‘Lufto me zell për besimin’!
«Luftoni me zell për besimin, i cili iu transmetua të shenjtëve njëherë e përgjithmonë.»—JUDA 3, BR.
1. Në çfarë kuptimi po marrin pjesë në luftë sot, të krishterët e vërtetë?
USHTARËVE në luftë u ka takuar gjithmonë të bëjnë një jetë të vështirë. Imagjino të kesh ngjeshur armatimet e luftimit dhe të marshosh për kilometra të panumërta në çdo lloj moti, të bësh stërvitje stërmunduese për përdorimin e armëve ose të të duhet të mbrohesh nga çdo lloj kërcënimi i dhunshëm, që të merr jetën ose të lë sakat. Megjithatë, të krishterët e vërtetë nuk marrin pjesë në luftërat e kombeve. (Isaia 2:2-4; Gjoni 17:14) Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë kurrë se në njëfarë kuptimi të gjithë ne jemi në luftë. Satanai është plot urrejtje për Jezu Krishtin dhe për ithtarët e tij në tokë. (Zbulesa 12:17) Të gjithë ata që vendosin t’i shërbejnë Perëndisë Jehova janë, në fakt, të rekrutuar si ushtarë, për të zhvilluar një luftë frymore.—2. Korintasve 10:4.
2. Si e përshkruan Juda luftën e krishterë dhe si mund të na ndihmojë letra e tij të durojmë në të?
2 Në mënyrë të përshtatshme, gjysmëvëllai i Jezuit, Juda, shkroi: «Të dashur, edhe pse po bëja çdo përpjekje për t’ju shkruar mbi shpëtimin që kemi të përbashkët, m’u duk e nevojshme t’ju shkruaj, që t’ju nxit të luftoni me zell për besimin, i cili iu transmetua të shenjtëve njëherë e përgjithmonë.» (Juda 3, BR) Kur Juda i nxit të krishterët të ‘luftojnë me zell’, përdor një term që ka të bëjë me fjalën «sfilitje». Po, kjo betejë mund të jetë e vështirë, madje sfilitëse! A të duket hera-herës e rëndë të durosh në këtë luftë? Letra e shkurtër, por e fuqishme e Judës, mund të na ndihmojë. Ajo na nxit t’i rezistojmë imoralitetit, të respektojmë autoritetin e vendosur në mënyrë hyjnore dhe të mbahemi në dashurinë e Perëndisë. Le të shohim se si t’i aplikojmë këto këshilla.
Rezistoji imoralitetit
3. Cilën situatë urgjente ndeshi kongregacioni i krishterë në kohën e Judës?
3 Juda mundi ta kuptonte se jo të gjithë bashkë të krishterët e tij po e fitonin luftën kundër Satanait. Kopeja ndodhej përballë një situate urgjente. Burra të korruptuar kishin «hyrë tinëz», shkruan Juda. Këta burra po nxitnin me dinakëri imoralitetin. Gjithashtu, me zgjuarsi bënin që veprimet e tyre të dukeshin të arsyeshme, «duke e kthyer dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë sonë në një pretekst për sjellje të shthurur». (Juda 4, BR) Ndoshta, ashtu si disa gnosticistë të lashtë, ata arsyetonin se sa më shumë të mëkatonte një person, aq më shumë mund të merrte prej hirit të Perëndisë, kështu që faktikisht, ishte më mirë të mëkatonte më shumë! Ose ndoshta arrinin në përfundimin se një Perëndi dashamirës nuk do t’i ndëshkonte kurrë. Sido që të arsyetonin, e kishin gabim.—1. Korintasve 3:19, BR.
