Kultivoni arsyetueshmëri!
«Arsyetueshmëria juaj le të njihet nga të gjithë. Zoti është afër.»—FILIPIANËVE 4:5, BR.
1. Përse është një sfidë të jesh i arsyeshëm në botën e sotme?
«NJERIU i arsyeshëm»—Gazetari anglez sir Alen Patrik Herbert e quajti atë një personazh mitik. Në të vërtetë ndonjëherë mund të na duket se nuk ekzistojnë më njerëz të arsyeshëm në këtë botë që dergjet në konflikte. Bibla paratha se në këto «ditë të fundit» kritike, njerëzit do të ishin «të ashpër», «kokëfortë» dhe «të papajtueshëm», me fjalë të tjera çdo gjë, vetëm të arsyeshëm jo. (2. Timoteut 3:1-5, BR) Por të krishterët e vërtetë e çmojnë shumë arsyetueshmërinë, duke pasur parasysh se është një karakteristikë e mençurisë hyjnore. (Jakovi 3:17) Ne nuk jemi të mendimit se është e pamundur të jesh i arsyeshëm në një botë të paarsyeshme. Përkundrazi, e pranojmë plotësisht sfidën e këshillës së frymëzuar të apostullit Pavël që gjendet tek Filipianëve 4:5: «Arsyetueshmëria juaj le të njihet nga të gjithë.»—BR.
2. Si na ndihmojnë fjalët e apostullit Pavël për të përcaktuar nëse jemi të arsyeshëm apo jo?
2 Vërej se në ç’mënyrë fjalët e Pavlit na ndihmojnë të kuptojmë, nëse jemi të arsyeshëm apo jo. Nuk ka të bëjë me faktin se si e konsiderojmë veten; ka të bëjë me faktin se si na konsiderojnë të tjerët, çfarë reputacioni kemi. Një përkthim tjetër biblik e përkthen kështu këtë varg: «Kini një reputacion si të arsyeshëm.» (Phillips) Secili prej nesh do të bënte mirë të pyeste veten: «Ç’mendojnë të tjerët për mua? A gëzoj reputacionin si i arsyeshëm, i shtruar dhe i butë? Apo njihem si i rreptë, i ashpër dhe kokëfortë?»
3. (a) Çfarë do të thotë fjala greke e përkthyer «arsyetueshmëri» dhe përse është një cilësi tërheqëse? (b) Si mund të mësojë një i krishterë që të jetë më i arsyeshëm?
3 Reputacioni ynë në këtë aspekt do të pasqyrojë, në fakt, masën në të cilën imitojmë Jezu Krishtin. (1. Korintasve 11:1) Kur ishte këtu në tokë, Jezui pasqyroi në mënyrë të përsosur shembullin suprem të arsyetueshmërisë së treguar prej Atit të tij. (Gjoni 14:9) Në fakt, kur Pavli shkroi për ‘zemërbutësinë dhe mirësinë e Krishtit’, fjala greke e përdorur për mirësi (e·pi·ei·ki΄as) do të thotë, gjithashtu, «arsyetueshmëri» ose fjalë për fjalë «të qenët i shtruar». (2. Korintasve 10:1) Një komentar biblik e quan «një term themelor që përdoret në B[esëlidhjen] e R[e] për të përshkruar karakterin». (The Expositor’s Bible Commentary) Kjo fjalë përshkruan një cilësi aq tërheqëse, sa një studiues e përkthen «arsyetueshmëri e këndshme». Prandaj, le të trajtojmë tri mënyra në të cilat Jezui ashtu si i Ati, tregoi arsyetueshmëri. Në këtë mënyrë mund të mësojmë se si ne vetë të bëhemi të arsyeshëm.—1. Pjetrit 2:21.
