Hidheni gjithë ankthin tuaj mbi Jehovain!
«Përuluni . . . nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur; ndërsa ju hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai kujdeset për ju.»—1. PJETRIT 5:6, 7, BR.
1. Si mund të ndikojnë ankthet mbi ne dhe si mund të ilustrohet kjo?
ANKTHI mund të ndikojë në jetën tonë. Ai mund të krahasohet me shkarkesat elektrike që nganjëherë ndërpresin një melodi të bukur në radio. Po të mos ketë ndërhyrje në valët e radios, mund të dëgjohet një melodi e ëmbël që të qetëson. Edhe melodinë më të bukur shkarkesat elektrike mund ta transformojnë në një zhurmë të çjerrë që të shkakton mërzi dhe zhgënjim. Ankthi mund të ketë të njëjtin ndikim mbi qetësinë tonë. Ai mund të na rëndojë aq shumë, sa të na pengojë t’u kushtojmë vëmendje edhe gjërave me rëndësi jetësore. Vërtet, «ankthi në zemrën e njeriut e rrëzon atë».—Proverbat 12:25.
2. Çfarë tha Jezu Krishti për «ankthet e jetës»?
2 Jezu Krishti foli mbi rrezikun e të hutuarit nga ankthi i tepërt. Në profecinë e tij mbi ditët e fundit, ai nxiti: «Kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi. Sepse do të vijë si një lak mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e mbarë dheut. Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut.» (Luka 21:34-36) Ashtu si tepria në të ngrënë e në të pirë sjell një gjendje të plogët mendore, edhe rëndimi me «ankthet e jetës» mund të bëjë që të humbim aftësinë për t’i parë gjërat në perspektivën e drejtë, me rezultate tragjike.
Çfarë është shqetësimi
3. Si është përcaktuar «ankthi» dhe cilat janë disa nga shkaqet e tij?
3 «Ankthi» është përcaktuar si «paqetësia e dhimbshme mendore zakonisht për një gjë të keqe që do të vijë apo pritet të vijë.» Ankthi është «një shqetësim i frikshëm për diçka» si edhe «një ndjenjë jonormale dhe mbizotëruese për shqetësim dhe frikë që shpesh karakterizohet nga shenja fizike (siç janë djersa, tensioni dhe pulsi i shpejtë), nga dyshimi në lidhje me realitetin dhe natyrën e kërcënimit si dhe nga vetëdyshimi mbi mundësinë për ta përballuar atë». (Webster’s Ninth New Collegiate Dictionary) Prandaj, ankthi mund të jetë një problem kompleks. Disa ndër shkaqet e shumta të tij janë sëmundjet, mplakja, frika nga krimet, humbja e punës dhe kujdesi për mirëqenien e familjes.
4. (a) Çfarë është mirë të kujtojmë për njerëzit dhe ankthet e tyre? (b) Çfarë mund të bëhet nëse jemi në ankth?
4 Është e qartë se ka disa shkallë ankthesh, ashtu siç ka edhe kushte apo rrethana të ndryshme që mund ta ngjallin atë. Jo të gjithë njerëzit reagojnë në të njëjtën mënyrë ndaj një situate. Prandaj, duhet të kuptojmë se edhe nëse diçka për ne nuk përbën një shqetësim, për bashkadhuruesit e tjerë të Jehovait mund të jetë një shkak i madh ankthi. Çfarë mund të bëhet nëse ankthi arrin atë pikë sa të mos përqendrohemi në të vërtetat e harmonishme dhe të këndshme të Fjalës së Perëndisë? Ç’të bëjmë nëse ankthi na bren aq sa të mos mundemi të mbajmë në qendër të vëmendjes çështjet mbi sovranitetin e Jehovait dhe integritetin e krishterë? Rrethanat ndoshta nuk mund t’i ndryshojmë, por duhet të kërkojmë këshilla në Shkrimet, që mund të na ndihmojnë të përballojmë ankthin e tepërt të shkaktuar nga problemet therëse të jetës.
