KAPITULLI SHTATËMBËDHJETË
«Nuk ka dashuri më të madhe»
1-4. (a) Ç’ndodhi kur Pilati ia paraqiti Jezuin turmës së zemëruar që ishte mbledhur para pallatit të guvernatorit? (b) Si reagoi Jezui ndaj poshtërimeve e vuajtjeve, dhe cilat pyetje të rëndësishme lindin?
«JA, NJERIU!» Me këto fjalë, guvernatori romak Ponc Pilati ia paraqiti Jezu Krishtin turmës së zemëruar që ishte mbledhur atë mëngjes para pallatit të guvernatorit. Ishte Festa e Kalimit e vitit 33 të e.s. (Gjoni 19:5) Vetëm disa ditë më parë, turmat e kishin nderuar Jezuin kur kishte hyrë në Jerusalem si Mbreti i caktuar nga Perëndia. Kurse tani ishin kthyer kundër tij.
2 Jezuit i kishin veshur një mantel të purpurt si ai që mbanin mbretërit, dhe në kokë i kishin vënë një kurorë. Por manteli sipër kurrizit të gjakosur e të bërë copë nga kamxhiku, si dhe kurora e thurur me gjemba dhe e ngjeshur pas skalpit, ishin vënë për t’u tallur me pozitën e tij si mbret. Turma, e nxitur nga krerët e priftërinjve, ishte kthyer kundër këtij njeriu të keqtrajtuar. Priftërinjtë bërtisnin: «Vëre në shtyllë! Vëre në shtyllë!» I etur për gjak, populli thërriste: «Ai duhet të vdesë.»—Gjoni 19:1-7.
3 Plot dinjitet e guxim, Jezui i duroi poshtërimet dhe vuajtjet pa u ankuar.a Ai ishte gati të vdiste. Më vonë, po atë ditë, iu nënshtrua vullnetarisht një vdekjeje të dhimbshme në shtyllën e torturës.—Gjoni 19:17, 18, 30.
4 Duke dhënë jetën, tregoi se ishte një mik i vërtetë për dishepujt e tij. «Askush nuk ka dashuri më të madhe se ai që jep jetën për miqtë e vet»,—tha Jezui. (Gjoni 15:13) Nga kjo lindin disa pyetje të rëndësishme: a ishte vërtet e nevojshme që Jezui të kalonte tërë ato vuajtje e pastaj të vdiste? Pse ishte i gatshëm ta bënte këtë? Si ‘miq’ dhe dishepuj të tij, si ta imitojmë shembullin që la?
Pse ishte e nevojshme që Jezui të vuante e të vdiste?
5. Si e dinte Jezui fiks çfarë sprovash e prisnin?
5 Si Mesia i premtuar, Jezui e dinte ç’do t’i ndodhte. I njihte mirë profecitë e shumta në Shkrimet Hebraike që parathoshin me hollësi vuajtjet dhe vdekjen e Mesisë. (Isaia 53:3-7, 12; Danieli 9:26) Edhe dishepujve u kishte treguar më shumë se një herë për sprovat që e prisnin. (Marku 8:31; 9:31) Rrugës për në Jerusalem, ku do të kremtonte Festën e fundit të Kalimit, u tha apostujve: «Birin e njeriut do ta dorëzojnë në dorë të krerëve të priftërinjve dhe të skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje dhe do t’ua dorëzojnë njerëzve të kombeve, që do ta tallin, do ta pështyjnë, do ta fshikullojnë e do ta vrasin.» (Marku 10:33, 34) Jezui s’po e ekzagjeronte aspak. Siç e pamë, atë vërtet e tallën, e pështynë, e fshikulluan dhe e vranë.
