Le të jemi lloji që ka besim!
«Ne . . . jemi . . . lloji që ka besim për ruajtjen gjallë të shpirtit.»—HEBRENJVE 10:39, BR.
1. Përse mund të thuhet që besimi i çdo shërbëtori besnik të Jehovait është i çmuar?
HERËN tjetër kur të jesh në një Sallë Mbretërie të mbushur me adhurues të Jehovait, ndalu për të parë ata që të rrethojnë. Mendo për mënyrat e shumta se si tregojnë besim ata. Mund të shohësh të moshuar që i kanë shërbyer Perëndisë për dekada, të rinj që i bëjnë ballë ditë për ditë presionit të bashkëmoshatarëve dhe prindër që punojnë shumë për të rritur fëmijë që i druhen Perëndisë. Në kongregacion ka edhe pleq e shërbëtorë ndihmës, të cilët mbajnë mbi supe shumë përgjegjësi. Po, mund të shohësh vëllezër frymorë e motra frymore të çdo moshe, të cilët kapërcejnë çdo lloj pengese për t’i shërbyer Jehovait. Sa i çmuar është besimi i secilit prej tyre!—1. Pjetrit 1:7.
2. Përse është e dobishme për ne sot këshilla e Pavlit në kapitujt 10 dhe 11 të letrës drejtuar hebrenjve?
2 Pak njerëz të papërsosur, për të mos thënë asnjë, e kanë kuptuar më mirë se apostulli Pavël rëndësinë e besimit. Në fakt, ai vërejti se besimi i vërtetë çon në «ruajtjen gjallë të shpirtit». (Hebrenjve 10:39, BR) Megjithatë, Pavli e dinte se besimi është objekt sulmesh dhe objekt gërryerjeje në këtë botë pa besim. Ai ishte thellësisht i shqetësuar për të krishterët hebrenj në Jerusalem dhe në Jude, të cilët po luftonin për të ruajtur besimin e tyre. Ndërsa shqyrtojmë disa pjesë të kapitujve 10 dhe 11 të letrës drejtuar hebrenjve, le të vërejmë metodat që përdori Pavli për të ndërtuar besimin e tyre. Gjatë këtij shqyrtimi, do të shohim se si mund të ndërtojmë një besim më të fortë brenda vetes sonë dhe tek ata që na rrethojnë.
Të shprehim siguri te njëri-tjetri
3. Si tregojnë fjalët e Pavlit, të cilat gjenden te Hebrenjve 10:39, se ai kishte siguri te vëllezërit dhe motrat e tij në besim?
3 Gjëja e parë që mund të vërejmë është qëndrimi pozitiv i Pavlit ndaj auditorit të tij. Ai shkroi: «Ne nuk jemi lloji që sprapset për shkatërrim, por lloji që ka besim për ruajtjen gjallë të shpirtit.» (Hebrenjve 10:39, BR) Pavli mendonte më të mirën e jo më të keqen për të bashkëkrishterët e tij besimplotë. Vër re, gjithashtu, se ai përdori fjalën «ne». Pavli ishte një njeri i drejtë. Megjithatë, nuk i foli auditorit sikur ai vetë të qëndronte në një pozitë të ngritur drejtësie, shumë më lart se ata. (Krahaso Predikuesin [Eklisiastiu] 7:16.) Përkundrazi, ai përfshiu edhe veten e tij bashkë me ta. Pavli shprehu një siguri të sinqertë se ai dhe lexuesit e tij të krishterë besimplotë do t’i përballonin pengesat shkurajuese që shtriheshin para tyre, do të refuzonin me guxim të sprapseshin për shkatërrim dhe do të provonin se ishin të llojit që ka besim.
4. Çfarë arsyesh kishte Pavli për të pasur siguri te bashkëbesimtarët e tij?
