Nderoni ata të cilëve u është dhënë autoritet mbi ju
«Nderoni njerëz të çdo lloji, kini dashuri për të gjithë shoqërinë e vëllezërve, druajuni Perëndisë, kini nderim për mbretin.»—1 PJETRIT 2:17, BR.
1, 2. Si e konsiderojnë njerëzit sot autoritetin? Përse?
«FËMIJËVE u jepet e drejta për çdo gjë. Nuk ka më respekt për prindërit»,—qahet një nënë. «Sfidë autoritetit»—thuhet në një etiketë për t’u ngjitur në parakolpet e makinave. Këto janë vetëm dy pasqyrime të një situate që mbizotëron sot, siç duhet ta dini. Në tërë botën është e zakonshme një mungesë e përgjithshme e respektit për prindërit, mësuesit, punëdhënësit dhe për nëpunësit qeveritarë.
2 Disa mund të ngrenë supet dhe të thonë: ‘Epo, ata që janë në pozita autoriteti nuk e meritojnë respektin tim.’ Disa herë kjo deklaratë mund të jetë e vështirë të mohohet. Ballafaqohemi me një vërshim të vazhdueshëm lajmesh për nëpunës qeveritarë të korruptuar, për punëdhënës lakmitarë, për mësues të paaftë dhe për prindër që abuzojnë. Lumturisht, pak të krishterë e kanë këtë mendim për personat me autoritet në kongregacion.—Mateu 24:45-47.
3, 4. Përse të krishterët duhet të tregojnë respekt për ata me pozita autoriteti?
3 Si të krishterë, ne kemi «arsye detyruese» për t’i respektuar ata që ushtrojnë autoritet shekullar. Apostulli Pavël i këshilloi të krishterët të ‘jenë të nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta, sepse nuk ka asnjë autoritet veçse nga Perëndia; autoritetet ekzistuese qëndrojnë të vendosura në pozitat e tyre relative nga Perëndia’. (Romakëve 13:1, 2, 5, BR; 1 Pjetrit 2:13-15) Gjithashtu, Pavli tregoi një arsye të vlefshme për t’iu bindur autoriteteve në familje: «Ju bashkëshorte, jini të nënshtruara bashkëshortëve tuaj, ashtu si ka hije në Zotin. Ju bij, binduni prindërve në çdo gjë, sepse kjo është e pranueshme për Zotin.» (Kolosianëve 3:18, 20) Pleqtë e kongregacionit janë të denjë për nderimin tonë, sepse ‘fryma e shenjtë i ka vënë kujdestarë që të kullotin kishën [kongregacionin, BR] e Perëndisë’. (Veprat 20:28) Autoritetet njerëzore i nderojmë të shtyrë nga respekti për Jehovain. Natyrisht, në vend të parë në jetën tonë vjen gjithnjë nderimi i autoritetit të Jehovait.—Veprat 5:29.
4 Duke pasur në mendje autoritetin suprem të Jehovait, le të shqyrtojmë shembullin e disave që nuk i respektuan personat që ishin në pozita autoriteti dhe shembullin e disave që e treguan këtë respekt.
Mungesa e respektit çon në mosmiratim
5. Cilin qëndrim pa respekt shfaqi Mikali ndaj Davidit dhe në çfarë çoi kjo?
5 Nga historia e mbretit David mund të kuptojmë se si i konsideron Jehovai ata që përçmojnë autoritetin e dhënë nga Perëndia. Kur Davidi e solli arkën e besëlidhjes në Jerusalem, gruaja e tij Mikal «pa mbretin David që po hidhej dhe kërcente përpara Zotit dhe e përçmoi në zemrën e saj». Mikali duhej ta kishte konsideruar Davidin jo vetëm si kryefamiljar, por edhe si mbretin e vendit. Megjithatë, ajo i shprehu ndjenjat e saj me sarkazëm: «Sa i nderuar ka qenë sot mbreti i Izraelit që u zbulua para syve të shërbëtoreve të shërbëtorëve të tij, ashtu siç do të zbulohej një harbut!» Një pasojë e kësaj ishte që Mikali nuk pati kurrë fëmijë.—2 Samuelit 6:14-23.