«I gatshëm për të falur»
4. Si u tregua Jezui «i gatshëm për të falur»?
4 Ashtu si Ati, edhe Jezui tregoi arsyetueshmëri duke u treguar «i gatshëm për të falur» shumë e shumë herë. (Psalmi 86:5) Shqyrto, për shembull, rastin kur Pjetri, një mik i ngushtë i Jezuit, e mohoi atë tri herë natën kur u arrestua dhe u mor në pyetje. Vetë Jezui më parë kishte thënë: «Kushdo që do të më mohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta mohoj përpara Atit tim.» (Mateu 10:33) A e vuri Jezui në zbatim këtë rregull me ashpërsi dhe pa mëshirë në rastin e Pjetrit? Jo, pas ringjalljes së Tij, Jezui e vizitoi Pjetrin personalisht, sigurisht për ta ngushëlluar dhe për ta qetësuar këtë apostull të penduar dhe me zemër të thyer. (Luka 24:34; 1. Korintasve 15:5) Prandaj, pak më vonë, Jezui e lejoi Pjetrin të merrte përsipër detyra me përgjegjësi të madhe. (Veprat 2:1-41) Ja, një shfaqje shkëlqyer e arsyetueshmërisë së këndshme! A nuk ngushëllohemi kur mendojmë se Jehovai e ka caktuar Jezuin si Gjyqtar mbi gjithë njerëzimin?—Isaia 11:1-4; Gjoni 5:22.
5. (a) Çfarë reputacioni duhet të kenë pleqtë tek delet? (b) Çfarë materiali mund të rishikojnë pleqtë përpara se të trajojnë çështje gjyqësore dhe përse?
5 Kur pleqtë veprojnë si gjyqtarë në kongregacion, përpiqen të ndjekin shembullin e arsyetueshmërisë së treguar nga Jezui. Nuk duan që delet t’u frikësohen nga mendimi se roli i tyre është ai i ndëshkuesve. Përkundrazi, ata mundohen të imitojnë Jezuin, në mënyrë që delet të ndihen të sigurta me ta si me barinj të dashur. Në çështjet gjyqësore, ata bëjnë çdo përpjekje për të qenë të arsyeshëm dhe të gatshëm për të falur. Përpara se të trajtojnë çështje të tilla, disa pleq kanë menduar se është e dobishme të rishikojnë artikujt «Jehova ‘Gjyqtarë i paanshëm i gjithë tokës’» dhe «Eprorë [Pleq] gjykoni me drejtësi», të botuara në Kullën e Rojës së 1 nëntorit 1992. Kështu, ata kujtojnë në mënyrë të përmbledhur mënyrën e gjykimit të Jehovait: «Qëndrueshmëri kur është e nevojshme, mëshirë kur është e mundur.» Nuk është gabim që në gjykim të anohet nga mëshira, kur ekziston një bazë e arsyeshme për ta bërë. (Mateu 12:7) Gabim është të jesh i ashpër dhe i pamëshirshëm. (Ezekieli 34:4) Prandaj, për të mos rënë viktimë e gabimit, pleqtë përpiqen me zell të mbajnë qëndrimin më të dashur e më të mëshirshëm që të jetë e mundur brenda kufijve të drejtësisë.—Krahaso Mateun 23:23; Jakovi 2:13.
Përshtatshmëri përballë ndryshimit të rrethanave
6. Si tregoi arsyetueshmëri Jezui në qëndrimin me gruan pagane, vajza e së cilës ishte e demonizuar?
6 Ashtu si Jehovai, edhe Jezui u tregua i shpejtë për të ndryshuar qëndrimin apo për t’iu përshtatur situatave të reja sipas rastit. Njëherë një grua pagane iu lut atij të kuronte vajzën a saj shumë të sëmurë nga demonët. Në tri mënyra të ndryshme Jezui i la të kuptonte se nuk do ta ndihmonte—së pari, duke mos i kthyer përgjigje; së dyti, duke deklaruar në mënyrë direkte se ai nuk ishte dërguar tek paganët, por tek hebrenjtë dhe së treti, duke i bërë një ilustrim që e përforconte me dashamirësi këtë pikë. Por me gjithë këtë, gruaja këmbënguli duke treguar besim të jashtëzakonshëm. Përballë kësaj rrethane të pazakontë, Jezui kuptoi se nuk ishte vendi për të zbatuar një rregull të zakonshëm, por ishte koha për të treguar përshtatshmëri në përgjigje të parimeve më të larta.a Kështu, Jezui bëri atë që për tri herë kishte thënë se nuk do ta bënte dhe e kuroi të bijën e kësaj gruaje!—Mateu 15:21-28.
