«Mbajeni të shkëlqyer sjelljen tuaj mes kombeve»
«Nderoni njerëzit e çdo lloji, kini dashuri për gjithë vëllazërinë.»—1 PJETRIT 2:17.
1, 2. (a) Çfarë komenti bëri një korrespondent gazete rreth Dëshmitarëve të Jehovait? (b) Pse Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të mbajnë norma të larta sjelljeje?
DISA vjet më parë, një korrespondent gazete në Amarilo, Teksas, SHBA, vizitoi kisha të ndryshme të zonës së tij dhe bëri një raport rreth gjërave që kishte parë. Një grup i kishte mbetur në mendje në veçanti. Ai tha: «Për tre vjet ndoqa kongreset vjetore të Dëshmitarëve të Jehovait në Qendrën Kulturore të Amarilos. Për aq kohë sa qëndrova midis tyre, nuk pashë kurrë ndonjë të ndizte një cigare, të hapte ndonjë kanaçe birre ose të përdorte një të folur të ndyrë. Ishin njerëzit më të pastër, më të sjellshëm, më modestët në të veshur e më të afrueshmit që kam takuar ndonjëherë.» Komente të ngjashme për Dëshmitarët e Jehovait janë botuar shpesh. Pse Dëshmitarët lavdërohen shpesh nga njerëz që nuk kanë besimin e tyre?
2 Zakonisht, popullin e Perëndisë e lavdërojnë për shkak të sjelljes së mirë që ka. Ndërkohë që normat në përgjithësi po bien, Dëshmitarët e Jehovait i shohin normat e larta të sjelljes si një detyrim, si pjesë të adhurimit të tyre. E dinë se veprimet e tyre ndikojnë në emrin e Jehovait dhe të vëllezërve të krishterë. E dinë, po ashtu, se sjellja e tyre e mirë rekomandon të vërtetën që predikojnë. (Gjoni 15:8; Titit 2:7, 8) Atëherë, le të shohim se si mund të mbajmë një sjellje të mirë e kështu të vazhdojmë të mbajmë lart emrin e mirë të Jehovait dhe të Dëshmitarëve të tij dhe se si mund të nxjerrim ne vetë dobi duke vepruar kështu.
Në familjen e krishterë
3. Nga çfarë duhen mbrojtur familjet e krishtere?
3 Le të shqyrtojmë sjelljen tonë brenda familjes. Libri Die Neuen Inquisitoren: Religionsfreiheit und Glaubensneid (Inkuizitorët e rinj: Liria e fesë dhe armiqësia fetare) nga Gerhard Beziri dhe Ervin K. Shoiku, thotë: «Për [Dëshmitarët e Jehovait] familja është diçka që duhet mbrojtur në mënyrë të veçantë.» Ky pohim është i vërtetë, dhe sot familja ka nevojë për t’u mbrojtur nga shumë rreziqe. Ka fëmijë që janë «të pabindur ndaj prindërve» dhe të rritur «pa përzemërsi të natyrshme» ose «pa vetëkontroll». (2 Timoteut 3:2, 3) Në familje ushtrohet dhunë ndaj bashkëshortit, prindërit abuzojnë ose lënë pas dore fëmijët, fëmijët rebelohen, fillojnë të marrin drogë dhe bien në imoralitet ose ikin nga shtëpia. E gjithë kjo është pasojë e ndikimit shkatërrimtar të ‘frymës së botës’. (Efesianëve 2:1, 2) Duhet t’i mbrojmë familjet nga kjo frymë. Si? Duke i vënë veshin këshillës dhe drejtimit të Jehovait për pjesëtarët e familjes.
4. Çfarë përgjegjësish kanë ndaj njëri-tjetrit familjarët e krishterë?
