KAPITULLI 14
Të ruajmë paqen dhe pastërtinë e kongregacionit
ÇDO vit, në përmbushje të profecisë së Biblës, mijëra veta vërshojnë në shtëpinë e adhurimit të pastër të Jehovait. (Mik. 4:1, 2) Sa të lumtur jemi t’i mirëpresim në «kongregacionin e Perëndisë»! (Vep. 20:28) Ata e çmojnë mundësinë për t’i shërbyer Jehovait bashkë me ne dhe për të gëzuar atmosferën paqësore e të pastër që gëzojmë falë bekimit të Tij. Fryma e shenjtë e Perëndisë dhe këshillat e mençura që gjejmë në Fjalën e tij, na ndihmojnë të ruajmë paqen dhe ta mbajmë kongregacionin të pastër.—Psal. 119:105; Zak. 4:6.
2 Falë zbatimit të parimeve të Biblës veshim «personalitetin e ri». (Kolos. 3:10) Anashkalojmë mosmarrëveshjet e vogla dhe ndryshimet në karakter. Duke pasur këndvështrimin e Jehovait, kapërcejmë ndikimet ndarëse të botës dhe punojmë në unitet si një vëllazëri ndërkombëtare.—Vep. 10:34, 35.
3 Megjithatë, herë pas here lindin vështirësi që ndikojnë në paqen dhe unitetin e kongregacionit. Cili është shkaku? Në shumicën e rasteve, nuk zbatohen këshillat e Biblës. Na duhet ende të luftojmë me prirjet tona të papërsosura. Askush prej nesh nuk është pa mëkat. (1 Gjon. 1:10) Dikush mund të hedhë një hap të gabuar dhe mund të sjellë papastërti morale ose fetare në kongregacion. Mund të fyejmë dikë me fjalë a me veprime të pamenduara ose ne vetë mund të pengohemi nga ajo që ka thënë a ka bërë dikush. (Rom. 3:23) Si t’i ndreqim gjërat në raste të tilla?
4 Me dashuri, Jehovai i ka marrë parasysh të gjitha këto. Fjala e tij siguron këshilla se çfarë të bëjmë kur lindin vështirësi. Pleqtë e kongregacionit, si barinj të dashur, janë të gatshëm të na ndihmojnë personalisht. Duke zbatuar këshillat e tyre nga Bibla, mund të rivendosim marrëdhënie të shkëlqyera me të tjerët dhe të mbajmë një qëndrim të mirë para Jehovait. Nëse disiplinohemi ose korrigjohemi për shkak të ndonjë keqbërjeje, mund të jemi të sigurt se kjo ndreqje është shprehje e dashurisë që ka Ati ynë qiellor për ne.—Prov. 3:11, 12; Hebr. 12:6.
ZGJIDHJA E MOSMARRËVESHJEVE TË VOGLA
5 Mund të ketë raste kur në kongregacion lindin mosmarrëveshje ose probleme për vogëlsira. Këto duhen zgjidhur shpejt me frymë dashurie vëllazërore. (Efes. 4:26; Filip. 2:2-4; Kolos. 3:12-14) Me siguri do të kuptosh se problemet që ke me një të krishterë (vëlla a motër), mund të zgjidhen duke zbatuar këshillën e apostullit Pjetër: «Kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon mëkate të shumta.» (1 Pjet. 4:8) Bibla thotë: «Të gjithë ne gabojmë shumë herë.» (Jak. 3:2) Zakonisht mund t’i falim dhe t’i harrojmë shkeljet e vogla duke zbatuar Rregullën e Artë, pra gjithçka që dëshirojmë të bëjnë të tjerët për ne, të bëjmë edhe ne për ta.—Mat. 6:14, 15; 7:12.
6 Por, nëse vëren se dikush është fyer nga diçka që ke thënë a ke bërë, duhet të marrësh menjëherë iniciativën për të bërë paqe. Mos harro se kjo ndikon edhe në marrëdhënien tënde me Jehovain. Jezui i këshilloi dishepujt: «Nëse ti, pra, po sjell flijimin tënd në altar dhe atje kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre flijimin atje para altarit dhe ik. Bëj më parë paqe me vëllanë tënd e pastaj kthehu dhe paraqit flijimin tënd.» (Mat. 5:23, 24) Ndoshta mund të ketë ndodhur ndonjë keqkuptim. Nëse është kështu, mbaji hapur linjat e komunikimit. Komunikimi i mirë mes të gjithëve në kongregacion ndihmon shumë për të parandaluar keqkuptimet dhe për të zgjidhur problemet që lindin për shkak të papërsosmërisë njerëzore.
