ARTIKULLI I STUDIMIT 45
Si na ndihmon fryma e shenjtë
«Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»—FILIP. 4:13.
KËNGA 104 Fryma e shenjtë: Dhuratë e Perëndisë
PËRMBLEDHJEa
1-2. (a) Çfarë na ndihmon të ecim para nga dita në ditë? Shpjegoni. (b) Çfarë do të shohim në këtë artikull?
«KUR mendoj për sprovën që kalova, e di se nuk do t’ia kisha dalë me forcat e mia.» A je shprehur ndonjëherë kështu? Shumë prej nesh, po. Ndoshta arrite në këtë përfundim pasi meditove si ia dole të përballoje një sëmundje të rëndë a vdekjen e një njeriu të dashur. Kur e kthen kokën pas, mendon se ia dole të ecje para nga dita në ditë vetëm ngaqë fryma e shenjtë e Jehovait të dha ‘fuqi përtej asaj që është normale’.—2 Kor. 4:7-9.
2 Gjithashtu, ne mbështetemi te fryma e shenjtë që t’i bëjmë ballë ndikimit të kësaj bote të ligë. (1 Gjon. 5:19) Veç kësaj, kemi një betejë «me forcat e liga qiellore». (Efes. 6:12, nwt) Duke mbajtur parasysh të gjitha këto, do të shohim dy mënyra si na ndihmon fryma e shenjtë. Pastaj do të shqyrtojmë ç’mund të bëjmë që të nxjerrim plotësisht dobi prej saj.
FRYMA E SHENJTË NA JEP FUQI
3. Cila është një mënyrë si na ndihmon Jehovai t’u bëjmë ballë sprovave?
3 Fryma e shenjtë na ndihmon duke na dhënë fuqinë ose forcën që të përmbushim përgjegjësitë tona pavarësisht sprovave. Apostulli Pavël e dinte se arrinte t’i shërbente Jehovait pavarësisht sprovave, ngaqë mbështetej te «fuqia e Krishtit». (2 Kor. 12:9) Gjatë udhëtimit të dytë misionar, Pavli jo vetëm që predikoi me të gjitha forcat, por edhe punoi për të mbajtur veten. Ai qëndroi në Korint në shtëpinë e Akuilës dhe Prishilës, që ishin bërës tendash. Meqë kishin të njëjtin zanat, Pavli punonte me ta disa ditë në javë. (Vep. 18:1-4) Fryma e shenjtë i dha Pavlit fuqinë edhe për të punuar, edhe për të predikuar.
4. Sipas 2 Korintasve 12:7b-9, me çfarë po luftonte Pavli?
4 Lexo 2 Korintasve 12:7b-9. Ku e kishte fjalën Pavli, kur tha se po luftonte me një «gjemb në trup»? Po të të hynte një gjemb në trup, do të ndieje shumë dhembje. Prandaj Pavli po thoshte se po haste një sprovë të dhembshme. Ai tha se kjo sprovë ishte «si një engjëll i Satanait», që ‘i binte vazhdimisht me shuplaka’ (‘e rrihte vazhdimisht’, shën., nwt). Satanai dhe demonët e tij mbase nuk kishin gisht në sprovën që kaloi Pavli, sikur t’ia kishin ngulur ata gjembin. Ama kur e vunë re «gjembin», gjithë qejf këto frymëra të liga mund ta kenë shtyrë edhe më thellë, që Pavli të ndiente edhe më shumë dhembje. Çfarë bëri Pavli?
5. Si iu përgjigj Jehovai lutjeve të Pavlit?
5 Fillimisht, Pavli donte që Jehovai t’ia hiqte atë «gjemb». Ai pranon: «Iu përgjërova tri herë Zotërisë [Jehovait] që ta hiqte këtë nga unë.» Edhe pse Pavli u lut për këtë, Jehovai nuk ia hoqi gjembin. A do të thotë kjo se Jehovai nuk iu përgjigj lutjeve të tij? Përkundrazi! Vërtet nuk ia zhduku problemin, ama i dha Pavlit forcën për ta përballuar. Jehovai i tha: «Fuqia ime përsoset në dobësi.» (2 Kor. 12:8, 9) E falë ndihmës së Perëndisë, Pavli ia doli mbanë të ruante gëzimin dhe paqen e brendshme.—Filip. 4:4-7.
