Ec si i mësuar nga Perëndia
«Le të ngjitemi në malin e Jehovait . . . , dhe ai do të na mësojë për rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.»—MIKEA 4:2, BR.
1. Sipas profetit Mikea, çfarë do të bënte Perëndia për popullin e tij në ditët e fundit?
PROFETI i Perëndisë, Mikea, paratha se «në pjesën përfundimtare të ditëve» në kohën tonë, shumë njerëz do ta kërkonin Perëndinë për ta adhuruar. Do të inkurajonin njëri-tjetrin, duke thënë: «Le të ngjitemi në malin e Jehovait . . . , dhe ai do të na mësojë për rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.»—Mikea 4:1, 2, BR.
2, 3. Si është plotësuar sot ajo që paratha Pavli se njerëzit do të ishin të dashuruar pas parasë?
2 Studimi ynë i 2. Timoteut 3:1-5 mund të na ndihmojë të shohim rezultatet e të mësuarit nga Perëndia në «ditët e fundit». Në artikullin e mëparshëm filluam duke vërejtur bekimet që do t’u vinin atyre që e marrin për zemër paralajmërimin e Pavlit për të mos qenë «të dashuruar pas vetvetes». Pavli shtoi se në kohën tonë njerëzit do të ishin edhe «të dashuruar pas parasë».
3 Askush nuk ka nevojë për një diplomë të historisë moderne për të kuptuar se sa mirë i përshkruajnë këto fjalë kohët tona. A të ka rënë rasti të lexosh për financierë dhe drejtues ndërmarrjesh që nuk kënaqen duke fituar çdo vit miliona dollarë? Këta njerëz të dashuruar pas parasë duan gjithnjë e më shumë, duke përdorur edhe mjete të paligjshme. Fjalët e Pavlit i përshtaten sot mirë edhe shumë personave që, edhe pse nuk janë të pasur, janë po aq lakmitarë, saqë nuk kënaqen kurrë. Ndoshta njeh shumë të tillë në zonën tënde.
4-6. Si i ndihmon Bibla të krishterët për të mos u dashuruar pas parasë?
4 A është një aspekt i pashmangshëm i natyrës njerëzore ajo që përmendi Pavli? Jo sipas Autorit të Biblës, i cili shumë kohë më parë deklaroi këtë të vërtetë: «Dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të keqe dhe duke vrapuar pas kësaj dashurie disa janë shmangur nga besimi dhe janë plagosur kudo me shumë vuajtje.» Vëre se Perëndia nuk thotë se «paraja është rrënja e çdo lloj gjëje të keqe». Ai thotë se është «dashuria për para».—1. Timoteut 6:10, BR.
5 Është interesante të vërejmë që konteksti i fjalëve të Pavlit pohonte se disa të krishterë të zotë të shekullit të parë kishin pasuri në atë sistem gjërash, qoftë të trashëguar apo të fituar. (1. Timoteut 6:17) Prandaj, është e dukshme se sido që të jetë gjendja jonë financiare, Bibla na paralajmëron për rrezikun që të dashurohemi pas parasë. A na ofron Bibla ndonjë mësim tjetër mbi atë se si ta shmangim këtë difekt të rëndë dhe të zakonshëm? Sigurisht që po, si për shembull, në Predikimin e Jezuit në Mal. Ky fjalim i Jezuit është i famshëm në të gjithë botën për mençurinë që përmban. Vëre, për shembull, se çfarë tha Jezui tek Mateu 6:26-33.
6 Siç tregohet tek Luka 12:15-21, Jezui foli për një të pasur që përpiqej të grumbullonte sa më shumë pasuri, por që papritur humbi jetën. Çfarë mësimi donte të jepte Jezui? Ai tha: «Ruhuni nga çdo lloj lakmie, sepse edhe kur dikush ka me bollëk jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.» (BR) Bashkë me këtë këshillë, Bibla dënon dembelizmin dhe nxjerr në pah vlerën e punës së ndershme. (1. Selanikasve 4:11, 12) Disa mund të kundërshtojnë duke thënë se mësime të tilla nuk janë të përshtatshme për kohët tona—por në të vërtetë janë dhe rezultatet shihen.
