Këshilla të mençura për të martuarit
«Gratë le të jenë të nënshtruara ndaj burrave të tyre, si ndaj Zotërisë. Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja.»—Efesianëve 5:22, 25.
1. Cila është pikëpamja e duhur për martesën?
JEZUI tha se martesa është bashkimi i një burri dhe i një gruaje, nga Perëndia, për t’u bërë «një mish i vetëm». (Mateu 19:5, 6) Ajo lidh dy njerëz me personalitete të ndryshme, që mësojnë të kenë interesa të përbashkëta dhe të bashkëpunojnë për të arritur synime të përbashkëta. Martesa është një zotim për gjithë jetën dhe jo një marrëveshje e përkohshme, që mund të prishet me lehtësi. Sot në shumë vende s’është e vështirë të divorcohesh, por për një të krishterë, martesa është e shenjtë. Ajo mund të prishet vetëm për një arsye shumë të fortë.—Mateu 19:9.
2. (a) Çfarë ndihme kanë në dispozicion të martuarit? (b) Pse janë të rëndësishme përpjekjet për ta bërë të suksesshme martesën?
2 Një konsulente martesash tha: «Një martesë e mirë është proces transformimi i vazhdueshëm, ndërkohë që has çështje të reja, përballon problemet që lindin dhe përdor ndihmën që ka në dispozicion në çdo fazë të jetës.» Për të krishterët e martuar, kjo ndihmë përfshin këshillat e mençura të Biblës, mbështetjen e të krishterëve të tjerë, si edhe një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, që arrihet me anë të lutjes. Martesa e suksesshme është e qëndrueshme dhe, ndërsa vitet kalojnë, i sjell lumturi e kënaqësi burrit dhe gruas. Ç’është më e rëndësishmja, i sjell nderim Perëndisë Jehova, Nismëtarit të martesës.—Zanafilla 2:18, 21-24; 1 Korintasve 10:31; Efesianëve 3:15; 1 Selanikasve 5:17.
Imitoni Jezuin dhe kongregacionin e tij
3. (a) Përmblidhni këshillën që u dha Pavli të martuarve. (b) Çfarë shembulli të mirë dha Jezui?
3 Dy mijë vjet më parë, apostulli Pavël u dha këshilla të mençura çifteve të krishtere, kur shkroi: «Ashtu si kongregacioni është i nënshtruar ndaj Krishtit, ashtu të jenë edhe gratë ndaj burrave të tyre në gjithçka. Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten e vet për të.» (Efesianëve 5:24, 25) Sa krahasime të bukura që bëhen këtu! Gratë e krishtere që me përulësi u nënshtrohen burrave të tyre, imitojnë kongregacionin, që pranon dhe ndjek parimin e kryesisë. Burrat besimtarë që vazhdojnë t’i duan gratë e tyre në kohë të mira e të këqija, tregojnë se e ndjekin nga afër shembullin e Krishtit, që e do kongregacionin dhe kujdeset për të.
4. Si mund ta ndjekin burrat shembullin e Jezuit?
4 Burri i krishterë është kreu i familjes, por edhe ai vetë ka kreun e tij, Jezuin. (1 Korintasve 11:3) Prandaj, ashtu si Jezui u kujdes për kongregacionin, edhe burri kujdeset me dashuri për familjen si nga ana frymore, ashtu edhe nga ana fizike, edhe pse kjo mund të kërkojë sakrifica prej tij. Ai e vë mirëqenien e familjes para dëshirave dhe preferencave të veta. Jezui tha: «Gjithçka, pra, që dëshironi t’ju bëjnë njerëzit juve, po ashtu duhet t’u bëni edhe ju atyre.» (Mateu 7:12) Ky parim gjen zbatim sidomos në martesë. Pavli e tregoi këtë kur tha: «Burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre. . . . Asnjeri nuk e ka urryer kurrë trupin e vet; por e ushqen dhe përkujdeset për të.» (Efesianëve 5:28, 29) Një burrë duhet të sigurojë ushqim dhe të përkujdeset për gruan, me të njëjtin kujdes që ushqen veten dhe përkujdeset për trupin e tij.
