Të nxisim në dashuri dhe në vepra të shkëlqyera: Në ç’mënyrë?
«Le të kujdesemi për njëri-tjetrin për t’u nxitur në dashuri dhe vepra të shkëlqyera, . . . duke inkurajuar njëri-tjetrin dhe aq më shumë ndërsa shihni ditën që po afrohet.»—HEBRENJVE 10:24, 25, BR.
1, 2. (a) Përse ishte e rëndësishme që të krishterët e hershëm të gjenin ngushëllim dhe inkurajim në të mbledhurit së bashku? (b) Cilën këshillë dha Pavli rreth nevojës për t’u mbledhur së bashku?
TAKOHESHIN fshehurazi e mblidheshin së bashku pas dyerve të kyçura. Jashtë, rreziku përgjonte kudo. Udhëheqësi i tyre, Jezui, sapo ishte ekzekutuar publikisht dhe i kishte paralajmëruar ithtarët e tij se edhe ata nuk do t’i trajtonin më mirë. (Gjoni 15:20; 20:19) Megjithatë, tek flisnin me zë të ulët për të dashurin tyre, Jezuin, fakti se ishin së bashku të paktën mund t’i bënte ata të ndiheshin të sigurt.
2 Ndërsa vitet kalonin, të krishterët përballuan të gjitha llojet e sprovave dhe persekutimit. Ashtu si dishepujt e parë, ata merrnin ngushëllim dhe inkurajim nga të mbledhurit së bashku. Kështu, apostulli Pavël shkroi në Hebrenjve 10:24, 25: «Le të kujdesemi për njëri-tjetrin për t’u nxitur në dashuri dhe në vepra të shkëlqyera, duke mos braktisur të mbledhurit tonë së bashku, si disa e kanë bërë shprehi, duke inkurajuar njëri-tjetrin dhe aq më shumë ndërsa shihni të afrohet dita.»—BR.
3. Përse mund të thuhet se Hebrenjve 10:24, 25 është më shumë se vetëm një urdhër që të krishterët të mblidhen së bashku?
3 Këto fjalë janë më shumë se një urdhër për të vazhduar të mbledhurit së bashku. Paraqesin normën hyjnore që duhet ndjekur në të gjitha mbledhjet e krishtere, madje në çdo rast kur të krishterët janë së bashku. Sot më shumë se kurrë, kur e shohim qartë se dita e Jehovait po afrohet, presionet dhe rreziqet e këtij sistemi të lig e bëjnë më të ngutshme që mbledhjet tona të jenë si një strehë e sigurt, një burim force dhe inkurajimi për të gjithë. Ç’mund të bëjmë që të jenë të tilla? Le të shqyrtojmë atëherë me kujdes fjalët e Pavlit, duke bërë tre pyetje kryesore: Çfarë do të thotë të ‘kujdesemi për njëri-tjetrin’? Çfarë do të thotë ‘të nxisim njëri-tjetrin në dashuri dhe vepra të shkëlqyera’? Dhe së fundi, si mund ta ‘inkurajojmë njëri-tjetrin’ në këto kohë të vështira?
‘Të kujdesemi për njëri-tjetrin’
4. Çfarë do të thotë ‘të kujdesemi për njëri-tjetrin’?
4 Kur Pavli i inkurajoi të krishterët të ‘kujdeseshin për njëri-tjetrin’, përdori foljen greke ka·ta·no·eʹo, një formë e gjallë e termit të zakonshëm «dalloj». Një fjalor teologjik thotë se kjo formë do të thotë «drejtoj gjithë mendjen mbi një objekt». (Theological Dictionary of the New Testament) Sipas W. E. Vine, gjithashtu, mund të ketë kuptimin «kuptoj plotësisht, shqyrtoj me vëmendje». Prandaj, kur të krishterët ‘kujdesen për njëri-tjetrin’ nuk shohin vetëm në sipërfaqe, por zbatojnë të gjitha aftësitë e tyre mendore dhe përpiqen të shikojnë më thellë.—Krahaso Hebrenjve 3:1.