4 Si mund ta kishte Pavli një siguri të tillë? A ishte i verbër ai ndaj të metave të të krishterëve hebrenj? Përkundrazi, ai u ofroi atyre këshilla specifike për t’i ndihmuar që të kapërcenin mangësitë frymore. (Hebrenjve 3:12; 5:12-14; 6:4-6; 10:26, 27; 12:5) Gjithsesi, Pavli kishte të paktën dy arsye të vlefshme për të pasur siguri te vëllezërit e tij. (1) Duke imituar Jehovain, Pavli u përpoq ta shihte popullin e Perëndisë siç e sheh Jehovai. Kjo nuk vlente vetëm për të metat e tyre, por edhe për cilësitë e mira dhe për mundësinë që të zgjidhnin të bënin të mirën në të ardhmen. (Psalmi 130:3; Efesianëve 5:1) (2) Pavli kishte besim të plotë në fuqinë e frymës së shenjtë. Ai e dinte se asnjë pengesë dhe asnjë dobësi njerëzore nuk mund ta pengonte Jehovain që t’i jepte ‘fuqi përtej asaj që është normale’ çdo të krishteri që përpiqej t’i shërbente Atij me besnikëri. (2. Korintasve 4:7, BR; Filipianëve 4:13) Prandaj, siguria e Pavlit në lidhje me vëllezërit dhe motrat e tij nuk ishte e pavend, jorealiste ose me një optimizëm të verbër. Për të kishte baza të forta dhe themele biblike.
5. Si mund ta imitojmë sigurinë e Pavlit dhe cili ka të ngjarë të jetë rezultati?
5 Patjetër, siguria që shfaqi Pavli ishte ngjitëse. Kongregacionet në Jerusalem dhe në Jude duhet t’i ketë prekur thellë fakti që Pavli u fliste në mënyrë kaq inkurajuese. Këto shprehje i ndihmuan të krishterët hebrenj që të merrnin vendim në zemrën e tyre për të qenë lloji që ka besim, pavarësisht nga përqeshjet therëse dhe indiferenca fodulle e kundërshtarëve judaikë. A mund të bëjmë të njëjtën gjë sot për njëri-tjetrin? Është tepër e lehtë të shohim te të tjerët vetëm një listë të gjatë me të meta dhe me huqe. (Mateu 7:1-5) Por, ne mund ta ndihmojmë shumë më tepër njëri-tjetrin nëse vërejmë dhe vlerësojmë besimin e pashoq që zotëron secili. Duke pasur një inkurajim të tillë, ka më shumë të ngjarë që besimi të rritet.—Romakëve 1:11, 12.
Përdorim i duhur i Fjalës së Perëndisë
6. Nga cili burim po citonte Pavli kur shkroi fjalët që gjenden te Hebrenjve 10:38?
6 Pavli e ndërtoi besimin e bashkëbesimtarëve të tij edhe duke përdorur me mjeshtëri Shkrimet. Për shembull, ai shkroi: «‘Por, i drejti im do të jetojë për arsye të besimit’ dhe ‘nëse ai sprapset, shpirti im nuk gjen kënaqësi në të’.» (Hebrenjve 10:38, BR) Në këtë rast Pavli po citonte fjalët e profetit Habakuk.a Ka të ngjarë që këto fjalë të kenë qenë të njohura për lexuesit e Pavlit, për të krishterët hebrenj që i njihnin shumë mirë librat profetikë. Po të kemi parasysh synimin e tij, domethënë që të forconte besimin e të krishterëve në Jerusalem dhe pranë tij, aty rreth vitit 61 të erës sonë, shembulli i Habakukut qe një zgjedhje e përshtatshme. Përse?
