Ruhu nga mësuesit e rremë!
«Edhe mes jush do të ketë mësues të rremë.»—2. PJETRIT 2:1, BR.
1. Çfarë kishte pasur ndër mend të shkruante Juda dhe përse e ndryshoi subjektin e tij?
Ç’GJË tronditëse! Mësues të rremë në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë! (Mateu 7:15; Veprat 20:29, 30) Vëllai nga nëna i Jezuit, Juda, ishte i vetëdijshëm për zhvillimin e kësaj gjëje. Ai tha se kishte pasur ndër mend t’u shkruante bashkëbesimtarëve «rreth shpëtimit që e kemi të përbashkët», por ai shpjegoi: «M’u duk e nevojshme t’ju shkruaja për t’ju bërë thirrje që të bëni një betejë të ashpër për besimin.» Përse e ndryshoi Juda subjektin e çështjes që do të trajtonte? Sepse, tha ai, «disa burra janë futur tinëz [nëpër kongregacione] . . . duke e kthyer dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë sonë, në një justifikim për sjellje të shthurur».—Juda 3, 4, BR.
2. Përse kapitulli 2 i letrës së dytë të Pjetrit dhe letra e Judës janë kaq të ngjashme?
2 Me sa duket, Juda shkroi pak kohë pasi Pjetri kishte bërë letrën e tij të dytë. S’ka dyshim që Juda e njihte mirë përmbajtjen e kësaj letre. Sigurisht që ai shprehu shumë mendime të ngjashme me të në letrën e tij të fuqishme, e cila bënte thirrje. Prandaj, ndërsa shqyrtojmë kapitullin 2 të letrës së dytë të Pjetrit, do të vërejmë se sa e ngjashme është ajo me letrën e Judës.
Pasojat e mësimeve të rreme
3. Çfarë kishte ndodhur në të kaluarën, për të cilën Pjetri thotë se do të ndodhte përsëri?
3 Pasi i kishte nxitur vëllezërit e tij që t’i kushtonin vëmendje profecisë, Pjetri thotë: «Megjithatë, [në Izraelin e lashtë] pati edhe profetë të rremë, siç edhe mes jush do të ketë mësues të rremë.» (2. Pjetrit 1:14–2:1) Në kohët e lashta, pjesëtarët e popullit të Perëndisë morën profeci të vërteta, por, gjithashtu, atyre iu desh të ndesheshin edhe me mësimet e korruptuara të profetëve të rremë. (Jeremia 6:13, 14; 28:1-3, 15) «Tek profetët e Jerusalemit,—shkroi Jeremia,—kam parë gjëra të tmerrshme, kryerje të tradhtisë bashkëshortore dhe ecje në gënjeshtër.»—Jeremia 23:14, BR.
4. Përse mësuesit e rremë meritojnë shkatërrimin?
4 Duke përshkruar se çfarë do të bënin mësuesit e rremë në kongregacionin e krishterë, Pjetri thotë: «Pikërisht këta do të fusin brenda tinëzisht sekte shkatërruese dhe do të mohojnë madje dhe pronarin [Jezu Krishtin] që i bleu, duke sjellë mbi veten një shkatërrim të shpejtë.» (2. Pjetrit 2:1, BR; Juda 4) Rezultati përfundimtar i një sektarizmi të tillë të shekullit të parë, është i ashtuquajturi krishterim, siç e njohim sot. Pjetri tregon se përse mësuesit e rremë e kanë më se të merituar shkatërrimin: «Shumë do të ndjekin veprat e tyre të sjelljes së shthurur dhe për shkak të këtyre do të flitet në mënyrë sharëse për rrugën e së vërtetës.»—2. Pjetrit 2:2, BR.
