Ruaj paqen e brendshme edhe kur ndryshojnë rrethanat
«E lehtësova dhe e qetësova shpirtin tim.»—PSAL. 131:2.
1, 2. (a) Si mund të ndikojnë te një i krishterë ndryshimet e papritura në jetë? (Shih figurën hapëse.) (b) Sipas Psalmit 131, cili qëndrim mund të na ndihmojë të ruajmë paqen e brendshme?
KUR Llojdi dhe Aleksandra morën vesh se ishin ricaktuar të shërbenin jashtë Bethelit, në fillim u trishtuan. Fundja kishin shërbyer në Bethel për më shumë se 25 vjet. Llojdi thotë: «Ndihesha sikur Betheli dhe caktimi im atje ishin bërë identiteti im. Me logjikë i kuptoja arsyet e atij ndryshimi, por në javët dhe muajt që pasuan, shpesh ndihesha i hedhur poshtë. Më dukej sikur isha në një kolovajzë emocionesh: një moment ndihesha optimist, momentin tjetër ndihesha përtokë.»
2 Kur jeta jonë merr një kthesë të papritur, ndryshimet që duhet të përballojmë mund të na shkaktojnë ankth dhe stres emocional. (Prov. 12:25) Madje mund ta kemi të vështirë t’i pranojmë ato ndryshime. Në rrethana të tilla, si mund ‘ta lehtësojmë dhe ta qetësojmë’ shpirtin tonë? (Lexo Psalmin 131:1-3.) Le të shqyrtojmë si ia dolën disa personazhe biblike dhe disa shërbëtorë të Jehovait në ditët tona të ruanin paqen e brendshme, edhe kur u ndryshuan rrethanat.
SHIJO ‘PAQEN E PERËNDISË’
3. Në çfarë situate u gjend Jozefi?
3 Jozefi ishte rreth 17 vjeç kur vëllezërit e tij, të shtyrë nga xhelozia, e shitën si skllav. Para kësaj, Jozefi kishte qenë biri më i shtrenjtë për të atin. (Zan. 37:2-4, 23-28) Për afro 13 vjet, Jozefit iu desh të duronte skllavërinë dhe burgosjen në Egjipt, larg babait të tij të dashur, Jakobit. Çfarë e ndihmoi Jozefin të mos zhytej në dëshpërim dhe mllef?
4. (a) Ku e përqendroi mendjen Jozefi ndërsa ishte në burg? (b) Si iu përgjigj Jehovai lutjeve të Jozefit?
4 Ndërsa vuante në burg, Jozefi duhet ta ketë përqendruar mendjen te dëshmitë e bekimeve të Jehovait. (Zan. 39:21; Psal. 105:17-19) Edhe ëndrrat profetike që kishte parë kur ishte më i ri, do t’i kenë dhënë Jozefit sigurinë se kishte miratimin e Jehovait. (Zan. 37:5-11) Ka shumë mundësi që ai ia zbrazi ankthin e zemrës Jehovait, dhe këtë nuk e bëri vetëm një herë. (Psal. 145:18) Në përgjigje të lutjeve të ndiera të Jozefit, Jehovai i dha sigurinë e brendshme se do të ishte «me të» në të gjitha sprovat.—Vep. 7:9, 10.a
5. Si mund të ndikojë «paqja e Perëndisë» te dëshira për të ndjekur synime që e kënaqin?
5 Pavarësisht nga rrethanat e vështira, sot mund ta provojmë personalisht sa të lehtëson «paqja e Perëndisë» që na ruan fuqitë mendore. (Lexo Filipianëve 4:6, 7.) Kështu, nëse i kërkojmë ndihmë Jehovait kur na mbyt ankthi, paqja e Perëndisë mund të na forcojë vendosmërinë për të arritur synime që e kënaqin dhe mund të na mbrojë nga çdo prirje për t’u dorëzuar. Le të shqyrtojmë disa shembuj të ditëve tona që e ilustrojnë këtë.
