KAPITULLI 60
Shpërfytyrimi—Pamje paraprake e Krishtit të lartësuar
MATEU 16:28–17:13 MARKU 9:1-13 LUKA 9:27-36
VEGIMI I SHPËRFYTYRIMIT
APOSTUJT DËGJOJNË ZËRIN E PERËNDISË
Ndërsa po mëson njerëzit në rajonin e Cezaresë së Filipit, rreth 25 km larg malit Hermon, Jezui u thotë këtë njoftim befasues apostujve: «Vërtet po ju them se disa nga këta që po qëndrojnë këtu, nuk do ta provojnë kurrsesi vdekjen pa e parë më parë Birin e njeriut të vijë në Mbretërinë e tij.»—Mateu 16:28.
Me siguri dishepujt e Jezuit vrasin mendjen se ç’kuptim kanë këto fjalë. Thuajse një javë më vonë, Jezui merr me vete në një mal të lartë tre apostuj, Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin. Ka shumë mundësi të jetë natë, sepse tre burrat janë të përgjumur. Ndërsa lutet, Jezui shpërfytyrohet para tyre. Apostujt shohin fytyrën e tij që shkëlqen si dielli dhe rrobat që i shndrijnë si drita.
Pastaj shfaqen 2 personazhe që përfaqësojnë ‘Moisiun dhe Elijan’. Ata nisin të flasin me Jezuin për ‘largimin e tij që duhet të ndodhë në Jerusalem’. (Luka 9:30, 31) Me sa duket po i referohen vdekjes dhe ringjalljes së tij që do të ndodhë më vonë, për të cilat Jezui ka folur së fundmi. (Mateu 16:21) Kjo bisedë vërteton se, ndryshe nga ç’tha Pjetri, vdekja poshtëruese e Jezuit nuk është diçka që duhet shmangur.
Tani që u ka dalë gjumi plotësisht, tre apostujt shohin dhe dëgjojnë të mahnitur. Është një vegim, mirëpo duket kaq real sa Pjetri fillon të përfshihet në ngjarje dhe thotë: «Rabi, sa mirë që jemi këtu me ty. Na lër të ngremë tri tenda: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elijan.» (Marku 9:5) Ndoshta Pjetri dëshiron t’i ngrejë tendat me shpresë që vegimi të zgjatë edhe pak.
Ndërsa Pjetri është duke folur, i mbulon një re e shndritshme dhe nga reja dëgjohet një zë: «Ky është Biri im, Biri im i dashur, që unë kam miratuar. Dëgjojeni.» Me të dëgjuar zërin e Perëndisë, apostujt e frikësuar bien me fytyrë përtokë, por Jezui u jep zemër me këto fjalë: «Ngrihuni. Mos kini frikë.» (Mateu 17:5-7) Kur ngrihen, tre apostujt shohin vetëm Jezuin. Vegimi ka përfunduar. Kur zbardh dita dhe zbresin nga mali, Jezui i urdhëron: «Mos ia tregoni askujt vegimin, derisa Biri i njeriut të ngrihet nga të vdekurit.»—Mateu 17:9.
Shfaqja e Elijas në vegim i shtyn apostujt të pyesin: «Pse . . . skribët thonë se më parë duhet të vijë Elija?» Jezui u përgjigjet: «Elija tashmë ka ardhur, por ata nuk e pranuan.» (Mateu 17:10-12) Jezui e ka fjalën për Gjon Pagëzorin, i cili përmbushi një rol të ngjashëm me atë të Elijas. Ashtu si Elija që hapi rrugën për Eliseun, edhe Gjoni hapi rrugën për Krishtin.
Sa forcë u jep ky vegim Jezuit dhe apostujve! Ishte një pamje paraprake e lavdisë së Krishtit si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. Pra apostujt panë ‘Birin e njeriut të vinte në Mbretërinë e tij’, tamam siç kishte premtuar Jezui. (Mateu 16:28) Lart në mal, ishin «dëshmitarë okularë të madhështisë së tij». Edhe pse farisenjtë kërkonin një shenjë që të vërtetonte se Jezui do të ishte Mbreti i zgjedhur nga Perëndia, ai refuzoi t’ua jepte. Ama dishepujve të ngushtë të Jezuit iu dha mundësia të shihnin shpërfytyrimin e tij, që u vërtetonte se profecitë për Mbretërinë do të përmbusheshin. Ja pse më vonë Pjetri mund të shkruante: «Për ne fjala profetike është edhe më e sigurt.»—2 Pjetrit 1:16-19.