KAPITULLI 11
Çfarë të vesh?
Edra është gati të dalë dhe prindërit s’u besojnë syve.
—Kështu do të dalësh?—kërcen babai.
—Ç’të keqe ka?—i përgjigjet Edra, gjoja e habitur.—Po shkoj deri te qendra tregtare me shoqet.
—Jo me ato rroba!—thotë e ëma.
—O mami, po gjithë moshatarët e mi kështu vishen,—ankohet Edra.—Pastaj, ky stil më shkon me tipin.
—Po pikërisht kjo nuk na pëlqen, tipi që dukesh me këtë stil!—ia kthen prerë i ati.—Hajde vajzë e mbarë, shko ndërrohu, përndryshe s’ke për të dalë gjëkundi!
PËRPLASJET për veshjen nuk lindën sot. Ndoshta edhe prindërit e tu kanë pasur përplasje të tilla me prindërit e tyre kur ishin në moshën tënde. Në atë kohë me siguri janë ndier siç ndihesh ti sot. Por tani ata kanë kaluar në krahun tjetër dhe herë pas here në shtëpi plas lufta për punën e veshjes sate.
Ti thua: Është e rehatshme.
Ata thonë: Të tregon si shkatarraqe.
Ti thua: Është yll fare.
Ata thonë: Është tepër provokuese.
Ti thua: Është me gjysmë çmimi.
Ata thonë: Ta pret mendja. . . . Është gjysmë rrobe.
A ka ndonjë mënyrë për të vendosur armëpushim? Po. Megani, 23 vjeçe, e ka gjetur sekretin. Ajo thotë: «S’ka pse të ziheni. Mund të merreni vesh.» Të merreni vesh?! A do të thotë kjo se duhet të vishesh si 40-vjeçare? Mos u tremb! Të merreni vesh do të thotë që ti dhe prindërit të bisedoni për gjërat që nuk jeni dakord e të gjeni variante të tjera që, si ata, edhe ti, të mbeteni të kënaqur. Pse ia vlen?
1. Do të dukesh më mirë se kurrë, edhe në sy të shokëve.
2. Ka të ngjarë që prindërit nuk do të të qortojnë aq shumë për veshjen.
3. Kur të shohin se po tregohesh e përgjegjshme në këtë drejtim, prindërit mund të të japin më shumë liri në gjëra të tjera.
Atëherë, fillojmë. Mendo për ndonjë veshje që ke parë në Internet ose në dyqan dhe dëshiron ta blesh «patjetër». Gjëja e parë që duhet të bësh është:
Shqyrto parimet biblike
Çuditërisht Bibla flet pak për veshjen. Mjaftojnë pak minuta që t’i lexosh të gjitha këshillat biblike që flasin drejtpërdrejt për të. Megjithatë, në këto pak minuta do të gjesh udhëzime të besueshme dhe me vlerë. Për shembull:
● Bibla këshillon që stolisja të jetë «me modesti dhe mendje të shëndoshë».a—1 Timoteut 2:9, 10.
Fjala «modesti» mund të të trembë. Mund të pyesësh veten: «Mos duhet të vishem si gjyshe?» Aspak! Në këtë kontekst, modestia nënkupton që rrobat e tua të tregojnë se ke respekt për veten dhe për ndjenjat e të tjerëve. (2 Korintasve 6:3) Ka lloj-lloj rrobash që janë brenda këtij standardi. Daniela 23-vjeçare thotë: «Mbase është e vështirë, por veshja jote mund të jetë e kohës pa qenë e ekzagjeruar.»
● Bibla thotë se, kur bëhet fjalë për paraqitjen, duhet të përqendrohesh te «njeriu i fshehtë i zemrës» ose, siç e përkthen Today’s English Version, tek «ajo që je përbrenda».—1 Pjetrit 3:4.
