Të bëjmë të mirën dhe t’i ndajmë gjërat me të tjerët
1 Dorka ‘në mënyrë të bollshme bënte vepra të mira dhe jepte lëmosha’. (Vep. 9:36, 39) Nga fryma bujare që kishte, ajo u hyri në zemër si njerëzve që e njihnin, ashtu edhe Perëndisë Jehova. Te Hebrenjve 13:16 thuhet: «Mos harroni të bëni të mirën dhe të ndani gjërat me të tjerët, sepse Perëndia kënaqet me sakrifica të tilla.» Po sot, si mund të bëjmë të mirën dhe t’i ndajmë gjërat me të tjerët?
2 Një mënyrë për të ndihmuar të tjerët është duke ndarë me ta ‘gjërat tona me vlerë’. (Prov. 3: 9, BR) Kontributet tona për veprën mbarëbotërore bëjnë të mundur që anembanë botës të ndërtohen Salla Mbretërie, Salla Asamblesh dhe zyra dege. Bujaria jonë ka bërë të mundur që miliona vetë të nxjerrin dobi nga arsimimi teokratik dhe nga shoqëria ndërtuese frymore.
3 Të japim ngushëllim: Në rast katastrofe, ne si populli i Jehovait jemi gati «të bëjmë atë që është e mirë» si ndaj bashkëbesimtarëve, ashtu edhe ndaj atyre nuk kanë të njëjtin besim me ne. (Gal. 6:10) Pas një shpërthimi në një uzinë kimike në Francë, një çift që jetonte afër uzinës tha: «Vëllezërit tanë të krishterë erdhën menjëherë për të na ndihmuar në pastrimin e shtëpisë sonë dhe të shtëpive të tjera në atë ndërtesë. Fqinjët u habitën kur panë që kishin ardhur aq shumë veta për të na ndihmuar.» Një motër tjetër shtoi: «Pleqtë na u gjendën pranë. Erdhën për të na dhënë zemër. Në fakt, pikërisht për këtë kishim nevojë, madje më shumë sesa për ndihmën materiale.»
4 Ndonëse ka shumë mënyra për të bërë të mirën ndaj të tjerëve, mënyra më e mirë për t’i ndihmuar është duke ndarë me ta njohurinë e çmuar të së vërtetës, e cila përfshin ‘shpresën e jetës së përhershme’ që vetë Jehovai na e premton. (Titit 1:1, 2) Mesazhi i Biblës u sjell vërtet ngushëllim atyre që vajtojnë për kushtet botërore dhe për gjendjen e tyre mëkatare. (Mat. 5:4) Le të bëjmë të mirën dhe t’i ndajmë gjërat me të tjerët, kur e kemi në dorë ta bëjmë.—Prov. 3:27.