Cilësia e besimit tënd: E sprovuar tani
«Konsiderojeni të gjithin një gëzim, vëllezërit e mi, kur hasni sprova të ndryshme, duke e ditur se kjo cilësi e sprovuar e besimit tuaj prodhon qëndrueshmëri.»—JAKOVIT 1:2, 3, BR.
1. Pse të krishterët duhet të presin sprova të besimit të tyre?
TË KRISHTERËT e vërtetë nuk kanë qejf të vuajnë dhe nuk ndiejnë kënaqësi nga dhembja ose poshtërimi. Por megjithatë, ata mbajnë parasysh fjalët e mësipërme të shkruara nga gjysmëvëllai i Jezuit, Jakovi. Krishti ua bëri të qartë dishepujve të tij se mund të pritnin persekutime dhe vështirësi të tjera, sepse u përmbaheshin standardeve të Perëndisë. (Mateu 10:34; 24:9-13; Gjoni 16:33) Gjithsesi, nga sprova të tilla mund të rezultojë gëzim. Si kështu?
2. (a) Si mund të rezultojnë në gëzim sprovat e besimit tonë? (b) Si mund ta ketë të plotë veprën e vet qëndrueshmëria në rastin tonë?
2 Një arsye kryesore se përse gjejmë gëzim kur jemi nën sprova apo prova besimi, është se këto mund të prodhojnë fryte të mira. Siç thotë Jakovi, rezistenca përballë sprovave ose vështirësive «prodhon qëndrueshmëri». Ne mund të nxjerrim dobi nga zhvillimi i kësaj cilësie të çmuar të krishterë. Jakovi shkroi: «Qëndrueshmëria le ta ketë veprën e saj të plotë, që ju të jeni të plotë dhe të shëndetshëm në çdo aspekt, pa ju munguar asgjë.» (Jakovit 1:4, BR) Qëndrueshmëria ka një punë për të bërë, një «vepër». Caktimi i saj është të na bëjë të plotë në çdo aspekt, duke na ndihmuar për të qenë të matur dhe të drejtpeshuar si të krishterë. Kështu, duke i lënë sprovat të ndjekin rrjedhën e tyre, pa asnjë orvatje për të përdorur mënyra jobiblike që t’u japim fund shpejt e shpejt, besimi ynë sprovohet dhe rafinohet. Nëse në trajtimin e situatave ose në trajtimin e të tjerëve na ka munguar durimi, dhembshuria, dashamirësia ose dashuria, qëndrueshmëria mund të na bëjë më të plotë. Po, vijueshmëria është: sprovat prodhojnë qëndrueshmëri; qëndrueshmëria rrit cilësitë e krishtere; këto janë një shkak për gëzim.—1. Pjetrit 4:14; 2. Pjetrit 1:5-8.
3. Pse nuk duhet të sprapsemi nga frika e sprovave ose e provave të besimit?
3 Apostulli Pjetër theksoi, gjithashtu, se përse nuk duhet të kemi frikë ose të sprapsemi nga sprovat e besimit tonë. Ai shkroi: «Për këtë fakt po gëzoheni shumë, edhe pse tani për pak kohë, nëse duhet, jeni hidhëruar nga sprova të ndryshme, që cilësia e sprovuar e besimit tuaj, me një vlerë shumë më të madhe se ajo e arit që prishet, ndonëse provohet me anë të zjarrit, të gjendet si shkak për lavdërim, lavdi dhe nderim në zbulesën e Jezu Krishtit.» (1. Pjetrit 1:6, 7, BR) Këto fjalë janë inkurajuese sidomos tani, sepse «mjerimi i madh», koha e lavdërimit, e lavdisë, e nderimit dhe e mbijetesës, është shumë më afër sesa mund të mendojnë disa dhe shumë më afër sesa kur u bëmë besimtarë.—Mateu 24:21; Romakëve 13:11, 12.
