«Të jeni edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj»
«Ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jeni edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: ‘Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë.’»—1. PJETRIT 1:15, 16.
1. Përse Pavli i inkurajoi të krishterët që të ishin të shenjtë?
PËRSE e dha apostulli Pjetër këshillën e mësipërme? Sepse për çdo të krishterë ai shihte nevojën për të ruajtur mendimet dhe veprimet, në mënyrë që t’i kishin në përputhje me shenjtërinë e Jehovait. Prandaj, ai u parapriu fjalëve të mësipërme, duke thënë: «Ngjeshni ijët e mendjes suaj, rrini zgjuar . . . Si bij të bindur, mos iu përshtatni lakmive të mëparshme kur ishit në padijen tuaj.»—1. Pjetrit 1:13, 14.
2. Përse dëshirat tona nuk ishin të shenjta, para se të mësonim të vërtetën?
2 Dëshirat tona të mëparshme nuk ishin të shenjta. Përse? Sepse shumë prej nesh, përpara se të pranonim të vërtetën e krishterë, kemi ndjekur një rrugë veprimesh botërore. Pjetri e dinte këtë, kur shkroi hapur: «Sepse për ne është e mjaftueshme koha e jetës që shkuam për të kënaqur gjërat e dëshiruara nga johebrenjtë, kur ecnim në shthurje, në pasione, në dehje, në teprime, në të ngrëna e në të pira dhe në idhujtari të neveritshme.» Natyrisht, Pjetri nuk rendit veprimet jo të shenjta që janë tipike në kohët tona moderne, pasi atëherë ato ishin të panjohura.—1. Pjetrit 4:3, 4.
3, 4. (a) Si mund t’u kundërpërgjigjemi dëshirave të gabuara? (b) A duhet të jenë të krishterët pa emocione? Shpjego.
3 A ke vërejtur se këto dëshira janë ato që i bëjnë thirrje mishit, ndjenjave dhe emocioneve? Kur lejojmë që këto të na zotërojnë, atëherë mendimet dhe veprimet tona bëhen me shumë lehtësi jo të shenjta. Kjo ilustron nevojën për të lënë fuqinë e arsyes që të kontrollojë veprimet tona. Pavli e shprehu në këtë mënyrë: «Prandaj, unë po ju lutem nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, vëllezër, që të paraqitni trupat tuaj si sakrificë të gjallë, të shenjtë, të pranueshme nga Perëndia, në shërbim të shenjtë me fuqinë tuaj të të arsyetuarit.»—Romakëve 12:1, 2, BR.
4 Për t’i paraqitur Perëndisë një sakrificë të shenjtë, duhet të lëmë që të mbizotërojë fuqia e të arsyetuarit, jo emocionet. Sa shumë kanë rënë në imoralitet, ngaqë kanë lejuar që ndjenjat të kontrollojnë sjelljen e tyre! Kjo s’do të thotë që emocionet tona duhet të ndrydhen; përndryshe, si do të mund ta shprehnim gëzimin në shërbim të Jehovait? Megjithatë, nëse duam të prodhojmë frytet e frymës dhe jo veprat e mishit, atëherë duhet që mendjet tona të jenë sipas mënyrës së të menduarit të Krishtit.—Galatasve 5:22, 23; Filipianëve 2:5.
Jetë e shenjtë, çmim i shenjtë
5. Përse Pjetri ishte i ndërgjegjshëm mbi nevojën për shenjtëri?
5 Përse Pjetri ishte kaq i ndërgjegjshëm mbi nevojën që kishin të krishterët për shenjtëri? Sepse ishte shumë i vetëdijshëm për çmimin e shenjtë që ishte paguar për të shpërblyer njerëzimin e bindur. Ai shkroi: «Duke ditur se jo me anë gjërash që prishen, si argjendi ose ari, jeni shpenguar nga mënyra e kotë e të jetuarit të trashëguar nga etërit, por nga gjaku i çmuar i Krishtit, si të Qengjit të patëmetë dhe të panjollë.» (1. Pjetrit 1:18, 19) Po, Burimi i shenjtërisë, Perëndia Jehova, kishte dërguar mbi tokë Birin e tij të vetëmlindur, «të Shenjtin», për të paguar shpërblimin që do t’i lejonte njerëzit të kishin një marrëdhënie të mirë me Perëndinë.—Gjoni 3:16; 6:69; Dalja 28:36; Mateu 20:28.
