Të ruajmë ndjenjën e urgjencës
«Prediko fjalën, bëje këtë me urgjencë.»—2 TIM. 4:2.
A MUND TË SHPJEGOSH?
Pse të krishterët e shekullit të parë predikuan me urgjencë?
Si mund ta ruajmë ndjenjën e urgjencës?
Pse sot predikimi për Mbretërinë është më urgjent se kurrë?
1, 2. Çfarë pyetjesh lindin rreth urdhrit që ‘të predikojmë me urgjencë’?
NJERËZIT me profesione që shpëtojnë jetë, zakonisht punojnë me ndjenjë urgjence. Për shembull, zjarrfikësit vrapojnë me të marrë një telefonatë urgjente, se e dinë që mund të jenë në rrezik jetë njerëzish.
2 Si Dëshmitarë të Jehovait, ne shpresojmë t’i ndihmojmë njerëzit të shpëtojnë. Ja pse e marrim seriozisht detyrën tonë që të predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë. Megjithatë, nuk rendim të rrëmbyer andej-këtej. Atëherë, ç’donte të thoshte apostulli Pavël kur nxiti: «Prediko fjalën, bëje këtë me urgjencë.» (2 Tim. 4:2) Si mund të predikojmë me urgjencë? Pse është kaq urgjente vepra jonë?
PSE ËSHTË URGJENT PREDIKIMI YNË?
3. Ç’rezultate mund të vijnë kur njerëzit e pranojnë ose e hedhin poshtë mesazhin për Mbretërinë?
3 Ka shumë të ngjarë që, kur mendon se ç’mund të fitojnë ose të humbin njerëzit si rrjedhojë e predikimit tonë, ndien një nevojë të ngutshme t’u flasësh për lajmin e mirë. (Rom. 10:13, 14) Në Fjalën e tij, Perëndia thotë: «Nëse unë i them të ligut: ‘Ke për të vdekur’, dhe ai largohet nga mëkati i tij, gjykon gjithnjë me drejtësi e bën atë që është e drejtë, . . . ai do të jetojë, nuk do të vdesë. Asnjë nga mëkatet që ka bërë, nuk do të kujtohet kundër tij.» (Ezek. 33:14-16) Në fakt, për këdo që u mëson njerëzve mesazhin për Mbretërinë, Bibla thotë: «Do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.»—1 Tim. 4:16; Ezek. 3:17-21.
4. Pse për shkak të apostazisë, predikimi në shekullin e parë ishte urgjent?
4 Për të kuptuar pse Pavli i bëri thirrje Timoteut të predikonte me urgjencë, le të shohim një pjesë nga konteksti i shkrimit kryesor të këtij artikulli. Aty lexojmë: «Prediko fjalën, bëje këtë me urgjencë në kohë të favorshme dhe në kohë të vështirë, qorto, hiq vërejtje, nxit gjithë shpirtgjerësi dhe art mësimdhënieje. Sepse do të vijë një periudhë kohe kur ata njerëz nuk do ta durojnë dot mësimin e shëndoshë, por në përputhje me dëshirat e veta, do të grumbullojnë për vete mësues që t’u gudulisin veshët, do t’i largojnë veshët nga e vërteta.» (2 Tim. 4:2-4) Jezui kishte parathënë se do të vinte një kohë kur do të zhvillohej apostazia. (Mat. 13:24, 25, 38) Ndërsa afrohej ajo kohë, ishte urgjente që Timoteu ‘të predikonte fjalën’ edhe brenda kongregacionit, në mënyrë që apostazia të mos i joshte të krishterët e të mos i mashtronte me mësime të rreme. Ishin në lojë jetë njerëzish. Po ç’të themi për sot?
5, 6. Cilat ide të përhapura mund të ndeshim në shërbim?
5 Tanimë apostazia ose braktisja e adhurimit të vërtetë është zhvilluar dhe përhapur. (2 Sel. 2:3, 8) Cilat mësime u gudulisin veshët njerëzve sot? Në shumë vende, mbështetet me fanatizëm mësimi i evolucionit. Sado që zakonisht paraqitet me gjuhë shkencore, evolucioni është kthyer gati-gati në një fe pa Perëndi. Ai ndikon në mënyrën si e konsiderojnë njerëzit Perëndinë dhe njëri-tjetrin. Një tjetër mësim i përhapur është se Perëndia nuk interesohet për ne, kështu që s’ka pse të interesohemi për të. Përse këto mësime janë kaq tërheqëse sa nanurisin miliona veta në gjumë frymor? Se që të dyja përçojnë mesazhin: «Mund të bësh ç’të kesh qejf, se nuk ke për të dhënë llogari.» Ky mesazh u gudulis veshët shumë vetave.—Lexo Psalmin 10:4.