6. Si e konsideroi Jehovai mungesën e respektit të Korahut për të mirosurit e Tij?
6 Një shembull flagrant i një personi që nuk ka nderuar udhëheqjen teokratike të caktuar nga Perëndia ishte ai i Korahut. Çfarë privilegji gëzonte ai, si kohathit, për t’i shërbyer Jehovait në tabernakull! Megjithatë, ai gjeti të meta te Moisiu dhe Aaroni, udhëheqësit e mirosur që Perëndia kishte caktuar për izraelitët. Korahu u bashkua me prijës të tjerë të Izraelit dhe me arrogancë i tha Moisiut dhe Aaronit: «Tërë asambleja është e shenjtë, secili nga anëtarët e tij dhe Zoti është në mes tyre; pse, pra, ngriheni mbi asamblenë e Zotit?» Si e konsideroi Jehovai qëndrimin e Korahut dhe të përkrahësve të tij? Perëndia e konsideroi veprimin e tyre si një veprim që çnderonte vetë Jehovain. Pasi panë se si toka i gëlltiti të tërë ata që ishin nga ana e tyre, Korahu dhe të 250 prijësit u shkatërruan me një zjarr nga Jehovai.—Numrat 16:1-3, 28-35.
7. A kishin ‘apostujt tejet të shquar’ ndonjë arsye për të kritikuar autoritetin e Pavlit?
7 Në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë, kishte nga ata që shpërfillnin autoritetin teokratik. ‘Apostujt tejet të shquar’ në kongregacionin korintas mbanin një qëndrim pa respekt ndaj Pavlit. Ata kritikonin aftësinë e tij të të folurit, duke thënë: «Paraqitja e tij trupore është e dobët dhe fjala e tij ka pak peshë.» (2 Korintasve 10:10; 11:5, BR) Qoftë që Pavli ishte një orator i spikatshëm, qoftë që jo, ai meritonte respekt si apostull që ishte. Por, a ishte vërtet pa peshë fjala e Pavlit? Fjalimet e tij publike, të dokumentuara në Bibël, japin dëshmi se sa orator bindës ishte. E pra, si rezultat i një bisede të shkurtër me Herod Agripën II, një «ekspert në të gjitha . . . mosmarrëveshjet midis judenjve», Pavli arriti deri aty sa e bëri mbretin të thoshte: «Brenda pak kohe, do të më kishe bindur të bëhesha i krishterë.» (Veprat 13:15-43; 17:22-34; 26:1-28, BR) E megjithatë, apostujt tejet të shquar në Korint e akuzonin se fjala nuk i kishte peshë! Si e konsideroi Jehovai qëndrimin e tyre? Në një mesazh për mbikëqyrësit e kongregacionit efesian, Jezu Krishti foli në mënyrë të favorshme për ata që refuzuan të tërhiqeshin prej atyre ‘që pretendonin se ishin apostuj dhe nuk ishin’.—Zbulesa 2:2.
Respekt pavarësisht nga papërsosmëria
8. Si e tregoi Davidi se e nderonte autoritetin që Jehovai i kishte dhënë Saulit?
8 Në Bibël ka shumë shembuj të atyre që i nderuan individët me autoritet, edhe kur këta të fundit e keqpërdorën ose abuzuan me autoritetin e tyre. Davidi ishte një shembull i tillë i shkëlqyer. Mbreti Saul, nën të cilin ai shërbente, u bë xheloz për arritjet e Davidit dhe u përpoq ta vriste. (1 Samuelit 18:8-12; 19:9-11; 23:26) Por, edhe pse kishte raste për ta vrarë Saulin, Davidi tha: «Është e pamendueshme nga ana ime, nga pikëpamja e Jehovait, që të shtrij dorën kundër të mirosurit të Jehovait.» (1 Samuelit 24:3-6; 26:7-13, BR) Davidi e dinte se Sauli ishte në gabim, por ia la Jehovait që ta gjykonte. (1 Samuelit 24:12, 15; 26:22-24) Ai nuk foli keq për Saulin, as sy për sy, as prapa krahëve.