6. (a) Si mund t’u përgjigjet Jehovai lutjeve tona? (b) Cilat premtime nga shkrimet në paragraf të japin forcë?
6 A i je përgjëruar ndonjëherë Jehovait si Pavli, që të të çlirojë nga ndonjë sprovë? Pavarësisht përgjërimeve të tua të zjarrta, ndoshta problemi vazhdoi a madje u përkeqësua. A u merakose se mos Jehovai nuk ishte i kënaqur me ty? Nëse po, sill ndër mend shembullin e Pavlit. Siç iu përgjigj lutjeve të tij, pa dyshim Jehovai do t’u përgjigjet lutjeve të tua! Jehovai mund të mos e zhdukë problemin. Por me frymën e shenjtë, do të të japë fuqinë e nevojshme për t’i bërë ballë sprovës. (Psal. 61:3, 4) Mund të biesh «përtokë», ama Jehovai nuk do të të braktisë.—2 Kor. 4:8, 9 nwt; Filip. 4:13.
FRYMA E SHENJTË NA SHTYN PËRPARA
7-8. (a) Në ç’kuptim fryma e shenjtë është si era? (b) Si e përshkroi Pjetri mënyrën si vepron fryma e shenjtë?
7 Në ç’mënyrë tjetër na ndihmon fryma e shenjtë? Si një erë e favorshme në det të stuhishëm, fryma e shenjtë na shtyn para mes sprovave të stuhishme drejt limanit të botës së re që na ka premtuar Perëndia.
8 Ngaqë ishte peshkatar, apostulli Pjetër dinte mjaft gjëra rreth lundrimit. Ja pse, kur përshkroi mënyrën si vepron fryma e shenjtë, ai përdori një shprehje që duket se lidhet me lundrimin. Ai shkroi: «Profecitë nuk kanë ardhur kurrë nga iniciativa e njerëzve, por njerëzit kanë thënë mesazhin e Perëndisë, të shtyrë nga fryma e shenjtë.» Fjala greke e përkthyer «të shtyrë», fjalë për fjalë do të thotë «të drejtuar; të çuar para».—2 Pjet. 1:21, nwt.
9. Çfarë imazhi solli në mendje Pjetri kur përdori fjalën «të shtyrë»?
9 Çfarë imazhi solli në mendje Pjetri kur përdori fjalën «të shtyrë»? Një formë të ngjashme të së njëjtës fjalë greke përdori edhe Luka, shkrimtari i Veprave, për të përshkruar një anije që shkon ‘nga e çon’ era. (Vep. 27:15) Prandaj, kur shkroi se shkrimtarët e Biblës ishin «të shtyrë», Pjetri përdori «një metaforë mbresëlënëse detare», sipas një studiuesi të Biblës. Pra Pjetri tha se ashtu si një anije që shkon nga e çon era që të mbërrijë në destinacion, edhe profetët e shkrimtarët e Biblës ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë për të përmbushur caktimin. I njëjti studiues tha: «Në njëfarë kuptimi, profetët ngritën velat.» Jehovai bëri pjesën e tij duke siguruar «erën» ose frymën e shenjtë. Shkrimtarët e Biblës bënë pjesën e tyre duke ndjekur drejtimin e frymës.
10-11. Cilët janë dy hapat që duhet të bëjmë për t’u siguruar se po na drejton fryma e shenjtë? Ilustrojeni.
10 Sigurisht, tani nuk është më koha për të shkruar libra të frymëzuar. Por fryma e shenjtë ende ushtron fuqi te shërbëtorët e Perëndisë. Jehovai ende po bën pjesën e tij. Si të nxjerrim dobi nga fryma e shenjtë? Duhet të sigurohemi se po vazhdojmë të bëjmë pjesën tonë. Në ç’mënyrë?