6 Por këto s’janë të vetmet mësime që ua gudulisin veshët njerëzve. Disave që shkojnë akoma në kishë, u pëlqen që mësuesit fetarë u thonë: «Çfarëdo që të bësh, Perëndia të do.» Të tjerëve u gudulisen veshët kur priftërinjtë a pastorët i bindin se ceremonitë, meshat, festat fetare dhe ikonat kanë bekimin e Perëndisë. Këta besimtarë s’e kanë idenë sa e rrezikshme është situata ku ndodhen. (Psal. 115:4-8) Mirëpo, nëse arrijmë t’i zgjojmë nga gjumi frymor që të kuptojnë mesazhin e vërtetë të Biblës, ata mund të nxjerrin dobi nga Mbretëria e Perëndisë.
Ç’DO TË THOTË TË PREDIKOJMË ME URGJENCË?
7. Si mund ta tregojmë ndjenjën e urgjencës?
7 Një kirurg i ndërgjegjshëm duhet t’ia kushtojë gjithë vëmendjen punës së tij, se bëhet fjalë për jetë njeriu. Në shërbimin e krishterë, mund të tregojmë ndjenjë urgjence duke u përqendruar te vepra jonë, si për shembull duke menduar cilat çështje, pyetje ose informacione mund t’u interesojnë njerëzve që takojmë. Ndjenja e urgjencës mund të na nxitë edhe të përshtatim programin tonë, në mënyrë që të shkojmë te njerëzit atëherë kur janë më të gatshëm të na dëgjojnë.—Rom. 1:15, 16; 1 Tim. 4:16.
8. Çfarë përfshin zakonisht ndjenja e urgjencës?
8 Ndjenja e urgjencës përfshin edhe të vendosësh çfarë ka përparësi në jetën tënde. (Zan. 19:15) Për shembull, përfytyro sikur, pasi merr përgjigjet e disa analizave, mjeku të thërret në dhomën e tij e të thotë gjithë merak: «Shiko, situata jote është urgjente. Ke e shumta një muaj kohë që të bësh diçka për këtë sëmundje.» Mbase nuk do të dalësh me ngut nga dhoma e mjekut si një zjarrfikës pas një telefonate urgjente. Megjithatë, ka shumë të ngjarë që do t’ua vësh veshin rekomandimeve të tij dhe, pasi të shkosh në shtëpi, do ta peshosh mirë se çfarë ka përparësi për ty.
9. Pse mund të themi se Pavli predikoi me urgjencë kur ishte në Efes?
9 Mund të kemi një ide më të qartë se si e shfaqte Pavli ndjenjën e urgjencës, duke parë çfarë u tha pleqve nga Efesi për predikimin e tij në krahinën e Azisë. (Lexo Veprat 20:18-21.) Siç duket, që nga dita e parë që shkoi atje, ai ishte i zënë me predikimin e lajmit të mirë shtëpi më shtëpi. Veç kësaj, për dy vjet kishte një program të rregullt që të «mbante përditë fjalime në një sallë në shkollën e Tiranit». (Vep. 19:1, 8-10) Shihet qartë se ndjenja e urgjencës ndikonte në mënyrën si e organizonte ditën Pavli. Thirrja që ‘ta bëjmë shërbimin me urgjencë’ nuk ka si synim që caktimi ynë të na duket si barrë mbi supe. Gjithsesi, vepra e predikimit duhet të ketë përparësi në jetën tonë.
10. Pse mund të jemi të kënaqur që të krishterët vepruan me urgjencë rreth 100 vjet më parë?
10 Shembulli i një grupi të vogël të Studentëve të Biblës që nisën predikimin e lajmit të mirë para vitit 1914, ilustron çfarë do të thotë të kesh ndjenjën e urgjencës. Paçka se ishin vetëm pak mijëra, ata e kuptuan urgjencën e kohës dhe ndërmorën gjithë zell veprën e predikimit për Mbretërinë. Botuan fjalime në qindra gazeta dhe shfaqën një program me filmime e diapozitiva me ngjyra, të quajtur «Foto-Drama e Krijimit». Falë veprës së tyre, lajmin e mirë e dëgjuan me miliona njerëz. Nëse ata nuk do të kishin pasur ndjenjën e urgjencës, sa prej nesh do ta kishim dëgjuar mesazhin për Mbretërinë?—Lexo Psalmin 119:60.
