Kulloteni kopenë e Perëndisë vullnetarisht
«Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj, jo me detyrim, por vullnetarisht.»—1. PJETRIT 5:2, NW.
1. Përse duhet pritur që pleqtë e krishterë të kryejnë veprën e «kullotjes së kopesë vullnetarisht»?
JEHOVAI e kullot popullin e tij vullnetarisht. (Psalmi 23:1-4) «Bariu i mirë», Jezu Krishti, dha vullnetarisht jetën e tij të përsosur njerëzore për ata që janë ngjashëm deleve. (Gjoni 10:11-15) Prandaj, apostulli Pjetër i këshilloi pleqtë e krishterë që «të kullosnin kopenë e Perëndisë vullnetarisht».—1. Pjetrit 5:2, NW.
2. Cilat pyetje meritojnë të shqyrtohen në lidhje me aktivitetet baritore të pleqve të krishterë?
2 Fryma e vullnetshme është një karakteristikë e shërbëtorëve të Perëndisë. (Psalmi 110:3) Por, që një burrë të emërohet mbikëqyrës apo nënbari, nuk mjafton që të ketë vetëm një frymë të vullnetshme. Kush është i aftë për të qenë bari? Çfarë përfshin vepra baritore? Cila është mënyra më e mirë për ta kryer atë?
Të drejtojë shtëpinë e vet
3. Përse mund të thuhet se mënyra në të cilën një i krishterë kujdeset për familjen e tij ndikon mbi aftësinë e tij si bari i kongregacionit?
3 Para se të emërohet në «detyrën e mbikëqyrësit», një burrë duhet të plotësojë kërkesat biblike. (1. Timoteut 3:1-7; Titit 1:5-9) Një prej tyre, tha apostulli Pavël, është që mbikëqyrësi duhet të jetë një «burrë që e drejton shtëpinë e vet në mënyrë të shkëlqyer, duke i pasur fëmijët të nënshtruar, me çdo seriozitet». Dhe kjo është e drejtë, sepse Pavli tha: «Nëse në të vërtetë një burrë nuk di të drejtojë shtëpinë e vet, si do të kujdeset për kongregacionin e Perëndisë?» (1. Timoteut 3:4, 5, NW) Kur Titi duhej të vendoste pleq në kongregacionin e ishullit të Kretës, i thanë që të shihte nëse kishte «ndonjë njeri të lirë prej akuzave, burrë i vetëm një gruaje, që [të kishte] bij besimtarë të paakuzuar për shthurje dhe mosbindje». (Titit 1:6, NW) Po, mënyra në të cilën një burrë kujdeset për familjen e tij është diçka që mbahet parasysh për të përcaktuar nëse është i aftë që të marrë një përgjegjësi më të rëndë, kullotjen e kongregacionit.
4. Përveç studimit të Biblës dhe lutjes së rregullt, në ç’mënyrë prindërit e krishterë tregojnë dashuri për familjen?
4 Burrat që e drejtojnë në mënyrë të shkëlqyeshme shtëpinë e tyre, nuk mjaftohen vetëm me lutjet dhe studimin e rregullt me familjen. Janë gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar të dashurit e tyre. Për ata që bëhen prindër, kjo gjë fillon ditën kur lind fëmija. Prindërit e krishterë e dinë se sa më shumë t’u mbahen shprehive të mira frymore, aq më parë fëmija do të përfshihet në programin e tyre të përditshëm të aktiviteteve të krishtere. Mënyra në të cilën babai i krishterë e drejton familjen nën këto aspekte, ndikon mbi kërkesat e tij si plak.—Efesianëve 5:15, 16; Filipianëve 3:16.