6. (a) Përse nuk e kemi të lehtë të ndjekim një sjellje të shenjtë? (b) Çfarë mund të na ndihmojë, për ta mbajtur sjelljen tonë të shenjtë?
6 Megjithatë, na duhet të pranojmë se nuk është e lehtë të bësh një jetë të shenjtë, në mes të botës së korruptuar të Satanait. Ai ngre kurthe për të krishterët e vërtetë, të cilët po përpiqen të mbijetojnë në sistemin e tij të gjërave. (Efesianëve 6:12; 1. Timoteut 6:9, 10) Presionet në vendin e punës, nga kundërshtimi në familje, nga talljet në shkollë dhe nga bashkëmoshatarët, kërkojnë patjetër një gjendje të fortë frymore, nëse dikush dëshiron të mbetet i shenjtë. Kjo nënvizon rolin jetësor të studimit tonë personal dhe të pjesëmarrjes së rregullt në mbledhjet e krishtere. Pavli e këshilloi Timoteun: «Ruaje modelin e fjalëve të shëndosha që dëgjove prej meje, me besim dhe dashuri, që janë në Krishtin Jezus.» (2. Timoteut 1:13) Ne i dëgjojmë këto fjalë shëndetdhënëse në Sallat tona të Mbretërisë dhe në studimin tonë personal të Biblës. Ato mund të na ndihmojnë të jemi të shenjtë në sjelljen tonë, ditë për ditë, në shumë ambiente të ndryshme.
Sjellje e shenjtë në familje
7. Si duhet të ndikojë shenjtëria mbi jetën tonë familjare?
7 Kur Pjetri citoi Levitikun 11:44, përdori fjalën greke haʹgi·os, e cila do të thotë «i ndarë nga mëkati e si rrjedhojë i shenjtëruar Perëndisë, i shenjtë». (An Expository Dictionary of New Testament Words, nga W. E. Vine) Si duhet të ndikojë kjo në jetën tonë familjare të krishterë? Do të thotë sigurisht se jeta jonë familjare duhet të bazohet mbi dashurinë, sepse «Perëndia është dashuri». (1. Gjoni 4:8) Dashuria vetëflijuese është vaji që lubrifikon marrëdhënien ndërmjet të martuarve dhe ndërmjet prindërve dhe fëmijëve.—1. Korintasve 13:4-8; Efesianëve 5:28, 29, 33; 6:4; Kolosianëve 3:18, 21.
8, 9. (a) Cilat situata zhvillohen disa herë në ndonjë shtëpi të krishterë? (b) Çfarë këshille të shëndoshë jep Bibla në lidhje me këtë gjë?
8 Mund të mendojmë se shprehja e një dashurie të tillë do të vijë automatikisht në një familje të krishterë. Por, duhet pranuar se dashuria nuk mbretëron në atë masë që duhet në disa shtëpi të krishtere. Ndoshta duket se shfaqim dashuri në Sallën e Mbretërisë, por me sa lehtësi mund të zvogëlohet shenjtëria jonë në vatrën familjare. Atje, ne mund të harrojmë papritur se gruaja është akoma motra jonë e krishterë apo që burri është akoma po ai (ndoshta një shërbëtor ndihmës ose plak), të cilin duket se e kemi respektuar në Sallën e Mbretërisë. Nervat tendosen sa s’mbajnë më dhe mund të zhvillohen zënka të nxehta. Ka të ngjarë që në jetën tonë të zhvillohen norma të dyfishta. Nuk janë më burrë e grua të krishterë, por vetëm një burrë e një grua në grindje. Ata harrojnë se në shtëpi duhet të ekzistojë një atmosferë e shenjtë. Ndoshta fillojnë e flasin si njerëz nga bota. Me sa lehtësi mund të dalë nga goja një vërejtje smirëzezë, therëse!—Proverbat 12:18; krahaso Veprat 15:37-39.
9 Megjithatë, Pavli këshillon: «Asnjë fjalë e keqe [greqisht, loʹgos sa·prosʹ, «të folur i ndotur»] le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë.» Kjo ka të bëjë me gjithë ata që dëgjojnë në shtëpi, duke përfshirë edhe fëmijët.—Efesianëve 4:29; Jakovit 3:8-10.