9. (a) Si ndihej Davidi kur Sauli e keqtrajtonte? (b) Pse mund të themi që respekti i Davidit për Saulin ishte i sinqertë?
9 A ishte i pikëlluar Davidi ndërsa e keqtrajtonin? «Njerëz të furishëm kërkojnë jetën time»,—i thirri Davidi Jehovait. (Psalmi 54:3) Ai ia zbrazi zemrën Jehovait: «Më çliro nga armiqtë e mi, o Perëndia im. . . . Njerëz të fuqishëm mblidhen kundër meje pa ekzistuar, o Zot, ndonjë faj apo mëkat nga ana ime. Megjithëse nuk ekziston ndonjë gabim nga ana ime, ata nxitojnë dhe përgatiten; zgjohu që të më vish në ndihmë dhe shiko.» (Psalmi 59:1-4) A jeni ndier edhe ju ndonjëherë në të njëjtën mënyrë, domethënë, që nuk i kishit bërë asnjë të keqe një personi me autoritet, e megjithatë ai vazhdonte t’ju shkaktonte vështirësi? Davidi nuk e humbi respektin për Saulin. Kur vdiq Sauli, Davidi, në vend që të hidhej përpjetë nga gëzimi, kompozoi një këngë vaji: «Sauli dhe Jonathani; aq të dashur dhe të përzemërt në jetë. . . . Ishin më të shpejtë se shqiponjat, më të fortë se luanët. Bija të Izraelit, vajtoni Saulin.» (2 Samuelit 1:23, 24) Sa shembull i shkëlqyer i respektit të sinqertë për të mirosurin e Jehovait, ndonëse Sauli e kishte trajtuar padrejtësisht Davidin!
10. Çfarë shembulli të shkëlqyer la Pavli duke nderuar autoritetin që Perëndia i kishte dhënë trupit udhëheqës, dhe ç’rezultat dha kjo?
10 Edhe në epokën e krishterë gjejmë shembuj të spikatshëm të atyre që nderojnë autoritetet e dhëna nga Perëndia. Të marrim, për shembull, Pavlin. Ai tregoi respekt për vendimet e trupit udhëheqës të kongregacionit të krishterë në shekullin e parë. Gjatë vizitës së fundit të Pavlit në Jerusalem, trupi udhëheqës e këshilloi që të bënte pastrimin ceremonial, për t’u treguar të tjerëve se nuk ushqente armiqësi ndaj Ligjit të Moisiut. Pavli mund të kishte arsyetuar: ‘Këta vëllezër më përpara më udhëzuan të largohesha nga Jerusalemi kur më kërcënohej jeta. Tani duan që ta tregoj publikisht se e respektoj Ligjin e Moisiut. Tashmë u kam shkruar një letër galatasve, duke i këshilluar të mos e zbatojnë më Ligjin. Nëse shkoj në tempull, të tjerët mund ta keqkuptojnë veprimin tim duke menduar se po bëj kompromis me ata të klasës së rrethprerë.’ Megjithatë, me sa duket Pavli nuk arsyetoi në këtë mënyrë. Meqë nuk përfshihej asnjë kompromis me parimet e krishtere, ai e respektoi dhe e zbatoi këshillën e trupit udhëheqës të shekullit të parë. Rezultati i menjëhershëm ishte se Pavlin u desh ta shpëtonin nga një turmë judenjsh dhe më pas kaloi dy vjet në burg. Në fund, vullneti i Perëndisë u bë. Pavli dëshmoi para zyrtarëve të lartë në Cezare dhe pastaj e çuan me shpenzimet e qeverisë në Romë, ku dëshmoi para vetë Cezarit.—Veprat 9:26-30; 21:20-26; 23:11; 24:27; Galatasve 2:12; 4:9, 10.
