Mbaj mirë në mend ditën e Jehovait
«Në ditët e fundit do të vijnë tallës.»—2. PJETRIT 3:3, BR.
1. Çfarë ndjenje urgjence pati një i krishterë i ditëve moderne?
NJË shërbëtor në kohë të plotë për më shumë se 66 vjet, shkroi: «Gjithmonë kam ndjerë një ndjenjë të fortë urgjence. Në mënyrën time të të menduarit, Harmagedoni ka qenë gjithmonë jo më larg se pasnesër. (Zbulesa 16:14, 16) Ashtu si babai dhe gjyshi im, e kam jetuar jetën time siç nxiti apostulli [Pjetër], ‘duke mbajtur mirë në mend praninë e ditës së Jehovait’. Botën e re të premtuar, e kam konsideruar gjithmonë si një ‘realitet edhe pse i paparë’.»—2. Pjetrit 3:11, 12, BR; Hebrenjve 11:1, BR; Isaia 11:6-9; Zbulesa 21:3, 4.
2. Ç’do të thotë të mbash mirë në mend ditën e Jehovait?
2 Shprehja e Pjetrit «duke mbajtur mirë në mend», e cila i referohet ditës së Jehovait, do të thotë se ne në mendjen tonë, nuk e shtyjmë atë ditë. Nuk duhet të harrojmë se dita kur Jehovai do të shkatërrojë këtë sistem gjërash, si një masë paraprake për vendosjen e botës së tij të re të premtuar, është shumë pranë. Ajo duhet të jetë kaq reale për ne, sa ta shohim qartë, si të jetë tamam para nesh. Kaq reale ishte ajo për profetët e Perëndisë të kohëve të lashta dhe shpesh ata folën për të, si të ishte pranë.—Isaia 13:6; Joeli 1:15; 2:1; Abdia 15; Sofonia 1:7, 14.
3. Me sa duket, çfarë e nxiti këshillën e Pjetrit lidhur me ditën e Jehovait?
3 Përse Pjetri na nxit që ditën e Jehovait ta konsiderojmë sikur mund të vijë, si të thuash, «pasnesër»? Sepse me sa duket, disa kishin filluar të talleshin me idenë e pranisë së premtuar të Krishtit, gjatë së cilës keqbërësit do të dënoheshin. (2. Pjetrit 3:3, 4) Kështu që në kapitullin 3 të letrës së tij të dytë, që do të marrim tani në shqyrtim, Pjetri u jep përgjigje akuzave të këtyre tallësve.
Një thirrje e ngrohtë për t’u kujtuar
4. Çfarë dëshiron Pjetri që të kujtojmë ne?
4 Përzemërsia e Pjetrit ndaj vëllezërve të tij, tregohet nga fakti se në këtë kapitull, ai u drejtohet atyre herë pas here si «të dashurve». Duke u bërë thirrje me ngrohtësi që të mos harrojnë atë që u ishte mësuar, Pjetri fillon: «Të dashur, . . . po zgjoj aftësitë tuaja të qarta të të menduarit, sipas mënyrës së një përkujtuesi, që ju të kujtoni ato që janë thënë më parë nga profetët e shenjtë dhe urdhërimin e Zotërisë dhe Shpëtimtarit nëpërmjet apostujve tuaj.»—2. Pjetrit 3:1, 2, 8, 14, 17, BR; Juda 17.
5. Çfarë thanë disa profetë rreth ditës së Jehovait?
5 Cilat ‘gjëra që janë thënë më parë nga profetët e shenjtë’ i nxit Pjetri lexuesit të kujtojnë? Janë ato në lidhje me praninë e Krishtit në fuqinë e Mbretërisë dhe me gjykimin e të paperëndishmëve. Më parë, Pjetri kishte tërhequr vëmendjen ndaj këtyre thënieve. (2. Pjetrit 1:16-19; 2:3-10) Juda i referohet Enokut, i cili ishte profeti i parë i regjistruar, që paralajmëroi rreth gjykimit të pafavorshëm të Perëndisë mbi bërësit e së ligës. (Juda 14, 15) Enoku u pasua nga profetë të tjerë dhe Pjetri nuk dëshiron që ne t’i harrojmë ato që u shkruan prej tyre.—Isaia 66:15, 16; Sofonia 1:15-18; Zaharia 14:6-9.