5. Cilat aspekte të një personi mund të fshihen prapa sipërfaqes dhe përse duhet t’i kemi parasysh ato?
5 Duhet të mbajmë në mend se një person fsheh shumë më tepër nga sa shfaq ndaj atij që e vëren në sipërfaqe pamjen e jashtme të tij apo të saj, veprat apo personalitetin që mund të zbulojë. (1. Samuelit 16:7) Shpesh prapa një dukjeje të qetë fshihen ndjenja të thella dhe një ndjenjë e këndshme humori. Gjithashtu, edhe ambientet ndryshojnë shumë. Disa kanë përballuar sprova tmerrësisht të rënda gjatë jetës së tyre. Të tjerë kanë përballuar deri në këtë kohë situata që ne as mund t’i mendojmë. Ndodh shpesh që acarimi ynë lidhur me ndonjë gjë të çuditshme tek ndonjë vëlla apo motër, zhduket kur mësojmë më shumë për mjedisin dhe rrethanat e personit.—Proverbat 19:11.
6. Në cilat mënyra mund të njihemi më mirë me njëri-tjetrin dhe ç’dobi nxjerrim?
6 Pa dyshim që kjo nuk do të thotë se pa qenë të ftuar mund të fusim hundët në çështjet personale të të tjerëve. (1. Selanikasve 4:11) Megjithatë, sigurisht që mund të tregojmë interes personal për njëri-tjetrin. Kjo do të thotë më shumë se sa një përshëndetje e thatë në Sallën e Mbretërisë. Përse të mos zgjedhësh dikë me të cilin dëshiron të njihesh më mirë dhe të vësh si synim që të bisedosh me të për pak minuta para ose pas mbledhjes? Do të ishte më mirë akoma të ‘jesh mikpritës’, duke ftuar në shtëpi një ose dy miq për të ngrënë ose për të pirë diçka freskuese. (Romakëve 12:13) Shfaq interes! Dëgjo! Vetëm pyetja se si një person arriti të njohë dhe të ketë dashuri për Jehovain mund të zbulojë shumë. Por mund të mësosh akoma më shumë duke punuar bashkë me të në shërbimin shtëpi më shtëpi. Duke u kujdesur për njëri-tjetrin në këtë mënyrë, do të ndihmohemi për të zhvilluar empati dhe ndjenja të përbashkëta të sinqerta.—Filipianëve 2:4; 1. Pjetrit 3:8.
‘Të nxisim njëri-tjetrin’
7. (a) Si ndikonte mësimi i Jezuit mbi popullin? (b) Ç’gjë e bënte mësimin e tij kaq dinamik?
7 Kur kujdesemi për njëri-tjetrin, përgatitemi më mirë për të nxitur njëri-tjetrin në veprim. Pleqtë e krishterë në veçanti luajnë një rol të rëndësishëm lidhur me këtë. Për kohën kur Jezui foli publikisht, lexojmë: «Efekti ishte se turmat mahniteshin me mënyrën e tij të të mësuarit.» (Mateu 7:28, BR) Në një rast tjetër, edhe disa ushtarë që ishin dërguar për ta arrestuar, ikën prej tij duke thënë: «Asnjëri nuk ka folur kurrë si ai njeri.» (Gjoni 7:46) Ç’gjë e bënte të mësuarit e Jezuit kaq dinamik? Shfaqjet emocionale? Jo, Jezui fliste me dinjitet. Megjithatë, gjithmonë qëllimi i tij ishte të arrinte zemrën e dëgjuesve të tij. Pasi ai i kishte parasysh njerëzit, dinte saktësisht se si t’i nxiste ata. Ai përdori ilustrime të gjalla e të thjeshta që pasqyronin realitetin e jetës së përditshme. (Mateu 13:34) Ngjashëm, ata që zhvillojnë pjesë në mbledhjet tona duhet të imitojnë Jezuin, duke bërë prezantime të ngrohta dhe entuziazmuese që të nxisin. Ashtu si Jezui, duhet të përpiqemi të gjejmë ilustrime që i përshtaten auditorit dhe arrijnë zemrat e tyre.