KËRKOJI NDIHMË JEHOVAIT QË TË RIFITOSH PAQEN E BRENDSHME
6, 7. Si mund të na ndihmojnë lutjet specifike që të rifitojmë paqen e brendshme? Jepni një shembull.
6 Kur Rajanin dhe Xhulietën i njoftuan se caktimi i tyre si pionierë specialë të përkohshëm kishte marrë fund, u ndien të shkurajuar. Rajani thotë: «Iu lutëm në çast për këtë Jehovait. E dinim se tani kishim një mundësi të veçantë që të tregonim besim tek ai. Shumë në kongregacionin tonë ishin të rinj në të vërtetën, prandaj iu lutëm Jehovait që të na ndihmonte t’u linim një shembull të shkëlqyer besimi.»
7 Si iu përgjigj Jehovai lutjes së tyre? Rajani kujton: «Menjëherë pas lutjes, ndjenjat negative dhe meraqet që kishim në fillim, u fashitën. Paqja e Perëndisë po na ruante zemrën dhe mendjen. E kuptuam se mund të ishim ende të dobishëm për Jehovain nëse mbanim qëndrimin e duhur.»
8-10. (a) Si mund të na ndihmojë fryma e Perëndisë të përballojmë ankthin? (b) Në cilat mënyra mund t’u përgjigjet Jehovai përpjekjeve që të vazhdojmë t’i shohim gjërat me syrin e tij?
8 Përveçse na qetëson, fryma e Perëndisë mund të na e drejtojë vëmendjen te shkrime të rëndësishme, që do të na ndihmojnë të përqendrohemi te gjërat që kanë përparësi në jetë. (Lexo Gjonin 14:26, 27.) Të marrim rastin e një çifti të martuar, Filipit dhe Merit, që kishin shërbyer në Bethel gati 25 vjet. Brenda katër muajsh, vdiqën të dyja mamatë e tyre dhe një i afërm tjetër, e tani çiftit i duhej të kujdesej për babanë e Merit që vuante nga demenca.
9 Filipi kujton: «Mendoja se deri diku po e përballoja mirë situatën, mirëpo diçka mungonte. Në një artikull studimi të Kullës së Rojës më ra në sy Kolosianëve 1:11. Vërtet, unë po tregoja qëndrueshmëri, por jo në kuptimin më të plotë. Duhej ‘të qëndroja plotësisht me shpirtgjerësi dhe gëzim’. Ky varg më kujtoi se gëzimi që provoj në jetë nuk varet nga rrethanat, por nga ndikimi që ka fryma e Perëndisë në jetën time.»
10 Jehovai iu përgjigj përpjekjeve të Filipit dhe Merit për të vazhduar ta shihnin situatën me syrin e tij duke i bekuar në shumë mënyra. Pak pasi u larguan nga Betheli, të dy gjetën studime biblike që përparuan e që donin të studionin më shumë se një herë në javë. Kur hedh vështrimin pas, Meri thotë: «Ata ishin gëzimi ynë dhe mënyra se si Jehovai po na thoshte se çdo gjë do të vente për bukuri.»
JEPI JEHOVAIT DIÇKA QË TA BEKOJË
11, 12. (a) Si i dha Jozefi Jehovait diçka që ta bekonte? (b) Si u shpërblye Jozefi për qëndrueshmërinë e tij?
11 Kur hasim ndryshime të papritura, fare lehtë mund të lejojmë që shqetësimet për të ardhmen të na paralizojnë. Kjo mund t’i kishte ndodhur edhe Jozefit. Por në vend të kësaj, ai vendosi të nxirrte më të mirën nga situata e tij, e kështu i dha Jehovait diçka që ta bekonte. Edhe pse në burg, Jozefi punonte pa u lodhur për të kryer çfarëdo detyre që i jepte kryezyrtari, tamam siç kishte bërë kur punonte për Potifarin.—Zan. 39:21-23.
