Krishtërimi depërton në Azinë e Vogël
NË SHEKULLIN e parë të erës sonë, në Azinë e Vogël (kryesisht Turqia e sotme) lulëzuan shumë kongregacione të krishtere. Një numër i madh judenjsh dhe jojudenjsh e pranuan mesazhin e krishterë. Një fjalor biblik thotë: «Përveç zonës Siri-Palestinë, lëvizja e krishterë bëri hapat e saj të hershëm e më të mëdhenj pikërisht këtu në Azinë e Vogël.»
Duke mbledhur informacione nga burime të ndryshme, mund të krijojmë një tablo më të plotë të përhapjes së krishterimit në këtë rajon. Le të shohim se ç’dobi mund të nxjerrim duke shqyrtuar informacionet që ekzistojnë.
Të krishterët e parë në Azinë e Vogël
Ngjarja e parë domethënëse e përhapjes së krishterimit në Azinë e Vogël ndodhi në festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., kur në Jerusalem ishte mbledhur një turmë shumëgjuhëshe në të cilën kishte edhe judenj të Diasporës (judenj që jetonin jashtë Palestinës) e prozelitë judenj. Apostujt e Jezuit u predikuan lajmin e mirë këtyre vizitorëve. Sipas historisë, disa prej tyre vinin nga Kapadokia, Ponti, nga krahina e Azisë,a nga Frigjia dhe nga Pamfilia—zona që përbënin një pjesë të madhe të Azisë së Vogël. Rreth 3.000 dëgjues e pranuan mesazhin e krishterë dhe u pagëzuan. Gjatë kthimit në shtëpi, ata morën me vete edhe besimin e tyre të ri.—Veprat 2:5-11, 41.
Informacionin tjetër e gjejmë në tregimin biblik të udhëtimeve misionare që bëri në Azinë e Vogël apostulli Pavël. Gjatë udhëtimit të tij të parë, rreth vitit 47-48 të e.s., Pavli lundroi bashkë me shokët e tij nga Qiproja në Azinë e Vogël dhe zbriti në Pergë të Pamfilisë. Në qytetin e Antiokisë që ndodhej në brendësi të vendit, në Pisidi, patën sukses në predikim, dhe kjo shkaktoi xhelozi e kundërshtim nga judenjtë. Kur Pavli udhëtoi drejt juglindjes, në Ikoni, judenj të tjerë komplotuan që t’i trajtonin me harbutëri misionarët. Banorët e qytetit fqinj të Listrës, që ishin me karakter të rrëmbyer, fillimisht e quajtën perëndi Pavlin. Por, pasi erdhën judenjtë kundërshtarë nga Antiokia dhe Ikonia, turma e qëlloi me gurë Pavlin dhe u larguan vetëm kur menduan se kishte vdekur. Pas kësaj përvoje, Pavli dhe Barnaba e vazhduan udhëtimin deri në Derbë, në provincën romake të Galatisë, një zonë ku njerëzit flitnin gjuhën likaonase. U organizuan kongregacione dhe u emëruan pleq. Pra, siç e shikoni, rreth 15 vjet pas festës së Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., krishterimi kishte themele të forta në Azinë e Vogël.—Veprat 13:13–14:26.
Gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar, rreth vitit 49-52 të e.s., Pavli dhe shokët e tij fillimisht udhëtuan nëpër rrugët kryesore në brendësi të vendit deri në Listër, ndoshta duke kaluar nga vendlindja e tij në Tars të Kilikisë. Pasi rivizitoi vëllezërit në Listër dhe shkoi më në veri, Pavli u përpoq ‘ta thoshte fjalën’ në provincat e Bitinisë dhe të Azisë, por fryma e shenjtë ia ndaloi. Ato zona do të predikoheshin më vonë. Në vend të kësaj, Perëndia e drejtoi Pavlin përmes pjesës veriperëndimore të Azisë së Vogël për në Troadë, në bregdet. Më vonë, në një vegim, Pavlit iu dha udhëzimi që të shpallte lajmin e mirë në Evropë.—Veprat 16:1-12; 22:3.