10. Si zbatohet tek fëmijët këshilla për shenjtëri?
10 Por ky udhëzues mbi shenjtërinë vlen njësoj edhe për fëmijët në një familje të krishterë. Me sa lehtësi mund të vijnë ata në shtëpi e të fillojnë të imitojnë të folurin rebel dhe pa respekt të bashkëmoshatarëve të tyre nga bota! Fëmijë, mos u tërhiqni nga qëndrimet e djemve të pagdhendur që u tallën me profetin e Jehovait e që sot kanë kolegët e tyre gojështhurur e blasfemues. (2. Mbretërve 2:23, 24) Të folurit tuaj nuk duhet ndyrë nga gjuha e ashpër e rrugës, që përdorin njerëzit tepër dembelë apo që s’denjojnë të thonë fjalë të hijshme. Si të krishterë, të folurit tonë duhet të jetë i shenjtë, i pëlqyeshëm, ndërtues, i sjellshëm dhe «i ndrequr me kripë». Ai duhet të na dallojë si të ndryshëm nga njerëzit e tjerë.—Kolosianëve 3:8-10; 4:6.
Shenjtëria dhe pjesëtarët jobesimtarë të familjes sonë
11. Përse të jesh i shenjtë nuk do të thotë ta mbash veten për të drejtë?
11 Ndërkohë që me ndërgjegje përpiqemi të praktikojmë shenjtëri, ne s’duhet të hiqemi si më të lartë e më të drejtë, sidomos kur kemi të bëjmë me pjesëtarë jobesimtarë të familjes. Sjellja jonë e hijshme e krishterë, të paktën duhet t’i ndihmojë ata që të kuptojnë se ne jemi të ndryshëm në mënyrë pozitive, që dimë se si të tregojmë dashuri dhe dhembshuri, ashtu siç bëri edhe samaritani i mirë në ilustrimin e Jezuit.—Luka 10:30-37.
12. Si mund ta bëjnë të krishterët e martuar të vërtetën më tërheqëse për bashkëshortët e tyre?
12 Pjetri theksoi rëndësinë e një qëndrimi të përshtatshëm kundrejt pjesëtarëve jobesimtarë të familjes sonë, kur u shkroi grave të krishtere: «Gjithashtu dhe ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj, që edhe nëse disa nuk i binden fjalës, të fitohen pa fjalë, nga sjellja e grave të tyre, kur të shohin sjelljen tuaj të dëlirë dhe me frikë [respekt të thellë, BR].» Një grua e krishterë (madje edhe një burrë) mund ta bëjë të vërtetën më tërheqëse për bashkëshortin e saj jobesimtar, nëse sjellja e saj është e dëlirë, me konsideratë dhe e respektueshme. Kjo do të thotë që të ketë elasticitet në programin teokratik, në mënyrë që bashkëshorti jobesimtar të mos lihet pas dore apo i shpërfillur.a—1. Pjetrit 3:1, 2.
13. Si mund t’i ndihmojnë disa herë pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës, burrat jobesimtarë që të vlerësojnë të vërtetën?
13 Pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës mund të ndihmojnë disa herë, duke u njohur me burrin jobesimtar në nivel shoqëror. Në këtë mënyrë ai mund të kuptojë se Dëshmitarët janë njerëz normalë e për së mbari, me një gamë të gjerë interesash, duke përfshirë edhe fusha të tjera përveç Biblës. Në një rast, një plak tregoi interes ndaj hobit të peshkimit që kishte një burrë. Kjo mjaftoi për të thyer akullin. Së fundi, ai burrë u bë një vëlla i pagëzuar. Në një rast tjetër, një burrë jobesimtar mahnitej pas kanarinave. Pleqtë nuk u dorëzuan. Një prej tyre studioi në lidhje me to, kështu që herën tjetër që u takua me burrin, mundi të niste një bisedë mbi temën e preferuar të burrit! Pra, të jesh i shenjtë, s’do të thotë të jesh strikt apo të kesh një mendje të ngushtë.—1. Korintasve 9:20-23.
Si mund të jemi të shenjtë në kongregacion?
14. (a) Cila është një nga metodat e Satanait për të minuar kongregacionin? (b) Si mund t’i rezistojmë kurthit të Satanait?