4. Si mendonte një vëlla në lidhje me sprovat që ai dhe të krishterë të tjerë të mirosur kishin përjetuar?
4 Në artikullin e mëparshëm, morëm në shqyrtim sprovat që hasi mbetja e mirosur që prej 1914-s e këtej. A ishin këto një bazë për gëzim? A. H. Mekmillën ofroi këtë pikëpamje retrospektive: «Kam parë të bien shumë sprova të rënda mbi organizatën dhe sprovime të besimit të atyre që ishin në të. Me ndihmën e frymës së Perëndisë, organizata mbijetoi dhe vazhdoi të lulëzojë. Kam parë mençurinë e pritjes me durim nga Jehovai, për të sqaruar kuptueshmërinë tonë mbi gjërat biblike, në vend se të acarohemi për një mendim të ri. . . . Pavarësisht nga rregullimet që do të na duhet të bëjmë kohë pas kohe në pikëpamjet tona, sigurimi i mëshirshëm i shpërblerjes dhe premtimi i Perëndisë për jetën e përhershme, nuk do të ndryshojnë. Kështu që, s’kishte nevojë ta linim besimin tonë të dobësohej, ngaqë s’u përmbushën ato që pritnim ose nga ndryshimet në pikëpamje.»—Kulla e Rojës, 15 gusht 1966, faqe 504, anglisht.
5. (a) Cilat dobi rezultuan nga sprovat që kaloi mbetja? (b) Pse çështja e sprovimit duhet të na interesojë tani?
5 Të krishterët e mirosur që mbijetuan periudhën sprovuese të viteve 1914-1919 u çliruan nga ndikimi mbizotërues i botës dhe nga shumë praktika fetare babilonase. Mbetja shkoi përpara si një popull i pastruar dhe i rafinuar, duke i ofruar me gatishmëri Perëndisë flijime lavdërimi dhe duke pasur sigurinë se si popull ishin të pranueshëm për të. (Isaia 52:11; 2. Korintasve 6:14-18) Gjykimi kishte filluar me shtëpinë e Perëndisë, por nuk do të përfundonte në një periudhë të përcaktuar. Sprovimi dhe shoshitja e popullit të Perëndisë vazhdon. Edhe atyre që shpresojnë të mbijetojnë në «mjerimin e madh» që po afrohet, si pjesë e «shumicës së madhe», po u sprovohet besimi. (Zbulesa 7:9, 14) Kjo po bëhet në mënyra të ngjashme me ato që hasi mbetja e mirosur, si dhe në mënyra të tjera.
Si mund të sprovohesh?
6. Cila është një lloj sprove e rëndë që kanë përjetuar shumë veta?
6 Shumë të krishterë kanë menduar rreth sfidës së përballimit të sprovave në formën e sulmeve të drejtpërdrejta frontale. Ata kujtojnë këtë tregim: «[Udhëheqësit judenj] i mblodhën apostujt, i fshikulluan, i urdhëruan që të pushonin së foluri në bazë të emrit të Jezuit dhe i lanë të iknin. Prandaj, këta u larguan nga Sinedri duke gëzuar, sepse i kishin llogaritur të denjë për t’u çnderuar në favor të emrit të tij.» (Veprat 5:40, 41, BR) Edhe historia e sotme e popullit të Perëndisë, sidomos gjatë luftërave botërore, e bën të qartë se shumë nga Dëshmitarët e Jehovait kanë përjetuar me të vërtetë rrahje dhe madje shumë më tepër, nga duart e persekutuesve.
7. Deri ku kanë shkuar disa të krishterë të sotëm në shfaqjen e besimit të tyre?
7 Për sa i përket faktit që të krishterët janë objekt persekutimi, bota nuk bën dallim mes mbetjes së mirosur dhe shumicës së madhe të «deleve të tjera». (Gjoni 10:16) Përgjatë viteve, anëtarë të të dyja grupeve janë sprovuar fort me anë të burgosjes e madje edhe martirizimit, për shkak të dashurisë së tyre për Perëndinë dhe besimit në të. Të dyja grupet kanë pasur nevojë për frymën e Perëndisë, pavarësisht nga shpresa e tyre. (Krahaso Kullën e Rojës, 15 qershor 1996, faqe 31.) Gjatë viteve 30 dhe 40 në Gjermaninë naziste, shumë shërbëtorë të Jehovait, përfshirë edhe fëmijë, shfaqën një besim të jashtëzakonshëm dhe s’ishin pak ata që u sprovuan deri aty ku s’mbante më. Në kohët edhe më të fundit, populli i Jehovait ka hasur sprova persekutimi në vende të tilla, si: Burundi, Eritre, Etiopi, Malavi, Mozambik, Ruandë, Singapor dhe Zaire. Sprovat e këtij lloji vazhdojnë.
8. Si e tregojnë komentet e një vëllai afrikan se në sprovimin e besimit tonë përfshihet më shumë sesa të durosh persekutimin në formën e të rrahurave?
