Rahaba u shpall e drejtë nga veprat e besimit
VETËM imagjino pak! Një lavire e shpallur e drejtë nga pikëpamja e Perëndisë. «Kurrë!»,—do të shpërthente shumica. Megjithatë, kjo ndodhi me prostitutën Rahab nga Jerikoja, një qytet i lashtë i Kanaanit.
Shkrimtari biblik Jakovi shënon: «Një njeri shpallet i drejtë nga veprat, jo vetëm nga besimi. Në po këtë mënyrë, a nuk u shpall e drejtë nga veprat Rahaba lavire, pasi mikpriti të dërguarit dhe i nisi nga një rrugë tjetër? Në fakt, sikurse trupi pa frymë është i vdekur, po kështu edhe besimi pa vepra është i vdekur.» (Jakovit 2:24-26, BR) Përse u shpall e drejtë Rahaba? Çfarë bëri ajo për të marrë një pozitë të tillë të privilegjuar me Perëndinë?
Po vijnë izraelitët!
Le të kthehemi në vitin 1473 p.e.s. dhe të imagjinojmë këtë skenë. Jerikoja është mjaft e fortifikuar. E ngritur në majë të mureve të qytetit, ndodhet shtëpia e prostitutës Rahab. Që nga kjo pikë e favorshme, me sa duket ajo mund të shikojë nga lindja në drejtim të ujërave të shumta të lumit Jordan. (Josiu 3:15) Në bregun lindor të tij ajo mund të shquajë fushimin e izraelitëve, me një forcë luftarake prej më shumë se 600.000 burrash. Ata ndodhen vetëm pak kilometra larg!
Rahaba kishte mësuar mbi bëmat e izraelitëve nëpër beteja. Kishte dëgjuar, gjithashtu, edhe mbi shfaqjen e fuqisë së Jehovait, veçanërisht në hapjen e një korridori ikjeje për izraelitët përmes Detit të Kuq. S’ka dyshim, pra, se ujërat e fryra të Jordanit nuk mund të përbëjnë një pengesë. Është një kohë krize! Çfarë do të bëjë Rahaba?
Rahaba merr qëndrim
Shumë shpejt, Rahaba pret dy vizitorë të papritur—spiunë nga kampi izraelit. Ata po kërkonin një bujtinë dhe ajo i pranon në shtëpinë e saj. Por zëri i pranisë së tyre shkon deri në veshët e mbretit të Jerikosë. Menjëherë, ai dërgon njerëzit e tij, për t’i arrestuar.—Josiu 2:1, 2.
Në kohën që të dërguarit e mbretit arritën, Rahaba e kish marrë tashmë vendimin e saj në favor të Perëndisë Jehova. «Nxirri jashtë njerëzit që kanë ardhur te ti»,—thonë të dërguarit e mbretit. Rahaba i kish fshehur spiunët në mes të kërcejve të lirit, që kishte shtrirë për t’u tharë në çatinë e shtëpisë së saj. «Është e vërtetë, këta njerëz erdhën tek unë, por nuk dija nga ishin. Në çastin kur mbyllej porta e qytetit, kur ishte errësuar, ata burra dolën; nuk e di se ku shkuan; ndiqini menjëherë, sepse mund t’i arrini.» (Josiu 2:3-5) Dhe njerëzit e mbretit bënë kështu, por më kot.
Rahaba i kishte mashtruar armiqtë. Menjëherë, ajo bën hapa të mëtejshëm që tregojnë besimin e saj në veprat e Jehovait. Shkon lart në çati dhe u thotë spiunëve: «Unë e di që Zoti [Jehovai, BR] ju ka dhënë vendin.» Rahaba pranon se të gjithë banorët e vendit i ka zënë frika, pasi kanë dëgjuar se si Perëndia «i thau ujërat e Detit të Kuq» para izraelitëve 40 vjet më parë. Njerëzit dinin edhe se izraelitët shkatërruan dy mbretër të amorejve. «Duke dëgjuar këto gjëra,—thotë Rahaba,—zemra jonë u mpak, për shkakun tuaj askujt nuk i mbeti asnjë fije trimërie, sepse Zoti [Jehovai, BR], Perëndia juaj, është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë.»—Josiu 2:9-11.
