Si e shikon Perëndia adhurimin e të ashtuquajturit krishterim?
«JO ÇDO njeri që më thotë: ‘Zot, Zot’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve,—tha Jezu Krishti,—por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej. Shumë do të më thonë atë ditë: ‘O Zot, o Zot, a nuk . . . kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?’ Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: ‘Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi.’»—Mateu 7:21-23.
Me anë të Fjalës së tij të shenjtëruar, Biblës së Shenjtë, Perëndia ka bërë të qartë se cili është vullneti i tij. A po e bëjnë kishat e të ashtuquajturit krishterim vullnetin e Perëndisë? Apo janë si ato që Jezui i quajti ‘bërëse të paudhësisë’?
Gjakderdhja
Një natë para vdekjes së Zotit të tij, Pjetri gati sa s’filloi një konflikt të armatosur me grupin e ushtarëve, që ishte dërguar për të arrestuar Jezuin. (Gjoni 18:3, 10) Ndërsa Jezui ruajti qetësinë dhe e paralajmëroi Pjetrin: «Të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin.» (Mateu 26:52) Ky paralajmërim i qartë përsëritet në Zbulesën 13:10. A ia kanë vënë veshin asaj kishat e të ashtuquajturit krishterim? Ose, a mbajnë ato përgjegjësi për luftërat në vazhdim, në pjesë të ndryshme të tokës?
Qindra mijëra serbë e kroatë janë vrarë në emër të fesë gjatë Luftës II Botërore. «Në Kroaci,—raporton një enciklopedi,—regjimi fashist vendas vendosi një polici për ‘spastrimin racial’, gjë që shkoi përtej praktikave naziste. . . . Ishte deklaruar se një e treta e popullsisë serbe, do të dëbohej, një e treta do të ktheheshin në katolicizmin e Romës dhe një e treta do të asgjësohej. . . . Bashkëpunimi i njëanshëm i klerit katolik në këto praktika ka dëmtuar seriozisht marrëdhëniet kishë-shtet pas luftës.» (The New Encyclopædia Britannica) Njerëz të panumërt ishin të detyruar që ose të ktheheshin në katolikë, ose të vdisnin; mijëra të tjerëve as që nuk iu dha mundësia për të bërë një zgjedhje. Fshatra të tërë, burra, gra dhe fëmijë, u futën me forcë nëpër kishat e tyre ortodokse dhe u vranë. Ç’mund të thuhet për ushtritë kundërshtare komuniste? A patën edhe ato mbështetje fetare?
«Disa prej priftërinjve morën pjesë në luftë, duke mbajtur anën e forcave revolucionare»,—raporton libri History of Yugoslavia. «Ushtritë partizane arritën madje të përfshinin edhe priftërinjtë e Kishës Ortodokse Serbe dhe të Kishës Katolike të Romës»,—thuhet në librin Yugoslavia and the New Communism. Dallimet fetare vazhdojnë të ndezin flakët e luftës në Ballkan.
Po për Ruandën, ç’mund të thuhet? Sekretari i përgjithshëm i Institutit Katolik për Lidhjet Ndërkombëtare, Iën Linden, bëri pohimin e mëposhtëm në një gazetë: «Hetimet nga një lëvizje për të drejtat e njeriut (African Rights) në Londër, sigurojnë një ose dy shembuj se si udhëheqësit e Kishës lokale Katolike, Anglikane dhe Baptiste janë ngatërruar me ose pa autorizim në vrasjet e forcave ushtarake rezerviste. . . . Nuk ekziston absolutisht asnjë lloj dyshimi se një numër jo i vogël i atyre që janë të krishterë të njohur nëpër famulli, ishin përfshirë në vrasje.» (The Month) Mjerisht, përleshja mes të ashtuquajturve të krishterë vazhdon të plagosë Afrikën Qendrore.
Kurvëria dhe tradhtia bashkëshortore
Sipas Fjalës së Perëndisë, ka vetëm një rrethanë të ndershme për marrëdhënie seksuale dhe kjo është brenda lidhjes martesore. «Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.» (Hebrenjve 13:4) A po i përkrahin krerët e kishës këto mësime të Perëndisë?
Në 1989-n, Kisha Anglikane në Australi lëshoi një dokument zyrtar mbi aktivitetin seksual, i cili sugjeronte se nuk është e gabuar të kesh marrëdhënie seksuale para martesës, nëse çifti i ka premtuar njëri-tjetrit. Tani, kohët e fundit, kreu i Kishës Anglikane në Skoci, deklaroi: «Kisha nuk duhet t’i dënojë relacionet e dashurisë jashtë martese si mëkat dhe gabim. Ajo duhet ta pranojë tradhtinë bashkëshortore si të shkaktuar nga trashëgimia.»
Një numër klerikësh në Afrikën Jugore, janë shprehur në favor të homoseksualizmit. Për shembull, në vitin 1990, një revistë afrikano-jugore (You) citonte thënien e një ministri të njohur anglikan: «Jo gjithmonë Shkrimet të detyrojnë. . . . Mendoj se do të ketë ndryshime në qëndrimin dhe politikën e kishës kundrejt gay-ve.»—Krahaso Romakëve 1:26, 27.