5. Si mund ta imitojnë gratë kongregacionin e krishterë?
5 Gratë që adhurojnë Perëndinë, shohin si model kongregacionin e krishterë. Kur Jezui ishte në tokë, ithtarët e tij lanë me kënaqësi çdo gjë që kishin bërë më parë dhe e ndoqën. Edhe pas vdekjes së tij, ata vazhduan t’i nënshtroheshin. Gjatë 2.000 viteve që kanë kaluar, kongregacioni i vërtetë i krishterë ka vazhduar t’i nënshtrohet Jezuit dhe të ndjekë udhëheqjen e tij në çdo gjë. Po kështu, gratë e krishtere nuk tregohen mospërfillëse ndaj burrave të tyre dhe nuk përpiqen ta minimizojnë parimin biblik të kryesisë që zbatohet për martesën. Në vend të kësaj, i mbështetin burrat dhe u nënshtrohen atyre, bashkëpunojnë me ta, dhe në këtë mënyrë u japin zemër. Kur burri dhe gruaja sillen me dashuri me njëri-tjetrin, martesa e tyre do të jetë e suksesshme dhe që të dy do të gjejnë gëzim nga kjo lidhje.
Vazhdoni të banoni me to
6. Çfarë këshille u dha Pjetri burrave? Pse është e rëndësishme kjo këshillë?
6 Edhe apostulli Pjetër u dha disa këshilla të martuarve, por sidomos fjalët që u drejtoi burrave ishin të drejtpërdrejta. Ai tha: «Vazhdoni të banoni në mënyrë të ngjashme me [gratë tuaja], sipas njohurisë, duke u dhënë nderim si një ene më të dobët, asaj femërore, përderisa edhe ju jeni trashëgimtarë me to të favorit të pamerituar të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.» (1 Pjetrit 3:7) Nga fjalët e fundit të këtij vargu, kuptojmë se sa serioze ishte këshilla e Pjetrit. Në qoftë se një burrë nuk e nderon gruan, kjo do të ndikojë në marrëdhënien e tij me Jehovain. Lutjet e tij do të pengohen.
7. Si duhet ta nderojë një burrë gruan e tij?
7 Por, si mund t’u japin nderim burrat grave të tyre? Të nderosh gruan do të thotë ta trajtosh me dashuri, respekt dhe dinjitet. Ka shumë të ngjarë që, në atë kohë, shumë vetave t’u jetë dukur diçka e re kjo mënyrë e trajtimit të grave. Një studiues grek shkruan: «Në ligjin romak, gruaja s’kishte asnjë të drejtë. Sipas ligjit, ajo mbetej përgjithmonë fëmijë. . . . Ishte krejtësisht nën urdhrat e burrit dhe plotësisht në mëshirën e tij.» Sa ndryshe nga mësimet e krishtere! Burri i krishterë e nderonte të shoqen. Sillej me të sipas parimeve të krishtere, jo sipas tekave të tij. Për më tepër, tregonte konsideratë për të «sipas njohurisë», duke marrë parasysh se ajo ishte një enë më e dobët.
Në ç’kuptim është ‘enë më e dobët’?
8, 9. Në cilat aspekte gratë janë të barabarta me burrat?
8 Me shprehjen, gruaja është ‘enë më e dobët’, Pjetri s’donte të thoshte që gratë janë më të dobëta se burrat nga ana intelektuale ose frymore. Është e vërtetë se në kongregacion, shumë burra të krishterë kanë privilegje që gratë e dinë se s’mund t’i kenë. Po ashtu, është e vërtetë se në familje, gratë janë të nënshtruara ndaj burrave të tyre. (1 Korintasve 14:35; 1 Timoteut 2:12) Por, nga ana tjetër, i njëjti besim, e njëjta qëndrueshmëri dhe të njëjtat norma të larta morale kërkohen si nga burrat, edhe nga gratë. E, siç tha Pjetri, si burri, edhe gruaja janë «trashëgimtarë . . . të favorit të pamerituar të jetës». Për sa i përket shpëtimit, ata janë të barabartë para Perëndisë Jehova. (Galatasve 3:28) Pjetri po u shkruante të krishterëve të mirosur të shekullit të parë. Prandaj, me këto fjalë u kujtoi burrave të krishterë se, si «bashkëtrashëgimtarë me Krishtin», ata dhe gratë e tyre kishin të njëjtën shpresë qiellore. (Romakëve 8:17) Do të vinte një ditë kur do të shërbenin së bashku si priftërinj e mbretër, në Mbretërinë qiellore të Perëndisë.—Zbulesa 5:10.