8 Megjithatë, siç është vërejtur tashmë, besimi ynë po sprovohet edhe në mënyra më dinake. Disa sprova nuk janë kaq të drejtpërdrejta dhe të lehta për t’u identifikuar. Shqyrto rastin se si do të reagoje ndaj disa prej situatave që vijojnë. Një vëlla në Angola që kishte dhjetë fëmijë, ishte në një kongregacion ku për njëfarë kohe nuk kishte fare mundësi komunikimi me vëllezërit përgjegjës. Më vonë u bë e mundur që kongregacionin ta vizitonin vëllezër të tjerë përgjegjës. E pyetën se si po ia bënte për të ushqyer familjen e tij. Për të nuk qe e lehtë të përgjigjej dhe e gjitha ajo që tha ishte se situata qe e vështirë. A ishte në gjendje t’i ushqente fëmijët e tij të paktën një herë në ditë? Ai u përgjigj: «Epo ja, mezi. Kemi mësuar t’ia dalim me atë që kemi.» Pastaj, me një zë plot bindje, tha: «Po a nuk është kjo ajo që presim në ditët e fundit?» Një besim i tillë është i rrallë në botë, por nuk është i pazakontë mes të krishterëve besnikë, që kanë besim të plotë se premtimet e Mbretërisë do të përmbushen.
9. Si po sprovohemi në lidhje me 1. Korintasve 11:3?
9 Shumica e madhe po sprovohet edhe në lidhje me procedurat teokratike. Kongregacioni i krishterë mbarëbotëror drejtohet sipas parimeve hyjnore dhe standardeve teokratike. Kjo do të thotë që në radhë të parë të pranohet Jezui si Udhëheqës, i emëruari si Kreu i kongregacionit. (1. Korintasve 11:3) Nënshtrimi me gatishmëri ndaj atij dhe Atit të tij, manifestohet nëpërmjet besimit tonë në emërimet dhe në vendimet teokratike të lidhura me kryerjen e vullnetit të Perëndisë, në unitet nga ana jonë. Veç kësaj, në çdo kongregacion lokal, ka burra të emëruar për të marrë drejtimin. Ata janë burra të papërsosur, të metat e të cilëve mund t’i shohim menjëherë; megjithatë, ne jemi të nxitur t’i respektojmë mbikëqyrës të tillë dhe të jemi të nënshtruar. (Hebrenjve 13:7, 17) A të duket sfiduese kjo gjë hera-herës? A përbën vërtet një sprovë për ty? Nëse po, a po nxjerr dobi nga kjo sprovë e besimit tënd?
10. Çfarë sprovash hasim për sa i përket shërbimit në fushë?
10 Ne sprovohemi edhe në lidhje me privilegjin dhe kërkesën për të marrë pjesë rregullisht në shërbimin në fushë. Që ta kalojmë këtë sprovë, duhet të kuptojmë se pjesëmarrja e plotë në shërbim përfshin më shumë sesa një sasi minimale, ose simbolike, predikimi. Sill ndër mend komentin miratues të Jezuit për të venë e varfër që dha gjithë sa kishte. (Marku 12:41-44) Mund të pyesim veten: ‘A po jap nga vetvetja në mënyrë të ngjashme, për sa i përket shërbimit në fushë?’ Të gjithë ne duhet të jemi Dëshmitarë të Jehovait gjatë gjithë ditës, në çdo rast gati për ta lënë të shkëlqejë dritën tonë.—Mateu 5:16.
11. Si mund të përbëjnë një sprovë ndryshimet në kuptueshmëri dhe këshillat mbi sjelljen?
11 Një sprovë tjetër që mund të hasim, lidhet me shkallën e çmueshmërisë sonë për dritën në rritje që po hidhet mbi të vërtetën biblike dhe për këshillat e siguruara nga klasa e skllavit të besueshëm. (Mateu 24:45, BR) Herë pas here, kjo kërkon rregullime në sjelljen personale, si për shembull, kur bëhet e qartë se ata që përdorin duhanin duhet ta lënë, nëse dëshirojnë të qëndrojnë në kongregacion.a (2. Korintasve 7:1) Sprova mund të jetë edhe në pranimin prej nesh të nevojës për të modifikuar shijen tonë në muzikë ose në format e tjera të zbavitjes.b A do ta vëmë në dyshim mençurinë e këshillës së ofruar? Apo do të lejojmë që fryma e Perëndisë të modelojë mënyrën tonë të të menduarit dhe të na ndihmojë për të veshur personalitetin e krishterë?—Efesianëve 4:20-24; 5:3-5.
