Jehovai është i arsyeshëm!
«Mençuria nga lart është . . . e arsyeshme.»—JAKOVI 3:17, BR.
1. Në ç’mënyrë disa e kanë menduar Perëndinë si qenie të paarsyeshme dhe ç’mendon ti mbi një koncept të tillë për të?
ÇFARË lloj Perëndie adhuron? A e mendon si një Perëndi me drejtësi strikte e të pathyeshme, me temperament të rreptë e të ashpër? Me sa duket reformatorit protestant, Xhon Kalvin, i dukej kështu. Sipas Kalvinit, Perëndia ka një «plan të përhershëm dhe të pandryshueshëm» për çdo individ, i cili paracakton nëse do të jetojë përgjithmonë i lumtur apo do të torturohet përjetësisht në zjarrin e ferrit. Mendo: nëse do të ishte kështu, sado që të mundoheshe asgjë nuk do të mund të bëje për të ndryshuar planin e ashpër që kohë më parë Perëndia ka paracaktuar për ty dhe për të ardhmen tënde. A do të ndiheshe i tërhequr ndaj një Perëndie të tillë të paarsyeshëm?—Krahaso Jakovin 4:8.
2, 3. (a) Si mund të ilustrohet paarsyetueshmëria e institucioneve dhe organizatave njerëzore? (b) Në ç’mënyrë e nxjerr në pah aftësinë e Jehovait për t’u përshtatur vizioni i Ezekielit për karrocën qiellore të tij?
2 Sa ngushëllohemi kur mësojmë se Perëndia i Biblës është shumë i arsyeshëm! Nuk është Perëndia, por janë njerëzit ata, që të kufizuar nga papërsosmëritë e tyre, kanë prirjen për të qenë të ashpër dhe të pathyeshëm. Organizatat njerëzore mund të jenë po aq pak të manovrueshme, sa edhe trenat e mallrave. Kur në rrugën që duhet të përshkojë një tren gjigant mallrash gjendet një pengesë mbi binarë, nuk mund të pretendohet që treni të ndërrojë rrugë dhe as të ndalet me lehtësi. Disa trena përshkojnë akoma më shumë se një km rrugë pas momentit të frenimit! Ngjashëm, një anije e madhe cisternë mund të përshkojë akoma tetë km pas momentit të fikjes së motorave. Edhe nëse lëvizin në të kundërt, ajo mund të vazhdojë të ecë përpara tre km të tjerë! Por tani shqyrto një mjet që nxit shumë më tepër frikë sesa këto që sapo kemi përmendur, një mjet që paraqet organizatën e Perëndisë.
3 Më shumë se 2.600 vjet më parë, Jehovai i dha profetit Ezekiel një vizion, në të cilin paraqitej organizata e Tij qiellore e formuar nga krijesa frymore. Ishte një karrocë me përmasa gjigante, vetë «mjeti» i Jehovait vazhdimisht nën kontrollin e tij. Gjëja më interesante ishte mënyra se si lëvizte. Rrotat gjigante kishin katër anë dhe ishin të mbushura plot me sy, në mënyrë që të shihnin kudo dhe të ndryshonin drejtimin në çast pa u kthyer prapa dhe pa ndaluar. Përveç kësaj, ky mjet gjigant nuk ecte rëndë e me zhurmë, si një anije e madhe cisternë apo një tren mallrash. Ajo mund të ecte me shpejtësinë e rrufesë, duke bërë edhe kthesa të forta të menjëhershme! (Ezekieli 1:1, 14-28) Jehovai ndryshon aq shumë nga Perëndia që predikoi Kalvini, sa edhe karroca e Tij ndryshon nga makinat e ngathëta të prodhuara nga njeriu. Ai përshtatet në mënyrë të përsosur. Çmueshmëria ndaj këtij aspekti të personalitetit të Jehovait, duhet të na ndihmojë që të përshtatemi me situatën dhe të shmangim grackën e paarsyetueshmërisë.
Jehovai: më i afti në univers për t’u përshtatur
4. (a) Në ç’mënyrë vetë emri i Jehovait të bën të kuptosh se është një Perëndi që përshtatet? (b) Cilët janë disa nga titujt e Perëndisë Jehova dhe përse janë të përshtatshëm?