DHËNIA E KËSHILLAVE TË NEVOJSHME NGA BIBLA
7 Ndonjëherë, mund të jetë e nevojshme që mbikëqyrësit të këshillojnë dikë për t’i ndrequr mënyrën e të menduarit. Kjo s’është gjithmonë e lehtë. Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve të Galatisë: «Vëllezër, edhe nëse dikush hedh ndonjë hap të gabuar, pa qenë i vetëdijshëm për të, ju që jeni të kualifikuar nga fryma, përpiquni ta ndreqni me butësi.»—Gal. 6:1.
8 Duke u kujdesur për kopenë, mbikëqyrësit mund ta mbrojnë kongregacionin nga shumë rreziqe dhe mund të parandalojnë probleme të rënda. Pleqtë përpiqen fort që shërbimi i tyre ndaj kongregacionit të jetë në lartësinë e premtimit që Jehovai bëri nëpërmjet Isaisë: «Secili do të jetë si një strehë për t’u mbrojtur nga era dhe si një vend për t’u fshehur nga shtrëngata, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkrepi të madh në një tokë të zhuritur.»—Isa. 32:2.
SHËNIMI I TË ÇRREGULLTVE
9 Apostulli Pavël paralajmëroi për disa që mund të ndikonin për keq te kongregacioni. Ai tha: «Po ju udhëzojmë të rrini larg nga çdo vëlla që sillet në mënyrë të çrregullt e që nuk ecën sipas traditave që morët nga ne.» Ai e sqaroi më tej këtë: «Nëse ndokush nuk i bindet fjalës sonë në këtë letër, mbajeni të shënuar dhe mos u shoqëroni më me të, që të turpërohet. E megjithatë, mos e shihni si armik, por vazhdoni ta këshilloni si vëlla.»—2 Sel. 3:6, 14, 15.
10 Me raste, dikush që nuk është fajtor për ndonjë mëkat të rëndë për të cilin mund të përjashtohej nga kongregacioni, tregon shpërfillje flagrante ndaj standardeve të Perëndisë që duhet të drejtojnë të krishterët. Këtu mund të përfshihen gjëra të tilla, si: të jesh jashtë mase dembel, kritikues ose i pistë. Mbase personi ‘i fut hundët në gjëra që nuk i takojnë’. (2 Sel. 3:11) Ose ndoshta kurdis plane si e si të përfitojë nga të tjerët materialisht a është zhytur në zbavitje që duket qartë se është e papërshtatshme. Kjo sjellje e çrregullt është aq serioze sa të ndikojë për keq te kongregacioni dhe mund të përhapet te të krishterët e tjerë.
11 Fillimisht, pleqtë do të përpiqen ta ndihmojnë të çrregulltin duke i dhënë këshilla nga Bibla. Mirëpo, nëse ai vazhdon t’i shpërfillë parimet e Biblës, pavarësisht këshillave të përsëritura, pleqtë mund të vendosin të mbahet një fjalim paralajmërimi në kongregacion. Pleqtë do të përdorin aftësi dalluese për të përcaktuar nëse një situatë është aq serioze dhe shqetësuese për të tjerët, sa të mbahet një fjalim paralajmërimi. Në këtë fjalim do të jepen këshilla të përshtatshme për sjelljen e çrregullt, por nuk do të thuhet emri i individit. Kështu, ata që janë në dijeni të situatës së përshkruar në fjalim, do të tregojnë kujdes që të mos shoqërohen me të, përveçse në raste teokratike, ‘duke e këshilluar si vëlla’.
12 Shpresojmë që qëndrimi i vendosur i të krishterëve besnikë ta ndihmojë të turpërohet individin që po sillet në mënyrë të çrregullt dhe ta nxitë të ndryshojë. Kur duket qartë se ai ka hequr dorë nga sjellja e çrregullt, nuk është më e nevojshme të trajtohet si i shënuar.