9 Gratë e mirosura me siguri që s’ishin më poshtë se burrat e tyre të mirosur. E, në parim, kjo është e vërtetë edhe për ata që kanë shpresë tokësore. Pjesëtarët e ‘shumicës së madhe’, burra e gra, i lajnë rrobat dhe i zbardhin në gjakun e Qengjit. Si burrat, edhe gratë, marrin pjesë «ditë e natë» në lëvdimin që i jepet në mbarë botën Jehovait. (Zbulesa 7:9, 10, 14, 15) Si burrat, edhe gratë, presin të kenë «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë», kur do të gëzojnë «jetën e vërtetë». (Romakëve 8:21; 1 Timoteut 6:19) Qofshin të mirosur, qofshin nga delet e tjera, të gjithë të krishterët i shërbejnë së bashku Jehovait si «një kope e vetme» nën «një bari të vetëm». (Gjoni 10:16) Kjo është një arsye shumë bindëse që bashkëshortët e krishterë t’i tregojnë nderimin e duhur njëri-tjetrit!
10. Në ç’kuptim gratë janë ‘enë më të dobëta’?
10 Po atëherë, në ç’kuptim gratë janë ‘enë më të dobëta’? Ndoshta Pjetri po i referohej faktit që, në përgjithësi, gratë janë me trup më të vogël dhe kanë më pak fuqi se burrat. Veç kësaj, në gjendjen e papërsosur të njerëzimit sot, edhe pse gratë kanë mundësinë e mrekullueshme për të lindur fëmijë, kjo i mundon fizikisht. Gratë që janë në moshën kur mund të lindin fëmijë, çdo muaj duhet të kalojnë disa siklete fizike. Sigurisht që, ndërsa kalojnë këto siklete ose durojnë probleme sfilitëse gjatë shtatzënisë dhe lindjes së fëmijës, gratë kanë nevojë për kujdes dhe për konsideratë të veçantë. Një burrë që i jep nderim gruas së tij, duke e kuptuar kur ajo ka nevojë për mbështetje emocionale, do të ndihmojë shumë për të pasur një martesë të suksesshme.
Në një familje të ndarë nga ana fetare
11. Në ç’kuptim një martesë mund të jetë e suksesshme, edhe kur burri dhe gruaja kanë fe të ndryshme?
11 Po në rastin kur bashkëshortët kanë pikëpamje të ndryshme fetare? Kjo mund të jetë sepse, disa kohë pas martesës, njëri prej tyre ka pranuar të vërtetën biblike, kurse tjetri jo. A mund të jenë të suksesshme këto martesa? Përvoja që kanë pasur shumë çifte tregon se po. Ndonëse burri dhe gruaja mund të kenë pikëpamje të ndryshme fetare, ata mund të gëzojnë gjithsesi një martesë të suksesshme, domethënë që të jetë e qëndrueshme dhe t’u sjellë lumturi të dyve. Veç kësaj, martesa është ende e vlefshme në sytë e Jehovait; ai i sheh ende si ‘një mish të vetëm’. Prandaj, bashkëshortëve të krishterë u jepet këshilla që të qëndrojnë me bashkëshortin jobesimtar, nëse ky pranon. Po qe se kanë fëmijë, këta do të përfitojnë shumë nga besnikëria e prindit të krishterë.—1 Korintasve 7:12-14.
12, 13. Si mund t’i ndihmojnë gratë e krishtere burrat jobesimtarë, sipas këshillës së Pjetrit?
12 Pjetri u jep këshilla dashamirëse grave të krishtere që jetojnë në familje të ndara në kuptimin fetar. Në parim, fjalët e tij mund t’i zbatojnë edhe burrat e krishterë që janë në këtë situatë. Pjetri shkruan: «Ju gra, jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj, me qëllim që nëse disa nuk i binden fjalës, të fitohen pa fjalë, nëpërmjet sjelljes së grave të tyre, pasi kanë qenë dëshmitarë okularë të sjelljes suaj të dëlirë bashkë me respekt të thellë.»—1 Pjetrit 3:1, 2.