4 Vetë emri i Jehovait nënkupton përshtatshmërinë e tij. «Jehova» fjalë për fjalë do të thotë «Ai që shkakton të bëhet». Në mënyrë të qartë, kjo do të thotë se Jehovai bën që vetë ai të bëhet Plotësuesi i të gjitha premtimeve të tij. Kur Moisiu e pyeti Perëndinë për emrin e tij, Jehovai ia zgjeroi kuptimin duke thënë: «Do të tregoj se jam ai që jam.» (Të Dalët 3:14, BR) Përkthimi Rotherham thotë: «Do të bëhem gjithçka që dua.» Jehovai tregon se është apo vendos që të bëhet gjithçka që duhet për të plotësuar premtimet dhe qëllimet e tij të drejta. Ja përse ka një shumëllojshmëri të madhe titujsh, si Krijues, Atë, Zot Sovran, Bari, Jehovai i ushtrive, Dëgjues i lutjes, Gjyqtar, Mësues i Madh, Shpengues. Ai e ka shndërruar veten në kaq shumë gjëra dhe të tjera akoma, për të plotësuar qëllimet e tij të dashura.—Isaia 8:13; 30:20; 40:28; 41:14; Psalmi 23:1; 65:2; 73:28; 89:26; Gjykatësit 11:27, shiko gjithashtu Përkthimin e Botës së Re, Shtojcën 1J.
5. Përse nuk duhet të jemi të mendimit se përshtatshmëria e Jehovait do të thotë se karakteri dhe normat e tij ndryshojnë?
5 Mos vallë kjo atëherë do të thotë se karakteri dhe normat e Perëndisë ndryshojnë? Jo, siç thotë Jakovi 1:17 ‘pranë tij nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi’. Mos ka ndonjë kontradiktë këtu? Jo, aspak. Për shembull, cili prind i dashur nuk do t’i ndryshonte rolet për të mirën e fëmijëve? Vetëm brenda një dite, një prind mund të jetë këshillues, amvisë, pastrues, mësues, disiplinues, mik, mekanik, infermier e kështu lista mund të vazhdojë akoma. Kur merr përsipër këto role, prindi nuk ndryshon personalitetin; ai apo ajo thjesht i përshtatet nevojave të çastit. Të njëjtën gjë bën edhe Jehovai, por në një shkallë shumë më të lartë. Nuk ekzistojnë kufij lidhur me faktin se çfarë ai vendos të bëhet për të mirën e krijesave të tij. Thellësia e mençurisë së tij është vërtet marramendëse!—Romakëve 11:33.
Arsyetueshmëria është një karakteristikë e mençurisë hyjnore
6. Cili është kuptimi fjalë për fjalë i termit grek të përdorur nga Jakovi për të përshkruar mënçurinë hyjnore?
6 Dishepulli Jakov përdori një fjalë interesante për të përshkruar mençurinë e këtij Perëndie me aftësi të jashtëzakonshme për t’u përshtatur. Ai shkroi: «Mençuria nga lart është . . . e arsyeshme.» (Jakovi 3:14, BR) Fjala greke që ai përdori këtu, (e·pi·ei·kesʹ) përkthehet me vështirësi. Përkthyesit kanë përdorur fjalë të tilla, si «i butë», «zemërbutë», «i përmbajtur» dhe «tolerant». Përkthimi Bota e Re e përkthen «i arsyeshëm» me një shënim që tregon se kuptimi fjalë për fjalë është «i shtruar» Kjo fjalë shpreh, gjithashtu, idenë e moskëmbënguljes në çdo germë të ligjit, për të mos qenë tepër strikt apo të rreptë. Dijetari Uilliam Barklei vëren: «Aspekti më i rëndësishëm dhe themelor i epieikeia-s është se vjen nga Perëndia. Ku do të ishim, nëse Perëndia do të këmbëngulte në të drejtat e tij, nëse Perëndia do të zbatonte tek ne vetëm normat e rrepta të ligjit? Perëndia është shembulli më i përsosur i personit epieikçs që i trajton të tjerët me epieikeia.»—New Testament Words.
Në 1769-ën, leksikografi Xhon Parkhërst e përcaktoi këtë fjalë «i shtruar, me natyrë të shtruar, i butë, i urtë, i durueshëm». Edhe dijetarë të tjerë paraqesin si përcaktim fjalën «i shtruar».