ZGJIDHJA E DISA SHKELJEVE TË RËNDA
13 Gatishmëria për t’i kapërcyer shkeljet dhe për të falur, nuk do të thotë që s’duam t’ia dimë për keqbërjet ose që i miratojmë. Nuk mund t’i vihet faji papërsosmërisë së trashëguar për çdo shkelje dhe as nuk është e përshtatshme të kapërcejmë gabime që nuk janë thjesht të vogla. (Lev. 19:17; Psal. 141:5) Në besëlidhjen e Ligjit pranohej se disa mëkate ishin më të rënda se të tjerat dhe kjo është e vërtetë edhe në kongregacionin e krishterë.—1 Gjon. 5:16, 17.
14 Jezui përshkroi një procedurë specifike për të zgjidhur problemet serioze që mund të lindin mes të bashkëkrishterëve. Ja hapat që tregoi: «Nëse vëllai yt mëkaton kundër teje, [1] shko, fol vetëm për vetëm dhe tregoji hapur ku ka gabuar. Në qoftë se të dëgjon, e fitove vëllanë tënd. Por, në rast se nuk të dëgjon, [2] merr me vete edhe një ose dy të tjerë, që çdo çështje të vendoset nga dëshmia e dy a tre dëshmitarëve. Nëse nuk i dëgjon edhe ata, [3] fol me kongregacionin. Në qoftë se nuk e dëgjon as kongregacionin, le të jetë për ty tamam si një njeri nga kombet dhe si një taksambledhës.»—Mat. 18:15-17.
15 Sipas ilustrimit që bëri Jezui më pas, i dokumentuar te Mateu 18:23-35, duket se mëkatet për të cilat flet Mateu 18:15-17 kanë të bëjnë me çështje financiare a pronësie, si mosshlyerja e një huaje ose kryerja e një mashtrimi. Ose shkelja mund të jetë shpifje që ndikon seriozisht në emrin e mirë të dikujt.
16 Në qoftë se ke prova se dikush në kongregacion ka kryer një mëkat të tillë ndaj teje, mos u ngut të shkosh te pleqtë, duke u kërkuar atyre të ndërhyjnë për ty. Siç këshilloi Jezui, së pari fol me personin ndaj të cilit ke ankesa. Mundohu ta zgjidhësh çështjen vetëm mes teje dhe atij, pa përfshirë fare askënd tjetër. Mos harro se Jezui nuk tha ‘shko vetëm një herë dhe tregoji hapur ku ka gabuar’. Prandaj, nëse individi nuk e pranon gabimin e nuk kërkon falje, ndoshta është mirë të shqyrtosh mundësinë që të provosh përsëri më vonë. Po qe se çështja zgjidhet në këtë mënyrë, ai që mëkatoi, pa dyshim do ta çmojë faktin që nuk ke folur me të tjerë për mëkatin e tij ose nuk ia ke prishur emrin e mirë në kongregacion. Do ta ‘fitosh vëllanë’.
17 Nëse ai që ka bërë shkeljen e pranon përgjegjësinë, kërkon falje dhe bën hapa për të ndrequr gjërat, nuk ka nevojë që çështja të çohet më tej. Ndonëse mëkati ishte i rëndë, një shkelje e tillë mund të zgjidhet mes individëve të përfshirë.
18 Në qoftë se nuk arrin ta fitosh duke folur «vetëm për vetëm» dhe duke i treguar hapur ku ka gabuar, atëherë mund të veprosh siç tha Jezui, «merr me vete edhe një ose dy të tjerë» dhe fol përsëri me vëllanë. Edhe ata që merr me vete duhet të kenë synimin që ta fitojnë vëllanë. Do të ishte mirë që këta të jenë dëshmitarë të shkeljes së supozuar, por nëse nuk ka dëshmitarë okularë, mund të kërkosh një a dy veta që të jenë dëshmitarë të bisedës. Ata ndoshta kanë përvojë për çështjen në fjalë dhe mund të arrijnë të përcaktojnë nëse ka ndodhur vërtet një shkelje. Pleqtë që zgjidhen si dëshmitarë nuk përfaqësojnë kongregacionin, sepse trupi i pleqve nuk i ka caktuar në mënyrë specifike për këtë.
