Hyrje
‘Jini imitues të atyre që nëpërmjet besimit dhe durimit, trashëgojnë premtimet.’—HEBRENJVE 6:12.
1, 2. Me sa duket, si i konsideronte një mbikëqyrës udhëtues personazhet biblike me besim dhe pse ata do të ishin miq të shkëlqyer?
«AI FLET për personazhet biblike si t’i kishte miq prej kohësh.» Këto fjalë i tha një motër e krishterë pasi dëgjoi fjalimin e një mbikëqyrësi udhëtues të moshuar. Dhe me të drejtë, sepse vëllai kishte dekada që studionte dhe i mësonte të tjerët nga Fjala e Perëndisë—studionte aq shumë, sa burrat e gratë me besim për të cilët flet Bibla dukeshin vërtet si miqtë e tij të vjetër, sikur kishte një jetë që i njihte.
2 A nuk do të ishin miq të shkëlqyer shumë nga këto personazhe biblike? A janë ata kaq realë për ty? Imagjino si do të ishte të ecje e të flisje me ta, të kaloje kohë e t’i njihje më mirë shërbëtorë të tillë, si Noeja, Abrahami, Rutha, Elija dhe Estera. Mendo si do të ndikonin në jetën tënde teksa të këshillonin e të inkurajonin me fjalët e tyre të çmuara.—Lexo Proverbat 13:20.
3. (a) Si mund të nxjerrim mësim nga burrat e gratë me besim që përmenden në Bibël? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
3 Sigurisht, kur «të ringjallen . . . të drejtët» do të jetë plotësisht e mundur të krijojmë miqësi të tilla shpërblyese. (Vep. 24:15) Megjithatë, ne mund të mësojmë që tani nga burrat e gratë me besim të cilët përmenden në Bibël. Si? Apostulli Pavël na jep këtë përgjigje praktike: ‘Jini imitues të atyre që nëpërmjet besimit dhe durimit, trashëgojnë premtimet.’ (Hebr. 6:12) Para se të studiojmë për këta burra e gra me besim, le të shqyrtojmë disa pyetje që lindin nga fjalët e Pavlit: çfarë është besimi dhe pse na duhet? Si mund t’i imitojmë shërbëtorët besnikë të lashtësisë?
Besimi—Çfarë është dhe pse na duhet?
4. Çfarë është besimi sipas shumë njerëzve, por pse gabohen?
4 Besimi është një cilësi tërheqëse që të gjithë burrat e gratë për të cilët do të studiojmë në këtë botim e vlerësonin jashtëzakonisht. Shumë njerëz sot nuk e dinë çfarë është besimi i vërtetë. Sipas tyre, besim do të thotë të besosh pa pasur dëshmi ose prova të forta. Por gabohen. Besimi i vërtetë nuk është naivitet, nuk është thjesht një ndjenjë, nuk është i verbër. Naiviteti na vë në rrezik. Ndjenjat shkojnë e vijnë, madje as besimi i verbër nuk mjafton kur bëhet fjalë për Perëndinë, sepse edhe «demonët e besojnë këtë dhe dridhen».—Jak. 2:19.
5, 6. (a) Cilat janë dy aspektet që nuk shihen te të cilat na e drejton vëmendjen besimi? (b) Sa i fortë duhet të jetë besimi ynë? Ilustroje.
5 Besimi i vërtetë është më tepër se kaq. Kujto si e përkufizon Bibla këtë cilësi. (Lexo Hebrenjve 11:1.) Pavli tha se besimi e drejton vëmendjen te dy aspekte që nuk mund t’i shohim. Së pari, te realitetet e tanishme që janë «të papara». Me sytë fizikë nuk mund t’i shohim dot realitetet në botën frymore, si për shembull Perëndinë Jehova, Birin e tij apo Mbretërinë që tani sundon në qiell. Së dyti, besimi na e drejton vëmendjen te ‘gjërat e shpresuara’, pra te ngjarje që nuk kanë ndodhur akoma. Ne nuk mund ta shohim botën e re që do të sjellë së shpejti Mbretëria e Perëndisë. Por, a do të thotë kjo se besimi ynë në realitete të tilla dhe në gjërat që shpresojmë nuk ka baza?