7. Në ç’mënyrë tregoi Jehovai arsyetueshmëri në kopshtin e Edenit?
7 Sill ndër mend kohën kur njerëzimi u rebelua kundër sovranitetit të Jehovait. Sa e lehtë do të ishte për Perëndinë t’i ekzekutonte ata tre rebelë mosmirënjohës—Adamin, Evën dhe Satanain! Sa dëshpërim do t’i kursente vetes po ta bënte një gjë të tillë! Kush do të mund të argumentonte se ai nuk kishte të drejtë të ushtronte një drejtësi të tillë të rreptë? Megjithatë, Jehovai nuk lejon kurrë që organizata e tij qiellore e krahasuar me një karrocë, të kushtëzohet nga një normë drejtësie e rreptë dhe që nuk ka aftësi të përshtatet. Kështu, ajo karrocë nuk e dërrmoi në mënyrë të pamëshirshme familjen njerëzore dhe të gjitha perspektivat për të ardhmen e lumtur të njerëzimit. Përkundrazi, Jehovai e manovroi karrocën me shpejtësinë e rrufesë. Menjëherë pas rebelimit, Perëndia Jehova theksoi qëllimin e tij largpamës që ofronte mëshirë dhe shpresë për të gjithë pasardhësit e Adamit.—Zanafilla 3:15.
8. (a) Çfarë ndryshimi ekziston ndërmjet pikëpamjes së gabuar të arsyetueshmërisë së të ashtuquajturit krishterim dhe arsyetueshmërisë së sinqertë të Jehovait? (b) Përse mund të themi se arsyetueshmëria e Jehovait nuk do të thotë se ai mund të kompromentojë parimet hyjnore?
8 Megjithatë, fakti se Jehovai është i arsyeshëm nuk do të thotë se ai mund t’i kompromentojë parimet hyjnore. Kishat e sotme të të ashtuquajturit krishterim mund të mendojnë se po tregohen të arsyeshme kur dënojnë me fjalë imoralitetin vetëm për të lajkatuar kopetë e tyre tekanjoze. (Krahaso 2. Timoteut 4:3.) Jehovai nuk i shkel kurrë ligjet e tij dhe as nuk i kompromenton parimet e tij. Por, ai është gati të tregohet i shtruar dhe t’u përshtatet rrethanave në mënyrë që ato parime të zbatohen me drejtësi dhe mëshirë. Ai e ekuilibron gjithmonë me kujdes ushtrimin e drejtësisë dhe fuqisë së tij, me dashurinë dhe mençurinë e tij të arsyeshme. Le të shqyrtojmë tre mënyra në të cilat Jehovai tregon arsyetueshmëri.
«I gatshëm për të falur»
9, 10. (a) Ç’lidhje ekziston ndërmjet arsyetueshmërisë dhe ‘gatishmërisë për të falur’? (b) Si përfitoi Davidi nga gatishmëria e Jehovait për të falur dhe përse?
9 Davidi shkroi: «Sepse ti, o Jehova, je i mirë dhe i gatshëm për të falur; dhe dashamirësia jote e dashur ndaj gjithë atyre që të kërkojnë është me bollëk.» (Psalmi 86:5, BR) Kur Shkrimet Hebreje u përkthyen në greqisht, fjala e përdorur për «i gatshëm për të falur» u përkthye në e·pi·ei·kesʹ ose «i arsyeshëm». Në të vërtetë, gatishmëria për të falur dhe shfaqja e mëshirës janë ndoshta mënyrat kryesore për të treguar arsyetueshmëri.