19 Nëse nuk e ke zgjidhur dot çështjen me gjithë përpjekjet e vazhdueshme që bëre—ke folur vetëm për vetëm e ke shkuar tek ai me një a dy të tjerë—dhe mendon që s’e kapërcen dot, atëherë duhet t’ua raportosh çështjen mbikëqyrësve të kongregacionit. Mos harro se synimi i tyre është të ruajnë paqen dhe pastërtinë e kongregacionit. Pasi të kesh folur me pleqtë, lëre problemin në duart e tyre dhe ki besim te Jehovai. Nuk duhet të lejosh kurrë që sjellja e dikujt tjetër të të pengojë ose të të heqë gëzimin në shërbim të Jehovait.—Psal. 119:165.
20 Barinjtë e kopesë do ta hetojnë çështjen. Në rast se bëhet e qartë se personi ka kryer vërtet një mëkat të rëndë kundër teje dhe është i papenduar e nuk është i gatshëm të zhdëmtojë në mënyrë të arsyeshme dhe të përshtatshme, mund të jetë e nevojshme që një komitet i përbërë nga pleq ta përjashtojnë keqbërësin e papenduar. Në këtë mënyrë mbrojnë kopenë dhe ruajnë pastërtinë e kongregacionit.—Mat. 18:17.
TRAJTIMI I KEQBËRJEVE TË RËNDA
21 Për disa shkelje të rënda, si: imoraliteti seksual, kurorëshkelja, homoseksualizmi, blasfemia, apostazia, idhujtaria dhe mëkate të rënda të ngjashme, nuk mjafton vetëm që individi, ndaj të cilit është kryer mëkati, të falë tjetrin. (1 Kor. 6:9, 10; Gal. 5:19-21) Meqë në kongregacion rrezikohet adhurimi dhe morali i pastër, këto mëkate të rënda u duhen raportuar pleqve dhe të trajtohen nga ata. (1 Kor. 5:6; Jak. 5:14, 15) Disa mund t’u afrohen pleqve për të rrëfyer mëkatin e tyre ose për të raportuar atë që dinë për ndonjë keqbërje të të tjerëve. (Lev. 5:1; Jak. 5:16) Sido që t’i marrin vesh pleqtë keqbërjet e rënda të një të krishteri të pagëzuar, do të kryhet një hetim paraprak nga dy pleq. Nëse përcaktohet se raportimi është me baza dhe ka prova se është kryer vërtet një mëkat i rëndë, trupi i pleqve do të caktojë një komitet gjyqësor me të paktën tre pleq për të trajtuar çështjen.
22 Pleqtë rrinë vigjilentë duke u përpjekur ta mbrojnë kopenë nga çdo element që do të ishte i dëmshëm. Gjithashtu, mundohen ta përdorin me mjeshtëri Fjalën e Perëndisë për të korrigjuar këdo që ka gabuar dhe për ta ndihmuar të rregullojë marrëdhënien e tij me Jehovain. (Juda 21-23) Kjo është në përputhje me udhëzimet që mori Timoteu nga apostulli Pavël, i cili shkroi: «Të urdhëroj solemnisht përpara Perëndisë dhe Krishtit Jezu, i cili do të gjykojë të gjallët e të vdekurit. . . . Korrigjo, hiq vërejtje dhe nxit me shumë durim si një mësues i mirë.» (2 Tim. 4:1, 2) Kjo mund të kërkojë shumë kohë, por është pjesë e punës së palodhur të pleqve. Kongregacioni i vlerëson përpjekjet e tyre dhe i konsideron «të denjë për nderim të dyfishtë».—1 Tim. 5:17.
23 Në çdo rast që provohet se dikush është fajtor, qëllimi kryesor i mbikëqyrësve është ta ndihmojnë keqbërësin të rivendosë marrëdhënien e tij me Jehovain. Nëse është penduar vërtet dhe i lejon pleqtë që ta ndihmojnë, korrigjimi që do t’i japin, privatisht ose përpara ndonjë dëshmitari të mundshëm që dëshmoi gjatë komitetit gjyqësor, do të shërbejë për të disiplinuar atë dhe për të ngulitur te dëshmitarët një frikë të shëndetshme. (2 Sam. 12:13; 1 Tim. 5:20) Në çdo rast korrigjimi gjyqësor, vihen kufizime. Në këtë mënyrë, keqbërësi mund të ndihmohet që pas kësaj ‘t’i bëjë të drejta shtigjet për këmbët e tij’. (Hebr. 12:13) Këto kufizime hiqen në kohën e duhur, kur bëhet e dukshme rimëkëmbja e individit.