Të mësuar dhe të bekuar
7. Ç’arsye kemi për të pasur besim se këshillat biblike mbi pasurinë mund të zbatohen me sukses?
7 Nga njëri komb në tjetrin do të gjesh shembuj të vërtetë burrash dhe grash të çdo shtrese shoqërore dhe ekonomike, që i kanë vënë në praktikë këto mësime hyjnore lidhur me paranë. Kanë nxjerrë dobi për veten dhe për familjet e tyre, saqë edhe të tjerët përreth mund ta shohin. Për shembull, në një libër të botuar nga shtëpia botuese e Universitetit Princeton, një antropolog shkruan: «Nga botimet e [Dëshmitarëve] dhe nga fjalimet e mbajtura në kongregacione, atyre u kujtohet se reputacioni i tyre nuk varet nga makinat e reja, rrobat e shtrenjta apo nga një jetë luksoze. Në të njëjtën kohë, Dëshmitari nuk duhet të humbasë kohën e punës dhe duhet të jetë i ndershëm në ndërgjegje . . . Nëse ka këto cilësi, edhe një njeri që s’ka aftësi të mëdha, bëhet një nëpunës i dobishëm dhe disa Dëshmitarë në Filadelfian veriore [SH.B.A.] kanë zënë vende pune me përgjegjësi të madhe.» (Religious Movements in Contemporary America) Qartë, njerëzit që kanë pranuar të mësohen nga Perëndia përmes Fjalës së tij kanë qenë të zgjuar ndaj qëndrimeve që e bëjnë të vështirë jetën në kushtet aktuale. Përvoja e tyre tregon se mësimet biblike të udhëheqin në një jetë më të mirë, më të lumtur.
8. Përse «mburracakët», «mendjemëdhenjtë» dhe «blasfemuesit» mund të grupohen së bashku dhe cili është kuptimi i këtyre tre termave?
8 Mund të grupojmë së bashku tri gjërat vijuese që radhiten nga Pavli. Në ditët e fundit njerëzit do të ishin «mburracakë, mendjemëdhenj, blasfemues». Këto tri gjëra nuk janë të njëjta, por janë të lidhura me krenarinë. Përpara janë «mburracakët». Një fjalor thotë që fjala bazë greke e përdorur këtu për mburracak nënkupton: «‘Atë që mendon për vete më tepër se është e drejtë’ ose ‘që premton gjëra që nuk është në gjendje t’i bëjë’.» Mund të kuptosh se përse disa Bibla përdorin fjalën «vetëlavdëronjës». Pastaj vijnë «mendjemëdhenjtë», ose fjalë për fjalë «që duken më superiorë». Në fund «blasfemuesit». Disa mund të mendojnë që blasfemuesit janë ata që flasin në mënyrë mosrespektuese ndaj Perëndisë, por termi themelor përfshin fyerje, shpifje ose të folur poshtërues kundër njerëzve. Pra, Pavli i referohet blasfemisë si kundër Perëndisë, ashtu edhe kundër njerëzve.
9. Në kontrast me qëndrimin e dëmshëm mbizotërues, cilën cilësi na inkurajon Bibla të kultivojmë?
9 Si ndihesh kur gjendesh afër njerëzve që i ngjajnë përshkrimit të Pavlit, qofshin shokët e punës, të shkollës apo farefis? A ta bëjnë jetën më të lehtë? Apo ta ndërlikojnë jetën, duke ta bërë më të vështirë përballimin e kohëve tona? Prandaj, Fjala e Perëndisë na mëson t’i shmangim këto qëndrime, duke na ofruar mësime të tilla si ato që gjenden në 1. Korintasve 4:7; Kolosianëve 3:12, 13 dhe Efesianëve 4:29.
10. Ç’gjë tregon se populli i Jehovait nxjerr dobi nga pranimi i mësimeve biblike?
