Ruhu nga grackat e Djallit!
‘Dil nga laku i Djallit.’—2 TIM. 2:26.
SI DO TË PËRGJIGJESHE?
Çfarë vetëshqyrtimi duhet të bësh nëse ke prirjen të jesh gjithnjë kritik ndaj të tjerëve?
Çfarë mund të mësosh nga Pilati dhe Pjetri se si të mos dorëzohesh para frikës dhe presioneve?
Si mund të shmangësh ndjenjat e tepruara të fajit?
1, 2. Cilat gracka të Djallit do të shqyrtojmë në këtë artikull?
DJALLI i ndjek tinëz shërbëtorët e Jehovait. Ai nuk ka medoemos si synim t’i vrasë, siç bën një gjahtar që vret kafshë për sport. Përkundrazi, synimi i tij është që ta zërë të gjallë prenë dhe ta përdorë sipas qejfit.—Lexo 2 Timoteut 2:24-26.
2 Për ta zënë prenë të gjallë, një gjahtar mund të përdorë gracka të ndryshme. Ndoshta përpiqet ta nxjerrë kafshën në vend të hapur që ta kapë me lak. Ose mund të ngrejë një grackë që shkrehet dhe e zë kafshën në befasi. Djalli përdor gracka të ngjashme për t’i zënë të gjallë shërbëtorët e Perëndisë. Nëse nuk duam të na zërë, duhet të qëndrojmë syçelë dhe t’u vëmë veshin shenjave paralajmëruese që tregojnë se është afër një nga grackat e Satanait. Ky artikull do të shqyrtojë se si mund të ruhemi nga tri gracka që Djalli i ka përdorur me njëfarë suksesi. Këto janë: (1) të folurit e pakontrolluar, (2) frika e presionet dhe (3) ndjenja e tepruar e fajit. Artikulli vijues do të shqyrtojë dy gracka të tjera të Satanait.
SHMANG ZJARRIN E TË FOLURIT TË PAKONTROLLUAR
3, 4. Çfarë mund të vijë nga moskontrollimi i gjuhës? Jepni një shembull.
3 Për t’i nxjerrë kafshët nga vendi ku janë fshehur, një gjahtar mund t’i vërë flakën një zone me bimësi dhe pastaj t’i zërë kafshët ndërsa përpiqen t’ia mbathin. Në kuptim të figurshëm, Djalli do që t’i vërë flakën kongregacionit të krishterë. Po t’ia arrijë, ai mund t’i përzërë pjesëtarët e kongregacionit nga kjo strehë e sigurt që të bien direkt në kthetrat e tij. Si mund të bashkëpunojmë pa dashje me Djallin e kështu të biem në grackën e tij?
4 Dishepulli Jakov e krahasoi gjuhën me një zjarr. (Lexo Jakovin 3:6-8.) Po të mos e kontrollojmë gjuhën, mund të ndezim në mënyrë të figurshme një zjarr shkatërrimtar në kongregacion. Si mund të ndodhë kjo? Të shqyrtojmë skenën vijuese: në një mbledhje kongregacioni bëhet njoftimi se filan motër është emëruar pioniere e rregullt. Pas mbledhjes, dy lajmëtare diskutojnë për këtë njoftim. Njëra shpreh gëzim dhe dëshiron më të mirën për pionieren e re. Tjetra vë në dyshim motivet e pionieres dhe lë të kuptohet se ajo vetëm sa po përpiqet të bjerë në sy në kongregacion. Cilën prej këtyre dy lajmëtareve do të doje të kishe shoqe? Nuk është e vështirë të kuptosh cila ka më shumë të ngjarë t’i vërë zjarrin kongregacionit me të folurit e saj.
5. Çfarë vetëshqyrtimi duhet të bëjmë që të shmangim zjarrin e të folurit të pakontrolluar?
5 Si mund ta shmangim zjarrin e të folurit të pakontrolluar? Jezui tha: «Goja flet nga mbushullia e zemrës.» (Mat. 12:34) Pra, hapi i parë është të shqyrtojmë zemrën. A shmangim ndjenjat e këqija që ushqejnë të folurit shkatërrimtar? Për shembull, kur dëgjojmë se një vëlla synon ndonjë privilegj shërbimi, a mendojmë menjëherë se ka motive të pastra apo dyshojmë se po shtyhet nga ndonjë përfitim personal? Nëse kemi prirjen për të qenë dyshues, është mirë të kujtojmë se Djalli vuri në dyshim motivet e shërbëtorit besnik të Perëndisë, Jobit. (Jobi 1:9-11) Në vend që të jemi dyshues ndaj vëllait, duhet të shqyrtojmë veten pse po tregohemi kritikë ndaj tij. A kemi vërtet arsye të shëndosha për të qenë të tillë? Apo zemra jonë është helmuar nga fryma pa dashuri që mbizotëron kaq shumë në këto ditë të fundit?—2 Tim. 3:1-4.