Rahaba u lut: «Prandaj, ju lutem, betohuni në emër të Zotit [Jehovait, BR] që, ashtu si kam treguar dhembshuri ndaj jush, edhe ju do të tregoni po atë dhembshuri ndaj shtëpisë së atit tim; më jepni, pra, një shenjë të sigurt, që do t’i lini të gjallë atin tim, nënën time, vëllezërit dhe motrat e mia dhe të gjitha gjërat që u përkasin atyre, dhe që do të shpëtoni jetën tonë nga vdekja.»—Josiu 2:12, 13.
Njerëzit pranuan dhe i thanë Rahabës se ç’duhet të bënte. Nga dritarja e saj, ajo duhet të varte një litar të kuqërremtë, i përdorur për të zbritur poshtë mureve të Jerikosë të dy spiunët. Ajo duhet të mblidhte familjen e saj në shtëpi, ku do të qëndronin për t’u mbrojtur. Rahaba u dha spiunëve që po iknin informata ndihmuese mbi shtrirjen e tokës dhe u tregoi se si t’u shkisnin ndjekësve të tyre. Dhe spiunët vepruan ashtu. Pasi nxori litarin e kuq dhe pasi mblodhi pjesëtarët e familjes, Rahaba priti zhvillimet e mëtejshme.—Josiu 2:14-24.
Çfarë kishte bërë Rahaba? Ajo kishte provuar se besimi i saj qëndronte në Perëndinë e Plotfuqishëm. Jehova! Ajo do të jetonte sipas normave të tij. Po, dhe do të shpallej e drejtë prej këtyre veprave të besimit.
Muret rrëzohen
Kalojnë disa javë. Të shoqëruar nga priftërinjtë—disa me brirë dashi nëpër duar dhe të tjerë duke mbajtur arkën e shenjtë të besëlidhjes—luftëtarët izraelitë rrethojnë Jerikonë. Që prej gjashtë ditësh e kanë bërë këtë gjë një herë në ditë. Megjithatë, ditën e shtatë ata kanë marshuar rreth qytetit gjashtë herë. Dhe ja tek nisen sërish!
Pasi përfundon marshimi i shtatë, tingulli i zgjatur i brirëve mbush ajrin. Tani, izraelitët lëshojnë një britmë të fortë. Në këtë kohë, Jehovai bën që muret mbrojtëse të Jerikosë të shëmben me një rrapëllimë ushtuese. Vetëm pjesa ku ndodhet shtëpia e Rahabës qëndron në vend. Pjesa tjetër e qytetit dhe banorët e tij shkatërrohen. Me anë të besimit të saj të provuar me vepra, prostituta e penduar shpëtoi bashkë me familjarët e saj dhe filloi të jetonte midis popullit të Jehovait.—Josiu 6:1-25.
Një vështrim mbi personalitetin e Rahabës
Rahaba nuk ishte një grua e ngeshme dhe e llastuar, sepse në çatinë e shtëpisë së saj kishte kërcej liri të shtrirë për t’u tharë në diell. Fibrat e lirit do të përdoreshin për të bërë të linjta. Në shtëpinë e Rahabës kishte edhe një sasi penjsh të kuqërremtë. (Josiu 2:6, 18) Pra, ajo ndoshta merrej me prodhimin e të linjtave dhe ka mundësi të ketë njohur edhe artin e të ngjyerit. Po, Rahaba ishte një grua punëtore. Mbi të gjitha, ajo kishte një frikë plot nderim ndaj Jehovait.—Krahaso Proverbat 31:13, 19, 21, 22, 30.
Ç’mund të themi për profesionin tjetër të Rahabës? Ajo nuk ishte thjesht pronare e një hani. Jo, Shkrimet e identifikojnë atë duke përdorur fjalët hebreje dhe greke për një prostitutë. Për shembull, fjala hebreje zoh·nan΄ gjithmonë ka të bëjë me një marrëdhënie të paligjshme. Në kllapa, duhet të themi që midis kananitëve prostitucioni nuk ishte një punë me nam të keq.