10 Vetë Davidi e dinte mirë se sa i arsyeshëm është treguar Jehovai në këtë aspekt. Kur Davidi kreu tradhti bashkëshortore me Betshebën dhe përgatiti vrasjen e të shoqit, ai dhe Betsheba së bashku meritonin dënimin me vdekje. (Ligji i përtërirë 22:22; 2. Samueli 11:2-27) Nëse çështja do të gjykohej nga gjyqtarë të ashpër njerëzorë, që të dy do të përfundonin në vdekje. Por Jehovai u tregua i arsyeshëm (e·pi·ei·kesʹ), fjalë që sipas një fjalori termash biblike «shpreh atë konsideratë që të shtyn të shqyrtosh ‘me njerëzillëk dhe arsyetueshmëri aspektet e ndryshme të një rasti’». (Vine’s Expository Dictionary of Biblical Words) Ndër faktet që ndikuan në vendimin e mëshirshëm të Jehovait, ndoshta përfshiheshin pendimi i sinqertë i keqbërësit dhe mëshira që vetë Davidi kishte treguar më parë për të tjerët. (1. Samueli 24:4-6; 25:32-35; 26:7-11; Mateu 5:7; Jakovi 2:13) Megjithatë, në përputhje me përshkrimin që Jehovai i bëri vetes tek Të Dalët 34:4-7, ishte e arsyeshme që Jehovai duhej ta korrigjonte Davidin. Përmes profetit Natan, ai i dërgoi Davidit një mesazh të fuqishëm, për t’i lënë atij të kuptonte se kishte përçmuar fjalën e Jehovait. Davidi u pendua dhe nuk vdiq për shkak të mëkatit të tij.—2. Samueli 12:1-14.
11. Si e tregoi Jehovai gatishmërinë për të falur në rastin e Manaseut?
11 Shembulli i Manaseut, mbretit të Judës, është më i spikatur në këtë aspekt, pasi Manaseu ndryshe nga Davidi, kishte qenë i lig për një kohë shumë të gjatë. Ai përkrahu praktikat neveritëse fetare në vend, duke përfshirë edhe flijimet në njerëz. Ndoshta ai ishte përgjegjës edhe për vdekjen e profetit besnik Isaia ‘të prerë me sharrë’. (Hebrenjve 11:37) Për ta ndëshkuar, Jehovai lejoi që Manaseu të merrej rob në Babiloni. Megjithatë, në burg Manaseu u pendua dhe u lut për mëshirë. Në përgjigje të këtij pendimi të sinqertë, Jehovai u tregua «i gatshëm për të falur» edhe në këtë rast ekstrem.—2. Kronikat 33:9-13.
Ndryshimi i qëndrimit sipas rrethanave të reja
12, 13. (a) Cili ndryshim rrethanash e nxiti Jehovain të ndryshonte qëndrimin, në rastin e Ninevisë? (b) Në ç’mënyrë Jonai u tregua më pak i arsyeshëm se Perëndia Jehova?
12 Arsyetueshmëria e Jehovait shihet edhe në gatishmërinë për të ndryshuar një drejtim të paracaktuar qëndrimi sipas rrethanave të reja. Për shembull, kur profeti Jona përshkoi të gjitha rrugët e Ninevisë së lashtë, mesazhi i tij i frymëzuar ishte mjaft i qartë: Qyteti i fortë do të shkatërrohet brenda 40 ditësh. Por rrethanat ndryshuan në mënyrë dramatike! Ninevitët u penduan.—Jonai, kapitulli 3.
13 Është e udhës të krahasojmë se si reaguan Jehovai dhe Jonai ndaj kësaj kthese që morën ngjarjet. Në realitet, Jehovai e ndryshoi drejtimin e karrocës së tij qiellore. Në këtë rast ai iu përshtat situatës, duke u kthyer në një falës mëkatesh dhe jo në një «luftëtar». (Të Dalët 15:3) Ndërsa Jonai ishte më zemërgur. Në vend se të qëndronte në një hap me karrocën e Jehovait, veproi më shumë ngjashëm trenit të mallrave apo anijes cisternë të përmendura më lart. Ai kishte shpallur rrënim, prandaj rrënim duhej të ishte! Ndoshta ai mendonte se çdo ndryshim i rrjedhës së ngjarjeve, do të bënte që atij t’i humbte nami i mirë në sytë e ninevitëve. Por me durim, Jehovai i dha profetit të tij kokëfortë një mësim të paharrueshëm lidhur me arsyetueshmërinë dhe mëshirën.—Jonai, kapitulli 4.