8. Si nxiti Jezui me shembullin e tij dhe si mund ta imitojmë atë në lidhje me këtë?
8 Në shërbimin ndaj Perëndisë tonë, të gjithë ne mund të nxisim njëri-tjetrin me shembullin që japim. Pa dyshim që Jezui i nxiti dëgjuesit e tij. Ai e donte veprën e shërbimit të krishterë dhe e lartësoi shërbimin. Ai thoshte se për të, ishte si ushqim. (Gjoni 4:34; Romakëve 11:13) Ky entuziazëm mund të jetë ngjitës. Në mënyrë të ngjashme, a mund ta shfaqësh në prani të të tjerëve gëzimin tënd në shërbim? Duke shmangur me kujdes tonin mburrës, ndaji përvojat e tua të bukura me të tjerët në kongregacion. Kur fton të tjerë për të punuar bashkë me ty, shiko si mund t’i ndihmosh të gjejnë kënaqësi të vërtetë, duke u folur të tjerëve për Krijuesin tonë të Madh, Jehovain.—Proverbat 25:25.
9. (a) Cilat janë disa metoda për të nxitur të tjerët që ne duhet të shmangim dhe përse? (b) Ç’gjë duhet të na nxisë që të japin veten në shërbim të Jehovait?
9 Megjithatë, kujdes. Mos i nxit të tjerët në mënyrë të gabuar. Për shembull, pa menduar mund t’i bëjmë të ndihen fajtorë sepse nuk kanë bërë më shumë. Pa qëllim, mund t’i bëjmë me turp, duke i krahasuar në mënyrë të pafavorshme me të tjerë që kanë një pjesëmarrje më të dukshme në aktivitetet e krishtere ose mund të vendosim norma të rrepta dhe të kritikojmë ata që nuk e kanë arritur këtë nivel. Secila nga këto metoda mund ta nxisë dikë të veprojë, por për pak kohë, kurse Pavli nuk shkroi: ‘Nxitni në faj dhe vepra të shkëlqyera.’ Jo, ne duhet të nxisim në dashuri, atëherë veprat do të vijnë nga një arsye e mirë. Askush nuk duhet të nxitet thjesht nga frika se çfarë mund të mendojnë të tjerët në kongregacion, nëse nuk arrin atë që pritet nga ai.—Krahaso 2. Korintasve 9:6, 7.
10. Përse duhet të mbajnë në mend se nuk jemi zotër mbi besimin e të tjerëve?
10 Të nxisim njëri-tjetrin nuk do të thotë të kontrollojmë njëri-tjetrin. Megjithëse Perëndia i kishte dhënë shumë autoritet, apostulli Pavël e kujtoi me përulësi kongregacionin e Korintit: ‘Ne nuk jemi zotër mbi besimin tuaj.’ (2. Korintasve 1:24, BR) Nëse, ngjashëm atij, kuptojmë me përulësi se nuk na përket neve të vendosim se sa shumë duhet të bëjnë të tjerët në shërbim të Jehovait dhe as të vendosim se si duhet të veprojë ndërgjegjja e tyre në çështje të tjera personale, nuk do të bëhemi ‘tepër të drejtë’, pa gëzim, të ashpër, negativë dhe maniakë rregullash. (Eklisiastiu 7:16) Të tilla cilësi jo vetëm që nuk nxisin, por shtypin.
11. Ç’gjë e nxiti dhënien e kontributeve në ditët e ndërtimit të tabernakullit në Izrael dhe si mund të jetë e vërtetë edhe sot?
11 Ne duam që të gjitha përpjekjet në shërbim të Jehovait të bëhen me një frymë të ngjashme me atë të Izraelit të lashtë, kur nevojiteshin dhurata për ndërtimin e tabernakullit. Të Dalët 35:21 thotë: «Kështu tërë ata që ishin të shtyrë nga zemra e tyre dhe tërë ata që ishin të shtyrë nga fryma e tyre, erdhën për t’i sjellë ofertën e tyre Zotit.» Nuk ishin të detyruar nga ndonjë forcë e jashtme, por ishin të shtyrë nga forca të brendshme, nga zemra. Në fakt, në hebraisht këtu lexohet fjalë për fjalë se «çdo njeri zemra e të cilit e kishte ngritur» bëri të tilla dhurata. (Kursivi është yni) Duke shkuar më tej, le të përpiqemi të ngremë zemrën e njëri-tjetrit çdo herë që jemi bashkë. Fryma e Jehovait mund të bëjë pjesën tjetër.
