KAPITULLI I KATËRT
Kush është Jezu Krishti?
Çfarë roli të veçantë ka Jezui?
Nga erdhi ai?
Ç’lloj personi ishte Jezui?
1, 2. (a) Pse fakti që dimë emrin e një njeriu të famshëm nuk do të thotë që e njohim me të vërtetë? (b) Çfarë mendimesh të ndryshme ka për Jezuin?
NË BOTË ka shumë njerëz të famshëm. Disa janë shumë të njohur në lagjen, qytetin a në vendin e tyre. Të tjerë janë të njohur në mbarë botën. Megjithatë, vetëm sepse i di emrin një njeriu të famshëm, nuk do të thotë që e njeh me të vërtetë. Nuk do të thotë që e njeh me hollësi jetën e tij ose çfarë lloj njeriu është vërtet.
2 Anembanë botës, njerëzit mund të kenë dëgjuar ndonjë gjë për Jezu Krishtin, edhe pse ai jetoi në tokë rreth 2.000 vjet më parë. Por shumë veta nuk e dinë me saktësi se kush ishte vërtet Jezui. Disa thonë që ishte thjesht një njeri i mirë. Të tjerë pohojnë që ishte vetëm një profet. Kurse disa të tjerë besojnë se Jezui është Perëndia, prandaj duhet adhuruar. Por, a duhet adhuruar Jezui?
3. Pse është e rëndësishme që të dish të vërtetën rreth Jezuit?
3 Ka shumë rëndësi që të dish të vërtetën për Jezuin. Përse? Sepse Bibla thotë: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Pra, njohja e së vërtetës rreth Perëndisë Jehova dhe rreth Jezu Krishtit mund të na ndihmojë të kemi jetën e përhershme në një tokë parajsore. (Gjoni 14:6) Jo vetëm kaq, por Jezui ka lënë shembullin e përkryer se si të jetojmë dhe si të trajtojmë të tjerët. (Gjoni 13:34, 35) Në kapitullin e parë të këtij libri, shqyrtuam të vërtetën rreth Perëndisë. Të shqyrtojmë tani se çfarë mëson vërtet Bibla për Jezu Krishtin.
MESIA I PREMTUAR
4. Çfarë kuptimi kanë titujt «Mesia» dhe «Krishti»?
4 Shumë kohë para se të lindte Jezui, Bibla kishte parathënë ardhjen e atij që Perëndia e kishte caktuar si Mesia ose Krishti. Titujt «Mesia» (nga një fjalë hebraike) dhe «Krishti» (nga një fjalë greke) kanë që të dy kuptimin «i Mirosuri». Mesia i premtuar do të mirosej, domethënë Perëndia do ta caktonte në një pozitë të veçantë. Në kapitujt e tjerë të këtij libri, do të mësojmë më shumë për rolin e rëndësishëm që ka Mesia në përmbushjen e premtimeve të Perëndisë. Gjithashtu do të mësojmë për bekimet që mund të na sjellë Jezui që tani. Mirëpo, para se të lindte Jezui, me siguri shumë veta pyesnin: ‘Kush do të jetë në të vërtetë Mesia?’
5. Për çfarë ishin plotësisht të bindur dishepujt lidhur me Jezuin?
5 Në shekullin e parë të erës sonë, dishepujt e Jezuit nga Nazareti ishin plotësisht të bindur se ai ishte Mesia i parathënë. (Gjoni 1:41) Njëri nga dishepujt, një burrë që quhej Simon Pjetër, i tha hapur Jezuit: «Ti je Krishti.» (Mateu 16:16) Po pse ishin kaq të sigurt këta dishepuj se Jezui ishte vërtet Mesia i premtuar? Si mund të jemi edhe ne të sigurt?
6. Ilustro se si i ndihmoi Jehovai njerëzit besnikë që të kuptonin se kush ishte Mesia.
6 Profetët e Perëndisë që kishin jetuar para Jezuit, kishin parathënë shumë hollësi për Mesinë. Këto hollësi do t’i ndihmonin njerëzit që të përcaktonin qartë kush ishte Mesia. Mund ta ilustrojmë kështu: ta zëmë se të thonë të shkosh në një stacion autobusësh, në një stacion treni a në aeroport, për të marrë dikë që s’e ke parë kurrë më përpara. A nuk do të të ndihmonte në qoftë se dikush të thoshte ndonjë hollësi për këtë njeri? Po kështu, nëpërmjet profetëve të Biblës, Jehovai bëri një përshkrim mjaft të hollësishëm të veprave që do të kryente Mesia dhe të gjërave që do të kalonte. Përmbushja e këtyre profecive të shumta do t’i ndihmonte njerëzit besnikë që ta përcaktonin fare qartë kush ishte Mesia.