14. Përse e ndryshoi Jehovai qëndrimin e tij lidhur me profetin Ezekiel?
14 Edhe në raste të tjera Jehovai ka ndryshuar qëndrim, madje edhe në çështje relativisht të parëndësishme. Një herë, për shembull, kur e ngarkoi profetin Ezekiel të vinte në skenë një dramë profetike, një ndër udhëzimet ishte që Ezekieli ta gatuante ushqimin në zjarrin e përgatitur me jashtëqitjet e njerëzve. Për profetin kjo ishte shumë, aq shumë sa ai tha me zë të lartë, «Medet, o Zoti Sovran Jehova!» dhe iu lut që të mos e detyronte të bënte diçka kaq të neveritshme. Jehovai nuk i përçmoi ndjenjat e profetit si të paarsyeshme; përkundrazi Ai e lejoi Ezekielin që të përdorte jashtëqitjet e gjedhëve, një lëndë djegëse e zakonshme deri atëherë në shumë vende.—Ezekieli 4:12-15, BR.
15. (a) Cilët shembuj tregojnë se Jehovai ishte i gatshëm t’i dëgjonte dhe t’u jepte përgjigje qenieve njerëzore? (b) Çfarë mësojmë nga kjo?
15 A nuk është inkurajuese të mendojmë për përulësinë e Perëndisë tonë Jehova? (Psalmi 18:35) Edhe pse qëndron shumë më lart se ne, ai i dëgjon me durim njerëzit e papërsosur dhe madje shpesh e ndryshon qëndrimin e tij sipas rastit. Ai e lejoi Abrahamin t’i lutej për një kohë të gjatë në lidhje me shkatërrimin e Sodomës dhe Gomorrës. (Zanafilla 18:23-33) Gjithashtu, Ai lejoi Moisiun që të kundërshtonte propozimin e Tij për të shkatërruar izraelitët rebelë dhe në vend të tyre të krijonte përmes tij një komb të fuqishëm. (Të Dalët 32:7-14; Ligji i përtërirë 9:14, 19; krahaso Amosin 7:1-6.) Në këtë mënyrë, ai la një shembull të përsosur për shërbëtorët e tij njerëzorë, të cilët duhet të tregojnë të njëjtën gatishmëri për t’i dëgjuar të tjerët kur është e arsyeshme dhe e mundur për ta bërë.—Krahaso Jakovin 1:19.
Arsyetueshmëri në ushtrimin e autoritetit
16. Në ç’mënyrë ndryshon Jehovai nga shumë njerëz lidhur me mënyrën se si e ushtron autoritetin e tij?
16 A e ke vënë re ndonjëherë se sa më shumë autoritet të fitojë një person, aq më i paarsyeshëm duket se bëhet? Përkundrazi, Jehovai edhe pse ka pozitën më të lartë të autoritetit në univers, është shembulli më i përsosur i arsyetueshmërisë. Ai ushtron autoritet në mënyrë të arsyeshme. Ndryshe nga shumë njerëz, Jehovai është i sigurt për autoritetin e tij, prandaj nuk ndihet i detyruar ta ruajë atë me xhelozi, ashtu si dhënia e njëfarë autoriteti të tjerëve mund të kërcënojë disi tëndin. Në fakt, kur ishte edhe një qenie tjetër në univers, Jehovai i dha atij autoritet të gjerë. Ai e përdori Logos-in si «mjeshtrin» e tij dhe që atëherë i solli në ekzistencë të gjitha gjërat përmes Birit të tij të dashur. (Proverbat 8:22, 29-31; Gjoni 1-3, 14; Kolosianëve 1:15-17) Më vonë ai i besoi atij «çdo pushtet në qiell e mbi tokë».—Mateu 28:18; Gjoni 5:22.
17, 18. (a) Përse Jehovai i dërgoi engjëjt në Sodomë dhe Gomorrë? (b) Përse Jehovai u kërkoi sugjerime engjëjve për mënyrën se si t’ia prishnin mendjen Akabit?
17 Ngjashëm, Jehovai u besoi shumë prej këtyre krijesave, detyra që ai vetë do t’i kryente shumë më mirë. Për shembull, kur i tha Abrahamit, «unë do të zbres [në Sodomë dhe Gomorrë] për të parë nëse kanë bërë me të vërtetë simbas britmës që ka arritur tek unë, në rast të kundërt, do ta mësoj», nuk deshi të thoshte se do të shkonte atje personalisht. Përkundrazi, Jehovai vendosi të dërgonte një pjesë të autoritetit të tij, duke caktuar engjëj për të mbledhur informacione në vend të tij. Ai u dha atyre autoritet për të drejtuar këtë mision për sigurinë e vërtetësisë së fakteve dhe për t’i raportuar rezultatet.—Zanafilla 18:1-3, 20-22.