5. Si mund t’i rrisë fëmijët një baba i krishterë «në disiplinën dhe rregullin mendor të Jehovait»?
5 Në drejtimin e shtëpisë së tij, një baba i ndërgjegjshëm i krishterë e dëgjon këshillën e Pavlit: «Mos i ngacmoni bijtë tuaj, por vazhdoni t’i rritni me disiplinën dhe rregullin mendor të Jehovait.» (Efesianëve 6:4, NW) Studimi i rregullt me familjen—gruan dhe fëmijët—ofron mundësi të shkëlqyeshme për të dhënë udhëzime të dashura. Në këtë mënyrë fëmijët marrin «disiplinë», domethënë udhëzime për t’u korrigjuar. «Rregulli mendor» që vendoset në këtë mënyrë, ndihmon çdo fëmijë për të njohur pikëpamjen e Jehovait mbi gjërat. (Ligji i përtërirë 4:9; 6:6, 7; Proverbat 3:11; 22:6) Në ambientin e qetë të këtyre mbledhjeve frymore, babai i kujdesshëm i dëgjon me kujdes fëmijët kur flasin. Përdor me mirësi pyetje që i ndihmojnë fëmijët për të arsyetuar dhe shprehur me sinqeritet shqetësimet e tyre dhe mënyrat e tyre të të menduarit. Babai nuk niset me hamendjen se di gjithçka që kalon nëpër mendjet e tyre të reja. Në fakt, «kush jep përgjigje për një çështje para se ta ketë dëgjuar, tregon marrëzinë e tij për turp të vet»,—thotë Proverbat 18:13. (Zanafilla, Fjalët e urta, Dhjetë Urdhërimet e Zotit) Sot, shumica e prindërve e sheh se gjendjet në të cilat ndodhen fëmijët janë shumë të ndryshme nga ato në të cilat gjendeshin ata kur ishin të rinj. Si rrjedhim, babai duhet të përpiqet për të njohur prapaskenën dhe hollësirat e një problemi para se të thotë se si duhet përballuar.—Krahaso Jakovit 1:19.
6. Përse një baba i krishterë duhet të këshillohet me Fjalën e Perëndisë kur ndihmon familjen e vet?
6 Çfarë duhet bërë pasi të njihen problemet, shqetësimet dhe mënyrat e të menduarit të fëmijëve? Babai që drejton shtëpinë e tij në mënyrë të shkëlqyer këshillohet me Shkrimet, që janë «të dobishme për të mësuar, për të qortuar, për të korrigjuar, për të disiplinuar në drejtësi». U mëson fëmijëve të tij se si të zbatojnë rregullat e frymëzuara të Biblës. Në këtë mënyrë të rinjtë bëhen «plotësisht të aftë, tërësisht të përgatitur për çdo vepër të mirë».—2. Timoteut 3:16, 17, NW; Psalmi 78:1-4.
7. Çfarë shembulli duhet të japin baballarët e krishterë në lidhje me lutjen?
7 Shokët botërorë të shkollës mund t’ua vështirësojnë jetën të rinjve të devotshëm. Në ç’mënyrë, pra, baballarët e krishterë mund të largojnë frikën e fëmijëve? Një mënyrë është lutja e rregullt me ta dhe për ta. Kur këta të rinj duhet të përballojnë situata të vështira, ka shumë mundësi që të imitojnë besimin e treguar tek Perëndia nga prindërit e tyre. Një vajzë e vogël 13-vjeçare, e intervistuar para se të pagëzohej në simbol të dedikimit të saj ndaj Perëndisë, tha se kishte pësuar të tallura dhe keqtrajtime nga ana e shokëve të saj të shkollës. Kur kish mbrojtur bindjen e saj biblike mbi shenjtërinë e gjakut, disa vajza të tjera e kishin rrahur dhe pështyrë. (Veprat 15:28, 29) A ishte hakmarrë? Jo. «Vazhdova t’i kërkoj ndihmë Jehovait në lutje për të qëndruar e qetë,—shpjegoi.—Kujtoja, gjithashtu, se në studimin biblik familjar prindërit më kishin mësuar se duhet të jemi të durueshëm në të këqija.»—2. Timoteut 2:24.
8. Si mund ta drejtojë në mënyrë të shkëlqyeshme shtëpinë një plak që s’ka fëmijë?
8 Edhe ndonjë plak që nuk ka fëmijë mund të marrë masa të përshtatshme frymore dhe materiale për njerëzit e tij të familjes. Këta mund të jenë bashkëshortja dhe ndoshta disa të afërm të krishterë që jetojnë në shtëpinë e tij. (1. Timoteut 5:8) Drejtimi i shkëlqyer i shtëpisë nën këto aspekte është një nga kërkesat që duhet të plotësojë kush është emëruar plak kongregacioni. Në ç’mënyrë, pra, duhet t’i konsiderojnë pleqtë e emëruar privilegjet dhe përgjegjësitë e tyre në gjirin e kongregacionit?