5. Për çfarë ishin përgjegjës mësuesit e rremë?
5 Mendo! Për shkak të ndikimit të mësuesve të rremë, shumë persona në kongregacion do të përfshiheshin në sjellje të shthurur. Fjala greke e përkthyer «sjellje e shthurur», do të thotë gjendje e lëshuar morale, mungesë kufijsh, paturpësi, fëlliqësi, sjellje e pacipë. Pjetri kishte thënë më parë se të krishterët ia kishin «mbathur nga korruptimi që është në botë përmes epshit». (2. Pjetrit 1:4, BR) Por disa ishin duke shkuar drejt kthimit në atë korruptim dhe për këtë, mësuesit e rremë nëpër kongregacione do të ishin përgjegjës në një masë të madhe! Pra, rruga e së vërtetës do të merrte mbi vete një emër të keq. Ç’gjë e trishtueshme! Sigurisht që kjo është diçka, së cilës Dëshmitarët e Jehovait sot duhet t’i kushtojnë vëmendje të madhe. Kurrë nuk duhet të harrojmë se, në varësi nga sjellja jonë, mund t’i sjellim Perëndisë Jehova dhe popullit të tij, nder ose sharje.—Proverbat [Fjalët e urta] 27:11; Romakëve 2:24.
Prezantimi i mësimeve të rreme
6. Çfarë i motivon mësuesit e rremë dhe si përpiqen ta marrin atë që duan?
6 Në mënyrë të mençur, ne mbajmë parasysh se si e prezantojnë mësuesit e rremë mënyrën e tyre të korruptuar të të menduarit. Pjetri thotë së pari se ata e bëjnë këtë tinëzisht, ose në një mënyrë që nuk bie në sy dhe të hollë. Ai shton: «Me lakmi do t’ju shfrytëzojnë me fjalë të falsifikuara.» Mësuesit e rremë i motivon dëshira egoiste, siç theksohet edhe nga përkthimi në The Jerusalem Bible: «Me dëshirë të zjarrtë ata do të përpiqen t’ju blejnë për vete me ligjërata tinëzare.» Ngjashëm, përkthimi i Xhejms Mofat, këtu thotë: «Në epshin e tyre, ata do t’ju shfrytëzojnë me argumente dinake.» (2. Pjetrit 2:1, 3, BR) Ato që thonë mësuesit e rremë, mund t’i duken bindëse dikujt që nuk është frymësisht zgjuar, por fjalët e tyre janë projektuar me kujdes ‘që të blejnë’ njerëz, duke i joshur për t’u shërbyer qëllimeve egoiste të mashtruesve.
7. Cila filozofi u përhap në shekullin e parë?
7 Pa dyshim që mësuesit e rremë të shekullit të parë, ishin të ndikuar nga mënyra e atëhershme në të cilën mendonte bota. Rreth kohës që shkroi Pjetri, po përhapej një filozofi e quajtur gnosticizëm. Gnosticistët besonin se e gjithë materia është e ligë dhe se vetëm ajo që i përket frymës është e mirë. Kështu që disa prej tyre thoshin se nuk ka rëndësi çfarë bën një njeri me trupin e tij fizik. Përfundimisht, argumentonin ata, njeriu nuk do ta kishte këtë trup. Prandaj, ata arritën në përfundimin se mëkatet e trupit, përfshirë edhe ato seksuale, nuk janë të rëndësishme. Me sa duket, pikëpamje të tilla filluan të ndikonin mbi disa që shpallnin krishterimin.
8, 9. (a) Cila mënyrë e shtrembër arsyetimi ndikoi mbi disa të krishterë të hershëm? (b) Sipas Judës, çfarë po bënin disa persona nëpër kongregacione?
8 Një studiues i Biblës vërejti se «ishin ata të Kishës që e shtrembëruan doktrinën e hirit» apo të «dashamirësisë së pamerituar». (Efesianëve 1:5-7, BR) Sipas tij, argumentimi i disave bëhej kështu: «A thoni se [dashamirësia e pamerituar] e Perëndisë është aq e bollshme sa mjafton për të mbuluar çdo mëkat? . . . Atëherë le të vazhdojmë të mëkatojmë, sepse [dashamirësia e pamerituar] e Perëndisë, mund të fshijë çdo mëkat. Në fakt, sa më shumë të mëkatojmë, aq më shumë raste do të ketë [dashamirësia e pamerituar] e Perëndisë për të vepruar.» A të ka zënë ndonjëherë veshi mënyrë arsyetimi më të shtrembër se kjo?