Një veshje jomodeste, për momentin mund të bëjë që njerëzit të kthejnë kokën, por është bukuria jote e brendshme ajo që do të fitojë respektin afatgjatë të të rriturve dhe të moshatarëve të tu. Edhe të moshatarëve? Po. Edhe ata mund ta kuptojnë marrëzinë e veshjeve të ekzagjeruara. Për shembull, Britni 16-vjeçare thotë: «Të shpifet kur sheh se si gratë u thonë burrave ‘ja ku më ke’ me atë që veshin.» Edhe Kena mendon po njësoj. Ajo thotë për një ish-shoqen e saj: «Çdo gjë që vishte, sikur kishte të shkruar gjithandej ‘më shihni mua’. Ajo dëshironte vëmendjen e djemve, prandaj vishte rrobat që binin më shumë në sy.»
Merr mendimin e prindërve
Të futësh në çantë një veshje jomodeste fshehtas prindërve dhe të ndërrohesh kur shkon në shkollë, nuk është mirë. Prindërit do të kenë më shumë besim te ti, nëse tregohesh e çiltër dhe e sinqertë me ta, edhe për gjërat që mendon se mund t’i bësh pa e marrë vesh ata. Ç’është e vërteta, do të ishte mirë të kërkoje mendimin e tyre kur dëshiron të blesh a të veshësh diçka. (Proverbat 15:22)—Përdor kutinë «test për veshjen» në faqet 82 dhe 83.
Përse do të ishte mirë të kërkoje mendimin e tyre? Ti mund të mendosh se misioni i prindërve është që të të pengojnë të veshësh gjëra të kohës, por kjo nuk është medoemos ashtu. Vërtet që mami dhe babi mund t’i shohin gjërat ndryshe, por nganjëherë pikërisht kjo të duhet. Natalina 17-vjeçare thotë: «I çmoj këshillat e prindërve, sepse nuk dua që, kur të dal nga shtëpia, të turpërohem ose të më marrin nëpër gojë për shkak të veshjes sime.»
Veç kësaj, le ta themi hapur: për sa kohë jeton me prindërit, je nën autoritetin e tyre. (Kolosianëve 3:20) Gjithsesi, kur kupton pikëpamjen e tyre dhe ata tënden, mbase do të habitesh se sa shpesh do të bini dakord. Si rrjedhojë, lufta për punën e veshjes më në fund mund të mbarojë.
Sugjerim për veshjen: Kur provon një veshje, mendo përtej asaj që sheh në pasqyrë. Një veshje modeste në pamje të parë, ndoshta nuk është më e tillë kur ulesh ose kur përkulesh të marrësh diçka. Nëse është e mundur, merr mendimin e prindit ose të një shoqeje a shoku të pjekur.
A je armiku më i keq i vetes? Ç’mund të bësh nëse nuk të pëlqen vetja?
[Shënimi]
a Edhe pse u drejtohen vajzave, këto parime biblike vlejnë për të dyja gjinitë.
SHKRIMI KYÇ
‘Stolisja jote të mos jetë . . . veshja e sipërme, por le të jetë njeriu i fshehtë i zemrës.’—1 Pjetrit 3:3, 4.
KËSHILLË
Shmang stilet provokuese. Me to dukesh e përvëluar dhe e përqendruar te vetja.
A E DIJE . . . ?
Shpesh, ajo që krijon përshtypjet e para është veshja.
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Një pjesëtar i familjes ose një mik i pjekur që mund të pyes kur më pëlqen të blej një veshje, është ․․․․․
Herën tjetër kur të blej një veshje, do të mendoj për këta faktorë: ․․․․․
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● Pse prindërit dhe adoleshentët shpesh kanë përplasje në lidhje me veshjet?
● Çfarë aftësish mund të fitosh duke diskutuar me prindërit për çështje të veshjes?