10 Megjithëse të krishterët janë të papërsosur, në këto kohë kritike për ta është një ndihmë e madhe zbatimi i këtyre mësimeve të shkëlqyera. Revista italiane La Civiltà Cattolica tha se një nga shkaqet e rritjes së vazhdueshme të Dëshmitarëve të Jehovait «është se lëvizja u jep pjesëtarëve një identitet të fortë dhe të saktë». Me shprehjen «identitet të fortë», mos ndoshta shkrimtari donte të thoshte «mburracakë, mendjemëdhenj, blasfemues»? Përkundrazi, revista e jezuitëve vëren se lëvizja «u jep pjesëtarëve një identitet të fortë dhe të saktë dhe është për ta një vend ku mikpriten me ngrohtësi e ndjenjë vëllazërie e solidariteti». A nuk është e dukshme se gjërat që u janë mësuar Dëshmitarëve janë ndihmë për ta?
Mësime që u sjellin dobi pjesëtarëve të familjes
11, 12. Si e përshkroi Pavli me saktësi se si do të ishte situata në shumë familje?
11 Ndoshta mund të grupojmë së bashku katër gjërat e mëtejshme, që në njëfarë mënyre janë të lidhura. Pavli paratha se gjatë ditëve të fundit, shumë do të jenë «të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa dashuri natyrore». Ti e di se dy prej këtyre defekteve—mosmirënjohja dhe pabesia—janë gjithkund përreth nesh. Por, lehtë mund të kuptojmë se përse Pavli i vuri midis qenies «të pabindur ndaj prindërve» dhe «pa dashuri natyrore». Këto katër aspekte negative janë të lidhura me njëra-tjetrën.
12 Në fakt, cilido person i kujdesshëm—i ri apo i moshuar—duhet të pranojë se mosbindja ndaj prindërve është shumë e përhapur dhe që problemi po keqësohet. Shumë prindër ankohen se të rinjtë janë mosmirënjohës ndaj çfarëdolloj gjëje që bëhet për ta. Shumë të rinj protestojnë duke thënë se prindërit nuk janë me të vërtetë besnikë ndaj tyre (ose ndaj familjes në përgjithësi), por janë plotësisht të dhënë pas punës, kënaqësive ose edhe vetëm pas vetes. Në vend që të përpiqemi të vendosim se i kujt është faji, le të vërejmë rezultatet. Shkëputja midis të rriturve e të rinjve bën shpesh që adoleshentët të formojnë kodin e tyre moral ose jomoral. Cilat janë pasojat? Një përqindje marramendëse shtatzënish mes adoleshentëve, aborte dhe sëmundje të transmetuara në rrugë seksuale. Shpesh mungesa e dashurisë natyrore në shtëpi çon në dhunë. Ndoshta mund të citosh shembuj që kanë ndodhur në zonën tënde—prova që tregojnë se dashuria natyrore po zhduket.
13, 14. (a) Përballë keqësimit të shumë familjeve, përse duhet t’i kushtojmë vëmendje Biblës? (b) Cilat këshilla të mençura na ofron Perëndia lidhur me jetën familjare?
13 Ndoshta kjo shpjegon se përse gjithnjë e më shumë persona vihen kundër atyre që më parë konsideroheshin pjesë e një rrethi familjar më të gjerë, e të njëjtit kulm, fis apo grup. Megjithatë, ki parasysh se nuk po i përmendim këto gjëra për të nxjerrë në pah aspektet negative të jetës së sotme. Dy pikat kryesore që na interesojnë janë: A mund të na ndihmojnë mësimet biblike për të shmangur vuajtjet nga gjërat shkatërrimtare të radhitura nga Pavli dhe a do të nxjerrim dobi duke i zbatuar mësimet biblike në jetën tonë? Duhet t’u përgjigjemi po, që të dyja pyetjeve, siç duket në lidhje me katër gjërat në listën e Pavlit.