4. Cilët janë tre shembujt biblikë të gjykimeve të kaluara të Jehovait, që citon Juda?
4 Juda i hodhi poshtë arsyetimet e tyre të gabuara, duke cituar tre shembuj të gjykimeve të Jehovait në të kaluarën: kundër izraelitëve që «nuk tregonin besim»; kundër «engjëjve që . . . braktisën vendin e tyre të duhur të banimit», për të mëkatuar me gratë dhe kundër banorëve të Sodomës dhe të Gomorrës, që «kishin kryer kurvëri me tepri dhe kishin shkuar pas mishit për përdorim të panatyrshëm». (Juda 5-7, BR; Zanafilla 6:2-4; 19:4-25; Numrat 14:35) Në secilin rast, Jehovai solli një gjykim kumbues kundër mëkatarëve.
5. Prej cilit profet të lashtë citon Juda dhe si e shprehu kjo profeci sigurinë absolute të përmbushjes së saj?
5 Më pas, Juda i referohet një gjykimi me shtrirje edhe më të madhe. Ai citon një profeci të Enokut: një fragment që nuk gjendet askund tjetër në Shkrimet e frymëzuara.a (Juda 14, 15) Enoku paratha një kohë kur Jehovai do të gjykonte të gjithë të paperëndishmit dhe veprat e tyre të paperëndishme. Është interesant fakti që Enoku foli në kohën e shkuar, sepse gjykimet e Perëndisë ishin aq të sigurta, si të kishin ndodhur tashmë. Njerëzit mund ta kenë vënë në lojë Enokun e më vonë edhe Noen, por të gjithë tallësit e tillë u mbytën gjatë Përmbytjes globale.
6. (a) Për çfarë duheshin kujtuar të krishterët në kohën e Judës? (b) Pse duhet t’i marrim për zemër përkujtuesit e Judës?
6 Pse shkroi Juda rreth këtyre gjykimeve hyjnore? Sepse e dinte që disa prej atyre që shoqëroheshin me kongregacionet e krishtere në kohën e tij po kryenin mëkate po aq të fëlliqura dhe të dënueshme, sa dhe ato që provokuan gjykimet në të kaluarën. Kështu, Juda shkruan se kongregacioneve u duheshin kujtuar disa të vërteta frymore bazë. (Juda 5, BR) Me sa duket ata kishin harruar se Perëndia Jehova e shikonte se ç’bënin. Po, kur shërbëtorët e vet dhunojnë me dashje ligjet e tij, duke ndotur veten dhe të tjerët, ai shikon. (Proverbat [Fjalët e urta] 15:3) Veprime të tilla e lëndojnë thellë atë. (Zanafilla 6:6; Psalmi 78:40) Është një mendim, i cili ngjall druajtje nderuese që ne, thjesht njerëz, mund të ndikojmë në ndjenjat e Zotërisë Sovran të universit. Ai na vëzhgon përditë dhe kur bëjmë më të mirën tonë për të ndjekur gjurmët e Birit të tij, Jezu Krishtit, sjellja jonë e bën zemrën e tij të gëzojë. Pra, le të mos na acarojnë kurrë përkujtues të tillë, si këta që ofron Juda, por t’i marrim për zemër.—Proverbat 27:11; 1. Pjetrit 2:21.
7. (a) Pse për ata që janë përfshirë në keqbërje serioze është e rëndësishme të kërkojnë menjëherë ndihmë? (b) Si mund ta shmangim të gjithë ne imoralitetin?
7 Jehovai jo vetëm që shikon, por edhe vepron. Si Perëndi drejtësie, herët a vonë ai sjell mbi të ligjtë ndëshkimin. (1. Timoteut 5:24) Ata që arsyetojnë se gjykimet e tij i përkasin vetëm së kaluarës dhe se ai nuk merret me të ligat që bëjnë, thjesht i gënjen mendja. Sa e rëndësishme është sot për këdo që është përfshirë në imoralitet, të kërkojë menjëherë ndihmë nga pleqtë e krishterë! (Jakovit 5:14, 15) Të gjithë ne e kuptojmë seriozitetin e kërcënimit që përbën imoraliteti për mirëqenien tonë frymore. Çdo vit ka viktima, individë që përjashtohen nga mesi ynë, pjesa më e madhe e tyre për kryerje aktesh imorale, pa u penduar. Ne duhet të jemi patundshmërisht të vendosur për t’u rezistuar të gjitha tundimeve, që vetëm sa fillojnë të na çojnë në një drejtim të tillë.—Krahaso Mateun 26:41.
