Timoteu: ‘Bir i vërtetë në besim’
TIMOTEU ishte relativisht i ri, kur apostulli i krishterë Pavël e zgjodhi si shok udhëtimi. Kështu filloi një bashkëpunim që do të vazhdonte për rreth 15 vjet. Marrëdhënia që u zhvillua midis këtyre dy burrave ishte e tillë, saqë Pavli e quante Timoteun «biri im i dashur dhe besnik në Zotin» dhe ‘bir i vërtetë në besim’.—1. Korintasve 4:17; 1. Timoteut 1:2.
Çfarë kishte në personalitetin e Timoteut që e bëri Pavlin ta donte kaq shumë? Si arriti Timoteu të bëhej një shok kaq i vlefshëm? Veç kësaj, çfarë mësimesh të dobishme mund të nxjerrim nga dokumentimi i frymëzuar i aktiviteteve të Timoteut?
I zgjedhur nga Pavli
Pavli e takoi dishepullin e ri Timote, kur vizitoi Listrën (në Turqinë e ditëve tona), në udhëtimin e tij të dytë misionar, rreth vitit 50 të e.s. Timoteu ka të ngjarë të ketë qenë në adoleshencën e vonë ose rreth të njëzetave dhe të krishterët e Listrës e të Ikonisë flitnin mirë për të. (Veprat 16:1-3) Ai jetonte në lartësinë e emrit të tij, i cili do të thotë «person që nderon Perëndinë». Gjyshja Loide dhe e ëma, Eunika, ia kishin mësuar Timoteut Shkrimet e Shenjta që nga fëmijëria e tij. (2. Timoteut 1:5; 3:14, 15) Ka të ngjarë që ato ta kishin përqafuar krishterimin gjatë vizitës së parë të Pavlit në qytetin e tyre, disa vjet përpara. Tani, me anë të veprimit të frymës së shenjtë, një parashikim i veçantë tregoi se cila do të ishte e ardhmja e Timoteut. (1. Timoteut 1:18) Në harmoni me atë drejtim, Pavli dhe pleqtë e kongregacionit vunë duart e tyre mbi djaloshin, duke e ndarë kështu mënjanë për një shërbim të veçantë dhe apostulli e zgjodhi si shok misionar.—1. Timoteut 4:14; 2. Timoteut 1:6.
Meqë babai i tij ishte një grek jobesimtar, Timoteu nuk ishte rrethprerë. Sigurisht, kjo nuk ishte një kërkesë e krishterë. Megjithatë, për të eliminuar ndonjë pengesë për hebrenjtë që do të vizitonin, Timoteu iu nënshtrua kësaj procedure të dhimbshme.—Veprat 16:3.
A konsiderohej më parë Timoteu si hebre? Disa studiues argumentojnë se sipas autoriteteve rabinike, «statusi i pasardhësve në një martesë të përzier, përcaktohet nga nëna, jo nga babai». Domethënë «një grua hebreje lind fëmijë hebrenj». Megjithatë, shkrimtari Shej Kohen e vë në dyshim nëse ky «ligj rabinik lidhur me personat ishte tashmë në ekzistencë në shekullin e parë të e.s.» dhe nëse zbatohej nga hebrenjtë e Azisë së Vogël. Pas shqyrtimit të dëshmive historike, ai nxjerr përfundimin se kur burrat johebrenj martoheshin me gra izraelite, «fëmijët e këtyre martesave konsideroheshin izraelitë vetëm nëse familja jetonte mes izraelitëve. Prejardhja ishte si ajo e nënës, kur ndodheshin në vendin e nënës. Kur gruaja izraelite transferohej jashtë vendit, për t’u bashkuar me burrin e saj johebre, fëmijët konsideroheshin johebrenj.» Sidoqoftë, fakti që Timoteu kishte prindër të kombësive të ndryshme duhet të ketë qenë me vlerë në veprën e predikimit. Ai nuk do të ketë pasur probleme me hebrenjtë ose johebrenjtë dhe ndoshta kjo i ka dhënë mundësi të ndërtojë ura mbi hendeqet që ndanin këto dy grupe.
Vizita e Pavlit në Listër shënoi një kthesë në jetën e Timoteut. Gatishmëria e të riut për të ndjekur drejtimin e frymës së shenjtë dhe për të bashkëpunuar përulësisht me pleqtë e krishterë çoi në bekime dhe privilegje të mëdha shërbimi. Nëse Timoteu e kuptonte në atë kohë ose jo, nën drejtimin e Pavlit ai do të përdorej më vonë në caktime të rëndësishme teokratike, të cilat do ta çonin larg shtëpisë, deri në Romë, në kryeqytetin e perandorisë.