7. Cilat janë dy profeci që u përmbushën te Jezui?
7 Të shohim vetëm dy shembuj. Së pari, që 700 vjet më përpara, profeti Mikea kishte parathënë se Mesia i premtuar do të lindte në Betlehem, që ishte një qytet i vogël në Judë. (Mikea 5:2) Dhe ku lindi Jezui? Pikërisht në atë qytet! (Mateu 2:1, 3-9) Së dyti, shumë shekuj më përpara, profecia e dokumentuar te Danieli 9:25 tregonte vitin e saktë kur do të shfaqej Mesia, vitin 29 të erës sonë.a Përmbushja e këtyre profecive, si dhe e profecive të tjera, është një provë se Jezui ishte Mesia i premtuar.
8, 9. Cilat prova, që tregonin se Jezui ishte Mesia, u bënë të dukshme në pagëzimin e tij?
8 Prova të tjera që vërtetonin se Jezui ishte Mesia, u bënë të dukshme aty nga fundi i vitit 29 të e.s. Në këtë vit, Jezui shkoi te Gjon Pagëzori për t’u pagëzuar në lumin Jordan. Jehovai i kishte premtuar Gjonit se do t’i jepte një shenjë, që ai ta kuptonte cili ishte Mesia. Këtë shenjë Gjoni e pa në rastin e pagëzimit të Jezuit. Bibla tregon se çfarë ndodhi: «Pasi u pagëzua, Jezui doli menjëherë nga uji, dhe ja, qiejt u hapën dhe Gjoni pa frymën e Perëndisë të zbriste mbi Jezuin porsi një pëllumb. U dëgjua edhe një zë nga qiejt, që tha: ‘Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.’» (Mateu 3:16, 17) Kur pa këtë dhe dëgjoi zërin nga qiejt, Gjoni s’pati më asnjë dyshim se Jezuin e kishte dërguar Perëndia. (Gjoni 1:32-34) Atë ditë, në çastin kur fryma ose forca vepruese e Perëndisë u derdh mbi të, Jezui u bë Mesia ose Krishti, ai që ishte caktuar për të qenë Udhëheqës dhe Mbret.—Isaia 55:4.
9 Përmbushja e profecive të Biblës dhe vetë dëshmia e Perëndisë Jehova tregonin qartë se Jezui ishte Mesia i premtuar. Por Bibla u përgjigjet edhe dy pyetjeve të tjera të rëndësishme për Jezu Krishtin: nga erdhi ai dhe ç’lloj personi ishte?
NGA ERDHI JEZUI?
10. Çfarë mëson Bibla për ekzistencën e Jezuit para se të vinte në tokë?
10 Bibla mëson se Jezui kishte jetuar në qiell, para se të vinte në tokë. Mikea profetizoi se Mesia do të lindte në Betlehem, e pastaj shtoi se prejardhja e Tij ishte «që nga kohët e hershme». (Mikea 5:2) Në shumë raste, vetë Jezui tha se kishte jetuar në qiell para se të lindte si njeri në tokë. (Gjoni 3:13; 6:38, 62; 17:4, 5) Në qiell, si një krijesë frymore, Jezui kishte një lidhje të veçantë me Jehovain.
11. Si tregon Bibla se Jezui është Biri më i dashur i Jehovait?
11 Jezui është Biri më i dashur i Jehovait, e kjo për arsye të vlefshme. Ai është quajtur «i parëlinduri i gjithë krijimit», sepse ishte krijesa e parë e Perëndisë.b (Kolosianëve 1:15) Ka edhe diçka tjetër që e bën të veçantë këtë Bir. Ai është ‘Biri i vetëmlindur’. (Gjoni 3:16) Kjo do të thotë se Jezui është i vetmi që Perëndia ka krijuar drejtpërdrejt. Gjithashtu, Jezui është i vetmi që Perëndia përdori kur krijoi gjithë gjërat e tjera. (Kolosianëve 1:16) Veç kësaj, Jezui është quajtur edhe «Fjala». (Gjoni 1:14) Kjo na tregon se ai fliste si i dërguari i Perëndisë, me siguri, duke u dhënë mesazhe dhe udhëzime bijve të tjerë të Atit të tij, qofshin këta frymorë a njerëzorë.