6. Pse ishte e nevojshme që Jezui të vuante dhe të vdiste?
6 Por pse ishte e nevojshme që Jezui të vuante e të vdiste? Për disa arsye shumë të rëndësishme. Së pari, duke qëndruar besnik, Jezui do të tregonte integritetin e tij dhe do të shenjtëronte emrin e Jehovait. Mos harro që Satanai ngriti akuzën e rreme se njerëzit i shërbejnë Perëndisë vetëm për interes. (Jobi 2:1-5) Duke qëndruar besnik «deri në vdekje . . . në një shtyllë torture», Jezui i dha përgjigjen më të mirë të mundshme kësaj akuze pa baza. (Filipianëve 2:8; Proverbat 27:11) Së dyti, vuajtjet dhe vdekja e Mesisë do të siguronin shlyerjen për mëkatet e njerëzve. (Isaia 53:5, 10; Danieli 9:24) Jezui dha «jetën e vet si shpërblesë për shumë njerëz», duke na hapur kështu rrugën për të pasur miratimin e Perëndisë. (Mateu 20:28) Së treti, duke duruar çdo lloj vështirësie dhe vuajtjeje, Jezui ‘u sprovua në çdo aspekt si ne’. Prandaj është një Kryeprift i dhembshur, në gjendje ‘të kuptojë dobësitë tona’.—Hebrenjve 2:17, 18; 4:15.
Pse Jezui ishte i gatshëm të jepte jetën?
7. Nga çfarë hoqi dorë Jezui kur erdhi në tokë?
7 Për ta kuptuar tamam se çfarë ishte i gatshëm të bënte Jezui, mendo për këtë situatë: kush është ai që do të linte familjen dhe shtëpinë e tij e të shkonte në një vend të huaj, duke e ditur se banorët e atij vendi do ta urrenin, do ta poshtëronin, do ta torturonin e në fund do ta vritnin? Tani mendo për atë që bëri Jezui. Para se të vinte në tokë, kishte një pozitë të veçantë në qiell përkrah Atit. E megjithatë, Jezui la shtëpinë e tij në qiell dhe erdhi në tokë si njeri. Ishte i gatshëm ta bënte këtë, edhe pse e dinte që pjesa më e madhe e njerëzve do t’i kundërviheshin, do ta poshtëronin mizorisht, do t’i shkaktonin tortura të dhimbshme, e madje një vdekje të mundimshme. (Filipianëve 2:5-7) Çfarë e shtyu Jezuin të bënte një sakrificë të tillë?
8, 9. Çfarë e shtyu Jezuin të jepte jetën?
8 Dashuria e thellë për Jehovain ishte motivi kryesor që e shtyu Jezuin ta bënte këtë sakrificë. Qëndrueshmëria e tij ishte tregues i kësaj dashurie. Ngaqë e donte Jehovain, Jezui ishte në merak për emrin dhe për reputacionin e Tij. (Mateu 6:9; Gjoni 17:1-6, 26) Ai donte me gjithë shpirt që emri i Atit të pastrohej nga të gjitha shpifjet e Satanait. Prandaj, për të s’kishte nder dhe privilegj më të madh se të vuante për hir të drejtësisë, pasi e dinte se integriteti i tij do të ndihmonte në shenjtërimin e emrit të madhërishëm të Jehovait.—1 Kronikave 29:13.
9 Jezuin e shtyu edhe diçka tjetër për të dhënë jetën: dashuria për njerëzit. Kjo dashuri zuri fill që në gjenezën e historisë njerëzore. Bibla na tregon se çfarë ndiente Jezui për njerëzit shumë kohë para se të vinte në tokë, kur thotë: «Kisha veçanërisht për zemër bijtë e njerëzve.» (Proverbat 8:30, 31) Kjo dashuri u bë e dukshme kur Jezui ishte në tokë. Siç e pamë në tre kapitujt e mëparshëm të këtij libri, Jezui e tregoi në shumë mënyra sa i donte njerëzit, e sidomos dishepujt e tij. Dhe, më 14 nisan të vitit 33 të e.s., me gatishmëri dha jetën për ne. (Gjoni 10:11) Vërtet, nuk kishte mënyrë më të jashtëzakonshme se kjo, për të treguar dashurinë e tij! A duhet ta imitojmë në këtë drejtim? Po. Madje Jezui na urdhëroi ta bëjmë këtë.