6. Cilat thënie të Krishtit dhe apostujve të tij na ndriçojnë në lidhje me ditën e Jehovait?
6 Përveç kësaj, Pjetri u thotë lexuesve të tij që të kujtojnë «urdhërimin e Zotërisë dhe Shpëtimtarit». Urdhërimi i Jezuit përfshin thirrjen: «Kushtojini kujdes vetes që zemrat tuaja të mos bëhen të rënduara . . . dhe ajo ditë të mos jetë befas menjëherë mbi ju, si një grackë.» «Vazhdoni të shikoni, vazhdoni të rrini zgjuar, sepse nuk e dini se kur është koha e caktuar.» (Luka 21:34-36, BR; Marku 13:33, BR) Pjetri na nxit, gjithashtu, që t’ua vëmë veshin thënieve të apostujve. Apostulli Pavël, për shembull, shkroi: «Dita e Jehovait po vjen tamam si një vjedhës natën. Atëherë, pra, le të mos flemë, siç bëjnë të tjerët, por le të rrimë zgjuar dhe të ruajmë ekuilibrin.»—1. Selanikasve [Thesalonikasve] 5:2, 6, BR.
Dëshirat e tallësve
7, 8. (a) Çfarë lloj njerëzish janë ata që tallen me mesazhet paralajmëruese të Perëndisë? (b) Çfarë deklarojnë tallësit?
7 Siç u vërejt më parë, arsyeja e këshillës së Pjetrit, ishte se disa kishin filluar të talleshin me paralajmërime të tilla, ashtu si izraelitët e kohëve të mëparshme kishin vënë në lojë profetët e Jehovait. (2. Kronikave 36:16) Pjetri shpjegon: «Sepse ju dini së pari këtë, se në ditët e fundit do të vijnë tallës me talljet e tyre, duke vepruar sipas dëshirave të veta.» (2. Pjetrit 3:3, BR) Juda thotë se dëshirat e këtyre tallësve janë «për gjëra të paperëndishme». Ai i quan ata «njerëz kafshërorë, që nuk kanë gjendje frymore».—Juda 17-19, BR.
8 Mësuesit e rremë për të cilët Pjetri tha se «shkojnë pas mishit me dëshirën për ta ndotur», ka të ngjarë të jenë mes këtyre tallësve, që nuk kanë gjendje frymore. (2. Pjetrit 2:1, 10, 14, BR) Duke i vënë në lojë, pyesin të krishterët besimplotë: «Ku është kjo prania e premtuar e tij? Ja, që nga dita kur stërgjyshërit tanë ranë në gjumin e vdekjes, të gjitha gjërat po vazhdojnë tamam si që nga fillimi i krijimit.»—2. Pjetrit 3:4, BR.
9. (a) Përse tallësit përpiqen ta minojnë ndjenjën e urgjencës që përshkon Fjalën e Perëndisë? (b) Si është një mbrojtje për ne mbajtja mirë në mend e ditës së Jehovait?
9 Përse vallë kjo tallje? Përse hedhin idenë se prania e Krishtit nuk do të ndodhë kurrë dhe se Perëndia nuk ka ndërhyrë kurrë në çështjet njerëzore dhe as që ka për të ndërhyrë? E pra, duke minuar ndjenjën e urgjencës që përshkon Fjalën e Perëndisë, këta tallës kafshërorë kërkojnë t’i nanurisin të tjerët në një gjendje apatie frymore, duke i bërë kështu pre të lehtë ndaj joshjeve egoiste. Çfarë inkurajimi i fuqishëm për ne sot, që të qëndrojmë frymësisht zgjuar! Le ta mbajmë mirë në mend ditën e Jehovait dhe të kujtojmë gjithmonë se sytë e tij janë mbi ne! Kështu do të jemi të nxitur që t’i shërbejmë Jehovait me zell dhe të mbajmë pastërtinë tonë morale.—Psalmi 11:4; Isaia 29:15; Ezekieli 8:12; 12:27; Sofonia 1:12.
