KAPITULLI 19
Qëndro i lidhur ngushtë me Jehovain
1, 2. Ku mund të gjejmë mbrojtje?
IMAGJINO sikur ndodhesh jashtë në mot të keq. Qielli nxihet dhe fillojnë të bien vetëtima e bubullima. Pastaj nis një rrebesh. Menjëherë kërkon një vend ku të fshihesh. Sa lehtësohesh kur më në fund gjen një vend të sigurt e të thatë!
2 Sot jemi në një situatë të ngjashme. Kushtet e botës po bëhen gjithnjë e më keq. Mbase pyet veten: «Ku mund të gjej mbrojtje?» Një psalmist i Biblës shkroi: «Do t’i them Jehovait: ‘Ti je streha dhe kalaja ime, Perëndia im, tek i cili kam besim.’» (Psalmi 91:2) Po, Jehovai mund të na lehtësojë nga problemet që tani dhe na jep një shpresë të mrekullueshme për të ardhmen.
3. Si mund ta bëjmë Jehovain strehën tonë?
3 Si mund të na mbrojë Jehovai? Ai mund të na ndihmojë të përballojmë çdo lloj problemi. Perëndia është shumë më i fuqishëm se kushdo që përpiqet të na dëmtojë. Edhe nëse tani na ndodh diçka e keqe, jemi të sigurt se, në të ardhmen, Jehovai do ta ndreqë dëmin. Bibla na nxit: «Qëndroni në dashurinë e Perëndisë.» (Juda 21) Që Jehovai të na ndihmojë në kohë të vështira, duhet të qëndrojmë të lidhur ngushtë me të. Por, si mund ta bëjmë këtë?
PËRGJIGJJU DASHURISË SË PERËNDISË
4, 5. Si e ka treguar Jehovai dashurinë e tij për ne?
4 Për të qëndruar të lidhur ngushtë me Jehovain, duhet të kuptojmë sa shumë na do ai. Mendo për gjithë sa ka bërë Jehovai për ne. Ai na ka dhënë një planet të bukur plot me bimë e kafshë që të lënë pa fjalë, si dhe ushqime të shijshme e ujë të pastër. Veç kësaj, nëpërmjet Biblës, Jehovai na ka mësuar emrin dhe cilësitë e tij të mrekullueshme. Mbi të gjitha, ai tregoi sa shumë na do duke dërguar në tokë Birin e tij të dashur, Jezuin, që të jepte jetën për ne. (Gjoni 3:16) Falë atij flijimi, kemi një shpresë të mrekullueshme për të ardhmen.
5 Për më tepër, Jehovai ka siguruar Mbretërinë Mesianike, një qeveri qiellore që shumë shpejt do t’u japë fund vuajtjeve. Mbretëria do ta kthejë tokën në një parajsë ku të gjithë do të jetojnë përgjithmonë të lumtur e në paqe. (Psalmi 37:29) Jehovai ka treguar se na do edhe duke na mësuar si të jetojmë në mënyrën më të mirë sot për sot. Gjithashtu, ai na fton t’i lutemi dhe është gjithnjë gati të na dëgjojë. Po, Jehovai e ka treguar qartë dashurinë e tij për secilin prej nesh.
6. Si duhet t’i përgjigjemi dashurisë së Jehovait?
6 Si duhet t’i përgjigjemi dashurisë së Jehovait? Tregoji se je mirënjohës për gjithçka që ka bërë për ty. Mjerisht, shumë njerëz sot janë mosmirënjohës. Kështu ishte edhe në kohën e Jezuit. Në një rast, Jezui shëroi dhjetë të lebrosur, por vetëm njëri e falënderoi. (Luka 17:12-17) Ne duam të veprojmë si burri që e falënderoi Jezuin dhe t’i jemi gjithnjë mirënjohës Jehovait.
7. Deri në ç’masë duhet ta duam Jehovain?
7 Veç kësaj, dashuria jonë për Jehovain duhet të duket qartë. Jezui u tha dishepujve të tij ta donin Jehovain me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me gjithë mendje. (Lexo Mateun 22:37.) Çfarë do të thotë kjo?
8, 9. Si mund të tregojmë se e duam Jehovain?
8 A mjafton vetëm të themi se e duam Jehovain? Jo. Nëse e duam Jehovain me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen tonë, do ta tregojmë me vepra. (Mateu 7:16-20) Bibla na mëson qartë se, nëse e duam Perëndinë, do t’u bindemi urdhërimeve të tij. A është e vështirë kjo? Jo, sepse «urdhërimet e [Jehovait] nuk janë të rënda».—Lexo 1 Gjonit 5:3.