9 Apostulli Pavël e kundërshtoi mënyrën e gabuar të të menduarit rreth mëshirës së Perëndisë, kur pyeti: «A do të vazhdojmë në mëkat, që të jetë me bollëk dashamirësia e pamerituar?» Ai drejtoi edhe këtë pyetje: «A do ta kryejmë një mëkat, sepse nuk jemi nën ligj, por nën dashamirësinë e pamerituar?» Secilës prej pyetjeve, Pavli iu përgjigj në mënyrë emfatike: «Kjo mos ndodhtë kurrë!» (Romakëve 6:1, 2, 15, BR) Qartë, siç vëren Juda, disa po e ‘kthenin dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë sonë në një justifikim për sjellje të shthurur’. Megjithatë, Pjetri vëren se për persona të tillë ‘shkatërrimi nuk po dremit’.—Juda 4, BR; 2. Pjetrit 2:3, BR.
Shembuj paralajmërues
10, 11. Cilët janë tre shembujt paralajmërues që jep Pjetri?
10 Për të theksuar se Perëndia do të ndërmarrë veprime kundër keqbërësve të vullnetshëm, Pjetri jep tre shembuj paralajmërues nga Shkrimet. Së pari, ai shkruan: «Perëndia nuk u përmbajt nga dënimi i engjëjve që mëkatuan.» Këta, thotë Juda «nuk mbajtën pozitën e tyre fillestare, por braktisën vendin e tyre të duhur të banimit» në qiell. Ata erdhën në tokë përpara Përmbytjes dhe morën trupa mishorë, që të përfshiheshin në marrëdhënie seksuale me bijat e njerëzve. Si dënim për sjelljen e tyre jo korrekte dhe jo të natyrshme, ata u hodhën në «Tartar», apo siç thotë tregimi i Judës, ata «u rezervuan me pranga të përjetshme nën errësirën e dendur për gjykimin e ditës së madhe».—2. Pjetrit 2:4, BR; Juda 6, BR; Zanafilla 6:1-3.
11 Më pas, Pjetri u referohet njerëzve të ditëve të Noes. (Zanafilla 7:17-24) Ai thotë se në kohën e Noes, Perëndia «nuk u përmbajt nga dënimi i një bote të lashtë . . . kur solli një përmbytje mbi një botë njerëzish të paperëndishëm». Së fundi, Pjetri shkruan se Perëndia la «për personat e paperëndishëm, një model të gjërave që do të vijnë», duke «i katandisur në hi qytetet e Sodomës dhe Gomorrës». Juda jep informacionin e mëtejshëm se ata individë «kryen kurvëri me tepri dhe shkuan pas mishit, për përdorim të panatyrshëm». (2. Pjetrit 2:5, 6, BR; Juda 7, BR) Burrat jo vetëm që patën marrëdhënie të paligjshme seksuale me gratë, por dëshiruan plot epsh mishin e burrave të tjerë, e ndoshta edhe atë të bishave shtazarake.—Zanafilla 19:4, 5; Levitiku 18:22-25.
12. Sipas Pjetrit, si shpërblehet sjellja e drejtë?
12 Megjithatë, në të njëjtën kohë, Pjetri vëren se Jehovai është një shpërblyes i atyre që i shërbejnë me besim të plotë. Për shembull, ai tregon se si Perëndia «ruajti Noen, një predikues të drejtësisë, bashkë me shtatë të tjerë», kur solli Përmbytjen. Ai tregon edhe për çlirimin që i bëri Jehovai «të drejtit Lot» në kohën e Sodomës, duke nxjerrë përfundimin: «Jehovai di si t’i çlirojë njerëzit me devotshmëri hyjnore nga sprova, por të rezervojë njerëzit e padrejtë për ditën e gjykimit, që të hiqen.»—2. Pjetrit 2:5, 7-9, BR.