Sipas një libri vjetor, aktiviteti seksual është bërë një problem mbizotërues në kishat amerikane, veçanërisht për çështje të tilla si «caktimi zyrtar i lesbikeve dhe i gay-ve të shpallur në shërbimin si klerikë, kuptueshmëria fetare mbi të drejtat e homoseksualëve, bekimi i ‘martesës mes gay-ve’ dhe e drejta ligjore ose dënimi i mënyrës së jetesës e shoqëruar me homoseksualizmin». (1994 Britannica Book of the Year) Një pjesë e mirë e shumicës së sekteve të kishës tolerojnë klerikë, që bëjnë fushatë për më shumë liri seksuale. Sipas një libri tjetër vjetor, 55 peshkopë episkopalë nënshkruan një deklaratë, «duke pohuar se e pranojnë urdhrin dhe praktikën homoseksuale».—1995 Britannica Book of the Year.
Disa klerikë sjellin prova në favor të homoseksualizmit, duke pohuar se Jezui nuk foli kurrë kundër tij. Por, a është vërtet ashtu? Jezu Krishti shpalli se Fjala e Perëndisë është e vërteta. (Gjoni 17:17) Kjo do të thotë se ai mbështeti pikëpamjen e Perëndisë mbi homoseksualizmin, siç përshkruhet në Levitikun 18:22, ku lexojmë: «Nuk do të kesh marrëdhënie seksuale me një burrë, ashtu si bëhet me një grua; është një gjë e neveritshme.» Për më tepër, Jezui e radhiti kurvërinë dhe tradhtinë bashkëshortore mes gjërave «të mbrapshta [të liga, BR], [që] dalin nga brenda dhe e ndotin njeriun». (Marku 7:21-23) Fjala greke e përkthyer kurvëri, është një term më i përgjithshëm sesa për tradhti bashkëshortore. Ajo përshkruan të gjitha format e marrëdhënieve seksuale jashtë martesës së ligjshme, duke përfshirë edhe homoseksualizmin. (Judës 7) Jezu Krishti i paralajmëroi, gjithashtu, ithtarët e tij që të mos toleronin asnjë mësues të quajtur të krishterë, që të minimizonte seriozitetin e kurvërisë.—Zbulesa 1:1; 2:14, 20.
Çfarë ndikimi ka mbi anëtarët e kishës së tyre dhe veçanërisht mbi të rinjtë, fushata e krerëve fetarë për emërimin zyrtar të homoseksualëve dhe lesbikeve? A nuk është një shtytje për të eksperimentuar me seksin jashtë martesës? Në ndryshim me ta, Fjala e Perëndisë i nxit të krishterët ‘të largohen nga kurvëria’. (1. Korintasve 6:18) Nëse një bashkëbesimtar bie në një mëkat të tillë, i jepet ndihmë e dashur me qëllim për ta kthyer atë në favorin e Perëndisë. (Jakovit 5:16, 19, 20) Po kur kjo ndihmë hidhet poshtë? Sipas Biblës, kushdo që vazhdon me vullnet të praktikojë kurvërinë, duhet shkishëruar. (1. Korintasve 5:1, 11, 13) Bibla deklaron se po të mos pendohen, këta «nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë».—1. Korintasve 6:9, 10.
‘Ndalimi i martesës’
Për shkak të «përhapjes së madhe të kurvërisë», Bibla thotë se «është më mirë të martohesh, sesa të digjesh nga pasioni». (1. Korintasve 7:2, 9, BR) Duke mos marrë parasysh këtë këshillë të mençur, shumë klerikëve u kërkohet të qëndrojnë beqarë, d.m.th., të pamartuar. «Betimi i beqarisë nuk thyhet,—shpjegon Nino Lo Belo në një libër të tij,—nëse prifti, murgu apo murgesha kryen marrëdhënie seksuale. . . . Falja për marrëdhëniet seksuale mund të fitohet, duke bërë një deklaratë të ndershme në rrëfyestore, kurse martesa e një prifti thjesht nuk do të pranohej nga kisha.» (The Vatican Papers) Ky mësim, ka sjellë fryte të mira apo të këqija?—Mateu 7:15-19.
Pa dyshim, shumë priftërinj bëjnë një jetë morale të dëlirë, por një numër i madh i tyre nuk bëjnë kështu. Sipas 1992 Britannica Book of the Year, «është raportuar se Kisha Katolike e Romës ka dhënë 300 milionë dollarë për të mbyllur çështjet e padive kundër abuzimit seksual të klerikëve». Më vonë, në botimin e 1994-s, thoshte: «Vdekja e një numri klerikësh nga SIDA, zbuloi praninë e priftërinjve gay dhe vëzhgimet se një numër i tepruar . . . gay ishin tërhequr drejt shërbimit priftëror.» S’ka asgjë për t’u çuditur, kur Bibla thotë se ‘ndalimi i martesës’ është një ‘doktrinë e demonëve’. (1. Timoteut 4:1-3) «Nga pikëpamja e disa historianëve,—shkruan Peter de Rosa në një libër të tij,—[beqaria priftërore] ka shumë mundësi t’i ketë bërë dëm moraleve më shumë se çdo institucion tjetër në botën Perëndimore, duke përfshirë prostitucionin. . . . Në të shumtën e rasteve, ka qenë një turp në emër të krishterimit. . . . Beqaria e detyruar ka çuar gjithmonë në hipokrizi mes radhëve të klerikëve. . . . Një prift mund të bjerë në imoralitet me mijëra herë, ndërsa ligji i kanunit ia ndalon të martohet njëherë e mirë.»—Vicars of Christ.