Respekto autoritetin e vendosur në mënyrë hyjnore
8. Cilët ishin «të lavdishmit» që përmenden në Judën 8?
8 Një problem tjetër që trajton Juda, është mungesa e respektit për autoritetin e vendosur në mënyrë hyjnore. Për shembull, në vargun 8 ai i akuzon të njëjtët burra të ligj se «flasin në mënyrë sharëse për të lavdishmit». Cilët ishin këta «të lavdishëm»? Ishin burra të papërsosur, por kishin përgjegjësi që u ishin dhënë me anë të frymës së shenjtë të Jehovait. Për shembull, kongregacionet kishin pleq, të cilëve u ishte ngarkuar kullotja e kopesë së Perëndisë. (1. Pjetrit 5:2) Kishte edhe mbikëqyrës udhëtues, të tillë si apostulli Pavël. Gjithashtu, trupi i pleqve në Jerusalem vepronte si një trup udhëheqës, duke marrë vendime që ndikonin në kongregacionin e krishterë si një i tërë. (Veprat 15:6) Juda ishte tepër në merak që disa persona të tillë në kongregacion po flitnin në mënyrë sharëse, ose po blasfemonin, për këta burra.
9. Cilët shembuj në lidhje me mungesën e respektit për autoritetin citon Juda?
9 Për të denoncuar një të folur të tillë pa respekt, në vargun 11, Juda citon edhe tre shembuj të tjerë si përkujtues: Kainin, Balaamin dhe Koreun. Kaini shpërfilli këshillën e dashur të Jehovait dhe me dashje ndoqi rrugën e vet të urrejtjes vrastare. (Zanafilla 4:4-8) Balaami mori paralajmërime të përsëritura, të cilat vinin pa dyshim nga një burim supernatyror, madje atij i foli edhe gomarica e vet! Por me egoizëm, Balaami vazhdoi të komplotonte kundër popullit të Perëndisë. (Numrat 22:28, 32-34; Ligji i përtërirë 23:5) Koreu kishte pozitën e vet të përgjegjësisë, por nuk i mjaftonte. Ai nxiti rebelimin kundër njeriut më zemërbutë në tokë, Moisiut.—Numrat 12:3; 16:1-3, 32.
10. Si mund të bien sot disa në grackën e ‘të folurit në mënyrë sharëse për të lavdishmit’ dhe pse duhet shmangur një i folur i tillë?
10 Me sa qartësi na mësojnë këta shembuj të dëgjojmë këshillat dhe të respektojmë ata që Jehovai i përdor në pozita përgjegjësie! (Hebrenjve 13:17) Është tepër e lehtë të gjejmë të meta te pleqtë e emëruar, sepse ata janë të papërsosur, përderisa të gjithë ne jemi të papërsosur. Por nëse përqendrohemi te të metat e tyre dhe minojmë respektin për ta, a nuk jemi duke ‘folur në mënyrë sharëse për të lavdishmit’? Në vargun 10, Juda përmend ata që «janë duke folur në mënyrë sharëse për të gjitha gjërat që në të vërtetë nuk i dinë». (BR) Ndonjëherë, disa kritikojnë vendimin që ka marrë një trup pleqsh ose një komitet gjyqësor. Por megjithatë, ata nuk janë në dijeni të të gjitha hollësive që pleqve u është dashur të shqyrtojnë, për të arritur në marrjen e një vendimi. E pra, pse të flasin në mënyrë sharëse për gjëra që në të vërtetë nuk i dinë? (Proverbat 18:13) Ata që ngulmojnë në një të folur të tillë negativ, mund të shkaktojnë përçarje në kongregacion ose ndoshta edhe të krahasohen me ‘shkëmbinj të rrezikshëm të fshehur nën ujë’ nëpër grumbullimet e bashkëbesimtarëve. (Juda 12, 16, 19, BR) Ne nuk do të dëshironim kurrë të përbënim një rrezik frymor për të tjerët. Përkundrazi, secili prej nesh le të jetë i vendosur t’i vlerësojë këta burra me përgjegjësi, për punën e tyre të vështirë dhe për devocionin ndaj kopesë së Perëndisë.—1. Timoteut 5:17.
