Sa i fortë është besimi yt te ringjallja?
«Unë jam ringjallja dhe jeta. Ai që ushtron besim tek unë, edhe sikur të vdesë, do të vijë në jetë.»—GJONI 11:25, BR.
1, 2. Pse një adhurues i Jehovait ka nevojë për siguri në shpresën e ringjalljes?
SA E fortë është shpresa jote te ringjallja? A të forcon ajo përballë frikës nga vdekja dhe a të ngushëllon, kur vdekja të rrëmben njerëz të dashur? (Mateu 10:28; 1. Selanikasve [Thesalonikasve] 4:13) A je si shumë prej shërbëtorëve të Perëndisë në lashtësi, që duruan fshikullime, tallje, tortura dhe pranga burgu, të forcuar nga besimi te ringjallja?—Hebrenjve 11:35-38.
2 Po, një adhurues i vërtetë i Jehovait nuk duhet të ketë fare dyshime se do të ketë një ringjallje dhe siguria e tij duhet të ndikojë në mënyrën se si e jeton jetën. Është e mrekullueshme të reflektosh mbi faktin se në kohën e duhur sipas Perëndisë, deti, vdekja dhe Hadesi do t’i dorëzojnë të vdekurit që janë në ta dhe këta të ringjallur do të kenë perspektivën për të jetuar përgjithmonë në një tokë parajsore.—Zbulesa 20:13; 21:4, 5.
Dyshime rreth jetës së ardhshme
3, 4. Çfarë besojnë ende shumë veta në lidhje me jetën pas vdekjes?
3 I ashtuquajturi krishterim ka mësuar prej shumë kohësh se pas vdekjes ka jetë. Një artikull në revistën U.S. Catholic (SHBA katolike) thoshte: «Përgjatë epokave, të krishterët janë përpjekur t’i pranojnë me qetësi zhgënjimet dhe vuajtjet e kësaj jete, duke pritur me padurim një jetë tjetër, një jetë paqeje dhe kënaqësie, plotësimi dhe lumturie.» Megjithëse në një numër vendesh të të ashtuquajturit krishterim njerëzit janë bërë afetarë dhe disi cinikë në lidhje me fenë, shumë veta mendojnë ende se pas vdekjes duhet të ketë diçka. Por ka shumë gjëra, për të cilat nuk janë të sigurt.
4 Një artikull në revistën Time, vërente: «Njerëzit besojnë ende në [një jetë të përtejme]: puna është që koncepti i tyre se çfarë është kjo saktësisht është bërë gjithnjë e më i mjegullt dhe për të dëgjojnë shumë më rrallë nga pastorët e tyre.» Pse shërbëtorët fetarë flasin më pak se më parë rreth një jete të përtejme? Studiuesi fetar Xhefri Bërtën Rasëll thotë: «Mendoj se [klerikët] dëshirojnë t’i bëjnë bisht kësaj teme, pasi mendojnë se do t’u duhet t’i ngjiten një muri skepticizmi të përhapur.»
5. Si e konsiderojnë sot shumë veta doktrinën e ferrit të zjarrtë?
5 Në shumë kisha, jeta e përtejme përfshin një qiell dhe një ferr të zjarrtë. Gjithashtu, nëse klerikët ngurrojnë të flasin për qiellin, ata ngurrojnë akoma më shumë të flasin për ferrin. Një artikull gazete thoshte: «Këto ditë, edhe kishat që besojnë në ndëshkimin e përjetshëm në një ferr fizik . . . e minimizojnë konceptin.» Në të vërtetë, shumica e teologëve modernë nuk besojnë më se ferri është një vend real mundimesh, siç mësohej në Mesjetë. Përkundrazi, ata favorizojnë një variant më «njerëzor» për ferrin. Sipas shumë modernistëve, mëkatarët në ferr nuk torturohen me të vërtetë, por vuajnë për shkak të «ndarjes së tyre frymore prej Perëndisë».