18 Në një rast tjetër, kur Jehovai vendosi të ekzekutonte vendimin mbi mbretin e lig Akab, Ai i ftoi engjëjt në një asamble qiellore që të ofronin sugjerime se si ‘t’ia prishnin mendjen’ atij mbreti apostat që të shkonte në betejë, ku do të gjente vdekjen. Sigurisht, Jehovai, Burimi i gjithë mençurisë, nuk kishte nevojë për ndihmë që të propozonte mënyrën më të mirë të veprimit! Megjithatë, ai i nderoi engjëjt duke u dhënë privilegjin që të propozonin zgjidhje dhe duke u lënë në dorë autoritetin që të ekzekutonin atë që ai do të zgjidhte.—1. Mbretërit 22:19-22.
19. (a) Përse Jehovai e kufizon sasinë e ligjeve që ai vetë ka nxjerrë? (b) Si tregohet i arsyeshëm Jehovai lidhur me atë që ai pret nga ne?
19 Jehovai nuk e përdor autoritetin e tij për të ushtruar kontroll të papërshtatshëm mbi të tjerët. Edhe në këtë aspekt ai shfaq një masë të pakrahasueshme arsyetueshmërie. Ai e kufizon me kujdes sasinë e ligjeve që ka nxjerrë dhe ndalon që shërbëtorët e tij të ‘shkojnë përtej asaj që është shkruar’ duke shtuar ligje të rënda me iniciativën e tyre. (1. Korintasve 4:6, BR; Veprat 15:28; krahaso Mateun 23:4.) Ai nuk kërkon kurrë bindje të verbër nga krijesat e tij, por siguron informacion të mjaftueshëm për t’i drejtuar ata dhe e lë zgjedhjen në dorën e tyre, duke u dhënë mundësi të njohin dobitë e bindjes dhe pasojat e mosbindjes. (Ligji i përtërirë 30:19, 20) Ai nuk i detyron njerëzit të bëjnë atë që ai do, duke ngjallur tek ata ndjenjën e fajit, të turpit apo të frikës, por përpiqet të arrijë zemrat; ai dëshiron që njerëzit t’i shërbëjnë atij nga dashuria e sinqertë dhe jo nga ndjenja e detyrimit. (2. Korintasve 9:7) I gjithë ky shërbim i kryer me gjithë shpirt e gëzon zemrën e Perëndisë, prandaj ai nuk është i paarsyeshëm, «i vështirë për t’u kënaqur».—1. Pjetrit 2:18; Proverbat 27:11; krahaso Mikea 6:8.
20. Si ndikon tek ti arsyetueshmëria e Jehovait?
20 A nuk është e qartë se Perëndia Jehova, i cili është më i fuqishmi nga çdo qenie e krijimit, nuk e ushtron kurrë këtë fuqi në mënyrë të paarsyeshme dhe nuk e përdor atë për t’i i detyruar apo për t’i kërcënuar të tjerët? Megjithatë, njerëzit që janë shumë më të vegjël në krahasim me të, gjithmonë janë përpjekur të sundojnë mbi njëri-tjetrin. (Eklisiastiu 8:9) Është e qartë se arsyetueshmëria është një cilësi e çmuar, një cilësi që na nxit ta duam Jehovain akoma më shumë. Kjo e fundit, nga ana e saj, mund të na nxitë ta kultivojmë këtë cilësi tek vetja. Si mund ta bëjmë këtë? Kjo gjë do të trajtohet në artikullin vijues.
Si do të përgjigjeshe?
Si e thekson emri i Jehovait dhe vizioni i karrocës së tij qiellore aftësinë e tij për t’u përshtatur?
Çfarë është arsyetueshmëria dhe përse është një shenjë e mençurisë hyjnore?
Në cilat mënyra ka treguar Jehovai se ai është «i gatshëm për të falur»?
Përse në disa raste Jehovai e ka ndryshuar drejtimin e paracaktuar?
Si tregohet i arsyeshëm Jehovai në mënyrën se si e ushtron autoritetin?
[Figura në faqen 10]
Përse Jehovai e fali mbretin e lig Manase?