Dhuruesi i «çdo dhurate të mirë»
«Një herë isha ftuar për vizitë nga një prift i Kishës së Reformuar. Ai donte të dinte se si administrohej kisha ime. I thashë: “Ne nuk paguajmë shpërblim; nuk ekziston asgjë që mund t’i bëjë njerëzit që të grinden. Nuk bëjmë kurrë mbledhje ndihmash.” “Si i siguroni fondet?”—pyeti ai. Iu përgjigja: “E po mirë, dr.——, nëse do t’ju thosha të vërtetën e kulluar, vështirë se do ta besonit. Kur njerëzit janë të interesuar për këtë gjë, nuk e gjejnë tabakanë e mbledhjes së ndihmave nën hundë. Por kuptojnë se ka shpenzime. Thonë me vete: ‘Kjo sallë kushton diçka. Si mund të jap një kontribut në para për këtë gjë?’” Më vështroi sikur të mendonte: “Ç’më kujton se jam, një kungull?” I thashë: “Jo, dr.——, po ju them sinqerisht të vërtetën. . . . Kur dikush merr një bekim dhe ka burime ekonomike, dëshiron t’i përdorë ato për Zotërinë. Nëse nuk ka asnjë mjet, përse duhet ta ngacmojmë derisa të japë diçka?”»
—Charles T. Russell, kryetar i parë i Shoqatës Whatch Tower, «Kulla e Rojës», 15 qershor 1915 (angl).
JAPIM sepse Jehova Perëndia ishte i pari që dha. Bujaria e tij filloi shumë kohë më parë me krijimin e krijesës së tij të parë, «Birin e tij të vetëmlindur». (Gjoni 3:16) Nga dashuria, ai u dhuroi jetën të tjerëve.
Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, është dhurata më e madhe që Jehovai na ka bërë. Por, Biri i Perëndisë, në vetvete nuk është fundi i bujarisë së treguar nga Perëndia. Apostulli Pavël e përshkroi «begatinë e dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë» si «dhuratën e papërshkrueshme falas» të Jehovait. (2. Korintasve 9:14, 15, BR) Kjo dhuratë përfshin dukshëm gjithë mirësinë dhe dashamirësinë që Perëndia tregon ndaj popullit të tij përmes Jezuit. Kjo dashamirësi e pamerituar është kaq e mrekullueshme, saqë e tejkalon aftësinë njerëzore për ta përshkruar ose shprehur. Megjithatë, ka edhe aspekte të tjera të bujarisë së Perëndisë.
Shumë kohë më parë, një mbret me mençuri dhe përulësi mësoi se çdo gjë të mirë që ai jepte si dhuratë, në të vërtetë i përkiste Jehovait. Ai tha: «Sepse gjithshka që është në qiell dhe mbi tokë është jotja. E jotja, o Zot është mbretëria, dhe ti ngrihesh sovran mbi gjithshka. . . . Po kush jam unë dhe kush është populli im që jemi në gjendje të të ofrojmë gjithshka në mënyrë spontane? Në të vërtetë të gjitha gjërat vijnë nga ti, dhe ne të kemi kthyer thjesht atë që kemi marrë nga dora jote.»—1. Kronikave 29:11-14.
Shembulli i Perëndisë
Jakovi, një dishepull i Jezu Krishtit, e dinte se Jehova Perëndia është burimi i çdo gjëje që është krejtësisht e mirë në çdo aspekt. Prej tij vijnë vetëm dhurata të përsosura. Jakovi shkroi: «Çdo dhuratë e mirë dhe çdo dhunti e përsosur është prej së larti, zbret nga Ati i dritës, në të cilin nuk ka ndërrim as hije ndryshimi.»—Jakovi 1:17.