6. Si e vërejnë disa se besimi i tyre është i pamjaftueshëm, kur hasin ndonjë tragjedi?
6 Zbutja e doktrinës kishtare për të mos fyer ndjeshmërinë moderne mund t’i ndihmojë disa të shmangin mungesën e popullaritetit, por lë me miliona frekuentues të sinqertë të kishës duke pyetur veten se çfarë të besojnë. Kështu, kur ndodhen ballë për ballë me vdekjen, shpesh këta vërejnë se u mungon besimi. Qëndrimi i tyre është si ai i një gruaje që humbi disa anëtarë të familjes në një aksident tragjik. Kur u pyet nëse besimi i saj fetar i kishte sjellë ngushëllim, u përgjigj me ngurrim: «Ma merr mendja se po.» Por edhe sikur të ishte përgjigjur me siguri se besimi i saj fetar e kishte ndihmuar, ç’dobi afatgjatë do të kishte ai, nëse bindjet e saj nuk kishin themele të forta? Ky është një shqyrtim i rëndësishëm sepse, në të vërtetë, ajo që mësojnë shumica e kishave në lidhje me një jetë të ardhshme është shumë ndryshe nga ajo që mëson Bibla.
Pikëpamja e të ashtuquajturit krishterim për jetën pas vdekjes
7. (a) Cilin besim kanë të përbashkët shumica e kishave? (b) Si e përshkroi një teolog doktrinën e shpirtit të pavdekshëm?
7 Pavarësisht nga ndryshimet e tyre, pothuajse të gjitha sektet e të ashtuquajturit krishterim janë dakord se njerëzit kanë një shpirt të pavdekshëm, i cili pas vdekjes së trupit, mbijeton. Shumica besojnë se kur një person vdes, shpirti i tij mund të shkojë në qiell. Disa kanë frikë se shpirti i tyre mund të shkojë në një ferr të zjarrtë ose në purgator. Por ideja e një shpirti të pavdekshëm është në qendër të pikëpamjes së tyre për një jetë të ardhshme. Teologu Oskar Kulman, në një ese të botuar në librin Immortality and Resurrection (Pavdekësi dhe ringjallje), duke komentuar në lidhje me këtë, shkroi: «Nëse do të pyetnim sot një të krishterë të zakonshëm . . . se cili mendon ai që është mësimi i Besëlidhjes së Re në lidhje me fatin e njeriut pas vdekjes, me përjashtime të rralla, do të merrnim përgjigjen: ‘Pavdekësia e shpirtit.’» Megjithatë, Kulman shtoi: «Kjo ide e pranuar gjerësisht është njëra prej keqkuptimeve më të mëdha të krishterimit.» Kulman vërejti se kur e tha këtë për herë të parë, shkaktoi një shpërthim indinjate. Por megjithatë, kishte të drejtë.
8. Cilën shpresë vuri Jehovai përpara burrit dhe gruas së parë?
8 Perëndia Jehova nuk i krijoi njerëzit që pasi të vdisnin të shkonin në qiell. Nuk ishte aspak qëllimi i tij fillestar që ata të vdisnin. Adami dhe Eva ishin krijuar të përsosur dhe u ishte dhënë mundësia ta mbushnin tokën me pasardhës të drejtë. (Zanafilla 1:28; Ligji i përtërirë 32:4) Prindërve tanë të parë iu tha se do të vdisnin vetëm nëse nuk do t’i bindeshin Perëndisë. (Zanafilla 2:17) Nëse do të kishin mbetur të bindur ndaj Atit të tyre qiellor, ata do të kishin vazhduar të jetonin përgjithmonë në tokë.
9. (a) Cila është e vërteta në lidhje me shpirtin njerëzor? (b) Çfarë i ndodh shpirtit kur vdes?
9 Por, mjerisht, Adami dhe Eva nuk iu bindën Perëndisë. (Zanafilla 3:6, 7) Pasojat tragjike janë përshkruar nga apostulli Pavël: «Nëpërmjet një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe vdekja nëpërmjet mëkatit dhe kështu vdekja u përhap te të gjithë njerëzit, sepse të gjithë ata kishin mëkatuar.» (Romakëve 5:12, BR) Në vend që të jetonin përgjithmonë në tokë, Adami dhe Eva vdiqën. Çfarë ndodhi më pas? A patën ata shpirtra të pavdekshëm që tani, për shkak të mëkatit të tyre, mund t’i dorëzoheshin një ferri të zjarrtë? Përkundrazi, Bibla thotë se më parë, kur u krijua, Adami «u bë një shpirt i gjallë». (Zanafilla 2:7, BR) Njeriut nuk iu dha një shpirt; ai u bë një shpirt, një person i gjallë. (1. Korintasve 15:45, BR) Ja sepse, jo vetëm Adami ishte një «shpirt i gjallë», por, siç tregohet në gjuhën hebraike, në të cilën u shkrua Zanafilla, edhe kafshët më të ulëta ishin «shpirtra të gjallë»! (Zanafilla 1:24, BR) Kur Adami dhe Eva vdiqën, u bënë shpirtra të vdekur. Së fundi, atyre u ndodhi pikërisht ashtu siç i kishte thënë Jehovai Adamit: «Me djersën e fytyrës sate do të hash bukë derisa të kthehesh në dhe, sepse prej tij u more. Sepse pluhur je dhe në pluhur do të kthehesh.»—Zanafilla 3:19, BR.