Vepra që meritojnë dënimin
13. Cilët janë veçanërisht të rezervuar për gjykimin dhe me sa duket pas cilave ëndrra jepen ata?
13 Pjetri nxjerr në pah ata që janë veçanërisht të rezervuar për gjykimin e Perëndisë, domethënë «ata që shkojnë pas mishit me dëshirën për ta ndotur atë dhe që përbuzin pozitën si zotëri». Pothuajse mund ta ndiejmë indinjimin e Pjetrit, kur thotë: «Me guxim të marrë, kryeneçë, nuk dridhen para të lavdishmëve, por flasin në mënyrë sharëse.» Juda shkruan se «këta burra, . . . duke u dhënë pas ëndrrave, po ndotin mishin . . . dhe po flasin në mënyrë sharëse për të lavdishmit». (2. Pjetrit 2:10, BR; Juda 8, BR) Ëndrrat e tyre mund të përfshijnë fantazi të papastra seksuale, që inkurajojnë ndjekjen nga ana e tyre të kënaqësive seksuale imorale. Por, në çfarë kuptimi e «përbuzin pozitën si zotëri» dhe flasin «në mënyrë sharëse për të lavdishmit»?
14. Në çfarë kuptimi mësuesit e rremë «përbuzin pozitën si zotëri» dhe flasin «në mënyrë sharëse për të lavdishmit»?
14 Ata e bëjnë këtë me përçmimin e tyre ndaj autoritetit të emëruar në mënyrë hyjnore. Pleqtë e krishterë përfaqësojnë Perëndinë e lavdishëm Jehova dhe Birin e tij e për pasojë u është dhënë njëfarë lavdie. Vërtet që ata bëjnë gabime, siç bëri edhe vetë Pjetri, por Shkrimet i nxitin anëtarët e kongregacionit të jenë të nënshtruar ndaj të lavdishmëve të tillë. (Hebrenjve 13:17) Mangësitë e tyre nuk përbëjnë asnjë arsye për të folur në mënyrë sharëse për ta. Pjetri thotë se engjëjt nuk «sollën kundër [mësuesve të rremë] një akuzë me terma sharëse», megjithëse kjo do të ishte më se e merituar. «Por këta burra,—vazhdon Pjetri,—si kafshë të paarsyeshme të lindura natyrshëm për t’u kapur dhe shkatërruar, në gjërat për të cilat janë në padije dhe flasin në mënyrë sharëse, do të vuajnë madje shkatërrimin.»—2. Pjetrit 2:10-13, BR.
«Ndërsa gostiten . . . me ju»
15. Cilat janë metodat e mësuesve të rremë dhe ku shkojnë ata në ndjekje të joshjeve të tyre?
15 Megjithëse këta burra të korruptuar «e konsiderojnë një kënaqësi jetesën luksoze gjatë ditës» dhe «janë njolla e të meta», ata janë edhe dredharakë. Ata veprojnë «tinëzisht», duke përdorur «fjalë të falsifikuara», siç vërejti më sipër Pjetri. (2. Pjetrit 2:1, 3, 13, BR) Pra, ata mund të mos i sfidojnë haptazi orvatjet e pleqve për të mbështetur normat morale të Perëndisë, apo të mos shkojnë hapur në ndjekje të kënaqësisë së tyre seksuale. Përkundrazi, Pjetri thotë se ata jepen «me një kënaqësi të shfrenuar pas mësimeve të tyre mashtruese, ndërsa gostiten bashkë me ju». Juda shkruan: «Këta janë shkëmbinjtë e fshehur nën ujë në gostitë tuaja të dashurisë.» (Juda 12, BR) Po, ashtu si shkëmbinjtë e thepisur nën ujë mund ta çajnë fundin e një varke, duke i bërë të mbyten marinarët që s’janë syçelë, mësuesit e rremë po korruptonin ata që s’ishin syçelë, për të cilët me hipokrizi shtireshin se i donin gjatë «gostive të dashurisë».
16. (a) Çfarë ishin «gostitë e dashurisë» dhe në cilat rrethana të krahasueshme me to mund të veprojnë sot personat imoralë? (b) Mbi cilët e përqendrojnë vëmendjen e tyre mësuesit e rremë dhe prandaj çfarë duhet të bëjnë persona të tillë?
