«Ringjallja e parë»—Ka filluar tashmë!
«Ata që kanë vdekur në unitet me Krishtin, do të ngrihen të parët.»—1 SELANIKASVE 4:16.
1, 2. (a) Çfarë shprese ka për ata që kanë vdekur? (b) Mbi ç’bazë besoni te ringjallja? (Shih shënimin.)
«TË GJALLËT janë të vetëdijshëm se do të vdesin.» Kjo ka qenë e vërtetë që nga koha kur Adami mëkatoi. Gjatë gjithë historisë, çdo njeri e dinte se do të vdiste herët a vonë dhe shumë kanë pyetur veten: ‘Çfarë vjen pas vdekjes? Cila është gjendja e të vdekurve?’ Bibla përgjigjet: «Të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.»—Eklisiastiu 9:5.
2 Atëherë, a ka ndonjë shpresë për ata që kanë vdekur? Po. Në të vërtetë duhet të ketë, nëse duhet përmbushur qëllimi që kishte në fillim Perëndia për njerëzimin. Gjatë shekujve, shërbëtorët besnikë të Perëndisë kanë treguar besim te premtimi i Jehovait për një Farë që do të shkatërronte Satanain dhe do të zhbënte dëmin që solli ai. (Zanafilla 3:15) Shumica prej tyre kanë vdekur. Në qoftë se duhet të shohin përmbushjen e atij premtimi dhe të premtimeve të tjera që ka bërë Jehovai, ata duhet të ringjallen. (Hebrenjve 11:13) A është e mundur kjo? Po. Apostulli Pavël tha: «Do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.» (Veprat 24:15) Një herë Pavli ringjalli një djalë që quhej Eutik, i cili kishte rënë nga dritarja e katit të tretë dhe «e ngritën të vdekur». Kjo është e fundit nga nëntë ringjalljet që janë shkruar në Bibël.—Veprat 20:7-12.a
3. Çfarë ngushëllimi keni marrë personalisht nga fjalët e Jezuit që janë shkruar te Gjoni 5:28, 29 dhe pse ju ka ngushëlluar?
3 Këto nëntë ringjallje përbëjnë një bazë për të pasur besim te pohimi i Pavlit. Ato na forcojnë sigurinë te fjalët e Jezuit: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin [e Jezuit] dhe do të dalin.» (Gjoni 5:28, 29) Çfarë fjalësh që të japin zemër! Dhe sa ngushëlluese janë për miliona veta, të cilëve njerëzit e dashur u kanë rënë në gjumin e vdekjes!
4, 5. Cilat ringjallje të ndryshme përmend Bibla dhe cila prej tyre do të trajtohet në këtë artikull?
4 Shumica e atyre që do të ringjallen, do të rikthehen në një tokë që do të jetë paqësore nën Mbretërinë e Perëndisë. (Psalmi 37:10, 11, 29; Isaia 11:6-9; 35:5, 6; 65:21-23) Megjithatë, përpara kësaj do të ndodhnin ringjallje të tjera. Së pari, do të ringjallej Jezu Krishti që të paraqiste për ne para Perëndisë vlerën e flijimit të tij. Jezui vdiq dhe u ringjall në vitin 33 të e.s.
5 Më pas, pjesëtarët e mirosur të ‘Izraelit të Perëndisë’ duhet të bashkohen me Zotërinë Jezu Krisht në lavdinë qiellore, ku ‘do të jenë përherë me Zotërinë’. (Galatasve 6:16; 1 Selanikasve 4:17) Kjo quhet ‘ringjallja e parë’. (Zbulesa 20:6) Kur të përfundojë kjo ringjallje, do të jetë koha që miliona njerëz të ringjallen në tokë me mundësinë për të fituar jetën e përhershme në Parajsë. Prandaj, pavarësisht nëse kemi shpresë qiellore ose tokësore, jemi shumë të interesuar për ‘ringjalljen e parë’. Ç’lloj ringjalljeje është ajo? Kur ndodh?