Edhe në bërjen e dhuratave Jakovi e shihte se sa i ndryshëm ishte Perëndia nga njerëzit. Njerëzit mund të bëjnë dhurata të mira, por jo gjithmonë. Këto dhurata mund të bëhen nga arsye egoiste ose mund të përdoren për të shtyrë dikë të bëjë diçka të keqe. Tek Jehovai nuk ka ndryshime, ai nuk ndryshon. Prandaj, edhe natyra e dhuratave të tij nuk ndryshon. Ato janë gjithmonë të pastra. Gjithmonë mbështesin mirëqenien dhe lumturinë e njerëzimit. Janë gjithmonë të përzemërta, të nevojshme dhe kurrë nuk janë rrënuese.
Arsye për të bërë dhurata
Në ditët e Jakovit, udhëheqësit e zakonshëm fetarë praktikonin bërjen e dhuratave vetëm që të shiheshin nga njerëzit. Jepnin për motive të gabuara. Të etur për duartrokitjen e njerëzve, ata kompromentonin standardet e tyre të drejta. Megjithatë, të krishterët duhej të ishin ndryshe. Jezui i këshilloi: «Prandaj kur të ndash lëmoshë, mos i bjer burisë para vetes, sikurse bëjnë shtiracakët në sinagoga dhe në rrugë të madhe për të qenë nderuar prej njerëzve. Për të vërtetë po ju them: u ndanë me atë shpërblim! Ndërsa ti, kur të bësh lëmoshë, mos të dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë, e Ati yt që sheh në fshehtësi, do ta shpërblejë.»—Mateu 6:2-4.
Arsyeja për të cilën i krishteri bën dhurata është që të ndihmojë të tjerët për të plotësuar ndonjë nevojë, për t’i bërë ata të lumtur ose për të përkrahur adhurimin e vërtetë. Nuk e bën një gjë të tillë për të mbuluar veten me lavdi. Para së gjithash, sytë e Jehovait mund të depërtojnë në skutat më të thella të zemrës sonë. Ai mund të shohë motivet më të fshehta pas dhuratave të mëshirës.
Dëshmitarët e Jehovait përpiqen që të ndjekin shembullin e Jehovait dhe të Birit të tij në bërjen e dhuratave. Japin atë që kanë. Kanë lajmin e mirë të Mbretërisë dhe e japin atë për të mirën e të tjerëve. Ata e dinë se Proverbat 3:9 deklaron: «Ndero Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke.» Pasi çdo zyrë e degës, çdo kongregacion dhe çdo individ përpiqet me zell për të kontribuar për mirëqenien e të gjithëve, mbarë vëllazëria është bërë e fortë frymësisht dhe e begatshme. Begatia materiale nuk të çon në begatinë frymore, ndërsa begatia frymore sjell begati të bollshme materiale për nevojat e veprës së Jehovait.
Mënyra për të marrë pjesë
Ekzistojnë shumë mënyra në të cilat çdokush mund të kontribuojë personalisht në mbështetjen e lajmit të mirë. Një mënyrë është në lidhje me Sallat e Mbretërisë. Salla e Mbretërisë përdoret nga të gjithë anëtarët e kongregacionit. Dikush ka siguruar fonde për ndërtimin ose marrjen e saj me qira, për ndriçimin, për impiantet termike dhe për mirëmbajtjen. Meqë kongregacioni ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve, në Sallën e Mbretërisë janë vendosur dy kuti kontributesh dhe dhuratat vullnetare që gjenden aty përdoren për të paguar shpenzimet e kongregacionit. Zyrës së degës së Shoqatës (Whatch Tower), mund t’i dërgohen kontribute nga tepricat, sipas vendimit të kongregacionit.