14 Satana Djalli është një shpifës, pasi emri grek për Djall, di·aʹbo·los, do të thotë «akuzues» apo «shpifës». Shpifja është një nga specialitetet e tij dhe ai përpiqet ta përdorë këtë në kongregacion. Metoda e tij e preferuar janë thashethemet. A i lejojmë vetes të bëhemi lodër e tij në këtë sjellje jo të shenjtë? Si mund të ndodhë kjo? Duke i nisur vetë thashethemet, duke i përsëritur ato apo duke i dëgjuar. Proverbi i mençur thotë: «Njeriu i çoroditur mbjell grindje dhe ai që shpif përçan miqtë më të mirë.» (Proverbat 16:28) Cili është ilaçi kundër thashethemeve dhe shpifjes? Duhet të sigurohemi që të folurit tonë të jetë gjithmonë ndërtues dhe i bazuar në dashuri. Nëse kërkojmë virtytet, në vend të veseve të supozuara të vëllezërve tanë, atëherë bisedat tona do të jenë gjithmonë të pëlqyeshme dhe frymore. Mos harro se të kritikosh është diçka e lehtë. Gjithashtu, ai që merr nëpër gojë të tjerët kur flet me ty, mund të të marrë edhe ty nëpër gojë, kur flet me të tjerët!—1. Timoteut 5:13; Titit 2:3.
15. Çfarë cilësish ngjashëm Krishtit do të na ndihmojnë të gjithëve në kongregacion që të mbetemi të shenjtë?
15 Për të mbajtur kongregacionin të shenjtë, të gjithë duhet të kemi mendjen e Krishtit dhe ne e dimë se cilësia e tij mbizotëruese është dashuria. Prandaj, Pavli i këshilloi kolosianët të ishin të dhembshur si Krishti: «Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin . . . duke falur njëri-tjetrin [lirisht, BR] . . . Dhe përmbi të gjitha këto gjëra, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë.» Pastaj shtoi: «Gjithashtu, paqja e Krishtit le të kontrollojë zemrat tuaja.» (BR) Sigurisht, me këtë frymë faljeje ne mund të mbajmë unitetin dhe shenjtërinë e kongregacionit.—Kolosianëve 3:12-15.
A tregohet shenjtëria jonë me fqinjët tanë?
16. Përse adhurimi ynë i shenjtë duhet të jetë adhurim i lumtur?
16 Ç’të themi për fqinjët tanë? Si na konsiderojnë ata? A rrezatojmë gëzimin e së vërtetës, apo bëjmë që ajo të duket si një barrë? Nëse jemi të shenjtë, ashtu si Jehovai është i shenjtë, kjo duhet të jetë e dukshme në të folurin tonë dhe në sjelljen tonë. Duhet të jetë e qartë se adhurimi ynë i shenjtë është adhurim i lumtur. Përse kështu? Sepse Jehovai, Perëndia ynë, është një Perëndi i lumtur, i cili dëshiron që adhuruesit e tij të jenë të gëzuar. Prandaj, psalmisti mundi të thoshte për popullin e Jehovait në kohët e lashta: «I lumtur është populli, Perëndia i të cilit është Jehovai!» A e pasqyrojmë ne këtë lumturi? Po fëmijët tanë, a duken të kënaqur, kur gjenden mes popullit të Jehovait në Sallën e Mbretërisë dhe në asamble?—Psalmi 89:15, 16, BR; 144:15b.
17. Ç’mund të bëjmë praktikisht, për të shfaqur ekuilibër në shenjtëri?
17 Mund të tregojmë, gjithashtu, baraspeshë në adhurimin tonë të shenjtë, me frymën e bashkëpunimit dhe të mirësjelljes me fqinjët. Disa herë është e nevojshme që fqinjët të mblidhen së bashku, ndoshta për të pastruar zonën ku banojnë, apo si bëhet në disa vende, për të ndihmuar në përmirësimin e rrugëve dhe autostradave. Në këto raste, shenjtëria jonë mund të bëhet e dukshme nga mënyra se si kujdesemi për kopshtet tona, bahçet apo pronat e tjera. Nëse i lëmë plehrat rreth e rrotull apo nëse kemi një kopsht të pistë e të pambajtur, mbase me makina të vjetra copë-copë që duken nga të gjithë, a mund të themi se po i trajtojmë fqinjët me respekt?—Zbulesa 11:18.
