Pikëpamja e Biblës
A duhet ta fshehin gratë bukurinë?
«GRATË e duan modën»,—tha Xhorxh Simontoni, një stilist me përvojë dhe profesor në Institutin e Teknologjisë së Modës të Nju-Jorkut. Ai shpjegon: «Grave u pëlqen ta shprehin individualitetin e tyre, ta mbajnë veten, të jenë më tërheqëse . . . Mendoj se kështu tregon respekt për veten dhe për njerëzit që rrinë me ty.» Po, prej kohësh zbukurimi është njohur si mënyra me të cilën gratë shprehin natyrën e tyre femërore dhe rritin besimin te vetja.
Megjithatë, në emër të fesë, disa kanë krijuar një pikëpamje negative për stolisjen e grave. «Gratë e shenjta . . . nëse . . . kanë bukuri natyrale . . . nuk duhet ta përmirësojnë atë, por duhet të përpiqen të mos e shfaqin»,—shkroi Tertuliani në shekullin e tretë të e.s. Në lidhje me kozmetikën, ai vazhdoi: «Gratë që e lyejnë fytyrën me krem, i lyejnë mollëzat me pudër ose i hollojnë vetullat, mëkatojnë ndaj Perëndisë.» «Sendet për zbukurim», arin dhe argjendin, i përshkroi si «mjetet e tundimit».
Sot, shumë njerëz kanë ende pikëpamje ekstreme për zbukurimin e grave. Madje, disa fe i ndalojnë pjesëtaret të mbajnë bizhuteri, të bëjnë tualet ose të veshin rroba me ngjyra. A duhet ta fshehë bukurinë gruaja e krishterë apo duhet të përpiqet të bëhet më tërheqëse?
Pikëpamja e Perëndisë
Bibla nuk na flet me hollësi për mbajtjen e bizhuterive dhe përdorimin e kozmetikës. Megjithatë, ka mjaft dëshmi që tregojnë se Perëndia nuk e dënon mbajtjen e tyre ose mënyrat e tjera të stolisjes.
Për shembull, kur përshkroi si e bekoi Jerusalemin, Perëndia e krahasoi atë qytet me një grua, dhe tha: «Të zbukurova me stoli . . . , u bëre shumë, shumë e bukur». (Ezekieli 16:11-13) Ato stoli, edhe pse në kuptimin e figurshëm, përfshinin byzylykë, varëse dhe vathë. Gjithashtu, Shkrimet bëjnë një vlerësim pozitiv kur e krahasojnë ‘atë që qorton me mençuri’ me stolitë prej ari, dhe thonë se një dëgjues ia vë veshin. (Proverbat 25:1, 12) Është e qartë se, përderisa Shkrimet bëjnë krahasime pozitive, Perëndia nuk është kundër grave që përdorin stoli për t’u bërë më të bukura.
Gratë e krishtere stolisen
Disa vargje biblike flasin drejtpërdrejt për zbukurimin e grave. Apostulli Pavël shkroi: «Dëshiroj që gratë të stolisen me veshje të rregullta.» Kur stolisen me «modesti dhe mendje të shëndoshë», ato tregojnë nderim të thellë ndaj Perëndisë. (1 Timoteut 2:9, 10) Modestia që gratë e krishtere shfaqin kur zbukurohen, lë një përshtypje të mirë për mësimet e Perëndisë dhe për kongregacionin.
Disa kundërshtojnë pasi të njëjtat vargje thonë se stolisja nuk duhet të jetë «me modele të gërshetimit të flokëve me ar e me margaritarë ose me rroba shumë të shtrenjta, por si u ka hije grave që pohojnë se nderojnë thellë Perëndinë, domethënë me anë të veprave të mira». A do të thotë kjo se gratë nuk duhet t’i rregullojnë flokët ose të mbajnë bizhuteri?
Jo. Bibla flet mirë për zbukurimin. Prandaj, në vend që t’i ndalonte këto stolisje, Pavli po i inkurajonte gratë të përqendroheshin kryesisht te stolisja me cilësitë e krishtere dhe veprat e mira.
Rëndësi kanë motivet
Apostulli Pavël shkroi: «Të mos e gjykojmë më njëri-tjetrin, por përkundrazi jini të vendosur të mos vini përpara vëllait ndonjë gur pengese dhe të mos bëheni shkak që të rrëzohet.» (Romakëve 14:13) Si zbatohet kjo kur zgjedhim gjërat për t’u zbukuruar?
Së pari, Pavli na thotë të mos «e gjykojmë më njëri-tjetrin». Duhet të kemi kujdes që ‘të mos vëmë përpara vëllait ndonjë gur pengese’. Standardet për atë që është e pranueshme, mund të ndryshojnë sipas vendit dhe kulturës. Ajo që është e përshtatshme për një kohë dhe një vend, mund të jetë e papërshtatshme për një tjetër. Nuk duhet t’i pengojmë ose t’i vëmë në siklet të tjerët duke mbajtur stoli që, sipas kulturës sonë, tregojnë një mënyrë jetese të pahijshme. Gratë e krishtere bëjnë mirë të pyesin veten: ‘Si konsiderohet ajo që vesh unë në zonën time? A i vë në siklet, i çudit ose i turpëron pjesëtarët e kongregacionit veshja ime?’ Edhe pse një grua e krishtere ka të drejtë të vishet ose të rregullohet në një mënyrë të caktuar, nëse ashtu i fyen të tjerët, do të heqë dorë nga e drejta e saj.—1 Korintasve 10:23, 24.
Gjithashtu, nuk do të ishte e përshtatshme të përqendroheshim tepër te paraqitja jonë. Sot, në shumë vende, disa gra zbukurohen në një mënyrë jomodeste për të tërhequr vëmendjen duke flirtuar. Megjithatë, gratë e krishtere e shmangin krejtësisht këtë zbukurim të gabuar. Ato përpiqen të jenë me mendje të shëndoshë dhe të dëlira në çështjet personale, sepse duan «që të mos shahet fjala e Perëndisë».—Titit 2:4, 5.
Gratë e perëndishme e dinë se pavarësisht se sa zbukurohen, bukuria e tyre e vërtetë është «njeriu i fshehtë i zemrës», dhe kështu e shfaqin atë në qëndrimin dhe sjelljen e tyre. (1 Pjetrit 3:3, 4) Gruaja që bën zgjedhje të arsyeshme për modelin e veshjes, përdorimin e kozmetikës dhe bizhuterive, fiton respektin e të tjerëve dhe nderon Krijuesin.