‘Të inkurajojmë njëri-tjetrin’
12. (a) Cilat janë disa kuptime të fjalës greke të përkthyer «inkurajim»? (b) Në ç’mënyrë shokët e Jobit nuk ia dolën mbanë ta inkurajonin atë? (c) Përse ne duhet të përmbahemi të gjykojmë njëri-tjetrin?
12 Kur Pavli shkroi se duhet ‘të inkurajojmë njëri-tjetrin’, ai përdori një formë të fjalës greke pa·ra·ka·leʹo, e cila mund të nënkuptojë gjithashtu «forcoj, ngushëlloj». Në versionin grek Septuagint, e njëjta fjalë është përdorur tek Jobi 29:25, ku Jobi është përshkruar si ai që i ngushëllon ata që mbajnë zi. Në mënyrë paradoksale, kur Jobi vetë ishte nën sprova të ashpra, nuk mori një inkurajim të tillë. Tre «ngushëlluesit», ishin kaq të zënë duke e gjykuar dhe duke i bërë moral, sa nuk arritën ta kuptonin dhe të ndienin empati për të. Në fakt, në të gjitha fjalimet që ata bënë, një herë të vetme nuk iu drejtuan Jobit në emër. (Vëre ndryshimin me Jobin 33:1, 31.) Siç duket, ata e shihnin atë më shumë si një problem, sesa një person. Nuk është për t’u habitur që Jobi i zhgënjyer shpërtheu në fjalë: «Sikur shpirtrat tuaj vetëm të ishin atje ku është shpirti im.» (Jobi 16:4, BR) Ngjashëm sot, nëse dëshiron të inkurajosh ndonjë, trego empati! Mos gjyko! Romakëve 14:4 thotë: «Kush je ti që gjykon shërbyesin e tjetrit? A qëndron mbi këmbë ose rrëzohet, është punë e Zotit të tij, por ai do të qëndrojë, sepse Perëndia është i zoti ta bëjë të qëndrojë në këmbë.»
13, 14. (a) Për cilën të vërtetë themelore duhet t’i bindim vëllezërit dhe motrat tona për t’i ngushëlluar? (b) Si mori fuqi Danieli nga një engjëll?
13 Një formë e foljes pa·ra·ka·leʹo dhe emri përkatës janë përkthyer «ngushëlloj» dhe «ngushëllim» në 2. Selanikasve 2:16, 17: «Vetë Zoti jonë Jezu Krisht dhe Perëndia Ati ynë, që na deshi dhe na dha me anë të hirit [dashamirësisë së pamerituar, BR] një ngushëllim të përjetshëm dhe një shpresë të mirë, ngushëlloftë zemrat tuaja dhe ju forcoftë në çdo fjalë e punë të mirë.» Vëre se Pavli e lidh mendimin për të pasur një zemër të ngushëlluar me të vërtetën themelore se Jehovai na do. Prandaj, mund ta inkurajojmë dhe ta ngushëllojmë njëri-tjetrin, duke pohuar këtë të vërtetë të rëndësishme.
14 Në një rast, profeti Daniel ishte kaq i shqetësuar pasi pa një vizion të frikshëm, saqë tha: «Çehrja e bukur ndryshoi në të zbehtë dhe forcat e mia u ligështuan.» Jehovai dërgoi një engjëll, i cili i kujtoi disa herë Danielit se ishte «shumë i dashur» në sytë e Perëndisë. Me çfarë rezultati? Danieli i tha engjëllit: «Ti më ke dhënë forcë.»—Danieli 10:8, 11, 19.
