rrugën që të kuptojmë se cilat janë qëllimet e tij dhe kush është ai. Për më tepër, ç’vlerë ka kjo pjesë e lutjes model të Jezuit «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt», në qoftë se emri i Perëndisë madje as nuk përdoret?—Mateu 6:9; Gjoni 5:43; 17:6.
Kush është Jezu Krishti?
10. Në cilat mënyra mund të përfitojmë një tablo të plotë të jetës dhe të shërbimit të Jezuit?
10 Mësimi 3 në broshurën Çfarë kërkon titullohet: «Kush është Jezu Krishti?» Vetëm në gjashtë paragrafë, në të bëhet një përshkrim i shkurtër për Jezuin, për prejardhjen e tij dhe për qëllimin e ardhjes së tij në tokë. Megjithatë, nëse doni një përshkrim të plotë të jetës së tij, nuk ka botim më të mirë—përveç vetë tregimit të Ungjijve—sesa libri Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, i cili është në dispozicion në 111 gjuhë.d Ky libër bën një përshkrim të plotë kronologjik të jetës dhe të mësimeve të Jezuit, përshkrim i cili bazohet te katër Ungjijtë. Të 133 kapitujt përfshijnë ngjarjet e jetës dhe të shërbimit të Jezuit. Për një metodë tjetër analitike, mund t’i drejtoheni librit Mendjehollësi, Vëllimi 2, te pjesa me titull «Jezu Krishti».
11. (a) Pse ajo që besojnë Dëshmitarët e Jehovait për Jezuin është e ndryshme nga fetë e tjera? (b) Cilat janë disa vargje biblike që hedhin poshtë në mënyrë të qartë doktrinën e Trinitetit dhe cili botim është i dobishëm për këtë temë?
11 Në të ashtuquajturin krishterim polemikat për Jezuin përqendrohen te fakti nëse është apo jo «Biri i Perëndisë», si dhe nëse është «Perëndia Bir». Me fjalë të tjera, debatojnë për atë që Catechism of the Catholic Church (Katekizmi i kishës katolike), e quan «misteri kryesor i besimit të krishterë», pra Triniteti. Ndryshe nga fetë e të ashtuquajturit krishterim, Dëshmitarët e Jehovait besojnë se Jezui është me prejardhje hyjnore, por nuk është Perëndia. Një trajtim i shkëlqyer i kësaj teme gjendet në broshurën A duhet të besosh në Trinitet?, përkthyer në 95 gjuhë.e Mes shkrimeve të shumta që përdoren aty për të hedhur poshtë doktrinën e Trinitetit janë: Marku 13:32 dhe 1 Korintasve 15:24, 28.
12. Te cila pyetje e mëtejshme duhet ta përqendrojmë vëmendjen?
12 Shqyrtimet e mësipërme në lidhje me Perëndinë dhe Jezu Krishtin, shërbejnë për të ilustruar se në ç’mënyrë mund ta bëjmë studimin personal me synimin për të ndihmuar të marrin njohuri të saktë, ata që nuk e njohin të vërtetën biblike. (Gjoni 17:3) Por, ç’të themi për ata që kanë marrë pjesë në kongregacionin e krishterë prej vitesh? A kanë nevojë ende t’i kushtojnë vëmendje studimit personal të Fjalës së Jehovait duke qenë se kanë grumbulluar shumë njohuri biblike?
Përse ‘të kushtojmë vëmendje të vazhdueshme’?
13. Çfarë pikëpamje të gabuar mund të kenë disa për studimin personal?
13 Disa që kanë qenë pjesëtarë të kongregacionit prej shumë vitesh mund ta bëjnë si zakon që të mbështeten vetëm në njohurinë që kanë marrë në vitet e para si Dëshmitarë të Jehovait. Mund të arsyetojnë me lehtësi me veten e tyre: «Unë nuk kam nevojë të studioj kaq shumë sa ata që janë të rinj në të vërtetën. Në fund të fundit, shih sa shumë herë e kam lexuar Biblën dhe botimet biblike gjatë viteve.» Kjo do të ishte njësoj sikur të thoshim: «Unë në të vërtetë nuk kam nevojë t’i kushtoj shumë vëmendje dietës sime tani, pasi shih sa shumë herë kam ngrënë në të kaluarën.» E dimë që trupi kërkon vazhdimisht ushqim të mirë, të përgatitur siç duhet, në mënyrë që të mbahet i shëndetshëm dhe aktiv. Kjo është shumë më e vërtetë për të mbajtur shëndetin dhe forcën frymore!—Hebrenjve 5:12-14.