Shenjtëri në punë dhe në shkollë
18. (a) Çfarë është një problem për të krishterët sot? (b) Si mund të jemi të ndryshëm nga bota?
18 Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve të Korintit, një qytet jo i shenjtë: «Ju kam shkruar në letër, të mos përziheni me kurvarë dhe aspak me kurvarët e kësaj bote, ose me lakmuesit ose me cubat, ose me idhujtarët, sepse atëherë duhet të dilni nga bota.» (1. Korintasve 5:9, 10) Ky është një problem për të krishterët, të cilëve u duhet të përzihen në jetën e përditshme me njerëz imoralë apo pa moral. Kjo është një provë e madhe integriteti, sidomos në ato kultura ku ngacmimet seksuale, korrupsioni dhe pandershmëria inkurajohen apo nuk dënohen. Në ambiente të tilla, nuk duhet të lejojmë të ulim normat tona, për t’u dukur «normalë» në sy të atyre që na rrethojnë. Përkundrazi, sjellja jonë e mirë, por e ndryshme, duhet të na dallojë përpara njerëzve me aftësi shquese, përpara atyre që e pranojnë nevojën e tyre frymore dhe kërkojnë diçka më të mirë.—Mateu 5:3; 1. Pjetrit 3:16, 17.
19. (a) Çfarë sprovash keni ju fëmijë në shkollë? (b) Ç’mund të bëjnë prindërit, për të mbështetur fëmijët e tyre dhe sjelljen e tyre të shenjtë?
19 Po kështu, ka edhe shumë sprova që fëmijët tanë përballojnë në shkollë. Ju prindër, a bëni ndonjë vizitë në shkollën ku shkojnë fëmijët tuaj? A e dini ç’lloj atmosfere mbizotëron atje? A keni lidhje me mësuesit? Përse janë të rëndësishme këto pyetje? Sepse në shumë zona qytetesh nëpër botë, shkollat janë shndërruar në xhungla dhune, droge dhe seksi. Si mund ta mbajnë të shenjtë fëmijët tuaj integritetin dhe sjelljen e tyre, nëse nuk kanë mbështetjen e plotë e të dhembshur të prindërve të tyre? Me të drejtë, Pavli i këshilloi prindërit: «Ju etër, mos provokoni për zemërim bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra.» (Kolosianëve 3:21) Një mënyrë për të provokuar fëmijët, është duke mos kuptuar problemet dhe sprovat e tyre të përditshme. Përgatitja për tundimet në shkollë fillon në atmosferën frymore të një shtëpie të krishterë.—Ligji i përtërirë 6:6-9; Proverbat 22:6.
20. Përse shenjtëria është thelbësore për të gjithë ne?
20 Si përfundim, përse shenjtëria është thelbësore për të gjithë ne? Sepse shërben si një mbrojtje kundër futjes në botën dhe në mënyrën e të menduarit të Satanait. Është një bekim tani dhe do të jetë edhe në të ardhmen. Na ndihmon për të siguruar jetën, e cila do të jetë jeta e vërtetë në botën e re të drejtësisë. Na ndihmon të jemi të krishterë të ekuilibruar, të afrueshëm, komunikues dhe jo fanatikë të pazbutur. Me pak fjalë, na bën ngjashëm Krishtit.—1. Timoteut 6:19.
[Shënimi]
a Për informata të mëtejshme në lidhje me marrëdhëniet me takt me bashkëshortët jobesimtarë, shiko Kullën e Rojës të 15 gushtit 1990, «Do Not Neglect Your Mate!», f. 20-22, angl. dhe 1 nëntor 1988, f. 24-25, angl., paragrafët 20-22.
A të kujtohet?
◻ Përse Pjetri e pa të nevojshme që të këshillonte të krishterët mbi shenjtërinë?
◻ Përse nuk është e lehtë të bësh një
jetë të shenjtë?
◻ Ç’mund të bëjmë të gjithë ne, për të përmirësuar shenjtërinë në familje?
◻ Cilën sjellje jo të shenjtë duhet të shmangim, që kongregacioni të mbetet i shenjtë?
◻ Si mund të mbetemi të shenjtë në punë e në shkollë?
[Figurat në faqet 16, 17]
Si Dëshmitarë të Jehovait, ne duhet të jemi të gëzuar në shërbim të Perëndisë dhe në aktivitete të tjera