«Me ç’lloj trupi?»
6, 7. (a) Çfarë duhet të ndodhë para se të krishterët e mirosur të shkojnë në qiell? (b) Me ç’lloj trupi do të ringjallen?
6 Në letrën e parë drejtuar korintasve, Pavli ngre një pyetje për ringjalljen e parë: «Si do të ngrihen të vdekurit? Me ç’lloj trupi do të vijnë?» Më pas i përgjigjet pyetjes: «Ajo që mbjell, nuk merr jetë, nëse më parë nuk vdes, . . . kurse Perëndia i jep një trup, ashtu si t’i ketë pëlqyer atij. . . . Tjetër është lavdia e trupave qiellorë dhe tjetër ajo e trupave tokësorë.»—1 Korintasve 15:35-40.
7 Fjalët e Pavlit tregojnë se të krishterët e mirosur me frymën e shenjtë duhet të vdesin para se të marrin shpërblimin qiellor. Kur vdesin, trupi i tyre tokësor rikthehet në pluhur. (Zanafilla 3:19) Në kohën e caktuar të Perëndisë, ata ringjallen me atë lloj trupi që është i përshtatshëm për jetën në qiej. (1 Gjonit 3:2) Gjithashtu Perëndia u jep atyre pavdekësinë. Kjo nuk është diçka që ata e kanë që kur kanë lindur, sikur brenda tyre të ishte fryrë një i ashtuquajtur shpirt i pavdekshëm. Pavli thotë: «Ky që është i vdekshëm, do të veshë pavdekësinë.» Pavdekësia është një dhuratë nga Perëndia që e ‘veshin’ ata që marrin pjesë në ringjalljen e parë.—1 Korintasve 15:50, 53; Zanafilla 2:7; 2 Korintasve 5:1, 2, 8.
8. Si e dimë se Perëndia nuk i zgjedh 144.000 të mirosurit nga fetë e ndryshme?
8 Vetëm 144.000 veta marrin pjesë në ringjalljen e parë. Jehovai filloi t’i zgjidhte ata në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., pak kohë pasi ringjalli Jezuin. Të gjithë ata kanë «të shkruar në ballë emrin e [Jezuit] dhe emrin e Atit të tij». (Zbulesa 14:1, 3) Pra, ata nuk zgjidhen nga fetë e ndryshme. Të gjithë janë ithtarë të Krishtit dhe mbajnë me krenari emrin e Atit, Jehovait. Kur ringjallen, ata marrin një caktim pune në qiej. Shpresa që t’i shërbejnë Perëndisë në një mënyrë të tillë të drejtpërdrejtë i bën që të brofin nga gëzimi.
Ka filluar tashmë?
9. Si na ndihmon Zbulesa 12:7 dhe 17:14 që të llogaritim me afërsi kohën kur fillon ringjallja e parë?
9 Kur ndodh ringjallja e parë? Ka prova të forta se ka filluar tashmë. Për shembull, le të krahasojmë dy kapituj të Zbulesës. Së pari të shohim Zb kapitullin 12. Aty lexojmë se Jezu Krishti i sapovendosur në fron, bashkë me engjëjt e tij të shenjtë, luftojnë kundër Satanait dhe demonëve. (Zbulesa 12:7-9) Siç është treguar shpesh në këtë revistë, kjo luftë filloi në vitin 1914.b Megjithatë, vini re se për asnjë ithtar të mirosur të Krishtit nuk thuhet se është me Jezuin në atë luftë qiellore. Tani le të shohim kapitullin 17 të Zbulesës. Aty lexojmë se pas shkatërrimit të ‘Babilonisë së Madhe’, Qengji do t’i mundë kombet. Më pas thuhet: «E po kështu edhe të thirrurit, të zgjedhurit dhe të besueshmit që janë me të.» (Zbulesa 17:5, 14) «Të thirrurit, të zgjedhurit dhe të besueshmit» duhet të jenë ringjallur tashmë, nëse duhet të jenë me Jezuin për të shkatërruar përfundimisht botën e Satanait. Prandaj, është e arsyeshme që të mirosurit që vdesin para Harmagedonit, ringjallen diku mes vitit 1914 dhe Harmagedonit.
