Prindër, sigurojini gjërat e nevojshme familjes suaj!
«Nëse dikush nuk siguron gjërat e nevojshme për të vetët, . . . ai e ka mohuar besimin.»—1 TIMOTEUT 5:8.
1, 2. (a) Përse inkurajohemi kur shohim familje që ndjekin së bashku mbledhjet e krishtere? (b) Cilat janë disa vështirësi që hasin familjet, për të vajtur në kohë në mbledhje?
KUR hedh sytë rreth e qark në sallë, para se të fillojë mbledhja, mund të shohësh fëmijë të pastër e të veshur mirë, që po ulen afër prindërve të tyre. A s’është e këndshme të vëresh dashurinë që shfaqin këto familje, dashurinë për Jehovain dhe për njëri-tjetrin? Por, ndoshta nuk mendojmë shumë se sa përpjekje duhen që një familje të bëhet gati për mbledhjet dhe të arrijë në kohë në sallë.
2 Në shumicën e rasteve, prindërit janë tërë ditën të zënë me punë dhe, pasditet kur ka mbledhje, familja është edhe më e zënë. Duhet përgatitur darka, duhen bërë punët e shtëpisë, fëmijët duhet të mbarojnë detyrat. Barrën më të rëndë e mbajnë prindërit, pasi duhet të sigurohen që të gjithë në familje të jenë të pastër, të kenë ngrënë dhe të jenë gati në kohën e duhur për t’u nisur. Sigurisht, me fëmijët mund të ndodhin të papritura pikërisht atëherë kur s’duhet. Djali i madh gris pantallonat duke luajtur. I vogli derdh ushqimin. Fëmijët nisin të zihen me njëri-tjetrin. (Fjalët e urta [Proverbat] 22:15) Ç’ndodh si pasojë? Edhe planet më të mira të prindërve mund të prishen. Megjithatë, pothuajse gjithnjë familja është në Sallën e Mbretërisë mjaft kohë para se të fillojë mbledhja. Sa na ngrohet zemra kur e shohim atë familje javë pas jave, vit pas viti, ndërsa fëmijët rriten dhe bëhen shërbëtorë të Jehovait!
3. Si e dimë që Jehovai i vlerëson shumë familjet?
3 Ndonëse puna jote si prind disa herë është e vështirë, madje sfilitëse, mund të jesh i sigurt se Jehovai i vlerëson shumë përpjekjet e tua. Ai është Nismëtari i familjes, prandaj në Fjalën e tij thuhet se çdo familje «merr emër» nga Jehovai, pra ia detyron atij ekzistencën. (Efesianëve 3:14, 15) Kështu, kur ju prindër përpiqeni t’i përmbushni në mënyrën e duhur rolet tuaja në familje, po nderoni Zotërinë Sovran të universit. (1 Korintasve 10:31) A nuk është ky një privilegj i madh? Prandaj, është me vend të shqyrtojmë detyrën që u ka dhënë Jehovai prindërve. Në këtë artikull do ta analizojmë nga një këndvështrim i veçantë, domethënë si duhet të sigurojnë prindërit gjërat e nevojshme për familjen. Le të shohim tri fusha ku Perëndia pret që prindërit të sigurojnë gjërat e nevojshme për familjen e tyre.
Sigurojuni anën materiale
4. Si e ka organizuar Jehovai familjen, që t’u sigurohen gjërat e nevojshme fëmijëve?
4 Apostulli Pavël shkroi: «Pa dyshim, nëse dikush nuk siguron gjërat e nevojshme për të vetët e sidomos për ata që janë anëtarë të shtëpisë së tij, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një njeri pa besim.» (1 Timoteut 5:8) Për kë e kishte fjalën këtu Pavli, kur tha «dikush»? E kishte fjalën për kryefamiljarin, që zakonisht është babai. Perëndia i ka dhënë edhe gruas një rol dinjitoz si ndihmëse e burrit të saj. (Zanafilla 2:18) Në kohët biblike, gratë i ndihmonin shpesh burrat e tyre që të siguronin gjërat e nevojshme për familjen. (Fjalët e urta 31:13, 14, 16) Sot, familjet me një prind po bëhen gjithnjë e më të zakonshme.a Shumë të krishterë që janë prindër të vetëm, po bëjnë një punë të admirueshme për t’i siguruar gjërat e nevojshme familjes së tyre. Sigurisht, idealja është që një familje t’i ketë të dy prindërit, dhe babai të marrë drejtimin.