13 Po qe se gruaja arrin t’ia shpjegojë me takt bindjet e saj burrit, kjo është për t’u lavdëruar. Nga ana tjetër, nëse ai nuk dëshiron të dëgjojë, kjo është zgjedhja e tij. Gjithsesi, gjendja nuk është e pashpresë, sepse edhe sjellja e krishterë jep dëshmi të fuqishme. Shumë burra, të cilët në fillim s’ishin të interesuar për besimin e grave të tyre ose madje u kundërviheshin, u bënë «të prirur drejt jetës së përhershme» pasi vunë re sjelljen e shkëlqyer të bashkëshortes. (Veprat 13:48) Por edhe sikur një burrë të mos i pranojë bindjet e krishtere, prapëseprapë sjellja e gruas së tij mund t’i bëjë përshtypje për mirë, e kjo do t’i sillte dobi martesës. Një burrë që e ka gruan Dëshmitare të Jehovait, pranoi se nuk jetonte dot në lartësinë e normave të tyre të larta. Megjithatë, e quajti veten «burrë i lumtur i një gruaje të hirshme», dhe me sinqeritet e lavdëroi gruan e tij dhe Dëshmitarët e tjerë, në një letër që i drejtoi një gazete.
14. Si mund t’i ndihmojnë burrat e krishterë gratë e tyre jobesimtare?
14 Edhe burrat e krishterë që kanë zbatuar parimet e fjalëve të Pjetrit, i kanë fituar gratë me sjelljen e tyre. Gratë jobesimtare kanë vënë re se burrat e tyre fillojnë të jenë më të përgjegjshëm, duke mos i harxhuar më paratë për duhan, për të pirë ose për bixhoz, e duke mos përdorur më një gjuhë të pistë. Disa nga këto gra janë njohur edhe me pjesëtarë të tjerë të kongregacionit të krishterë. U ka bërë përshtypje vëllazëria e dashur e krishterë, dhe ajo që kanë parë i ka tërhequr drejt Jehovait.—Gjoni 13:34, 35.
«Njeriu i fshehtë i zemrës»
15, 16. Ç’lloj sjelljeje nga ana e gruas së krishterë mund ta fitojë burrin e saj jobesimtar?
15 Ç’lloj sjelljeje mund ta fitojë një burrë? Në të vërtetë është ajo lloj sjelljeje që normalisht përpiqen të kenë të gjitha gratë e krishtere. Pjetri thotë: «Stolisja juaj le të mos jetë e jashtme, ajo e gërshetimit të flokëve, e vënies së stolive prej ari ose e veshjes së rrobave, por le të jetë njeriu i fshehtë i zemrës me veshjen e paprishshme të frymës së qetë e të butë, e cila ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë. Sepse më parë, edhe gratë e shenjta që shpresonin te Perëndia stoliseshin kështu, duke iu nënshtruar burrave të tyre, ashtu si Sara i bindej Abrahamit, duke e quajtur ‘zotëri’. Dhe ju jeni bërë bijat e saj, nëse vazhdoni të bëni të mirën dhe të mos keni frikë nga asnjë shkak për tmerr.»—1 Pjetrit 3:3-6.
16 Pjetri i këshillon gratë e krishtere të mos i varin shpresat te pamja e jashtme. Ato duhet t’u japin mundësi bashkëshortëve të dallojnë efektin e mësimeve të Biblës te njeriu i tyre i brendshëm. Duhet t’u japin mundësi të shohin se si po veprojnë ato tani që kanë veshur personalitetin e ri. Ndoshta bashkëshorti do ta krahasojë këtë me personalitetin e vjetër që kishte më parë gruaja e tij. (Efesianëve 4:22-24) Me siguri do t’i duket çlodhëse dhe tërheqëse ‘fryma e butë dhe e qetë’ që ka ajo tani. Kjo frymë jo vetëm që u pëlqen bashkëshortëve, por edhe «ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë».—Kolosianëve 3:12.
