Kapitulli 12
Domethënia e pagëzimit tënd
1, 2. (a) Përse pagëzimi në ujë, duhet t’i interesojë personalisht secilit prej nesh? (b) Shkurtimisht, si do t’u përgjigjeshe pyetjeve të paragrafit 2?
NË VITIN 29 të e.s., Jezui u zhyt në lumin Jordan. Vetë Jehovai po e vështronte dhe shprehu aprovim. (Mat. 3:16, 17) Tre vjet e gjysmë më vonë, pas ringjalljes së tij, Jezui u dha udhëzime dishepujve të vet, duke u thënë: «Çdo autoritet më është dhënë në qiell dhe mbi tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj prej njerëzve të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar ata.» (Mat. 28:18, 19) A je pagëzuar edhe ti në harmoni me atë që urdhëroi Jezui? Apo po përgatitesh që të bësh kështu?
2 Në çdo rast, kuptimi i qartë i pagëzimit është i rëndësishëm. Disa nga pyetjet që meritojnë të konsiderohen janë këto: A ka pagëzimi i të krishterëve sot të njëjtën domethënie si ai i Jezuit? A aplikohet tek ti çdo gjë që thotë Bibla mbi pagëzimin? Çfarë përfshihet në të jetuarit në harmoni me domethënien e pagëzimit të krishterë në ujë?
Pagëzimet e kryera nga Gjoni
3. Për kë ishte kufizuar pagëzimi i Gjonit?
3 Gjashtë muaj para pagëzimit të Jezuit, Gjon Pagëzori shkoi në shkretëtirën e Judesë, duke predikuar: «Pendohuni sepse mbretëria e qiejve është afruar.» (Mat. 3:1, 2) Njerëz nga të gjitha rajonet që dëgjuan se çfarë thoshte Gjoni, rrëfyen hapur mëkatet e tyre dhe u pagëzuan prej tij në Jordan. Ky pagëzim ishte për hebrenjtë.—Veprat 13:23, 24; Luka 1:13-16.
4. (a) Përse hebrenjtë kishin një nevojë urgjente për t’u penduar? (b) Çfarë kërkohej prej tyre nëse donin të shmangnin ‘pagëzimin me zjarr’?
4 Këta hebrenj kishin nevojë urgjente për t’u penduar. Në vitin 1513 p.e.s, në malin Sinai, stërgjyshërit e tyre kishin hyrë në një besëlidhje kombëtare me Perëndinë Jehova. Por ata nuk jetuan sipas përgjegjësive të tyre nën atë besëlidhje dhe kështu që ishin të dënuar prej saj si mëkatarë. Situata e tyre ishte kritike. «Dita e madhe dhe e llahtarshme e Zotit» e parathënë nga Malakia, ishte afër dhe në vitin 70 të e.s. erdhi në Jeruzalem si shkatërrim i menjëhershëm. Gjon Pagëzori, me një zell për adhurimin e vërtetë si Elija, u dërgua përpara atij shkatërrimi «për të përgatitur një popull të gatshëm për Jehovain». Ata duhej të pendoheshin për mëkatet e tyre kundër besëlidhjes së Ligjit dhe të ishin me zemër dhe mendje të përgatitur për të pranuar Birin e Perëndisë, të cilin Jehovai e kishte dërguar për ta. (Mal. 4:4-6; Luka 1:17; Veprat 19:4) Siç shpjegoi Gjoni, Biri i Perëndisë do të pagëzonte me frymën e shenjtë (një pagëzim të tillë e provuan dishepujt e parë besnikë në Rrëshajët e vitit 33 të e.s.) dhe me flakë (i cili erdhi mbi të papenduarit si shkatërrim në vitin 70 të e.s.). (Luka 3:16) Që të shmangeshin personalisht nga përvoja e ‛pagëzimit me flakë’, hebrenjtë e shekullit të parë duhej të pagëzoheshin në ujë në shenjë të pendimit të tyre dhe të bëheshin dishepuj të Jezu Krishtit sapo të paraqitej mundësia.
5. (a) Përse Gjoni kundërshtoi kur Jezui erdhi për t’u pagëzuar? (b) Çfarë simbolizonte pagëzimi i Jezuit në ujë? (c) Sa serioze ishte për Jezuin kryerja e vullnetit të Perëndisë?