10, 11. Çfarë pranon New Catholic Encyclopedia në lidhje me mësimin biblik mbi shpirtin dhe ku ngjason kjo me atë që thotë Bibla?
10 Në thelb, New Catholic Encyclopedia është dakord me këtë. Në artikullin e saj «Shpirti (në Bibël)», thuhet: «Në BV [‘Besëlidhja e vjetër’ ose Shkrimet Hebraike] nuk ka ndarje në dy pjesë të trupit dhe të shpirtit.» Ajo shton se në Bibël, fjala «shpirt» «nuk nënkupton kurrë shpirtin si të dallueshëm nga trupi apo nga personi individual». Në të vërtetë, shpesh shpirt «do të thotë vetë qenia individuale, qoftë e kafshëve, qoftë e njerëzve». Një çiltërsi e tillë është freskuese, por një person me të drejtë do të pyeste veten se përse frekuentuesit e kishave në përgjithësi, nuk janë vënë në dijeni për këto fakte.
11 Sa merak dhe frikë do të kishin kursyer frekuentuesit e kishave, nëse do të kishin ditur të vërtetën e thjeshtë biblike: «Shpirti që mëkaton, ai vetë do të vdesë», jo do të vuajë në ferr! (Ezekieli 18:4, BR) Edhe pse kjo është shumë e ndryshme nga ajo që mëson i ashtuquajturi krishterim, është krejtësisht në përputhje me atë që tha nën frymëzim burri i mençur Solomon: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por, sa për të vdekurit, ata nuk janë të vetëdijshëm për asgjë, as nuk kanë më pagë [në këtë jetë], sepse kujtimi i tyre është harruar. Gjithçka që dora jote gjen për të bërë, bëje me fuqinë tënde, sepse nuk ka punë, as plane, as njohuri, as mençuri në Sheol [varri i përbashkët i njerëzimit], vendi ku po shkon.»—Eklisiastiu (Predikuesi) 9:5, 10, BR.
12. Nga e mori i ashtuquajturi krishterim mësimin e tij mbi shpirtin e pavdekshëm?
12 Pse i ashtuquajturi krishterim mëson diçka kaq të ndryshme nga ajo që thotë Bibla? New Catholic Encyclopedia, në artikullin e saj «Shpirti, njeriu, pavdekësia e», thotë se etërit e hershëm të kishës e gjetën mbështetjen për besimin te një shpirt i pavdekshëm jo në Bibël, por te «poetët, filozofët dhe tradita e përgjithshme e mendimit grek . . . Më vonë, studiuesit preferuan të përdornin Platonin ose parime prej Aristotelit». Aty pohohet se «ndikimi i mendimit platonik dhe neoplatonik», duke përfshirë edhe besimin te shpirti i pavdekshëm, u fut së fundi «pikërisht në zemër të teologjisë së krishterë».
13, 14. Pse është e paarsyeshme të shpresosh të sqarohesh nga filozofët paganë grekë?
13 A duhej që ata, të cilët mbaheshin si të krishterë, t’u drejtoheshin filozofëve grekë, për të mësuar diçka kaq themelore sa shpresa e jetës pas vdekjes? Sigurisht që jo. Kur Pavli u shkroi të krishterëve që jetonin në Korint të Greqisë, tha: «Mençuria e kësaj bote është marrëzi para Perëndisë, sepse është shkruar: ‘Ai i zë të mençurit në dhelpërinë e atyre vetë.’ Dhe përsëri: ‘Jehovai e di se arsyetimet e njerëzve të mençur janë të kota.’» (1. Korintasve 3:19, 20, BR) Grekët e lashtë ishin adhurues të idhujve. E si mund të ishin, pra, burim i së vërtetës? Pavli i pyeti korintasit: «Çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ne jemi tempull i një Perëndie të gjallë, ashtu si Perëndia tha: ‘Unë do të banoj mes tyre, do të eci mes tyre, do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im.’»—2. Korintasve 6:16, BR.