7. Kur e dokumentoi Habakuku profecinë e tij dhe cilat ishin kushtet në Judë në atë kohë?
7 Duket se Habakuku e shkroi librin e tij vetëm rreth dy dekada para shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 para erës sonë. Në vizion, profeti pa kaldeasit (ose babilonasit), një «komb mizor dhe i furishëm» që turrej mbi Judën dhe shkatërronte Jerusalemin, duke përpirë popuj e kombe gjatë rrugës. (Habakuku 1:5-11) Por një katastrofë e tillë ishte parathënë që në ditët e Isaisë, më shumë se një shekull më parë. Në kohën e Habakukut, vendin e mbretit të mirë Josia e zuri Jehojakimi, dhe në Judë lulëzoi përsëri ligësia. Jehojakimi i persekutoi e madje i vrau ata që flitnin në emër të Jehovait. (2. Kronikave 36:5; Jeremia 22:17; 26:20-24) Nuk habitemi që profeti i shqetësuar Habakuk thirri: «Deri kur, o Jehova?»—Habakuku 1:2, BR.
8. Përse shembulli i Habakukut ishte i dobishëm për të krishterët në shekullin e parë dhe sot?
8 Habakuku nuk e dinte se sa afër ishte shkatërrimi i Jerusalemit. Në mënyrë të ngjashme, të krishterët e shekullit të parë nuk e dinin se kur do të përfundonte sistemi judaik i gjërave. As ne sot nuk e dimë «ditën dhe orën» kur do të vijë gjykimi i Jehovait kundër këtij sistemi të lig. (Mateu 24:36) Le të vërejmë, atëherë, përgjigjen e dyfishtë që i dha Jehovai Habakukut. Së pari, ai e siguroi profetin se fundi do të vinte tamam në kohë. «Nuk do të vonojë»,—tha Perëndia, edhe pse nga këndvështrimi njerëzor mund të dukej sikur po vononte. (Habakuku 2:3) Së dyti, Jehovai i rikujtoi Habakukut: «Sa për të drejtin, me anë të besnikërisë së tij ai do të vazhdojë të jetojë.» (Habakuku 2:4, BR) Çfarë të vërtetash të bukura e të thjeshta! Ajo që ka më shumë rëndësi nuk është se kur vjen fundi, por nëse ne vazhdojmë të bëjmë një jetë plot besim.
9. Si vazhduan të jetonin shërbëtorët e bindur të Jehovait me anë të besnikërisë së tyre (a) në vitin 607 para erës sonë? (b) pas vitit 66 të erës sonë? (c) Përse është jetësore që ta forcojmë besimin tonë?
9 Kur Jerusalemi u plaçkit në vitin 607 para erës sonë, Jeremia, sekretari i tij Baruk, Ebed-meleku dhe rekabitët besnikë panë vërtetësinë e premtimit që i bëri Jehovai Habakukut. Ata ‘vazhduan të jetonin’, duke i shpëtuar shkatërrimit të tmerrshëm të Jerusalemit. Përse? Jehovai e shpërbleu besnikërinë e tyre. (Jeremia 35:1-19; 39:15-18; 43:4-7; 45:1-5) Në mënyrë të ngjashme, të krishterët hebrenj në shekullin e parë duhet të kenë reaguar mirë ndaj këshillave të Pavlit. Kjo u duk ngaqë kur ushtritë romake sulmuan Jerusalemin në vitin 66 të erës sonë dhe pastaj u tërhoqën në mënyrë të pashpjegueshme, ata të krishterë ia vunë veshin plot besim paralajmërimit të Jezuit për të ikur me të shpejtë. (Luka 21:20, 21) Ata vazhduan të jetonin për shkak të besnikërisë së tyre. Në mënyrë të ngjashme, ne do të vazhdojmë të jetojmë po qe se do të gjendemi besimplotë kur të vijë fundi. Sa arsye jetësore për ta forcuar tani besimin tonë!