17. Pse Sara është një shembull i shkëlqyer për gratë e krishtere?
17 Sara është marrë si model, dhe vlen të imitohet nga gratë e krishtere, sido që t’i kenë burrat, besimtarë ose jo. As që diskutohet se Sara e konsideronte Abrahamin kreun e saj. Edhe me vete, pra në zemër, e quante burrin e saj ‘zotëri’. (Zanafilla 18:12) Por kjo nuk e ulte dinjitetin e saj. S’ka dyshim se ajo ishte një grua e fortë frymësisht, që kishte besim të patundur te Jehovai. Në fakt, bën pjesë në ‘renë e madhe të dëshmitarëve’, besimi i të cilëve duhet të na nxitë «të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara». (Hebrenjve 11:11; 12:1) Një grua e krishterë nuk i humbet vlerat e saj po të jetë si Sara.
18. Cilat parime duhen mbajtur parasysh në një familje të ndarë nga ana fetare?
18 Edhe në një familje të ndarë nga ana fetare, burri është prapëseprapë kreu. Nëse është ai besimtar, do të tregojë konsideratë për bindjet e së shoqes, por, ndërkohë, duke mos bërë kompromis me besimin e tij. Nëse është gruaja besimtare, edhe ajo nuk do të bëjë kompromis me besimin e saj. (Veprat 5:29) Megjithatë, nuk do ta kundërshtojë kryesinë e të shoqit. Do ta respektojë pozitën e tij dhe do të mbetet nën ‘ligjin e burrit të saj’.—Romakëve 7:2.
Udhëheqja e mençur e Biblës
19. Cilat gjëra e vështirësojnë lidhjen martesore, por si mund t’u rezistohet këtyre vështirësive?
19 Sot ka shumë gjëra që mund t’i shkaktojnë vështirësi lidhjes martesore. Disa burra nuk i marrin përsipër përgjegjësitë e tyre. Disa gra nuk duan ta pranojnë kryesinë e burrave. Në disa martesa, njëri bashkëshort keqtrajton tjetrin. Për ata që janë të krishterë, problemet ekonomike, papërsosmëria njerëzore dhe fryma e botës me imoralitetin e saj dhe me pikëpamjen e gabuar për gjërat më me vlerë, mund të përbëjnë një sprovë për besnikërinë. Gjithsesi, burrat e krishterë dhe gratë e krishtere që ndjekin parimet e Biblës, në çfarëdo situate qofshin, kanë bekimin e Jehovait. Edhe sikur vetëm njëri nga bashkëshortët t’i zbatojë parimet e Biblës, prapë është më mirë se sa po të mos i zbatonte asnjëri. Për më tepër, Jehovai i do dhe i mbështet ata shërbëtorë që i qëndrojnë besnikë betimit martesor edhe në situata të vështira. Ai nuk e harron besnikërinë e tyre.—Psalmi 18:25; Hebrenjve 6:10; 1 Pjetrit 3:12.
20. Cilën këshillë u jep Pjetri të gjithë të krishterëve?
20 Pasi dha këshilla për të martuarit, apostulli Pjetër e përfundoi letrën me fjalë të përzemërta dhe inkurajuese. Ai tha: «Së fundi, jini të gjithë të një mendjeje, duke treguar ndjenja të përbashkëta, duke pasur përzemërsi vëllazërore, duke qenë zemërdhembshur, me mendje të përulur, duke mos e kthyer të keqen me të keqe ose sharjen me të sharë, por, përkundrazi, duke dhënë një bekim, sepse ju u thirrët në këtë udhë, që të trashëgoni një bekim.» (1 Pjetrit 3:8, 9) Këto janë vërtet këshilla të mençura për të gjithë, e veçanërisht për të martuarit!
A ju kujtohet?
• Si e imitojnë Jezuin burrat e krishterë?
• Si e imitojnë kongregacionin gratë e krishtere?
• Si mund t’i japin nderim burrat grave të tyre?
• Cila është rruga më e mirë që duhet të ndjekë një grua e krishtere, e cila nuk e ka burrin besimtar?
[Figura në faqen 16]
Burri i krishterë e do gruan e tij dhe kujdeset për të
Gruaja e krishterë e respekton dhe e nderon të shoqin
[Figura në faqen 17]
Ndryshe nga ligji romak, sipas mësimeve të krishtere, burri duhej ta nderonte gruan e tij
[Figura në faqen 18]
Burrat dhe gratë që bëjnë pjesë në ‘shumicën e madhe’, shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në parajsë
[Figura në faqen 20]
Sara e konsideronte Abrahamin si zotërinë e saj