5, 6. (a) Cilat janë disa vështirësi që hasin prindërit ndërsa sigurojnë nevojat materiale të familjes? (b) Cila pikëpamje ndaj punës do t’i ndihmojë prindërit e krishterë që të mos dorëzohen?
5 Çfarë nevojash kishte ndër mend Pavli te 1 Timoteut 5:8? Konteksti na bën të qartë se po fliste pikërisht për nevojat materiale të familjes. Në botën e sotme, një kryefamiljar mund të hasë shumë pengesa për të siguruar këto nevoja. Vështirësitë ekonomike janë të zakonshme në mbarë botën, e po ashtu edhe pushimi nga puna, shkalla e lartë e papunësisë dhe rritja e kostos së jetesës. Çfarë mund ta ndihmojë një prind përballë këtyre vështirësive?
6 Ai duhet të mbajë në mendje se po përmbush një detyrë që i ka dhënë Jehovai. Sipas fjalëve të frymëzuara të Pavlit, ai që i ka mundësitë t’i bindet këtij urdhri, por nuk pranon, është njësoj si dikush që ka «mohuar besimin». Një i krishterë duhet të bëjë çmos që të mos bëhet i tillë në sytë e Perëndisë. Mjerisht, në botën e sotme shumë njerëz janë «pa përzemërsi të natyrshme». (2 Timoteut 3:1, 3) Baballarë të panumërt u shmangen përgjegjësive të tyre, duke e lënë familjen në mjerim. Burrat e krishterë nuk kanë këtë pikëpamje të pandjeshme dhe moskokëçarëse kur bëhet fjalë për t’i siguruar gjërat e nevojshme familjes. Ndryshe nga shumë punëtorë të tjerë, të krishterët që janë prindër, i shohin si dinjitoze e të rëndësishme edhe punët më të rëndomta, si mjet për t’i pëlqyer Perëndisë Jehova, pasi këto punë u japin mundësi t’i sigurojnë gjërat e duhura familjes.
7. Pse është e përshtatshme që prindërit të meditojnë për shembullin e Jezuit?
7 Mund të jetë e dobishme për kryefamiljarët që të shqyrtojnë edhe shembullin e përsosur të Jezuit. Të mos harrojmë se, në mënyrë profetike, Bibla e quan Jezuin ‘Atin tonë të përjetshëm’. (Isaia 9:5, 6 [6, 7, BR]) Duke qenë «Adami i fundit», Jezui faktikisht e zëvendëson ‘njeriun e parë, Adamin’ dhe bëhet ati i atyre njerëzve që tregojnë besim. (1 Korintasve 15:45) Ndryshe nga Adami që, siç doli, ishte një baba egoist dhe mendonte vetëm për veten, Jezui është ati ideal. Bibla thotë për të: «Nga kjo e kemi njohur dashurinë, sepse ai dha shpirtin e tij për ne.» (1 Gjonit 3:16) Po, Jezui vullnetarisht dha jetën e tij për të tjerët. Por edhe ditë për ditë, në gjëra më të vogla, i vuri nevojat e të tjerëve para të tijave. Do të jetë në të mirën tuaj dhe të familjes, nëse ju prindër imitoni këtë frymë vetëmohuese.