Të vullnetshme dhe të përçmueshme
10. Si e provon Pjetri se tallësit e kanë gabim?
10 Tallës të tillë shpërfillin një fakt jetësor. Ata e shpërfillin atë me qëllim dhe përpiqen t’i bëjnë të tjerët ta harrojnë. Pse? Që t’i joshin më lehtë njerëzit. «Sepse, sipas dëshirës së tyre,—shkruan Pjetri,—ky fakt i shpëton vëmendjes së tyre.» Cili fakt? «Se që nga kohët e lashta kishte qiej dhe një tokë, e cila qëndronte në mënyrë kompakte jashtë ujit dhe në mes të ujit, me anë të fjalës së Perëndisë dhe me anë të këtyre mjeteve bota e asaj kohe vuajti shkatërrimin, kur u përmbyt nga uji.» (2. Pjetrit 3:5, 6, BR) Po, Jehovai e çliroi tokën nga ligësia gjatë Përmbytjes në ditët e Noes, një fakt që edhe Jezui e theksoi. (Mateu 24:37-39; Luka 17:26, 27; 2. Pjetrit 2:5) Pra, në kundërshtim me atë që thonë tallësit, të gjitha gjërat nuk kanë vazhduar «tamam si që nga fillimi i krijimit».
11. Cilat pritje të parakohshme të të krishterëve të hershëm, bënë që disa të talleshin me ta?
11 Tallësit mund t’i kenë vënë vërtet në lojë të krishterët besimplotë, sepse deri në atë moment gjërat që ata prisnin, nuk ishin realizuar. Pak përpara se të vdiste Jezui, dishepujt e tij «po imagjinonin se mbretëria e Perëndisë do ta shfaqte veten menjëherë». Pastaj, pas ringjalljes së tij, ata pyetën nëse Mbretëria do të vendosej pikërisht atëherë. Gjithashtu, rreth dhjetë vjet përpara se Pjetri të shkruante letrën e tij të dytë, disa ishin «të ngacmuar» nga një «mesazh gojor» apo «një letër», që thuhej se qe prej apostullit Pavël apo shokëve të tij, «sipas të cilit dita e Jehovait është këtu». (Luka 19:11, BR; 2. Selanikasve 2:2, BR; Veprat 1:6) Megjithatë, pritje të tilla nga ana e dishepujve të Jezuit, nuk ishin të rreme, por vetëm të parakohshme. Dita e Jehovait do të vinte!
Fjala e Perëndisë është e besueshme
12. Si doli e besueshme Fjala e Perëndisë në profecitë e tij në lidhje me «ditën e Jehovait»?
12 Siç u vu re më sipër, profetët para të krishterëve paralajmëruan shpesh se dita hakmarrëse e Jehovait ishte afër. Një «ditë e Jehovait» në miniaturë erdhi në vitin 607 p.e.s., kur Jehovai ekzekutoi hakmarrjen mbi popullin e tij rebel. (Sofonia 1:14-18) Më vonë, kombe të tjera, duke përfshirë Babiloninë dhe Egjiptin, vuajtën një ‘ditë Jehovai’ të tillë. (Isaia 13:6-9; Jeremia 46:1-10; Abdia 15) Edhe fundi i sitemit judaik të shekullit të parë ishte parathënë dhe ndodhi kur ushtritë romake shkretuan Judenë në vitin 70 të e.s. (Luka 19:41-44; 1. Pjetrit 4:7) Por Pjetri e drejton vëmendjen tek një ‘ditë e Jehovait’ e ardhme, një ditë që për nga madhësia do ta bëjë të duket e vogël edhe Përmbytjen globale!