Mund të merret ndihmë
5. Si mund të veprojmë në harmoni me Psalmin 55:22?
5 Kur kanë nevojë për ndihmë frymore dhe janë të rënduar nga ankthet, të krishterët mund të ngushëllohen në Fjalën e Perëndisë. Ajo siguron udhëheqje të besueshme dhe na jep shumë siguri se nuk jemi të vetëm si shërbëtorë besnikë të Jehovait. Për shembull, psalmisti David këndoi: «Hidh mbi Zotin barrën tënde, dhe ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.» (Psalmi 55:22) Si mund të veprojmë në harmoni me këto fjalë? Duke hedhur të gjitha ankthet, shqetësimet, frikën dhe zhgënjimet mbi Atin tonë të dashur qiellor. Kjo do të bëjë që të kemi një ndjenjë sigurie dhe qetësie në zemër.
6. Sipas Filipianëve 4:6, 7, çfarë mund të bëjë lutja për ne?
6 Lutja e përzemërt dhe e rregullt, është e domosdoshme nëse duam të hedhim mbi Jehovain barrën tonë, duke përfshirë gjithë ankthin tonë. Kjo gjë do të na sjellë paqe të brendshme, sepse apostulli Pavël shkroi: «Mos u shqetësoni [kini ankth, BR] për asgjë, por në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.» (Filipianëve 4:6, 7) E pakrahasueshmja «paqe e Perëndisë» është një qetësi e jashtëzakonshme që gëzojnë shërbëtorët e dedikuar të Jehovait edhe në situatat më të vështira. Ajo vjen nga marrëdhënia jonë e afërt personale me Perëndinë. Kur lutemi për të marrë frymën e shenjtë dhe e lëmë atë që të na nxisë, nuk do të thotë se jemi liruar nga të gjitha problemet e jetës, por gëzojmë paqen si fryt të frymës. (Luka 11:13; Galatasve 5:22, 23) Ankthet nuk na mbytin, sepse e dimë se Jehovai bën që i gjithë populli i tij besnik të banojë «në siguri» dhe s’do të lejojë të ndodhë asgjë që na shkakton dëm të përhershëm.—Psalmi 4:8.
7. Çfarë roli mund të luajnë pleqtë e krishterë për të na ndihmuar në përballimin e anktheve?
7 Por çfarë mund të themi nëse ankthi vazhdon edhe kur meditojmë mbi Shkrimet dhe kur këmbëngulim në lutje? (Romakëve 12:12) Pleqtë e caktuar të kongregacionit janë, gjithashtu, një sigurim i Jehovait për të na ndihmuar frymësisht. Ata mund të na ngushëllojnë e të na ndihmojnë, duke përdorur Fjalën e Perëndisë e duke u lutur me ne dhe për ne. (Jakovit 5:13-16) Apostulli Pjetër i nxiti pleqtë si ai, ta kullotnin kopenë e Perëndisë me dëshirë, me zell dhe në mënyrë shembullore. (1. Pjetrit 5:1-4) Këta burra kanë për zemër interesat tona më të mira dhe duan të na ndihmojnë. Pa dyshim, për të përfituar plotësisht nga ndihma e pleqve dhe për t’u ndier mirë frymësisht në kongregacion, secili prej nesh duhet të zbatojë këshillën e Pjetrit: «Ju, të rinjtë, nënshtrojuni pleqëve. Po, nënshtrojuni të gjithë njeri tjetrit dhe vishuni me përulje [përulësi mendjeje, BR], sepse Perëndia i kundërshton krenarët, por u jep hir të përulurve.»—1. Pjetrit 5:5.
8, 9. Çfarë ngushëllimi mund të marrim nga 1. Pjetrit 5:6-11?
8 Pjetri shtoi: «Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur, dhe gjithë merakun [ankthin, BR] tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju. Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë. Kundërshtojeni, duke qëndruar të patundur në besim, sepse e dini se të njëjtat vuajtje po i heqin vëllezërit tuaj të shpërndarë nëpër botë. Dhe Perëndia i çdo hiri, që ju thirri në lavdinë e tij të përjetshme në Krishtin Jezus, mbasi të keni vuajtur për pak kohë, do t’ju bëjë të përsosur ai vetë, do t’ju bëjë të patundur, do t’ju forcojë dhe do t’ju vërë themel. Atij i qoftë lavdia dhe pushteti për shekuj të shekujve. Amen.»—1. Pjetrit 5:6-11.