16 Këto ‘gosti dashurie’ me sa duket ishin raste shoqërore, gjatë të cilave të krishterët e shekullit të parë mblidheshin për t’u gëzuar, duke ngrënë e duke u shoqëruar bashkë. Edhe sot, Dëshmitarët e Jehovait mblidhen hera-herës në mënyrë shoqërore, ndoshta nëpër dasma, në piknik apo për të kaluar një mbrëmje së bashku. Si mund t’i përdorin individët e korruptuar këto raste, për të joshur viktimat? Pjetri shkruan: «Ata i kanë sytë plot me tradhti bashkëshortore . . . dhe ndjellin shpirtrat e pavendosur.» Ata i përqendrojnë «zemrat e stërvitura në lakmi» mbi ata që frymësisht janë të lëkundshëm, të cilët nuk kanë arritur ta bëjnë plotësisht të tyren të vërtetën. Prandaj, ji i paralajmëruar nga ajo që ndodhi në kohën e Pjetrit dhe ruhu! Rezistoji çdo propozimi të papastër dhe mos u marros pas magjepsjes apo tërheqjes fizike të ndokujt që është duke bërë propozime imorale!—2. Pjetrit 2:14, BR.
«Shtegu i Balaamit»
17. Çfarë ishte «shtegu i Balaamit» dhe si ndikoi ai mbi 24.000 izraelitë?
17 Këta «të mallkuar» e kanë njohur të vërtetën për njëfarë kohe. Ende mund të duken aktivë në kongregacion. Por, Pjetri thotë: «Duke braktisur shtegun e drejtë, ata kanë devijuar. Ata kanë ndjekur shtegun e Balaamit, biri i Beorit, i cili deshi shpërblimin e keqbërjes.» (2. Pjetrit 2:14, 15, BR) Shtegu i profetit Balaam ishte të këshillonte një rrugë joshjeje imorale, për fitimin e tij personal. Ai i tha mbretit moabit, Balakut, se Perëndia do ta mallkonte Izraelin, nëse populli do të mund të ndillej për të kryer kurvëri. Si rezultat, shumë persona prej popullit të Perëndisë, u joshën nga gratë moabite dhe 24.000 veta u dënuan me vdekje për sjelljen e tyre imorale.—Numrat 25:1-9; 31:15, 16; Zbulesa 2:14.
18. Sa këmbëngulës ishte Balaami dhe për çfarë i paralajmëron rezultati, mësuesit e rremë?
18 Pjetri vëren se Balaami ishte i penguar kur i foli gomari i tij, por megjithatë, Balaami e «deshi shpërblimin e keqbërjes» kaq shumë, saqë edhe kur i ndodhi kjo, nuk e ndërpreu «rrugën e çmendur» të tij. (2. Pjetrit 2:15, 16, BR) Ç’ligësi! Mjerë ndonjë si Balaami, që përpiqet të korruptojë pjesëtarët e popullit të Perëndisë, duke i tunduar për të kryer imoralitet! Për ligësinë e tij, Balaami vdiq, gjë që jep një ide të asaj që do t’i ndodhë të gjithë atyre që ndjekin shtegun e tij.—Numrat 31:8.
Joshjet e tyre djallëzore
19, 20. (a) Me çfarë janë krahasuar ata ngjashëm Balaamit dhe pse? (b) Cilët ndjellin ata dhe si? (c) Përse mund të themi se joshjet e tyre janë djallëzore dhe si mund ta mbrojmë veten e të tjerët prej tyre?
19 Duke përshkruar ata ngjashëm Balaamit, Pjetri shkruan: «Këta janë shatërvanë [ose puse] pa ujë dhe mjegull [ose re] të shtyra nga një stuhi e dhunshme.» Për një udhëtar të etur në shkretëtirë, një pus i thatë mund të ketë domethënien e vdekjes. S’është për t’u çuditur që për ata, të cilët u ngjajnë gjërave të tilla, «është rezervuar errësira e territ»! «Sepse ata shqiptojnë shprehje të fryra të asnjë dobie,—vazhdon Pjetri—dhe me anë të dëshirave të mishit dhe të zakoneve të shthurura, ndjellin ata që sapo po ia mbathin prej njerëzve, të cilët e drejtojnë veten e tyre në gabim.» Ata joshin personat që s’kanë përvojë, duke «u premtuar liri»,—thotë Pjetri, ndërkohë që «ata vetë janë duke ekzistuar si skllevër të korruptimit».—2. Pjetrit 2:17-19, BR; Galatasve 5:13.