14. Pse duhet t’i kushtojmë vëmendje të vazhdueshme vetes?
14 Prandaj, të gjithë ne, pavarësisht nëse e studiojmë ose jo Biblën nga një kohë e gjatë, duhet t’i vëmë veshin këshillës së Pavlit drejtuar Timoteut, i cili në atë kohë ishte mbikëqyrës i pjekur e i përgjegjshëm: «Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate. Ngulmo në këto gjëra, sepse duke e bërë këtë, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.» (1 Timoteut 4:15, 16) Pse duhet ta marrim për zemër këshillën e Pavlit? Kujtojmë se Pavli theksoi gjithashtu se kemi një luftë kundër «intrigave [veprave dinake] të Djallit» dhe kundër «forcave të liga frymore në vendet qiellore». Po ashtu apostulli Pjetër paralajmëroi se Djalli është «duke kërkuar të përpijë dikë» dhe ai «dikë» mund të jetë çdonjëri prej nesh. Ndjenja e vetëkënaqjes mund të jetë pikërisht e çara që po kërkonte ai tek ne.—Efesianëve 6:11, 12; 1 Pjetrit 5:8.
15. Çfarë mbrojtjeje frymore kemi dhe si mund ta mirëmbajmë atë?
15 Atëherë, çfarë mbrojtjeje kemi? Apostulli Pavël na e kujton: «Merrni armaturën e plotë të Perëndisë, që të jeni në gjendje të rezistoni në ditë të ligë dhe pasi të keni bërë në mënyrë të plotë gjithçka, të qëndroni të patundur.» (Efesianëve 6:13) Efektshmëria e kësaj armature frymore nuk varet vetëm nga cilësia e saj në fillim, por edhe nga mirëmbajtja e rregullt. Prandaj kjo pajisje e plotë nga Perëndia duhet të përfshijë njohurinë e përditësuar të Fjalës së Perëndisë. Kjo thekson sa e rëndësishme është të qëndrojmë në një hap me kuptueshmërinë e së vërtetës, siç na e zbulon Jehovai nëpërmjet Fjalës së tij dhe nëpërmjet klasës së skllavit të besueshëm e të matur. Studimi personal i rregullt i Biblës dhe i botimeve biblike është jetësor për mirëmbajtjen e armaturës frymore.—Mateu 24:45-47; Efesianëve 6:14, 15.
16. Çfarë mund të bëjmë për të qenë të sigurt se ‘mburoja jonë e madhe e besimit’ është në gjendje të mirë?
16 Pavli thekson se pjesë thelbësore e armaturës mbrojtëse është ‘mburoja e madhe e besimit’, me anë të së cilës mund t’i shmangim dhe t’i shuajmë shigjetat e zjarrta të Satanait, siç janë akuzat e rreme dhe mësimet apostate. (Efesianëve 6:16) Prandaj është e rëndësishme që të kontrollojmë se sa e fortë është mburoja jonë e besimit dhe çfarë hapash të marrim për ta mirëmbajtur dhe për ta forcuar atë. Për shembull, mund të pyesim veten: «Në ç’mënyrë përgatitem për studimin javor të Biblës duke përdorur Kullën e Rojës? A kam studiuar mjaftueshëm për të qenë në gjendje ‘të nxitem për dashuri dhe vepra të shkëlqyera’ gjatë mbledhjes, duke dhënë përgjigje të menduara mirë? A e hap Biblën dhe a i lexoj shkrimet që janë paraqitur, por që nuk janë cituar? A i inkurajoj të tjerët duke marrë pjesë në mbledhje me entuziazëm?» Ushqimi frymor është i fortë dhe për të nxjerrë dobi plotësisht duhet ta tretim mirë.—Hebrenjve 5:14; 10:24.
17. (a) Çfarë helmi po përdor Satanai për të dobësuar gjendjen tonë frymore? (b) Cili është ilaçi kundër helmit të Satanait?