5 Bashkë me ata që erdhën për t’u pagëzuar tek Gjoni ishte edhe vetë Jezui. Përse? Gjoni e dinte se Jezui nuk kishte mëkate për të rrëfyer, prandaj tha: «Jam unë ai që duhet të pagëzohem prej teje, dhe ti vjen tek unë?» Por, pagëzimi i Jezuit simbolizonte diçka tjetër. Prandaj ai kundërshtoi: «Le të jetë kështu këtë herë, sepse në këtë mënyrë është e përshtatshme për ne që të bëjmë gjithçka që është e drejtë.» (Mat. 3:13-15) Pagëzimi i Jezuit nuk mund të simbolizonte pendimin nga mëkatet; ai as nuk kishte nevojë për t’ia dedikuar veten Perëndisë, sepse ishte pjesëtar i një kombi tashmë të dedikuar ndaj Jehovait. Më saktë, pagëzimi i tij i bërë në moshën 30 vjeçare sipas pjekurisë hebreje, simbolizonte paraqitjen e vetes para Atit të tij qiellor për të kryer më tej vullnetin e Tij. Vullneti i Perëndisë për «njeriun Jezu Krisht», përfshinte veprimtarinë në lidhje me Mbretërinë dhe gjithashtu, flijimin e jetës së tij të përsosur njerëzore si një lirim shpërblerës dhe si bazë për një besëlidhje të re. (Luka 8:1; 17:20, 21; Hebr. 10:5-10; Mat. 20:28; 26:28; 1. Tim. 2:5, 6) Jezui e mori me shumë seriozitet atë çka simbolizonte pagëzimi i tij në ujë. Ai nuk e lejoi veten të devijohej nga interesa të tjera. Deri në fund të jetës së tij në tokë, qëndroi besnik në kryerjen e vullnetit të Perëndisë.—Gjoni 4:34.
Pagëzim në vdekje
6. Cilit pagëzim tjetër iu nënshtrua Jezui dhe në cilën periudhë kohore?
6 Në harmoni me atë çka simbolizonte pagëzimi i tij në ujë, Jezui iu nënshtrua edhe një pagëzimi tjetër. Ai e dinte se caktimi i vendosur para tij nga Perëndia do ta çonte drejt dhënies së jetës së tij njerëzore, si një flijim, por që do të ngrihej në frymë në ditën e tretë. Ai foli për këtë si fillimi i një pagëzimi. Ky «pagëzim» filloi në vitin 29 të e.s., por nuk u plotësua derisa ai aktualisht vdiq dhe u ringjall. Kështu, rreth tre vjet pas zhytjes së tij në ujë ai mundi të thoshte në mënyrë të përshtatshme: «Kam një pagëzim me të cilin duhet të pagëzohem dhe sa po vuaj derisa të mbarojë!»—Luka 12:50.
7. (a) Cilët janë pagëzuar gjithashtu në vdekje? (b) Kush e bën këtë pagëzim?
7 Ata që do të mbretërojnë me Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore, gjithashtu duhet të pagëzohen në vdekje. (Marku 10:37-40; Kolos. 2:12) Në vdekjen e tyre ata lënë përgjithmonë jetën njerëzore, siç bëri Jezui. Dhe në ringjalljen e tyre me atë bashkohen në qeverinë qiellore. Ky është një pagëzim i kryer jo nga një njeri, por nga Perëndia përmes Birit të tij qiellor.
8. Çfarë do të thotë se gjithashtu janë të «pagëzuar në Krishtin Jezu»?
8 Ata që janë pagëzuar në vdekjen e Jezuit janë quajtur gjithashtu si «të pagëzuar në Krishtin Jezu». Me anë të frymës së shenjtë, që kanë pranuar përmes Jezu Krishtit, ata bashkohen me të, me kreun e tyre, bëhen pjesëtarë të kongregacionit të tij të mirosur me frymë, «të trupit» të tij. Meqenëse fryma u dha atyre mundësi për të pasqyruar personalitetin superior të Krishtit, mund të thuhet se ata të gjithë bëhen «një person në unitet me Krishtin Jezu».—Rom. 6:3-5; 1. Kor. 12:13; Gal. 3:27, 28; Vep. 2:32, 33.