Mund t’i dërgohen kontribute vetë degës së Shoqatës për stërvitjen dhe mbajtjen e misionarëve dhe të pionierëve specialë, në ato pjesë të botës, ku lajmi i mirë nuk ka arritur mbarë popullsinë. Shpenzime të tjera për përhapjen e lajmit të mirë janë në lidhje me veprën e mbikëqyrësve udhëtues. Apostulli Pavël, i cili dha shembull në veprën udhëtuese gjatë shekullit të parë, lavdëroi kongregacionin e Filipisë: «Herën e parë dhe herën e dytë më dërguat diçka për nevojën time.» (Filipianëve 4:14-16, BR) Përveç shpenzimeve në lidhje me këto veçori të shërbimit të plotë kohor që përballojnë të gjitha degët, janë edhe ato për mbajtjen e çdo shtëpie Bethel dhe të atyre që jetojnë dhe banojnë atje. Shkrimi dhe shtypja e literaturës që përmban mesazhin e mrekullueshëm të lajmit të mirë janë me të vërtetë privilegje të dhëna nga Jehovai, por shpërndarja e literaturës është gjithashtu e nevojshme dhe kërkon shpenzime. Duhen bërë shpenzime edhe për organizimin e asambleve dhe të kongreseve, për të mos përmendur rastet që janë diskutuar «për të mbrojtur dhe për të vendosur ligjërisht lajmin e mirë».—Filipianëve 1:7, BR.
Koha e harxhuar nga çdo shërbëtor i Jehovait për predikimin e lajmit të mirë jepet vullnetarisht dhe i njëjti parim vlen edhe për dhënien e fondeve materiale. Apostulli Pavël këshilloi vënien mënjanë rregullisht të parave që do të përdoren për përkrahjen e përhapjes së adhurimit të vërtetë: «Përsa i përket mbledhjes së ndihmave për shenjtër . . . Të parën ditë të secilës javë, secili prej jush të ndajë në vete sa të ketë mundur të kursejë.»—1. Korintasve 16:1, 2.
Kur një person bën një kontribut vullnetar, jo gjithmonë e di saktësisht se si do të përdoret ai, por rezultatet i shikon në përhapjen e predikimit të Mbretërisë. Raportet në Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1993 tregojnë se lajmi i mirë i Mbretërisë është predikuar në më shumë se 200 vende dhe ishuj nga më shumë se 4.500.000 shërbëtorë të krishterë. Raporte të tilla janë inkurajuese. Kështu pra, çdo dhuratë, pa marrë parasysh madhësinë, ndihmon në përhapjen e lajmit të mirë në mbarë botën.
Kjo vepër mbahet nga bujaria e të gjithëve bashkë. Disa mund të japin më shumë, gjë që ndihmon veprën e predikimit në një shkallë më të madhe. Të tjerë japin më pak. Por ata që bëjnë dhurata modeste nuk duhet të turpërohen ose të mendojnë se kontributi i tyre është i papërfillshëm. Jehovai me siguri nuk mendon kështu. Jezui e bëri mjaft të qartë një gjë të tillë, kur tregoi se sa shumë e çmoi Jehovai ndihmën modeste të vejushës. «Kështu pa një vejushë nevojtare të hidhte dy monedha me një vlerë fare të vogël dhe tha: ‘Me të vërtetë po ju them, kjo vejushë, megjithëse e mjerë, hodhi më shumë se të gjithë. Sepse të gjithë këta hodhën nga tepricat e tyre, por kjo grua në skamje hodhi gjithçka që kishte për të jetuar.’»—Luka 21:2-4, BR.
Pa i kushtuar rëndësi situatës financiare në të cilën jemi, mund t’i japim Jehovait në mënyrën që i pëlqen atij. Psalmisti e përmblodhi mirë se si mund t’i japim lavdi Mbretit dhe Gjykuesit tonë. Ai deklaroi: «Jepini Zotit lavdinë që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani në oborret e tij.» (Psalmi 96:8) Kështu, le të imitojmë shembullin e dashur të Atit tonë qiellor, duke qenë dhurues të gëzuar, sepse në fillim ka qenë ai bujar ndaj nesh.
Për më shumë informacion në lidhje me çështje të tilla shkruaj në Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri, Kutia Postare nr. 3, Tiranë ose zyrës së degës më të afërt të Shoqatës Watch Tower.
[Figurat në faqen 31]
Si përdoren dhuratat e tua:
1. Vullnetarë në Bethel
2. Ndërtime të zyrës së degës
3. Ndihma humanitare
4. Salla Mbretërie
5. Misionarë