14 Nuk është e detyruar të pohojmë se asnjë mësim nuk i kalon ato të Biblës në nxitjen e një jete familjare që të ngroh zemrën dhe që ka sukses. Ja një shembull që tregon se këshillat që përmban ajo mund t’i ndihmojnë familjarët jo vetëm për të shmangur grackat, por edhe për të pasur sukses. Kolosianëve 3:18-21 e ilustron mirë këtë, megjithëse ka shumë pjesë të tjera të shkëputura mjaft të bukura dhe praktike drejtuar burrave, grave dhe fëmijëve. Këto mësime veprojnë në ditët tona. Të flasim sinqerisht, edhe në familjet e të krishterëve të vërtetë ka ngatërresa dhe sfida. Megjithatë, në përgjithësi rezultatet tregojnë se Bibla siguron një mësim shumë të dobishëm për familjet.
15, 16. Cilën situatë vërejti një kërkuese, duke studiuar Dëshmitarët e Jehovait në Zambia?
15 Për një vit e gjysmë një kërkuese e Universitetit të Lethbrixh-it, në Kanada, ka studiuar jetën shoqërore në Zambia. Ja përfundimet e saj: «Dëshmitarët e Jehovait ia dalin mbanë më mirë sesa anëtarët e sekteve të tjera për të mbajtur të qëndrueshme bashkimet martesore. . . . Suksesi i tyre paraqet një marrëdhënie të ndryshme midis burrit dhe gruas, të cilët meqë kanë mësuar të bashkëpunojnë, duhet t’i japin llogari për mënyrën se si e trajtojnë njëri-tjetrin një figure të re, Perëndisë. . . . Burri Dëshmitar i Jehovait mëson të marrë përgjegjësi për të mirën e gruas dhe të fëmijëve. . . . Burri dhe gruaja janë të inkurajuar të jenë persona me integritet . . . Kjo kërkesë e lartë e integritetit e çimenton martesën.»
16 Ky studim bazohej mbi përvoja të shumta të jetës reale. Për shembull, kjo kërkuese ka thënë se në kundërshtim me normën «burrat Dëshmitarë të Jehovait e ndihmojnë më shpesh gruan në kopsht jo vetëm gjatë fazës së përgatitjes së tokës, por edhe në punën për mbjelljen dhe prashitjen.» Është e dukshme, pra, se përvoja të panumërta në mbarë tokën tregojnë se mësimet biblike ndikojnë mbi jetën e personave.
17, 18. Cilat rezultate mahnitëse dolën në pah në një studim rreth trashëgimive fetare dhe marrëdhënieve paramartesore?
17 Në artikullin e mëparshëm përmendëm rezultatet e një kërkimi, të botuara në një revistë shkencore e fetare. (Journal for the Scientific Study of Religion) Në vitin 1991, ajo përmbante një artikull të titulluar «Traditat e trashëguara fetare dhe marrëdhëniet paramartesore: përfundime të një mostre kombëtare për djem të rritur.» Ndoshta e di se sa të përhapura janë marrëdhëniet paramartesore. Në moshë të re shumëkush bie para pasioneve dhe shumë adoleshentë kanë marrëdhënie me shumë partnerë. A mund ta ndryshojnë mësimet biblike këtë prirje të përgjithshme?
18 Tre profesorë kanë bashkëpunuar për të marrë në shqyrtim këtë pyetje, duke parashikuar të zbulonin «se adoleshentët dhe të rinjtë e rritur sipas traditës më konservatore të krishterë do të ishin më pak të prirë për të pasur marrëdhënie paramartesore». Por çfarë treguan faktet? Në përgjithësi, nga 70 deri 82 për qind e tyre kishte pasur marrëdhënie paramartesore. Për disa «një traditë e trashëguar fondamentaliste [e pakësonte] mundësinë e marrëdhënieve paramartesore, por jo në rastin ‘e marrëdhënieve paramartesore tek adoleshentët’». Kërkuesit përmendnin disa të rinj që vinin nga familje në dukje fetare që «kishin zbuluar se mundësia për të pasur marrëdhënie paramartesore ishte dukshëm më e lartë në krahasim me protestantë të emërtimeve tradicionale».—Kursivi është i yni.