Pasi kemi shqyrtuar pikëpamjen e Perëndisë mbi adhurimin e Baalit, nuk është e vështirë të dallojmë se si duhet ta shikojë ai kishën e përçarë të të ashtuquajturit krishterim. Libri i fundit i Biblës i bashkon të gjitha format e adhurimit të rremë nën emrin «Babilonia e madhe, nëna e lavireve dhe e neverive të dheut». «Në të,—shton Bibla,—u gjet gjak profetësh dhe shenjtorësh dhe i gjithë atyre që janë vrarë mbi dhe.»—Zbulesa 17:5; 18:24.
Prandaj, Perëndia i nxit të gjithë ata që dëshirojnë të jenë adhuruesit e tij të vërtetë: «Dilni prej saj, o populli im, që të mos bëheni pjesëtarë të mëkateve të saj dhe të mos merrni nga plagët e saj, . . . në një ditë të vetme do të vijnë plagët e saj: vdekja, vaji dhe zia e bukës; edhe do të digjet krejt në zjarr, sepse i fuqishëm është Zoti Perëndia, ai që e gjykon atë.»—Zbulesa 18:4, 8.
Tani ngrihet pyetja: Pasi një person të dalë nga feja e rremë, ku duhet të shkojë ai? Cila formë adhurimi është e pranueshme për Perëndinë?
[Kutia dhe figura në faqen 5]
Idhujtaria
Adhurimi i Baalit përfshinte përdorimin e idhujve. Izraelitët u përpoqën ta përzienin adhurimin e Jehovait me atë të Baalit. Ata madje sollën idhuj në tempullin e Jehovait. Pikëpamja e Perëndisë mbi adhurimin e idhujve ishte dhënë e qartë, kur ai shkatërroi Jerusalemin dhe tempullin e tij.
Shumë kisha të të ashtuquajturit krishterim janë plot me idhuj, sido qofshin ato: në formën e kryqit, të ikonave apo të statujave të Marisë. Më keq akoma, shumë nga ata që shkojnë në kishë u mësohet të përkulen, të gjunjëzohen ose të bëjnë shenjën e kryqit para këtyre figurave. Në ndryshim me ta, të krishterëve të vërtetë u është urdhëruar ‘të largohen nga idhujtaria’. (1. Korintasve 10:14) Ata nuk mundohen ta adhurojnë Perëndinë me ndihmën e objekteve materiale.—Gjoni 4:24.
[Burimi]
Muzeu i Luvrit, Paris
[Kutia në faqen 7]
«Kryetari i bashkësisë duhet të jetë njeriu që s’ka të sharë»
KJO shprehje është marrë nga Titit 1:7, sipas përkthimit Bibla—Dhiata e re dhe Dhiata e Vjetër (ECM). Në përkthimin Diodati i Ri, lexojmë: «Peshkopi . . . duhet të jetë i paqortueshëm.» Fjala «peshkop» vjen nga një fjalë greke që do të thotë «mbikëqyrës». Prandaj, njerëzit që janë caktuar për të marrë drejtimin në kongregacionin e vërtetë të krishterë, duhet të jetojnë në lartësinë e normave themelore të Biblës. Nëse nuk e bëjnë, ata duhet të shkarkohen nga pozita e tyre e mbikëqyrjes, pasi nuk janë më «shembull për tufën». (1. Pjetrit 5:2, 3) Sa seriozisht është marrë kjo kërkesë nga kishat e të ashtuquajturit krishterim?
Dr. Everet Uorthington i referohet në një libër të tij (I Care About Your Marriage), një ankete të bërë mes 100 pastorëve, në shtetin e Virxhinias, në SHBA. Mbi 40 për qind e tyre pranuan se kishin pasur ndonjë ngjallje pasioni me dikë që nuk ka qenë partneri i tyre martesor. Një pjesë e madhe e tyre kishte kryer tradhti bashkëshortore.
«Gjatë dekadave të kaluara,—vëren një revistë,—kisha është lëkundur vazhdimisht nga zbulimi i sjelljes imorale të disa krerëve të saj më të respektuar.» (Christianity Today) Artikulli «Përse pastorët që kanë kryer tradhti bashkëshortore nuk duhet të ngjiten prapë në atë pozitë», sfidonte praktikën e zakonshme të të ashtuquajturit krishterim për t’i vendosur shumë shpejt krerët e kishës në pozitat e mëparshme, pasi ishin «dënuar për mëkat seksual».