12. Çfarë nevojitet për të forcuar besimin, pasi një person pagëzohet?
12 Për dekada të tëra, numri i atyre të shumicës së madhe është rritur dhe pas pagëzimit ata po vazhdojnë të forcojnë marrëdhënien e tyre me Jehovain. Kjo përfshin më shumë sesa të marrësh pjesë në një asamble të krishterë, të shkosh në disa mbledhje në Sallën e Mbretërisë ose të marrësh pjesë me raste në shërbimin në fushë. Sa për ta ilustruar: një person mund të jetë fizikisht jashtë Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme, por a e ka lënë me të vërtetë prapa atë? A qëndron akoma i kapur pas atyre gjërave që pasqyrojnë frymën e Babilonisë së Madhe, një frymë që u kundërvihet standardeve të drejta të Perëndisë? A e trajton pa seriozitet moralin dhe besnikërinë martesore? A e vë më shumë theksin tek interesat materiale sesa tek interesat frymore? Po, a ka mbetur i panjollosur nga bota?—Jakovit 1:27.
Dobi nga besimi i sprovuar
13, 14. Çfarë kanë bërë disa, pasi kanë nisur rrugën e adhurimit të vërtetë?
13 Nëse kemi ikur me të vërtetë nga Babilonia e Madhe dhe, gjithashtu, kemi dalë nga bota, le të mos shohim nga gjërat e lëna pas. Në përputhje me parimin që gjendet në Lukën 9:62, për secilin prej nesh, të shikojë prapa do të thotë të humbasë mundësinë për të qenë nënshtetas i Mbretërisë së Perëndisë. Jezui tha: «Çdo njeri që ka vënë dorë në parmendë dhe shikon nga gjërat pas, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë.»—BR.
14 Por disa nga ata që në të kaluarën u bënë të krishterë, që nga ajo kohë i kanë lejuar vetes të marrin formë sipas këtij sistemi gjërash. Ata nuk i kanë rezistuar frymës së botës. (2. Pjetrit 2:20-22) Shpërqendrimet e botësu kanë thithur atyre interesin dhe kohën, duke u penguar kështu progresin. Në vend që ta mbajnë mendjen dhe zemrën të përqendruar me vendosmëri te Mbretëria e Perëndisë dhe drejtësia e tij, duke i vënë këto të parat në jetë, janë mënjanuar për të ndjekur synime materialiste. Nëse nuk lëvizin për ta pranuar besimin e tyre të dobët dhe gjendjen e vakët, si dhe për të ndryshuar rrugën e tyre, duke kërkuar këshilla hyjnore, rrezikojnë të humbasin marrëdhënien e tyre të vyer me Jehovain dhe organizatën e tij.—Zbulesa 3:15-19.
15. Çfarë kërkohet për të mbetur të pranueshëm prej Perëndisë?
15 Për t’u konsideruar të aprovuar dhe në radhë për të mbijetuar mjerimin e madh që po afrohet me shpejtësi, varet nga fakti nëse mbahemi të pastër, me rroba të ‘lara në gjakun e Qengjit’. (Zbulesa 7:9-14; 1. Korintasve 6:11) Nëse nuk mbajmë një qëndrim të pastër dhe të drejtë para Perëndisë, shërbimi ynë i shenjtë nuk do të jetë i pranueshëm. Sigurisht, secili prej nesh duhet ta kuptojë se cilësia e sprovuar e besimit do të na ndihmojë të durojmë dhe të shmangim shkaktimin e pakënaqësisë së Perëndisë.
16. Në cilat mënyra mund të dalë se gënjeshtrat janë një sprovë e besimit tonë?
16 Herë pas here, mjetet e informimit publik dhe autoritetet botërore i ngjitin etiketa të rreme popullit të Perëndisë, duke keqparaqitur bindjet dhe mënyrën tonë të krishtere të jetesës. Kjo nuk duhet të na habitë, sepse Jezui tregon qartë që ‘bota do të na urrejë, sepse nuk jemi pjesë e saj’. (Gjoni 17:14) A do të lejojmë që ata, të cilët janë verbuar nga Satanai, të na frikësojnë, shkurajojnë dhe të na bëjnë të ndihemi të turpëruar për lajmin e mirë? A do të lejojmë që gënjeshtrat për të vërtetën të ndikojnë në pjesëmarrjen tonë të rregullt në mbledhje dhe në aktivitetin e predikimit? Apo do të qëndrojmë të patundur, me kurajë dhe më të vendosur se kurrë për të vazhduar shpalljen e të vërtetës rreth Jehovait dhe Mbretërisë së tij?