9 Kur i bindemi Jehovait, kemi një jetë të lumtur e domethënëse. (Isaia 48:17, 18) Tani le të shohim se çfarë do të na ndihmojë të qëndrojmë të lidhur ngushtë me Jehovain.
LIDHU GJITHNJË E MË NGUSHTË ME JEHOVAIN
10. Pse duhet të mësosh pareshtur për Jehovain?
10 Si u bëre mik me Jehovain? Duke studiuar Biblën, arrite ta njihje më mirë Jehovain dhe lidhe miqësi me të. Kjo miqësi është si një zjarr që s’do të doje të shuhej. Sikurse duhet t’i hedhësh dru zjarrit që të mos shuhet, duhet të mësosh pareshtur për Jehovain që miqësia juaj të mbetet e fortë.—Proverbat 2:1-5.
11. Si do të ndikojnë te ti mësimet e Biblës?
11 Ndërsa studion Biblën, do të mësosh gjëra që të prekin vërtet. Shiko si u ndienë dy dishepuj të Jezuit ndërsa ai u shpjegonte profecitë e Biblës. Ata thanë: «A nuk na digjej zemra kur po na fliste rrugës dhe po na i zbërthente plotësisht Shkrimet?!»—Luka 24:32.
12, 13. (a) Çfarë mund t’i ndodhë dashurisë që kemi për Perëndinë? (b) Çfarë duhet të bëjmë që të mos e lëmë dashurinë për Jehovain të shuhet?
12 Edhe ti mund të jesh ndier si ata dishepuj kur fillove të kuptosh Biblën. Kjo të ka ndihmuar ta njohësh e ta duash Jehovain. Mos lejo kurrë që dashuria për Perëndinë të ftohet!—Mateu 24:12.
13 Tani që je bërë mik me Perëndinë, duhet të përpiqesh shumë që ta mbash të fortë këtë miqësi. Duhet të vazhdosh të mësosh për të e për Jezuin, të meditosh për gjërat që mëson e të mendosh si t’i zbatosh në jetë. (Gjoni 17:3) Kur lexon ose studion Biblën, pyete veten: «Çfarë më mëson kjo për Perëndinë Jehova? Pse duhet ta dua Jehovain me gjithë zemër e me gjithë shpirt?»—1 Timoteut 4:15.
14. Si na ndihmon lutja ta mbajmë të fortë dashurinë për Jehovain?
14 Kur kemi një mik të ngushtë, flasim rregullisht me të, dhe kjo e mban të fortë miqësinë. Po kështu, kur flasim rregullisht me Jehovain në lutje, e mbajmë të fortë dashurinë për të. (Lexo 1 Selanikasve 5:17.) Lutja është një dhuratë e çmuar prej Atit tonë qiellor. Duhet të flasim gjithnjë me të nga zemra. (Psalmi 62:8) Nuk duhet t’i përsëritim lutjet përmendësh, por duhet të shprehim atë që mendojmë vërtet. Po, nëse vazhdojmë të studiojmë Biblën e të lutemi nga zemra, do ta mbajmë të fortë dashurinë për Jehovain.
T’U FLASIM TË TJERËVE PËR JEHOVAIN
15, 16. Çfarë mendon për veprën e predikimit?
15 Që të qëndrojmë të lidhur ngushtë me Jehovain, duhet edhe t’u flasim të tjerëve për besimin tonë. Të flasësh për Jehovain është një privilegj i mrekullueshëm. (Luka 1:74) Por është edhe një përgjegjësi që Jezui ua dha të gjithë dishepujve. Gjithsecili prej nesh duhet të predikojë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Po ti, a ke filluar të predikosh?—Mateu 24:14; 28:19, 20.
16 Apostulli Pavël e konsideronte shumë të çmuar veprën e predikimit, madje e quajti një «thesar». (2 Korintasve 4:7) T’u flasësh të tjerëve për Jehovain dhe qëllimin e tij, është vepra më e rëndësishme që mund të bësh. Kjo është një nga mënyrat si i shërbejmë Jehovait, dhe ai e vlerëson çdo gjë që bëjmë për të. (Hebrenjve 6:10) Përveç kësaj, predikimi të sjell dobi ty dhe atyre që të dëgjojnë. Nëpërmjet tij ndihmon ata dhe veten për t’iu afruar Jehovait e për të marrë jetën e përhershme. (Lexo 1 Korintasve 15:58.) A ka ndonjë vepër tjetër që fal më shumë kënaqësi?!