15. Si duhet ta ekuilibrojnë pleqtë dhe mbikëqyrësit udhëtues lavdërimin me qortimin?
15 Ja, pra, një mënyrë tjetër për t’i inkurajuar të tjerët. Lavdëroji! Është shumë e lehtë të shfaqim një frymë kritike dhe të ashpër. Me të vërtetë, ka kohë kur qortimi mund të jetë i nevojshëm, veçanërisht nga pleqë dhe mbikëqyrësit udhëtues. Por është më mirë të kujtohen për inkurajimin e ngrohtë, sesa për një qëndrim që është gjithmonë i gatshëm të gjejë gabime.
16. (a) Kur inkurajojmë të dëshpëruarit, përse nuk mjafton thjesht t’i nxisim ata të bëjnë më shumë në shërbim të Jehovait? (b) Si e ndihmoi Jehovai Elijan kur ishte i dëshpëruar?
16 Veçanërisht ata që janë të dëshpëruar kanë nevojë për inkurajim dhe Jehovai pret nga ne si bashkë të krishterë të jemi një burim ndihme, veçanërisht nëse jemi pleq. (Proverbat 21:13) Çfarë mund të bëjmë? Nuk është kaq e thjeshtë sa vetëm t’u themi që të bëjnë më shumë në shërbim të Jehovait. Përse? Sepse do të ishte sikur t’u thoshe se dëshpërimi ka ardhur ngaqë nuk kanë bërë mjaft. Nuk ndodh gjithmonë kështu. Profeti Elija, njëherë ishte kaq i dëshpëruar, sa dëshironte të vdiste dhe kjo i ndodhi në një kohë kur ishte jashtëzakonisht i zënë në shërbim të Jehovait. Si e trajtoi Jehovai atë? I dërgoi atij një engjëll për t’i dhënë ndihmë praktike. Elija i hapi zemrën Jehovait, duke i treguar atij se ndiente se ishte i pavlefshëm njëlloj si stërgjyshërit e tij të vdekur, se gjithë vepra e tij ishte e kotë dhe se ishte krejtësisht i vetëm. Jehovai e dëgjoi dhe e ngushëlloi me shfaqje të mahnitshme të fuqisë së tij dhe me sigurinë se padyshim që nuk ishte i vetëm dhe se vepra që kishte filluar do të plotësohej. Jehovai, gjithashtu, premtoi t’i jepte Elijas një shok për ta stërvitur, i cili më pas do ta shoqëronte.—1. Mbretërve 19:1-21.
17. Si mund ta inkurajojë një plak dikë që është tepër i ashpër me veten?
17 Sa inkurajuese! Në mënyrë të ngjashme, le të inkurajojmë mes nesh ata që janë të shqetësuar emocionalisht. Përpiqu t’i kuptosh duke i dëgjuar! (Jakovit 1:19) Jepu ngushëllim nga Shkrimet që është i përshtatshëm për nevojat e tyre personale. (Proverbat 25:11; 1. Selanikasve 5:14) Për të inkurajuar ata që janë tepër të rreptë me veten, pleqtë mund të ofrojnë me mirësjellje dëshmi nga Shkrimet se Jehovai i do dhe i çmon ata.a Biseda me ta mbi shpërblerjen mund të jetë një mjet i fuqishëm për të inkurajuar ata që ndihen të pavlefshëm. Ndoshta ndokujt që është i hidhëruar për ndonjë mëkat të mëparshëm mund të duhet t’i tregohet se shpërblerja e ka pastruar, nëse me të vërtetë është penduar dhe i ka braktisur plotësisht këto praktika.—Isaia 1:18.