6, 7. (a) Cilat janë disa arsye pse mund të jemi kritikë ndaj të tjerëve? (b) Si duhet të reagojmë kur na shajnë?
6 Të shqyrtojmë disa arsye të tjera pse mund të jemi kritikë ndaj të tjerëve. Ndoshta një arsye është se dëshirojmë t’i nxjerrim më në pah arritjet tona. Faktikisht mund të jemi duke u përpjekur që, si të thuash, të dukemi më të lartë duke i ulur të tjerët. Ose ndoshta po përpiqemi të justifikojmë veten që s’kemi arritur të bëjmë diçka që duhej ta kishim bërë. Pavarësisht nëse nxitemi nga krenaria, zilia ose pasiguria, rezultati është shkatërrimtar.
7 Ndoshta ndihemi të justifikuar për të folur në mënyrë kritike për dikë. Mbase kemi qenë viktimë e të folurit të tij ose të saj të pakontrolluar. Nëse është kështu, nuk duhet të reagojmë duke ia kthyer me të njëjtën monedhë. Kështu vetëm sa i hedhim benzinë zjarrit dhe veprojmë sipas vullnetit të Djallit e jo të Perëndisë. (2 Tim. 2:26) Bëjmë mirë të imitojmë Jezuin në këtë drejtim. Kur e shanin, «ai nuk e kthente sharjen». Përkundrazi, «e linte veten në duart e atij që gjykon me drejtësi». (1 Pjet. 2:21-23) Jezui ishte i sigurt se Jehovai do të merrej me këto gjëra sipas mënyrës së Tij dhe në kohën e duhur. Edhe ne duhet të kemi të njëjtin besim te Perëndia. Kur e përdorim të folurit tonë për të shëruar, ndihmojmë që të ruhet ‘lidhja e paqes’ në kongregacionin tonë.—Lexo Efesianëve 4:1-3.
IK NGA LAKU I FRIKËS DHE I PRESIONEVE
8, 9. Pse Pilati e dënoi Jezuin?
8 Një kafshë e zënë në lak nuk mund të lëvizë më e lirë. Po kështu, dikush që dorëzohet para frikës dhe presioneve që lidhen me të, nuk është i lirë, nuk e ka jetën e tij plotësisht në kontroll. (Lexo Proverbat 29:25.) Le të shqyrtojmë shembujt e dy njerëzve krejt të ndryshëm që u dorëzuan para presioneve dhe frikës, e të shohim se ç’mund të mësojmë nga përvoja e tyre.
9 Guvernatori romak Ponc Pilati e dinte se Jezui ishte i pafajshëm dhe, me sa duket, nuk donte t’i bënte keq. Në fakt, Pilati tha se Jezui nuk kishte bërë ‘asgjë që meritonte vdekjen’. Gjithsesi, Pilati e dënoi me vdekje. Pse? Sepse iu dorëzua presionit të turmës. (Luka 23:15, 21-25) «Po e lirove këtë njeri, nuk je mik i Cezarit», bërtitën ata kundërshtarë, duke i bërë kështu presion që t’u dilte e tyrja. (Gjoni 19:12) Pilati mund të ketë pasur frikë se, po të merrte anën e Krishtit, do të humbiste pozitën e madje edhe jetën. Prandaj u dorëzua para presionit dhe bëri atë që donte Djalli.
10. Çfarë e shtyu Pjetrin të mohonte Krishtin?
10 Apostulli Pjetër ishte një nga miqtë më të ngushtë të Jezuit. Ai deklaroi publikisht se Jezui ishte Mesia. (Mat. 16:16) Pjetri qëndroi besnik kur dishepujt e tjerë nuk e kapën kuptimin e fjalëve të Jezuit dhe e braktisën. (Gjoni 6:66-69) Po ashtu, kur armiqtë erdhën ta arrestonin Jezuin, Pjetri përdori shpatën për ta mbrojtur Zotërinë. (Gjoni 18:10, 11) Megjithatë, më vonë Pjetri iu dorëzua frikës dhe madje mohoi se e njihte Jezu Krishtin. Për një kohë të shkurtër, apostulli ngeci në lakun e frikës së njeriut dhe lejoi që ai lak ta pengonte të ndërmerrte një veprim të guximshëm.—Mat. 26:74, 75.