12 Një ditë, Jozefit i besuan detyrën të kujdesej për dy burra që dikur kishin shërbyer në pozita të rëndësishme në oborrin e faraonit. Dashamirësia që u tregoi Jozefi u ngrohu zemrën, prandaj iu hapën për hallet e tyre dhe i treguan ëndrrat pështjelluese që kishin parë një natë përpara. (Zan. 40:5-8) Edhe pse Jozefi nuk e dinte atëherë, ajo bisedë ishte shkëndija që do ta çonte drejt një fundi të lumtur. Ndonëse iu desh të vuante në burg edhe dy vite të tjera, si përfundim e liruan dhe, po atë ditë, e caktuan qeveritarin e dytë për nga rëndësia pas faraonit.—Zan. 41:1, 14-16, 39-41.
13. Si mund t’i japim Jehovait diçka që ta bekojë, pavarësisht nga rrethanat tona?
13 Ashtu si Jozefi, mund të gjendemi në një situatë ku kemi në dorë pak gjëra ose asgjë. Megjithatë, nëse nuk e humbim durimin dhe bëjmë çmos të nxjerrim më të mirën nga rrethanat tona, do t’i japim Jehovait diçka që ta bekojë. (Psal. 37:5) Vërtet, hera-herës mund të ndihemi «të shtrënguar në çdo mënyrë», ama kurrë s’do të jemi «të braktisur në dëshpërim», siç u shpreh apostulli Pavël. (2 Kor. 4:8; shën., NWT, botimi 2013) Këto fjalë të Pavlit do të bëhen realitet në rastin tonë, sidomos nëse mbetemi të përqendruar te shërbimi.
VAZHDO TË PËRQENDROHESH TE SHËRBIMI
14-16. Si mbeti i përqendruar te shërbimi ungjillëzuesi Filip, edhe pse i ndryshuan rrethanat?
14 Ungjillëzuesi Filip është shembull i shkëlqyer i dikujt që mbeti i përqendruar te shërbimi, edhe pse i ndryshuan rrethanat në jetë. Në Jerusalem shpërtheu një valë përndjekjeje pas vdekjes së Stefanit si martir.b Në atë kohë, Filipi kishte një privilegj të ri shërbimi. (Vep. 6:1-6) Por kur dishepujt e Krishtit u shpërndanë nga përndjekja, Filipi s’mund të rrinte duarkryq e të bënte sehir. Ai shkoi të predikonte në Samari, një qytet ku asokohe nuk ishte predikuar thuajse fare lajmi i mirë.—Mat. 10:5; Vep. 8:1, 5.
15 Filipi ishte i gatshëm të shkonte kudo që ta udhëhiqte fryma e Perëndisë, prandaj Jehovai e përdori që të përhapte lajmin e mirë në territore të papredikuara. Paanshmëria që tregoi Filipi duhet të ketë qenë diçka përtëritëse për samaritanët, që ishin mësuar të trajtoheshin me përçmim nga judenjtë. S’është çudi që turmat i «kushtonin vëmendje të madhe».—Vep. 8:6-8.
16 Më pas, fryma e Perëndisë e udhëhoqi Filipin për në Ashdod dhe Cezare, dy qytete me popullsi të madhe jojudeje. (Vep. 8:39, 40) Rreth 20 vjet pasi kishte nisur predikimin në Samari, rrethanat e Filipit kishin ndryshuar prapë. Tani që ishte familjar, ai ishte vendosur me banim në territorin ku predikonte. Pavarësisht nga ndryshimi i rrethanave, Filipi mbeti i përqendruar te shërbimi dhe, si rezultat, ai dhe familja e tij shijuan bekime të pasura nga Jehovai.—Vep. 21:8, 9.
17, 18. Si mund të na ndihmojë përqendrimi te shërbimi që të mbajmë ekuilibrin në kohë ndryshimesh?