Të drejtojë me «kujdes të vërtetë»
9. Si duhet t’i konsiderojnë pleqtë e krishterë detyrat e tyre të shërbimit?
9 Në shekullin e parë të erës sonë apostulli Pavël shërbente si administrator në shtëpinë e Perëndisë, në kongregacionin e krishterë nën autoritetin e Krishtit. (Efesianëve 3:2, 7; 4:15) Nga ana e vet, Pavli u dha këtë nxitje bashkëbesimtarëve të tij në Romë: «Pasi kemi . . . dhurata të ndryshme sipas dashamirësisë së pamerituar që na u dha, nëse është profeci, le të profetizojmë sipas pjesës së besimit që na u dha; nëse është shërbim, le t’i dedikohemi këtij shërbimi; kush mëson, le t’i dedikohet nxitjes së tij; kush ndan, le ta bëjë me zemërgjerësi; ai që drejton, le të drejtojë me kujdes të vërtetë; ai që tregon mëshirë, le ta bëjë me gëzim.»—Romakëve 12:6-8, NW.
10. Çfarë shembulli u dha Pavli pleqve të sotëm mbi kujdesin për kopenë e Perëndisë?
10 Pavli u kujtoi selanikasve: «Ashtu si një atë me bijtë e tij, nxitnim secilin prej jush dhe ju ngushëllonim e ju jepnim dëshmi, që të vazhdonit të ecnit në mënyrë të denjë për Perëndinë që ju thërret në mbretërinë e tij dhe në lavdinë e tij.» (1. Selanikasve 1:1; 2:11, 12, NW) Nxitja ishte bërë në një mënyrë kaq të butë dhe të dashur, saqë Pavli mundi të thoshte: «U bëmë të sjellshëm mes jush, si një nënë kur rrit bijtë e vet dhe kujdeset me butësi për ta. Kështu, duke pasur për ju dashuri të ngrohtë, ndjemë shumë kënaqësi t’ju jepnim jo vetëm lajmin e mirë të Perëndisë, por edhe vetë shpirtërat tanë, sepse u bëtë të dashur për ne.» (1. Selanikasve 2:7, 8, NW) Në përputhje me shembullin atëror të Pavlit, pleqtë besnikë shqetësohen thellësisht për të gjithë pjesëtarët e kongregacionit.
11. Në ç’mënyrë pleqtë e emëruar mund të tregohen të kujdesshëm?
11 Butësia dhe kujdesi duhet të karakterizojnë mbikëqyrjen e dashur që ushtrojnë barinjtë besnikë të krishterë. Mënyra e tyre e të vepruarit do të thotë shumë. Pjetri i këshillon pleqtë që të kullosin kopenë e Perëndisë «jo me detyrim . . . as nga dashuria për fitim të pandershëm». (1. Pjetrit 5:2) Në lidhje me këtë studiuesi William Barclay paralajmëroi: «Mund të pranohet një detyrë dhe të kryhet një shërbim sikur të ishte barrë e urryer dhe e papëlqyeshme, një bezdi, një peshë e rëndë. Mund të ndodhë që t’i kërkohet dikujt për të bërë diçka dhe ta bëjë, por me kaq përtesë, sa të shkatërrojë gjithë sa bën. . . . Ndërsa [Pjetri] thotë se çdo i krishterë duhet të jetë i padurueshëm për të kryer një shërbim të tillë sipas aftësive të tij, edhe pse me një frikë plot nderim dhe plotësisht i vetëdijshëm se nuk është i denjë për këtë.»
Barinj të vullnetshëm
12. Në ç’mënyrë pleqtë e krishterë mund të tregojnë një frymë të vullnetshme?
12 «Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj . . . vullnetarisht»,—nxiti Pavli. Mbikëqyrësi i krishterë që kujdeset për delet, e bën këtë vullnetarisht, me vullnet të lirë, nën udhëheqjen e Bariut të shkëlqyer, Jezu Krishtit. Fakti që bariu i krishterë shërben vullnetarisht, do të thotë se i nënshtrohet edhe autoritetit të Jehovait, «bariut dhe mbikëqyrësit të shpirtërave tanë». (1. Pjetrit 2:25) Nënbariu i krishterë shfaq vullnetarisht respekt për rregullimin teokratik. Këtë e bën duke e drejtuar atë që kërkon këshilla tek Fjala e Perëndisë, Bibla. Edhe pse përvoja mund ta ndihmojë një plak për të mbledhur një bagazh të mirë me këshilla të bazuara në Bibël, kjo nuk do të thotë se ai mund të gjejë sa hap e mbyll sytë zgjidhjen biblike për çdo problem. Edhe kur di t’i përgjigjet një pyetjeje, mund ta shohë me vend këshillimin me Index-in e botimeve Watch Tower (angl.) apo tregues të tjerë, së bashku me atë që e ka pyetur. Kështu mëson në dy mënyra: tregon se si mund të gjenden informatat e dobishme dhe me përulësi tregon respekt për Jehovain, duke tërhequr vëmendjen mbi atë që ka botuar organizata e Perëndisë.