20 Joshjet e mësuesve të tillë të korruptuar, janë djallëzore. Ata mund të thonë, për shembull: ‘Perëndia e di që ne jemi të dobët dhe të nënshtruar ndaj pasionit. Kështu që nëse jepemi dhe plotësojmë dëshirat tona seksuale, Perëndia do të jetë i mëshirshëm. Nëse e rrëfejmë mëkatin tonë, ai do të na falë, ashtu siç na fali kur hymë në fillim në të vërtetën.’ Mos harro që Djalli përdori pak a shumë një mënyrë të tillë kur iu drejtua Evës, duke i premtuar se ajo mund të mëkatonte, pa u dënuar. Në rastin e Evës, ai deklaroi se mëkati kundër Perëndisë do t’i jepte ndriçim dhe liri. (Zanafilla 3:4, 5) Nëse do të na ndodhë të hasim një person të tillë të korruptuar që shoqërohet me kongregacionin, kemi detyrimin për të mbrojtur veten, si dhe të tjerët, duke u raportuar për këtë individ personave me përgjegjësi në kongregacionin e krishterë.—Levitiku 5:1.
Të mbrojtur me anë të njohurisë së saktë
21-23. (a) Cilat janë pasojat e dështimit në aplikimin e njohurisë së saktë? (b) Cilin problem tjetër trajton Pjetri, i cili do të merret në shqyrtim më pas?
21 Pjetri e përfundon këtë pjesë të letrës së tij, duke përshkruar pasojat e dështimit në aplikimin e njohurisë, për të cilën më parë tha se është jetësore për «jetën dhe devotshmërinë hyjnore». (2. Pjetrit 1:2, 3, 8, BR) Ai shkruan: «Sigurisht, nëse pasi ia kanë mbathur nga ndyrësitë e botës me anë të një njohurie të saktë të Zotërisë dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, përfshihen përsëri pikërisht në këto gjëra dhe mposhten, për ta gjendjet përfundimtare bëhen më të këqija se të parat.» (2. Pjetrit 2:20, BR) Ç’gjë e trishtueshme! Persona të tillë në kohën e Pjetrit kishin hedhur tej shpresën e çmuar të jetës së pavdekshme qiellore, vetëm për disa çaste kalimtare kënaqësie seksuale.
22 Kështu, Pjetri thotë: «Për ta do të kishte qenë më mirë të mos e kishin njohur saktësisht shtegun e drejtësisë, sesa pasi e kanë njohur saktësisht, të largohen nga urdhërimi i shenjtë që iu transmetua. Atyre u ka ndodhur ajo që thotë proverbi i vërtetë: ‘Qeni u kthye tek e vjella e vet dhe dosa që ishte larë, tek zhgërryerja në llucë.’»—2. Pjetrit 2:21, 22, BR; Proverbat 26:11.
23 Një problem tjetër që me sa duket kishte filluar të ndikonte tek të krishterët e hershëm, ishte i ngjashëm me atë që ndikon sot tek disa. Me sa duket, në atë kohë disa po ankoheshin rreth mosardhjes në dukje të pranisë së premtuar të Krishtit. Le të shqyrtojmë se si e trajton Pjetri këtë çështje.
A të kujtohet?
◻ Cilët janë tre shembujt paralajmërues që citon Pjetri?
◻ Si e «përbuzin pozitën si zotëri» mësuesit e rremë?
◻ Çfarë është shtegu i Balaamit dhe si mund të përpiqen ata që e ndjekin atë, të joshin të tjerë?
◻ Cilat janë pasojat e dështimit në aplikimin e njohurisë së saktë?
[Figura në faqen 17]
Balaami shërben si shembull paralajmërues