9 Sa ngushëllohemi kur mësojmë se mund ta ‘hedhim ankthin tonë mbi të, sepse ai kujdeset për ne’! Nëse disa nga ankthet tona vijnë nga përpjekjet e Djallit për të shkatërruar marrëdhënien tonë me Jehovain, duke sjellë persekutim dhe vuajtje të tjera mbi ne, a nuk është e mrekullueshme të dimë se çdo gjë do të kthehet për të mirën e atyre që mbajnë integritetin? Po, pasi të vuajmë për pak kohë, Perëndia i dashamirësisë së pamerituar do t’i japë fund stërvitjes sonë dhe do të na bëjë të qëndrueshëm dhe të fortë.
10. Cilat tri cilësi që mund të na ndihmojnë të përballojmë ankthet, përmend letra e parë e Pjetrit 5:6, 7?
10 Letra e parë e Pjetrit 5:6, 7 përmend tri cilësitë që mund të na ndihmojnë t’i bëjmë ballë ankthit. Njëra është përulësia, ose «përulësia e mendjes». Vargu 6 përfundon me shprehjen «në kohën e duhur», duke na sugjeruar nevojën për durim. Vargu 7 tregon se mund të hedhim me besim gjithë ankthin tonë mbi Perëndinë, ‘sepse ai merakoset për ne’. Ato fjalë na nxisin besim të plotë tek Jehovai. Prandaj, le të shohim se si përulësia, durimi dhe besimi i plotë tek Perëndia mund të na ndihmojnë të zbusim ankthet.
Si mund të na ndihmojë përulësia
11. Si mund të na ndihmojë përulësia për të përballuar ankthet?
11 Nëse jemi të përulur, do të pranojmë se mendimet e Perëndisë janë shumë më superiore se tonat. (Isaia 55:8, 9) Përulësia na ndihmon të pranojmë aftësinë tonë të kufizuar mendore në krahsim me vizionin global të Jehovait. Ai shikon gjëra që ne nuk i dallojmë dot, siç tregohet në rastin e njeriut të drejtë, Jobit. (Jobi 1:7-12; 2:1-6) Duke u përulur «nën dorën e fuqishme të Perëndisë», ne pranojmë pozitën tonë më të ulët kundrejt Sovranit Suprem. Nga ana e saj, kjo na ndihmon të përballojmë rrethanat që ai lejon. Zemra jonë mund të dëshirojë lirim të menjëhershëm, por meqenëse cilësitë e Jehovait janë përsosmërisht të ekuilibruara, ai e di me saktësi se kur dhe si të veprojë në favorin tonë. Prandaj, si fëmijë të vegjël, le të kapemi fort përulësisht pas dorës së fuqishme të Jehovait, të bindur se ai do të na ndihmojë për të përballuar ankthet.—Isaia 41:8-13.
12. Çfarë ndikimi mund të ketë mbi ankthin për sigurinë materiale, zbatimi me përulësi i fjalëve të Hebrenjve 13:5?
12 Përulësia përfshin edhe gatishmërinë për të zbatuar këshillat e Fjalës së Perëndisë, të cilat shpesh mund ta pakësojnë ankthin. Për shembull, nëse ankthi vjen nga fakti që jemi tepër të dhënë pas synimeve materiale, do të bënim mirë të mendonim mbi këshillën e Pavlit: «Sjellja juaj të jetë pa lakmi paraje dhe kënaquni me atë që keni, sepse vetë Perëndia ka thënë: ‘Nuk do të të lë, nuk do të të braktis.’» (Hebrenjve 13:5) Duke zbatuar me përulësi këtë këshillë, shumë njerëz janë liruar nga ankthi i madh për sigurinë materiale. Megjithëse gjendja e tyre financiare mund të mos përmirësohet, ajo nuk sundon mendimet e tyre, duke i dëmtuar frymësisht.
Roli i durimit
13, 14. (a) Çfarë shembulli na dha Jobi, për sa i përket qëndrimit me durim? (b) Çfarë mund të bëjë për ne pritja me durim e ndërhyrjes së Jehovait?