4 Çiftet e krishtere e pranojnë se kanë detyrime emocionale, frymore dhe fizike ndaj njëri-tjetrit. (1 Korintasve 7:3-5; Efesianëve 5:21-23; 1 Pjetrit 3:7) Prindërit e krishterë kanë përgjegjësi të mëdha ndaj fëmijëve të tyre. (Fjalët e urta [Proverbat] 22:6; 2 Korintasve 12:14; Efesianëve 6:4) E ndërsa fëmijët në familjet e krishtere rriten, mësojnë se edhe ata kanë detyrime. (Fjalët e urta 1:8, 9; 23:22; Efesianëve 6:1; 1 Timoteut 5:3, 4, 8) Plotësimi i detyrimeve familjare kërkon përpjekje, vendosmëri dhe një frymë dashurie e vetëmohimi. Megjithatë, në atë masë që të gjithë pjesëtarët e familjes plotësojnë detyrimet që u ka caktuar Perëndia, po në atë masë do të jenë një bekim për njëri-tjetrin dhe për kongregacionin. Ç’është më e rëndësishmja, do të nderojnë Nismëtarin e familjes, Perëndinë Jehova.—Zanafilla 1:27, 28; Efesianëve 3:15.
Në vëllazërinë e krishterë
5. Çfarë bekimesh marrim kur shoqërohemi me të bashkëkrishterët?
5 Si të krishterë, kemi përgjegjësi edhe ndaj bashkëbesimtarëve në kongregacion, e, së fundi, ndaj atyre që përbëjnë «gjithë vëllazërinë . . . nëpër botë». (1 Pjetrit 5:9) Marrëdhënia që kemi me kongregacionin është jetësore për shëndetin tonë frymor. Kur shoqërohemi me të bashkëkrishterët, gëzojmë shoqërinë e tyre forcuese, si edhe ushqimin frymor të shëndetshëm që vjen nga «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mateu 24:45-47) Në qoftë se kemi probleme, mund të shkojmë te vëllezërit për të marrë këshilla të mira të bazuara në parimet biblike. (Fjalët e urta 17:17; Predikuesi [Eklisiastiu] 4:9; Jakovit 5:13-18) Kur gjendemi në nevojë, vëllezërit tanë nuk na braktisin. Çfarë bekimi është të jemi pjesë e organizatës së Perëndisë!
6. Si e tregoi Pavli se kemi përgjegjësi ndaj të krishterëve të tjerë?
6 Megjithatë, nuk jemi në kongregacion vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë. Në të vërtetë, Jezui tha: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.» (Veprat 20:35) Apostulli Pavël e theksoi frymën e dhënies kur shkroi: «Le ta mbajmë fort deklaratën publike të shpresës sonë, pa u lëkundur, sepse i besueshëm është ai që premtoi. Dhe le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjen tonë së bashku, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin e aq më tepër tani, ndërsa e shikoni që dita po afrohet.»—Hebrenjve 10:23-25.
7, 8. Si e tregojmë frymën e dhënies edhe në kongregacion, edhe ndaj të krishterëve në vende të tjera?
7 Brenda kongregacionit, e bëjmë ‘deklaratën e shpresës sonë’ duke bërë komente gjatë mbledhjes ose duke marrë pjesë në mënyra të tjera në program. Këto përpjekje i inkurajojnë me siguri vëllezërit tanë. Gjithashtu i inkurajojmë ata me bisedat tona para dhe pas mbledhjes. Kjo është një kohë kur mund të forcojmë të dobëtit, të ngushëllojmë të ligështuarit dhe të sëmurët. (1 Selanikasve 5:14) Të krishterët e vërtetë janë bujarë në këtë lloj dhënieje, e kjo është arsyeja pse kaq shumë vetave u bën përshtypje dashuria që ndiejnë mes nesh, kur ndjekin mbledhjet tona për herë të parë.—Psalmi 37:21; Gjoni 15:12; 1 Korintasve 14:25.