17. Cila siguri mund të na nxitë të vazhdojmë të tregojmë besim?
17 Sipas profecive të përmbushura të Biblës, tani ne po jetojmë të zhytur thellë në kohën e fundit. Ato që presim, duke u bazuar në Bibël, për një botë të re drejtësie, do të bëhen sigurisht një realitet i këndshëm. Deri sa të vijë ajo ditë, të gjithë ne ushtrofshim një besim të palëkundshëm në Fjalën e Perëndisë dhe e provofshim besimin tonë, duke mos u ndalur në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë në botën mbarë! Mendo për mijëra dishepujt e rinj që pagëzohen çdo javë. A nuk mjafton kjo arsye që të kuptojmë se durimi i Jehovait në lidhje me ekzekutimin e këtij gjykimi, mund të ketë si rezultat shpëtimin e shumë më tepër njerëzve? A nuk jemi të gëzuar që Perëndia ka lejuar të vazhdojë ky aktivitet jetëshpëtues i predikimit të Mbretërisë? A nuk jemi të kënaqur që me miliona e kanë pranuar të vërtetën dhe po shfaqin besimin e tyre?
18. Cila është vendosmëria jote në lidhje me shërbimin e Jehovait?
18 Se për sa kohë do të vazhdojë sprovimi i tanishëm i besimit tonë, nuk mund ta themi. Por një gjë është shumë e sigurt: Jehovai ka një ditë të caktuar për t’u kërkuar llogari qiejve të ligj dhe tokës së ligë të tanishme. Ndërkohë, le të jemi të vendosur për të imituar cilësinë e shkëlqyer të besimit të sprovuar, të shfaqur nga Përsosësi i besimit tonë, Jezui! Gjithashtu, le të ndjekim shembullin e atyre të mbetjes së mirosur, të cilët po plaken, dhe atë të të tjerëve që po shërbejnë me guxim mes nesh!
19. Për cilën gjë mund të jesh i sigurt se do ta mundë këtë botë?
19 Ne duhet të jemi të vendosur t’ia deklarojmë pa pushim lajmin e mirë të përhershëm çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli, në bashkëpunim me engjëllin që po fluturon në mes të qiellit. Le ta dëgjojnë deklaratën engjëllore: «Druani Perëndinë dhe jepini lavdi, sepse ora e gjykimit prej tij ka ardhur.» (Zbulesa 14:6, 7, BR) Kur ky gjykim hyjnor të jetë dhënë, cili do të jetë rezultati për sa i përket cilësisë së sprovuar të besimit tonë? A nuk do të jetë një triumf i lavdishëm: çlirim prej sistemit të tanishëm të gjërave, për të hyrë në botën e re të drejtë të Perëndisë? Duke duruar sprovat e besimit tonë, do të jemi në gjendje të themi, ashtu siç tha apostulli Gjon: «Kjo është fitorja që ka mundur botën, besimi ynë.»—1. Gjonit 5:4, BR.
[Shënimet]
a Shiko Kullën e Rojës, 1 qershor 1973, faqet 336-343 dhe 1 korrik 1973, faqet 409-411, anglisht.
b Shiko Kullën e Rojës, 15 korrik 1983, faqet 27-31, anglisht.
A të kujtohet?
◻ Si shpjegohet që sprovat e besimit tonë mund të jenë një shkak për gëzim?
◻ Cilat janë disa sprova të besimit tonë, që mund të mos identifikohen me lehtësi?
◻ Si mund të nxjerrim dobi të përhershme, duke kapërcyer sprovat e besimit tonë?
[Figurat në faqen 17]
A. H. Mekmillën (përballë majtas) afërsisht në kohën kur ai dhe zyrtarët e Shoqatës Watch Tower u burgosën padrejtësisht
Ai ishte delegat në kongresin e Detroitit, Miçigan, 1928
Në vitet e tij të fundit, vëllai Mekmillën po shfaqte ende besim
[Figura në faqen 18]
Ashtu si kjo familje, shumë të krishterë në Afrikë kanë shfaqur një cilësi të sprovuar besimi