18. Si mund të përdoret mësimi i shpërblerjes për të inkurajuar dikë që ka rënë viktimë, për shembull e një përdhunimi?
18 Pa dyshim, një plak duhet të ketë mirë parasysh rastin e veçantë për të qenë i sigurt se e përdor në mënyrë të përshtatshme atë mësim. Le të marrim një shembull: Sakrifica shpërblerëse e Krishtit simbolizohej në Ligjin e Moisiut nga sakrificat e kafshëve, të cilat kërkoheshin për shlyerjen e të gjitha mëkateve. (Levitiku 4:27, 28) Por nuk kishte asnjë kusht, se një viktimë e përdhunuar duhej të bënte këtë ofertë për mëkatin. Ligji thoshte se asaj ‘nuk do t’i bëhej asgjë’ për ta ndëshkuar. (Ligji i përtërirë 22:25-27) Prandaj sot, nëse një motër është sulmuar e përdhunuar dhe kjo e ka bërë atë të ndihet e papastër dhe e pavlefshme, a do të ishte e përshtashme të theksonim nevojën e saj për shpërblerjen për ta pastruar nga ai mëkat? Sigurisht që jo. Nuk është mëkat i saj fakti që e kanë sulmuar. Është përdhunuesi që ka mëkatuar dhe duhet të pastrohet. Megjithatë, dashuria e treguar nga Jehovai dhe Krishti në sigurimin e kësaj shpërblerjeje mund të përdoret si dëshmi se ajo nuk është fëlliqur në sytë e Perëndisë për faj të mëkatit të një tjetri, por se ajo është e çmuar për Jehovain dhe mbetet në dashurinë e tij.—Krahaso Markun 7:18-23; 1. Gjonit 4:16.
19. Përse nuk duhet të pretendojmë që e gjithë shoqëria me vëllezërit dhe motrat të jetë inkurajuese dhe për çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë?
19 Po, çfarëdo qoftë situata e një personi në jetë, pavarësisht nga rrethanat e dhimbshme që mund ta errësojnë të kaluarën e tij, atij duhet t’i jepet mundësia të gjejë inkurajim në kongregacionin e popullit të Jehovait. Kështu, do t’ia dalë mbanë, nëse ne personalisht përpiqemi të kujdesemi për njëri-tjetrin, të nxisim njëri-tjetrin dhe të inkurajojmë njëri-tjetrin kurdoherë që shoqërohemi bashkë. Megjithatë, duke qenë të papërsosur, ndonjëherë të gjithë ne nuk ia dalim mbanë të bëjmë kështu. Në mënyrë të pashmangshme, e zhgënjejmë njëri-tjetrin dhe madje i shkaktojmë dhimbje njëri-tjetrit herë pas here. Përpiqu të mos përqendrohesh në dobësitë e tjetrit lidhur me këtë. Nëse përqendrohesh mbi të metat, rrezikon të bëhesh tepër kritik në kongregacion dhe madje të biesh në grackën, lidhur me të cilën Pavli donte kaq shumë të na ndihmonte që ta shmangim, d.m.th., braktisjen e të mbledhurit tonë së bashku. Kurrë mos ndodhtë një gjë e tillë. Ndërsa ky sistem i vjetër bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm dhe shtypës, të jemi vendosmërisht të patundur që të bëjmë aq sa është e mundur për ta bërë ndërtuese shoqërinë tonë në mbledhje, aq më tepër që e shohim se dita e Jehovait po afrohet!
[Shënimi]
a Një plak mund të vendosë të studiojë me këta individë artikuj inkurajues nga Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Për shembull, «A do të përfitosh nga dashamirësia e pamerituar?» dhe «Të fitojmë betejën kundër dëshpërimit.»—Kulla e Rojës, 15 shkurt dhe 1 mars 1990, (angl.).
Si do të përgjigjeshe?
◻ Përse është e domosdoshme që mbledhjet dhe shoqëria të jenë inkurajuese në këto ditë të fundit?
◻ Çfarë do të thotë të kujdesemi për njëri-tjetrin?
◻ Çfarë do të thotë të nxisim njëri-tjetrin?
◻ Çfarë përfshin inkurajimi i njëri-tjetrit?
◻ Si mund të inkurajohen të dëshpëruarit dhe zemërlëshuarit?
[Figura në faqen 16]
Mikpritja na ndihmon të njihemi më mirë me njëri-tjetrin
[Figura në faqen 18]
Kur Elija ishte i dëshpëruar, me mirësjellje Jehovai e ngushëlloi atë