Në udhëtimin e tij të tretë misionar, rreth vitit 52-56 të e.s., Pavli shkoi përsëri përmes Azisë së Vogël, duke mbërritur në Efes, një qytet-port i rëndësishëm i Azisë. Kishte ndaluar edhe më parë atje, kur ishte kthyer nga udhëtimi i tij i dytë. Në atë qytet kishte një grup aktiv të krishterësh dhe Pavli e shokët e tij ndenjën me ta për afro tre vjet. Gjatë kësaj periudhe, patën hera-herës vështirësi e rreziqe, një prej të cilëve (jo i parëndësishëm) ishte edhe revolta e nxitur nga argjendarët efesianë, për të mbrojtur tregtinë e tyre fitimprurëse fetare.—Veprat 18:19-26; 19:1, 8-41; 20:31.
Me sa duket, vepra misionare që e kishte bazën në Efes pati rezultate gjithandej. Te Veprat 19:10 lexojmë: «Të gjithë ata që banonin në krahinën e Azisë, qoftë judenj, qoftë grekë, e dëgjuan fjalën e Zotërisë.»
Zhvillime në Azinë e Vogël
Aty nga fundi i qëndrimit të tij në Efes, Pavli u shkroi korintasve: «Kongregacionet e Azisë ju dërgojnë të fala.» (1 Korintasve 16:19) Cilat kongregacione kishte ndër mend Pavli? Me siguri përfshiheshin ato në Kolose, Laodice dhe Hierapoli. (Kolosianëve 4:12-16) Në librin Pavli—Historia e tij (anglisht), thuhet: «Është logjike të themi se krijimi i komuniteteve në Smirnë, Pergam, Sardë dhe Filadelfia ishte falë nismës misionare të [kongregacionit të] Efesit. . . . Të gjitha këto qytete ishin në një rreze prej 120 miljesh (192 kilometrash) nga Efesi dhe i lidhnin rrugë të shkëlqyera.»
Kështu, rreth 20 vjet pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kishte kongregacione në jug e në perëndim të Azisë së Vogël. Po në pjesët e tjera të rajonit?
Kujt i drejtoheshin letrat e Pjetrit?
Apostulli Pjetër e shkroi letrën e tij të parë të frymëzuar disa vite më vonë, rreth vitit 62 deri 64 të e.s. Ua drejtoi letrën të krishterëve në Pont, Galati, Kapadoki, Azi dhe Bitini. Nga letra e Pjetrit duket se në ato zona kishte kongregacione të krishtere, pasi pleqve të tyre iu bë thirrja ‘të kullotnin kopenë’. Kur u themeluan këto kongregacione?—1 Pjetrit 1:1; 5:1-3.
Në disa zona ku jetonin ata që morën letrat e Pjetrit, siç ishte Azia dhe Galatia, kishte predikuar Pavli. Por ai nuk kishte hyrë dot në Kapadoki e në Bitini. Bibla nuk na e thotë se si u përhap krishterimi në këto rajone, por mund ta kenë çuar judenjtë ose prozelitët që ishin në Jerusalem në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kur u kthyen në vendin e tyre. Sidoqoftë, rreth 30 vjet pas asaj feste, kur Pjetri shkroi letrat e tij, dukej se kishte kongregacione «të shpërndara në gjithë Azinë e Vogël», siç u shpreh një studiues.
Shtatë kongregacionet e Zbulesës
Revolta judaike kundër romakëve solli si pasojë shkatërrimin e Jerusalemit në vitin 70 të e.s. Ndoshta disa të krishterë judenj përfunduan në Azinë e Vogël.b
Aty nga fundi i shekullit të parë të erës sonë, Jezu Krishti, me anë të apostullit Gjon, diktoi disa letra për shtatë kongregacionet në Azinë e Vogël. Këto letra drejtuar kongregacioneve në Efes, Smirnë, Pergam, Tiatirë, Sardë, Filadelfia dhe Laodice, zbulojnë se në atë kohë të krishterët në këtë pjesë të Azisë së Vogël po hasnin rreziqe të ndryshme, si imoraliteti, sektarizmi dhe apostazia.—Zbulesa 1:9, 11; 2:14, 15, 20.