NJOFTIMI I KORRIGJIMIT
24 Në rast se një komitet gjyqësor përcakton se një individ është penduar, por ka të ngjarë që çështja të merret vesh në kongregacion a në komunitet ose nëse kongregacioni duhet të ruhet nga keqbërësi i penduar, gjatë mbledhjes Jeta dhe shërbimi do të bëhet një njoftim i shkurtër. Njoftimi duhet të jetë: «Vëlla (motër) [emri i personit] është korrigjuar.»
NËSE MERRET VENDIMI I PËRJASHTIMIT
25 Në disa raste, keqbërësit mund t’i jetë ngurtësuar zemra e nuk heq dorë nga sjellja e tij mëkatare, dhe për pasojë nuk u përgjigjet përpjekjeve për ta ndihmuar. Gjatë seancës gjyqësore mund të mos jenë të dukshme aq «vepra të denja për pendim» sa do të ishin të mjaftueshme. (Vep. 26:20) Ç’duhet bërë në këto raste? Është e nevojshme që keqbërësi i papenduar të përjashtohet nga kongregacioni, duke i mohuar shoqërinë me popullin e pastër të Jehovait. Kongregacioni nuk do të ndikohet më negativisht nga keqbërësi, e kështu do të ruhet i pastër morali e adhurimi dhe do të mbrohet emri i mirë i kongregacionit. (Ligj. 21:20, 21; 22:23, 24) Kur apostulli Pavël mori vesh për sjelljen e turpshme të dikujt në kongregacionin e Korintit, i këshilloi pleqtë që ‘t’ia dorëzonin një njeri të tillë Satanait, që fryma e kongregacionit të shpëtonte’. (1 Kor. 5:5, 11-13) Gjithashtu, Pavli raportoi përjashtimin e disa të tjerëve në shekullin e parë që ishin rebeluar ndaj së vërtetës.—1 Tim. 1:20.
26 Kur vendoset përjashtimi i një keqbërësi të papenduar, komiteti gjyqësor duhet t’ia bëjë të ditur këtë vendim personit, duke i thënë qartë arsyen(t) nga Bibla për përjashtimin. Kur të informojë keqbërësin për këtë vendim, komiteti gjyqësor do t’i thotë që, nëse ai mendon se në gjykim është bërë një gabim serioz dhe dëshiron ta apelojë vendimin, duhet ta bëjë këtë me një letër, ku të tregojë qartë arsyet e apelimit. Do t’i jepen shtatë ditë afat për ta bërë këtë, që nga koha kur iu njoftua vendimi i komitetit. Nëse merr një apelim, trupi i pleqve do të kontaktojë mbikëqyrësin qarkor, i cili do të zgjedhë pleq të kualifikuar që do të shërbejnë në një komitet apelimi për ta dëgjuar çështjen edhe një herë. Ata do të bëjnë çmos për ta zhvilluar seancën e apelimit brenda një jave pasi është marrë letra. Nëse bëhet apelim, njoftimi i përjashtimit do të mbahet pezull. Ndërkohë, individit të akuzuar do t’i vihen kufizime: nuk do të komentojë, nuk do të lutet në mbledhje e nuk do të ketë caktime të veçanta shërbimi.
27 Apelimi është shenjë dashamirësie ndaj të akuzuarit dhe i jep mundësinë t’i shprehë edhe njëherë shqetësimet. Por, nëse keqbërësi me dashje nuk paraqitet në seancën e apelimit, do të njoftohet përjashtimi pasi të jenë bërë përpjekje të arsyeshme për ta kontaktuar.
28 Nëse keqbërësi nuk dëshiron të apelojë, komiteti gjyqësor do t’i shpjegojë rëndësinë e pendimit dhe hapat që mund të bëjë për t’u rivendosur në kohën e duhur. Kjo është e dobishme dhe dashamirëse, e duhet bërë me shpresën se ai do të ndryshojë rrugë dhe me kalimin e kohës do të kualifikohet për t’u rikthyer në organizatën e Jehovait.—2 Kor. 2:6, 7.