17 Shumë nga ata që shërbejnë në kohë të plotë mund të dëshmojnë se përqendrimi te shërbimi i ndihmoi të mbanin ekuilibrin, pavarësisht nga ndryshimi i rrethanave. Kur Osborni dhe Polajta, një çift nga Afrika e Jugut, u larguan nga Betheli, menduan se s’do të kalonte shumë e do të gjenin punë me orar të reduktuar dhe një vend ku të banonin. «Mjerisht,—tregon Osborni,—nuk arritëm të gjenim punë aq shpejt sa kishim shpresuar.» E shoqja, Polajta, kujton: «Nuk gjetëm punë për tre muaj, dhe nuk kishim kursime. Ishte goxha sfidë.»
18 Çfarë i ndihmoi ta përballonin atë situatë stresuese? Osborni e përmbledh kështu: «Predikimi bashkë me kongregacionin na ndihmoi sa s’thuhet që ta mbanim mendjen të përqendruar e ta mbushnim me mendime optimiste. Vendosëm të zhyteshim te vepra e predikimit, në vend që të rrinim e të vritnim mendjen për hallet tona. Kjo na solli gëzim të pamasë. Kërkuam punë gjithandej, dhe si përfundim gjetëm.»
PRIT ME DURIM JEHOVAIN
19-21. (a) Ç’do të na ndihmojë të ruajmë paqen e brendshme? (b) Cilat dobi mund të na sjellë përshtatja me një sërë rrethanash të reja?
19 Siç e tregojnë këta shembuj, nëse nxjerrim më të mirën nga rrethanat tona dhe presim plot besim Jehovain, do të ruajmë paqen e brendshme. (Lexo Mikenë 7:7.) Madje mund të vërejmë sa shumë na e forcon miqësinë me Jehovain përshtatja me një sërë rrethanash të reja. Duke u nisur nga përvoja e saj, Polajta, e cituar më sipër, thotë: «Ricaktimi jashtë Bethelit më ka mësuar ç’do të thotë vërtet të varesh nga Jehovai, madje edhe kur duket se gjithçka në jetë e kam kundër. Marrëdhënia ime me Të është thelluar.»
20 Meri, që u citua më sipër, po kujdeset ende për babanë e moshuar, ndërkohë që shërben si pioniere. Ajo pranon: «Kam mësuar se kur ndihem në ankth, duhet të ndalem, të lutem dhe pastaj të qetësohem. Ndoshta mësimi më i rëndësishëm që kam nxjerrë është t’i lë gjërat në dorë të Jehovait. Dhe sa shumë do të më hyjë në punë në të ardhmen ky mësim!»
21 Llojdi dhe Aleksandra, të përmendur në fillim, e pranojnë se ndryshimi i rrethanave ua sprovoi besimin në mënyra që s’i kishin marrë me mend. Por, ja çfarë thonë ata: «Sprovat e besimit nxjerrin në pah nëse besimi ynë është i vërtetë dhe nëse ka fuqi të na mbështetë e të na ngushëllojë në kohë vështirësish. Nga këto sprova dalim njerëz më të mirë.»
22. Për çfarë mund të jemi të sigurt, nëse përpiqemi të nxjerrim më të mirën nga rrethanat tona?
22 Nëse jeta merr një kthesë të papritur—për shkak të një ndryshimi në caktimet teokratike, të problemeve shëndetësore a të përgjegjësive të reja familjare—ji i sigurt se Jehovai ka merak për ty dhe do të të ndihmojë në kohën e duhur. (Hebr. 4:16; 1 Pjet. 5:6, 7) Ndërkaq, përpiqu të nxjerrësh më të mirën nga situata jote. Afrohu me Atin tënd qiellor nëpërmjet lutjeve dhe mëso ta lësh veten në duart e tij të dashura. Kështu do të ruash paqen e brendshme edhe kur rrethanat ndryshojnë.
a Njëfarë kohe pasi u lirua nga burgu, Jozefi pranoi se Jehovai ia kishte lehtësuar kujtimet e dhimbshme duke i dhënë një djalë. Ai e quajti të parëlindurin Manase (që do të thotë «një që të bën të harrosh»), sepse, siç tha vetë: «Perëndia më ka bërë të harroj gjithë telashet e mia.»—Zan. 41:51.