13. Cili shembull historik tregon sigurinë për fundin e këtij sistemi gjërash?
13 Pjetri e paraqet përshkrimin e tij për këtë shkatërrim që po vjen, duke thënë: «Por me anë të së njëjtës fjalë.» Ai sapo kishte thënë «me anë të fjalës së Perëndisë», toka e para-Përmbytjes qëndroi «jashtë ujit dhe në mes të ujit». Kjo situatë, e përshkruar në tregimin biblik të krijimit, bëri të mundur Përmbytjen, kur ujërat u derdhën nën drejtimin e Perëndisë, apo të fjalës. Pjetri vazhdon: «Me anë të së njëjtës fjalë [të Perëndisë] qiejt dhe toka që janë tani, janë ruajtur për zjarrin dhe po rezervohen për ditën e gjykimit dhe të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm.» (2. Pjetrit 3:5-7, BR; Zanafilla 1:6-8) Për këtë, kemi fjalën e besueshme të Jehovait! Ai do t’u japë fund «qiejve dhe tokës», këtij sistemi gjërash, në zemërimin flakërues të ditës së tij të madhe! (Sofonia 3:8) Po kur?
Padurim për fundin që duhet të vijë
14. Përse mund të jemi të sigurt se tani po jetojmë në «ditët e fundit»?
14 Dishepujt e Jezuit dëshironin të dinin se kur do të vinte fundi, kështu që e pyetën: «Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit të gjërave?» Me sa duket ata po pyesnin se kur do të merrte fund sistemi judaik, por përgjigjja e Jezuit u përqendrua në radhë të parë në atë se kur do ta vuanin shkatërrimin ‘qiejtë dhe toka’ e tanishme. Jezui paratha gjëra të tilla si: luftëra të mëdha, mungesë ushqimi, tërmete, sëmundje dhe krime. (Mateu 24:3-14, BR; Luka 21:5-36) Që prej vitit 1914, kemi parë shenjën që po përmbushet, të cilën Jezui e dha për «përfundimin e sistemit të gjërave», si dhe gjërat e përmendura nga apostulli Pavël, të cilat do të identifikonin «ditët e fundit». (2. Timoteut 3:1-5) Vërtet, është e pakundërshtueshme dëshmia se ne po jetojmë në kohën e fundit të këtij sistemi gjërash!
15. Çfarë kanë qenë të prirur të bëjnë të krishterët, pavarësisht nga paralajmërimi i Jezuit?
15 Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë të paduruar për ta ditur se kur do të ndodhë dita e Jehovait. Në padurimin e tyre, kanë bërë ndonjëherë orvatje për ta llogaritur se kur mund të vijë ajo. Por duke vepruar kështu, nuk ia kanë vënë veshin, ashtu si dhe dishepujt e hershëm të Krishtit, paralajmërimit të Mësuesit të tyre që ne «nuk e dimë se kur është koha e caktuar». (Marku 13:32, 33, BR) Tallësit i kanë vënë në lojë të krishterët besimplotë për pritjet e tyre të parakohshme. (2. Pjetrit 3:3, 4) Por megjithatë, dita e Jehovait do të vijë, pohon Pjetri, sipas orarit të Tij.
Domosdoshmëria për të pasur pikëpamjen e Jehovait
16. Cilit paralajmërim ia vëmë veshin në mënyrë të mençur?
16 Ne duhet të kemi pikëpamjen e Jehovait në lidhje me kohën, si na e kujton edhe Pjetri: «Megjithatë, të dashur, le të mos i shpëtojë vëmendjes suaj ky fakt, se një ditë është për Jehovain si një mijë vjet dhe një mijë vjet si një ditë.» Sa e shkurtër është jeta jonë 70-80 vjeçare, e vënë në krahasim me këtë! (2. Pjetrit 3:8, BR; Psalmi 90:4, 10) Kështu që, nëse përmbushja e premtimeve të Perëndisë duket se vonon, duhet të pranojmë paralajmërimin e profetit të Perëndisë: «Edhe sikur [koha e caktuar] të vonojë, rrini në pritje të saj, sepse patjetër do të dalë e vërtetë. Ajo nuk do të vonojë.»—Habakuku 2:3, BR.