Pagëzimi në ujë i dishepujve të krishterë
9. (a) Kur filloi pagëzimi në mënyrën siç është udhëzuar tek Mateu 28:19? (b) Duke përdorur pyetjet dhe shkrimet e siguruara në këtë paragraf, analizo atë çka Jezui tregoi se duhej të pranonin kandidatët për pagëzim.
9 Dishepujt e parë të Jezuit u pagëzuan në ujë nga Gjoni dhe pastaj u drejtuan nga Jezui si pjesëtarë të ardhshëm të nuses së tij frymore. (Gjoni 3:25-30) Nën drejtimin e Jezuit edhe ata bënë pagëzime, të cilat kishin të njëjtën domethënie si pagëzimi i Gjonit. (Gjoni 4:1-3) Megjithatë, duke filluar nga Rrëshajët e vitit 33 të e.s., ata filluan të kryenin urdhrin për të pagëzuar «në emër të Atit dhe të Birit dhe të frymës së shenjtë». (Mat. 28:19) Edhe ti do të nxjerrësh shumë dobi duke rishikuar domethënien e këtij urdhri, nën dritën e shkrimeve të cituara dhe të pyetjeve vijuese:
Për të qenë i pagëzuar «në emër të Atit», çfarë duhet të pranojë një person në lidhje me Atin? (2. Mbret. 19:15; Psal. 3:8; 73:28; Isa. 6:3; Rom. 15:6; Hebr. 12:9; Jak. 1:17)
Pagëzimi në emër të «Birit» çfarë kërkon që të pranohet? (Mat. 16:16, 24; Filip. 2:9-11; Hebr. 5:9, 10)
Çfarë duhet të besojë një person që përgatitet të pagëzohet në emër «të frymës së shenjtë»? (Luka 11:13; Gjon. 14:16, 17; Vep. 1:8; 10:38; Gal. 5:22, 23; 2. Pjetr. 1:21)
10. (a) Çfarë simbolizon pagëzimi i krishterë në ujë sot? (b) Si ndryshon kjo nga pagëzimi i vetë Jezuit? (c) Kur personat e kualifikuar në bazë të Shkrimeve pagëzohen, çfarë bëhen?
10 Të parët që u pagëzuan në harmoni me mësimet e dhëna nga Jezui ishin hebrenjtë (dhe prozelitët hebrenj), që si komb tashmë ishin të dedikuar ndaj Perëndisë dhe kishin treguar konsideratë të veçantë për të deri në vitin 36 të e.s. Megjithatë, kur privilegji për të bërë dishepuj të krishterë u përhap tek samaritanët dhe paganët, këta, para se të pagëzoheshin, duhej të bënin personalisht një dedikim pa rezerva ndaj Jehovait për të shërbyer si dishepuj të Birit të tij. Për të gjithë sot, duke përfshirë edhe hebrenjtë, domethënia e pagëzimit të krishterë në ujë është po ajo. Ky «pagëzim» aplikohet për të gjithë ata që bëhen të krishterë të vërtetë. Në këtë mënyrë ata bëhen dëshmitarë të krishterë të Jehovait, shërbëtorë të rregullt të Perëndisë.—Efes. 4:5; 2. Kor. 6:3, 4.
11. (a) Me çfarë ngjan pagëzimi i krishterë në ujë dhe pse? (b) Nga çfarë, pra, është i shpëtuar një i krishterë?
11 Një pagëzim i tillë ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë. Pasi përmendi ndërtimin e arkës së Noesë, në të cilën vetë Noeja dhe familja e tij u ruajtën nga Përmbytja, apostulli Pjetër tërhoqi vëmendjen mbi këtë. Ai shkroi: «I cili është shëmbëllesa e pagëzimit (jo heqja e ndyrësisë së mishit, po kërkesa e një ndërgjegjeje të mirë te Perëndia), që tani na shpëton edhe ne me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit.» (1. Pjetr. 3:21, Dio) Arka ishte një e vërtetë e dukshme që Noeja ia kishte dedikuar veten kryerjes së vullnetit të Perëndisë dhe ishte besnik për të bërë punën që i kishte caktuar Perëndia. Kjo i solli shpëtimin. Në të njëjtën mënyrë, ata që ia dedikuan veten Jehovait në bazë të besimit në Krishtin e ringjallur, që u pagëzuan në simbol të kësaj dhe që vazhdojnë të kryejnë atë vullnet të vendosur nga Perëndia për shërbëtorët e tij në ditët e sotme, janë të shpëtuar nga bota e ligë e tanishme. (Gal. 1:3, 4) Ata nuk do të shkojnë drejt shkatërrimit me mbetjen e botës. Kanë shpëtuar nga kjo dhe u është dhuruar një ndërgjegje e mirë nga Perëndia.
