Kapitulli 4
Ai për të cilin të gjithë profetët dhanë dëshmi
1. Çfarë tregojnë faktet mbi ekzistencën paranjerëzore të Jezuit, për sa i përket marrëdhënies së tij me Jehovain?
DUKE përshkruar marrëdhënien e vetë të përzemërt me Jehovain, Jezui tha: «Ati ka dashuri të përzemërt për Birin dhe ia tregon të gjitha gjërat që ai vetë bën.» (Gjoni 5:19, 20) Afërsia e kësaj marrëdhënieje filloi që kur ai u krijua, mijëvjeçarë të panumërt para lindjes së tij njerëzore. Ishte Bir i vetëmlindur i Perëndisë, i vetmi i krijuar nga vetë Jehovai. Çdo gjë tjetër në qiell e në tokë u krijua nëpërmjet këtij Biri të dashur të parëlindur. Ai ka shërbyer edhe si Zëdhënës apo Fjala e Perëndisë, nëpërmjet të cilit vullneti i Perëndisë transmetohej tek të tjerët. Ky Bir që Perëndia e donte në mënyrë të veçantë u bë njeriu Jezu Krisht.—Kolos. 1:15, 16; Gjoni 1:14; 12:49, 50.
2. Deri në ç’pikë profecitë biblike i referohen Jezuit?
2 Para lindjes së tij të mrekullueshme si njeri, për të ishin shkruar me dhjetra e dhjetra profeci të frymëzuara. Siç i tha apostulli Pjetër Kornelit: «Për atë të gjithë profetët dhanë dëshmi.» (Veprat 10:43) Bibla e trajton aq gjerë rolin e Jezuit në lidhje me adhurimin e pastër, saqë një engjëll i tha apostullit Gjon: «Adhuro Perëndinë; sepse dhënia e dëshmisë për Jezuin është ajo që frymëzon profecinë.» (Zbul. 19:10) Ato profeci e identifikojnë qartë atë dhe na tërheqin vëmendjen mbi disa aspekte të qëllimeve të Perëndisë në lidhje me të, që sot na interesojnë aq shumë.
Çfarë zbuluan profecitë
3. (a) Në profecinë e Zanafillës 3:14, 15, kë paraqesin «gjarpri», «gruaja» dhe «fara e gjarprit»? (b) Përse «shtypja në kokë» e gjarprit përbën një interes të madh për shërbëtorët e Jehovait?
3 E para prej këtyre profecive u shpall pas kryengritjes në Eden. Ishte pjesë e gjykimit të nxjerrë nga Jehovai kundër gjarprit. Jehovai tha: «Do të vë armiqësi ndërmjet teje dhe gruas dhe mes farës tënde dhe farës së saj. Ai do të të shtypë kokën dhe ti do t’i shtypësh thembrën.» (Zan. 3:14, 15) Çfarë do të thoshte kjo? Në kohën e caktuar nga Jehovai, profeci të tjera bënë dritë mbi këto fjalë dhe e zgjeruan kuptimin e tyre. Kështu e dimë se ai të cilit iu drejtuan këto fjalë është Satana Djalli, i paraqitur nga gjarpri. «Gruaja» është organizata e drejtë qiellore e Jehovait, që për të është si një grua besnike. «Fara e gjarprit» përfshin engjëjt dhe njerëzit që tregojnë frymën e Djallit, ata që janë kundër Jehovait dhe popullit të tij. Duke ditur se si Djalli përdori gjarprin në Eden, mund të kuptohet prej profecisë se «shtypja e kokës së gjarprit» i referohet shkatërrimit të ardhshëm të këtij biri kryengritës të Perëndisë që kishte shpifur për Jehovain e që i solli vuajtje të mëdha njerëzimit. Por për sa i përket identitetit të «farës» që do të shkaktonte «shtypjen», për një kohë të gjatë ajo mbeti një sekret i shenjtë.—Rom. 16:25, 26.
4. Në ç’mënyrë ndihmon prejardhja e Jezuit për ta identifikuar si Fara e premtuar?
4 Pas afro 2.000 vjetësh të historisë njerëzore, Jehovai dha hollësi të tjera. Ai tregoi se Fara do të shfaqej në radhën e pasardhësve të Abrahamit. (Zan. 22:15-18) Megjithatë, radha që do të sillte Farën nuk do të varej nga prejardhja e thjeshtë trupore, por nga zgjedhja e Perëndisë. Me gjithë dashurinë e Abrahamit për Ismailin, birin që kishte lindur nga skllavja Agara, Jehovai i tha qartë: «Do ta vendos besëlidhjen time me Isakun, që Sara do të të lindë.» (Zan. 17:18-21; 21:8-12) Në vazhdim kjo besëlidhje nuk u vërtetua në Esaun, të parëlindurin e Isakut, por tek Jakobi nga i cili rrodhën të dymbëdhjetë fiset e Izraelit. (Zan. 28:10-14) Me kohë u tregua se Fara do të lindte në fisin e Judës, në shtëpinë e Davidit.—Zan. 49:10; 1. Kron. 17:3, 4, 11-14.