11 Mendo për këtë shembull. Që të nxjerrë dobi nga era, një marinar duhet të bëjë dy gjëra. Së pari, duhet ta drejtojë varkën aty ku fryn era. Në fund të fundit, varka nuk do të lundrojë nëse marinari qëndron në liman, larg erës. Së dyti, ka nevojë t’i ngrejë e t’i hapë velat sa më shumë. Sigurisht, edhe pse fryn erë, varka do të nisë të lundrojë vetëm nëse velat janë nën drejtimin e erës. Po njësoj, ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait vetëm nëse kemi ndihmën e frymës së shenjtë. Që të nxjerrim dobi nga fryma, duhet të bëjmë dy hapa. Së pari, duhet të shkojmë aty ku është fryma e Perëndisë, duke marrë pjesë në ato aktivitete ku jemi nën ndikimin e saj. Së dyti, kemi nevojë «t’i ngremë velat» sa më shumë, duke u angazhuar plotësisht në këto aktivitete e duke dhënë më të mirën. (Psal. 119:32) Kur i bëjmë këta hapa, fryma e shenjtë do të na shtyjë përpara mes dallgëve të kundërshtimit e të sprovave dhe do të na ndihmojë të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait me besnikëri ndërsa shkojmë drejt botës së tij të re.
12. Çfarë do të shqyrtojmë tani?
12 Deri tani kemi diskutuar dy mënyra si na ndihmon fryma e shenjtë. Ajo na jep fuqi dhe na ndihmon të qëndrojmë besnikë kur hasim sprova. Gjithashtu na shtyn përpara e na ndihmon të qëndrojmë në rrugën drejt jetës së përhershme. Tani do të shqyrtojmë katër gjëra që duhet të bëjmë për të nxjerrë plotësisht dobi nga fryma e shenjtë.
SI TË NXJERRIM PLOTËSISHT DOBI NGA FRYMA E SHENJTË
13. Sipas 2 Timoteut 3:16, 17, si mund të ndikojnë Shkrimet te ne, por çfarë pritet prej nesh?
13 Së pari, të studiojmë Fjalën e Perëndisë. (Lexo 2 Timoteut 3:16, 17.) Fjala greke e përkthyer «i frymëzuar nga Perëndia» fjalë për fjalë do të thotë «me frymën e Perëndisë». Pra, Perëndia vuri mendimet e tij në mendjen e shkrimtarëve të Biblës «me frymën e tij». Kur lexojmë Biblën dhe meditojmë për të, udhëzimet e Perëndisë na hyjnë në mendje e në zemër. Ato mendime të frymëzuara na shtyjnë ta përputhim jetën me vullnetin e Perëndisë. (Hebr. 4:12) Por, që të nxjerrim plotësisht dobi nga fryma e shenjtë, duhet të rezervojmë kohë për të studiuar rregullisht Biblën e për të menduar thellë rreth saj. Atëherë Fjala e Perëndisë do të ndikojë te çdo gjë që themi e bëjmë.
14. (a) Pse mund të themi se mbledhjet tona janë raste ku «fryn era»? (b) Si mund të marrim pjesë në mbledhje me «vela të hapura»?
14 Së dyti, të adhurojmë Perëndinë së bashku. (Psal. 22:22) Në njëfarë kuptimi, mbledhjet tona janë raste ku «fryn era», pasi në to është e pranishme fryma e Jehovait. (Zbul. 2:29) Pse themi kështu? Sepse, kur mblidhemi për të adhuruar, ne lutemi për frymën e shenjtë, këndojmë këngë Mbretërie të bazuara në Fjalën e Perëndisë dhe dëgjojmë udhëzime të bazuara në Bibël, të cilat na i prezantojnë vëllezër të emëruar nga fryma e shenjtë. E po e njëjta frymë i ndihmon motrat të përgatitin e të prezantojnë pjesët. Megjithatë, për të nxjerrë plotësisht dobi nga fryma e shenjtë, kemi nevojë të jemi të përgatitur që të komentojmë. Kështu marrim pjesë në mbledhje me «vela të hapura».
15. Si na ndihmon fryma e shenjtë në shërbim?
15 Së treti, të marrim pjesë në veprën e predikimit. Kur përdorim Biblën në shërbim, e lejojmë frymën e shenjtë të na ndihmojë. (Rom. 15:18, 19) Gjithsesi, për të nxjerrë plotësisht dobi nga fryma e Perëndisë, duhet të predikojmë rregullisht dhe të përdorim Biblën sa herë të jetë e mundur. Mund të bëjmë biseda më domethënëse në shërbim duke përdorur idetë për biseda nga Fletëstudimi për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi».