14 Zbulimi i të vërtetave të shenjta u dha fillimisht nëpërmjet kombit të Izraelit. (Romakëve 3:1, 2) Pas vitit 33 të e.s., u dha nëpërmjet kongregacionit të të krishterëve të mirosur të shekullit të parë. Pavli, duke folur për të krishterët e shekullit të parë, tha: «Neve na i ka zbuluar Perëndia [gjërat e përgatitura për ata që e duan] nëpërmjet frymës së tij.» (1. Korintasve 2:10, BR; shiko edhe Zbulesën 1:1, 2.) Doktrina e të ashtuquajturit krishterim mbi pavdekësinë e shpirtit ka rrjedhur nga filozofia greke. Nuk u zbulua nëpërmjet zbulesave që Perëndia i bëri Izraelit ose nëpërmjet kongregacionit të shekullit të parë të të krishterëve të mirosur.
Shpresa e vërtetë për të vdekurit
15. Sipas Jezuit, cila është shpresa e vërtetë për të vdekurit?
15 Nëse nuk ka shpirt të pavdekshëm, cila është shpresa e vërtetë për të vdekurit? Është, sigurisht, ringjallja, një doktrinë qendrore biblike dhe një premtim hyjnor vërtet i mrekullueshëm. Jezui e prezantoi shpresën e ringjalljes, kur i tha mikes së tij, Martës: «Unë jam ringjallja dhe jeta. Ai që ushtron besim tek unë, edhe sikur të vdesë, do të vijë në jetë.» (Gjoni 11:25, BR) Të besosh në Jezuin do të thotë të besosh në ringjalljen, jo në një shpirt të pavdekshëm.
16. Pse është e arsyeshme të besosh te ringjallja?
16 Jezui kishte folur më parë për ringjalljen, kur u tha disa judenjve: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varret përkujtimore, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin.» (Gjoni 5:28, 29, BR) Ajo që pëshkruan këtu Jezui është shumë e ndryshme nga një shpirt i pavdekshëm që mbijeton pas vdekjes së trupit dhe që shkon drejt e në qiell. Ajo është një ‘dalje’ e ardhshme e njerëzve që kanë qenë në varre, shumë për shekuj të tërë ose edhe për mijëra vjet. Domethënë shpirtrat e vdekur kthehen në jetë. E pamundur? Jo për Perëndinë, «i cili i bën të vdekurit të gjallë dhe i thërret gjërat që nuk janë, si të ishin». (Romakëve 4:17, BR) Skeptikët mund të tallen me idenë e njerëzve që kthehen nga vdekja në jetë, por kjo është në harmoni të përsosur me faktin që «Perëndia është dashuri» dhe se ai është «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me zell».—1. Gjonit 4:16; Hebrenjve 11:6, BR.
17. Çfarë do të kryejë Perëndia me anë të ringjalljes?
17 Në fund të fundit, si mund t’i shpërblejë Perëndia ata që provuan se ishin «besimplotë deri në vdekje», nëse nuk i kthen në jetë? (Zbulesa 2:10, BR) Gjithashtu, ringjallja bën të mundur që Perëndia të kryejë atë për të cilën shkroi apostulli Gjon: «Për këtë qëllim, Biri i Perëndisë u bë i dukshëm, domethënë për të prishur veprat e Djallit.» (1. Gjonit 3:8, BR) Në kopshtin e Edenit, Satanai u bë vrasësi me paramendim i të gjithë racës njerëzore, kur çoi në mëkat dhe vdekje prindërit tanë të parë. (Zanafilla 3:1-6; Gjoni 8:44) Jezui filloi t’i prishte veprat e Djallit, kur dha jetën e tij të përsosur si një shpërblesë korresponduese, duke hapur rrugën që njerëzimi të çlirohej nga skllavëria e trashëguar ndaj mëkatit, e cila qe rezultat i mosbindjes me vullnet të Adamit. (Romakëve 5:18) Ringjallja e atyre që vdesin për shkak të këtij mëkati adamik, do të jetë një prishje e mëtejshme e veprave të Djallit.