A tregoni respekt?
11. Si mund të tregojmë respekt për autoritetin shekullar?
11 A tregoni respektin e duhur për ata që kanë autoritet? Të krishterët kanë marrë urdhrin t’i ‘japin secilit atë që i takon: . . . nderimin atij që është për nderim’. Në fakt, nënshtrimi ynë ndaj «autoriteteve më të larta» përfshin jo vetëm që të paguajmë taksat, por edhe t’i nderojmë autoritetet me sjelljen dhe me fjalët tona. (Romakëve 13:1-7, BR) Si reagojmë kur hasim nëpunës qeveritarë që mund të jenë të ashpër? Në shtetin Çiapas, Meksikë, autoritetet në një zonë u kishin konfiskuar tokat bujqësore 57 familjeve të Dëshmitarëve të Jehovait, sepse këta të krishterë nuk merrnin pjesë në disa festa fetare. Në mbledhjet që u mbajtën për të zgjidhur çështjen, Dëshmitarët, të veshur pastër e në mënyrë të rregullt, folën gjithnjë me dinjitet dhe respekt. Më shumë se një vit më vonë, vendimi u mor në favorin e tyre. Qëndrimi i tyre fitoi respektin e disa vëzhguesve në masë të tillë, saqë edhe ata donin të bëheshin Dëshmitarë të Jehovait.
12. Përse është e rëndësishme që gratë të kenë «respekt të thellë» për burrat e tyre jobesimtarë?
12 Si mund të tregoni respekt për autoritetin që ka dhënë Perëndia në familje? Pasi mori në shqyrtim shembullin e Jezuit që vuajti të ligën, apostulli Pjetër tha: «Gjithashtu dhe ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj, që, edhe nëse disa nuk i binden fjalës, të fitohen pa fjalë, nga sjellja e grave të tyre, kur të shohin sjelljen tuaj të dëlirë dhe me frikë [me respekt të thellë, BR].» (1 Pjetrit 3:1, 2; Efesianëve 5:22-24) Këtu Pjetri theksoi rëndësinë që një grua t’i nënshtrohet burrit të saj me «respekt të thellë», edhe pse disa burra mund të bëjnë pak për ta merituar këtë respekt. Qëndrimi i respektueshëm i një gruaje mund t’ia fitojë zemrën burrit të saj jobesimtar.
13. Si mund t’i nderojnë gratë burrat e tyre?
13 Në kontekstin e këtyre shkrimeve, Pjetri na e tërheq vëmendjen ndaj shembullit të Sarës, burri i së cilës, Abrahami, ishte një shembull i jashtëzakonshëm besimi. (Romakëve 4:16, 17; Galatasve 3:6-9; 1 Pjetrit 3:6) A duhet që gratë me burra besimtarë t’u japin atyre më pak nderim, sesa u japin gratë burrave jobesimtarë? Po sikur të mos jeni dakord me burrin tuaj për ndonjë çështje? Jezui dha disa këshilla që mund të zbatohen këtu në kuptimin më të gjerë: «Në qoftë se dikush [me autoritet, BR] të detyron të ecësh një milje, ti bëj dy me të.» (Mateu 5:41) A e nderoni burrin tuaj, duke i përkrahur dëshirat e tij? Nëse kjo ju duket tepër e vështirë, ia thoni ndjenjat tuaja për këtë çështje. Mos supozoni që ai e di se si ndiheni. Por, kur t’ia bëni të njohura dëshirat tuaja, bëjeni këtë në mënyrë të respektuar. Bibla na këshillon: «Të folurit tuaj të jetë gjithnjë me hir, i ndrequr me kripë, që të dini se si duhet t’i përgjigjeni gjithsecilit.»—Kolosianëve 4:6.
14. Çfarë përfshin t’u tregosh nderim prindërve?