NJOFTIMI I PËRJASHTIMIT
29 Kur është e nevojshme të përjashtohet nga kongregacioni një keqbërës i papenduar, bëhet ky njoftim i shkurtër: «[Emri i personit] nuk është më një Dëshmitar i Jehovait.» Kjo do t’i sinjalizojë pjesëtarët besnikë të kongregacionit që të mos shoqërohen më me këtë individ.—1 Kor. 5:11.
VETËPËRJASHTIMI
30 Termi «vetëpërjashtim» përdoret për veprimin që ndërmerr një individ i cili është Dëshmitar i pagëzuar i kongregacionit, por me dashje nuk pranon të jetë i krishterë duke thënë se nuk dëshiron më të quhet a të njihet si Dëshmitar i Jehovait. Ose, ai mund ta mohojë vendin e tij në kongregacionin e krishterë me anë të veprimeve, si për shembull duke u bërë pjesë e ndonjë organizate të botës që ka synime në kundërshtim me mësimet e Biblës dhe të cilën e ka gjykuar Perëndia Jehova.—Isa. 2:4; Zbul. 19:17-21.
31 Apostulli Gjon shkroi këto fjalë për ata që hoqën dorë nga besimi i krishterë në ditët e tij: «Ata u larguan nga gjiri ynë, por nuk ishin nga tanët; po të kishin qenë tanët, do të kishin qëndruar me ne.»—1 Gjon. 2:19.
32 Kur një person vetëpërjashtohet, situata e këtij para Jehovait është krejt ndryshe nga ajo e një të krishteri joaktiv, i cili nuk del më në shërbim. Dikush mund të jetë bërë joaktiv sepse ka lënë pas dore studimin e rregullt të Fjalës së Perëndisë. Ose për shkak të problemeve personale a të përndjekjes, mund të ketë humbur zellin për t’i shërbyer Jehovait. Pleqtë, si edhe të tjerë në kongregacion do të vazhdojnë t’i japin ndihmën e duhur një të krishteri joaktiv.—Rom. 15:1; 1 Sel. 5:14; Hebr. 12:12.
33 Nëse një i krishterë vendos të vetëpërjashtohet, bëhet ky njoftim i shkurtër për të informuar kongregacionin: «[Emri i personit] nuk është më një Dëshmitar i Jehovait.» Ky individ trajtohet njësoj si një i përjashtuar.
RIVENDOSJA
34 Një i përjashtuar ose i vetëpërjashtuar mund të rivendoset kur jep dëshmi të qartë se është penduar dhe tregon se e ka braktisur rrugën mëkatare për një periudhë të arsyeshme kohe. Ai e tregon qartë se dëshiron të ketë një marrëdhënie të mirë me Jehovain. Pleqtë tregojnë kujdes që të lënë kohë të mjaftueshme—shumë muaj, një vit a më shumë, në varësi të rrethanave—që personi të vërtetojë se pendimi i tij është i sinqertë. Kur trupi i pleqve merr një letër për rivendosje, një komitet rivendosjeje do të flasë me personin. Komiteti do të shqyrtojë dëshmitë e ‘veprave të denja për pendim’ nga ana e tij dhe do të përcaktojë nëse do të rivendoset.—Vep. 26:20.
35 Nëse ai që kërkon rivendosjen ishte përjashtuar në një kongregacion tjetër, një komitet vendës rivendosjeje do të takohet me këtë individ dhe të marrë në shqyrtim kërkesën. Nëse pjesëtarët e komitetit vendës të rivendosjes mendojnë se duhet rivendosur, ata do t’ia dërgojnë rekomandimin trupit të pleqve të kongregacionit që trajtoi çështjen në fillim. Komitetet e përfshira do të punojnë së bashku për t’u siguruar që të mblidhen të gjitha faktet dhe të merret një vendim i drejtë. Megjithatë, vendimin për rivendosjen e merr komiteti i rivendosjes së kongregacionit që e trajtoi çështjen në fillim.