19, 20. Në ç’mënyrë mësimet hyjnore i kanë ndihmuar dhe mbrojtur shumë të rinj Dëshmitarë të Jehovait?
19 Profesorët zbuluan të kundërtën tek të rinjtë Dëshmitarë të Jehovait, të cilët ishin «në grupin më të ndryshëm nga të tjerët». Përse? «Shkalla e impenjimit dhe integrimit shoqëror të prodhuar prej përvojave, pritjeve dhe pjesëmarrjeve në aktivitete fetare . . . mund të krijojë në përgjithësi nivele më të larta nënshtrimi ndaj parimeve të besimit.» Ata shtuan: «Nga Dëshmitarët kërkohet që të jenë përgjegjës për detyrën e ungjillëzimit, si nga adoleshentët dhe nga të rinjtë e rritur.»
20 Kështu, mësimet biblike ndikojnë tek Dëshmitarët e Jehovait për mirë, duke i ndihmuar ata që t’i shmangen imoralitetit. Kjo do të thotë mbrojtje nga sëmundjet e transmetuara në rrugë seksuale, disa prej të cilave janë të pashërueshme dhe të tjera katastrofale; do të thotë se nuk janë nën presion për të kryer aborte, për të cilat Bibla mëson se janë baras me zhdukjen e një jete; do të thotë gjithashtu se të rinjtë e rritur janë të aftë për të hyrë në martesë me ndërgjegje të pastër. Kjo do të thotë që martesat ndërtohen në një themel më të fortë. Pikërisht, mësime të tilla mund të na ndihmojnë për t’u bërë ballë kohëve tona të vështira, për të qenë më të shëndetshëm e më të lumtur.
Mësim pozitiv
21. Cilat gjëra paratha Pavli me saktësi për kohën tonë?
21 Tani, le të kthehemi pas tek 2. Timoteut 3:3, 4 dhe të vëmë re se ç’gjë tjetër tha Pavli se do t’i bënte kohët tona të vështira për shumicën, por jo për të gjithë: «[Njerëzit] nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje. Do të jenë shpifës, pa vetëkontroll, mizorë, pa dashuri për të mirën, tradhtarë, kryeneçë, të fryrë nga krenaria [dhe] të dashuruar pas kënaqësive në vend se të duan Perëndinë.» (BR) Ç’përshkrim i saktë! Por jemi mirënjohës që mësimet biblike mund të na mbrojnë dhe të na përgatitin për të përballuar situatën, për të pasur sukses.
22, 23. Me cilin paralajmërim pozitiv e përfundoi Pavli listën e tij dhe ç’do të thotë kjo?
22 Apostulli Pavël e përfundon listën e tij me një shënim pozitiv. Ai e transformon pikën e fundit në një urdhër hyjnor që edhe ajo mund të na japë dobi të panumërta. Pavli përmendi ata që «kanë një formë të devotshmërisë së shenjtë, por që tregohen të rremë ndaj fuqisë së saj; dhe prej këtyre largohu». (BR) Mos harro se të rinjtë e disa kishave kanë efektivisht një përqindje të marrëdhënieve paramartesore më të lartë se mesatarja. Por edhe sikur imoraliteti i këtyre të rinjve që shkojnë në kishë të ishte thjesht në mesatare, a nuk do të ishte kjo një provë se forma e tyre e adhurimit nuk është e efektshme? Përveç kësaj, mësimet fetare, vallë a e ndryshojnë me të vërtetë mënyrën e të vepruarit të njerëzve në punë të ndryshme, në mënyrën se si i trajtojnë vartësit ose të afërmit?
23 Fjalët e Pavlit tregojnë se duhet të vëmë në praktikë atë që mësojmë nga Fjala e Perëndisë, duke pasur një mënyrë adhurimi që manifeston fuqinë e vërtetë të krishterimit. Duke përfshirë ata që kanë një formë adhurimi të paefektshme, Pavli thotë: «Prej këtyre largohu.» Ky është një urdhër i qartë, nga i cili patjetër do të nxjerrim dobi.
