Në botë por jo pjesë e saj
«Sepse nuk jeni pjesë e botës, . . . bota ju urren.»—GJONI 15:19, BR.
1. Çfarë marrëdhënieje kanë të krishterët me botën, por megjithatë, si i konsideron bota ata?
NATËN e tij të fundit me dishepujt e vet, Jezui u tha atyre: «Ju nuk jeni pjesë e botës.» Për cilën botë po fliste ai? A nuk kishte thënë në një rast të mëparshëm se «Perëndia e deshi botën aq shumë, saqë dha Birin e tij të vetëmlindur, me qëllim që kushdo që ushtron besim në të, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme»? (Gjoni 3:16, BR) Dishepujt ishin në mënyrë të qartë pjesë e asaj bote, sepse ishin të parët që ushtruan besim në Jezuin për jetën e përhershme. Po pse, atëherë, Jezui tha që dishepujt e tij ishin të ndarë nga bota? Pse tha edhe që «Sepse nuk jeni pjesë e botës, . . . për shkak të kësaj bota ju urren»?—Gjoni 15:19, BR.
2, 3. (a) Pjesë e cilës «botë» nuk duhej të ishin të krishterët? (b) Çfarë thotë Bibla për «botën», pjesë e së cilës nuk janë të krishterët?
2 Përgjigjja është që Bibla e përdor fjalën «botë» (greqisht, koʹsmos) në mënyra të ndryshme. Siç u shpjegua edhe në artikullin e mëparshëm, në Bibël «bota» disa herë i referohet njerëzimit në përgjithësi. Kjo është bota që deshi Perëndia dhe për të cilën vdiq Jezui. Megjithatë, në një libër thuhet: «‘Bota’ është, gjithashtu, një term që të krishterët e përdorin për diçka të larguar nga Perëndia dhe armiqësore ndaj tij.» (The Oxford History of Christianity) Si është e vërtetë kjo? Autori katolik Roland Minërat, në librin e tij Les chrétiens et le monde (Të krishterët dhe bota), shpjegon: «E marrë në një kuptim përçmues, bota është parë, pra, si . . . zona ku fuqitë armiqësore ndaj Perëndisë kryejnë aktivitetin e tyre dhe që me anë të kundërshtimit të saj ndaj sundimit fitimtar të Krishtit, përbën një perandori armike nën kontrollin e Satanait.» Kjo «botë» është masa e njerëzimit që është larguar nga Perëndia. Të krishterët e vërtetë nuk janë pjesë e kësaj bote dhe ajo i urren ata.
3 Nga fundi i shekullit të parë, Gjoni pati ndër mend këtë botë, kur shkroi: «Mos e doni as botën, as gjërat në botë. Nëse dikush do botën, dashuria e Atit nuk është në të, sepse gjithçka në botë: dëshira e mishit e dëshira e syve dhe shfaqja për t’u dukur e mjeteve të jetesës, nuk e kanë origjinën nga Ati, por e kanë origjinën nga bota. (1. Gjonit 2:15, 16, BR) Ai shkroi, gjithashtu: «E dimë se e kemi origjinën nga Perëndia, por e gjithë bota shtrihet nën pushtetin e të ligut.» (1. Gjonit 5:19, BR) Vetë Jezui e quajti Satanain «sundimtarin e kësaj bote».—Gjonit 12:31; 16:11, BR.
Rritja e fuqive botërore
4. Si erdhën në ekzistencë fuqitë botërore?
4 Bota ekzistuese e njerëzimit të larguar nga Perëndia, filloi të zhvillohej pak pas Përmbytjes së ditëve të Noes, kur shumë prej pasardhësve të Noes, pushuan së adhuruari Perëndinë Jehova. I njohur në kohët e hershme ishte Nimrodi, një ndërtues qytetesh dhe «një gjahtar i fuqishëm kundër Jehovait». (Zanafilla 10:8-12, BR) Në ato vite, një pjesë e madhe e kësaj bote ishte e organizuar në qytete-mbretëri të vogla, të cilat kohë pas kohe formonin koalicione dhe i bënin luftë njëra-tjetrës. (Zanafilla 14:1-9) Disa qytete-mbretëri fituan zotërimin mbi të tjerat, derisa u bënë fuqi rajonale. Më në fund, disa fuqi rajonale u rritën, derisa u bënë fuqi të mëdha botërore.