8 Megjithatë, dashuria jonë nuk kufizohet vetëm për kongregacionin tonë. Ajo përfshin gjithë vëllazërinë tonë në mbarë botën. Ja përse, për shembull, në çdo Sallë Mbretërie ka një kuti kontributesh për Fondin e Sallave të Mbretërisë. Ndoshta Salla e Mbretërisë ku shkojmë ne është në gjendje shumë të mirë, por e dimë se mijëra të bashkëkrishterë në vendet e tjera nuk kanë një vend të përshtatshëm ku të mblidhen. Kur japim kontribute për Fondin e Sallave të Mbretërisë, tregojmë dashurinë tonë për këta individë, edhe pse mund të mos i njohim personalisht.
9. Për cilën arsye themelore e duan njëri-tjetrin Dëshmitarët e Jehovait?
9 Pse Dëshmitarët e Jehovait e duan njëri-tjetrin? Sepse Jezui i urdhëroi që të vepronin kështu. (Gjoni 15:17) Dashuria që ata kanë për njëri-tjetrin është dëshmi e frymës së Perëndisë që punon tek ata si individë dhe si grup. Dashuria është pjesë e ‘frytit të frymës’. (Galatasve 5:22, 23) Kur Dëshmitarët e Jehovait studiojnë Biblën, ndjekin mbledhjet e krishtere dhe i luten vazhdimisht Perëndisë, dashuria bëhet një gjë e natyrshme për ta, pavarësisht se jetojnë në një botë ku ‘dashuria e shumicës është ftohur’.—Mateu 24:12.
Në marrëdhëniet me botën ku jetojmë
10. Çfarë përgjegjësie kemi ndaj botës në të cilën jetojmë?
10 ‘Deklarata publike e shpresës sonë’ që përmendi Pavli na kujton edhe një përgjegjësi tjetër që kemi. Kjo deklaratë publike përfshin t’u predikojmë lajmin e mirë atyre që nuk janë ende vëllezërit tanë të krishterë. (Mateu 24:14; 28:19, 20; Romakëve 10:9, 10, 13-15) Ky predikim është një akt i mëtejshëm dhënieje. Pjesëmarrja në të kërkon kohë, energji, përgatitje, stërvitje dhe përdorimin e të ardhurave personale. Megjithatë Pavli shkroi: «U jam borxhli si grekëve dhe barbarëve, si të mençurve dhe të pamendëve: prandaj, nga ana ime, kam dëshirë të zjarrtë t’jua shpall lajmin e mirë edhe juve atje, në Romë.» (Romakëve 1:14, 15) Ashtu si Pavli, le të mos jemi dorështrënguar ndërsa shlyejmë këtë «borxh».
11. Cilat janë dy parime biblike që udhëheqin marrëdhënien tonë me botën, por çfarë pranojmë gjithsesi?
11 A kemi përgjegjësi të tjera ndaj atyre që nuk janë bashkëbesimtarë? Patjetër që po. E kuptojmë, pa dyshim, se «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut». (1 Gjonit 5:19) E dimë se Jezui tha për dishepujt e tij: «Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» Megjithatë, ne jetojmë në botë, sigurojmë jetesën në të dhe marrim shërbime prej saj. (Gjoni 17:11, 15, 16) Prandaj kemi detyrime ndaj botës që na rrethon. Çfarë detyrimesh? Apostulli Pjetër iu përgjigj kësaj pyetjeje. Pak kohë para se të shkatërrohej Jerusalemi, ai u shkroi një letër të krishterëve në Azinë e Vogël dhe një pjesë e asaj letre na ndihmon të kemi një marrëdhënie të ekuilibruar me botën.