KUJDES TË MOS E HUMBËSH NDJENJËN E URGJENCËS
11. Pse disa e kanë humbur ndjenjën e urgjencës?
11 Si pasojë e shpërqendrimeve, mund të mos e mbajmë më parasysh sa e rëndësishme është vepra e predikimit. Sistemi i Satanait është bërë në mënyrë të atillë që të jepemi pas interesave personale dhe gjërave të dorës së dytë. (1 Pjet. 5:8; 1 Gjon. 2:15-17) Disa që më parë i jepnin përparësi shërbimit të Jehovait, e humbën ndjenjën e urgjencës. Për shembull, Dema, një i krishterë i shekullit të parë, kishte qenë ‘bashkëpunëtor’ i Pavlit, por u shpërqendrua nga bota e paperëndishme. Në vend që të vazhdonte t’i jepte forcë vëllait të tij në ditë të vështirë, Dema e braktisi Pavlin.—Fil. 23, 24; 2 Tim. 4:10.
12. Çfarë mundësie kemi sot, dhe çfarë mundësish do të shpalosen para nesh në përjetësi?
12 Nëse duam të ruajmë ndjenjën e urgjencës, duhet të luftojmë dëshirën për të gëzuar sa më shumë nga gjërat që ofron jeta. Duhet të punojmë që ‘të rrokim jetën e vërtetë’. (1 Tim. 6:18, 19) Patjetër që s’ke dyshim se jeta e përhershme nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë do të shpalosë para nesh mundësi të pafundme për t’u kënaqur me aktivitete interesante. Por sot kemi një mundësi unike—t’i ndihmojmë njerëzit të mbijetojnë në Harmagedon.
13. Tani që jemi bërë të krishterë, si mund ta ruajmë ndjenjën e urgjencës?
13 Meqë shumica përreth nesh tregohen të pamend dhe po flenë frymësisht, çfarë mund të na ndihmojë të mos e humbim ndjenjën e urgjencës? Mund të sjellim ndër mend se, në njëfarë kuptimi, dikur flinim në errësirë. Mirëpo u zgjuam dhe, siç tha Pavli, Krishti ndriçoi mbi ne. Tani kemi privilegjin t’u bëjmë dritë të tjerëve. (Lexo Efesianëve 5:14.) Pasi përmendi këtë, Pavli shkroi: «Vazhdoni të shikoni me kujdes që mënyra se si ecni, të mos jetë si të pamendët, por si të mençurit, duke blerë kohën e duhur për veten tuaj, sepse ditët janë të liga.» (Efes. 5:15, 16) Mes kësaj bote të ligë, le ‘të blejmë kohë’ për aktivitetet që mund të na mbajnë zgjuar frymësisht.
JETOJMË NË KOHË HISTORIKE
14-16. Çfarë e bën sot më urgjent se kurrë predikimin për Mbretërinë?
14 Shërbimi i krishterë ka qenë përherë urgjent, por sot është më vendimtar se kurrë. Që nga viti 1914, është bërë e qartë shenja e përbërë që përshkruhet në Fjalën e Perëndisë. (Mat. 24:3-51) Mbijetesa e njerëzimit është në rrezik si kurrë ndonjëherë. Pavarësisht nga marrëveshjet e kohëve të fundit, superfuqitë kanë ende rreth 2.000 mbushje bërthamore gati për lëshim. Autoritetet raportojnë qindra raste kur kanë «humbur» materiale bërthamore. A i kanë në dorë terroristët një pjesë të tyre? Sipas analistëve, njerëzimi mund të shfaroset lehtë nga një luftë e nisur nga ndonjë terrorist. Sidoqoftë, lufta nuk është i vetmi rrezik që i kanoset ekzistencës së njeriut.
15 «Ndryshimi i klimës është rreziku më i madh për shëndetin në shkallë botërore gjatë shekullit të 21-të»,—thotë një raport i vitit 2009 nga një revistë mjekësore (The Lancet) dhe Universiteti i Londrës. Pastaj shton: «Në dekadat e ardhshme, efektet e ndryshimit të klimës te shëndeti do të prekin shumicën e popullsisë e do të vënë edhe më tepër në rrezik jetën dhe mirëqenien e miliarda njerëzve.» Si pasojë mund të ndodhë një shkatërrim në shkallë të gjerë nga rritja e nivelit të detit, thatësirat, përmbytjet, epidemitë, uraganet dhe luftërat për shkak të pakësimit të burimeve natyrore. E pra, shoqëria njerëzore rrezikohet nga luftërat dhe katastrofat.
