PIKËPAMJA E BIBLËS
Besimi
Disa njerëz thonë se janë besimtarë, ama e kanë shumë të vështirë të kuptojnë se ç’do të thotë fjala «besim». Çfarë është besimi dhe pse është i rëndësishëm?
Çfarë është besimi?
ÇFARË THONË DISA:
Shumë njerëz mendojnë se ai që ka besim thjesht e pranon një bindje pa pasur dëshmi të vërteta. Për shembull, mendo për një njeri fetar që thotë «Unë besoj te Zoti». Nëse e pyet «Pse beson?», ka të ngjarë të përgjigjet «Kështu më kanë rritur» ose «Këtë më kanë mësuar gjithmonë». Në të tilla raste mund të duket sikur besimi e naiviteti nuk ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri.
ÇFARË THOTË BIBLA:
«Besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, dëshmia e dukshme e realiteteve ndonëse të papara.» (Hebrenjve 11:1) Që dikush të jetë i sigurt se ajo që pret, do të realizohet, është e nevojshme të ketë arsye bindëse. Në fakt, në gjuhën origjinale shprehja ‘pritje e sigurt’ përfshin më tepër sesa një ndjenjë të brendshme ose një iluzion. Pra, besimi është bindje e bazuar në prova.
‘Cilësitë e padukshme të Perëndisë, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra.’—Romakëve 1:20.
Pse është e rëndësishme të zhvillosh besim?
ÇFARË THOTË BIBLA:
«Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh [Perëndisë], sepse kush i afrohet Perëndisë, duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.»—Hebrenjve 11:6.
Siç e përmendëm më sipër, shumë njerëz besojnë te Zoti vetëm sepse kështu i kanë mësuar. Mund të thonë «Kështu jam rritur». Por, Zoti dëshiron që adhuruesit e tij të besojnë vërtet se ai ekziston dhe i do. Kjo është një nga arsyet pse Bibla thekson se kemi nevojë ta kërkojmë Perëndinë me ngulm, që ta njohim vërtet.
«Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.»—Jakovi 4:8.
Si mund të zhvillosh besim?
ÇFARË THOTË BIBLA:
«Besimi vjen pasi dikush ka dëgjuar»,—thotë Bibla. (Romakëve 10:17) Prandaj, hapi i parë për të zhvilluar besim te Perëndia është ‘të dëgjosh’ çfarë mëson vërtet Bibla për të. (2 Timoteut 3:16) Studimi i Biblës do të të ndihmojë të gjesh përgjigje të besueshme për pyetje të rëndësishme, si: kush është Perëndia? Çfarë provash ka se ai ekziston? A interesohet vërtet Perëndia për mua? Cili është qëllimi i Zotit për të ardhmen?
Dëshmitarët e Jehovait me kënaqësi mund të të ndihmojnë të studiosh Biblën. Në sitin tonë jw.org thuhet: «Ne Dëshmitarëve të Jehovait na pëlqen t’i mësojmë njerëzit për Biblën, por kurrë nuk detyrojmë askënd të bëhet anëtar i fesë sonë. Përkundrazi, me respekt u tregojmë çfarë thotë Bibla, duke pranuar se çdokush ka të drejtën të zgjedhë çfarë do të besojë.»
Si përfundim, besimin duhet ta bazosh në prova që gjen ti ndërsa shqyrton vërtetësinë e asaj që lexon në Bibël. Në këtë mënyrë do të ndjekësh shembullin e studentëve të shekullit të parë, të cilët «e pranuan fjalën me etje të madhe, dhe çdo ditë i shqyrtonin me kujdes Shkrimet, për të parë nëse ato gjëra ishin ashtu».—Veprat 17:11.
«Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.»—Gjoni 17:3.