12. Në ç’mënyrë të krishterët janë «të ardhur e banorë të përkohshëm», dhe si të tillë, nga çfarë duhet të përmbahen?
12 Si fillim Pjetri tha: «Të dashur, ju nxit si të ardhur e banorë të përkohshëm, të vazhdoni të përmbaheni nga dëshirat e mishit, të cilat janë po ato që zhvillojnë një konflikt kundër shpirtit.» (1 Pjetrit 2:11) Në kuptimin frymor të krishterët e vërtetë janë «të ardhur e banorë të përkohshëm», sepse qendra e vërtetë e jetës së tyre është shpresa e jetës së përhershme: për të mirosurit nga fryma në qiell dhe për ‘delet e tjera’ në një parajsë të ardhme tokësore. (Gjoni 10:16; Filipianëve 3:20, 21; Hebrenjve 11:13; Zbulesa 7:9, 14-17) Por, çfarë janë dëshirat e mishit? Këto përfshijnë gjëra të tilla, si: dëshirën për të qenë të pasur, dëshirën për t’u shquar, dëshirat seksuale imorale dhe dëshirat e përshkruara si ‘smirë’ e ‘lakmi’.—Kolosianëve 3:5; 1 Timoteut 6:4, 9; 1 Gjonit 2:15, 16.
13. Si «zhvillojnë një konflikt kundër shpirtit [tonë]» dëshirat e mishit?
13 Këto dëshira me të vërtetë «zhvillojnë një konflikt kundër shpirtit [tonë]». Ato na e gërryejnë marrëdhënien që kemi me Perëndinë e në këtë mënyrë na vënë në rrezik shpresën tonë të krishterë (‘shpirtin’ ose jetën tonë). Për shembull, në qoftë se kultivojmë interes për gjërat imorale, si mund ta paraqesim veten «si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë»? Në qoftë se biem në kurthin e materializmit, si po e ‘kërkojmë më parë mbretërinë’? (Romakëve 12:1, 2; Mateu 6:33; 1 Timoteut 6:17-19) Rruga më e mirë është të ndjekim shembullin e Moisiut, t’u kthejmë shpinën joshjeve të botës dhe ta vëmë shërbimin e Jehovait në vend të parë në jetën tonë. (Mateu 6:19, 20; Hebrenjve 11:24-26) Ky është një faktor i rëndësishëm për të arritur në një marrëdhënie të ekuilibruar me botën.
‘Mbani një sjellje të shkëlqyer’
14. Përse si të krishterë përpiqemi të mbajmë një sjellje të shkëlqyer?
14 Një udhëzim tjetër jetësor e gjejmë në fjalët vijuese të Pjetrit: «Mbajeni të shkëlqyer sjelljen tuaj mes kombeve, me qëllim që, për atë që thonë kundër jush si keqbërës, ata t’i japin lavdi Perëndisë ditën e hetimit prej tij, si rrjedhojë e veprave tuaja të shkëlqyera, për të cilat janë dëshmitarë okularë.» (1 Pjetrit 2:12) Si të krishterë përpiqemi të jemi shembullorë. Në shkollë mësojmë me zell. Në vendin e punës jemi të palodhur dhe të ndershëm, edhe sikur punëdhënësi të na duket i paarsyeshëm. Në një shtëpi të ndarë nga ana fetare, burri ose gruaja besimtare bën përpjekje të veçanta për të ndjekur parimet e krishtere. Nuk është gjithnjë e lehtë, por e dimë se sjellja jonë shembullore i pëlqen Jehovait dhe shpesh ka ndikim të mirë tek ata që nuk janë Dëshmitarë.—1 Pjetrit 2:18-20; 3:1.