6 Jo,aspak! Pavli shpjegoi se besimi i vërtetë ka baza të forta. Kur e quan besimin «pritja e sigurt», ai përdor një shprehje që mund të përkthehet edhe «akt pronësie». Ta zëmë se dikush vendos të të japë një shtëpi. Të dorëzon aktin e pronësisë e të thotë: «Kjo është shtëpia jote e re.» Sigurisht, me këto fjalë ai nuk po të thotë se do të jetosh në atë copë letër, por po thotë se ky dokument ligjor është një provë kaq e fortë se pronar i shtëpisë je ti, sa të kesh atë dokument është njësoj si të kesh shtëpinë. Në mënyrë të ngjashme, dëshmitë që kemi për të besuar janë kaq bindëse, kaq të forta sa na e bëjnë realitet atë që besojmë.
7. Me çfarë ka të bëjë besimi i vërtetë?
7 Kështu, besimi i vërtetë ka të bëjë me sigurinë që kemi fituar nga përvojat e kaluara dhe me bindjen e patundur. Boshti i besimit tonë është Jehovai. Besimi na bën ta shohim Perëndinë si atin tonë të dashur dhe të besojmë se gjithë premtimet e tij me siguri do të bëhen realitet. Veç kësaj, si një gjë e gjallë, besimi duhet ushqyer që të mbijetojë. Duhet shfaqur me vepra, përndryshe vdes.—Jak. 2:26.
8. Pse është kaq i rëndësishëm besimi?
8 Pse është kaq i rëndësishëm besimi? Pavli dha një arsye bindëse. (Lexo Hebrenjve 11:6.) Pa besim nuk mund t’i afrohemi Jehovait e nuk mund t’i pëlqejmë atij. Prandaj, besimi është i domosdoshëm nëse duam të përmbushim qëllimin më të lartë e fisnik të çdo krijese me aftësi për të arsyetuar: t’i afrohemi dhe t’i japim lavdi Atit tonë qiellor, Jehovait.
9. Si ka treguar Jehovai se është i vetëdijshëm që kemi nevojë për besim?
9 Jehovai e di se sa shumë nevojë kemi për besim, ndaj na siguron shembuj për të na mësuar si ta ndërtojmë e ta shfaqim atë. Burrat besnikë që marrin drejtimin në kongregacionet e krishtere, janë disa nga shembujt që ka siguruar Jehovai për ne. Fjala e tij thotë: «Imitoni besimin e tyre.» (Hebr. 13:7) Jehovai na ka dhënë më tepër se kaq. Pavli përmendi ‘një re të madhe dëshmitarësh’, burra e gra të lashtësisë të cilët kanë lënë shembuj të shkëlqyer besimi. (Hebr. 12:1) Lista e besnikëve që shkroi Pavli, dokumentuar te kapitulli 11-të i Hebrenjve, nuk është e plotë. Faqet e Biblës janë plot ngjarje të vërteta me burra e gra, me të rinj e të moshuar, me njerëz nga të gjitha shtresat që bënë një jetë me besim. Mund të mësojmë shumë prej tyre në këto kohë ku besimi është cilësi e rrallë.
Si ta imitojmë besimin e të tjerëve?
10. Si na ndihmon studimi personal të imitojmë burrat e gratë me besim për të cilët flitet në Bibël?
10 Nuk e imiton dot një person nëse nuk e njeh nga afër. Ndërsa lexon këtë botim, do të vëresh se janë bërë shumë kërkime për të të ndihmuar t’i njohësh këta burra e gra me besim. Duke ndjekur këtë model mund të bësh kërkime të mëtejshme. Gjatë studimit personal, gërmo në Bibël me mjetet ndihmëse që ke në dispozicion. Teksa mediton rreth asaj që po studion, përpiqu të përfytyrosh vendin dhe sfondin e tregimit biblik. Provo të shohësh pamjet, të dëgjosh tingujt, të ndiesh aromat si të ishe atje. Mbi të gjitha, përpiqu të dallosh ndjenjat e personazheve. Ndërsa kupton ndjenjat e tyre, ata shërbëtorë besnikë do të bëhen më realë e më të afërt për ty, madje disa do të të duken si miq të dashur që i ke njohur prej kohësh.