5. Në fillim të shërbimit tokësor të Jezuit, ç’gjë tjetër e bëri të dukshme që ai ishte Mesia?
5 Bibla jo vetëm që paratha 700 vjet përpara se lindja njerëzore e Farës do të ndodhte në Bethlehem, por zbuloi gjithashtu se ai tashmë ekzistonte «prej ditësh e kohësh të pacaktuara», që nga koha kur ishte krijuar në qiell. (Mik. 5:2) Nëpërmjet profetit Daniel qe parathënë koha kur Mesia apo i Mirosuri i Jehovait do të shfaqej në tokë. (Dan. 9:24-26) Dhe kur ai u miros me frymën e shenjtë, një zë nga qielli tregoi identitetin e tij. (Mat. 3:16, 17) Për këtë arsye, Filipi, pasi u bë nxënës i Jezuit, mundi të thoshte me bindje të plotë: «Kemi gjetur atë për të cilin kanë shkruar Moisiu, në Ligj, dhe Profetët: Jezuin, birin (e adoptuar) të Jozefit, nga Nazareti.»—Gjon. 1:45.
6. (a) Pas vdekjes së Jezuit, çfarë kuptuan ithtarët e tij? (b) Kush është kryesisht «fara e gruas» e çfarë do të thotë shkelja e kokës së gjarprit prej tij?
6 Në vazhdim, pasuesit e Jezuit kuptuan që në Shkrimet e frymëzuara lidheshin dhjetra e dhjetra referime profetike për të. Pas vdekjes dhe ringjalljes së tij, ai vetë u «interpretoi atyre gjërat që kishin të bënin me të në të gjitha Shkrimet». (Luka 24:27) Pra, tani është e qartë se Jezui është përbërësi kryesor i «farës së gruas», ai që do të shtypë kokën e «gjarprit», në mënyrë të tillë që ta shkatërrojë Satanain njëherë e përgjithmonë. Nëpërmjet Jezuit, të gjitha premtimet që Perëndia i ka bërë njerëzimit, të gjitha gjërat që aq shumë i dëshirojmë, do të përmbushen.—2. Kor. 1:20.
7. Përveç identitetit të atij të cilit i drejtohen këto profeci, çfarë tjetër është e dobishme të konsiderojmë?
7 Kur ke lexuar për herë të parë disa nga këto profeci, ndoshta edhe ti si eunuku etiopian ke pyetur: «Për kë flet profeti këtu?» Por pasi mori përgjigjen, eunuku nuk e la punën me kaq. Pasi e dëgjoi me vëmendje shpjegimin që i dha Filipi, ai e kuptoi se çmueshmëria për mënyrën se si e kishte përmbushur Jezui profecinë, kërkonte prej tij një veprim, të pagëzohej. (Veprat 8:32-38; Isa. 53:3-9) A reagojmë edhe ne kështu? Nganjëherë është mënyra me të cilën tregohet një profeci që na bën përshtypje të thellë, ose zemra jonë mund të preket nga përfundimi i nxjerrë nga vetë Bibla, kur plotësimi tregohet.
8. Këtu janë përmendur katër modele profetike në lidhje me Jezuin. Duke arsyetuar mbi pyetjet dhe shkrimet e treguara, vër në dukje se si këto profeci ndikojnë mbi ne. Shqyrtoji ato një për një.
8 Duke marrë parasysh këto, shqyrto premtimet vijuese dhe modelet profetike në lidhje me Jezu Krishtin. Jepu përgjigje pyetjeve me ndihmën e shkrimeve të cituara.
(1) Në ç’mënyrë tregimi i Abrahamit që kërkoi të flijonte Isakun na ndihmon të çmojmë atë që bëri Jehovai duke dhënë shpërblimin nëpërmjet Birit të tij? (Gjon. 3:16; Zan. 22:1-18; [vëre se si përshkruhet Isaku në vargun 2.]