«Ta doni njëri-tjetrin . . . si ju kam dashur unë»
10, 11. Cili është urdhërimi i ri që u dha Jezui dishepujve të vet, çfarë përfshin dhe pse është e rëndësishme t’i bindemi?
10 Natën para se të vdiste, Jezui u tha dishepujve më të afërt: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu si ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi: nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:34, 35) Pse shprehja «ta doni njëri-tjetrin» quhet një ‘urdhërim i ri’? Tekefundit, edhe Ligji i Moisiut kishte këtë urdhërim: «Duaje tjetrin [ose të afërmin] si veten.» (Levitiku 19:18) Por urdhërimi i ri kërkon që dashuria jonë të jetë më e madhe, një dashuri e tillë që do të na shtyjë të japim edhe jetën për të tjerët. Jezui e bëri të qartë këtë, kur tha: «Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin ashtu si ju kam dashur unë. Askush nuk ka dashuri më të madhe se ai që jep jetën për miqtë e vet.» (Gjoni 15:12, 13) Me fjalë të tjera, urdhërimi i ri është: «Duaji të tjerët jo si veten, por më shumë.» Me jetën dhe vdekjen e tij, Jezui na mësoi si mund ta shfaqim këtë dashuri.
11 Pse është e rëndësishme t’i bindemi urdhërimit të ri? Kujto çfarë tha Jezui: «Nga kjo [dashuri vetëmohuese] do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi.» Po, dashuria vetëmohuese na identifikon si të krishterë të vërtetë. Mund ta krahasojmë këtë dashuri me një distinktiv. Nëpër kongreset vjetore të Dëshmitarëve të Jehovait, delegatët, për t’u identifikuar, zakonisht mbajnë nga një distinktiv që tregon emrin dhe kongregacionin e tyre. Dashuria vetëmohuese për njëri-tjetrin është si ky «distinktiv» që identifikon të krishterët e vërtetë. Me fjalë të tjera, dashuria që tregojmë për njëri-tjetrin duhet të jetë kaq e dukshme, sa të shërbejë si një shenjë dalluese ose distinktiv, duke u treguar atyre që na shohin se jemi vërtet dishepuj të Krishtit. Secili prej nesh duhet të pyesë veten: «A është i dukshëm në jetën time ‘distinktivi’ i dashurisë vetëmohuese?»
Çfarë përfshin dashuria vetëmohuese?
12, 13. (a) Deri në ç’pikë duhet të jemi të gatshëm të tregojmë dashuri për njëri-tjetrin? (b) Ç’do të thotë të jemi vetëmohues?
12 Si dishepuj të Jezuit, duhet ta duam njëri-tjetrin siç na deshi ai. Kjo do të thotë të jemi të gatshëm të sakrifikojmë për bashkëbesimtarët. Deri në ç’pikë? Bibla na thotë: «Nga kjo e kemi njohur ç’është dashuria, nga fakti që ai dha jetën për ne. Prandaj edhe ne e kemi për detyrë të japim jetën për vëllezërit tanë.» (1 Gjonit 3:16) Ashtu si Jezui, edhe ne, po të jetë e nevojshme, duhet të jemi të gatshëm të vdesim për njëri-tjetrin. Në kohë përndjekjeje, zgjedhim të japim jetën tonë, në vend që të tradhtojmë vëllezërit tanë në besim e t’u vëmë jetën në rrezik. Në vende të përçara nga konfliktet racore ose etnike, jemi gati të rrezikojmë jetën për të mbrojtur bashkëbesimtarët, pavarësisht nga prejardhja e tyre racore ose etnike. Kur kombet luftojnë kundër njëri-tjetrit, pranojmë të na fusin në burg, ose edhe të vdesim, në vend që të marrim armët e të dalim kundër vëllezërve tanë a kujtdo tjetër.—Gjoni 17:14, 16; 1 Gjonit 3:10-12.