5, 6. (a) Cilat janë shtatë fuqitë botërore të historisë biblike? (b) Si janë simbolizuar këto fuqi botërore dhe prej nga vjen fuqia e tyre?
5 Duke ndjekur modelin e Nimrodit, sundimtarët e fuqive botërore nuk adhuruan Jehovain, një fakt që u pasqyrua në veprimet e tyre mizore dhe të dhunshme. Në Shkrime, këto fuqi botërore janë simbolizuar nga kafshë të egra dhe në rrjedhën e shekujve, Bibla identifikon gjashtë prej tyre, të cilat patën një ndikim të fuqishëm mbi popullin e Jehovait. Këto ishin Egjipti, Asiria, Babilonia, Medo-Persia, Greqia dhe Roma. Pas Romës, ishte profetizuar dalja e një fuqie të shtatë botërore. (Danieli 7:3-7; 8:3-7, 20, 21; Zbulesa 17:9, 10) Kjo doli se qe fuqia botërore anglo-amerikane, e cila konsistonte në perandorinë britanike me aleaten e saj, Shtetet e Bashkuara, që më në fund e eklipsoi Britaninë në fuqi. Perandoria britanike filloi të zhvillohet, pasi gjurma e fundit e perandorisë romake u zhduk përfundimisht.a
6 Shtatë fuqitë e njëpasnjëshme botërore, në librin e Zbulesës janë simbolizuar nga kokat e një bishe të egër shtatëkokëshe, e cila del nga deti i njerëzimit të trazuar. (Isaia 17:12, 13; 57:20, 21; Zbulesa 13:1) Kush ia jep fuqinë kësaj bishe që sundon? Bibla përgjigjet: «Dragoi i dha bishës fuqinë e saj, fronin e saj dhe autoritet të madh.» (Zbulesa 13:2, BR) Dragoi s’është gjë tjetër, veçse Satana Djalli.—Luka 4:5, 6; Zbulesa 12:9.
Sundimi që po vjen i Mbretërisë së Perëndisë
7. Në çfarë shpresojnë të krishterët dhe si ndikon kjo në marrëdhënien e tyre me qeveritë e botës?
7 Për rreth 2.000 vjet, të krishterët janë lutur: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell dhe në tokë.» (Mateu 6:10, BR) Dëshmitarët e Jehovait e dinë se vetëm Mbretëria e Perëndisë mund të sjellë paqe të vërtetë në tokë. Duke qenë vëzhgues të vëmendshëm të profecive biblike, ata janë të bindur se së shpejti kjo lutje do të marrë përgjigje dhe se pas pak kohësh Mbretëria do të marrë në dorë kontrollin e çështjeve të tokës. (Danieli 2:44) Aderimi i tyre në këtë Mbretëri, i bën asnjanës në lidhje me çështjet e qeverive të botës.