8, 9. (a) Ç’mund të mësojnë prindërit nga vetëmohimi me të cilin zogjtë kujdesen për të vegjlit? (b) Si po tregojnë një frymë vetëmohuese shumë prindër të krishterë?
8 Prindërit mund të mësojnë shumë për dashurinë altruiste, nga fjalët që i tha Jezui popullit rebel të Perëndisë: «Sa herë desha t’i mbledh së bashku fëmijët e tu, ashtu siç i mbledh klloçka së bashku zogjtë e saj nën krahë!» (Mateu 23:37) Këtu Jezui bëri një ilustrim vërtet të gjallë me klloçkën që i mbron të vegjlit e saj me krahë. Dhe në fakt, prindërit mund të mësojnë shumë nga instinkti mbrojtës i një zogu nënë, i cili pa ngurruar e vë veten në rrezik, për të mbrojtur të vegjlit. Por, e veçantë është edhe ajo që bëjnë ditë për ditë zogjtë prindër. Ata janë gjithnjë në fluturim lart e poshtë, për të kërkuar ushqim. Edhe kur janë gati të sfilitur, ua vënë ushqimin në sqep të vegjëlve, të cilët e gëlltitin menjëherë dhe zakonisht kërkojnë prapë. Shumë krijesa të Jehovait janë «instinktivisht të mençura» në mënyrën si kujdesen për nevojat e të vegjëlve të tyre.—Proverbat 30:24, BR.
9 Në mënyrë të ngjashme, prindërit e krishterë në mbarë botën po tregojnë një frymë vetëmohuese që është për t’u admiruar. Ju prindër jeni gati të pësoni dëme vetë, që të mos u ndodhë ndonjë dëm fëmijëve tuaj. Jo vetëm kaq, por çdo ditë ju bëni sakrifica për t’i siguruar gjërat e nevojshme familjes. Shumë nga ju ngrihen herët në mëngjes për të punuar dhe bëjnë punë sfilitëse ose të lodhshme. Mundoheni t’u vini në tryezë ushqim të mirë fëmijëve tuaj. Rropateni për t’u siguruar që të kenë rroba të pastra, një banesë të përshtatshme dhe arsim të mirë. Këtë e bëni ditë pas dite, vit pas viti. Me siguri, ky vetëmohim dhe kjo qëndrueshmëri e kënaq Jehovain! (Hebrenjve 13:16) Por, në të njëjtën kohë, ju e dini se ka edhe nevoja më të rëndësishme që duhet t’i siguroni familjes.
Sigurojuni mirëqenien frymore
10, 11. Cila është nevoja më e rëndësishme e njerëzve? Çfarë duhet të bëjnë në fillim prindërit e krishterë për të plotësuar këtë nevojë të fëmijëve të tyre?
10 Sigurimi i nevojave frymore është edhe më thelbësor se sigurimi i gjërave materiale. Jezui tha: «Njeriu s’duhet të jetojë vetëm me bukë, por me çdo shprehje që del nga goja e Jehovait.» (Mateu 4:4; 5:3) Çfarë mund të bëni ju prindër për të siguruar nevojat frymore të familjes?
11 Kur flitet për këtë argument, ndoshta shkrimi që përmendet më shpesh është Ligji i përtërirë 6:5-7. Ju lutemi, hapni Biblën dhe lexoni këto vargje. Siç e shikoni, në fillim prindërve u thuhet që të forcojnë ata vetë marrëdhënien me Perëndinë Jehova, duke e shtuar dashurinë për të dhe duke marrë për zemër fjalët e tij. Po, si prind duhet të jesh studiues i zellshëm i Fjalës së Perëndisë, duke e lexuar rregullisht Biblën e duke medituar rreth saj, që të kesh kuptueshmëri të vërtetë dhe dashuri për udhët, parimet dhe ligjet e Jehovait. Si rrjedhim, do ta kesh zemrën plot me të vërteta biblike të mrekullueshme, të cilat do të të bëjnë të ndiesh gëzim, nderim të thellë dhe dashuri për Jehovain. Do të kesh plot gjëra të mira për t’ua ngulitur në mendje fëmijëve.—Luka 6:45.