13 Shprehja «në kohën e duhur» tek 1. Pjetrit 5:6, sugjeron nevojën për të qëndruar me durim. Ndonjëherë, një problem zgjat për një kohë të gjatë dhe kështu mund të rritë ankthin. Veçanërisht atëherë nevojitet që t’i lëmë çështjet në dorën e Jehovait. Dishepulli Jakov shkroi: «Ne shpallim të lum ata që duruan; ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri.» (Jakovit 5:11) Jobi u rrënua ekonomikisht, humbi dhjetë fëmijët në vdekje, vuajti nga një sëmundje e neveritshme dhe u dënua gabimisht nga ngushëlluesit e rremë. Në këto kushte, do të kishte qenë mëse e zakonshme të ndiente të paktën njëfarë mase ankthi.
14 Sidoqoftë, Jobi ishte shembull në qëndrimin e durueshëm. Nëse po kalojmë një provë të vështirë besimi, ndoshta do të na duhet të presim para se të marrim ngushëllim, ashtu si iu desh edhe atij. Në fakt, Perëndia veproi në favor të tij, duke e liruar përfundimisht Jobin nga vuajtjet dhe duke e shpërblyer atë me bollëk. (Jobi 42:10-17) Pritja me durim e ndërhyrjes së Jehovait, na ndihmon të kultivojmë durimin dhe zbulon thellësinë e devotshmërisë sonë ndaj tij.—Jakovit 1:2-4.
Besimi në Jehovain
15. Përse duhet të kemi besim të plotë në Jehovain?
15 Pjetri i nxiti shokët e besimit ‘të hidhnin gjithë ankthin e tyre mbi [Jehovain], sepse ai kujdesej për ta’. (1. Pjetrit 5:7) Prandaj, ne mund dhe duhet të kemi besim të plotë në Jehovain. Proverbat 3:5, 6 thotë: «Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.» Për shkak të përvojave të kaluara, disa që janë plot me ankthe e kanë të vështirë të besojnë tek njerëzit e tjerë. Kurse ne i kemi të gjitha arsyet për të besuar tek Krijuesi ynë, vetë Burimi dhe Përkrahësi i jetës. Edhe nëse nuk mbështetemi në reagimet tona përballë një situate të caktuar, gjithmonë mund të besojmë se Jehovai do të na lirojë nga fatkeqësitë.—Psalmi 34:18, 19; 36:9; 56:3, 4.
16. Çfarë tha Jezu Krishti për ankthin mbi gjërat materiale?
16 Besimi në Perëndinë përfshin edhe bindjen ndaj Birit të tij, Jezu Krishtit, i cili mësoi atë që kishte përfituar nga Ati i tij. (Gjoni 7:16) Jezui i nxiti dishepujt e tij që të ‘mblidhnin për vete thesare në qiell’, duke i shërbyer Jehovait. Po për nevojat materiale, si ushqimi, veshja dhe strehimi, ç’mund të thuhet? «Mos kini ankth»,—këshilloi Jezui. Ai tregoi se Perëndia ushqen zogjtë dhe vesh lulet për mrekulli. A nuk vlejnë shërbëtorët e Perëndisë më shumë se ato? Sigurisht që po. Prandaj, Jezui i nxiti: «Para së gjithash, kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.» Jezui vazhdoi: «Mos kini ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta.» (Mateu 6:20, 25-34, BR) Po, ne kemi nevojë për të ngrënë, për të pirë, për t’u veshur dhe për t’u strehuar, por nëse besojmë në Jehovain nuk do të kemi ankth të tepërt mbi këto gjëra.
17. Si mund ta ilustrojmë nevojën për të kërkuar më parë Mbretërinë?
17 Që të kërkojmë më parë Mbretërinë, duhet të besojmë në Perëndinë dhe t’i mbajmë përparësitë tona në një shkallë të përshtatshme. Një zhytës pa aparat frymëmarrjeje, zhytet poshtë nën sipërfaqen e ujit, për të kërkuar goca që kanë brenda perla. E bën për të mbajtur familjen. Një përparësi e madhe vërtet! Por, çfarë është më e rëndësishme? Ajri! Ai duhet të shkojë rregullisht në sipërfaqe të ujit, për të mbushur mushkëritë me ajër. Ajri ka përparësi akoma më të madhe. Në mënyrë të ngjashme, edhe ne mund të na duhet që në ndonjë mënyrë të përfshihemi në këtë sistem të tanishëm gjërash, për të siguruar gjërat e domosdoshme për të jetuar. Megjithatë, gjërat frymore duhet të kenë përparësi, sepse nga ato varet vetë jeta e familjes sonë. Për të shmangur ankthin e tepërt mbi gjërat materiale, duhet të kemi besim të plotë tek Perëndia. Për më tepër, fakti që ‘kemi shumë për të bërë në veprën e Zotërisë’ mund të na ndihmojë të pakësojmë ankthet, sepse «gëzimi i Jehovait» tregon se është fuqia jonë.—1. Korintasve 15:58, BR; Nehemia 8:10, BR.