Çfarë bindjeje duhet të na japë kjo? (Rom. 8:32, 38, 39)
Por çfarë kërkohet prej nesh? (Zan. 22:18; Gjon. 3:36)
(2) Duke identifikuar Jezuin si profet ngjashëm Moisiut, cilën përgjegjësi serioze na kujton Bibla? (Veprat 3:22, 23; Li. përt. 18:15-19)
Cilat janë disa gjëra që na ka thënë Jezui dhe përse janë të rëndësishme tani? (Mat. 28:18-20; 19:4-9; 18:3-6)
(3) Duke shpjeguar se çfarë paraqiste priftëria e Aaronit, mbi cilat cilësi të shkëlqyeshme të Jezuit si kryeprift Bibla na tërheq vëmendjen? (Hebr. 4:15-5:3; 7:26-28)
Si duhet të ndihemi, pra, kur i afrohemi Perëndisë në lutje përmes Krishtit, që të na ndihmojë për të mundur dobësitë tona?
(4) Duke parë superioritetin e flijimit të Jezuit (që i zëvendësoi të gjitha flijimet nën ligjin e Moisiut), përse duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të mos e bërë shprehi kryerjen e veprimeve që e dimë se nuk i pëlqejnë Perëndisë? (Hebr. 10:26, 27)
Në qoftë se e çmojmë me të vërtetë shpresën e jetës që na është bërë e mundur falë flijimit të Jezuit, cilat gjëra duhet të kryejmë me zell? (Hebr. 10:19-25)
Si mund të tregojmë besimin tonë në Krishtin?
9. Përse është e mundur të shpëtojmë vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit?
9 Pasi i tregoi gjyqit të lartë judaik në Jeruzalem se si profecia u përmbush me Jezuin, apostulli Pjetër përfundoi fuqishëm: «Tek asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk është dhënë nën qiell asnjë emër tjetër mes njerëzve nëpërmjet të cilit duhet të shpëtojmë.» (Veprat 4:11, 12; Psal. 118:22) Të gjithë pasardhësit e Adamit janë mëkatarë e për këtë vdekja e tyre vjen si dënim për mëkatin dhe nuk mund të përdoret si shpërblim për askënd. Por Jezui ishte i përsosur dhe flijimi i jetës së tij ka vlerë shlyese. (Ps. 49:6-9; Hebr. 2:9) Ai i ofroi Perëndisë një shpërblim, vlera e të cilit korrespondonte saktësisht me atë që Adami kishte humbur për pasardhësit e tij. Si kemi përfituar nga kjo?—1. Tim. 2:5, 6.
10. Shpjego një mënyrë me të cilën sakrifica e Jezuit na ka ndihmuar shumë?
10 Na ka mundësuar të kemi një ndërgjegje të pastër falë faljes së mëkateve, diçka shumë më e lartë se ajo që Izraeli mund të fitonte nëpërmjet flijimeve të kafshëve nën ligjin e Moisiut. (Veprat 13:38, 39; Hebr. 9:13, 14) Natyrisht, kjo kërkon që të jemi të ndershëm me veten tonë e të kemi besim të vërtetë në Jezu Krishtin. A e kuptojmë personalisht se sa nevojë kemi për sakrificën e Jezuit? «Në qoftë se deklarojmë se: ‛Nuk kemi asnjë mëkat’, ne vetë mashtrohemi dhe e vërteta nuk është tek ne. Në qoftë se i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë për të na i falur mëkatet dhe për të na pastruar nga çdo padrejtësi.»—1. Gjonit 1:8, 9.
11. Përse zhytja në ujë është një faktor i rëndësishëm për të pasur një ndërgjegje të pastër përpara Perëndisë?
11 Qartë, disa që e pranojnë se janë mëkatarë dhe thonë se besojnë në Krishtin e që në një farë mase u flasin të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë, siç bëri Krishti, nuk tregojnë besim të plotë në Jezuin. Në ç’kuptim? Si tregohet në Bibël, kur në shekullin e parë njerëzit bëheshin me të vërtetë besimtarë, si e shfaqnin publikisht këtë? Duke u pagëzuar. Përse? Sepse Jezui kishte urdhëruar që nxënësit e tij të pagëzoheshin. (Mat. 28:19, 20; Veprat 8:12; 18:8) Kur zemra e një personi është me të vërtetë e prekur nga masat e dashura që ka marrë Jehovai nëpërmjet Jezu Krishtit, ai nuk do të tërhiqet. Do të bëjë çfarëdo ndryshimi të nevojshëm në jetën e tij, do t’i dedikohet Perëndisë dhe do ta simbolizojë këtë me pagëzim në ujë. Siç tregon Bibla, duke treguar besimin në këtë mënyrë, ai i bën «kërkesë Perëndisë për një ndërgjegje të pastër».—1. Pjetr. 3:21.