16. Cila është mënyra më e drejtpërdrejtë për të marrë frymën e shenjtë?
16 Së katërti, t’i lutemi Jehovait. (Mat. 7:7-11; Luka 11:13) Mënyra më e drejtpërdrejtë për të marrë frymën e shenjtë, është t’ia kërkojmë Jehovait në lutje. Asgjë s’mund t’i ndalojë lutjet tona të shkojnë te Jehovai a ta pengojë dhuratën e mirë të Perëndisë, frymën e tij, të arrijë te ne—as muret e burgut, e madje as Satanai. (Jak. 1:17) Si duhet të lutemi që të nxjerrim plotësisht dobi nga fryma e shenjtë? Për të gjetur përgjigjen, të shohim më hollësisht temën e lutjes duke shqyrtuar një ilustrim nga Ungjilli i Lukës.b
TË LUTEMI ME KËMBËNGULJE
17. Ç’mësim mund të nxjerrim për lutjen nga ilustrimi i Jezuit te Luka 11:5-9, 13?
17 Lexo Lukën 11:5-9, 13. Ky ilustrim i Jezuit tregon si duhet të lutemi për frymën e shenjtë. Njeriu në ilustrim mori atë që i nevojitej ‘ngaqë këmbënguli fort’. Nuk kishte frikë t’i kërkonte ndihmë fqinjit, edhe pse ishte natë vonë. (Luka 11:8, nwt)c Si e zbatoi Jezui këtë ilustrim? Ai tha: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni me ngulm dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet.» Ç’mësim nxjerrim? Që të kemi ndihmën e frymës së shenjtë, duhet të lutemi për të me këmbëngulje.
18. Sipas ilustrimit të Jezuit, pse mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na japë frymën e shenjtë?
18 Ilustrimi i Jezuit na ndihmon edhe të kuptojmë pse Jehovai do të na e japë frymën e shenjtë. Njeriu në ilustrim donte ta priste mirë mysafirin. E ndjeu për detyrë t’i jepte për të ngrënë atij mysafiri që erdhi natën, ama nuk i ndodhej gjë në shtëpi. Jezui tha se fqinji iu përgjigj kërkesës së tij, ngaqë i kërkoi bukë me këmbëngulje. Çfarë donte të thoshte? Nëse një njeri i papërsosur është i gatshëm të ndihmojë një fqinj këmbëngulës, aq më shumë do t’i ndihmojë Ati ynë i dashur ata që i kërkojnë me këmbëngulje frymën e shenjtë! Prandaj mund të lutemi me sigurinë e plotë që Jehovai do t’u përgjigjet lutjeve tona të zjarrta për frymën e shenjtë.—Psal. 10:17; 66:19.
19. Pse mund të jemi të sigurt se do t’ia dalim mbanë?
19 Mund të jemi të sigurt se pavarësisht përpjekjeve të pareshtura të Satanait për të na mposhtur, do t’ia dalim mbanë. Pse? Sepse fryma e shenjtë na ndihmon në dy mënyra. Së pari, na jep fuqinë e nevojshme për të përballuar sprovat. Së dyti, është forca që «shtyn velat tona», duke na ndihmuar të ecim përpara në shërbim të Jehovait drejt botës së tij të re. Qofshim të vendosur të nxjerrim plotësisht dobi nga ndihma që na jep fryma e shenjtë!
KËNGA 41 Të lutem, dëgjoje lutjen time!
a Në këtë artikull shpjegohet si mund të na ndihmojë fryma e Perëndisë t’u bëjmë ballë problemeve. Gjithashtu tregohet çfarë mund të bëjmë që të nxjerrim plotësisht dobi nga fryma e shenjtë.
b Luka, më shumë se çdo shkrimtar tjetër i ungjijve, na ndihmon të kuptojmë se lutja ishte pjesë thelbësore e jetës së Jezuit.—Luka 3:21; 5:16; 6:12; 9:18, 28, 29; 18:1; 22:41, 44.
c Shih shënimin për studim «ka këmbëngulur shumë» te Fletëstudimi për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi», korrik 2018, faqja 4.
d PËRSHKRIMI I FIGURËS: HAPI 1: Një vëlla e një motër mbërrijnë në Sallën e Mbretërisë. Duke u mbledhur me vëllezër e motra, ata marrin pjesë në një rast ku është e pranishme fryma e Jehovait. HAPI 2: Ata janë të përgatitur për të komentuar në mbledhje. Po këta dy hapa vlejnë edhe për aspektet e tjera që kemi trajtuar në këtë artikull: të studiojmë Fjalën e Perëndisë, të marrim pjesë në veprën e predikimit dhe t’i lutemi Jehovait.