13 Por gatishmëria për të dhënë jetën për vëllezërit, nuk është e vetmja mënyrë për të treguar dashuri vetëmohuese. Në fakt, shumicës prej nesh nuk do t’i duhet kurrë të bëjë një sakrificë kaq supreme. Megjithatë, nëse i duam vëllezërit tanë kaq shumë sa jemi të gatshëm të japim jetën për ta, a nuk do të ishim të gatshëm të bënim sakrifica edhe më të vogla, duke bërë çmos për t’i ndihmuar që tani? Të jemi vetëmohues do të thotë të heqim dorë nga rehatia ose përfitimi ynë, për dobinë e të tjerëve. Edhe nëse nuk na leverdis, tregohemi të gatshëm për të vënë nevojat dhe mirëqenien e tyre para tonave. (1 Korintasve 10:24) Në cilat mënyra praktike mund të tregojmë dashuri vetëmohuese?
Në kongregacion dhe në familje
14. (a) Çfarë sakrificash duhet të bëjnë pleqtë? (b) Çfarë mendon për pleqtë e palodhur të kongregacionit tënd?
14 Pleqtë e kongregacionit bëjnë shumë sakrifica ‘për të kullotur kopenë’. (1 Pjetrit 5:2, 3) Përveçse u duhet të kujdesen për familjen e tyre, mund t’u duhet edhe të harxhojnë kohë gjatë mbrëmjeve ose në fundjavë për t’u kujdesur për çështjet e kongregacionit, si: përgatitja për pjesët e mbledhjeve, vizitat baritore dhe çështjet gjyqësore. Shumë pleq bëjnë edhe sakrifica të tjera, duke punuar pa u lodhur nëpër asamble e kongrese dhe duke shërbyer si anëtarë të Komiteteve të Lidhjes me Spitalet ose të Grupeve të Vizitave te Pacientët. Të tjerë shërbejnë si vullnetarë në Departamentet Vendëse të Projektim-Ndërtimit. Pleq, kurrë mos harroni se duke shërbyer me gatishmëri, domethënë duke harxhuar kohën, energjitë dhe të ardhurat për të ndihmuar motrat e vëllezërit, po tregoni dashuri vetëmohuese! (2 Korintasve 12:15) Përpjekjet tuaja altruiste vlerësohen jo vetëm nga Jehovai, por edhe nga kongregacioni juaj.—Filipianëve 2:29; Hebrenjve 6:10.
15. (a) Cilat janë disa sakrifica që bëjnë gratë e pleqve? (b) Çfarë mendon për gratë, të cilat mbështetin burrat e tyre që të kujdesen për kongregacionin tënd?
15 Por ç’të themi për gratë e pleqve? A nuk bëjnë sakrifica edhe këto gra që mbështetin burrat e tyre, me qëllim që ata të kujdesen për kopenë? Sigurisht që për një grua është sakrificë kur i shoqi ia kushton kohën që mund ta kalonte me familjen, çështjeve të kongregacionit. Mendo edhe për gratë e mbikëqyrësve qarkorë dhe për sakrificat që bëjnë kur shoqërojnë burrat nga njëri kongregacion në tjetrin e nga njëri qark në tjetrin. Ato nuk kanë shtëpinë e tyre si gjithë të tjerët, e ndonjëherë ndoshta u duhet të flenë çdo javë në shtretër të ndryshëm. Sa mirënjohës ndihemi për këto motra që shfaqin dashuri altruiste, duke qenë të gatshme të vënë interesat e kongregacionit para interesave të tyre!—Filipianëve 2:3, 4.
16. Çfarë sakrificash bëjnë prindërit e krishterë për fëmijët e tyre?
16 Si mund të tregojmë dashuri vetëmohuese në familje? Ju prindër, bëni shumë sakrifica për t’u siguruar fëmijëve gjërat e nevojshme e për t’i rritur «me disiplinën dhe me këshillat e Jehovait». (Efesianëve 6:4) Mund t’ju duhet të punoni shumë orë e të sfiliteni, mbase vetëm e vetëm që fëmijëve të mos u mungojë ushqimi, veshja e strehimi. Preferoni që më mirë të keni ju më pak, sesa t’u lini gjë mangut atyre. Gjithashtu, nuk reshtni përpjekjet për të studiuar me fëmijët, për t’i marrë në mbledhje dhe për të dalë me ta në shërbim. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Dashuria juaj vetëmohuese i pëlqen Nismëtarit të familjes dhe mund t’i ndihmojë fëmijët të kenë jetë të përhershme.—Proverbat 22:6; Efesianëve 3:14, 15.