11. Pse Mikaeli u përmbajt nga dhënia e gjykimit me terma sharës kundër Satanait?
11 Juda citon shembullin e një personi që respektoi siç duhet autoritetin e vendosur. Ai shkruan: «Kur Mikaeli, kryeengjëlli, pati një mosmarrëveshje me Djallin dhe po debatonte për trupin e Moisiut, nuk guxoi të jepte një gjykim kundër tij me terma sharëse, por tha: ‘Të qortoftë Jehovai!’» (Juda 9, BR) Ky tregim magjepsës, i shkruar në Shkrimet e frymëzuara vetëm nga Juda, na jep dy mësime të qarta. Nga njëra anë, na mëson t’ia lëmë gjykimin Jehovait. Duket se Satanai dëshironte ta keqpërdorte trupin e burrit besimplotë, Moisiut, që të nxiste adhurimin e rremë. Sa i lig! Por, me përulësi Mikaeli u përmbajt nga dhënia e një gjykimi, sepse këtë autoritet e kishte vetëm Jehovai. Sa më shumë, atëherë, duhet të përmbahemi ne nga dhënia e gjykimit për burrat besimplotë që përpiqen t’i shërbejnë Jehovait.
12. Çfarë mund të mësojnë nga shembulli i Mikaelit ata që kanë pozita përgjegjësie në kongregacionin e krishterë?
12 Nga ana tjetër, edhe ata që kanë njëfarë autoriteti në kongregacion mund të nxjerrin një mësim nga Mikaeli. Në fund të fundit, ndonëse Mikaeli ishte «kryeengjëlli», kryetari i të gjithë engjëjve, ai nuk abuzoi me pozitën e tij të pushtetit, madje edhe kur e provokuan. Pleqtë besimplotë e ndjekin nga afër këtë shembull, duke e pranuar se abuzimi me autoritetin e tyre tregon mungesë respekti për sovranitetin e Jehovait. Letra e Judës kishte shumë gjëra për të thënë në lidhje me burrat që kishin pozita të respektuara në kongregacion, por që kishin abuzuar me pushtetin e tyre. Për shembull, nga vargu 12 deri në 14, Juda shkruan një denoncim shumë të fortë për «barinjtë që ushqehen pa frikë». (Krahaso Ezekielin 34:7-10.) Me fjalë të tjera, interesimi i tyre i parë ishte të përfitonin ata vetë, jo kopeja e Perëndisë. Sot, pleqtë mund të mësojnë shumë nga shembuj të tillë negativë. Në të vërtetë, këtu fjalët e Judës përshkruajnë një pamje të gjallë të asaj që nuk duam të bëhemi. Kur i dorëzohemi egoizmit, nuk mund të jemi ushtarë të Krishtit; jemi tepër të zënë, duke luftuar për veten. Por në vend të kësaj, le të jetojmë sipas fjalëve të Jezuit: «Ka më shumë lumturi në të dhënë, sesa në të marrë.»—Veprat 20:35, BR.