11. Ndaj cilave presione mund të na duhet të luftojmë?
11 Si të krishterë duhet të luftojmë ndaj presioneve për të bërë gjëra që nuk i pëlqejnë Perëndisë. Punëdhënësit ose të tjerët mund të orvaten të na detyrojnë që të jemi të pandershëm ose të na shtyjnë në imoralitet. Nxënësve mund t’u duhet të merren me moshatarët që përpiqen t’u bëjnë presion që të bëjnë hile në provime, të shohin pornografi, të pinë duhan, të marrin drogë, të abuzojnë me alkoolin ose të përfshihen në sjellje të gabuar seksuale. Atëherë, çfarë mund të na ndihmojë të ikim nga laku i frikës dhe i presioneve që na shtyjnë të bëjmë atë që nuk i pëlqen Jehovait?
12. Pse Pilati dhe Pjetri u dorëzuan para frikës dhe presioneve?
12 Le të shohim pse Pilati dhe Pjetri u dorëzuan para frikës dhe presioneve. Pilati kishte pak njohuri për Krishtin. Sidoqoftë, e dinte se Jezui ishte i pafajshëm dhe se s’ishte njeri i zakonshëm. Por Pilati nuk kishte as përulësi, as dashuri për Perëndinë e vërtetë. Djalli e zuri lehtë të gjallë. Pjetri kishte edhe njohuri të saktë, edhe dashuri për Perëndinë. Por ndonjëherë i mungoi modestia, u frikësua dhe iu dorëzua presioneve. Para se të arrestonin Jezuin, Pjetri u mburr: «Edhe sikur gjithë të tjerët të largohen, unë nuk do të largohem.» (Mar. 14:29) Apostulli do të kishte qenë më i përgatitur për sprovat që e pritnin, nëse do të kishte marrë të njëjtin qëndrim si psalmisti, i cili besoi te Perëndia dhe këndoi: «Jehovai është në krahun tim, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?» (Psal. 118:6) Natën e tij të fundit në tokë, Jezui i mori veçmas Pjetrin dhe dy apostuj të tjerë në kopshtin e Getsemanisë. Por, në vend që të rrinin zgjuar, Pjetrin dhe shokët e tij i zuri gjumi. Jezui i zgjoi dhe u tha: «Qëndroni vigjilentë dhe lutuni, që të mos tundoheni.» (Mar. 14:38) Por Pjetrin e zuri gjumi përsëri dhe më vonë u dorëzua para frikës dhe presioneve.
13. Ç’mund të mësojmë nga Pilati dhe Pjetri?
13 Shembulli i Pilatit dhe i Pjetrit na mëson se për t’u rezistuar me sukses presioneve, kemi nevojë për njohuri të saktë, përulësi, modesti, dashuri për Perëndinë dhe frikë nga Ai e jo nga njerëzit. Nëse besimi ynë ndërtohet mbi njohurinë e saktë, do të flasim me guxim për bindjet tona. Kjo do të na ndihmojë t’u rezistojmë presioneve dhe të mposhtim frikën nga njeriu. Sigurisht, kurrë nuk duhet t’i mbivlerësojmë forcat tona. Përkundrazi, duhet të pranojmë përulësisht se kemi nevojë për fuqinë e Perëndisë që t’u rezistojmë presioneve. Duhet të lutemi për frymën e Jehovait dhe të lejojmë që dashuria për të të na motivojë të përkrahim emrin dhe standardet e tij. Për më tepër, duhet të përgatitemi për presionet para se të hasim një sprovë. Për shembull, përgatitja që më përpara dhe lutjet, mund t’i ndihmojë fëmijët tanë të përgjigjen siç duhet kur moshatarët t’i nxitin që të bëjnë diçka të gabuar.—2 Kor. 13:7.a
SHMANG GRACKËN QË DËRRMON—NDJENJËN E TEPRUAR TË FAJIT
14. Ç’përfundim do t’i pëlqente Djallit të nxirrnim për gabimet tona të së kaluarës?
14 Ndonjëherë si grackë përdoret një trung ose një gur i rëndë që qëndron varur mbi një shteg shumë të rrahur nga preja. Kafsha e pavetëdijshme prek telin ose litarin e grackës, dhe trungu ose guri bie mbi të duke e shtypur a dërrmuar. Ndjenjat e tepruara të fajit mund të krahasohen me një barrë të rëndë që të dërrmon. Kur mendojmë për gabimet e së kaluarës, mund të ndihemi ‘të dërrmuar sa s’ka ku të vejë’. (Lexo Psalmin 38:3-5, 8.) Satanait do t’i pëlqente të nxirrnim përfundimin se nuk e meritojmë mëshirën e Jehovait dhe s’jemi të zotë të jetojmë sipas kërkesave të Tij.
15, 16. Si mund të shmangësh grackën e ndjenjës së tepruar të fajit?