14 Po ju fëmijë? Fjala e Perëndisë urdhëron: «Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë. ‘Ndero babanë tënd dhe nënën tënde’, ky është urdhërimi i parë me premtim.» (Efesianëve 6:1-3) Vini re se bindja ndaj prindërve konsiderohet njëlloj si ‘nderimi i babait dhe i nënës’. Fjala greke e përkthyer «nderoj» ka kuptimin «të çmosh» ose «të përcaktosh një vlerë». Kështu, për të qenë të bindur kërkohet më shumë sesa të ndiqen pa shumë qejf rregullat e prindërve, të cilat mund t’ju duken të paarsyeshme. Perëndia ju kërkon që t’i çmoni shumë prindërit dhe të vlerësoni udhëheqjen e tyre.—Fjalët e urta (Proverbat) 15:5.
15. Si mund ta mbajnë fëmijët respektin për prindërit, edhe kur mendojnë se prindërit kanë bërë një gabim?
15 Çfarë ndodh nëse prindërit bëjnë diçka që mund t’jua zvogëlojë respektin për ta? Përpiquni t’i shihni gjërat nga këndvështrimi i tyre. A nuk kanë qenë ata që kanë ‘shkaktuar lindjen tuaj’ dhe ju kanë siguruar gjërat e nevojshme? (Proverbat 23:22, BR) A nuk janë të motivuar nga dashuria për ju? (Hebrenjve 12:7-11) Flitni në mënyrë të respektueshme me prindërit tuaj, duke u shpjeguar me butësi se si ndiheni. Edhe sikur të përgjigjen në një mënyrë që nuk ju pëlqen, përmbahuni dhe mos u flitni pa respekt. (Fjalët e urta 24:29) Sillni ndër mend se si Davidi e mbajti respektin për Saulin edhe kur mbreti devijoi dhe nuk ndoqi këshillat e Perëndisë. Kërkojini Jehovait t’ju ndihmojë se si të veproni me ndjenjat tuaja. «Hap zemrën tënde para tij,—tha Davidi.—Perëndia është streha jonë.»—Psalmi 62:8; Vajtimet 3:25-27.
Nderoni ata që marrin drejtimin
16. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i mësuesve të rremë dhe nga ai i engjëjve?
16 Pleqtë e kongregacionit janë emëruar nga fryma e shenjtë, por janë, gjithsesi, të papërsosur dhe bëjnë gabime. (Psalmi 130:3; Predikuesi [Eklisiastiu] 7:20; Veprat 20:28; Jakobit 3:2) Për pasojë, disa në kongregacion mund të ndihen të pakënaqur nga pleqtë. Si duhet të reagojmë kur mendojmë se diçka në kongregacion nuk po trajtohet tamam si duhet ose të paktën duket kështu? Vini re kontrastin ndërmjet mësuesve të rremë të shekullit të parë dhe engjëjve: «Kokëkrisur, kryeneçë, ata [mësuesit e rremë] nuk dridhen nga të lavdishmit, por flasin në mënyrë sharëse, kurse engjëjt, edhe pse janë më të mëdhenj për nga forca dhe fuqia, nuk ngrenë kundër atyre asnjë akuzë me fjalë sharëse nga respekti që kanë për Jehovain.» (2 Pjetrit 2:10-13, BR) Ndërkohë që mësuesit e rremë flitnin në mënyrë sharëse për «të lavdishmit»—për pleqtë të cilëve u ishte dhënë autoritet në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë—engjëjt nuk flitnin në mënyrë sharëse për mësuesit e rremë që po shkaktonin përçarje mes vëllezërve. Engjëjt, duke qenë në një pozitë më të lartë dhe duke pasur një ndjenjë drejtësie më të mprehtë sesa njerëzit, ishin në dijeni të asaj që po ndodhte në kongregacion. E megjithatë, ‘nga respekti për Jehovain’ ata ia lanë gjykimin Perëndisë.—Hebrenjve 2:6, 7; Judës 9.