Trup dhe shpirt
18. Si reaguan disa filozofë grekë ndaj deklaratës së Pavlit se Jezui ishte ringjallur dhe pse?
18 Kur apostulli Pavël ishte në Athinë, i predikoi lajmin e mirë një turme që përfshinte disa filozofë grekë. Ata e dëgjuan diskutimin e tij rreth Perëndisë së vetëm të vërtetë dhe thirrjen e tij për pendim. Por ç’ndodhi më pas? Pavli e përfundoi ligjëratën e tij, duke thënë: «[Perëndia] ka caktuar një ditë, në të cilën ka si qëllim të gjykojë me drejtësi tokën e banuar, me anë të një njeriu që e ka emëruar ai dhe u ka dhënë një garanci të gjithë njerëzve, duke e ringjallur së vdekuri.» Këto fjalë bënë bujë. «Kur dëgjuan për ringjalljen e të vdekurve, disa filluan të tallen.» (Veprat 17:22-32, BR) Teologu Oskar Kulman vëren: «Për grekët, të cilët besonin në pavdekësinë e shpirtit, mund të ketë qenë më e vështirë se të tjerët ta pranonin predikimin e krishterë të ringjalljes. . . . Mësimi i filozofëve të mëdhenj, Sokratit dhe Platonit, nuk mund të bjerë kurrsesi në përputhje [harmoni] me atë të Besëlidhjes së Re.»
19. Si u përpoqën teologët e të ashtuquajturit krishterim ta harmonizonin mësimin e ringjalljes me doktrinën e shpirtit të pavdekshëm?
19 Edhe pse ishte kështu, në vijim të apostazisë së madhe pas vdekjes së apostujve, teologët u orvatën ta shkrinin në një të vetëm mësimin e krishterë të ringjalljes me besimin e Platonit në shpirtin e pavdekshëm. Me kalimin e kohës, disa ranë dakord me një zgjidhje origjinale: Me vdekjen, shpirti ndahet («çlirohet», siç shprehen disa) nga trupi. Pastaj, sipas Outlines of the Doctrine of the Resurrection (Paraqitje të përmbledhura të doktrinës së ringjalljes) nga R. J. Kuk mbi Ditën e Gjykimit, «çdo trup do të bashkohet përsëri me shpirtin e vet dhe çdo shpirt me trupin e vet». Ribashkimi i ardhshëm i trupit me shpirtin e tij të pavdekshëm thuhet se është ringjallja.
20, 21. Cilët kanë mësuar në mënyrë koherente të vërtetën mbi ringjalljen dhe si u ka sjellë dobi kjo?
20 Kjo teori është ende doktrina zyrtare e kishave kryesore. Ndonëse një nocion i tillë mund t’i duket logjik një teologu, për shumicën e frekuentuesve të kishave është i panjohur. Ata besojnë thjesht se kur të vdesin, do të shkojnë drejt e në qiell. Për këtë arsye, më 5 maj 1995, numri i Commonweal, me shkrimtar Xhon Garvi akuzonte: «Besimi i shumicës së të krishterëve [në lidhje me çështjen e jetës pas vdekjes] duket se është shumë më afër me neoplatonizmin sesa me ndonjë gjë vërtet të krishterë dhe nuk ka bazë biblike.» Në të vërtetë, duke e shkëmbyer Biblën me Platonin, kleri i të ashtuquajturit krishterim shuajti shpresën biblike të ringjalljes për tufat e veta.
21 Nga ana tjetër, Dëshmitarët e Jehovait e hedhin poshtë filozofinë pagane dhe i përmbahen mësimit të Biblës mbi ringjalljen. Ata vënë re se ky mësim është ndërtues, i kënaqshëm dhe ngushëllues. Në artikujt vijues, do të shohim pikërisht se sa themele të forta dhe se sa logjik është mësimi i Biblës mbi ringjalljen, si për ata me shpresë tokësore, ashtu edhe për ata që kanë perspektivën e ringjalljes në një jetë qiellore. Si përgatitje për shqyrtimin e këtyre artikujve, të rekomandojmë të lexosh me vëmendje kapitullin 15 të letrës së parë drejtuar korintasve.
A të kujtohet?
◻ Pse duhet të kultivojmë siguri të patundur te ringjallja?
◻ Cilën perspektivë vuri Jehovai përpara Adamit dhe Evës?
◻ Pse nuk është logjike ta kërkojmë të vërtetën në filozofinë greke?
◻ Pse ringjallja është një shpresë e arsyeshme?
[Figura në faqen 10]
Kur mëkatuan, prindërit tanë të parë humbën shpresën e jetës së përhershme në tokë
[Figura në faqen 12]
Studiuesit e kishës u ndikuan nga besimi i Platonit në pavdekësinë e shpirtit
[Burimi]
Muzetë Kapitolini, Romë