12. Si mund ta imitojnë prindërit shembullin e Jezuit, kur bëhet fjalë për t’ua ngulitur të vërtetat biblike fëmijëve të tyre?
12 Prindërit e fortë frymësisht janë të aftë të zbatojnë këshillën e Ligjit të përtërirë 6:7, për ‘t’ua ngulitur’ fëmijëve të tyre fjalët e Jehovait në çdo rast. Sipas një fjalori, ‘të ngulitësh’ do të thotë të mësosh dhe të ngulësh në mendje me anë të përsëritjes. Jehovai e di mirë se të gjithë ne, por në veçanti fëmijët, kemi nevojë të na i përsëritin gjërat për t’i mësuar. Edhe Jezui e përdori përsëritjen në shërbimin e tij. Për shembull, kur po u mësonte dishepujve që të ishin të përulur, jo krenarë e me frymën e konkurrencës, ai gjeti shumë mënyra për ta përsëritur të njëjtin parim. I mësoi duke arsyetuar, duke bërë ilustrime dhe madje duke e demonstruar në praktikë këtë parim. (Mateu 18:1-4; 20:25-27; Gjoni 13:12-15) Por, diçka që vlen të përmendet, është se Jezui nuk e humbi kurrë durimin. Po kështu, prindërit duhet të gjejnë mënyra për t’ua mësuar të vërtetat themelore fëmijëve të tyre, duke ua përsëritur me durim parimet e Jehovait, derisa fëmijët t’i ngulitin dhe t’i zbatojnë këto parime.
13, 14. Cilat janë disa raste kur prindërit mund t’u ngulitin fëmijëve të tyre të vërtetat biblike? Çfarë mjetesh mund të përdorin?
13 Rastet më të mira për t’i mësuar fëmijët në këtë mënyrë, janë kur bëni studimin familjar. Në fakt, studimi familjar i rregullt, ndërtues dhe i kënaqshëm, është mbështetja kryesore për gjendjen frymore të familjes. Anembanë botës, familjet e krishtere gjejnë kënaqësi në këtë lloj studimi, duke përdorur literaturën që sigurohet me anë të organizatës së Jehovait dhe duke e përshtatur studimin sipas nevojave të fëmijëve. Libri Të mësojmë nga Mësuesi i Madh ka qenë një bekim i vërtetë në këtë aspekt, si edhe libri Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike.b Megjithatë, studimi familjar nuk është rasti i vetëm kur mund të mësoni fëmijët tuaj.
14 Siç e tregon Ligji i përtërirë 6:7, ka shumë raste kur ju prindër mund të diskutoni me fëmijët tuaj për gjëra frymore. Kur udhëtoni bashkë me fëmijët, kur bëni punët e shtëpisë ose kur çlodheni me ta, mund të gjeni raste për t’u siguruar atyre nevojat frymore. Sigurisht, nuk duhet t’u mbani vazhdimisht leksion për të vërtetat biblike. Më mirë përpiquni që bisedat në familje të jenë në një nivel pozitiv, frymor. Për shembull, në revistën Zgjohuni! ka shumë artikuj që flasin për tema të larmishme. Nisur nga këta artikuj, mund të bisedoni për kafshët që ka krijuar Jehovai, për vendet me bukuri natyrore anembanë tokës dhe për shumëllojshmërinë mahnitëse të kulturave dhe jetesës së njerëzve. Biseda të tilla mund t’i nxitin fëmijët që ta lexojnë më shumë literaturën që siguron klasa e skllavit të besueshëm dhe të matur.—Mateu 24:45-47.
15. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre që ta shohin shërbimin e krishterë si diçka interesante dhe të kënaqshme?