Të jetojmë në lartësinë e përgjegjësive tona
12. Përse fakti se je i pagëzuar nuk përbën në vetvete një garanci shpëtimi?
12 Do të ishte e gabuar të nxirrnim si përfundim se të qenët i pagëzuar është një garanci për të shpëtuar. Ajo ka vlerë vetëm nëse një person ia ka dedikuar me të vërtetë vetveten Jehovait përmes Jezu Krishtit dhe pas kësaj kryen vullnetin e Perëndisë me besnikëri, deri në fund.—Mat. 24:13.
13. (a) Cili është vullneti i Perëndisë në lidhje me mënyrën se si duhet ta përdorin jetën e tyre të krishterët e pagëzuar? (b) Sa rëndësi do të ketë në jetën tonë të qenët dishepuj të krishterë?
13 Kryerja e vullnetit të Perëndisë për Jezuin përfshinte mënyrën se si e përdorte jetën e tij njerëzore. Ai do ta jepte atë në një vdekje flijuese. Ndërsa ne duhet t’ia paraqesim Perëndisë trupin tonë për të bërë një jetë vetëflijuese. Duhet ta përdorim atë posaçërisht për të bërë vullnetin e Perëndisë. (Rom. 12:1, 2) Sigurisht nuk do ta bëjmë atë në qoftë se edhe vetëm nganjëherë, me qëllim sillemi si bota që na rrethon apo ndjekim një jetë egoiste, duke i shërbyer Perëndisë vetëm sa për sy e faqe. (1. Pjetr. 4:1-3; 1. Gjon. 2:15-17) Kur një hebre pyeti se çfarë duhej të bënte për të marrë jetën e përhershme, Jezui i kujtoi rëndësinë e bërjes së një jete të pastër morale dhe pastaj i theksoi se të qenët dishepuj të krishterë, ithtarë të Jezuit, duhet të jetë gjëja kryesore në jetë. Kjo nuk mund të jetë në vend të dytë mbas synimeve materiale.—Mat. 19:16-21.
14. (a) Çfarë përgjegjësie kanë të gjithë të krishterët në lidhje me Mbretërinë? (b) Siç është ilustruar në faqen 101, cilat janë disa nga mënyrat e efektshme për të bërë këtë vepër? (c) Nëse me të vërtetë marrim pjesë në një aktivitet të tillë me gjithë zemër, për çfarë dëshmon kjo?
14 Duhet kujtuar gjithashtu se vullneti i Perëndisë për Jezuin përfshinte një aktivitet të rëndësishëm në lidhje me Mbretërinë. Jezui ishte mirosur për të qenë Mbret. Por, ndërsa qe mbi tokë ai ishte edhe një dëshmues i zellshëm në lidhje me Mbretërinë. Ne kemi një vepër të ngjashme dëshmie për të bërë dhe kemi çdo arsye për t’u angazhuar në të me gjithë zemër. Duke bërë kështu demonstrojmë çmueshmërinë tonë për sovranitetin e Jehovait dhe dashurinë tonë për të afërmit. Gjithashtu tregojmë se jemi në unitet me bashkëadhuruesit në mbarë botën, të cilët janë të gjithë dëshmitarë të Mbretërisë, duke nxituar drejt synimit të jetës së përhershme në sferat mbretërore të asaj Mbretërie.
Pyetje për përsëritje
● Çfarë ngjashmërish dhe çfarë ndryshimesh ka midis pagëzimit të Jezuit dhe pagëzimit në ujë sot?
● Për cilin ishte pagëzimi i Gjonit? Cilët janë pagëzuar në vdekje? Dhe cilët janë «pagëzuar në Jezu Krishtin»?
● Çfarë është përfshirë në të jetuarit në lartësinë e përgjegjësive të marra me pagëzimin e krishterë në ujë?
[Kutia dhe figurat në faqen 101]
Në cilat mënyra e shpall ti mbretërinë?
Nga dera në derë
Duke u kthyer për të vizituar të interesuarit
Me anë të studimeve biblike në shtëpi
Në rrugë
Shokëve të shkollës
Shokëve të punës