Vazhdoni ta hidhni ankthin tuaj mbi Jehovain
18. Çfarë provash kemi se hedhja e gjithë anktheve tona mbi Jehovain mund të na ndihmojë me të vërtetë ?
18 Që të mbetemi gjithmonë të përqendruar në gjërat frymore, duhet të vazhdojmë ta hedhim gjithë ankthin tonë mbi Jehovain. Mbaj gjithmonë në mend se ai me të vërtetë kujdeset për shërbëtorët e tij. Le të bëjmë një shembull: Për shkak të pabesnikërisë së të shoqit, ankthi i një gruaje të krishterë u rrit deri në atë pikë, sa ishte e pamundur për të të flinte. (Krahaso Psalmin 119:28.) Por kur ishte në krevat, ajo e hidhte gjithë ankthin e saj mbi Jehovain. I hapte zemrën Perëndisë, duke i treguar atij dhembjen që ajo dhe dy vajzat e saj të vogla po kalonin. Pasi i kërkonte ndihmë me një lutje të zjarrtë, ajo ia dilte gjithmonë mbanë të flinte, sepse besonte se Jehovai do të kujdesej për të dhe fëmijët e saj. Kjo grua e divorcuar sipas parimeve në Shkrime, tani është martuar lumturisht me një plak kongregacioni.
19, 20. (a) Cilat janë disa mënyra me të cilat ne mund të përballojmë ankthin? (b) Çfarë duhet të vazhdojmë të bëjmë me gjithë ankthet tona?
19 Si popull i Jehovait, ne kemi mënyra të ndryshme për të përballuar ankthet. Veçanërisht i dobishëm është zbatimi i Fjalës së Perëndisë. Ne kemi ushqimin e pasur frymor që Perëndia na e siguron përmes «skllavit besnik dhe të matur», duke përfshirë artikujt e dobishëm dhe ngushëllues të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! (Mateu 24:45-47, BR) Ne kemi ndihmën e frymës së shenjtë të Perëndisë. Lutjet e rregullta dhe të zjarrta na japin shumë dobi. Pleqtë e krishterë të emëruar janë të gatshëm dhe me dëshirë sigurojnë ngushëllim dhe ndihmë frymore.
20 Vetë përulësia dhe durimi ynë janë shumë të dobishëm për të dalë fitimtarë ndaj shqetësimeve që na ndjekin këmba-këmbës. Veçanërisht i dobishëm është besimi i plotë në Jehovain, sepse besimi ynë ndërtohet kur përjetojmë ndihmën dhe udhëheqjen e tij. Besimi në Perëndinë nga ana e tij, na ndihmon që të mos kemi ankth të tepërt. (Gjoni 14:1) Besimi na shtyn të kërkojmë më parë Mbretërinë dhe të vazhdojmë në veprën e gëzuar të Zotërisë, i cili mund të na ndihmojë të përballojmë ankthet. Një aktivitet i tillë na bën të ndihemi të sigurt mes atyre që do t’i këndojnë lavdi Perëndisë për gjithë përjetësinë. (Psalmi 104:33) Prandaj, le të vazhdojmë ta hedhim gjithë ankthin tonë mbi Jehovain.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Si mund të përcaktohet ankthi?
◻ Cilat janë disa mënyra me të cilat ne mund të përballojmë ankthin?
◻ Si mund të na ndihmojnë përulësia dhe durimi për të pakësuar ankthin?
◻ Përse është e domosdoshme të kemi besim të plotë tek Jehovai në përballimin e anktheve?
◻ Përse duhet të vazhdojmë të hedhim gjithë ankthin tonë mbi Jehovain?
[Figura në faqen 24]
A e di përse Jezui tha, «mos kini ankth»?