24. Në ç’mënyrë paralajmërimi i Zbulesës në kapitullin 18 është paralel me këshillën e Pavlit?
24 Në ç’mënyrë? E po mirë, libri i fundit i Biblës përshkruan një grua simbolike, një prostitutë, të quajtur Babilonia e Madhe. Provat tregojnë se Babilonia e Madhe paraqet perandorinë botërore të fesë së rreme, që Perëndia Jehova e ka shqyrtuar dhe hedhur tej. Ndërsa ne nuk duhet të përfshihemi në të. Zbulesa 18:4 na paralajmëron: «Dilni prej saj, o populli im, nëse nuk doni të merrni pjesë në mëkatet e saj, nëse nuk doni të merrni pjesë nga plagët e saj.» (BR) A nuk është vallë i njëjti urdhër që Pavli dha: «Prej këtyre largohu»? Bindja ndaj këtij urdhri është akoma një mënyrë tjetër që të nxjerrim dobi nga mësimi hyjnor.
25, 26. Ç’e ardhme është ruajtur për ata që pranojnë dhe zbatojnë mësimet e Perëndisë Jehova?
25 Së shpejti, Perëndia do të ndërhyjë në punët e njerëzimit. Ai do të shfarosë të gjitha fetë e rreme dhe mbetjen e sistemit të lig të gjërave. Ky do të jetë një motiv për gëzim, siç tregon Zbulesa 19:1, 2. Kur të zhduken pengesat e kësaj kohe kritike, ata që pranojnë dhe ndjekin në tokë mësimet e Perëndisë, do të lejohen të vazhdojnë të ndjekin mësimet e tij.—Zbulesa 21:3, 4.
26 Të jetosh në parajsën e ndërtuar mbi tokë, do të jetë shumë më bukur sesa mund ta imagjinojmë. Perëndia premton se është e mundur dhe ne mund të mbështetemi në të plotësisht. Prandaj, ai na jep arsye të shumta për të pranuar dhe ndjekur mësimin e tij të dobishëm. Kur? Le t’i ndjekim mësimet e tij tani, në këto kohë të vështira dhe le të vazhdojmë ta bëjmë në Parajsën që ai ka premtuar.—Mikea 4:3, 4.
Pika për të kujtuar
◻ Si nxjerr dobi populli i Jehovait nga këshillat e tij për pasurinë?
◻ Sipas një reviste jezuite, çfarë rezultatesh kanë shërbëtorët e Perëndisë, duke vënë në praktikë Fjalën e tij?
◻ Sipas një studimi të bërë në Zambia, ç’dobi kanë familjet që zbatojnë mësimin hyjnor?
◻ Çfarë mbrojtjeje siguron mësimi hyjnor për të rinjtë?
[Kutia në faqen 15]
ME ÇFARË ÇMIMI!
«Për adoleshentët rreziku i SIDA-s është tepër i madh, sepse zbaviten duke eksperimentuar me seksin dhe drogën. U pëlqen rreziku dhe jetojnë për kënaqësinë e aty për atyshme e përveç kësaj u duket vetja të pavdekshëm dhe sfidojnë autoritetin»,—përmendi një raport i paraqitur në një kongres mbi SIDA-n dhe adoleshentët.—Daily News, New York, e diel 7 mars 1993.
«Një studim i drejtuar nga Kombet e Bashkuara në Evropë, Afrikë dhe në Azinë jug-lindore, ka arritur në përfundimin se adoleshentet në mënyrë seksuale aktive, janë tani ‘pika e përparuar’ e epidemisë së SIDA-s.»—The New York Times, e premte 30 korrik 1993.
[Figurat në faqen 16]
Mësimet biblike u sjellin dobi Dëshmitarëve të Jehovait në kongregacion dhe në shtëpi