11, 12. (a) Si mund të ndihesh më afër Abramit dhe Sarajës? (b) Si mund të nxjerrësh dobi nga shembulli i Hanës, Elijas dhe Samuelit?
11 Kur t’i njohësh vërtet do të duash t’i imitosh ata. Për shembull, ta zëmë se të kanë ofruar një caktim dhe po e shqyrton nëse do ta pranosh apo jo. Me anë të organizatës së Jehovait, je ftuar të zgjerosh në ndonjë mënyrë shërbimin. Ndoshta të është kërkuar të transferohesh në një territor ku ka nevojë urgjente për lajmëtarë, ose je ftuar të provosh një formë shërbimi me të cilën nuk je mësuar. Ndërsa mendon mirë për caktimin dhe lutesh, a nuk do të të ndihmonte meditimi për shembullin e Abramit? Ai dhe Saraja ishin të gatshëm të linin pas rehatinë e Urit dhe u bekuan jashtëzakonisht. Ndërsa ecën në gjurmët e tyre, me siguri do të ndihesh se i njeh më shumë se kurrë.
12 Po nëse dikush që ke afër të trajton me ligësi dhe ndihesh i shkurajuar—madje aq shumë sa dëshiron të rrish në shtëpi e të mos shkosh në mbledhje? Nëse mediton për shembullin e Hanës dhe për mënyrën si e përballoi ajo sjelljen dashakeqe të Peninës, do të marrësh vendimin e duhur dhe mbase do ta shohësh Hanën si një shoqe të dashur. Po kështu, nëse je i shkurajuar nga ndjenjat e pavlefshmërisë, do të ndihesh më afër Elijas kur të studiosh vështirësitë që hasi dhe si e ngushëlloi Jehovai. Dhe të rinjtë që bombardohen nga presioni i bashkëmoshatarëve imoralë mund të ndihen më pranë Samuelit kur të studiojnë si reagoi ai ndaj ndikimit degjenerues të bijve të Eliut në tabernakull.
13. A ka më pak vlerë në sytë e Jehovait besimi yt ngaqë thjesht imiton të tjerët në mënyrën si e shfaqin atë? Shpjego.
13 A ka më pak vlerë në sytë e Jehovait besimi yt ngaqë thjesht imiton të tjerët në mënyrën si e shfaqin atë? Aspak! Mos harro se Fjala e Jehovait na nxit të imitojmë ata që kishin besim. (1 Kor. 4:16; 11:1; 2 Sel. 3:7, 9) Veç kësaj, disa personazhe të cilat do t’i studiojmë në këtë botim, ishin edhe vetë imitues të disa besnikëve që jetuan para tyre. Për shembull, në kapitullin 17, në ligjëratën e saj, duket se Maria iu referua fjalëve të Hanës, sepse e konsideronte një shembull të mirë. A do të thotë kjo se besimi i Marisë ishte më i dobët? Absolutisht! Përkundrazi, shembulli i Hanës e ndihmoi Marinë të ndërtonte besimin e të bënte një emër të shkëlqyer dhe unik para Perëndisë Jehova.
14, 15. Cilat janë disa veçori të këtij botimi dhe si mund të nxjerrësh dobi prej tij?
14 Ky libër është botuar që të të ndihmojë të forcosh besimin. Kapitujt vijues janë një përmbledhje e artikujve të serisë «Imitoni besimin e tyre», botuar në Kullën e Rojës nga viti 2008 deri më 2013. Gjithsesi, janë shtuar disa informacione. Janë përfshirë pyetje për të diskutuar dhe për të kuptuar si ta zbatojmë. Posaçërisht për këtë botim janë bërë shumë figura plot ngjyra e detaje, kurse ato të mëparshmet janë rritur në përmasa dhe cilësi. Janë përfshirë edhe veçori të tjera të dobishme, si tabela kronologjike e harta. Imitoni besimin e tyre është bërë enkas që të studiohet personalisht, me familjen dhe me kongregacionin. Shumë familje do të kënaqen edhe thjesht duke e lexuar me zë së bashku.
15 Urojmë që ky libër të të ndihmojë të imitosh besimin e shërbëtorëve besnikë të Jehovait në të kaluarën, dhe të rritësh besimin ndërsa afrohesh gjithnjë e më shumë me Atin tënd qiellor, Jehovain!