17. Si hyn në veprim besimi kur trajtohen probleme, për të cilat mendoni se pleqtë po gabojnë?
17 Edhe sikur një gjë të mos kryhet tamam si duhet, a nuk duhet të kemi besim te Jezu Krishti si Kreu i gjallë i kongregacionit të krishterë? A nuk është ai në dijeni të asaj që po ndodh në kongregacionin e tij mbarëbotëror? A nuk duhet ta respektojmë mënyrën e tij për të trajtuar situatën dhe të pranojmë aftësinë e tij për t’i kontrolluar gjërat? Në fakt, ‘kush jemi ne që të gjykojmë një tjetër [të afërmin tonë, BR]’? (Jakobit 4:12; 1 Korintasve 11:3; Kolosianëve 1:18) Përse të mos ia parashtroni Jehovait shqetësimet tuaja në lutje?
18, 19. Çfarë mund të bëni nëse mendoni se një plak ka gabuar?
18 Për shkak të papërsosmërisë njerëzore, mund të lindin vështirësi ose probleme. Madje, mund të ketë raste kur një plak gabon, duke shkaktuar që disa të shqetësohen. Reagimi ynë i nxituar në këto rrethana nuk do ta ndryshojë situatën. Mund të shërbejë vetëm për ta keqësuar problemin. Ata që kanë aftësi shquese frymore presin Jehovain që t’i korrigjojë gjërat dhe të ushtrojë çfarëdo disipline që mund të nevojitet, duke e bërë këtë në kohën dhe në mënyrën e tij.—2 Timoteut 3:16; Hebrenjve 12:7-11.
19 Ç’të themi për rastin kur ndiheni të shqetësuar për ndonjë çështje? Në vend që të flitni me të tjerët në kongregacion, përse të mos u afroheni me respekt pleqve për ndihmë? Pa qenë kritikues, shpjegoni se si jeni ndikuar ju. Kini gjithnjë «ndjenja të përbashkëta» për ta dhe mbani respektin ndërsa u thoni gjërat në mirëbesim. (1 Pjetrit 3:8, BR) Mos përdorni sarkazëm, por besoni në pjekurinë e tyre të krishterë. Vlerësoni çdo inkurajim biblik që ata mund t’ju ofrojnë me dashamirësi. Dhe, nëse duket se nevojiten masa të tjera korrigjuese, kini besim se Jehovai do t’i udhëheqë pleqtë që të bëjnë atë që është e mirë dhe e drejtë.—Galatasve 6:10; 2 Thesalonikasve (Selanikasve) 3:13.
20. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?
20 Megjithatë, ka edhe një aspekt tjetër për të shqyrtuar, lidhur me nderimin dhe respektimin e atyre që janë në pozita autoriteti. Ata që janë në pozita të tilla autoriteti, a nuk duhet t’i respektojnë ata që u janë lënë nën kujdes? Le ta shqyrtojmë këtë në artikullin vijues.
Si do të përgjigjeshit?
• Çfarë arsyeje të vlefshme kemi për të nderuar ata që kanë autoritet?
• Si i konsiderojnë Jehovai dhe Jezui ata që nuk e respektojnë autoritetin e dhënë nga Perëndia?
• Çfarë shembujsh të shkëlqyer kemi për ata që i nderuan personat të cilëve u ishte dhënë autoritet?
• Çfarë mund të bëjmë nëse një person që ka autoritet mbi ne duket se ka gabuar?
[Figura në faqen 12]
Sara e respektonte thellësisht autoritetin e Abrahamit dhe ishte e lumtur
[Figura në faqen 13]
Mikali nuk e respektoi autoritetin e Davidit si kryefamiljar dhe mbret
[Figura në faqen 15]
“Është e pamendueshme nga ana ime . . . të shtrij dorën kundër të mirosurit të Jehovait!”
[Figura në faqen 16]
Përse të mos ia parashtroni Jehovait shqetësimet tuaja në lutje?