8. Si reagojnë qeveritë ndaj sundimit të Mbretërisë së Perëndisë, siç është parathënë në Psalmin 2?
8 Disa kombe deklarojnë se i vënë në jetë parimet fetare. Megjithatë, në praktikë ata shpërfillin faktin që Jehovai është Sovrani Universal dhe që ai ka hipur në fron Jezuin, si Mbret qiellor me autoritet mbi tokën. (Danieli 4:17; Zbulesa 11:15) Një psalm profetik thotë: «Mbretërit e tokës marrin qëndrimin e tyre dhe zyrtarët e lartë janë mbledhur së bashku si një i vetëm kundër Jehovait dhe kundër të mirosurit të tij [Jezuit], duke thënë: ‘Le t’i këputim kllapat e tyre dhe t’i hedhim larg nesh litarët e tyre!’» (Psalmi 2:2, 3, BR) Qeveritë nuk pranojnë «kllapa» apo «litarë» hyjnorë, që do të kufizonin ushtrimin e sovranitetit kombëtar nga ana e tyre. Kështu, Jehovai i thotë Jezuit, Mbretit të zgjedhur të tij: «Më pyet, që të mund t’i jap kombet si trashëgiminë tënde dhe skajet e tokës si zotërimin tënd. Ti do t’i copëtosh ato me një skeptër hekuri, si një vazo poçari do t’i bësh copë-copë.» (Psalmi 2:8, 9, BR) Megjithatë, bota e njerëzimit për të cilën vdiq Jezui, nuk do të ‘copëtohet’ krejtësisht.—Gjoni 3:17.
Të shmangim «shenjën» e «bishës»
9, 10. (a) Për çfarë paralajmërohemi në librin e Zbulesës? (b) Çfarë simbolizohet me mbajtjen e ‘shenjës së bishës’? (c) Çfarë shenjash pranojnë shërbëtorët e Perëndisë?
9 Zbulesa që mori apostulli Gjon, paralajmëronte se bota e njerëzimit, e cila është e larguar nga Perëndia, do të bënte kërkesa në rritje pak para fundit të saj, duke i vënë «nën shtrëngim të gjithë personat, të vegjëlit e të mëdhenjtë, të pasurit e të varfrit, njerëzit e lirë dhe skllevërit, që ato t’u japin këtyre një shenjë në dorën e tyre të djathtë apo në ballin e tyre dhe që askush të mos jetë në gjendje të blejë apo të shesë, përveç personit që ka shenjën». (Zbulesa 13:16, 17, BR) Ç’do të thotë kjo? Një shenjë në dorën e djathtë është një simbol i përshtatshëm i mbështetjes aktive. Po shenja mbi ballë? Në një libër thuhet: «Ky aluzion shumë figurativ ka të bëjë me zakonin e shënimit të ushtarëve dhe skllevërve me një tatuazh ose damkë që binte në sy . . . ; apo, më mirë akoma, me zakonin fetar të mbajtjes me vete të emrit të një perëndie, si hajmali.» (The Expositor’s Greek Testament) Shumë njerëz, me anë të veprave dhe të fjalëve të tyre, simbolikisht mbajnë këtë shenjë, duke e identifikuar veten si «skllevër» apo «ushtarë» të «bishës». (Zbulesa 13:3, 4, BR) Në lidhje me të ardhmen e tyre, një fjalor fetar thotë: «Armiqtë e Perëndisë lejojnë që [shenja] e bishës, numri misterioz që përmban emrin e saj, të stampohet në ballin e tyre dhe në njërën dorë. Kjo u jep atyre mundësi të mëdha përparimi ekonomik dhe tregtar, por i çon nën zemërimin e Perëndisë dhe i përjashton nga mbretëria mijëvjeçare, Zbul. 13:16; 14:9; 20:4.»—Theological Dictionary of the New Testament.
10 Për t’i rezistuar presionit për marrjen e «shenjës», kërkohet gjithnjë e më shumë kurajë dhe qëndrueshmëri. (Zbulesa 14:9-12) Megjithatë, shërbëtorët e Perëndisë e kanë një forcë të tillë dhe për shkak të kësaj shpesh urrehen dhe për ta thuhen shpifje. (Gjoni 15:18-20; 17:14, 15) Në vend që të mbajnë shenjën e bishës, Isaia tha se simbolikisht ata do shkruanin në dorën e tyre : «I përkas Jehovait.» (Isaia 44:5, BR) Për më tepër, meqenëse ata ‘psherëtijnë dhe rënkojnë’ për gjërat e neveritshme të bëra nga feja apostate, marrin një shenjë simbolike në ballin e tyre, që i identifikon si të denjë për t’u kursyer, kur të ekzekutohen gjykimet e Jehovait.—Ezekieli 9:1-7, BR.