‘Mbahu në dashurinë e Perëndisë’
13. Pse të gjithë ne duhet të dëshirojmë fort të mbetemi në dashurinë e Perëndisë?
13 Nga fundi i letrës së tij, Juda ofron këtë këshillë që të ngroh zemrën: «Mbahuni në dashurinë e Perëndisë.» (Juda 21, BR) Asgjë nuk do të na ndihmojë ta zhvillojmë luftën e krishterë më shumë sesa kjo gjë e vetme: të mbetemi objekte të dashurisë së Perëndisë Jehova. Në fund të fundit, dashuria është cilësia mbizotëruese e Jehovait. (1. Gjonit 4:8) Të krishterëve në Romë, Pavli u shkroi: «Jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as qeveritë, as gjërat e tanishme, as gjërat që do të vijnë, as pushtetet, as gjatësia, as thellësia, as ndonjë krijim tjetër, nuk do të jetë në gjendje të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Krishtin Jezu, Zotërinë tonë.» (Romakëve 8:38, 39, BR) Por, si mbetemi në këtë dashuri? Vëre tri prej masave që mund të marrim, sipas Judës.
14, 15. (a) Ç’do të thotë të ndërtohemi mbi «besimin tonë më të shenjtë»? (b) Si mund ta shqyrtojmë gjendjen e armaturës sonë frymore?
14 Së pari, Juda na thotë të vazhdojmë të ndërtohemi mbi ‘besimin tonë më të shenjtë’. (Juda 20, BR) Siç e pamë në artikullin e mëparshëm, ky është një proces i pandërprerë. Ne jemi si ndërtesat që kanë nevojë për gjithnjë e më shumë fortifikim kundër sulmeve të ashpra të agjentëve atmosferikë, të cilat sa vijnë e keqësohen. (Krahaso Mateun 7:24, 25.) Pra, le të mos bëhemi kurrë tepër të sigurt! Përkundrazi, le të vërejmë se ku mund të ndërtohemi mbi themelin e besimit tonë, duke u bërë ushtarë më të fortë dhe më besimplotë të Krishtit. Për shembull, mund të shqyrtojmë pjesët përbërëse të armaturës frymore të përshkruar në Efesianëve 6:11-18.
15 Cila është gjendja e armaturës sonë frymore? A është ‘mburoja jonë e madhe e besimit’ aq e fortë sa duhet? Ndërsa shohim në vitet e fundit, a vërejmë shenja plogështie, të tilla, si: rënie të pjesëmarrjes në mbledhje, humbje të zellit për shërbimin ose zbehje të entuziazmit për studim personal? Shenja të tilla janë serioze! Duhet të veprojmë tani, për t’u ndërtuar dhe për t’u forcuar në të vërtetën.—1. Timoteut 4:15; 2. Timoteut 4:2; Hebrenjve 10:24, 25.
16. Çfarë do të thotë të lutemi me frymë të shenjtë dhe cila është ajo gjë që duhet t’ia kërkojmë rregullisht Jehovait?
16 Një mënyrë e dytë për të mbetur në dashurinë e Perëndisë, është të vazhdojmë të «lutemi me frymë të shenjtë». (Juda 20, BR) Kjo do të thotë të lutemi nën ndikimin e frymës së Jehovait dhe në harmoni me Fjalën e tij të frymëzuar nga kjo frymë. Lutja është një mjet jetësor për t’iu afruar personalisht Jehovait dhe për t’i shprehur devocionin tonë. Kurrë nuk duhet ta lëmë pas dore këtë privilegj të mrekullueshëm! Kur lutemi, mund të kërkojmë, në fakt të vazhdojmë të kërkojmë, frymën e shenjtë. (Luka 11:13) Ajo është forca më e madhe në dispozicionin tonë. Me një ndihmë të tillë, gjithmonë mund të mbetemi në dashurinë e Perëndisë dhe të qëndrojmë si ushtarë të Krishtit.
17. (a) Pse është kaq i rrallë shembulli i Judës për sa i përket çështjes së mëshirës? (b) Si mund të vazhdojë secili prej nesh të tregojë mëshirë?