7. Në cilat mënyra prindërit mund të tregojnë arsyetueshmëri një prind dhe përse?
7 A njihemi edhe ne për gatishmërinë tonë për t’u përshtatur kur është e mundur? Prindërit duhet të shfaqin vazhdimisht një arsyetueshmëri të tillë. Pasi çdo fëmijë ka personalitetin e tij, metodat që mund të jenë të suksesshme me njërin, mund të mos jenë të përshtatshme për tjetrin. Përveç kësaj, pak nga pak që fëmijët rriten, nevojat e tyre ndryshojnë. Mos ndoshta duhet ndryshuar orari i kthimit në shtëpi? A mund të përmirësohet studimi familjar duke e bërë më të gjallë? Nëse një prind ka reaguar ndaj disa shkeljeve të vogla, a është ai apo ajo gati për të treguar përulësi dhe për ta sqaruar problemin? Prindërit që tregohen të shtruar në këto çështje nuk i irritojnë pa qenë nevoja fëmijët e tyre dhe nuk i bëjnë të largohen nga Jehovai.—Efesianëve 6:4.
8. Si mund të marrin iniciativën pleqtë e kongregacionit për t’iu përshtatur nevojave të territorit?
8 Edhe pleqtë duhet t’u përshtaten rrethanave të reja, por ama duke mos i kompromentuar kurrë ligjet specifike të Perëndisë. A je vigjilent ndaj ndryshimeve që ndodhin në territor, në mbikëqyrjen e veprës së predikimit? Kur zakonet e jetesës në lagje ndryshojnë, ndoshta mund të përkrahet dhënia e dëshmisë në mbrëmje, në rrugë apo me telefon. Përshtatshmëria ndaj këtyre mënyrave na ndihmon që ta përmbushim detyrën tonë të predikimit në mënyrë më të efektshme. (Mateu 28:19, 20; 1. Korintasve 9:26) Pavli vendosi t’u përshtatej të gjithë llojeve të personave që takonte në shërbim. A veprojmë edhe ne kështu, për shembull, duke u munduar të njohim sado pak fetë dhe kulturën lokale që të mund t’i ndihmojmë personat?—1. Korintasve 9:19-23.
9. Përse një plak nuk mund të vazhdojë t’i trajtojë problemet ashtu siç i trajtonte në të kaluarën?
9 Ndërkohë që këto ditë të fundit bëhen gjithnjë e më të vështira, barinjtë ndoshta duhet t’u përshtaten edhe natyrës së disa problemeve mjaft të ndërlikuara dhe të pakëndshme që kopeja duhet të përballojë sot. (2. Timoteut 3:1) Pleq, nuk është koha për të qenë të ashpër! Sigurisht që një plak nuk duhet të vazhdojë t’i trajtojë disa probleme siç i ka trajtuar në të kaluarën, nëse metodat e tij janë bërë tashmë të paefektshme apo nëse «skllavi besnik dhe i matur» e ka parë të arsyeshme të botojë material të ri në lidhje me këto argumente. (Mateu 24:45; krahaso Eklisiastiun 7:10; 1. Korintasve 7:31.) Një plak besnik përpiqej sinqerisht të ndihmonte një motër që kishte probleme me depresionin dhe kishte shumë nevojë që dikush ta dëgjonte dhe ta kuptonte. Por, ai nuk e mori kaq seriozisht gjendjen e saj depresive dhe i ofroi zgjidhje të thjeshta. Më vonë, Shoqata Watch Tower botoi disa informata të bazuara në Bibël që trajtonin problemin e saj. Ky plak shkoi përsëri të fliste me motrën, këtë herë duke zbatuar materialin e ri dhe duke u treguar i ndjeshëm për gjendjen e saj të vështirë. Ç’shembull i shkëlqyer arsyetueshmërie!
10. (a) Si duhet të tregojnë një qëndrim të shtruar pleqtë kundrejt njëri-tjetrit dhe kundrejt trupit të pleqve në tërësi? (b) Si duhet t’i konsiderojë trupi i pleqve ata që tregohen të paarsyeshëm?