13. Çfarë hapash mund të kryejnë pleqtë për të dhënë këshilla të vlefshme?
13 Çfarë mund të bëjë një plak nëse në botimet e Shoqatës nuk ka dalë kurrë asgjë mbi atë problem të veçantë? Me siguri do të kërkojë kuptueshmëri në lutje dhe do të përpiqet të kuptojë se cilat rregulla biblike kanë lidhje me argumentin. Gjithashtu, mund të jetë e dobishme që t’i sugjerohet atij që kërkon ndihmë, shqyrtimi i shembullit të Jezuit. Plaku mund të pyesë: «Nëse Mësuesi i madh, Jezui, do të gjendej në situatën tënde, çfarë mendon se do të bënte?» (1. Korintasve 2:16) Ky arsyetim mund ta ndihmojë atë që ka bërë pyetjen që të marrë një vendim të zgjuar. Por do të ishte me të vërtetë pak e mençur që një plak të paraqiste mendimin e tij personal, sikur të ishte një këshillë e bazuar biblike! Nëse problemi është i vështirë, plaku mund të bisedojë për të me ndonjë plak tjetër. Çështjet e rëndësishme mund t’i parashtrohen trupit të pleqve, që t’i diskutojë në një nga mbledhjet e veta. (Proverbat 11:14) Vendimet që do të dalin prej kësaj do t’u lejojnë të gjithë pleqve që të flasin në përputhje.—1. Korintasve 1:10.
Butësia është thelbësore
14, 15. Çfarë kërkohet prej pleqve, kur përpiqen të ndryshojnë një të krishterë që «ka bërë ndonjë hap të gabuar përpara se ta kuptojë»?
14 Një plak i krishterë duhet të manifestojë butësi kur mëson të tjerët, sidomos kur jep këshilla. «Vëllezër,—këshilloi Pavli,—edhe nëse një njeri bën ndonjë hap të gabuar përpara se ta kuptojë, ju që jeni frymësisht të kualifikuar përpiquni ta ndryshoni këtë njeri me një frymë butësie.» (Galatasve 6:1, NW) Është interesante të vërejmë se fjala greke e përkthyer këtu «ndryshoj», ka lidhje me një term mjekësor që do të thotë vë në vend një kockë për të shmangur një dëm të përhershëm. Leksikografi W. E. Vine e vendos këtë në lidhje me shërimin «nga ana e atyre që janë frymorë, e një individi që ka kryer një gabim, pasi ky është si një gjymtyrë e zhvendosur e trupit frymor.» Shprehja mund të përkthehet edhe «rregulloj; ndreq».
15 Nuk është e lehtë të ndreqësh mënyrën e të menduarit dhe mund të jetë shumë e vështirë të rregullosh arsyetimet e dikujt në gabim. Por nëse ndihma jepet me një frymë butësie, ka mundësi që të pranohet me mirënjohje. Si rrjedhojë pleqtë e krishterë duhet t’i kushtojnë vëmendje këshillës së Pavlit: «Vishuni me dashuri të butë dhembshurie, mirësi, modesti mendjeje, butësi dhe shpirtmadhësi.» (Kolosianëve 3:12, NW) Çfarë duhet të bëjnë pleqtë kur dikush që ka nevojë për t’u ndrequr ka një frymë negative? Duhet «të ndjekin butësi temperamenti».—1. Timoteut 6:11, NW.
Kujdes në kryerjen e veprës baritore
16, 17. Prej cilave rreziqe duhet të ruhen pleqtë kur japin këshilla?
16 Këshilla e Pavlit në Galatasve 6:1 shkon edhe më tej. Burrave të kualifikuar frymësisht ai u jep këtë nxitje: «Përpiquni ta ndryshoni [atë që gabon] me një frymë butësie, duke u kujdesur për vetveten, me qëllim që të mos tundohesh edhe ti.» (NW) Nëse nuk ndiqet kjo këshillë, mund të hasim vështirësi shumë serioze! Në vazhdim të lajmit se një prift anglikan kishte kryer tradhti bashkëshortore me dy famullesha, Times e Londrës shkruante se kjo është «një situatë që përsëritet shpesh: një burrë që jep këshilla, me qëndrim në dukje atëror apo vëllazëror, bie në tundim pikërisht për shkak të besimit që gëzon.» Pastaj, gazetari ka cituar dr. Peter Rutter, sipas të cilit «në shoqërinë tonë të lirë nga pikëpamja seksuale, shfrytëzimi i ndjenjave të pacienteve nga ana e këshilltarëve të tyre meshkuj—mjekë, avokatë, priftërinj dhe punëdhënës—është kthyer në një epidemi të turpshme, sëmundjeprurëse, që të përpin.»