15 Bisedat ndërtuese me fëmijët do t’ju ndihmojnë t’u plotësoni një nevojë tjetër frymore. Fëmijët e krishterë duhet të mësojnë t’u flasin të tjerëve për besimin e tyre. Kur bisedoni për ndonjë pikë interesante në Kullën e Rojës ose në revistën Zgjohuni!, mendoni si ta lidhni materialin me shërbimin. Për shembull, mund t’i pyetni: «A nuk do të ishte bukur sikur njerëzit e tjerë të dinin këtë gjë për Jehovain? Ç’mendon ti, si t’i flasim dikujt për këtë temë?» Biseda të tilla i ndihmojnë fëmijët që të kenë më shumë interes për të folur me të tjerët rreth gjërave që po mësojnë. Pastaj, kur ju shoqërojnë në shërbim, fëmijët mund të shohin shembullin konkret se si vihen në praktikë këto biseda. Mund të mësojnë edhe se shërbimi është një vepër interesante dhe e kënaqshme, që sjell shumë gëzim e lumturi.—Veprat 20:35.
16. Çfarë mund të mësojnë fëmijët duke dëgjuar lutjet e prindërve të tyre?
16 Prindërit ua sigurojnë nevojat frymore fëmijëve edhe kur luten. Jezui i mësoi dishepujt e tij si të luteshin, dhe shpeshherë u lut bashkë me ta. (Luka 11:1-13) Mendoni sa shumë mësuan ata, duke dëgjuar lutjet e vetë Birit të Jehovait! Po kështu, fëmijët mund të mësojnë shumë nga lutjet që bëni ju. Për shembull, mësojnë se Jehovai dëshiron që t’i flasim lirshëm, nga zemra, duke iu drejtuar për çfarëdo shqetësimi që kemi. Po, lutjet tuaja do t’i ndihmojnë fëmijët që të mësojnë një të vërtetë frymore shumë të rëndësishme: ata mund të lidhin një marrëdhënie të ngushtë me Atin e tyre qiellor.—1 Pjetrit 5:7.
Sigurojuni mbështetje emocionale
17, 18. (a) Si e thekson Bibla sa e rëndësishme është t’u tregosh dashuri fëmijëve? (b) Si duhet ta imitojnë etërit Jehovain, kur u shprehin dashuri fëmijëve të tyre?
17 Natyrisht, fëmijët kanë edhe nevoja emocionale të ngutshme. Fjala e Perëndisë u thotë prindërve sa e rëndësishme është t’u sigurojnë fëmijëve të tyre këto nevoja. Për shembull, grave të reja u bëhet thirrje që «të duan fëmijët e tyre». Kjo këshillë lidhet me përkujtuesit që jepen për t’i sjellë në vete nënat e reja. (Titit 2:4) Po, është e mençur t’i shfaqësh dashuri fëmijës. Kjo i mëson atij që të tregojë dashuri dhe i sjell dobi për gjithë jetën. Nga ana tjetër, të mos i tregosh dashuri fëmijës, është marrëzi. I shkakton atij pikëllim të thellë dhe tregon që prindi s’ka arritur të imitojë Jehovain, i cili na tregon shumë dashuri, pavarësisht nga papërsosmëria jonë.—Psalmi 103:8-14.
18 Madje Jehovai merr iniciativën për t’u treguar dashuri fëmijëve të tij tokësorë. Siç thotë 1 Gjonit 4:19, «ai na deshi i pari». Në veçanti ju etër duhet të imitoni shembullin e Jehovait, duke marrë iniciativën për të krijuar një lidhje të dashur me fëmijët tuaj. Bibla i nxit etërit të mos i pezmatojnë fëmijët, «që të mos i lëshojë zemra». (Kolosianëve 3:21) Pak gjëra i pezmatojnë fëmijët më shumë sesa përshtypja që prindi nuk i do ose nuk i vlerëson. Etërit që kanë prirjen të mos i shprehin ndjenjat, duhet të sjellin në mendje shembullin e Jehovait. Për t’i shprehur Birit të tij miratimin dhe dashurinë, Jehovai foli madje që nga qielli! (Mateu 3:17; 17:5) Sa shumë duhet t’i ketë dhënë zemër Jezuit kjo gjë! Po kështu, fëmijët marrin shumë forcë dhe guxim, kur prindërit u shprehin me çiltërsi dashurinë dhe miratimin e tyre.