Timoteu çoi përpara interesat e Mbretërisë
Për aktivitetet e Timoteut kemi vetëm një dokumentim të pjesshëm, por ai udhëtoi shumë për të çuar përpara interesat e Mbretërisë. Në udhëtimin e parë me Pavlin dhe Silën në vitin 50 të e.s., Timoteu kaloi nëpër Azinë e Vogël dhe në Evropë. Atje, ai mori pjesë në fushata predikimi në Filipi, Selanik dhe Bere. Kur kundërshtimi bëri të nevojshëm që Pavli të transferohej në Athinë, Timoteu dhe Sila mbetën pas në Bere që të kujdeseshin për grupin e dishepujve që ishte formuar atje. (Veprat 16:6–17:14) Më vonë, Pavli e dërgoi Timoteun në Selanik për të forcuar kongregacionin e ri që ishte formuar atje. Kur u takua me Pavlin në Korint, Timoteu solli lajme të mira për progresin e atij kongregacioni.—Veprat 18:5; 1. Thesalonikasve 3:1-7.
Shkrimet nuk thonë se sa gjatë qëndroi Timoteu me korintasit. (2. Korintasve 1:19) Megjithatë, ndoshta aty nga viti 55 i e.s., Pavli mendoi ta dërgonte atë edhe një herë në Korint, sepse për situatën e tyre kishte marrë lajme shqetësuese. (1. Korintasve 4:17; 16:10) Më vonë, së bashku me Erastin, Timoteu u dërgua nga Efesi në Maqedoni. Pastaj, kur Pavli u shkroi romakëve që nga Korinti, Timoteu ishte përsëri me të.—Veprat 19:22; Romakëve 16:21.
Timoteu dhe të tjerët u larguan nga Korinti së bashku me Pavlin, kur ky u nis për në Jerusalem dhe e shoqëruan apostullin të paktën deri në Troas. Nuk dihet nëse Timoteu vazhdoi rrugën deri në Jerusalem. Por, ai përmendet në hyrjen e tri letrave që shkroi Pavli nga burgu në Romë, rreth vitit 60-61 të e.s.a (Veprat 20:4; Filipianëve 1:1; Kolosianëve 1:1; Filemonit 1) Pavli po planifikonte ta dërgonte Timoteun nga Roma në Filipi. (Filipianëve 2:19) Veç kësaj, pas lirimit të Pavlit nga burgu, Timoteu qëndroi në Efes, sipas drejtimit të apostullit.—1. Timoteut 1:3.
Meqë udhëtimi në shekullin e parë nuk ishte as i lehtë, as i rehatshëm, gatishmëria e Timoteut për të ndërmarrë shumë udhëtime për hir të kongregacioneve ishte vërtet për t’u lavdëruar. (Shiko Kullën e Rojës, 15 gusht 1996, faqe 29, kutinë.) Shqyrto vetëm një prej udhëtimeve të tij të mundshme dhe se çfarë tregon kjo për Timoteun.
Dritë mbi personalitetin e Timoteut
Timoteu ishte me Pavlin në Romë, kur apostulli i burgosur u shkroi të krishterëve të persekutuar në Filipi dhe u tha: «Shpresoj në Zotin Jezu t’ju dërgoj së shpejti Timoteun, që edhe unë duke njohur kushtet tuaja të inkurajohem. Sepse nuk kam asnjë në një mendje me mua [si ai, BR], që të kujdeset sinqerisht për gjërat tuaja. Sepse, në fakt, të gjithë kërkojnë interesin e vet dhe jo gjërat e Jezu Krishtit. Por ju e njihni provën e tij, se si shërbeu bashkë me mua për ungjillin, si një bir i shërben të atit.»—Filipianëve 1:1, 13, 28-30; 2:19-22.
Ato fjalë theksuan interesimin e Timoteut për bashkëbesimtarët. Nëse nuk shkonte me varkë deri atje, ai udhëtim kërkonte një rrugë për 40 ditë në këmbë nga Roma në Filipi, me një kalim të shkurtër të detit Adriatik dhe pastaj 40 ditë të tjera për t’u kthyer në Romë. Timoteu ishte gati të bënte gjithë këtë rrugë për t’u shërbyer vëllezërve dhe motrave të tija.
Edhe pse Timoteu udhëtoi shumë, nganjëherë ai nuk ishte mirë me shëndet. Me sa duket kishte ndonjë problem me stomakun dhe pati ‘sëmundje të shpeshta’. (1. Timoteut 5:23) Megjithatë, ai u përpoq energjikisht për hir të lajmit të mirë. Nuk habitemi që Pavli pati një marrëdhënie aq të ngushtë me të!