17 Nuk duhet të mendojmë se shërbëtorët e Jehovait janë të imunizuar nga këto tundime. Një plak i respektuar, që kish shërbyer me besnikëri për shumë vite, kreu imoralitet pasi kishte bërë vizita baritore tek një motër e martuar, kur kjo ishte vetëm. Edhe i penduar, vëllai i humbi të gjitha privilegjet e shërbimit. (1. Korintasve 10:12) Si mund të kryejnë, pra, pleqtë vizita baritore në atë mënyrë që të mos bien në tundim? Çfarë mund të bëjnë për të takuar personin disi privatisht, për t’u lutur dhe për t’u këshilluar me Fjalën e Perëndisë dhe botimet e krishtere?
18. (a) Në ç’mënyrë parimi i autoritetit do t’i ndihmojë pleqtë për të shmangur situata kompromentuese? (b) Çfarë masash mund të merren kur duhet bërë një vizitë baritore tek një motër?
18 Një faktor që pleqtë duhet të mbajnë parasysh është parimi i autoritetit. (1. Korintasve 11:3) Nëse një djalë apo vajzë kërkon ndihmë, nëse është e mundur, përpiquni të përfshini në bisedë edhe prindërit. Nëse një motër e martuar kërkon ndihmë frymore, a mund të rregulloni që gjatë vizitës të jetë i pranishëm edhe burri? Ç’mund të bëjmë kur kjo është e pamundur apo kur ai nuk është besimtar, ose e keqtrajton në ndonjë farë mënyre? Atëherë ndiqni të njëjtën metodë që do të përdornit sikur të ishit në vizitë tek një motër e pamartuar. Do të ishte e zgjuar që dy pleq të kualifikuar të shkonin së bashku për të vizituar motrën. Nëse kjo nuk është e mundur, ndoshta të dy vëllezërit mund të gjejnë një çast të përshtatshëm për ta takuar në Sallën e Mbretërisë, mundësisht në një dhomë që lejon një farë ambienti privat. Pasi në Sallë ka edhe vëllezër dhe motra të tjera, edhe nuk mund ta shohin dhe dëgjojnë bisedën, ka mundësi për të shmangur çfarëdolloj shkaku për pengesë.—Filipianëve 1:9, 10.
19. Çfarë rezultatesh të mira kemi duke kullotur vullnetarisht delet e Perëndisë dhe kujt i shprehim mirënjohje për barinjtë vullnetarë?
19 Duke kullotur vullnetarisht kopenë e Perëndisë, kemi rezultate të mira: një kope të fortë frymësisht dhe të udhëhequr mirë. Si edhe apostulli Pavël, sot pleqtë e krishterë interesohen shumë për bashkëbesimtarët e tyre. (2. Korintasve 11:28) Përgjegjësia për të kullotur kopenë e Perëndisë në këto kohë të vështira, është veçanërisht e nderuar. Prandaj, jemi me të vërtetë mirënjohës për veprën e shkëlqyer që kryejnë vëllezërit tanë që shërbejnë si pleq. (1. Timoteut 5:17) Le t’i ofrojmë lavdi Dhënësit të «çdo dhurate të mirë dhe të shkëlqyeshme», Bariut tonë të dashur qiellor, Jehovait, që na ka bekuar me «dhurata në njerëz» që kullosin kopenë vullnetarisht.—Efesianëve 4:8; Jakovit 1:17.
Pyetjet për përsëritje
◻ Si mund ta drejtojë një burrë shtëpinë e tij në mënyrë të shkëlqyeshme?
◻ Cilat cilësi duhet ta karakterizojnë veprën e pleqve të krishterë?
◻ Si mund të japin pleqtë këshilla me përulësi dhe butësi?
◻ Çfarë i kontribuon efikasitetit në korrigjimin frymor?
◻ Në ç’mënyrë pleqtë mund të shmangin situata kompromentuese kur kollosin kopenë?
[Figura në faqen 31]
Vepra e krishterë baritore duhet bërë me butësi dhe gjykim të mirë