19. Pse është e rëndësishme disiplina, dhe cilin ekuilibër përpiqen të gjejnë prindërit e krishterë?
19 Natyrisht, dashuria prindërore nuk shprehet vetëm me fjalë. Kryesisht dashuria shprehet me veprime. Sigurimi i nevojave materiale dhe frymore është shprehje e dashurisë prindërore, sidomos kur bëhet në një mënyrë që tregon se motivi kryesor është dashuria. Edhe disiplina është shprehje e rëndësishme e dashurisë prindërore. Në fakt, «atë që e do, Jehovai e disiplinon». (Hebrenjve 12:6) Nga ana tjetër, kur prindërit nuk i disiplinojnë fare fëmijët, në të vërtetë po tregojnë se i urrejnë. (Fjalët e urta 13:24) Jehovai gjen gjithnjë ekuilibrin e duhur, duke disiplinuar «me një masë të drejtë». (Jeremia 46:28) Prindërit e papërsosur s’e kanë gjithnjë të lehtë të gjejnë këtë ekuilibër. Megjithatë, ia vlen çdo përpjekje që bëni për ta arritur atë. Disiplina e dhënë me dashuri dhe vendosmëri, e ndihmon fëmijën që, kur të rritet, të bëjë një jetë të lumtur dhe të frytshme. (Fjalët e urta 22:6) A nuk është kjo dëshira që ka çdo prind i krishterë për fëmijën e vet?
20. Si mund t’u japin prindërit fëmijëve të tyre mundësinë më të mirë ‘për të zgjedhur jetën’?
20 Kur ju prindër përmbushni detyrën e rëndësishme që ju ka caktuar Jehovai, duke u siguruar fëmijëve nevojat materiale, frymore dhe emocionale, shpërblimet janë të mëdha. Duke vepruar kështu, u jepni atyre mundësinë më të mirë që ‘të zgjedhin jetën’ dhe më pas të vazhdojnë ‘të jetojnë’. (Ligji i përtërirë 30:19) Ata fëmijë që vendosin t’i shërbejnë Jehovait dhe të qëndrojnë në shtegun e jetës ndërsa rriten, u sjellin prindërve një gëzim tejet të madh. (Psalmi 127:3-5) Ky gëzim do të zgjatë përgjithmonë! Por, si mund ta lëvdoni tani Jehovain, ju fëmijë dhe të rinj? Artikulli vijues do të shqyrtojë këtë pyetje.
[Shënimet]
a Në këtë artikull, do të përdorim gjininë mashkullore për atë që merret me sigurimin e nevojave të familjes. Megjithatë, parimet zbatohen edhe për ato gra të krishtere që duhet të kujdesen vetë për familjet e tyre.
b Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
Si do të përgjigjeshit?
Çfarë mund të bëjnë prindërit për t’u siguruar fëmijëve të tyre gjërat e nevojshme:
• materiale?
• frymore?
• emocionale?
[Figura në faqen 18]
Shumë zogj punojnë pa u lodhur për t’u siguruar ushqim të vegjëlve
[Figura në faqen 20]
Prindërit duhet të forcojnë së pari marrëdhënien e tyre me Perëndinë
[Figurat në faqet 20, 21]
Prindërit mund të gjejnë shumë raste për t’u mësuar fëmijëve rreth Krijuesit
[Figura në faqen 22]
Fëmijët marrin forcë dhe guxim, kur prindërit u shprehin miratimin e tyre