17 Satanai i njeh dobësitë e mishit mëkatar dhe intrigat e tij janë tinëzare. Një nga mënyrat me anë të së cilës përhap ndikimin e tij të lig është duke vënë në dispozicion me shumë lehtësi pornografinë në televizor, në Internet, në video dhe në botime të shtypura. Disa të krishterë kanë lejuar që ky helm të depërtojë në armaturën mbrojtëse të dobësuar, dhe kjo ka çuar në humbjen e privilegjeve në kongregacion ose në pasoja edhe më serioze. (Efesianëve 4:17-19) Cili është ilaçi kundër helmit frymor të Satanait? Nuk duhet të lëmë pas dore studimin e rregullt personal të Biblës, mbledhjet e krishtere dhe armaturën e plotë të Perëndisë. Të gjitha këto së bashku na japin aftësinë për të dalluar të drejtën dhe të gabuarën, si edhe të urrejmë atë që urren Perëndia.—Psalmi 97:10; Romakëve 12:9.
18. Në ç’mënyrë mund të na ndihmojë ‘shpata e frymës’ në luftën frymore?
18 Në qoftë se mbajmë zakone të mira të studimit të rregullt të Biblës, do të kemi jo vetëm aftësinë mbrojtëse të siguruar nga njohuria e saktë e Fjalës së Perëndisë, por edhe aftësinë për të kundërsulmuar Satanain nëpërmjet ‘shpatës së frymës, që është fjala e Perëndisë’. Fjala e Perëndisë është «më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton aq sa ndan shpirtin dhe frymën, nyjat dhe palcën e tyre dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës». (Efesianëve 6:17; Hebrenjve 4:12) Nëse bëhemi të aftë ta përdorim këtë «shpatë», kur të hasim tundime, do të jemi në gjendje të dallojmë qartë gjithçka që mund të duket e padëmshme ose madje tërheqëse dhe do ta demaskojmë atë si një grackë vdekjeprurëse të të ligut. Njohuria dhe kuptueshmëria biblike e grumbulluar do të na ndihmojnë të hedhim poshtë atë që është e keqe dhe të bëjmë atë që është e shkëlqyer. Prandaj, të gjithë duhet të pyesim veten: ‘A është shpata ime e mprehtë apo është e ndryshkur? A e kam të vështirë të kujtoj vargjet biblike që mund të më rritin aftësinë për të kundërsulmuar?’ Le të mbajmë zakone të mira të studimit personal të Biblës, që në këtë mënyrë t’i rezistojmë Djallit.—Efesianëve 4:22-24.
19. Çfarë dobish mund të marrim nëse i kushtohemi fort studimit personal?
19 Pavli shkroi: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.» Nëse i marrim për zemër fjalët e Pavlit drejtuar Timoteut, mund të forcojmë gjendjen tonë frymore dhe mund ta bëjmë shërbimin më të efektshëm. Pleqtë frymorë dhe shërbëtorët ndihmës mund t’i sjellin më shumë dobi kongregacionit dhe ne të gjithë mund të qëndrojmë të patundur në besim.—2 Timoteut 3:16, 17; Mateu 7:24-27.
[Shënimet]
a Zakonisht një i sapointeresuar që po studion broshurën Çfarë kërkon do të kalonte në studimin e librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme, që të dy të botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Sugjerimet që gjenden në të do të ndihmojnë të heqë pengesat që mund të ndalin përparimin frymor.
b Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Ata që kanë botimin Mendjehollësi mbi Shkrimet në gjuhën e tyre mund të shohin Vëllimin 2, te pjesa me titull «Jehovai».
c Disa përkthime në gjuhët spanjolle dhe të Katalonjës bëjnë përjashtim në mënyrë të dukshme, sepse tetragramin hebraik e përkthejnë «Jave», «Jahveh», «Jahve» dhe «Jehova».
d Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
e Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
A ju kujtohet?
• Cilat rrethana ndihmojnë që të kemi një studim personal të efektshëm?
• Çfarë gabimi bëjnë shumë përkthime të Biblës në lidhje me emrin e Perëndisë?
• Cilat vargje biblike do të përdornit për të hedhur poshtë mësimin e Trinitetit?
• Çfarë duhet të bëjmë për të mbrojtur veten nga intrigat e Satanait, megjithëse mund të jemi të krishterë të vërtetë prej shumë vitesh?
[Figurat në faqen 19]
Për të pasur një studim personal të efektshëm, keni nevojë për ambientin e duhur me sa më pak shpërqendrime
[Figurat në faqen 23]
A është «shpata» juaj e mprehtë apo e ndryshkur?