Përshkrim i gjallë i shembujve të besimit
10. Si e përshkroi Pavli besimin e Moisiut dhe si mund ta imitojmë ne Moisiun në këtë aspekt?
10 Gjithashtu, Pavli e ndërtoi besimin duke përdorur në mënyrë të fuqishme shembujt. Ndërsa lexon kapitullin 11 të letrës drejtuar hebrenjve, vër re se si i sjell në jetë ai shembujt e personazheve biblike. Për shembull, ai thotë se Moisiu «qëndroi i patundur, sikur të shihte të Padukshmin». (Hebrenjve 11:27) Me fjalë të tjera, për Moisiun Jehovai ishte kaq real, saqë ishte sikur ai ta shihte Perëndinë e padukshëm. A mund të thuhet e njëjta gjë për ne? Është e lehtë të flasim për marrëdhënien që duhet të kemi me Jehovain, por për ta ndërtuar dhe për ta forcuar këtë marrëdhënie kërkohet punë. Kjo është një punë që ne duhet ta bëjmë. A është kaq real Jehovai për ne, saqë e marrim në konsideratë kur marrim vendime, duke përfshirë edhe ato vendime që në dukje janë të vogla? Besimi i këtij lloji do të na ndihmojë t’i qëndrojmë edhe kundërshtimit më të egër.
11, 12. (a) Në cilat rrethana mund të jetë sprovuar besimi i Enokut? (b) Cilin shpërblim inkurajues mori ai?
11 Shqyrto, gjithashtu, besimin e Enokut. E kemi të vështirë ta imagjinojmë kundërshtimin që hasi ai. Enokut iu desh të përhapte një mesazh therës gjykimi kundër njerëzve të ligj që jetonin në atë kohë. (Judës 14, 15) Me sa duket, persekutimi që e kërcënonte këtë burrë besimplotë ishte kaq i egër e i dhunshëm, saqë Jehovai ‘e zhvendosi’ atë, duke e çuar nga gjendja e gjallë në gjumin e vdekjes, para se ta shtinin në dorë armiqtë e tij. Kështu, Enoku nuk arriti ta shihte përmbushjen e profecisë që shpalli. Gjithsesi, ai mori një dhuratë që në disa aspekte ishte shumë më e mirë.—Hebrenjve 11:5; Zanafilla 5:22-24.
12 Pavli shpjegon: «Para se të merrej, ai [Enoku] pati dëshmimin se i kishte pëlqyer Perëndisë.» (Hebrenjve 11:5) Çfarë donte të thoshte kjo? Para se të ketë rënë në gjumin e vdekjes, Enoku mund të ketë pasur një vizion të ndonjë lloji, ndoshta një vizion të Parajsës tokësore në të cilën do të zgjohet një ditë së shpejti. Sidoqoftë, Jehovai i bëri të ditur Enokut se Atij i kishte pëlqyer jeta e tij besimplotë. Enoku e kishte gëzuar zemrën e Jehovait. (Krahaso Fjalët e urta [Proverbat] 27:11.) Është prekëse kur mendojmë për jetën e Enokut, apo jo? A do të të pëlqente të bëje një jetë të tillë të karakterizuar nga besimi? Atëherë medito rreth këtyre shembujve, shikoji ata si njerëz realë. Ji i vendosur të jetosh me anë të besimit ditë për ditë. Mos harro, gjithashtu, se lloji që ka besim nuk i shërben Jehovait duke u bazuar në një datë ose në një afat kur do t’i përmbushë Perëndia të gjitha premtimet e tij. Përkundrazi, ne jemi të vendosur t’i shërbejmë Jehovait përgjithmonë! Kjo është mënyra më e mirë për të jetuar në këtë sistem gjërash dhe në atë që do të vijë.
Si ta forcojmë besimin?
13, 14. (a) Si mund të na ndihmojnë fjalët e Pavlit që gjenden te Hebrenjve 10:24, 25, për t’i bërë mbledhjet raste të gëzueshme? (b) Cila është arsyeja kryesore për mbledhjet e krishtere?