10 Pleqtë duhet të tregohen të shtruar edhe në marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Sa e rëndësishme është që kur mblidhet trupi i pleqve, asnjë nga pleqtë të mos sundojë mbi të tjerët! (Luka 9:48) Veçanërisht ai që drejton mbledhjen duhet të përmbahet në këtë aspekt. Në rast se një apo dy pleq nuk pajtohen me vendimin e gjithë trupit të pleqve, ata nuk duhet të këmbëngulin që të bëhet si thonë ata. Përkundrazi, për aq sa nuk shkelen parimet biblike ata duhet të tërhiqen, duke mbajtur në mend se arsyetueshmëria kërkohet së pari nga pleqtë. (1. Timoteut 3:2, 3) Nga ana tjetër, trupi i pleqve duhet të mbajë në mend se Pavli e ndëshkoi rëndë kongregacionin e Korintit, sepse ‘duronte persona të paarsyeshëm’, të cilët e paraqisnin veten si «apostuj të përsosur». (2. Korintasve 11:5, 19, 20, BR) Prandaj, nëse një plak vepron me kryeneçësi dhe në mënyrë të paarsyeshme, pleqtë e tjerë duhet të jenë gati t’i japin këshilla, por duke e bërë një gjë të tillë me butësi dhe mirësi.—Galatasve 6:1.
Arsyetueshmëri në ushtrimin e autoritetit
11. Çfarë ndryshimi ekzistonte ndërmjet udhëheqësve fetarë hebrenj dhe Jezuit, për sa i përket mënyrës se si e ushtronin autoritetin në ditët e Jezuit?
11 Kur ishte në tokë, Jezui shfaqi arsyetueshmëri në mënyrën se si e përdorte autoritetin që i kishte dhënë Perëndia. Sa ndryshonte nga udhëheqësit fetarë të ditëve të tij! Le të shohim një shembull. Ligji i Perëndisë e ndalonte kryerjen e çdo pune, madje edhe mbledhjen e druve në Sabat. (Të Dalët 20:10; Numrat 15:32-36) Udhëheqësit fetarë donin të kishin kontroll absolut mbi mënyrën se si njerëzit e zbatonin këtë ligj. Prandaj, ata morën përsipër të dekretonin me saktësi se çfarë mund të ngrinte peshë një person ditën e Sabatit. Ata vendosën: asgjë më të rëndë se dy fiq të thatë. Ndaluan edhe mbajtjen e sandaleve të mbërthyera me gozhdë, duke thënë se ngritja e peshës së tepërt të gozhdëve quhej një punë! Thuhet se në tërësi, rabinët i shtuan ligjit të Perëndisë 39 urdhra për Sabatin të ndjekura pastaj nga udhëzime të pafundme. Ndërsa Jezui nuk u përpoq të ushtronte kontroll në jetën e njerëzve, duke i bërë me turp dhe duke vendosur një pafundësi rregullash kufizuese apo normash të ashpra dhe të paarritshme.—Mateu 23:2-4; Gjoni 7:47-49.
12. Përse mund të themi se Jezui nuk lëkundej kur bëhej fjalë për normat e drejta të Jehovait?
12 A duhet të mendojmë, atëherë, se Jezui nuk ishte i vendosur për t’i përkrahur normat e drejta të Perëndisë? Sigurisht që i përkrahte! Ai kuptoi se ligjet janë më të efektshme kur njerëzit marrin për zemër parimet tek të cilat bazohen. Ndërkohë që farisenjtë ishin tepër të përqendruar për të kontrolluar jetën e njerëzve me urdhra të panumërta, Jezui u përpoq të prekte zemrën. Për shembull, ai e dinte mirë se nuk duhet toleruar ndaj ligjeve të tilla hyjnore si «Largohuni nga kurvëria!» (1. Korintasve 6:18) Prandaj, Jezui i paralajmëroi njerëzit për mendimet që mund të çojnë në imoralitet. (Mateu 5:28) Kjo mënyrë mësimi kërkonte shumë më tepër mençuri dhe kuptueshmëri, sesa thjesht vendosja e rregullave formulë të ashpra.
13. (a) Përse pleqtë nuk duhet të formulojnë ligje dhe udhëzime të pathyeshme? (b) Cilat janë disa fusha në të cilat është e rëndësishme të respektohet ndërgjegjja personale?