[Diçitura në faqen 81]
«Kur shoh vajzat me veshje provokuese, e humbas respektin për to. Por kur shoh njerëz me veshje modeste e të lezetshme, i them vetes: ‘Ashtu dua të dukem edhe unë para të tjerëve.’»—Natalina
[Kutia dhe figurat në faqet 82, 83]
Test për veshjen
Udhëzime: Kopjoji këto faqe. Plotëso këtë faqe dhe thuaju prindërve të plotësojnë faqen në të djathtë. Pastaj shkëmbejini fletët me prindërit dhe diskutoni për përgjigjet. A ju ka habitur ndonjë përgjigje? Ç’gjë të re mësoi secili prej jush për pikëpamjen e tjetrit?
Për ty Mendo konkretisht për një rrobë që dëshiron të veshësh ose të blesh.
Pse të pëlqen? Renditi me numër faktorët e mëposhtëm sipas rëndësisë.
․․․․․ Është firmato
․․․․․ Joshëse për seksin tjetër
․․․․․ E pranueshme nga moshatarët
․․․․․ E rehatshme
․․․․․ Çmimi
․․․․․ Tjetër ․․․․․
Me siguri reagimi i parë i prindërve do të jetë:
□ «Në asnjë mënyrë!»
□ «Ndoshta.»
□ «E përshtatshme.»
Arsyeja pse nuk pranojnë ka mjaft të ngjarë të jetë:
□ «Është tepër provokuese.»
□ «Të tregon si shkatarraqe.»
□ «Është moderne e ekzagjeruar.»
□ «Na përfaqëson keq ne si prindër.»
□ «Është tepër e shtrenjtë.»
□ Tjetër ․․․․․
A mund ta zgjidhim së bashku?
Ç’të mira shoh në pikëpamjen e prindërve?
․․․․․
A mund t’i bëhet ndonjë rregullim kësaj rrobe që të jetë e pranueshme?
․․․․․
Për prindërit Mendo konkretisht për një rrobë që dëshiron të veshë ose të blejë fëmija yt.
Si mendon, pse i pëlqen kjo rrobë? Renditi me numër faktorët e mëposhtëm sipas asaj që ti mendon se ka më shumë rëndësi për të.
․․․․․ Është firmato
․․․․․ Joshëse për seksin tjetër
․․․․․ E pranueshme nga moshatarët
․․․․․ E rehatshme
․․․․․ Çmimi
․․․․․ Tjetër ․․․․․
Reagimi im i parë është:
□ «Në asnjë mënyrë!»
□ «Ndoshta.»
□ «E përshtatshme.»
Arsyeja pse nuk pranoj mund të jetë:
□ «Është tepër provokuese.»
□ «Të tregon si shkatarraqe.»
□ «Është moderne e ekzagjeruar.»
□ «Na përfaqëson keq ne si prindër.»
□ «Është tepër e shtrenjtë.»
□ Tjetër ․․․․․
A mund ta zgjidhim së bashku?
A është thjesht çështje shijesh arsyeja pse nuk jemi dakord për këtë rrobë?
□ Po □ Mbase □ Jo
A mund t’i bëhet ndonjë rregullim kësaj rrobe që të jetë e pranueshme?
․․․․․
Vendimi ․․․․․
[Kutia në faqen 84]
Ç’mund të themi për djemtë?
Parimet biblike të trajtuara në këtë kapitull vlejnë edhe për djemtë. Ji modest. Lejo që njeriu i fshehtë i zemrës, pra ai që je vërtet nga brenda, të dalë në pah. Kur mendon për një veshje pyet veten: «Çfarë do t’u thotë të tjerëve për mua? A e pasqyron tamam personalitetin tim kjo veshje?» Mbaj parasysh se veshja është një formë të shprehuri. Bëj kujdes që ajo të pasqyrojë vlerat në të cilat beson.
[Figura në faqen 80]
Veshja jote është si një pankartë ku shkruhet gjithçka për ty. Çfarë thotë «pankarta» jote?