13 Pavli u tregoi të krishterëve hebrenj disa mënyra praktike se si mund ta forconin besimin. Le të shqyrtojmë vetëm dy prej tyre. Ka të ngjarë që ne ta njohim mirë thirrjen e tij në Hebrenjve 10:24, 25, ku na jepet nxitja për t’u mbledhur rregullisht në mbledhjet tona të krishtere. Por, mos harro se fjalët e frymëzuara të Pavlit aty nuk nënkuptojnë që duhet të jemi thjesht vëzhgues pasivë në këto mbledhje. Përkundrazi, Pavli i përshkruan mbledhjet si mundësi për të njohur njëri-tjetrin, për ta nxitur njëri-tjetrin që t’i shërbejmë më plotësisht Perëndisë dhe për të inkurajuar njëri-tjetrin. Jemi atje me qëllimin për të dhënë, jo thjesht për të marrë. Kjo gjë ndihmon për t’i bërë mbledhjet tona raste të gëzueshme.—Veprat 20:35.
14 Megjithatë, në radhë të parë ne i ndjekim mbledhjet e krishtere për të adhuruar Perëndinë Jehova. Këtë e bëjmë duke u bashkuar në lutje dhe në këngë, duke dëgjuar me vëmendje dhe duke ofruar «frytin e buzëve», domethënë shprehjet e lavdërimit ndaj Jehovait, me komentet dhe pjesët tona në mbledhje. (Hebrenjve 13:15) Nëse i mbajmë ndër mend këto synime dhe veprojmë në përputhje me to në çdo mbledhje, pa dyshim besimi ynë do të ndërtohet çdo herë.
15. Përse Pavli i nxiti të krishterët hebrenj që të mbaheshin fort pas shërbimit të tyre dhe përse kjo këshillë është e përshtatshme sot?
15 Një mënyrë tjetër për të ndërtuar besimin është me anë të veprës së predikimit. Pavli shkroi: «Le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që e premtoi.» (Hebrenjve 10:23) Mund t’i nxitësh të tjerët për t’u mbajtur fort pas diçkaje kur ata duken në rrezik për t’u dorëzuar. Patjetër që Satanai po u bënte presion atyre të krishterëve hebrenj që të braktisnin shërbimin e tyre dhe sot po i bën presion edhe popullit të Perëndisë. Çfarë duhet të bëjmë ne përballë këtij presioni? Shqyrto se çfarë bëri Pavli.
16, 17. (a) Nga e mori Pavli guximin për shërbimin? (b) Çfarë masash duhet të marrim, nëse ndonjë aspekt i shërbimit tonë të krishterë na frikëson?
16 Pavli u shkroi të krishterëve në Selanik: «Pasi hoqëm më parë dhe pasi na shanë [na trajtuan në mënyrë fyese, BR] në Filipi, sikurse e dini, ne morëm guxim në Perëndinë tonë të shpallim ndër ju ungjillin e Perëndisë midis kaq përndjekjesh.» (1. Thesalonikasve [Selanikasve] 2:2) Si i kishin ‘trajtuar në mënyrë fyese’ Pavlin dhe shokët e tij në Filipi? Sipas disa studiuesve, fjala greke që përdori Pavli shpreh trajtim fyes, të turpshëm ose të pahijshëm. Autoritetet e Filipisë i kishin rrahur ata me shkopinj, i kishin hedhur në burg dhe ua kishin shtrënguar këmbët në dru. (Veprat 16:16-24) Si ndikoi te Pavli kjo përvojë e dhimbshme? A e panë të sprapsur nga frika Pavlin të krishterët në Selanik, qyteti tjetër në udhëtimin e tij misionar? Jo, ai ‘mori guxim’. Pavli fitoi mbi frikën dhe vazhdoi të predikonte me guxim.
17 Nga e mori Pavli guximin? Brenda vetes? Jo, ai tha se mori guxim «në Perëndinë tonë». Një vepër referimi për përkthyesit e Biblës thotë se ky pohim mund të përkthehet: «Perëndia e hoqi frikën nga zemrat tona.» Prandaj, nëse nuk e ndien veten veçanërisht të guximshëm për shërbimin ose nëse ndonjë aspekt i tij të duket frikësues, përse të mos i kërkosh Jehovait të bëjë të njëjtën gjë për ty? Kërkoji të ta heqë frikën nga zemra. Kërkoji të të ndihmojë që të marrësh guxim për të kryer veprën. Përveç kësaj, merr disa masa të tjera praktike. Për shembull, merr masa për të punuar me dikë që ka përvojë në atë formë të dëshmisë që të shqetëson. Kjo formë mund të jetë territori tregtar, dëshmia në rrugë, predikimi joformal ose dëshmia me telefon. Ndoshta shoku yt i shërbimit do të jetë i gatshëm të marrë drejtimin në fillim. Nëse po, atëherë ti vëzhgo dhe mëso. Por më pas, merr guxim për të provuar edhe ti.