Duke qenë nën drejtimin e apostullit dhe duke kaluar shumë përvoja së bashku, me sa duket Timoteu arriti të pasqyronte personalitetin e Pavlit. Kështu, Pavli mundi t’i thoshte: «Ti ndoqe nga afër mësimin tim, sjelljen, këshillat, besimin, durimin, dashurinë, ngulmin, përndjekjet, vuajtjet që më ndodhën në Antioki, në Ikoni dhe në Listra, ti e di çfarë përndjekjesh hoqa.» Timoteu derdhi lot me Pavlin, ishte në lutjet e tij dhe u skllavërua përkrah tij për të çuar përpara interesat e Mbretërisë.—2. Timoteut 1:3, 4; 3:10, 11.
Pavli e inkurajoi Timoteun që të mos lejonte ‘askënd të shpërfillte moshën e tij të re’. Kjo mund të na tregojë se Timoteu ishte disi i ndrojtur dhe ngurronte të mbronte autoritetin e tij. (1. Timoteut 4:12; 1. Korintasve 16:10, 11) Megjithatë, ai mund të qëndronte i vetëm dhe Pavli ishte i sigurt për këtë, kur e dërgoi në misione me përgjegjësi. (1. Thesalonikasve 3:1, 2) Kur kuptoi nevojën për mbikëqyrje të fortë teokratike në kongregacionin e Efesit, Pavli e nxiti Timoteun që të qëndronte atje ‘për t’u urdhëruar disave që të mos mësonin doktrina të tjera’. (1. Timoteut 1:3) Gjithsesi, edhe pse i ishin besuar shumë përgjegjësi, Timoteu ishte modest. Gjithashtu, pavarësisht nga ndrojtja që mund të ketë pasur, ai ishte i guximshëm. Për shembull, ai shkoi në Romë për ta mbështetur Pavlin, i cili do të gjykohej për shkak të besimit të tij. Në fakt, edhe vetë Timoteu kaloi një periudhë burgimi, ndoshta për të njëjtën arsye.—Hebrenjve 13:23.
Pa dyshim Timoteu mësoi shumë nga Pavli. Vlerësimi që kishte apostulli për bashkëpunëtorin e tij dëshmohet gjerësisht nga fakti se ai i shkroi Timoteut dy letra të frymëzuara në mënyrë hyjnore, të cilat i gjejmë në Shkrimet e Krishtere Greke. Rreth vitit 65 të e.s., kur Pavli e kuptoi se martirizimi i tij ishte shumë afër, ai e thirri përsëri Timoteun. (2. Timoteut 4:6, 9) Shkrimet nuk e zbulojnë nëse Timoteu ia arriti ta shihte apostullin Pavël, para se ky të ekzekutohej.
Vihu në dispozicion!
Nga shembulli i shkëlqyer i Timoteut mund të mësojmë shumë. Ai nxori shumë dobi nga shoqërimi me Pavlin, duke u rritur nga një i ri i ndrojtur në një mbikëqyrës. Të rinjtë dhe të rejat e krishtere sot mund të fitojnë shumë gjëra nga një shoqërim i ngjashëm. Gjithashtu, nëse e bëjnë shërbimin e Jehovait karrierën e tyre, ata do të kenë shumë punë të vlefshme për të bërë. (1. Korintasve 15:58) Ata mund të bëhen pionierë ose predikues në kohë të plotë, në kongregacionin e tyre ose mund të jenë në gjendje të shërbejnë atje ku nevoja për lajmëtarë të Mbretërisë është më e madhe. Mes mundësive të shumta është shërbimi misionar në një vend tjetër ose shërbimi në Selinë Botërore të Shoqatës Watch Tower a në një prej degëve të saj. Por, patjetër, të gjithë të krishterët mund të shfaqin të njëjtën frymë si ajo që shfaqi Timoteu, duke i shërbyer Jehovait me gjithë shpirt.
A dëshiron të vazhdosh të rritesh frymësisht dhe të jesh i dobishëm në organizatën e Jehovait, për çfarëdo funksioni që ai mund të të konsiderojë të përshtatshëm? Atëherë bëj si Timoteu. Për aq sa është e mundur për ty, vihu në dispozicion. Kush e di se ç’privilegje të ardhshme shërbimi mund të shpalosen para teje?
[Shënimi]
a Timoteu përmendet edhe në katër nga letrat e tjera të Pavlit.—Romakëve 16:21; 2. Korintasve 1:1; 1. Thesalonikasve 1:1; 2. Thesalonikasve 1:1.
[Figura në faqen 31]
«Nuk kam asnjë në një mendje me mua si ai»