Shërbim modest e me gjithë shpirt
Duket qartë se përhapja e krishterimit në shekullin e parë përfshinte shumë më tepër se ajo që lexojmë në Veprat e Apostujve. Ngjarjet e përshkruara në librin e Veprave kishin protagonistë Pjetrin dhe Pavlin, dy apostuj të njohur, por kishte edhe të tjerë (ndonëse nuk e dimë numrin), që po shërbenin gjetkë. Zhvillimet në Azinë e Vogël vërtetojnë se të krishterët e hershëm e zbatuan me përpikëri urdhrin e Jezuit: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.»—Mateu 28:19, 20.
Edhe sot, në mënyrë të ngjashme, vëllazëria ndërkombëtare njeh vetëm një numër të vogël veprash besnike të Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën. Ashtu si shumica e ungjillëzuesve besnikë të Azisë së Vogël në shekullin e parë, shumica e predikuesve të sotëm të lajmit të mirë janë pak a shumë anonimë. Por edhe ata kanë një jetë plot me punë e me bekime dhe provojnë kënaqësi të thellë duke ditur se po tregohen të bindur e po shërbejnë për të shpëtuar të tjerët.—1 Timoteut 2:3-6.
[Shënimet]
a Në Shkrimet e Krishtere Greke dhe në këtë artikull, «Azia» i referohet provincës romake që zinte pjesën perëndimore të Azisë së Vogël, jo kontinentit të Azisë.
b Historiani Euseb (260-340 të e.s.) thotë se para vitit 66 të e.s., «apostujt, në rrezik të vazhdueshëm nga komplotet vrastare, u detyruan të largoheshin nga Judea. Por, për t’u mësuar njerëzve mesazhin e tyre, udhëtuan në çdo vend me fuqinë e Krishtit».
[Kutia në faqen 11]
KRISHTERIMI I HERSHËM NË BITINI DHE PONT
Provinca e përbashkët e Bitinisë dhe Pontit gjendet në bregun e Detit të Zi, në Azinë e Vogël. Shumë gjëra për jetën e përditshme në këtë provincë i dimë falë asaj që i shkruante Plini i Ri, një zyrtar romak, perandorit, Trajanit.
Rreth 50 vjet pasi letrat e Pjetrit kishin qarkulluar nëpër kongregacionet e kësaj zone, Plini i kërkoi këshillë Trajanit se si të vepronte me të krishterët. «Nuk kam qenë kurrë i pranishëm në një seancë ku merren në pyetje të krishterët. Prandaj, nuk i di ndëshkimet që u jepen zakonisht atyre,—shkruante Plini.—Shumë individë të moshave dhe shtresave nga më të ndryshmet, burra e gra, po sillen në gjyq, dhe ka të ngjarë që kjo gjë të vazhdojë. Jo vetëm qytetet, por edhe fshatrat e zonat e largëta, janë infektuar nga kontakti me këtë kult të përbuzshëm.»
[Diagrami dhe harta në faqen 9]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
UDHËTIMET E PAVLIT
Udhëtimi i parë misionar
QIPRO
PAMFILI
Pergë
Antioki (e Pisidisë)
Ikoni
Listër
Derbë
Udhëtimi i dytë misionar
KILIKI
Tars
Derbë
Listër
Ikoni
Antioki (e Pisidisë)
FRIGJI
GALATI
Troadë
Udhëtimi i tretë misionar
KILIKI
Tars
Derbë
Listër
Ikoni
Antioki (e Pisidisë)
Efes
AZI
Troadë
[Shtatë kongregacione]
Pergam
Tiatirë
Sardë
Smirnë
Efes
Filadelfia
Laodice
[Vende të tjera]
Hierapoli
Kolose
LIKI
BITINI
PONT
KAPADOKI
[Figura në faqen 9]
Antioki
[Figura në faqen 9]
Troadë
[Burimi]
© 2003 BiblePlaces.com
[Figura në faqen 10]
Teatër në Efes.—Veprat 19:29
[Figura në faqen 10]
Themelet e altarit të Zeusit në Pergam. Të krishterët në këtë qytet banonin ‘atje ku ishte froni i Satanait’.—Zbulesa 2:13
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.