12. Si e dimë që Biri i parëlindur nuk është i barabartë me Perëndinë?
12 A është i barabartë me Perëndinë ky Bir i parëlindur, siç besojnë disa njerëz? Bibla nuk e mëson këtë. Siç u përmend në paragrafin e mësipërm, Biri u krijua, pra, është e qartë se ka pasur një fillim, kurse Perëndia Jehova nuk ka as fillim, as fund. (Psalmi 90:2) Biri i vetëmlindur as e çoi ndonjëherë nëpër mend të përpiqej të ishte i barabartë me Atin e tij. Bibla mëson shumë qartë që Ati është më i madh se Biri. (Gjoni 14:28; 1 Korintasve 11:3) Vetëm Jehovai është «Perëndi i Plotfuqishëm». (Zanafilla 17:1) Si i tillë, Perëndia nuk ka asnjë të barabartë me veten.c
13. Përse Bibla e quan Birin «shëmbëlltyra e Perëndisë së padukshëm»?
13 Jehovai dhe Biri i tij i parëlindur ishin në shoqërinë e ngushtë të njëri-tjetrit për miliarda vjet, shumë kohë para se të krijoheshin qiejt plot yje dhe toka. Sa shumë duhet ta kenë dashur njëri-tjetrin! (Gjoni 3:35; 14:31) Ky Bir i dashur i ngjante Atit të tij në çdo gjë. Ja pse Bibla e quan Birin «shëmbëlltyra e Perëndisë së padukshëm». (Kolosianëve 1:15) Ashtu si një djalë mund t’i ngjajë shumë babait të vet në aspekte të ndryshme, ky Bir qiellor shfaqte cilësitë dhe personalitetin e Atit të tij.
14. Si u bë e mundur që Biri i vetëmlindur i Jehovait të lindte si njeri?
14 Biri i vetëmlindur i Jehovait e la vullnetarisht qiellin dhe erdhi në tokë që të jetonte si njeri. Po ti mund të pyesësh: ‘Si ka mundësi që një krijesë frymore të lindë si njeri?’ Për të arritur këtë, Jehovai bëri një mrekulli. E kaloi jetën e Birit të tij të parëlindur nga qielli në barkun e një vajze të virgjër nga Judea, që quhej Maria. Pra, ky Bir nuk pati një njeri për baba. Në këtë mënyrë, Maria lindi një djalë të përsosur dhe ia vuri emrin Jezu.—Luka 1:30-35.
Ç’LLOJ PERSONI ISHTE JEZUI?
15. Pse mund të themi që nëpërmjet Jezuit arrijmë të njohim më mirë Jehovain?
15 Fjalët dhe veprimet e Jezuit kur ishte në tokë na ndihmojnë ta njohim mirë. Për më tepër, me anë të Jezuit, arrijmë të njohim më mirë Jehovain. Pse e themi këtë? Të kujtohet që thamë se ky Bir pasqyron në mënyrë të përsosur Atin e tij? Për këtë arsye, Jezui i tha njërit prej dishepujve: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Gjoni 14:9) Katër librat e Biblës që njihen si Ungjijtë—Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni—na tregojnë me hollësi jetën, veprat dhe cilësitë e Jezu Krishtit.
16. Cili ishte në radhë të parë mesazhi i Jezuit dhe nga vinin mësimet e tij?
16 Jezui ishte shumë i famshëm si «Mësues». (Gjoni 1:38; 13:13) Çfarë u mësonte ai njerëzve? Në radhë të parë, mesazhi i tij ishte ‘lajmi i mirë për mbretërinë’, domethënë Mbretërinë e Perëndisë, qeverinë qiellore që do të sundojë mbi gjithë tokën dhe do t’u sjellë bekime të panumërta njerëzve të bindur. (Mateu 4:23) Nga kush vinte ky mesazh? Vetë Jezui tha: «Ajo që mësoj, nuk është imja, por i përket atij që më dërgoi», pra Jehovait. (Gjoni 7:16) Jezui e dinte se Ati i tij dëshiron që njerëzit ta dëgjojnë lajmin e mirë për Mbretërinë. Në kapitullin e tetë do të mësojmë më shumë për Mbretërinë e Perëndisë dhe për gjërat që do të bëjë ajo.
17. Ku i mësonte njerëzit Jezui dhe pse mundohej kaq shumë për t’i mësuar?
17 Ku i mësonte njerëzit Jezui? Kudo që t’i gjente: nëpër fusha, në qytete, në fshatra, në pazar e në shtëpitë e tyre. Jezui nuk priste që të vinin njerëzit tek ai, por shkonte vetë tek ata. (Marku 6:56; Luka 19:5, 6) Pse mundohej kaq shumë Jezui dhe harxhonte kaq shumë kohë për të predikuar e për të mësuar të tjerët? Sepse ky ishte vullneti i Perëndisë për të. Jezui bënte gjithmonë gjërat që i pëlqenin Atit të tij. (Gjoni 8:28, 29) Por kishte edhe një arsye tjetër pse predikonte. Ai ndiente dhembshuri për turmat e njerëzve që vinin tek ai. (Mateu 9:35, 36) Udhëheqësit fetarë, që duhej t’u kishin mësuar njerëzve të vërtetën rreth Perëndisë e rreth qëllimeve të tij, i kishin lënë pas dore. Prandaj, Jezui e dinte sa shumë nevojë kishin që të dëgjonin mesazhin e Mbretërisë.