NJOFTIMI I RIVENDOSJES
36 Kur komiteti i rivendosjes është i bindur se individi i përjashtuar ose i vetëpërjashtuar është sinqerisht i penduar dhe duhet rivendosur, bëhet një njoftim rivendosjeje në kongregacionin ku u trajtua çështja në fillim. Në qoftë se tani individi është në një kongregacion tjetër, njoftimi do të bëhet edhe atje. Në njoftim duhet të thuhet thjesht: «[Emri i personit] është rivendosur si një Dëshmitar i Jehovait.»
RASTET QË PËRFSHIJNË TË MITUR TË PAGËZUAR
37 Shkeljet e rënda nga ana e të miturve që janë të pagëzuar, u duhen raportuar pleqve. Kur pleqtë trajtojnë çështje të mëkateve të rënda ku përfshihet një i mitur, është mirë që prindërit e tij të pagëzuar të jenë të pranishëm. Ata duhet të bashkëpunojnë me komitetin gjyqësor, duke mos u përpjekur ta mbrojnë nga disiplina e nevojshme fëmijën që ka gabuar. Ashtu siç veprohet me keqbërësit që janë të rritur, komiteti gjyqësor përpiqet ta korrigjojë e ta ndihmojë keqbërësin të rivendosë marrëdhënien me Jehovain. Megjithatë, nëse i mituri nuk është penduar, merret masa e përjashtimit.
KUR LAJMËTARË TË PAPAGËZUAR KRYEJNË KEQBËRJE
38 Çfarë duhet bërë kur lajmëtarë të papagëzuar përfshihen në keqbërje të rënda? Meqë nuk janë Dëshmitarë të pagëzuar të kongregacionit, ata nuk mund të përjashtohen. Por, nga ana tjetër, ndoshta s’i kuptojnë plotësisht standardet e Biblës, prandaj këshillat dashamirëse mund t’i ndihmojnë që ‘t’i bëjnë të drejta shtigjet për këmbët e tyre’.—Hebr. 12:13.
39 Nëse një keqbërës i papagëzuar nuk pendohet pasi dy pleq të jenë takuar me të dhe të jenë përpjekur ta ndihmojnë, atëherë është e nevojshme të njoftohet kongregacioni. Bëhet ky njoftim i shkurtër: «[Emri i personit] nuk është më i pranuar si lajmëtar i papagëzuar.» Atëherë kongregacioni do ta konsiderojë keqbërësin si një njeri nga bota. Ndonëse ky keqbërës nuk është përjashtuar, të krishterët tregohen të kujdesshëm lidhur me shoqërimin me të. (1 Kor. 15:33) Nga ky individ nuk do të pranohen raporte shërbimi.
40 Me kalimin e kohës, një i papagëzuar që nuk njihet më si lajmëtar, mund të dëshirojë të bëhet lajmëtar sërish. Në këtë rast, dy pleq do të takohen me të dhe do të sigurohen për përparimin e tij. Nëse kualifikohet, mund të bëhet ky njoftim i shkurtër: «[Emri i personit] është pranuar përsëri si lajmëtar i papagëzuar.»
JEHOVAI BEKON ADHURIMIN E PASTËR KU MBIZOTËRON PAQJA
41 Të gjithë ata që shoqërohen sot me kongregacionin e Perëndisë, mund të gëzojnë atmosferën paqësore me të cilën Jehovai e ka bekuar popullin e tij. Kullotat tona të figurshme janë të gjelbra dhe kemi një bollëk ujërash freskuese të së vërtetës. Gjithashtu, kemi kujdesin mbrojtës të Jehovait nëpërmjet strukturës së tij teokratike nën kryesinë e Krishtit. (Psal. 23; Isa. 32:1, 2) Në këto ditë të fundit të trazuara, ndihemi të sigurt ngaqë jemi pjesë e popullit të Perëndisë.
Duke ruajtur paqen dhe pastërtinë e kongregacionit, lejojmë që drita e së vërtetës për Mbretërinë të vazhdojë të ndriçojë
42 Duke ruajtur paqen dhe pastërtinë e kongregacionit, lejojmë që drita e së vërtetës për Mbretërinë të vazhdojë të ndriçojë. (Mat. 5:16; Jak. 3:18) Me bekimin e Perëndisë do të gëzohemi kur të shohim se edhe më shumë njerëz do ta njohin Jehovain e do të shërbejnë me ne për të bërë vullnetin e tij.