12. Nëse e kuptojmë që kemi kryer një mëkat, çfarë duhet të bëjmë dhe përse?
12 Natyrisht, sjelljet mëkatare do të shfaqen edhe më tutje. Çfarë të bëjmë, pra? Apostulli Gjon tha: «Po ju shkruaj këto gjëra me qëllim që të mos bëni mëkat.» Pra nuk duhet t’i marrim me lehtësi gabimet tona, në qoftë se ato shfaqen në të vepruarit, në të folurit apo në qëndrim. «Megjithatë, në qoftë se ndonjë bën mëkat, kemi një ndihmës pranë Atit, Jezu Krishtin, të drejtin. Ai është një flijim pajtues për mëkatet tona, e jo vetëm për tonat por edhe për ato të të gjithë botës.» (1. Gjon. 2:1, 2) Por, a do të thotë kjo se për çdo gjë që bëjmë, nëse i lutemi Perëndisë: «Na i fal mëkatet tona», gjithçka është në rregull? Jo. Çelësi për falje është pendimi i sinqertë. Mund të jetë e nevojshme edhe ndihma e pleqve të kongregacionit të krishterë. Duhet të pranojmë se ajo që kemi bërë është e gabuar dhe të ndiejmë keqardhje të sinqertë, në mënyrë që të bëjmë një përpjekje të fuqishme për të mos e përsëritur. (Veprat 3:19; Jak. 5:13-16) Në qoftë se e bëjmë këtë, mund të jemi të sigurt për ndihmën e Jezuit. Në bazë të besimit tonë në vlerën shpërblyese të sakrificës së Jezuit, mund të rifitojmë favorin e Jehovait, e kjo është e domosdoshme që adhurimi ynë t’i pëlqejë atij.
13. (a) Shpjego se cila është një mënyrë tjetër në të cilën na ka ndihmuar flijimi i Jezuit. (b) Përse shërbimi ynë ndaj Perëndisë nuk mund ta paguajë këtë shpërblim? (c) Por nëse me të vërtetë kemi besim, çfarë do të bëjmë?
13 Sakrifica e Jezuit gjithashtu na ka hapur mundësinë e jetës së përhershme: në qiej për një «kope të vogël» e mbi një tokë parajsore për miliarda njerëz të tjerë. (Luka 12:32; Zbul. 20:11, 12; 21:3, 4) Ky nuk është një shpërblim që mund ta blejmë. Sado që të bëjmë në shërbim të Jehovait, nuk mund të mbledhim kaq shumë merita sa Perëndia të na ketë borxh jetën. Jeta e përhershme është «dhurata që jep Perëndia . . . nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotërisë tonë». (Rom. 6:23; Efes. 2:8-10) Megjithatë, nëse kemi besim në atë dhuratë dhe jemi mirënjohës për mënyrën në të cilën është bërë e mundur, do ta tregojmë atë. Duke kuptuar se në ç’mënyrë të mrekullueshme e ka përdorur Jehovai Jezuin, për të kryer vullnetin e Tij dhe sa e rëndësishme është që të gjithë ne ndjekim nga afër gjurmët e Jezuit, do ta bëjmë shërbimin e krishterë një prej gjërave më të rëndësishme në jetën tonë. Besimi ynë do të jetë i dukshëm nga bindja me të cilën u flasim të tjerëve për këtë dhuratë të mrekullueshme të Perëndisë.—Krahaso Veprat 20:24.
14. Çfarë ndikimi bashkues ka ky besim në Jezu Krishtin?
14 Çfarë ndikimi të shkëlqyer bashkues ka ky besim! Përmes tij po i afrohemi Jehovait, Birit të tij dhe njëri-tjetrit në kongregacionin e krishterë. (1. Gjon. 3:23, 24) Na gëzon fakti që Jehovai me dashamirësi i ka dhënë Birit të tij «emrin që është mbi çdo emër tjetër [përveç emrit të Perëndisë], më qëllim që në emër të Jezuit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell dhe i atyre që janë mbi tokë dhe i atyre që janë nën dhe, e çdo gjuhë të rrëfejë hapur se Jezu Krishti është Zotëri në lavdi të Perëndisë, Atit».—Filip. 2:9-11.
Pyetje për përsëritje
● Kur u shfaq Mesia, përse identiteti i tij ishte i qartë për ata që besonin me të vërtetë në Fjalën e Perëndisë?
● Si duhet të ndikojnë mbi ne modelet profetike të përmbushura në Jezuin, të treguara në faqen 34?
● Në cilat mënyra kemi përfituar tashmë prej flijimit të Jezuit? Si mund ta shprehim se e çmojmë atë?
[Kutia dhe figurat në faqen 34]
Modele profetike në lidhje me Jezuin: Si duhet të ndikojnë mbi ty?
Abrahami që ofron Isakun
Moisiu si zëdhënës i Perëndisë
Aaroni si kryeprift
Flijimet e kafshëve