A po e kërkon me ngulm Jehovain?
NJË i krishterë kishte shumë dëshirë t’u jepte lajmin e mirë të Biblës udhëtarëve të tjerë në tren që gjithnjë bënin rrugën bashkë me të. (Marku 13:10) Mirëpo, frika e mbërthente dhe nuk e linte të fliste. A u dorëzua? Jo, ai u lut me zjarr për këtë dhe u stërvit për të mësuar si të niste biseda. Perëndia Jehova iu përgjigj kërkesës së këtij burri dhe i dha forcën e duhur për të dhënë dëshmi.
Ky ngulmim është jetësor kur kërkojmë Jehovain dhe bekimin e tij. Apostulli Pavël tha: «Ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.» (Hebrenjve 11:6) Nuk mjafton vetëm ta kërkojmë Jehovain. Folja greke e përkthyer ‘kërkoj me ngulm’ është në një formë që tregon intensitet dhe përpjekje të përqendruar. Kjo gjë përfshin zemrën, mendjen, shpirtin dhe forcën jetësore të njeriut. Në qoftë se e kërkojmë me ngulm Jehovain, nuk sillemi me indiferentizëm, me moskokëçarje ose me dembelizëm. Përkundrazi, tregojmë zell të vërtetë duke e kërkuar atë.—Veprat 15:17.
Disa që e kërkuan me ngulm Jehovain
Shkrimet janë plot me shembuj të njerëzve që e kërkuan Jehovain duke bërë përpjekje të zellshme. Një njeri i tillë ishte Jakobi, i cili luftoi tërë mundim deri në agim me engjëllin e materializuar të Perëndisë. Si pasojë, Jakobit iu vu emri Izrael (Luftues me Perëndinë), sepse ‘luftoi’ ose nguli këmbë, u përkushtua, këmbënguli me Perëndinë. Për këtë përpjekje ngulmuese, engjëlli e bekoi.—Zanafilla 32:24-30.
Një shembull tjetër ishte një grua galilease që nuk ia dimë emrin, e cila kishte 12 vjet që vuante nga një rrjedhje gjaku që i shkaktonte «shumë dhembje». Në kushte të tilla, ajo nuk duhej të prekte njerëzit e tjerë. Megjithatë, mori guxim dhe doli të takonte Jezuin. Thoshte pareshtur: «Sikur të prek të paktën rrobat e tij, do të bëhem mirë.» Mendo kur ajo çante rrugën përmes ‘turmës që e ndiqte [Jezuin] dhe shtyhej pas tij’. Pasi preku rrobën e Jezuit, ajo ndjeu që «burimi i gjakut i shteroi», sëmundja e saj kronike u shërua. Kur Jezui pyeti: «Kush m’i preku rrobat?», ajo u frikësua. Por Jezui me përzemërsi i tha: «Bijë, besimi yt të ka kthyer shëndetin. Shko në paqe dhe qofsh mirë me shëndet nga sëmundja jote e rëndë.» Përpjekjet e saj u shpërblyen.—Marku 5:24-34; Levitiku 15:25-27.
Ka edhe një rast tjetër kur një grua fenikase iu lut me ngulm Jezuit që t’i shëronte të bijën. Jezui u përgjigj se nuk ishte e përshtatshme që t’u jepej ushqimi i fëmijëve këlyshëve të qenve. Ai donte të thoshte se nuk mund të kujdesej për ata që s’ishin izraelitë, duke lënë pas dore judenjtë që e meritonin. Edhe pse e kuptoi ku donte të dilte ai me këtë ilustrim, gruaja prapëseprapë iu lut: «Po, zotëri, por në të vërtetë këlyshët e qenve hanë prej thërrimeve që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.» Besimi i saj i fortë dhe sinqeriteti e shtynë Jezuin të thoshte: «O grua, i madh është besimi yt; u bëftë me ty ashtu siç dëshiron.»—Mateu 15:22-28.
Çfarë do t’u kishte ndodhur këtyre individëve, po të mos kishin ngulmuar në përpjekjet e tyre? A do t’i kishin marrë bekimet, po të ishin dorëzuar që me pengesën ose me mospranimin e parë? Jo! Këta shembuj ilustrojnë më së miri pikën që dha Jezui si mësim, pra që ‘këmbëngulja me të madhe’ është e përshtatshme, e madje e domosdoshme, kur kërkojmë Jehovain.—Luka 11:5-13.
Sipas vullnetit të tij
Në tregimet e përmendura më sipër për ata që u shëruan me anë të mrekullive, a ishte ngulmimi e vetmja kërkesë për t’u shëruar? Jo, kërkesat e tyre duhej të ishin në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Jezuit i ishin dhënë fuqi mrekullibërëse, për të dhënë një dëshmi të fuqishme se ishte Biri i Perëndisë, Mesia i premtuar. (Gjoni 6:14; 9:33; Veprat 2:22) Gjithashtu, mrekullitë që kreu Jezui ishin pamje paraprake e bekimeve madhështore tokësore që Jehovai do t’i japë njerëzimit gjatë Sundimit mijëvjeçar të Krishtit.—Zbulesa 21:4; 22:2.
Vullneti i Perëndisë nuk është më që ata që praktikojnë fenë e vërtetë të kenë fuqi mrekullibërëse, si për shembull fuqinë për të shëruar e për të folur në gjuhë. (1 Korintasve 13:8, 13) Vullneti i tij për kohën tonë përfshin shpalljen e lajmit të mirë të Mbretërisë në gjithë tokën, kështu që ‘njerëz të çdo lloji të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës’. (1 Timoteut 2:4; Mateu 24:14; 28:19, 20) Me të drejtë, shërbëtorët e Perëndisë mund të presin t’u dëgjohen me miratim lutjet e tyre të zjarrta, nëse bëjnë përpjekje të sinqerta në përputhje me vullnetin e tij.
