AFROJUNI PERËNDISË
«Jehovai ju fali bujarisht»
«Ai që nuk i fal dot të tjerët, prish urën mbi të cilën duhet të kalojë vetë.» Këto fjalë të historianit britanik të shekullit të 17-të, Eduard Herbert, theksojnë një nga arsyet pse duhet t’i falim të tjerët: herët a vonë, edhe ne do të kemi nevojë të na falin. (Mateu 7:12) Megjithatë, ka një arsye edhe më të rëndësishme pse duhet të falim. Shiko çfarë tha apostulli Pavël te Kolosianëve 3:13.—Lexoje.
Ngaqë të gjithë jemi të papërsosur, ndonjëherë mund t’i acarojmë ose t’i lëndojmë të tjerët. Nga ana tjetër, edhe ata mund të bëjnë njësoj me ne. (Romakëve 3:23) Si mund të ruajmë paqen me të tjerët, që ngjashëm nesh janë të papërsosur? I frymëzuar nga Perëndia, Pavli na këshillon të tolerojmë e të falim. Kjo këshillë është po aq e dobishme sot, sa në kohën kur u shkrua afro dy mijë vjet më parë. Le të shqyrtojmë me kujdes fjalët e Pavlit.
«Vazhdoni të duroni . . . njëri-tjetrin.» Shprehja e përkthyer «vazhdoni të duroni», vjen nga një fjalë greke që na nxit të jemi tolerantë dhe të durueshëm. Një vepër referimi thotë se të krishterët e shfaqin këtë cilësi «duke qenë të gatshëm të durojnë ata që shfaqin të meta ose tipare të papëlqyeshme që i acarojnë». Shprehja «njëri-tjetrin» tregon se kjo tolerancë duhet të jetë reciproke. Pra, kur i kujtojmë vetes se edhe ne kemi tipare që i acarojnë të tjerët, nuk do t’i lejojmë gjërat që s’na pëlqejnë tek ata të prishin paqen mes nesh. Po kur të tjerët gabojnë ndaj nesh?
«Vazhdoni . . . të falni bujarisht njëri-tjetrin.» Sipas një studiuesi, fjala greke e përkthyer «falni bujarisht» «nuk është fjala që përdoret zakonisht për faljen . . . Ajo ka një kuptim më të gjerë që thekson natyrën bujare të faljes.» Një vepër tjetër thotë se kjo fjalë mund të ketë kuptimin «të bësh diçka të këndshme, një nder ose një të mirë ndaj dikujt». Shfaqim mëshirë kur me gatishmëri falim edhe nëse kemi «shkak për t’u ankuar kundër një tjetri». Por, pse duhet ta bëjmë këtë të mirë me gatishmëri? Sepse shumë shpejt mund të kemi nevojë që personi i cili ka gabuar ndaj nesh të na e kthejë këtë të mirë e të na falë.
«Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju.» Kjo është arsyeja kryesore pse duhet t’i falim të tjerët: Perëndia Jehova na fal bujarisht. (Mikea 7:18) Mendo një çast për nderin e madh që u bën Jehovai mëkatarëve të penduar. Ndryshe nga ne, Jehovai nuk mëkaton. E megjithatë, Ai i fal me gatishmëri dhe plotësisht mëkatarët e penduar edhe pse e di se kurrë nuk do të ketë nevojë që këta mëkatarë t’ia kthejnë këtë nder e ta falin. Po, Jehovai është shembulli më i mirë për sa i përket faljes!
Jehovai është shembulli më i mirë për sa i përket faljes!
Mëshira e Jehovait na tërheq drejt tij dhe na nxit të dëshirojmë ta imitojmë. (Efesianëve 4:32–5:1) Ndaj bëjmë mirë të pyesim veten: «Meqë Jehovai më fal me kaq mëshirë, si mund t’ia mohoj faljen dikujt që, ashtu si unë, është i papërsosur dhe i vjen vërtet keq që ka gabuar ndaj meje?»—Luka 17:3, 4.
Sugjerim për leximin e Biblës në tetor
Galatasve 1-6; Efesianëve 1-6; Filipianëve 1-4; Kolosianëve 1-4; 1 Selanikasve 1-5; 2 Selanikasve 1-3; 1 Timoteut 1-6–2 Timoteut 1-4