15. Si e dimë që norma e lartë e sjelljes që kanë Dëshmitarët e Jehovait njihet gjerësisht?
15 Fakti që shumica e Dëshmitarëve të Jehovait ia kanë dalë mbanë me sukses të mbajnë norma shembullore shihet nga komentet që janë botuar për ta gjatë viteve. Për shembull, gazeta Il Tempo e Italisë raportonte: «Njerëzit që kanë shokë pune Dëshmitarët e Jehovait i përshkruajnë këta si punëtorë të ndershëm, të bindur kaq shumë për besimin e tyre, saqë mund të duken sikur janë fanatikë, e megjithatë, meritojnë respekt për besnikërinë e tyre morale.» Gazeta Herald e Buenos-Ajresit në Argjentinë, thoshte: «Dëshmitarët e Jehovait kanë treguar gjatë viteve se janë shtetas të palodhur, seriozë, ekonomiqarë dhe njerëz me frikë Perëndie.» Studiuesi rus Sergej Ivanenko tha: «Dëshmitarët e Jehovait njihen në gjithë botën si njerëz që u përmbahen ligjeve në mënyrë të përkryer dhe veçanërisht njihen për qëndrimin e tyre të përpiktë kundrejt pagimit të taksave.» Në Zimbabve, administratorja e një ndërtese që përdorën Dëshmitarët e Jehovait për kongresin e tyre tha: «Shoh disa Dëshmitarë që mbledhin letrat dhe pastrojnë banjat. Vendin e lënë më të pastër se ç’ishte më parë. Adoleshentët tuaj janë të rinj me parime. Do të doja që e gjithë bota të ishte plot me Dëshmitarë të Jehovait.»
Nënshtrimi i krishterë
16. Cila është marrëdhënia jonë me autoritetet në botë dhe përse?
16 Pjetri flet edhe për marrëdhëniet tona me autoritetet në botë. Ai thotë: «Për hir të Zotërisë, nënshtrojuni çdo krijese njerëzore: qoftë mbretit si më i lartë, qoftë guvernatorëve si të dërguar prej tij për t’u dhënë ndëshkimin keqbërësve, por për të lëvduar ata që bëjnë të mirën. Sepse i tillë është vullneti i Perëndisë, që duke bërë të mirën, t’ia mbyllni gojën si me gojëz të folurit me injorancë të njerëzve të paarsyeshëm.» (1 Pjetrit 2:13-15) I vlerësojmë dobitë që marrim nga një qeveri paqësore, dhe, të udhëhequr nga fjalët e Pjetrit, u bindemi ligjeve të tyre dhe paguajmë taksat. Edhe pse e pranojmë të drejtën që Perëndia u ka dhënë qeverive për të ndëshkuar ata që shkelin ligjet, arsyeja kryesore pse i bindemi autoritetit në botë është «për hir të Zotërisë». Ky është vullneti i Perëndisë. Për më tepër, nuk duam të sjellim sharje mbi emrin e Jehovait duke u ndëshkuar për shkelje të ligjit.—Romakëve 13:1, 4-7; Titit 3:1; 1 Pjetrit 3:17.
17. Kur na kundërshtojnë ‘njerëzit e paarsyeshëm’, për çfarë mund të jemi të sigurt?
17 Mjerisht, disa ‘njerëz të paarsyeshëm’ me autoritet na përndjekin ose na kundërshtojnë në mënyra të tjera, si për shembull duke nxitur fushata shpifjeje kundër nesh. Megjithatë, në kohën e duhur sipas Jehovait, gënjeshtrat e tyre demaskohen gjithnjë dhe ‘të folurit të tyre me injorancë’ i vihet gojëza me efektshmëri. Dëshmitë e sjelljes sonë të krishterë flasin vetë. Ja përse shpesh qeveritarët e ndershëm na lavdërojnë si njerëz që bëjnë të mirën.—Romakëve 13:3; Titit 2:7, 8.