16 Disa ndoshta mendojnë se kërcënimi i luftës bërthamore mund të çojë në ngjarje që përmbushin ‘shenjën’. Megjithatë, shumica nuk e kuptojnë domethënien e vërtetë të shenjës. Ka dekada të tëra që ajo është bërë e dukshme, çka tregon se prania e Krishtit është realitet dhe se fundi i këtij sistemi po afrohet me shpejtësi. (Mat. 24:3) Kurrë më parë nuk janë dalluar kaq qartë kaq shumë aspekte të shenjës. Është koha që njerëzit të zgjohen nga dremitja frymore dhe shërbimi ynë mund t’i ndihmojë të zgjohen.
17, 18. (a) Si ndikon te ne fakti që e dimë në «ç’periudhë» jemi? (b) Çfarë mund t’i nxitë njerëzit të ndryshojnë pikëpamjen për mesazhin e Mbretërisë?
17 Mbetet veçse pak kohë që të japim prova të dashurisë sonë për Jehovain dhe të përfundojmë veprën e predikimit të caktuar për ditët e fundit. Fjalët e Pavlit drejtuar të krishterëve të shekullit të parë në Romë kanë edhe më shumë domethënie sot: «E dini në ç’periudhë jemi: tashmë është ora që të zgjoheni nga gjumi, sepse tani shpëtimi ynë është edhe më afër se kur u bëmë besimtarë.»—Rom. 13:11.
18 Disa mund të bëhen të vetëdijshëm për nevojën frymore si pasojë e ngjarjeve të parathëna për ditët e fundit. Të tjerë arrijnë të kuptojnë se njeriu ka nevojë për ndihmë kur mendojnë për dështimin e qeverive njerëzore përballë katastrofave ekonomike, rreziqeve bërthamore, krimeve të dhunshme ose shkatërrimit të mjedisit. Kurse disa të tjerë bëhen të vetëdijshëm për nevojën frymore kur u ndodh diçka në familje, si një problem i rëndë shëndetësor, divorci ose vdekja e një njeriu të afërt. Ndërsa marrim pjesë në shërbim, jemi gati t’i ndihmojmë këta njerëz.
TË NXITUR NGA NDJENJA E URGJENCËS
19, 20. Si i ka nxitur ndjenja e urgjencës shumë të krishterë të ndryshojnë mënyrën e jetesës?
19 Ndjenja e urgjencës i ka nxitur shumë të krishterë të bëjnë më tepër në shërbim. Për shembull, një çift i ri nga Ekuadori vendosi ta thjeshtonte jetën pasi dëgjoi programin e asamblesë speciale njëditore të vitit 2006 «Mbajeni syrin të thjeshtë». Bënë një listë të gjërave që s’u nevojiteshin dhe brenda tre muajsh u transferuan nga apartamenti i tyre me tri dhoma gjumi në një apartament me një dhomë gjumi, shitën disa gjëra dhe lanë gjithë borxhet. Pas pak filluan shërbimin si pionierë ndihmës dhe ndoqën sugjerimin e mbikëqyrësit qarkor që të shërbenin në një kongregacion ku kishte më shumë nevojë.
20 Një vëlla nga Amerika e Veriut shkruan: «Kur ndoqëm një asamble në vitin 2006, unë dhe ime shoqe kishim 30 vjet të pagëzuar. Ndërsa udhëtonim për në shtëpi pas programit, diskutuam si mund ta zbatonim këshillën për ta thjeshtuar jetën. (Mat. 6:19-22) Kishim tri shtëpi, tokë, makina luksoze, një motobarkë dhe një shtëpi të lëvizshme. E kuptuam se duhej të ishim dukur si të krishterë të pamend dhe vendosëm të synonim shërbimin e plotkohor. Në vitin 2008 u bashkuam me vajzën tonë në shërbimin si pionierë të rregullt. Sa gëzim kemi ndier duke bashkëpunuar më ngushtë me vëllezërit! Kemi pasur mundësi edhe të shërbejmë atje ku ka më shumë nevojë. Veç kësaj, duke bërë më shumë për Jehovain, jemi afruar më tepër me të. Ndiejmë kënaqësi sidomos kur shohim si u shndritin sytë njerëzve kur dëgjojnë dhe kuptojnë të vërtetën e Fjalës së Perëndisë.»
21. Cila njohuri na nxit të veprojmë?
21 E dimë çfarë do të bjerë së shpejti mbi këtë sistem të lig—‘dita e gjykimit dhe e shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm’. (2 Pjet. 3:7) Njohuria që kemi nga Fjala e Perëndisë na nxit të shpallim me zell se po afron shtrëngimi i madh dhe pas tij bota e re. Vazhdojmë të kemi një ndjenjë të fortë urgjence që t’u japim njerëzve shpresë të vërtetë. Duke marrë pjesë plotësisht në këtë vepër urgjente, tregojmë dashuri nga zemra për Perëndinë dhe për njerëzit.