13 Sot, vëllezërit përgjegjës janë po aq të interesuar për të prekur zemrat. Prandaj, ata shmangin vendosjen e rregullave arbitrare dhe të pathyeshme ose kthimin e pikëpamjeve dhe opinioneve të tyre personale në ligje. (Krahaso Danielin 6:7-16) Herë pas here mund të jenë të përshtatshme dhe në kohën e duhur kujtesa të mirësjellta mbi gjëra si veshja dhe pamja e jashtme, por një plak mund ta vërë në rrezik reputacionin e tij si njeri i arsyeshëm, nëse i bie gjithmonë të njëjtit avaz në gjëra të tilla apo përpiqet të imponojë ato që në fakt janë shijet e tij personale. Në fakt, asnjë në kongregacion nuk duhet të përpiqet të kontrollojë të tjerët.—Krahaso 2. Korintasve 1:24; Filipianëve 2:12.
14. Si e tregoi Jezui se ishte i arsyeshëm në lidhje me atë që priste nga të tjerët?
14 Pleqtë mund të bëjnë një vetëshqyrtim edhe nën një aspekt tjetër dhe të pyesin veten: «A jam i arsyeshëm në atë që pres nga të tjerët?» Jezui me siguri që ishte. Ai vazhdimisht i thoshte dishepujve të tij se nuk priste nga ata më shumë sesa mund të bënin me gjithë shpirt dhe se ai e çmonte shumë një gjë të tillë. Ai e lavdëroi vejushën e varfër që dha dy monedha me vlerë fare të vogël. (Marku 12:42, 43) Gjithashtu, ai i qortoi ashpër dishepujt e tij kur e kritikuan Marien për kontributin e saj të kushtueshëm dhe u tha: «Lëreni të qetë. . . . Ajo bëri atë që mundi.» (Marku 14:6:8) Ai u tregua i arsyeshëm edhe kur ithtarët e tij e zhgënjyen. Për shembull, edhe pse i nxiti tre dishepujt e tij më të afërt të qëndronin zgjuar dhe të ruanin me të natën e arrestimit të tij, ata e zhgënjyen duke i zënë gjumi disa herë me radhë. Megjithatë, ai bëri një vërejtje me dashamirësi: «Sigurisht fryma është e gatshme, por mishi ëshë i dobët.»—Marku 14:34-38.
15, 16. (a) Përse pleqtë duhet të jenë të kujdesshëm për të mos i bërë presione apo për të mos e shtrënguar kopenë? (b) Në ç’mënyrë një motër besnike ndryshoi mendim mbi atë që priste nga të tjerët?
15 Vërtet, Jezui i inkurajoi ithtarët e tij të ‘përpiqeshin fuqimisht’. (Luka 13:24) Por ama kurrë nuk u bëri presion atyre që të vepronin në këtë mënyrë! Ai ishte një nxitje për ta, u la një shembull të mirë, mori direktivën dhe u përpoq t’u prekte zemrat. Pati besim se fuqia e Jehovait do të bënte pjesën tjetër. Edhe sot pleqtë, në mënyrë të ngjashme duhet ta inkurajojnë kopenë për t’i shërbyer Jehovait me gjithë zemër dhe duhet të mos e shtrëngojnë atë duke ngjallur ndjenja faji apo turpi dhe duke lënë të kuptohet, se ajo që tashmë po bën në shërbim të Jehovait është në njëfarë mënyre e pamjaftueshme apo e papranueshme. Një qortim nxitës i ashpër «bëj më shumë, bëj më shumë, bëj më shumë!» mund t’i shkurajojë ata që po bëjnë gjithçka mundin. Sa e trishtueshme do të ishte, nëse një plak do të njihej si një njeri ‘i vështirë për t’u kënaqur’—qëndrim që është krejt i ndryshëm nga arsyetueshmëria!—1. Pjetrit 2:18, BR.
16 Të gjithë ne duhet të jemi të arsyeshëm në atë që presim nga të tjerët! Një motër, pasi kishte lënë bashkë me të shoqin caktimin e saj misionar, për t’u kujdesur për nënën e saj të sëmurë, shkroi: «Këto kohë janë vërtet të vështira për lajmëtarët në kongregacione. Pasi kemi qenë në veprën qarkore dhe krahinore, të mbrojtur nga shumë presione të tilla, befas e në mënyrë të dhimbshme u gjendëm përballë tyre. Për shembull, njëherë e një kohë thosha me vete: ‘Përse kjo motër nuk e ofron literaturën e muajit? Mos vallë nuk e lexon fletushkën Shërbimi ynë i Mbretërisë?’ Tani e kuptoj përse. Për disa, të dalin [në shërbim] është gjithçka që mund të bëjnë.» Vërtet, do të ishte shumë më mirë t’i lavdëronim vëllezërit tanë për atë që bëjnë, sesa t’i gjykojmë për atë që nuk bëjnë!