17 Së treti, Juda na nxit të vazhdojmë të tregojmë mëshirë. (Juda 22) Shembulli i atij vetë në lidhje me këtë, është i rrallë. Në fund të fundit, ai ishte i shqetësuar me të drejtë për korruptimin, imoralitetin dhe apostazinë, që po futeshin tinëzisht në kongregacionin e krishterë. Megjithatë, ai nuk iu dorëzua panikut, duke adoptuar pikëpamjen se gjithsesi kohët ishin tepër të rrezikshme për të treguar një cilësi të tillë «të butë» si mëshira. Jo, ai i nxiti vëllezërit e tij të vazhdonin të tregonin mëshirë sa herë që të ishte e mundur, duke arsyetuar përzemërsisht me ata që vuanin nga dyshimet e madje ‘duke ia rrëmbyer zjarrit’ ata që kishin dalë nga udha dhe i ishin afruar mëkatit serioz. (Juda 23; Galatasve 6:1, BR) Ç’nxitje e shkëlqyer për pleqtë, në këto kohë të turbullta! Edhe ata përpiqen të tregojnë mëshirë sa herë që për të ekziston një bazë, ndërsa qëndrojnë megjithatë të patundur kur është e nevojshme. Ngjashëm, të gjithë ne dëshirojmë t’i tregojmë mëshirë njëri-tjetrit. Për shembull, në vend që të ushqejmë inat për çikërrima, mund të jemi bujarë në faljen tonë.—Kolosianëve 3:13.
18. Si mund të jemi të sigurt për fitoren në luftën tonë frymore?
18 Lufta që zhvillojmë ne nuk është e lehtë. Siç thotë Juda, është një ‘luftë me zell’. (Juda 3, BR) Armiqtë tanë janë të fuqishëm. Jo vetëm Satanai, por bota e tij e ligë dhe vetë papërsosmëritë tona, rreshtohen kundër nesh. Por megjithatë, ne mund të jemi plotësisht të sigurt për fitoren! Pse? Sepse jemi në anën e Jehovait. Juda e mbyll letrën e tij me një përkujtues: Jehovait i atribuohet me të drejtë «lavdi, madhështi, fuqi dhe autoritet për gjithë përjetësinë e kaluar, tani dhe në të gjithë përjetësinë». (Juda 25, BR) A nuk është ky një mendim mahnitës? Pra, a mund të ketë ndonjë dyshim se po ky Perëndi ‘është në gjendje të të ruajë të mos pengohesh’? (Juda 24, BR) Sigurisht që jo! Secili prej nesh le të jetë i vendosur për të vazhduar t’i rezistojë imoralitetit, të respektojë autoritetin e vendosur në mënyrë hyjnore dhe për t’u mbajtur në dashurinë e Perëndisë! Në këtë mënyrë, do të gëzojmë së bashku një fitore të lavdishme.
[Shënimi]
a Disa kërkimtarë pohojnë me bindje se Juda po citonte nga Libri i Enokut, një libër apokrif. Megjithatë, R. C. H. Lenski vëren: «Pyesim: ‘Cili është burimi i këtij mozaiku, Libri i Enokut?’ Ky libër është një zmadhim shtesë dhe askush nuk është i sigurt për datat e pjesëve të ndryshme të tij . . . ; askush nuk mund të jetë i sigurt se disa prej shprehjeve të tij nuk janë marrë ndoshta, nga vetë Juda.»
Pyetje për rishikim:
◻ Si na mëson letra e Judës t’i rezistojmë imoralitetit?
◻ Pse është kaq e rëndësishme të respektojmë autoritetin e vendosur në mënyrë hyjnore?
◻ Pse keqpërdorimi i autoritetit në kongregacion është kaq serioz?
◻ Si mund të punojmë për të mbetur në dashurinë e Perëndisë?
[Figura në faqen 15]
Ndryshe nga ushtarët romakë, të krishterët zhvillojnë një luftë frymore
[Figura në faqen 18]
Barinjtë e krishterë shërbejnë jo nga egoizmi, por nga dashuria