Pyetje nga lexuesit
Te 1 Pjetrit 4:3 lexojmë se më përpara disa të krishterë kishin marrë pjesë në «idhujtari të kundërligjshme». A nuk janë të gjitha idhujtaritë të kundërligjshme, të dënuara dhe të ndaluara nga Perëndia?
Po, nga këndvështrimi i Perëndisë, çdo lloj idhujtarie është e kundërligjshme. Ata që kërkojnë miratimin e tij nuk mund të praktikojnë idhujtarinë.—1 Korintasve 5:11; Zbulesa 21:8.
Megjithatë, duket se apostulli Pjetër po fliste për idhujtarinë nga një këndvështrim tjetër. Një arsye është se ndër kombet e shumta të lashta, idhujtaria ishte një gjë normale dhe pa ndonjë kufizim ligjor nga autoritetet. Domethënë, ligji i vendit nuk i ndalonte këto idhujtari. Madje, disa nga këto idhujtari ishin pjesë e politikës kombëtare ose qeveritare. Në këtë kuptim, disa kishin marrë pjesë në ‘idhujtari pa kufizim ligjor’ para se të bëheshin të krishterë. (New World Translation, botim i vitit 1950) Mund të përmendim, për shembull, se mbreti babilonas Nabukodonosori ngriti një shëmbëlltyrë të artë si idhull, por shërbëtorët e Jehovait, Shadraku, Meshaku dhe Abednegu nuk pranuan ta adhuronin atë.—Danieli 3:1-12.
Nga një këndvështrim tjetër, shumë rite idhujtare përfshinin veprime që ishin haptazi në kundërshtim me çdo ligj natyror ose ndjenjë morale që e kishte burimin në ndërgjegjen e trashëguar. (Romakëve 2:14, 15) Apostull Pavli shkroi për praktika të degraduara që ishin «në kundërshtim me natyrën» e ‘të ndyra’ dhe shpesh këto gjenin vend në ritet fetare. (Romakëve 1:26, 27) Burrat dhe gratë që merrnin pjesë në idhujtari të kundërligjshme nuk po respektonin kufizimin ligjor të natyrës njerëzore. Sigurisht, ishte e përshtatshme për ata që bëheshin të krishterë t’i linin këto praktika të korruptuara.
Përveç atyre që u thanë më lart, këto idhujtari të zakonshme te johebrenjtë ishin të dënuara nga Perëndia Jehova. Në këtë mënyrë, ishin të paligjshme.a—Kolosianëve 3:5-7.
[Shënimi]
a Teksti grek te 1 Pjetrit 4:3, fjalë për fjalë do të thotë «idhujtari të paligjshme». Fraza është përkthyer në disa mënyra në versione të ndryshme të Biblës, me përkufizime të tilla, si: «idhujtari e jashtëligjshme», «adhurim i ndaluar i idhujve» dhe «idhujtari të paligjshme».