11. Kush e jep lejen që të sundojnë qeveritë njerëzore, derisa Mbretëria e Perëndisë të marrë në dorë sundimin e tokës?
11 Perëndia i lejon qeveritë njerëzore që të sundojnë, deri në kohën që Mbretëria qiellore e Krishtit do të marrë plotësisht në dorë sundimin e kësaj toke. Këtij tolerimi hyjnor të shteteve politike i është referuar profesori Oskar Kulmën në një libër të tij. Ai shkruan: «Nocioni kompleks i karakterit ‘provizor’ të shtetit është arsyeja se përse qëndrimi i të krishterëve të parë ndaj shtetit nuk është konsekuent, por përkundrazi, duket se është kontradiktor. E theksoj, duket se është kështu. Duhet vetëm të përmendim Romakëve 13:1: ‘Çdo njeri le të jetë i nënshtruar ndaj pushteteve që ekzistojnë . . . ’, bashkë me Zbulesën 13: shteti si bisha nga humnera.»—The State in the New Testament.
«Bisha» dhe «Cezari»
12. Çfarë pikëpamjeje të drejtpeshuar kanë Dëshmitarët e Jehovait për qeveritë njerëzore?
12 Do të ishte jokorrekte të nxirrnim përfundimin se të gjithë njerëzit me autoritet qeveritar janë vegla të Satanait. Shumë e kanë provuar veten si njerëz parimesh, të tillë si prokonsulli Sergj Pal, i cili në Bibël është përshkruar si «një burrë inteligjent». (Veprat 13:7, BR) Disa sundimtarë i kanë mbrojtur me guxim të drejtat e minoriteteve, të udhëhequr nga ndërgjegjja e tyre e dhënë nga Perëndia, edhe pse nuk e njihnin Jehovain dhe qëllimet e tij. (Romakëve 2:14, 15) Mos harro që Bibla e përdor fjalën «botë» në dy mënyra kontrastuese: bota e njerëzimit, të cilën Perëndia e do e që ne duhet ta duam dhe bota e njerëzimit të larguar nga Jehovai, perëndia e së cilës është Satanai dhe së cilës duhet t’i qëndrojmë larg. (Gjoni 1:9, 10; 17:14; 2. Korintasve 4:4; Jakovit 4:4) Pra, shërbëtorët e Jehovait kanë një qëndrim të drejtpeshuar ndaj sundimit njerëzor. Ne jemi asnjanës në çështjet politike, përderisa shërbejmë si ambasadorë apo të dërguar të Mbretërisë së Perëndisë dhe jeta jonë i është dedikuar Perëndisë. (2. Korintasve 5:20) Nga ana tjetër, ne u nënshtrohemi me ndërgjegje atyre që kanë autoritet.
13. (a) Si i konsideron Jehovai qeveritë njerëzore? (b) Deri ku arrin nënshtrimi i krishterë ndaj qeverive njerëzore?
13 Ky qëndrim i drejtpeshuar pasqyron vetë pikëpamjen e Perëndisë Jehova. Kur fuqitë botërore, ose madje edhe shtetet e vogla, abuzojnë me autoritetin e tyre, shtypin njerëzit e tyre apo persekutojnë ata që adhurojnë Perëndinë, e meritojnë patjetër përshkrimin profetik të tyre si bisha të egra. (Danieli 7:19-21; Zbulesa 11:7) Megjithatë, kur qeveritë kombëtare i shërbejnë qëllimit të Perëndisë në mbajtjen e ligjit dhe të rregullit me drejtësi, ai i konsideron ato si «shërbëtorë publikë» të tij. (Romakëve 13:6, BR) Nga populli i tij, Jehovai pret që t’i respektojë qeveritë njerëzore dhe t’u nënshtrohet atyre, por nënshtrimi i tyre nuk është pa kufij. Kur njerëzit kërkojnë nga shërbëtorët e Perëndisë gjëra që janë të ndaluara nga ligji i Perëndisë apo kur ndalojnë gjëra, të cilat Perëndia kërkon t’i bëjnë shërbëtorët e tij, këta të fundit ndjekin qëndrimin e adoptuar nga apostujt, domethënë: «Duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, në vend se njerëzve.»—Veprat 5:29, BR.