Skllevër të Perëndisë
18. Si të krishterë, në cilat mënyra mund të shmangim abuzimin me lirinë që kemi?
18 Më tej Pjetri paralajmëron: «Jini si njerëz të lirë, e megjithatë duke mos e pasur lirinë tuaj si një maskim për të keqen, por si skllevër të Perëndisë.» (1 Pjetrit 2:16; Galatasve 5:13) Sot, njohuria që kemi për të vërtetën biblike na çliron nga mësimet e rreme fetare. (Gjoni 8:32) Për më tepër, kemi vullnetin e lirë dhe mund të bëjmë zgjedhje. Gjithsesi nuk abuzojmë me lirinë tonë. Kur bëjmë zgjedhje për shoqëritë, veshjen, zbavitjen, për mënyrën se si kujdesemi për paraqitjen e jashtme e madje edhe ushqimin e pijen, mbajmë parasysh se të krishterët e vërtetë janë skllevër të Perëndisë, duke mos i pëlqyer vetvetes. Zgjedhim t’i shërbejmë Jehovait në vend që të jemi skllevër të dëshirave tona mëkatare ose të modave e trilleve të botës.—Galatasve 5:24; 2 Timoteut 2:22; Titit 2:11, 12.
19-21. (a) Në ç’mënyrë i shohim ata që kanë pozita autoriteti në botë? (b) Si kanë treguar disa «dashuri për gjithë vëllazërinë»? (c) Cila është përgjegjësia jonë më e rëndësishme?
19 Pjetri vazhdon duke thënë: «Nderoni njerëzit e çdo lloji, kini dashuri për gjithë vëllazërinë, kini frikë Perëndinë, kini nderim për mbretin.» (1 Pjetrit 2:17) Meqë Perëndia Jehova i lejon njerëzit të kenë pozita të ndryshme autoriteti, u tregojmë këtyre njerëzve nderimin e duhur. Madje lutemi për ta, me qëllim që të na lejojnë të kryejmë shërbimin tonë në paqe e me përkushtim hyjnor. (1 Timoteut 2:1-4) Por në të njëjtën kohë, ‘kemi dashuri për gjithë vëllazërinë’. Punojmë gjithnjë për dobinë e vëllezërve tanë të krishterë, jo në dëm të tyre.
20 Për shembull, kur në një komb afrikan shpërtheu dhuna etnike, sjellja e krishterë e Dëshmitarëve të Jehovait u dallua nga të tjerët. Gazeta Reformierte Presse e Zvicrës raportonte: «Në vitin 1995, organizata Të Drejtat Afrikane . . . arriti të provonte pjesëmarrjen e të gjitha kishave [në konflikt] me përjashtim të Dëshmitarëve të Jehovait.» Pasi lajmi për ngjarjet tragjike mbërriti jashtë vendit, Dëshmitarët e Jehovait nga Evropa u dërguan menjëherë ushqime dhe ndihmë mjekësore vëllezërve të tyre dhe të tjerëve në atë vend të munduar. (Galatasve 6:10) Ua vunë veshin Fjalëve të urta 3:27, ku thuhet: «Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh.»
21 Por ka edhe një përgjegjësi më të rëndësishme sesa nderimi që duhet t’i japim ndonjë autoriteti në botë, madje edhe sesa dashuria që duhet t’u tregojmë vëllezërve tanë. Çfarë është kjo? Pjetri tha: «Kini frikë Perëndinë.» I detyrohemi Jehovait shumë më tepër sesa mund t’i detyrohemi ndonjë njeriu. Por, në cilin kuptim? Gjithashtu, si mund t’i drejtpeshojmë detyrimet që kemi ndaj Perëndisë me atë që i detyrohemi autoriteteve në botë? Këtyre pyetjeve do t’u jepet përgjigje në artikullin vijues.
A ju kujtohet?
• Çfarë përgjegjësish kanë të krishterët brenda familjes?
• Si mund të tregojmë frymën e dhënies në kongregacion?
• Çfarë përgjegjësish kemi ndaj botës ku jetojmë?
• Cilat janë disa dobi që vijnë ngaqë mbajmë një normë të lartë sjelljeje?
[Figura në faqen 9]
Si mund të jetë burim i madh gëzimi familja e krishterë?
[Figurat në faqen 10]
Pse e duan njëri-tjetrin Dëshmitarët e Jehovait?
[Figurat në faqen 10]
A mund t’u tregojmë dashuri vëllezërve tanë edhe po të mos i njohim personalisht?