17. Në ç’mënyrë Jezui është për ne një shembull i arsyetueshmërisë?
17 Le të shqyrtojmë një shembull të fundit se si Jezui e ushtron autoritetin e tij në mënyrë të arsyeshme. Ashtu si Ati i tij, Jezui nuk e ruan me xhelozi autoritetin e vet. Edhe ai ka dhënë autoritet, duke caktuar klasën e skllavit të tij besnik për t’u kujdesur për ‘gjithë pasurinë e tij’ këtu në tokë. (Mateu 24:45-47) Ai nuk ka frikë të dëgjojë mendimet e të tjerëve. Shpesh ai i pyeste ata që e dëgjonin: «Çfarë mendoni për këtë?» (Mateu 17:25; 18:12; 21:28; 22:42) Kështu duhet të jetë edhe me ithtarët e krishterë sot. Duke lënë mënjanë autoritetin që kanë, duhet të jenë të gatshëm të dëgjojnë. Prindër, dëgjoni! Bashkëshortë, dëgjoni! Pleq, dëgjoni!
18. (a) Si mund ta kuptojmë nëse gëzojmë një reputacion si të arsyeshëm? (b) Çfarë duhet të kemi dëshirë të bëjmë të gjithë pa përjashtim?
18 Pa dyshim, secili prej nesh dëshiron të ‘ketë një reputacion si i arsyeshëm’. (Filipianëve 4:5, Phillips) Por si mund ta dimë nëse kemi një reputacion të tillë? Në fakt, kur Jezui ishte kurioz të dinte se çfarë thonin njerëzit për të, ai pyeste shokët e tij të besuar. (Mateu 16:13) Përse të mos ndjekim shembullin e tij? Mund të pyesësh dikë, tek çiltërsia e të cilit mund të kesh besim, nëse ke një reputacion si njeri i arsyeshëm dhe i shtruar. Sigurisht, ka shumë gjëra që secili prej nesh mund të bëjë për të imituar më nga afër shembullin e përsosur të arsyetueshmërisë së treguar nga Jezui! Veçanërisht nëse ushtrojmë njëfarë autoriteti mbi të tjerët, le të ndjekim gjithmonë shembullin e Jehovait dhe të Jezuit, duke e ushtruar atë në mënyrë të arsyeshme, duke qenë gjithmonë të gatshëm për të falur, duke u përshtatur apo duke u tërhequr kur është e mundur. Po, le të përpiqemi të gjithë «për të qenë të arsyeshëm»!—Titit 3:2, BR.
[Shënimi]
a Një libër vëren: «Njeriu që është epieikēs [i arsyeshëm] e di që ndonjëherë diçka mund të jetë plotësisht e justifikuar ligjërisht, por plotësisht e gabuar moralisht. Njeriu që është epieikēs e di se kur t’i zbusë ligjet i nxitur nga një forcë më e madhe dhe më e lartë sesa ligji.»—New Testament Words.
Si do të përgjigjeshe
◻ Përse të krishterët duhet të kenë dëshirë të jenë të arsyeshëm?
◻ Si mund ta imitojnë Jezuin pleqtë në lidhje me gatishmërinë për të falur?
◻ Përse duhet të përpiqemi të përshtatemi si Jezui?
◻ Si mund të tregohemi të arsyeshëm në mënyrën se si e ushtrojmë autoritetin?
◻ Si mund të bëjmë një vetëshqyrtim për të parë nëse jemi vërtet të arsyeshëm?
[Figura në faqen 15]
Jezui u tregua i gatshëm për ta falur Pjetrin e penduar
[Figura në faqen 16]
Kur një grua tregoi besim të jashtëzakonshëm, Jezui kuptoi se nuk ishte vendi për të zbatuar një rregull të zakonshëm
[Figura në faqen 18]
Prindër, dëgjoni!
[Figura në faqen 18]
Bashkëshortë, dëgjoni!
[Figura në faqen 18]
Pleq, dëgjoni!