-
Le të jemi lloji që ka besim!Kulla e Rojës—1999 | 15 Dhjetor
-
-
Përdorim i duhur i Fjalës së Perëndisë
6. Nga cili burim po citonte Pavli kur shkroi fjalët që gjenden te Hebrenjve 10:38?
6 Pavli e ndërtoi besimin e bashkëbesimtarëve të tij edhe duke përdorur me mjeshtëri Shkrimet. Për shembull, ai shkroi: «‘Por, i drejti im do të jetojë për arsye të besimit’ dhe ‘nëse ai sprapset, shpirti im nuk gjen kënaqësi në të’.» (Hebrenjve 10:38, BR) Në këtë rast Pavli po citonte fjalët e profetit Habakuk.a Ka të ngjarë që këto fjalë të kenë qenë të njohura për lexuesit e Pavlit, për të krishterët hebrenj që i njihnin shumë mirë librat profetikë. Po të kemi parasysh synimin e tij, domethënë që të forconte besimin e të krishterëve në Jerusalem dhe pranë tij, aty rreth vitit 61 të erës sonë, shembulli i Habakukut qe një zgjedhje e përshtatshme. Përse?
7. Kur e dokumentoi Habakuku profecinë e tij dhe cilat ishin kushtet në Judë në atë kohë?
7 Duket se Habakuku e shkroi librin e tij vetëm rreth dy dekada para shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 para erës sonë. Në vizion, profeti pa kaldeasit (ose babilonasit), një «komb mizor dhe i furishëm» që turrej mbi Judën dhe shkatërronte Jerusalemin, duke përpirë popuj e kombe gjatë rrugës. (Habakuku 1:5-11) Por një katastrofë e tillë ishte parathënë që në ditët e Isaisë, më shumë se një shekull më parë. Në kohën e Habakukut, vendin e mbretit të mirë Josia e zuri Jehojakimi, dhe në Judë lulëzoi përsëri ligësia. Jehojakimi i persekutoi e madje i vrau ata që flitnin në emër të Jehovait. (2. Kronikave 36:5; Jeremia 22:17; 26:20-24) Nuk habitemi që profeti i shqetësuar Habakuk thirri: «Deri kur, o Jehova?»—Habakuku 1:2, BR.
8. Përse shembulli i Habakukut ishte i dobishëm për të krishterët në shekullin e parë dhe sot?
8 Habakuku nuk e dinte se sa afër ishte shkatërrimi i Jerusalemit. Në mënyrë të ngjashme, të krishterët e shekullit të parë nuk e dinin se kur do të përfundonte sistemi judaik i gjërave. As ne sot nuk e dimë «ditën dhe orën» kur do të vijë gjykimi i Jehovait kundër këtij sistemi të lig. (Mateu 24:36) Le të vërejmë, atëherë, përgjigjen e dyfishtë që i dha Jehovai Habakukut. Së pari, ai e siguroi profetin se fundi do të vinte tamam në kohë. «Nuk do të vonojë»,—tha Perëndia, edhe pse nga këndvështrimi njerëzor mund të dukej sikur po vononte. (Habakuku 2:3) Së dyti, Jehovai i rikujtoi Habakukut: «Sa për të drejtin, me anë të besnikërisë së tij ai do të vazhdojë të jetojë.» (Habakuku 2:4, BR) Çfarë të vërtetash të bukura e të thjeshta! Ajo që ka më shumë rëndësi nuk është se kur vjen fundi, por nëse ne vazhdojmë të bëjmë një jetë plot besim.
9. Si vazhduan të jetonin shërbëtorët e bindur të Jehovait me anë të besnikërisë së tyre (a) në vitin 607 para erës sonë? (b) pas vitit 66 të erës sonë? (c) Përse është jetësore që ta forcojmë besimin tonë?
9 Kur Jerusalemi u plaçkit në vitin 607 para erës sonë, Jeremia, sekretari i tij Baruk, Ebed-meleku dhe rekabitët besnikë panë vërtetësinë e premtimit që i bëri Jehovai Habakukut. Ata ‘vazhduan të jetonin’, duke i shpëtuar shkatërrimit të tmerrshëm të Jerusalemit. Përse? Jehovai e shpërbleu besnikërinë e tyre. (Jeremia 35:1-19; 39:15-18; 43:4-7; 45:1-5) Në mënyrë të ngjashme, të krishterët hebrenj në shekullin e parë duhet të kenë reaguar mirë ndaj këshillave të Pavlit. Kjo u duk ngaqë kur ushtritë romake sulmuan Jerusalemin në vitin 66 të erës sonë dhe pastaj u tërhoqën në mënyrë të pashpjegueshme, ata të krishterë ia vunë veshin plot besim paralajmërimit të Jezuit për të ikur me të shpejtë. (Luka 21:20, 21) Ata vazhduan të jetonin për shkak të besnikërisë së tyre. Në mënyrë të ngjashme, ne do të vazhdojmë të jetojmë po qe se do të gjendemi besimplotë kur të vijë fundi. Sa arsye jetësore për ta forcuar tani besimin tonë!
-
-
Le të jemi lloji që ka besim!Kulla e Rojës—1999 | 15 Dhjetor
-
-
a Pavli citoi përkthimin e Septuagintës për Habakukun 2:4, ku përfshihet fraza «nëse ndokush sprapset, shpirti im nuk gjen kënaqësi në të». Ky pohim nuk shfaqet në dorëshkrimet ekzistuese hebraike. Disa kanë sugjeruar se Septuaginta ishte bazuar në dorëshkrime më të hershme hebraike që nuk ekzistojnë më. Sidoqoftë, këtu Pavli e përfshiu këtë frazë nën ndikimin e frymës së shenjtë të Perëndisë. Prandaj ajo ka autorizimin hyjnor.
-