10, 11. (a) Cilët janë 24 pleqtë dhe çfarë i zbuloi Gjonit njëri prej tyre? (b) Ç’përfundim mund të nxjerrim nga kjo?
10 A mund të themi më me saktësi se kur fillon ringjallja e parë? Një e dhënë interesante gjendet te Zbulesa 7:9-15, ku apostulli Gjon përshkruan vegimin e tij për ‘një shumicë të madhe, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte’. Identitetin e kësaj shumice të madhe, Gjonit ia zbulon një nga 24 pleqtë, të cilët përfaqësojnë 144.000 bashkëtrashëgimtarët e Krishtit në lavdinë e tyre qiellore.c (Luka 22:28-30; Zbulesa 4:4) Vetë Gjoni kishte shpresë qiellore; por meqë ishte ende njeri në tokë kur i foli një nga pleqtë, në vegim Gjoni duhet të përfaqësojë të mirosurit në tokë që ende nuk e kanë marrë shpërblimin e tyre qiellor.
11 Atëherë, ç’përfundim mund të nxjerrim nga fakti se një nga 24 pleqtë ia identifikon Gjonit shumicën e madhe? Duket se të ringjallurit e grupit të 24 pleqve mund të përfshihen në komunikimin e të vërtetave hyjnore sot. Pse është e rëndësishme kjo? Sepse identiteti i saktë i shumicës së madhe iu zbulua shërbëtorëve të mirosur të Perëndisë në tokë në vitin 1935. Nëse një nga 24 pleqtë u përdor për të komunikuar këtë të vërtetë të rëndësishme, ai duhej të ishte ringjallur në qiell të paktën para vitit 1935. Kjo do të tregonte se ringjallja e parë nisi diku mes vitit 1914 dhe 1935. A mund të jemi edhe më të saktë?
12. Shpjegoni pse pranvera e vitit 1918 mund të konsiderohet si koha kur mund të ketë filluar ringjallja e parë.
12 Në këtë pikë, mund të jetë e dobishme të shqyrtojmë atë që mund të konsiderohet si një paralel biblik. Jezu Krishti u miros si Mbreti i ardhshëm i Mbretërisë së Perëndisë në vjeshtën e vitit 29 të e.s. Tre vjet e gjysmë më vonë, në pranverën e vitit 33 të e.s., ai u ringjall si një person frymor i fuqishëm. A mund të arsyetojmë, atëherë, se meqë Jezui u vendos në fron në vjeshtën e vitit 1914, ringjallja e ithtarëve të tij besnikë filloi tre vjet e gjysmë më pas, në pranverën e vitit 1918? Kjo është një mundësi interesante. Edhe pse kjo nuk mund të vërtetohet drejtpërdrejt në Bibël, nuk është në kundërshtim me shkrimet e tjera që tregojnë se ringjallja e parë filloi shumë shpejt pas fillimit të pranisë së Krishtit.
13. Në ç’mënyrë 1 Selanikasve 4:15-17 të bën të mendosh se ringjallja e parë nisi në fillim të pranisë së Krishtit?
13 Për shembull, Pavli shkroi: «Ne të gjallët që mbijetojmë deri në praninë e Zotërisë [jo deri në fundin e pranisë së tij], nuk do t’u paraprijmë kurrsesi atyre që kanë rënë në gjumin e vdekjes, se Zotëria do të zbresë nga qielli me një kushtrim, me zë kryeengjëlli dhe me trumbetën e Perëndisë, e ata që kanë vdekur në unitet me Krishtin, do të ngrihen të parët. Më pas, ne të gjallët që mbijetojmë, do të rrëmbehemi së bashku me ta në re, për të takuar Zotërinë në ajër, e kështu do të jemi përherë me Zotërinë.» (1 Selanikasve 4:15-17) Pra, të krishterët e mirosur që vdiqën para pranisë së Krishtit, u ringjallën në jetën qiellore para atyre që janë ende gjallë gjatë pranisë së Krishtit. Kjo do të thotë se ringjallja e parë duhet të ketë filluar herët në praninë e Krishtit dhe vazhdon «gjatë pranisë së [tij]». (1 Korintasve 15:23) Në vend që të ringjallen të gjithë njëherësh, ringjallja e parë ndodh gjatë një periudhe kohe.