17. Megjithëse ditët e fundit kanë vazhduar më gjatë nga ç’prisnin shumë veta, për çfarë mund të jemi të sigurt?
17 Përse ditët e fundit të këtij sistemi kanë vazhduar më gjatë se ç’pritej prej shumë vetave? Për një arsye të mrekullueshme, siç e shpjegon më pas Pjetri: «Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij, siç e konsiderojnë ngadalësinë disa njerëz, por është i duruar me ju, sepse dëshiron që askush të mos shkatërrohet, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim.» (2. Pjetrit 3:9, BR) Jehovai merr në konsideratë atë që është në interesin më të mirë të të gjithë njerëzimit. Shqetësimi i tij ka të bëjë me jetën e njerëzve, si thotë ai vetë: «Unë gjej kënaqësi jo në vdekjen e të ligut, por në atë që ndonjë i ligë të kthehet nga rruga e tij dhe në të vërtetë të vazhdojë të jetojë.» (Ezekieli 33:11, BR) Pra, mund të jemi të sigurt se fundi do të vijë tamam në kohën e duhur, për të përmbushur qëllimin e Krijuesit tonë tejet të mençur e të dashur!
Çfarë do të kalojë?
18, 19. (a) Përse Jehovai është i vendosur ta shkatërrojë këtë sistem gjërash? (b) Si e përshkruan Pjetri fundin e këtij sistemi dhe çfarë do të shkatërrohet në fakt?
18 Meqenëse Jehovai i do me të vërtetë ata që i shërbejnë, ai do të shfarosë të gjithë ata që shkaktojnë hidhërime. (Psalmi 37:9-11, 29) Duke vënë re, siç bëri më parë Pavli, se ky shkatërrim do të vijë në një kohë të papritur, Pjetri shkruan: «Dita e Jehovait do të vijë si një hajdut, në të cilën qiejtë do të kalojnë me një zhurmë vërshëllyese, por elementët duke qenë tepër të nxehtë do të shpërbëhen dhe toka e veprat që janë në të do të zbulohen.» (2. Pjetrit 3:10, BR; 1. Selanikasve 5:2) Qiejtë dhe toka fizike nuk u zhdukën gjatë Përmbytjes dhe as nuk do të zhduken gjatë ditës së Jehovait. Po atëherë, çfarë do të «kalojë», apo do të shkatërrohet?
19 Qeveritë njerëzore që e kanë sunduar njerëzimin ngjashëm ‘qiejve’, do të marrin fund dhe po kështu edhe ‘toka’, apo shoqëria njerëzore e paperëndishme. «Zhurma vërshëllyese» ndoshta tregon kalimin e vrullshëm të qiejve. «Elementët» që përbëjnë shoqërinë e sotme dekadente njerëzore, do të «shpërbëhen» ose shkatërrohen. «Toka», përfshirë dhe «veprat në të», do të «zbulohen». Jehovai do t’i demaskojë plotësisht veprat e liga të njerëzve, ndërsa i jep fundin e tij më se të merituar një sistemi të tërë botëror.
Mbaje përqendrimin tek shpresa jote
20. Si duhet të ndikohet jeta jonë nga njohuria mbi ngjarjet që shtrihen përpara?
20 Meqenëse këto ngjarje dramatike janë pranë, Pjetri thotë se duhet të përfshihemi «në vepra të shenjta sjelljeje dhe veprime të devotshmërisë hyjnore, duke pritur dhe duke mbajtur mirë në mend praninë e ditës së Jehovait». Për të nuk mund të ketë asnjë dyshim! «Qiejtë, që kanë marrë zjarr, do të shpërbëhen dhe elementët, duke qenë tepër të nxehtë, do të treten!» (2. Pjetrit 3:11, 12, BR) Fakti që këto ngjarje dramatike mund të fillojnë të ndodhin që nesër, duhet të ndikojë në çdo gjë që bëjmë apo planifikojmë të bëjmë.