Përdorimi i një prostitute nga ana e Jehovait, tregon mëshirën e tij të madhe. Paraqitja e jashtme mund të na mashtrojë ne, por Perëndia «shikon zemrën». (1. Samueli 16:7) Prandaj, prostitutat me zemër të drejtë që pendohen prej kurvërisë së tyre, mund të marrin faljen prej Perëndisë Jehova. (Krahaso Mateu 21:23, 31, 32.) Vetë Rahaba u kthye prej mëkatit të saj në një rrugë të drejtë, duke pasur miratimin hyjnor.
Spiunët izraelitë jetonin sipas ligjit të Perëndisë, prandaj ata nuk u strehuan te Rahaba për arsye imorale. Shkaku mund të ketë qenë se prania e tyre në shtëpinë e një prostitute do të ngjallte më pak dyshime. Pozicioni i saj mbi muret e qytetit do të lehtësonte, gjithashtu, ikjen. Me sa duket, Jehovai i drejtoi ata tek një mëkatare, zemra e së cilës ishte aq e prekur nga tregimet e bëmave hyjnore me izraelitët, saqë u pendua dhe ndryshoi rrugë. Deklarata e Perëndisë se Izraeli duhej të shkatërronte kananitët për shkak të praktikave të tyre imorale dhe bekimi i tij mbi Rahabën dhe pushtimin e Jerikosë, e bëjnë të qartë se spiunët nuk kryen imoralitet.—Levitiku 18:24-30.
Ç’mund të themi mbi fjalët e gënjeshtërta që Rahaba u tha ndjekësve të spiunëve? Perëndia e miratoi veprimin e saj. (Krahaso Romakëve 14:4.) Ajo rrezikoi për të mbrojtur shërbëtorët e tij, duke dhënë dëshmi të besimit të saj. Edhe pse gënjeshtrat e liga janë të gabuara në sy të Jehovait, një person nuk është i detyruar t’u japë informata të vërteta njerëzve që nuk kanë të drejtë t’i dinë ato. Edhe Jezu Krishti nuk dha hollësira të plota apo përgjigje direkte, kur kjo mund të sillte dëme të panevojshme. (Mateu 7:6; 15:1-6; 21:23-27; Gjoni 7:3-10) Është e dukshme se mënyra se si Rahaba mashtroi armiqtë mund të jetë parë nën këtë dritë.
Shpërblimi i Rahabës
Si u shpërblye Rahaba për besimin e ushtruar? Shpëtimi i saj gjatë shkatërrimit të Jerikosë, sigurisht që është një bekim nga Jehovai. Më vonë, ajo u martua me Salmon (Salma), djali i Nahshonit nga fisi i Judës, një prej kryetarëve gjatë kohës së pelegrinazhit nëpër shkretëtirë. Si prindër të Boazit të përshpirtshëm, Salmoni dhe Rahaba formojnë një hallkë në zinxhirin e breznisë që të çon deri tek mbreti i Izraelit, Davidi. (1. Kronikat 2:3-15; Rutha 4:20-22) Fakt akoma më domethënës është se prostituta Rahab është një nga të katër gratë e vetme që përmend Mateu në gjenealogjinë e Jezu Krishtit. (Mateu 1:5, 6) Çfarë bekimi nga Jehovai!
Edhe pse nuk ishte një izraelite dhe dikur një prostitutë, Rahaba është një shembull spikatës i gruas që provon me vepra se beson plotësisht në Jehovain. (Hebrenjve 11:30, 31) Si edhe të tjerat, disa prej të cilave kanë braktisur një jetë në prostitucion, ajo do të marrë edhe një shpërblim tjetër—ringjalljen nga të vdekurit, për të jetuar në një tokë parajsore. (Luka 23:43) Për shkak të besimit të treguar me vepra, Rahaba fitoi miratimin e Atit tonë qiellor të dashur dhe falës. (Psalmi 130:3, 4) Dhe sigurisht, shembulli i saj i shkëlqyer është inkurajim që të gjithë ata që duan drejtësinë të besojnë në Jehovain për të marrë jetën e përhershme.
[Figura në faqen 23]
Rahaba u shpall e drejtë, sepse veprat e saj provuan se ajo kishte besim
[Figurat në faqen 24]
Arkeologët kanë zbuluar mbeturinat e Jerikosë së lashtë, midis tyre edhe një pjesë të një muri të vjetër
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.