«Secilit prej tyre iu dha nga një petk i gjatë i bardhë»
14. (a) Kur përmbushen vegimet që janë shkruar te kapitulli 6 i Zbulesës? (b) Çfarë është përshkruar te Zbulesa 6:9?
14 Të shqyrtojmë edhe dëshminë që përmban kapitulli 6 i Zbulesës. Atje Jezui përshkruhet duke dalë si një Mbret fitimtar i hipur mbi kalë. (Zbulesa 6:2) Kombet përfshihen në një luftë me përmasa epike. (Zbulesa 6:4) Ka një zi buke të përgjithshme. (Zbulesa 6:5, 6) Njerëzimin e pllakosin plagë vdekjeprurëse. (Zbulesa 6:8) Tërë këto ngjarje të profetizuara përputhen plotësisht me kushtet botërore që prej vitit 1914. Por ndodh diçka tjetër. Vëmendja jonë drejtohet te një altar flijimesh. Rrëzë tij janë «shpirtrat e atyre që ishin therur, për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të veprës së dëshmisë që kishin». (Zbulesa 6:9) Meqë «shpirti [ose jeta e] i gjallesës është në gjak», ajo që paraqitet sikur është rrëzë altarit është gjaku i shërbëtorëve besnikë të Jezuit që u therën për shkak të dëshmisë së tyre të guximshme e të zellshme.—Levitiku 17:11.
15, 16. Shpjegoni pse fjalët e Zbulesës 6:10, 11 i referohen ringjalljes së parë.
15 Ashtu si gjaku i Abelit të drejtë, gjaku i këtyre martirëve të krishterë thërret për drejtësi. (Zanafilla 4:10) «Ata bërtitën me zë të lartë e thanë: ‘Deri kur, o Zotëri Sovran i shenjtë dhe i vërtetë, do të përmbahesh dhe nuk do t’i gjykosh e të marrësh hak për gjakun tonë ndaj atyre që banojnë në tokë?’» Çfarë ndodh më pas? «Secilit prej tyre iu dha nga një petk i gjatë i bardhë. Iu tha të pritnin edhe pak, derisa të plotësohej numri i shokëve të tyre të skllavërisë dhe i vëllezërve të tyre, që pas pak kohe do të vriteshin sikurse ishin vrarë edhe ata.»—Zbulesa 6:10, 11.
16 A iu dhanë këto petka të bardha pellgjeve me gjak që ishin rrëzë altarit? Patjetër që jo! Petkat iu dhanë individëve gjaku i të cilëve ishte derdhur, si të thuash, mbi altar. Ata flijuan jetën në emër të Jezuit dhe u ringjallën si persona frymorë. Si e dimë këtë? Më përpara në librin e Zbulesës lexojmë: «Ai që del fitimtar, do të vishet me rroba të bardha. Dhe kurrsesi nuk do t’ia fshij emrin nga libri i jetës.» Të kujtojmë edhe se 24 pleqtë ishin «të veshur me rroba të bardha. Ata [kishin] mbi krye kurora prej ari». (Zbulesa 3:5; 4:4) Prandaj, pasi luftërat, zia e bukës dhe murtaja filluan të goditnin tokën, pjesëtarët e 144.000-ve të cilët kishin vdekur dhe që paraqiten nga gjaku rrëzë altarit, u ringjallën në jetën qiellore dhe në mënyrë simbolike vishen me petka të gjata e të bardha.