17. Pse është urgjente vepra e predikimit?
17 Vepra e predikimit është shumë urgjente. Duhet ‘të predikojmë fjalën’ dhe këtë duhet ‘ta bëjmë me urgjencë’. (2 Timoteut 4:2) Njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë për Mbretërinë e Perëndisë. Bibla thotë: «Dita e madhe e Jehovait është afër! Është afër dhe po vjen me të shpejtë!» Po, fundi «nuk do të vonojë»! (Sofonia 1:14; Habakuku 2:3) Shumë shpejt, Jehovai do ta shkatërrojë botën e ligë të Satanait. Para se të ndodhë kjo, njerëzit duhen lajmëruar që të kenë mundësi t’i shërbejnë Jehovait.
18. Pse duhet ta adhurojmë Jehovain bashkë me shërbëtorët e tij?
18 Jehovai do që shërbëtorët e tij ta adhurojnë së bashku. Bibla thotë: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për të shfaqur dashuri dhe për të bërë vepra të shkëlqyera, e të mos i lëmë pas dore mbledhjet tona, siç e kanë zakon disa, por t’i japim zemër njëri-tjetrit, aq më tepër tani që e shohim se dita po afrohet.» (Hebrenjve 10:24, 25) Duhet të bëjmë çmos t’i ndjekim të gjitha mbledhjet, pasi na japin mundësi të inkurajojmë e të forcojmë njëri-tjetrin.
19. Çfarë do të na ndihmojë t’i duam vëllezërit e motrat?
19 Në mbledhje do të gjesh miq të mirë që të ndihmojnë të adhurosh Jehovain. Do të takosh vëllezër e motra me formime e personalitete të ndryshme, të cilët, njëlloj si ti, bëjnë çmos për të adhuruar Jehovain. Por edhe ata, ashtu si ti, janë të papërsosur e bëjnë gabime. Ndaj, tregohu i gatshëm të falësh. (Lexo Kolosianëve 3:13.) Përqendrohu gjithnjë te cilësitë e mira të vëllezërve e të motrave. Kjo do të të ndihmojë t’i duash e të afrohesh gjithnjë e më shumë me Jehovain.
JETA E VËRTETË
20, 21. Çfarë është ‘jeta e vërtetë’?
20 Jehovai do që miqtë e tij të kenë jetën më të mirë të mundshme. Bibla mëson se jeta që do të gëzojmë në të ardhmen, do të jetë krejt ndryshe nga jeta e sotme.
21 Në të ardhmen do të jetojmë përgjithmonë, jo vetëm 70 a 80 vjet. Do të gëzojmë «jetën e përhershme» me shëndet të përsosur, plot paqe e lumturi, në një parajsë të bukur. Bibla e quan këtë ‘jeta e vërtetë’. Kjo është jeta që Jehovai premton të na japë, por duhet të bëjmë gjithçka që mundemi ‘për ta rrokur’.—1 Timoteut 6:12, 19.
22. (a) Si mund ‘ta rrokim jetën e vërtetë’? (b) Pse jetën e përhershme nuk e fitojmë dot me forcat tona?
22 Si mund ‘ta rrokim jetën e vërtetë’? Duhet ‘të punojmë për të mirën’ dhe ‘të jemi të pasur në vepra të shkëlqyera’. (1 Timoteut 6:18) Kjo do të thotë se duhet të zbatojmë gjërat që mësojmë në Bibël. Megjithatë, sado të përpiqemi, jetën e vërtetë nuk e fitojmë dot me forcat tona. Ajo është një dhuratë që Jehovai ua jep falas shërbëtorëve besnikë nga ‘mirësia e tij e pamerituar’. (Romakëve 5:15) Ati ynë qiellor do me gjithë zemër t’ua japë këtë dhuratë shërbëtorëve të tij.
23. Pse tani është koha që të bësh zgjedhjet e duhura?
23 Pyete veten: «A po e adhuroj Perëndinë ashtu siç do ai?» Nëse zbulon se duhet të bësh ndryshime, vepro menjëherë. Kur mbështetemi te Jehovai dhe bëjmë çmos që t’i bindemi, Jehovai bëhet streha jonë. Ai do t’i mbrojë shërbëtorët e tij gjatë ditëve të fundit të botës së ligë të Satanait. Pastaj Jehovai do të mbajë premtimin që të jetojmë përgjithmonë në Parajsë. Po, nëse tani bën zgjedhjet e duhura, mund të kesh jetën e vërtetë!