18. Çfarë bekimesh mund të përjetojmë, nëse marrim guxim në shërbimin tonë?
18 Imagjino se cili mund të jetë rezultati, nëse merr guxim. Kur këmbëngul dhe nuk e lë veten të shkurajohesh, ka të ngjarë që të kesh përvoja të mira duke ndarë të vërtetën me të tjerët, përvoja që përndryshe mund t’i kishe humbur. (Shiko faqen 25.) Do të kesh kënaqësinë që vjen nga fakti se e di që i ke pëlqyer Jehovait, duke bërë diçka që për ty është e vështirë. Do të provosh bekimin dhe ndihmën e tij për të kapërcyer frikën. Besimi yt do të jetë më i fortë. Në fakt, nuk mund të punosh për të ndërtuar besimin e të tjerëve pa ndërtuar në të njëjtën kohë besimin tënd.—Judës 20, 21.
19. Cili shpërblim i çmuar është rezervuar për ‘llojin që ka besim’?
19 Vazhdofsh ta forcosh besimin tënd dhe besimin e atyre që të rrethojnë! Këtë mund ta bësh duke ndërtuar vetveten dhe të tjerët me anë të përdorimit me mjeshtëri të Fjalës së Perëndisë, duke studiuar shembujt biblikë të besimit dhe duke i sjellë ata në jetë, duke u përgatitur e duke marrë pjesë në mbledhjet e krishtere, si edhe duke u kapur fort pas privilegjit të çmuar të shërbimit publik. Ndërsa bën këto gjëra, të jesh i sigurt se je vërtet një nga «lloji që ka besim». Mos harro, gjithashtu, se ata të këtij lloji kanë një shpërblim të çmuar. Ata janë «lloji që ka besim për ruajtjen gjallë të shpirtit».b Vazhdoftë të rritet besimi yt dhe të ruajttë Perëndia Jehova përgjithmonë gjallë!
[Shënimet]
a Pavli citoi përkthimin e Septuagintës për Habakukun 2:4, ku përfshihet fraza «nëse ndokush sprapset, shpirti im nuk gjen kënaqësi në të». Ky pohim nuk shfaqet në dorëshkrimet ekzistuese hebraike. Disa kanë sugjeruar se Septuaginta ishte bazuar në dorëshkrime më të hershme hebraike që nuk ekzistojnë më. Sidoqoftë, këtu Pavli e përfshiu këtë frazë nën ndikimin e frymës së shenjtë të Perëndisë. Prandaj ajo ka autorizimin hyjnor.
b Shkrimi i vitit i Dëshmitarëve të Jehovait për vitin 2000 do të jetë: «Ne nuk jemi lloji që sprapset . . . , por lloji që ka besim.»—Hebrenjve 10:39, BR.
Si do të përgjigjesh?
◻ Si e shprehu Pavli sigurinë e tij në lidhje me të krishterët hebrenj dhe çfarë mund të mësojmë nga kjo?
◻ Përse ishte kaq i përshtatshëm referimi që Pavli i bëri profetit Habakuk?
◻ Cilët janë shembujt biblikë të besimit që Pavli u bëri një përshkrim të gjallë?
◻ Çfarë mënyrash praktike rekomandoi Pavli për të ndërtuar besimin?
[Figura në faqen 23]
Pas përvojës së dhimbshme në Filipi, Pavli mori guxim për të vazhduar predikimin
[Figurat në faqen 24]
A mund të marrësh guxim për të provuar forma të ndryshme të dhënies së dëshmisë?