Disa mund të pyesin: ‘Pse të bëjmë kaq përpjekje kur qëllimi i Perëndisë do të përmbushet gjithsesi?’ Vërtet që Jehovai do ta arrijë qëllimin e tij, pavarësisht nga përpjekjet e njerëzve, por ai është i kënaqur që t’i përfshijë njerëzit për të kryer vullnetin e tij. Jehovai mund të krahasohet me një njeri që po ndërton një shtëpi. Ndërtuesi ka një projektplan të plotë, por i zgjedh materialet e ndërtimit nga ato që gjenden aty në vend. Në mënyrë të ngjashme, Jehovai sot ka një projekt për të kryer dhe është i kënaqur të përdorë shërbëtorët e tij, të cilët ofrohen vullnetarisht.—Psalmi 110:3; 1 Korintasve 9:16, 17.
Shqyrtoni rastin e të riut Toshio. Kur hyri në shkollë të mesme, ai donte të jepte sa më shumë dëshmi aty, pasi e shihte si territorin e tij të veçantë. E kishte gjithnjë Biblën gati për ta përdorur dhe bënte përpjekje të zellshme për të qenë i krishterë shembullor. Aty nga fundi i vitit të parë shkollor, doli një mundësi për të mbajtur një fjalim para klasës. Toshio iu lut Jehovait për ndihmë dhe u lumturua kur pa se e gjithë klasa i kushtoi vëmendje të plotë fjalimit të tij me titull «Synimi im—Të bëj si karrierë shërbimin e pionierit». U shpjegoi se donte të ishte Dëshmitar i Jehovait në kohë të plotë. Një nga nxënësit pranoi të studionte Biblën me të dhe bëri përparim e u pagëzua. Përpjekjet ngulmuese të Toshios, në përputhje me lutjet e tij, u shpërblyen shumë.
Sa ngulmues je?
Mund ta tregosh në shumë mënyra se po e kërkon me ngulm Jehovain dhe bekimet e tij. Së pari, mund të bësh disa gjëra themelore, si të përgatitesh mirë për mbledhjet e krishtere. Duke bërë komente të përgatitura mirë, fjalime motivuese dhe demonstrime të efektshme, po tregon se sa me forcë po e kërkon Jehovain. Mund ta tregosh ngulmimin tënd edhe duke përmirësuar cilësinë e shërbimit. A mund të përpiqesh të jesh më miqësor kur nis biseda me njerëzit dhe të përdorësh hyrje të efektshme që i përshtaten territorit tënd? (Kolosianëve 3:23) Duke u ushtruar me gjithë zemër, një burrë i krishterë mund të pranojë caktime në kongregacion, siç janë: shërbimi si shërbëtor ndihmës ose si plak. (1 Timoteut 3:1, 2, 12, 13) Duke u treguar i gatshëm, mund të kesh edhe ti gëzimin që vjen kur jep. Mund të bësh kërkesën për të shërbyer në një projekt ndërtimi të një dege ose në një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait. Nëse je një vëlla beqar e i kualifikuar, mund të dëshirosh të ndjekësh Shkollën e Stërvitjes për Shërbim, e cila pajis burra frymorë për t’u bërë barinj të mirë. Në qoftë se je i martuar, shërbimi misionar mund të jetë një mënyrë për të treguar dëshirën e zellshme për t’i shërbyer më tepër Jehovait. Ndoshta do të kesh mundësi të transferohesh atje ku nevoja për predikues të Mbretërisë është më e madhe.—1 Korintasve 16:9.
Ajo që ka vërtet rëndësi është fryma me të cilën e kryen një caktim. Çfarëdo përgjegjësie që të jepet, përkushtoju me ngulm, me zell e me «sinqeritet zemre». (Veprat 2:46; Romakëve 12:8) Duhet ta shohësh çdo caktim si një mundësi për të treguar se ngulmon për t’i sjellë lavdi Jehovait. Lutju vazhdimisht Jehovait për ndihmë dhe bëj më të mirën tënde. Atëherë do të kesh shumë shpërblim.
Përpjekjet ngulmuese shpërblehen
Të kujtohet ai i krishterë që u lut për të mposhtur frikën, me qëllim që t’u predikonte udhëtarëve të tjerë në tren? Jehovai e bekoi dëshirën e tij të sinqertë. Vëllai u përpoq të përdorte hyrje të këndshme dhe zgjodhi disa tema për të filluar biseda. Arriti ta përdorte me efektshmëri Biblën për t’i dhënë dëshmi një burri që ishte i shqetësuar për acarimin e marrëdhënieve njerëzore. Disa rivizita në tren çuan në një studim biblik në shtëpi me këtë burrë. Jehovai e bekoi vërtet atë për përpjekjet ngulmuese.
Ti mund të kesh rezultate të ngjashme, nëse vazhdon ta kërkosh me ngulm Jehovain. Po të këmbëngulësh me përulësi dhe t’i kushtohesh me gjithë zemër çfarëdo veprimtarie teokratike në të cilën përfshihesh, Jehovai do të të përdorë në përputhje me qëllimet e tij dhe do të të sjellë shumë bekime.
[Figura në faqen 26]
Çfarë do t’i kishte ndodhur kësaj gruaje, po të mos kishte këmbëngulur?
[Figura në faqen 27]
A këmbëngul kur i lutesh Jehovait për bekimin e tij?
[Figurat në faqen 28]
Si mund ta tregosh se po e kërkon me ngulm Jehovain?