17. Si mund ta imitojnë burrat e krishterë qëndrimin altruist të Jezuit?
17 Ju burra, si mund ta imitoni Jezuin duke treguar dashuri vetëmohuese? Bibla përgjigjet: «Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe e dha veten për të.» (Efesianëve 5:25) Siç e kemi parë, Jezui i deshi kaq shumë dishepujt e vet, sa dha jetën për ta. Një burrë i krishterë e imiton qëndrimin altruist të Jezuit, i cili «nuk kënaqi veten». (Romakëve 15:3) Një bashkëshort i tillë vë me gatishmëri nevojat dhe interesat e gruas para të tijave. Nuk ngul këmbë me kokëfortësi që të dalë e tija, por tregohet i gatshëm të hapë rrugë në rastet kur nuk shkelet ndonjë parim nga Bibla. Burri që tregon dashuri vetëmohuese, fiton jo vetëm miratimin e Jehovait, por edhe dashurinë e respektin e gruas dhe të fëmijëve.
Ç’do të bësh?
18. Çfarë na motivon t’i bindemi urdhërimit të ri për të dashur njëri-tjetrin?
18 Nuk është e lehtë t’i bindemi urdhërimit të ri për të dashur njëri-tjetrin, por kemi një arsye të fortë pse duhet ta bëjmë këtë. Pavli shkroi: «Dashuria që ka Krishti, na motivon, sepse kemi kuptuar fare qartë se një njeri i vetëm vdiq për të gjithë. . . . Prandaj ai vdiq për të gjithë, me qëllim që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për veten, por për atë që vdiq për ta dhe u ngrit nga të vdekurit.» (2 Korintasve 5:14, 15) Meqë Jezui vdiq për ne, a nuk duhet të ndihemi të motivuar që të jetojmë për të? E bëjmë këtë kur ndjekim shembullin e dashurisë së tij vetëmohuese.
19, 20. Cilën dhuratë të çmuar na ka dhënë Jehovai dhe si tregojmë se e pranojmë?
19 Jezui nuk po e ekzagjeronte aspak kur tha: «Askush nuk ka dashuri më të madhe se ai që jep jetën për miqtë e vet.» (Gjoni 15:13) Gatishmëria për të dhënë jetën ishte shprehja më e madhe e dashurisë së tij për ne. Por dikush tjetër ka treguar dashuri edhe më të madhe. Jezui shpjegoi: «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Po, Perëndia na do kaq shumë, sa dha Birin e tij si shpërblesë, duke na dhënë mundësinë që të çlirohemi nga mëkati e nga vdekja. (Efesianëve 1:7) Shpërblesa është një dhuratë e çmuar nga Jehovai, e megjithatë ai nuk na detyron ta pranojmë.
20 Secili prej nesh duhet të vendosë vetë nëse do ta pranojë dhuratën e Jehovait. Si mund ta bëjmë këtë? ‘Duke treguar besim’ te Biri i tij. Por besimi nuk shprehet vetëm me fjalë. Tregohet me vepra, me mënyrën si jetojmë. (Jakovi 2:26) Këtë e bëjmë duke e ndjekur Jezu Krishtin ditë pas dite. Si rezultat, do të kemi shumë bekime tani dhe në të ardhmen, siç do ta shohim në kapitullin e fundit të këtij libri.
a Atë ditë Jezuin e kishin pështyrë dy herë, fillimisht krerët fetarë e pastaj ushtarët romakë. (Mateu 26:59-68; 27:27-30) Por, ai e duroi pa u ankuar edhe këtë trajtim përbuzës, duke përmbushur kështu fjalët profetike: «Nuk ua fsheha fytyrën poshtërimeve dhe të pështyrave.»—Isaia 50:6.