14. Si është shpjeguar nënshtrimi i krishterë ndaj qeverive njerëzore nga Jezui? Po nga Pavli?
14 Jezui tha se ithtarët e tij do të kishin detyrime si ndaj qeverive, ashtu dhe ndaj Perëndisë, kur deklaroi: «Paguajini, pra, Cezarit gjërat e Cezarit, por Perëndisë, gjërat e Perëndisë.» (Mateu 22:21, BR) Apostulli Pavël shkroi nën frymëzim: «Çdo shpirt le të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta . . . Por nëse bën të keqen, ki frikë, sepse jo pa qëllim ai mban shpatën, sepse është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës për të shprehur zemërimin mbi atë që praktikon të keqen. Prandaj, ka arsye shtrënguese për ju njerëz, që të jeni të nënshtruar, jo vetëm për hir të atij zemërimi, por edhe për hir të ndërgjegjes suaj. Sepse për këtë po paguani edhe taksa.» (Romakëve 13:1, 4-6, BR) Që prej shekullit të parë të e.s. e deri sot, të krishterëve iu është dashur të shqyrtojnë kërkesat e bëra nga shteti. Ata kanë pasur nevojë të shquajnë nëse përputhja me këto kërkesa do të çonte në kompromentimin e adhurimit të tyre apo nëse kërkesa të tilla ishin të përligjura dhe duheshin plotësuar në mënyrë të ndërgjegjshme.
Qytetarë të ndërgjegjshëm
15. Si ia paguajnë me ndërgjegje Cezarit atë që i detyrohen, Dëshmitarët e Jehovait?
15 «Autoritetet më të larta» politike janë «shërbëtorë» të Perëndisë kur përmbushin rolin e tyre të miratuar nga Perëndia, i cili përfshin autoritetin «për t’i dhënë dënimin keqbërësve, por për të lavdëruar bërësit e së mirës». (1. Pjetrit 2:13, 14, BR) Shërbëtorët e Jehovait i paguajnë me ndërgjegje Cezarit atë që ai kërkon në mënyrë të ligjshme në lidhje me taksat dhe shkojnë deri aty ku ndërgjegjja e tyre e stërvitur sipas Biblës i lejon të shkojnë, për të qenë «të bindur ndaj qeverive dhe autoriteteve si sundimtarë, . . . gati për çdo vepër të mirë». (Titit 3:1, BR) ‘Vepra e mirë’ përfshin të ndihmosh të tjerët, për shembull kur godet një katastrofë. Shumë persona kanë dëshmuar për dashamirësinë e treguar nga Dëshmitarët e Jehovait ndaj njerëzve të tjerë në këto situata.—Galatasve 6:10.
16. Çfarë veprash të mira kryejnë me ndërgjegje Dëshmitarët e Jehovait, për qeveritë dhe njerëzit e tjerë?