15 Si mund ta shmangësh këtë grackë që të dërrmon? Nëse ke bërë një mëkat të rëndë, vepro tani që ta rivendosësh miqësinë me Jehovain. Lidhu me pleqtë dhe kërko ndihmën e tyre. (Jak. 5:14-16) Bëj gjithçka mundesh që ta ndreqësh gabimin. (2 Kor. 7:11) Nëse të jepet disiplinë, të mos të lëshojë zemra. Disiplina është një shenjë e sigurt se Jehovai të do. (Hebr. 12:6) Ji i vendosur të mos i përsëritësh hapat që të çuan në mëkat dhe vepro në përputhje me këtë vendosmëri. Pasi të jesh penduar e të kesh kthyer rrugë, ki besim se flijimi shpërblyes i Jezu Krishtit mund të t’i mbulojë vërtet gabimet.—1 Gjon. 4:9, 14.
16 Disa individë vazhdojnë të kenë ndjenja faji për mëkate që faktikisht u janë falur. Nëse është kështu me ty, mos harro se Jehovai e fali Pjetrin dhe apostujt e tjerë që e braktisën Birin e Tij të dashur në momentin kur kishte më tepër nevojë. Jehovai e fali njeriun që u përjashtua nga kongregacioni i Korintit për imoralitet flagrant, por që më vonë u pendua. (1 Kor. 5:1-5; 2 Kor. 2:6-8) Fjala e Perëndisë flet për njerëz që bënë mëkate të rënda, u penduan dhe Perëndia i fali.—2 Kron. 33:2, 10-13; 1 Kor. 6:9-11.
17. Çfarë mund të bëjë për ne shpërblesa?
17 Jehovai do t’i falë dhe do t’i harrojë gabimet e tua të së kaluarës, nëse pendohesh vërtet dhe pranon mëshirën e tij. Kurrë mos mendo se flijimi shpërblyes i Jezuit nuk mund t’i mbulojë mëkatet e tua. Kështu do të bëheshe viktimë e një prej grackave të Satanait. Pavarësisht se çfarë kërkon Djalli të besosh, shpërblesa mund të mbulojë mëkatet e të gjithë atyre që kanë mëkatuar dhe janë penduar. (Prov. 24:16) Besimi te shpërblesa mund të ta heqë nga shpatullat barrën e ndjenjës së tepruar të fajit dhe mund të të japë forcën për t’i shërbyer Perëndisë me gjithë zemrën, mendjen dhe shpirtin tënd.—Mat. 22:37.
NUK JEMI NË PADIJE TË INTRIGAVE TË SATANAIT
18. Si mund t’i shmangim grackat e Djallit?
18 Satanai s’e vret mendjen se në cilën grackë biem, rëndësi ka që të biem. Meqë nuk jemi në padije të intrigave të Satanait, nuk ka pse të na e hedhë. (2 Kor. 2:10, 11) Nëse lutemi për mençuri që të përballojmë sprovat, nuk do të zihemi në grackat e tij. Jakovi shkroi: «Nëse ndonjëri nga ju nuk ka mjaft mençuri, le të vazhdojë t’ia kërkojë Perëndisë, sepse ai u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i qortuar, e do t’i jepet.» (Jak. 1:5) Duhet të veprojmë në përputhje me lutjet tona duke bërë rregullisht studimin personal dhe duke e zbatuar Fjalën e Perëndisë. Mjetet ndihmëse për studimin e Biblës që na siguron klasa e skllavit të besueshëm e të matur hedhin dritë mbi grackat që ngre Djalli dhe na ndihmojnë t’i shmangim ato.
19, 20. Pse duhet të urrejmë të keqen?
19 Lutja dhe studimi i Biblës na ndihmojnë ta duam më shumë të mirën. Por është po aq e rëndësishme të zhvillojmë urrejtje për të keqen. (Psal. 97:10) Meditimi për pasojat që vijnë po të shkojmë pas dëshirave egoiste, mund të na ndihmojë t’i shmangim ato. (Jak. 1:14, 15) Kur mësojmë të urrejmë të keqen dhe të duam vërtet të mirën, karremi që vë Satanai na neveritet; nuk na josh aspak.
20 Sa mirënjohës jemi që Perëndia na ndihmon të mos na e hedhë Satanai! Me anë të frymës, të Fjalës dhe të organizatës së tij, Jehovai nga çliron «nga i ligu». (Mat. 6:13) Në artikullin vijues do të mësojmë si të shmangim dy gracka të tjera që Djalli i ka përdorur për t’i zënë të gjallë shërbëtorët e Perëndisë.
[Shënimet]
a Është mirë që prindërit të shqyrtojnë me fëmijët kutinë «Kur shokët të bëjnë presion» që gjendet në faqet 132, 133 të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2. Ky material mund të trajtohet gjatë mbrëmjes së Adhurimit Familjar.
[Figura në faqen 21]
Të folurit e pakontrolluar mund të ndezë një zjarr në kongregacion duke shkaktuar shumë probleme
[Figura në faqen 24]
Mund ta heqësh barrën e ndjenjës së tepruar të fajit