17. Në ç’kuptim duhet ‘të presin’ ata që marrin petka të gjata të bardha?
17 Ata që ringjallen duhet ‘të presin’. Duhet të presin me durim ditën e hakmarrjes së Perëndisë. ‘Shokët e tyre të skllavërisë’, pra, të krishterët e mirosur që janë në tokë, ende duhet të provojnë integritetin e tyre nën sprova. Kur të vijë koha e gjykimit të Perëndisë, ‘pritja’ e tyre do të marrë fund. (Zbulesa 7:3) Në atë kohë, këta të ringjallur do të marrin pjesë bashkë me Zotërinë Jezu Krisht për të sjellë shkatërrimin mbi të ligjtë, përfshirë edhe mbi ata që derdhën gjakun e të krishterëve të pafajshëm.—2 Selanikasve 1:7-10.
Ç’domethënie ka për ne?
18, 19. (a) Për cilat arsye mund të nxirrni përfundimin se ringjallja e parë ka filluar tashmë? (b) Si ju bën të ndiheni kuptueshmëria për ringjalljen e parë?
18 Në Fjalën e Perëndisë nuk tregohet një datë e saktë për ringjalljen e parë, por aty zbulohet se ajo ndodh gjatë një periudhe kohe, gjatë pranisë së Krishtit. Të parët që ringjallen, janë të krishterët e mirosur që vdiqën para se të fillonte prania e Krishtit. Ndërsa prania e Krishtit vazhdon, të krishterët e mirosur që mbarojnë me besnikëri udhën e tyre tokësore shndërrohen «sa hap e mbyll sytë» në krijesa frymore të fuqishme. (1 Korintasve 15:52) A do ta marrin gjithë të mirosurit shpërblimin e tyre qiellor para luftës së Harmagedonit? Nuk e dimë. Megjithatë dimë se në kohën e duhur të Perëndisë, të gjithë 144.000 do të jenë në malin qiellor të Sionit.
19 Dimë gjithashtu se shumica e 144.000-ve janë bashkuar tashmë me Krishtin. Vetëm një numër relativisht i vogël është ende në tokë. Çfarë treguesi i fuqishëm se koha e ekzekutimit të gjykimit të Perëndisë po afrohet me të shpejtë! Së shpejti e tërë bota e Satanait do të shkatërrohet. Vetë Satanai do të hidhet në humnerë. Pastaj, do të mund të fillojë ringjallja e përgjithshme, dhe njerëzit besnikë, në bazë të flijimit shpërblyes të Jezuit, do të mund të arrijnë atë përsosmëri që humbi Adami. Profecia e Jehovait që është shkruar te Zanafilla 3:15 po përmbushet në mënyrë të mrekullueshme. Ç’privilegj i madh është të jetojmë në këto kohë!
[Shënimet]
a Për tetë ringjalljet e tjera shihni 1 Mbretërve 17:21-23; 2 Mbretërve 4:32-37; 13:21; Marku 5:35, 41-43; Luka 7:11-17; 24:34; Gjoni 11:43-45; Veprat 9:36-42.
b Për prova biblike se prania e Krishtit filloi në vitin 1914, shihni librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, faqet 215-218, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
c Për informacione se si e dimë që 24 pleqtë përfaqësojnë të krishterët e mirosur në pozitën e tyre qiellore, shihni librin Zbulesa—Plotësimi i saj madhështor është afër!, faqja 77, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
A mund të shpjegoni?
Si na ndihmojnë shkrimet vijuese të kuptojmë kohën e ‘ringjalljes së parë’?
• 1 Korintasve 15:23; 1 Selanikasve 4:15-17
[Figurat në faqen 26]
Cilat ringjallje ndodhin para se njerëzimi në përgjithësi të ringjallet?
[Figura në faqen 29]
Në ç’kuptim disave që flinin në gjumin e vdekjes, u jepet një petk i gjatë i bardhë?