16 Dëshmitarët e Jehovait i duan njerëzit e tjerë dhe mendojnë se vepra më e mirë që mund të bëjnë për ta, është t’i ndihmojnë të arrijnë në një njohuri të saktë mbi qëllimin e Perëndisë për të sjellë «qiej të rinj dhe tokë të re» të drejta. (2. Pjetrit 3:13) Duke u mësuar të tjerëve parimet e larta të Biblës dhe duke i praktikuar ato, ata janë një pasuri për shoqërinë njerëzore, duke shpëtuar nga kriminaliteti shumë njerëz. Shërbëtorët e Jehovait janë persona që u përmbahen ligjeve dhe që respektojnë ministrat qeveritarë, zyrtarët, gjykatësit dhe autoritetet e qytetit, duke u dhënë nderim ‘atyre që kërkojnë nderim’. (Romakëve 13:7, BR) Prindërit Dëshmitarë bashkëpunojnë me kënaqësi me mësuesit e fëmijëve të tyre dhe i ndihmojnë fëmijët të studiojnë mirë, kështu që më vonë këta do të jenë në gjendje të nxjerrin bukën e gojës dhe të mos jenë një barrë për shoqërinë. (1. Selanikasve [Thesalonikasve] 4:11, 12) Brenda përbrenda kongregacioneve të tyre, Dëshmitarët janë kundër paragjykimeve raciale dhe dallimeve klasore, si dhe i japin rëndësi të madhe forcimit të jetës familjare. (Veprat 10:34, 35; Kolosianëve 3:18-21) Prandaj, me veprat e tyre ata tregojnë që akuzat se janë kundër familjes apo të padobishëm për vendin ku banojnë, janë të rreme. Pra, fjalët e apostullit Pjetër dalin të vërteta: «Kështu është vullneti i Perëndisë, që duke bërë mirë t’ia mbyllni gojën të folurit injorant të njerëzve të paarsyeshëm.»—1. Pjetrit 2:15, BR.
17. Si mund të vazhdojnë të krishterët të ‘ecin me mençuri ndaj atyre jashtë’?
17 Kështu, ndonëse ithtarët e vërtetë të Krishtit ‘nuk janë pjesë e botës’, janë ende në botën e shoqërisë njerëzore dhe duhet të vazhdojnë ‘të ecin me mençuri ndaj atyre jashtë’. (Gjoni 17:16; Kolosianëve 4:5, BR) Për sa kohë që Jehovai i lejon autoritetet më të larta të veprojnë si shërbëtorë të tij, ne do të tregojmë respektin e përshtatshëm për ta. (Romakëve 13:1-4) Edhe pse qëndrojmë asnjanës për sa i përket politikës, ne lutemi në lidhje me «mbretërit dhe të gjithë ata që janë me pozitë të lartë», veçanërisht kur atyre u kërkohet të marrin vendime që mund të ndikojnë në lirinë e adhurimit. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, «me qëllim që të vazhdojmë të kalojmë një jetë të shtruar e të qetë, me devotshmëri të plotë hyjnore dhe seriozitet», kështu që ‘çdo lloj njeriu do të shpëtohet’.—1. Timoteut 2:1-4, BR.
[Shënimi]
a Shiko librin Zbulesa—Kulmi i saj madhështor është afër!, kapitulli 35, botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, anglisht.
Pyetje për rishikim
◻ Pjesë e cilës «botë» janë të krishterët, por pjesë e cilës «botë» nuk mund të jenë ata?
◻ Çfarë simbolizohet me «shenjën» e «bishës» në dorën apo në ballin e një personi dhe çfarë shenjash kanë shërbëtorët besimplotë të Jehovait?
◻ Çfarë pikëpamjeje të drejtpeshuar kanë të krishterët e vërtetë ndaj qeverive njerëzore?
◻ Cilat janë disa mënyra që Dëshmitarët e Jehovait i kontribuojnë mirëqenies së shoqërisë njerëzore?
[Figurat në faqen 16]
Bibla e identifikon qeverinë njerëzore si një shërbëtore të Perëndisë dhe si një bishë të egër
[Figura në faqen 17]
Për shkak se tregojnë shqetësim të dashur për të tjerët, Dëshmitarët e Jehovait janë një pasuri për vendin ku banojnë