21. Ç’gjëra do t’i zëvendësojnë qiejtë dhe tokën e tanishme?
21 Tani, Pjetri na tregon se ç’gjë do ta zëvendësojë sistemin e vjetër, duke thënë: «Por sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj dhe tokë të re dhe në to do të banojë drejtësia.» (2. Pjetrit 3:13, BR; Isaia 65:17) Oh, ç’lehtësim i madh! Krishti dhe 144.000 bashkësundimtarët e tij, do të përbëjnë «qiejtë e rinj» qeveritarë dhe njerëzit që do të mbijetojnë fundin e kësaj bote, do të përbëjnë «tokën e re».—1. Gjonit 2:17; Zbulesa 5:9, 10; 14:1, 3.
Të mbajmë ndjenjën e urgjencës dhe pastërtinë morale
22. (a) Çfarë do të na ndihmojë për të shmangur çdo njollë apo të metë frymore? (b) Rreth cilit rrezik paralajmëron Pjetri?
22 «Pra, të dashur,—vazhdon Pjetri,—meqenëse jeni duke pritur këto gjëra, bëni të pamundurën, që së fundi të gjendeni prej tij të panjollë, të patëmetë e në paqe. Për më tepër, shqyrtoni durimin e Zotërisë sonë si shpëtim.» Duke pasur një parapritje të paduruar dhe duke e konsideruar çdo vonesë në dukje të ditës së Jehovait si një shprehje të durimit hyjnor, do të ndihmohemi që të shmangim çdo ndotje apo të metë frymore. Megjithatë, rreziku ekziston! Pjetri paralajmëron se në shkrimet e «vëllait tonë të dashur Pavël . . . janë disa gjëra të vështira për t’u kuptuar, të cilat të pamësuarit dhe të lëkundshmit po i shtrembërojnë, siç bëjnë edhe me pjesën tjetër të Shkrimeve, për shkatërrimin e atyre vetë».—2. Pjetrit 3:14-16, BR.
23. Cili është paralajmërimi përmbyllës i Pjetrit?
23 Me sa duket, mësuesit e rremë i shtrembëruan shkrimet e Pavlit mbi dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë, duke i përdorur ato si një justifikim për sjellje të shthurur. Ndoshta Pjetri ka këtë ndër mend, kur shkruan paralajmërimin e tij të ndarjes: «Prandaj, ju të dashur, duke pasur këtë njohuri të paradhënë, ruhuni që të mos tërhiqeni me ta nga gabimi i njerëzve që sfidojnë ligjin dhe të mos bini nga palëkundshmëria juaj.» Pastaj, ai e mbyll letrën e tij, duke nxitur: «Vazhdoni të rriteni në dashamirësinë e pamerituar dhe njohurinë e Zotërisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.»—2. Pjetrit 3:17, 18, BR.
24. Cilin qëndrim duhet të përqafojnë të gjithë shërbëtorët e Jehovait?
24 Qartë, Pjetri dëshiron të forcojë vëllezërit e tij. Ai dëshiron që të gjithë të kenë qëndrimin e shprehur nga Dëshmitari 82-vjeçar, i cituar në fillim: «E kam jetuar jetën time siç nxiti apostulli, ‘duke mbajtur mirë në mend praninë e ditës së Jehovait’. Botën e re të premtuar, e kam konsideruar gjithmonë si një ‘realitet edhe pse i paparë’.» Të gjithë ne, e jetofshim jetën në të njëjtën mënyrë!
Si do të përgjigjeshe?
◻ Ç’do të thotë ‘të mbash mirë në mend ditën e Jehovait’?
◻ Çfarë shpërfillin me qëllim tallësit dhe pse?
◻ Për ç’arsye tallësit i kanë vënë në lojë të krishterët besimplotë?
◻ Cilën pikëpamje duhet të mbajmë?
[Figura në faqen 23]
Mbaj mirë në mend ditën e Jehovait . . .
[Figura në faqen 24]
. . . dhe botën e re që do ta pasojë