18. Cilat cilësi të Jezuit të tërheqin më shumë?
18 Jezui ishte i përzemërt, i butë dhe kujdesej shumë për të tjerët. Ngaqë ishte i dashur, të tjerët i afroheshin pa druajtje. Madje edhe fëmijët ndiheshin rehat me të. (Marku 10:13-16) Jezui ishte i paanshëm. I urrente korrupsionin dhe padrejtësitë. (Mateu 21:12, 13) I trajtonte gratë me dinjitet, në një kohë kur burrat nuk i respektonin shumë dhe kishin shumë pak të drejta e privilegje. (Gjoni 4:9, 27) Jezui ishte vërtet i përulur. Në një rast u lau këmbët apostujve, punë që zakonisht e bënte një shërbëtor i thjeshtë.
19. Cili shembull tregon se Jezui ishte i ndjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve?
19 Jezui ishte i ndjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve. Kjo u duk sidomos kur, me anë të frymës së Perëndisë, bëri mrekulli duke shëruar shumë njerëz. (Mateu 14:14) Në një rast, atij iu afrua një njeri me lebër dhe i tha: «Po të duash, ti mund të më pastrosh.» Jezui e ndjeu thellë dhembjen dhe vuajtjet e atij njeriu. I shtyrë nga keqardhja, shtriu dorën, e preku dhe i tha: «Dua. Pastrohu.» Me të thënë këtë, i sëmuri u shërua! (Marku 1:40-42) Arrin ta përfytyrosh si duhet të jetë ndier ai njeri?
BESNIK DERI NË FUND
20, 21. Çfarë shembulli la Jezui duke iu bindur me besnikëri Perëndisë?
20 Për sa i përket bindjes me besnikëri ndaj Perëndisë, Jezui la një shembull të përsosur. I qëndroi besnik Atit të tij qiellor në çfarëdo rrethane, edhe pse hasi kundërshtime dhe vuajtje nga më të ndryshmet. Jezui u rezistoi me vendosmëri tundimeve të Satanait dhe doli fitimtar. (Mateu 4:1-11) Një herë, disa nga të afërmit nuk e besuan Jezuin, madje thanë se ‘kishte luajtur mendsh’. (Marku 3:21) Por Jezui nuk lejoi që kjo të ndikonte tek ai; vazhdoi të bënte veprën që i kishte caktuar Perëndia. Me gjithë fyerjet dhe sharjet, Jezui ruajti vetëkontrollin dhe kurrë nuk u përpoq t’u bënte keq kundërshtarëve të tij.—1 Pjetrit 2:21-23.
21 Jezui qëndroi besnik deri në vdekje, një vdekje mizore dhe e dhembshme, e shkaktuar nga armiqtë e tij. (Filipianëve 2:8) Mendo pak se çfarë duroi ditën e fundit të jetës së tij si njeri. E arrestuan, nxorën dëshmitarë të rremë për ta akuzuar, e dënuan gjykatës të korruptuar, e tallën turmat e njerëzve dhe e torturuan disa ushtarë. I gozhduar në një shtyllë, dha frymën e fundit duke thirrur: «U krye!» (Gjoni 19:30) Por, ditën e tretë pasi Jezui kishte vdekur, Ati i tij qiellor e ringjalli që të jetonte prapë si krijesë frymore. (1 Pjetrit 3:18) Disa javë më vonë, u kthye në qiell, ku «u ul në të djathtën e Perëndisë», në pritje për të marrë pushtetin si mbret.—Hebrenjve 10:12, 13.
22. Çfarë arriti Jezui duke qëndruar besnik deri në vdekje?
22 Çfarë arriti Jezui duke qëndruar besnik deri në vdekje? Faktikisht, vdekja e Jezuit na krijon mundësinë të marrim jetën e përhershme në një tokë parajsore, në përputhje me qëllimin fillestar të Jehovait. Në kapitullin tjetër do të shqyrtojmë se si mund të arrihet kjo me anë të vdekjes së Jezuit.
a Për shpjegimin e profecisë së Danielit, që u përmbush te Jezui, shih Shtojcën «Si e parathotë profecia e Danielit ardhjen e Mesisë?».
b Jehovai është quajtur Atë, sepse është Krijuesi. (Isaia 64:8) Meqë Jezui u krijua nga Perëndia, quhet Bir i Perëndisë. Për të njëjtat arsye, edhe krijesat e tjera frymore ose edhe vetë njeriu i parë, Adami, quhen bij të Perëndisë.—Jobi 1:6; Luka 3:38.
c Për prova të tjera që vërtetojnë se Biri i parëlindur nuk është i barabartë me Perëndinë, shih Shtojcën «E vërteta rreth Atit, Birit dhe frymës së shenjtë».